• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË GJITHË PËR KONGRESMENIN ELIOT ENGEL!

June 21, 2020 by dgreca

-Kundërshtari i tij është afrikano -amerikani  44-vjeçar,  Jamaal Bowman,  një drejtor shkolle të mesme, i cili ka siguruar mbështetjen e krahut të majtë  ekstrem të Partisë Demokrate, përfshirë Senatorin Bernie Sanders, Senatores Elizabeth Warren, kongresmenes Alexandra Ocasio-Cortez dhe të tjerë,  madje ai ka siguruar  edhe mbështetjen e gazetës së madhe të Nju Jorkut, “The New York Times”./

Mik u mirë njihet në ditë të vështirë/

Shkruan: Frank Shkreli/*

Thonë se miku i mirë njihet në ditë të vështirë.  Në ditët më të vështira, Kongresmeni demokrat nga Nju Jorku, Z. Eliot Engel,  ka qenë dhe vazhdon të jetë mik shumë i mirë i shqiptarëve për një kohë të gjatë.  Për aq gjatë, në të vërtetë,  sa shpeshëherë e pyes veten, se si nuk u lodh ky ligjvënës amerikan me ne  dhe me gomarllëqet tona shqiptare, me konflikte politike midis partive dhe udhëheqësve të këtyre partive shqiptare, me korrupsionin, me shkeljet e lirive bazë të njeriut, përfshirë  lirinë e medias, dështimit të ndërtimit  të një shteti ligjor, dhe të tjera halle që, kryesisht, shqiptarët po ia shkaktojnë vetvetes këta  30-vjetët e kaluara.  Lista është shumë e gjatë e problemeve që po pengojnë seriozisht  shtet-formimin, duke detyruar shqiptarët të largohen masivisht nga trojet e veta, si nga Kosova, ashtu edhe nga Shqipëria.  Kurdoherë që politikanët  shqiptarë  vizitojnë  Washingtonin, nuk largohen kurrë pa u ndaluar tek miku i shqiptarëve,  Kongresmeni  Eliot Engel, për t’u konsultuar me të dhe për të marrë edhe fotografi, pasi ata janë të vetëdijshëm për popullaritetin  e Z. Eliot Engel  në radhët e shqiptarëve, anë e mbanë trojeve tona, si njëri prej mbështetësve më të vendosur dhe parimorë, që kemi pasur ndonjëherë në Washington. Po, po, kemi pasur edhe mbështetës të tjerë të njohur të politikës amerikane,  nga presidentë  e senatorë e deri tek kongresmenë gjatë viteve, kontributin e të cilëve për të drejtat e shqiptarëve,  kur shqiptarët ishin në orën më të zezë të historisë së tyre, unë dhe të tjerë, jemi përpjekur  t’a vemë në dukje, nga koha në kohë.  Shumë prej tyre janë larguar nga politika për  arsye moshe, disa kanë ndërruar jetë, e disa të tjerë  kanë humbur  interesin e tyre të dikurshëm  për çështjet  shqiptare, qoftë për mungesë të aktivizimit  të komunitetit  shqiptaro-amerikan, qoftë se pse ndoshta konsiderojnë se Shqipëria, është e lirë nga komunizmi dhe Kosova është çliruar nga okupimi serb dhe sot gëzon pavarësinë dhe si përfundim,  nuk kanë më nevojë për një angazhim si dikur.  Por, mund të them me bindje të thellë, se si asnjë tjetër politikan amerikan,  megjithë qëllimet e mira të tyre dhe punës së tyre të mirë në favor të shqiptarëve gjatë viteve,  nuk ishte si Kongresmeni Eliot Engel,  i cili e ka trajtuar çështjen shqiptare me seriozitetin  më të madh, si një kauzë morale, politike, kombëtare dhe ndërkombëtare  të tijën , si një çështje e dinjitetit njerëzor. Për më tepër, Eliot Engel,  njëri prej demokratëve më të fuqishëm në Kongresin e Shteteve të Bashkuara,  mbetet sot pothuaj i vetmi ligjvënës  amerikan,  si njohës i mirë i problemeve shqiptare në Ballkan dhe mbështetës i vendosur  i interesave kombëtare shqiptare,  në pozitën e tij të lartë si Kryetar  i Komisionit të fuqishëm të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme.  Në këtë kapacitet, ai vazhdon të jetë i angazhuar me punët shqiptare dhe nuk demoralizohet nga politikat dhe të bëmat dhe të pa bërat e kësaj klase politike shqiptare të dështuar, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, por mbetet  gjithnjë optimist, për një të ardhme më të ndritur për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor.Në këto kohë të turbullta kombëtare dhe ndërkombëtare, Eliot Engel ka thënë se “Shtetet e Bashkuara janë më të forta në skenën globale, kur ne zhvillojmë një politikë të jashtme të rrënjosur në vlerat thelbësore amerikane – në mbështetjen për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.”  Një kampion i vërtetë i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, Eliot Engel ka qëndruar dhe vazhdon të jetë pranë shqiptarëve kudo dhe gjithmonë, bazuar në këto parime të politikës së jashtme amerikane. Por, sot, Kongresmeni Eliot Engel, ka nevojë më shumë se kurrë, për mbështejen e miqëve të tij shqiptarë-amerikanë,  sidomos të atyre  shqiptarëve që jetojnë e punojnë dhe që kanë të drejtë vote si anëtarë të Partisë Demokrate në zgjedhjet paraprake në distriktin e tij elektoral, më 23 qershor 2020.  Z. Engel  ka nevojë urgjente për  votën e secilit shqiptar  e shqiptare me të drejtë vote në distriktin electoral, për anëtar Kongresi.  Kurrë mos mendoni se vota jote është vetëm një votë dhe si e tillë nuk ka rëndësi.  Sot miku ynë i madh, Eliot Engel, gjendet  përballë  një dite të vështirë në jetën e tij politike dhe ka nevojë  për ne, si individë dhe si komunitet shqiptar -amerikan, sepse ia kemi borxh, për të gjitha ato që ka bërë për ne, gjatë 30-viteve të tij në Kongresin e Shteteve të Bashkua dhe jashtë tij!

