Zonja dhe Zotënij, Quhem Sami Repishti, qytetar i lirë i Shteteve të Bashkueme të Amerikës, me origjinë shqiptare, për të cilën jam kryenalt. Jam arratisë nga Shqipëria në gusht 1959 (mbas nji burgimi dhjetëvjeçar) për papajtushmeni me parimet dhe praktikën e qeverisë së ish-Partisë së Punës së Shqipërisë.
U detyrova të largohem nga atdheu, por ruejta dhe ushqeva dashuninë për “Nanën Shqipëri”, të dhanun nga dy prindët e mi që paguen çmimin ma të naltë: baba im ra viktimë e terrorit fashist italian, dhe nana e ime u dërmue në kampin famëkeq komunist të Tepelenës, së bashku me motrën e vëllaun akoma të parritun. Por Shqipëria, viktimë e tri diktaturave të shekullit 20, mbetet gjithëherë “vendi i shenjtë” për mue.
Ashtë me këtë frymë që mora inisiativën me ju drejtue sot anëtarëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, e me shfaqë shqetësimin tim të pakufishëm për nji zhvillim sa të papritun, aq edhe të pafalshëm. Në emisionin shqip të Zërit të Amerikës (VoA) të datës 25 janar 2016, ndigjova shprehjet e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, në lidhje me shqetësimin e tij rreth nji orientimi të mundshëm, dhe thellësisht të gabuem të mbylljes me kyç nga organet e “drejtësisë” shqiptare të dosjeve dhe çështjeve të ndryshme… “Dosjet e krimeve të komunizmit kanë 71 vjet që mbeten pa u hapur dhe pa gjykuar.
Ligji për hapjen e dosjeve, ndonëse dhe i paplotë, ende nuk ka filluar të zbatohet. Ligji i hapjes së dosjeve nuk mund të jetë, dhe nuk do të jetë kurrë i plotë pa ligjin e lustracionit”. Ai shtoi se “… hetimi dhe dënimi i krimeve të komunizmit janë të lidhura me sigurinë kombëtare të shqiptarëve në kontekstin strategjik”.
Presidenti Nishani foli edhe “për provokacione të papranueshme”: “E quaj të papranueshme, -deklaroi ai, … tendencën e një neni të tillë nga të ashtuquajturit ekspertë në Drejtësi për të vendosur në Kushtetutën e Shqipërisë një nen që ndalon njëherë e përgjithmonë hetimin e krimeve të komunizmit.
Nga kjo trevë dhe tokë martirësh, u bëj thirrje deputetëve të përgjegjshëm të Kuvendit të Shqipërisë të refuzojnë mbështetjen dhe miratimin e një neni të tillë në Kushtetutën e Shqipërisë”. E pabesueshme! Sinqerisht e pabesueshme! Kush ka frikë nga hetimi, zbulimi dhe dënimi i krimeve komuniste në Shqipëri? Në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të vitit 1992, kur kryetari i Kuvendit kërkoi nga deputetët të ngrihen për nji minutë heshtje në shenj respekti për viktimat e shumta të komunizmit në Shqipëri, asnji deputet socialist nuk u ngrit në kambë.
Imazhi i kësaj skene sa primitive, aq edhe ofenduese, nuk më hiqet asnjiherë nga mendja. Në vitin 1996, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi Rezolutën Nr.1096: “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare-komuniste”. Kjo “Rezolutë” në Shqipëri as që u publikue fare, dhe mediat tona të asaj kohe nuk e panë të arsyeshme me e botue.
Në vitin 2006, përsëri, u aprovue nga Këshilli i Europës Rezoluta Nr.1481: “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare-komuniste”. Në lidhje me këtë, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi: “Rezolutën për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”. Deputetët socialistë dolën nga salla pa votue(!) Në vitin 2010, nji delegacion i OKB-së kërkoi nga Shqipëria të dënonte krimet e komunizmit në Shqipëri.
