Dielli mund të shkaktojë stuhi të fuqishme në Tokë që do të sillnin ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike dhe çorjentimin e sistemit satelitor, GPS.
Ndërkohë që Dielli është pothuaje në kulmin e ciklit të tij 11 vjeçar të shpërthimeve, shkencëtarët thonë se stuhi të forta mund të vijnë në Tokë. Shpërthimet duken si njolla diellore. Shkencëtarët si Michael Wiltberger në Observatorin e Lartësive të Mëdha në Qendrën Kombëtare të Kërkimeve Armosferike në Boulder të Kolorados i emërtojnë ato CME, ose shpërthime masive të koronës, raporton Zëri i Amerikës. “Vëzhgimi i ciklit diellor është shumë i hershëm. Kur Galileoja e drejtoi teleskopin e tij nga Dielli, ai pa njolla në sipërfaqe. Shkencëtarët kanë mbajtur shënime për njollat e konstatuara që nga ajo kohë. Pra ne kemi të dhëna prej rreth 200 vjetësh për njollat diellore”.
Wiltberger po ndërton modele kompjuterike për të ndjekur ciklin e Diellit që do të shërbejnë për të parashikuar më mirë kohën e keqe në hapësirë. Ai thotë se stuhia më e fortë gjeomagnetike diellore goditi tokën në vitin 1859. Astronomi Richard Carrington e vëzhgoi dhe la shënime për këtë në librin e të dhënave, shkruan noa.al.
Fenomeni Carrington prishi sistemin telegrafik të komunikimit. Megjithëse jo aq të fuqishme sa ajo e vitit 1859, stuhi të tjera diellore kanë shkaktuar ndërprerjen e energjisë elektrike, linjat telefonike, kanë prishur shërbimet satelitore dhe kanë bllokuar valët e radios. Tokës i ka kaluar cikli i një tjetër stuhie si ajo Carrington, vihet në dukje në raportin e ri të Lloydit të Londrës, tregu më i vjetër i sigurimeve në botë. Bashkëautori i studimit, Neil Smith, thotë se stuhia tjetër mund të jetë edhe më shkatërrimtare, duke patur parasysh varësinë e botës tek rrjeti shpërndarës i energjisë elektrike.
“Ne llogarisim se nga 20 milionë deri në 40 milionë njerëz mund të mbeten pa energji deri në një vit apo edhe dy. Kjo ka të bëjë me zëvendësimin e transformatorëve që janë element kritik i rrjetit. Ky numër njerëzisht ka koston e vet ekonomike prej 0.6 trilion në 2.6 trilionë dollarë”.