Ka ardhur koha që shqiptarët t’i gjenden pranë dhe të ndihmojnë mikun e tyre Eliot Engel-in, në ditën e tij të vështirë.  Me 23 qershor, mbahen votimet paraprake për të zgjedhur kanditatin e Partisë  Demokrate për Kongres, i cili do të përballet me kandidatin republican, në nëntor.  Kandidati demokrat që do zgjidhet këtë të martë, qoftë Z. Engel, qoftë kundërshtari i tij demokrat do jetë i sigurt, se do fitojë zgjedhjet e nëntorit,  kundër kandidatit republikan,  pasi ky distrikt zgjedhor  banohet me një  përqindje dërmuese demokratësh.  Kështuqë, votimet ditën e martë janë  kritike për  Z. Engel.  Analistët thonë,  se për herë të parë në 30-vjet, (Kongresmeni Engel është zgjedhur  në Kongres për herë të pare, në vitin 1989),  Z. Engel gjendet  përballë sfiduesit më  serioz të karierës  së tij politike nga radhët e Partisë Demokrate.  Kundërshtari i tij është afrikano -amerikani  44-vjeçar,  Jamaal Bowman,  një drejtor shkolle të mesme, i cili ka siguruar mbështetjen e krahut të majtë  ekstrem të Partisë Demokrate, përfshirë Senatorin Bernie Sanders, Senatores Elizabeth Warren, kongresmenes Alexandra Ocasio-Cortez dhe të tjerë,  madje ai ka siguruar  edhe mbështetjen e gazetës së madhe të Nju Jorkut, “The New York Times”.  Mbështetjen  për  Kongresmenin  Eliot Engel, lajmeve të fundit, e kanë shpallur tanimë, ish-senatorja dhe ish-kandidatja për president, Hillary Clinton, Senatori aktual demokrat i Neë Yorkut, Chuck Schumer dhe të tjerë.  Sipas një sondazhi  të ditëve të fundit, kundërshtari i Z.Engel,  udhëheq  tani për tani, me 10 për qind (41-31) ndërsa,  27 për qind e votuesve, mbeten ende të pavendosur se për cilin kandidat do të votojnë të martën më 23 qershor.Shqiptaro-amerikanët  me të drejtë vote, që jetojnë e punojnë në këtë distrikt elektroal,  mund të bëjnë ndryshimin e këtyre numrave, me qëllim që të sjellin Kongresistin  Eliot Engel, edhe për një mandat tjetër  në  Kongresin e Shteteteve të Bashkuara.  Shqiptarët, kudo qofshin kanë ende nevojë për angazhimin e tij të mëtejshëm me çeshtjet dhe kauzat tona, të cilat ai i ka promovuar dhe i ka mbështetur si asnjë tjetër ligjvënës në Ëashington.  Duhet të jemi të vetëdijshëm se nëqoftëse humb Kongresisti Engel në këto zgjedhje, shqiptarët do të humbasin shumë si komunitet këtu në Amerikë, por do ta pësojnë keq, edhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në përgjithësi, marrëdhëniet me Shqipërinë dhe me Kosovën në veçanti.  Nuk do të ketë më një zë në  Kongresin amerikan që t’i thotë kësaj administrate, ose një tjetre nesër,  ndal! kur punët nuk shkojnë në interes të shqiptarëve!  Jam i sigurt, se Tiranës dhe Prishtinës zyrtare,  nuk ua “ndinë” kjo situatë,  për të përdorur një shprehje popullore, sepse janë të “nxanë” me punë shumë më me rëndësi:  për karrige e pushtet për vete dhe për partitë e tyre.  Më kujtohet kur isha Drejtor i NACC-ut në vitin 2005, grupi i çështjeve  shqiptare  në Kongres, themeluar nga Eliot Engel, me kolegë të tij, kishte më shumë se dy dyzina anëtarë, gjysma republikanë, gjysma demokratë dhe shumë mbështetës  të  tjerë. Sot, edhe nëqoftëse ekziston ky grup, ekziston si emër, vetëm sa për sy e faqe. Me humbjen e mundëshme të Z. Engel,  “larg o Zot!” – thoni lamtumirë  grupit të çështjeve shqiptare, sado i vogël dhe i pa influencë që të jetë aktualisht.  Lutemi që Z. Engel të fitojë edhe në këto zgjedhje, se përndryshe, shqiptarëve u humb zëri i fundit me rëndësi në Ëashington.  Duke votuar Kongresmenin Eliot Engel,  ju, jo vetëm votoni për të dërguar në Ëashington  edhe për një mandat tjetër një mbështetës  të sprovuar  të çështjeve shqiptare dhe një mbështetës  i fortë i  komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe për të ndaluar shkuarjen në Kongres, të një ultra majtisti socialist, i tipit të Senatorit Sanders,  sepse kush fiton të martën në atë distrikt zgjedhor,  fiton edhe zgjedhjet e përgjithshme  në nëntor, pasi ajo zonë është me shumicë dërmuese demokrate.