Lajmin nuk e dha asnji burim informimi shqiptar. Më 14 dhetor 2010, u paraqit nji kërkesë për nji Gjykatë Ndërkombëtare për dënimin e krimeve komuniste nga ish-vendet komuniste. Vetëm Shqipëria nuk firmoi “kërkesën”. Shqipëria ashtë me të vërtetë “vendi i çudirave!” Edhe data “23 gusht” e caktueme me Rezolutë të Parlamentit Europian si Dita e Përkujtimit të Viktimave të Deportimeve, Masakrave -akte të cilësueme si “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”- shkon e vjen çdo vit pa asnji ceremoni përkujtimore me karakter zyrtar.
Viktimat e vdekuna mbajnë heshtjen e përjetshme, ndërsa viktimat që akoma gjallojnë nga vuejtjet e mëdha kanë humbë aftësinë e tyne të shprehjes, të denoncimit, e dënimit të krimit e të kriminelit….!
Kumbona e alarmit në Koplik të Malësisë së Madhe, që u dha nga Presidenti i Republikës –simbolikisht në përkujtimin e 71-vjetorit të “kryengritjes së Malësisë së Madhe”- ashtë jashtëzakonisht shqetësuese! Njohja dhe demaskimi i krimeve të kryeme, dhe paralelisht me ata edhe respekti për viktimat e pafajshme të këtyne krimeve, janë dy aspekte të së njëjtës monedhë: natyra dhe pesha e përgjegjësisë sonë, si dëshmitarë të kësaj tragjedie thellësisht njerëzore dhe rranjësisht kombëtare, ashte nji problem ekzistencial për të gjithë njerëzimin e ndershëm, problem që ka karakter politik e personaldhe fetar për ata që besojnë! Këtu kemi të bajmë me “…një terrorizëm shtetror të markës shqiptare”(B. Shehu) Pavarësisht nga përpjekjet e “propagandistëve” të pakurueshëm, që nuk pranojnë këtë fakt të qartë si drita e diellit, e që nuk tregojnë asnji interesim me dëshmue rrjedhimet shkatërruese të atij regjimi gjakatar që përjetojmë edhe sot, duhet pranue se shkalla e krimeve komuniste ka arrijtë në pikën ku mund të cilësohen si “krime kundër njerë- zimit” të dënueshme nga legjislacioni ndërkombëtar.
Këto përpjekje të “propagandistëve” nuk kanë qëllim tjetër veçse me largue vëmendjen e popullsisë shqiptare nga e kaluemja, sa ma gjatë që të jetë e mundun… deri sa t’i mbulojë harresa. Me nji zhvillim të këtill ndërgjegjet tona do të mbeten të njollosuna; si rrjedhim, pamundësohet integrimi i jonë në Botën e Lirë, si qytetarë të lirë, që na synojmë. Ky zhvillim duhet të shërbejë dhe për zbulimin e nji aspekti të vendit tonë, në nji kohë të caktueme…!
Si ashtë e mundun që i kemi lejue vetes, si shoqëni shqiptare, me zbritë kaq poshtë? Si ashtë e mundun që politika e vendit tonë ashtë degjenerue deri në nji shkallë, sa të pranojë “propozime” të këtilla? Si ashtë e mundun që rinia shqiptare, sidomos ajo e shkollueme mbrenda dhe jashtë vendit, nuk ka gjetë akoma forcën e nevojshme me veprue kundër nji atmosfere ku e keqja nuk dënohet, ashtu si e meriton?
Shkalla e pafytyrësisë që karakterizon “tendencën” me përfshi në Kushtetutën e Shqipërisë nji “nen”… “që ndalon njëherë e përgjithmonë hetimin e krimeve të komunizmit” kalon çdo kufi moral dhe ligjor. E para, kush ashtë ai ose ajo që ka të drejtën me “falë fajin” e kryem nga kushdo qoftë, kur ai ose ajo nuk ka qenë viktimë e krimit komunist?
Kush ashtë ai ose ajo që ka autoritetin moral me falë e me vendosë në emën të mijëra të pushkatuemve në gjyqe false ose pa gjyq fare, në emën të ma shumë se 26.000 të burgosunve politikë; në emën të ma shumë se 50.000 pleqve, grave e fëmijëve të dëbuem e të internuem për 45 vjet me rradhë në zonat ma të vështira të vendit, ku u mbyllën fëmijtë e fëmijëve të qoftë ish-personaliteteve politike kundërshtare të regjimit komunist, qoftë ata të arratisunve të thjeshtë, e qytetarë të pafajshëm?
