Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Prishtina/
-Nga Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian me shumicë të votave është aprovuar rekomandimi për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës/
PRISHTINË, 7 Korrik 2016-Gazeta DIELLI/ Krerët e shtetit të Kosovës njoftojnë dhe vlerësojnë miratimin e propozimit për liberalizimin e vizave nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian, duke theksuar se është një moment i ri dhe historik.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi: Miratimi i propozimit për liberalizimin e vizave nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian është edhe një dëshmi tjetër e përkrahjes dhe e gatishmërisë së institucioneve të BE-së për heqjen e vizave për qytetarët tanë.
Ky është moment i ri dhe historik për Kosovën.
I falënderoj eurodeputetët për angazhimin aktiv dhe vlerësimin real të të arriturave tona.
Tani është radha që pa vonesë të veprojmë dhe t’i marrim vendimet ne si Kosovë.
E ardhmja evropiane është e vetmja alternativë për Kosovën.
Kryeministri Isa Mustafa: Sot, morëm një lajm shumë pozitiv nga Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian, ku me shumicë të votave është aprovuar rekomandimi për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Tani institucionet do t’i adresojnë çështjet e mbetura dhe t’i krijojmë mundësi qytetarëve tanë të lëvizin të lirë në vendet e Bashkimit Evropian.
Të punojmë së bashku që të arrijmë këtë sukses të përbashkët!
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli: Sot pata një bisedë telefonike me Znj. Tanja Fajon, raportuese për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, lidhur me përmbylljen sa më të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave dhe çështjet të cilat kërkojnë përkushtim institucional në raport me këtë proces. Unë e përsërita qëndrimin tim që ky proces duhet të përfundojë sa më shpejtë, i sigurt që interesat e qytetarëve të Kosovës do të mbizotërojnë mbi axhendat tjera. Znj. Fajon përsëriti gatishmërinë e saj për të ndihmuar në ballafaqimin me sfidat që janë para nesh. Shfrytëzova rastin të falënderojë Parlamentin Evropian për miratimin e propozimit për liberalizimin e vizave nga Komisioni për Politikë të Jashtme. Kjo është një vazhdimësi e mbështetjes së Parlamentit Evropian në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe inkurajim për institucionet e Kosovës. Parlamenti Evropian mbetet aleat yni dhe do të vazhdojmë përkushtimin për realizimin e planit tonë të përbashkët.
Këto ishin deklaratat e sotme, ndërsa në 4 maj 2016 Komisioni Evropian i propozoi Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës duke e transferuar Kosovën në listën e vendeve pa viza për qëndrim afatshkurtër në zonën Shengen. Propozimi është bërë së bashku me vlerësimin pozitiv të Komisionit që konfirmon se Kosova ka përmbushur kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave./b.j/