Fotot më poshtë janë nga udhëtimi i një delegacioni të Këshillit  Kombëtar  Shqiptaro-Amerikan KKSHA) në trojet shqiptare, nga data 2 deri 10 Korrik, 2005, (kur autori ishte Drejtor i (KKSHA) – me Kongresistin Eliot Engel,  dhe me disa anëtarë  të bordit  të  KKSHA-s, përfshirë aktivistët e njohur  të komunitetit  dhe të çështjeve kombëtare, Harry Bajraktari dhe Rrustem Gecaj,  si dhe disa përfaqësues  të komunitetit shqiptaro-amerikan nga  Nju Jorku dhe Detroiti.  Unë jam dëshmitar i shumë veprave madhore të Z. Engel  në favor të shqiptarëve, por kjo vizitë në trojet shqiptare,  është vetëm një shembull i angazhimit  të pa kursyer të  Z. Eliot Engel, për çështjet  shqiptare,  në përgjithësi, atëherë dhe sot.  Ky pra është momenti për të treguar se komuniteti shqiptaro-amerikan,  është mirënjohës dhe i denjë i kësaj mbështetjeje  prej tri dekadash, për çështjet shqiptare, duke dalë masivisht në votime, për të hedhur votën në favor të kandidaturës së  Z. Eliot Engel, në zgjedhjet e ditës së martë, edhe për një mandat tjetër.  Gjëja më e vogël që mund të bëjnë shqiptarët në distriktin e tij elektoral, për t’i thënë, “Thank You, Congressman Engel”, për të gjithë ndihmën dhe kujdesin që kini treguar për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për shqiptarët në përgjithësi, gjatë tre dekadave të kaluara, është që të dilni e të votoni për Kongresistin Eliot Engel,  ditën e martë më 23 qershor – njërin prej 10 demokratëve  më  efektivë në  Kongresin  amerikan, sipas  universitetit  Virxhinia dhe universitetit  Vanderbilt.