Me “falë fajin” pa marrë parasysh qindëra-mijëra qytetarë të “Republikës” të shpronsuem, të rij e të reja me arsim të mohuem, ish-pronarë me banesa të sekuestrueme arbitrarisht… dhe nji popullsi e tanë që jetoi dekada të gjata me bukë të racionueme e mungesa ushqimore të përditshme, kufoma lëvizëse në sheshet e qytetit dhe rrugët e fshatit, të frikësuem deri në palc nga kërcënimet e pandërpreme të “Nanës Parti” dhe të legjoneve famëkeqe të Sigurimit të Shtetit?
E dyta, si ashtë e mundun që nji “nen i Kushtetutës” të aprovohet në nji sistem ku Kushtetuta ashtë ligji themeltar i vendit, dhe esenca e këtij ligji ashtë mbrojtja e jetës dhe lirisë së qytetarëve? Me nji fjalë, të mohohet e drejta e qytetarit të lirë me hetue, me u ankue, me denoncue krimin, e me kërkue drejtësi nga organet shtetnore për krimin e kryem? Nji tendencë e këtill ashtë absurde në formën e saj dhe perverse në substancë!
***
Zhvillimi i ngjarjeve në “kampin socialist” mbas L2B ka vërtetue se me qenë nji ish-i persekutuem nuk do të thotë garanci se nuk do të persekutosh të tjerët. Shumë nga udhëheqsit komunistë ndërkombëtarë kanë kalue nëpër persekutime, dhe me “fitoren” e tyne kanë persekutue të tjerët me dhunë, kanë mbushë burgjet, e kanë vendosë regjimin e terrorit.
Nji klasë e re e privilegjueme ka ardhë në fuqi dhe ashtë mbajtë me dhunë …por ka dështue në krijimin e nji shoqënie të re që trajton të gjithë qytetarët me dinjitet, tue mbjellë kështu farën e vetëshkatërrimit! Koncepti “diktaturë ma parë, nevojat jetësore ma vonë” ashtë nji koncept që korrupton natyrën e njeriut. “Nostalgjikët” në çdo vend ish-komunist, sot të pasunuem arbitrarisht, do të vazhdojnë me mbajte nji gjendje të tensionueme me konflikte, padrejtësi, korrupsion e mjerim… dhe mundësisht me diktatorë të rij!
Dhe kjo mjafton që vendi i jonë të mos ngrihet kurrë në kambë me nji shoqëni civile të ndërgjegjshme për rolin e saj: nji shoqëni e njerëzishme, tolerante, e përmbi të gjitha, jo e dhunshme: “qytetarin” pjesëmarrës e “qytetarinë”! Koncepti i qytetarit përmban pjesëmarrjen koshiente në jetën shoqënore e politike të vendit; pjesëmarrja ashtë pengesa kryesore në luftën kundër diktaturës dhe ideologjive totalitare.
Pjesëmarrja koshiente lufton sundimtarët e këqij dhe shërbëtorët e tyne me pagesë, lufton atmosferën ku ata mashtrojnë veten, dhe nuk lejon përsëritjen e së kaluemes. Nëse e kaluemja kishte në esencë nji element tragjik, përsëritja e saj tek ne do të ishte vetëm nji komedi fatale! Mbetet vetëm shpresa! A mund të na vjedhin “shpresën” e na të rrijmë indiferentë? – shkruente nji mendje e ndritun këto kohët e fundit.
E vazhdon: “A mundet të na mashtrojnë dhe të mos shqetësohemi? Si do të dalim nga kjo gjendje? …Si do të zhdukim anormalitetin e politikës? Si t’u kthejmë njerëzve shpresën për të ardhmen? Unë mendoj se tani ka ardhë koha që të bëhet një përpjekje e re me sjellë ndryshimin…”(A. Starova) Ky ashtë ndërgjegjësimi, hapi i parë i zgjidhjes.