Mos ta presim në besë mikun tonë të madh, në këtë ditë të vështirë për të, kur ka nevojë për ne.

*Ish Drejtor i VOAs për Euro Azinë

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, per Eliot Engel, te gjithe

Të jemi gjithë nga pak Nënë Tereza për vendin tonë!

August 28, 2017 by dgreca

Imzot Dodë Gjergji: Të jemi gjithë nga pak Nënë Tereza për vendin tonë!/*

Ipeshkvi Dode Gjergji - Kosove okKatedrale-Nena-Tereze

Fort të dashur miq,/

Me dashurinë e Nënë sonë Tereze, dua të Ju përqafoj të gjithëve, të Ju dëshiruar të keni paqe e gëzim në zemrat tuaja, e të arrini të jeni gjithë nga pak Nënë Tereza për vendin tonë.Të gjithë ne e kemi të njëjtën zemër bujarie, të njëjtin entuziazëm guximi për t’i shërbyer të mirës dhe për të qenë në dobi të të afërmve, sepse këtë mësim ne e marrim prej Krishtit, këtë e mbjellim në zemër dhe të njëjtën dua t’ia dhurojmë botës.Ne, sot po fillojmë të përgatitemi për festën e madhe të 5 shtatorit, ditë kur do ta shugurojmë këtë shenjtërore.Në traditën e moçme, nga 26 gusht – 5 shtator, kanë qenë ditët e Nënë Terezës, dhe ne dëshirojmë t’i vazhdojmë ato, sepse është një nëntëditësh përgatitje për festën e madhe të 5 shtatorit, në ditën e shugurimit të kësaj Shenjtërore, e cila dëshirojmë që të jetë një vend ku çdo njeri pa dallim, çdo njeri i vullnetit të mirë, të vijë e të mësojë se çfarë do të thotë dashuria, të vijë e të mësojë çfarë do të thotë shërbimi në emër të kësaj dashurie.

Dua me këtë rast të falënderoj të gjithë donatorët, që na kanë ndihmuar për ndërtimin e kësaj Kishe, ata që janë sot prezent e ata që do të jenë me 5 shtator.Dita e ditëlindjes së Nënë Terezës, me 25 gusht, do të jetë një ditë kur ne do të fillojnë të bëjmë mirë në emër të Nënë Terezës, jo vetëm të flasim mirë për të, por edhe të japin një lëmoshë për bamirësi, të cilën do ta fillojmë sot. Nga kontributi që do të mblidhen për çdo vjet në 26 gusht, do të jenë për bamirësi. Sivjet lëmosha do të shkojë te motrat e Nënë Terezës në Pejë, të cilat tash sa vite shërbejnë me përvujtëri e pa ju nie zani. Por ato janë këtu, janë në Pejë, e i duan të varfëruat ashtu si i donte Nënë Tereza në Kalkutën e largët.

Kjo ditë është e veçantë, sepse është ditëlindja e Nënë Terezës, po këtë ditë, me 26 gusht 2015 është bërë bekimi i gurthemelit të kësaj Katedrale nga shumë të dashurit tanë Dr. Ibrahim Rugova dhe Mons. Mark Sopi. E për koincidencë edhe famullitari i Katedrales Nënë Tereza ka sot ditëlindjen, pra ka lind me të njëjtën ditë me Nënë Terezën. Pra një ditë e shënuar për të gjithë ne.I falënderoj të gjithë ata që kanë përgatitur këtë mbrëmje shpirtërore dhe kultuore për ditëlindjen e Nënë Terezës, artistët tanë, këngëtarën dhe recituesit e poezive dhe uratave të Nënë Terezës.Në fund, dua ta përshëndes z. Sakip Imeri-in, drejtorin e përgjithshëm e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) një komshi tonin që e ka përgatit ekspozitën me fotografi të ndërtimit të Katedrales. Ai që nga fillimi i ndërtimit, për 10 vjet me radhë, për çdo ditë, ka bërë nga një fotografi punimeve në Katedrale nga zyra e tij e punës. Disa prej tyre janë të ekspozuar sonte, që e ngjallin një proces të punimeve të kësaj Katedrale ku jemi sot.

*(Fjala përshëndetëse e Imzot Dodë Gjergjit, në hapjen “Ditët e Nënë Terezës”, në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, më 26 gusht 2017.)

Filed Under: Komente Tagged With: Imzot Dode Gjergji, Nene Tereza, nga pak, te gjithe

De Biasi: Besoj se do t’ia dalim te gjithe se bashku

December 13, 2015 by dgreca

Menjëherë pas hedhjes së shortit dhe njohjes së kundërshtarëve të Shqipërisë, trajneri Gianni de Biasi, në një intervistë për  mediat ka deklaruar se grupi është i fortë për Shqipërinë, por ka shprehur besimin se do t’ia dalim. Por megjithëse optimist, trajneri i kombëtares sonë, duke analizuar gjendjen e ekipeve kundërshtare në grup, thotë se nuk duhet të këndojmë këngën e fitores para kohe.

Trajner De Biasi, si e komentoni përballjen me Zvicrën?
De Biasi: Po, të themi që nuk e donim Zvicrën sepse është një luftë mes vëllezërish. Jo vetëm për faktin se do të perballen vetëm dy Xhakajt, por sepse në atë skuadër janë shumë lojtarë me origjinë shqiptare. Mendoj se është një ndeshje shumë e veçante për të gjithë, por ne do të ndeshemi siç do të bëjnë dhe ata, pa asnjë problem. Do të përgatitemi mirë dhe do të mundohemi t’i vëmë në rrezik. Ata na njohin shumë mirë pasi na kanë mundur dy herë ne eleminatoret e Botërorit, por ne kemi ndryshuar dhe tani jemi një skuader tjetër.
Po Francën si e shihni?
De Biasi: Edhe me Francën kemi luajtur dy herë dhe nuk besoj se jemi një surprizë. Problemi kryesor është që jemi ndeshur në miqësore, përballje të veçanta pasi ata nuk ishin dhe aq mirë. Kemi barazuar dhe fituar, por kjo nuk do të thotë që gjërat mund të përsëriten. Ata luajnë në shtëpinë e tyre dhe kanë objektiv për të qëndruar sa më gjatë në këtë kampionat. Ne duhet të japim 150 për qind për t’i përballur.

Po Rumania…
De Biasi: Rumania është një skuadër që është rritur shumë dhe u kualifikua pa asnjë problem. Është një ekip që nuk ka emra të mëdhenj, por që do të hapë probleme.
Cilat janë shpresat tuaja për këtë turne?
De Biasi: Nuk duhet të shpresojmë, duhet të besojmë në këtë grup që mund t’ia dalim. Nuk mendojmë që është e lehtë, por duhet të punojmë pasi gjërat janë të mundshme. Nëse ti nuk beson se ia del, nuk do t’ia arrish. Unë besoj se ne mund t’ia dalim të gjithë së bashku, por pa nisur këngën e fitores para kohe.