Njeriu duhet të jetë koshient dhe i bindun për drejtësinë e kauzës që mbron, para se të aktivizohet… që ashtë hapi i dytë. Paralajmërimi i Presidentit të Republikës ashtë shumë shqetësues! Po të vërtetohej, kjo “andërr e keqe” do të përbante nji nga turpet ma të mëdha në historinë tonë kombëtare. Do të ishte nji njollë e pashlyeshme për të gjithë neve të rezistencës antikomuniste.
Edhe të vdekunit, nga varri do të protestojshin këtë padrejtësi monumentale. Tashti, ajo që mbetet nga sulmi pro-komunist ashtë kërkesa për riarrestimin tonë, të gjithë neve, “për fajet e së kaluemes”.…e të mbushen burgjet përsëri….me viktimat e së djeshmes tragjike! Jetojmë në botën e absurdit? Me të vërtetë jemi jashtë aftësisë sonë me perceptue nji monstruozitet të këtill!
Sinqerisht i juaji,
Sami Repishti, Ph.D.
Pedagog në pension Ish-i burgosun politik (1946-56)
Aktivist për të drejtat e njeriut
APEL PUBLIK TË GJITHË DEPUTETEVE TE KUVENDIT TE SHQIPËRISË
Nga Loro Stajka- Fredericksburg,USA/
Zotëri deputetë,/
Quhem Loro Stajka. Jam nga Shiroka e Shkodres, por i deryruar nga represioni i diktaturës sllavokomuniste jam detyruar të arratisem dhe jetoj në SHBA qysh prej vitit 1957. Prej 23 vjetësh po përplasem me korrupsionin me pronat që të më kthehet prona që më grabiti diktatura, por nuk po ju drejtohem per pronën time, por për Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Jam jashtëzakonisht i shqetësuar dhe rruga me të cilën Kryeministri Edi Rama po kërkon të sakrifikojë Shqipërinë, të justifikojë këtë aferë antikombëtare duke kërkuar në Kuvend për ta miratuar si ligj , këtë djallëzi që ai e quan zgjidhje të problemit të pronave. Janë të shumtë artikujt e botuar në media por unë po i referohem artikullit te dated 30 Nendor botuar në gazeten “Telegraf” me titull”Projektligji i ri i Pronave i shërben vetëm oligarkisë Politike” që i drejtohet avokatit të Shtetit por ai shkrim zberthen plotësisht rrugën e gabuar të Qeverisë. Prej artikujve të shumtë të botuar në gazetën Shqip, i referohem shkrimit të botuar me datën 1 Dhjetor 2015 me titull “Argumenti i Qeverisë, Ska më ish-pronarë, vendosim një afat kohor për mbylljen e procesit” që I referohet justifikimeve demagogjike të Kryeministrit Edi Rama për projektligjin. Ky draft është votuar nga 8 prej 11 deputetëve që nevoiten për të plotësuar kuorumin e nevojshëm , është turp për drejtësinë pasi tenton të bëjë një përligjie e hajnisë, shumë më të keqe se shtetëzimi komunist I Enver Hoxhës. Ky ligj e nxjerr Shqipërinë ne treg, jugun e Shqipëris ja fal Greqisë dhe pjesën tjetër të vendit e zhyt në anarki dhe korrupsion. Dëshira e atyre që duan këtë ligj ta miratojnë si zgjidhje ngjan si dy pika uji me ato që po ndodhin në Kosovë. Zotëri Deputetë, lidhur me këtë ligj , jeni të lutun ti referoheni veç të dhënave të tjera këtyre dy shkrimeve në Telegraf dhe Shqip dhe nëse ky projektligj kaq djallëzor nuk do të tërhiqet nga Qeveria por do të paraqitet para jush , që ta votoni atë, ju baj kët APEL PUBLIK, që ta refuzoni kategorikisht pasi pavarësisht nga detyrimet partiake që keni apo interesa të tjera, në rradhë të parë jeni betuar se do zbatoni Kushtetutën dhe do ti shërbeni Atdheut. Nëse do votoni këtë draft, që shqiptarëve në vend të pronës së grabitur ti jepni ca dollarë ju do të bëheni pjesë e tradhëtisë kombëtare. As të parët tuaj, fëmijët tuaj dhe as historia nuk do t’ju falin
Besoj në respektin dhe detyrimin tuaj për të zbatuar Kushtetutën
Me respekt
Loro Stajka
Fredericksburg,USA