Filed Under: Sport Tagged With: De Biasi: Besoj se do t’ia dalim, së bashku, te gjithe

GJIROKASTRA NA BASHKOI TË GJITHË SHQIPTARËT

June 9, 2015 by dgreca

Shkruan:Bajram Gashi/
Grupe folklorike nga mbarë trevat shqiptare, brenda e jashtë kufinjëve dhe nga diaspora, në ditët e fundpranverës të Majit 2015, vërshuan në kalanë e Argjiros për të shpalosur folklorin tonë të pasur, të bukur në pamje e të magjishëm në shpirt.
Privatisht udhëtova për në Gjirikastër. Kisha deshirë të shoqëroja e të shikoja grupin kosovar të Rrashbullit, i cili së bashku me disa grupe folklorike të tjera, përfaqsuan Qarkun e Durrësit në festivalin folklorik. Ishte një nostalgji për vitet e shkuara, kur unë isha pjestar i këtij grupi, krahas disa djelmoshave kosovarë nga fshatrat përrreth Durrësit. Ky grup me në krye rapsodët Dervish Shaqja dhe Demush Neziri ishte bërë mjaft i njohur në mbarë hapsirën shqiptare, duke marrë pjesë në të gjitha koncertet dhe festivalet që organizoheshin në ato vite. Asgjë më shumë veç trashëgimi e folklorit të Kosovës, të ruajtur ndër vite, e të sjellë aq bukur artistikisht nga legjenda e mirënjohur Dervish Shaqja me shokë.
Mëngjez 11 Maj 2015. Udhëtuam drejt Gjirokastrës, mirë e rehat sa nuk e ndjemë kohën dhe lodhjen. U kënaqëm, jo thjesht për rrugën e shtruar aq mirë, por mësëshumti për gjallërinë, shakatë dhe këngët që na shoqëruan gjatë gjithë rrugës, deri në mbërritje.
Të nesërmen paradite do bëheshin provat gjenerale. Rrugën për në kala e bëmë në këmbë. Interesant! Mirë të rinjtë, por edhe ne të thinjurit, pa u lodhur i ngjitëm qetë-qetë rrugët e qytetit, shtruar me kalldrëmin karakteristik. Kënaqeshim me madhështinë që të ofron ky qytet i gurtë e i magjishëm. Në të dy anët e rrugës dyqanet plot mallra, njerëz që hynin e dilnin papushim, zbukurime plot, banderola “Agjiro fest”, dhe përshëndetje të gjirokastritëve mikpritës.
O zot, ç`Pamje fantastike! Kush i ka parë e nuk është mahnitur e mrekulluar? Tregimet dhe filmat nuk janë asgjë para asaj që rok syri. I gjithë qyteti, lugina e Drinosit dhe malet përkarshi, si në pëllëmbë të dorës, me të gjitha ngjyrat që sjell kulmi i pranverës.
Jep shfaqje Grupi i shqiptarëve të diasporës nga Amerika. Na u dridh trupi dhe u mek fjala kur ushtuan vargjet e këngës:
“O vëllezër, mos e lshoni vendin tuaj!
S`ka gjë ma të ëmbël se dheu juaj!………”
Më datën 12 të Korrikut, konkuroi Qarku i Durrësit. Grupi “Pleqtë e Krujës”, çamët e Rrogozhinës, grupi i Manxës, grupi i Shijakut, me këngë autoktone të zonës Manskuri – Shkallnur, së bashku me ta edhe “Grupi kosovar” me pjestarë nga kosovarët e Qerretit të Durrësit, Shënavlashit dhe të Rrashbullit. Janë të rinj, por vazhdues të trashëgimisë artistike të ansamblit të dikurshëm. Sot ata përbëjnë një grup të vogël: Syl Hasani instrumentist i shkëlqyer dhe mjeshtër i sharkisë e çiftelisë, Nazim Gryka më i vjetri pjestar i grupit prej 45-vjetësh, pjesëmarrës në disa fetivale në Gjirokastër e gjetkë, Rasim Idrizi me dy djemtë e tij Dardanin dhe Isën, më tej Nazmi Blaka, një djalë energjik dhe i papërtueshëm dhe në fund rapsodi i njohur Rahman Shima me origjinë nga Burreli, mjeshtër i fyellit. Pak prova kanë bërë, por e kanë gjetur mirë njëri – tjetrin, duke kombinuar zërat dhe instrumentat, sidomos në këngët me temë patriotike, aq të dashura për ta dhe për publikun që i mirëpret e i përcjell me duartrokitje.
Menjëherë porsa grupi ynë mbaroi koncertin, prapa skene na priste grupi kosovar i ardhur nga Suedia. Ata na rrethuan duke na përshëndetur:
– O ku jeni bre kosovarë !? – dhe pa pritur përgjigje, nxitojnë të pyesin:
– Po ku është Dervish Shaqja e Demush Neziri!? – Një pyetje që s`ka nevojë për përgjigje. Është një kujtim e nderim për dy figurat e shumënjohura të festivaleve, si në teritorin shqiptar e aq më shumë në Kosovë, në trojet etnike shqiptare e kudo në diasporë. Dhe ne ju përgjigjëm:
– Qe ku i kemi: për Dervishin, Sylën dhe për Demushin, Nazmiun…..
– Unë jam nga Deçani, – thotë një i ri, pjestar i grupi ardhur nga Suedia. – E kam njohur Dervishin dhe Demushin përmes valëve të Radio-Tiranës dhe Radio-Kukësit, që i dëgjonim fshehurazi shkaut dhe hafijeve të tij. Në këto fjalë e sipër, Nazmiu nuk priti ma dhe ia dha piskamës me kangën e Bajram Currit. U dridhën telat e çiftelisë. Kaq mjaftoi dhe i gjithë grupi ia nisi këngës. Nuk u çuditëm kur rreth nesh u mblodhën aq shumë njerëz sa ndesh na morrën frymën. Magjia e këngës popullore i bashkon njerëzit, madje kur kanë brenda edhe prrushin mëmëdhetar, e ndez zjarrin e shpirtit te çdo shqiptar. Duhet të ndodhesh aty që të prvosh morrnicat që të ngjethin shtatin. Vetëm pranë tyre mund ta njohësh e ta prekësh pasurinë shpirtërore të shqiptarëve të ruajtura me fanatizëm në këngët dhe vallet, e njëkohësisht të ndjesh pranë krenarinë, dhimbjen dhe frymëmarrjen e kombit tënd.
Largohemi për në hotel në Picar. Në hollin e lokalit, në një kënd të tij ishin grumbulluar mjaft pjestarë të grupeve të festivalit. Ishte pronari i hotelit që po bisedonte shtruar me ta. Askush nga ne nuk e njihte, ndaj u bëmë kurioz, u afruam dhe hymë në bisedë edhe ne.
– A e di se kush është ai? – Më thotë Syla.
– Jo, i them.
– Është Dasho Aliko, kryetari i komunës së Lazaratit, – më thotë.
– U befasova! Më dukej fytyrë e njohur, po hajde thirri kujtesës. Me pak mundim u kujtova se e kisha parë në TV, këtu e një vit më parë. U afrova edhe më shumë dhe pavarësisht mosnjohjes nga afër, i them:
– Eja more burrë se të njohim se kush je! Eja se duam edhe ne të bisedojmë me ju e t`u dëgjojmë zërin. M`u përgjigj flak për flak, duke u ngritur në këmbë:
– Po do të vij edhe te ju kosovarët e Durrësit, se ju nderoj shumë, jeni burra e trima të paepur. – dhe vazhdon: kam njohur mjaft kosovarë në kohën e luftës, këtu e 15 vjet të shkuara, pasi kam pritur disa familje në shtëpinë time. Pasi u çlirua Kosova kam qënë disa herë aty, dhe më kanë pritur aq bukur, ashtu siç dinë të presin veç kosovarët. Eh, Kosova jonë! Është vend i bekuar, i pasur dhe me njerëz me shpirt e shtat të bukur.
Në këto muhabete, kënga kish pushuar. Veç kur dikush ja krisi telave të çiftelisë dhe sharkisë, duke e shoqëruar me vargjet:
“Mbi tropojë majë një shkrepi
Sokol djema rrit prej djepi”…….
U ndamë duke u përshëndetur miqësisht, si shokë e miq të njohur prej kohësh. Gjirokastra na bashkoi, ndaj uruam: kënga e vallja shqipe të mos reshtet kurë. Ditë më të mira për shqiptarët kudo që janë.
Përgatiti
Bajram Gashi
Durrës më: 30. 05. 2015

Filed Under: Kulture Tagged With: GJIROKASTRA NA BASHKOI, shqiptaret, te gjithe

TË GJITHË OSE ASNJË!

April 12, 2013 by dgreca

Nga Mehmet Bislimi*

    Reagim në lidhje me vendimi e Qeverisë së Kosovës për dëmshpërblimin e të dënuarve politik shqiptarë të Kosovës!

Pa dyshim se është vendim i vonuar, margjinalizuar, degraduar, nënvlerësuar e çka jo, për më keq është edhe vendim selektiv, pse themi kështu?!

Gjatë gjithë përpjekjeve tonë për çlirim e bashkim kombëtar, shqiptarët e mbetur jashtë trungut të vet- Shqipërisë natyrale, janë përpjekur për liri kombëtare pa dallim krahinash ku ata jetonin.

Tokat shqiptare dhe bijtë e tyre që ishin të pushtuara nga ish Jugosllavia Titiste, bënë përpjekjet më sublime për liri; ata ishin nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, nga Drenica e Llapi, Dukagjini, rrafshi i Kosovës, Gallaku, Tetova, nga Gostivari, Shkupi, Ohri, Malësia e Madhe, Ulqini, Plava e Gucia, pra ishin një- ishin vet Shqipnia!…

Ata nuk kanë luftuar për liri selektive, dhe nuk duhet të shpërblehen në mënyrë selektive! Të gjithë të dënuarit politik shqiptarë nën ish Jugosllavinë pushtuese, duhet të trajtohen njësoj, ndryshe do të bënim një shkelje të rëndë kombëtare, morale dhe njerëzore.

Dorën në zemër, ata, nuk kanë vrarë mendjen asnjëherë se do t’i “shpërbleje” dikush, apo jo!, ata kanë vepruar tok si bijtë e kësaj toke që i thonë tokë shqiptare, prandaj mos iu hyni në hak atyre se ju dënon dora e zotit- të gjithë ose asnjë!

Ne i kemi dhënë atdheut diçka nga mundësitë tona, diçka që nuk e kemi vënë në dyshim kurrë, dhe për atë sakrificë modeste në shërbim të atdheut, nuk jemi penduar kurrë. Ne nuk i kemi dhënë vitet e rinisë sonë veresi për atdhe- jo, të paktën unë jo!

Vitet e mia më të bukura të rinisë, lënë në burgjet e pushtuesit Jugosllav, nuk mund të blihen as për 15, as për 150, as për 150.000 euro në ditë- natë. Jo, edhe një herë, jo. Por pa më të voglin dyshim, për atdhe, unë dhe të gjithë ne, pra ish të dënuarit politik të shqiptarë nën pushtim të ish Jugosllavisë; jemi të gatshëm të japim prapë- ashtu siç e kanë dhënë edhe jetën për liri bijtë tanë.

Mos u hyni në hak të dënuarve politik na viset shqiptare mbetur në pushtimin Serb-maqedon- malazez. Mos u hyni në hak të përvuajturve shqiptarë të dënuar nga ish sistemi i Jugosllavisë. Nëse ata duhet të shpërblehen, atëherë të shpërblehen pa dallim- pavarësisht ku jetojnë ata sot e dje; Mal të Zi, Serbi, apo Maqedoni, ata u përpoqën së bashku me ne për liri dhe bashkim kombëtare, tok si vëllezër dhe bijë të kësaj toke, madje nuk është as vullneti i tyre që sot të jetojnë ende të pushtuar nga Mali i zi, Maqedonia, dhe Serbia!

Dëmshpërbleni: TË GJITHË OSE ASNJE!

Prill, 2013

* Ish i dënuar politik

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Mehmet Bislimi, ose asnje, te gjithe

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT