• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË MËNYRË TJETËR PËR TË THËNË TË VËRTETËN

March 1, 2014 by dgreca

 nga Albert HABAZAJ/

Fillimisht nuk më shkaktoi ndonjë ndjenjë të këndshme titulli i këtij libri “Revolucion” për vetë faktin se më ngjau si ato shprehjet tradicionalisht të lodhura dhe thashë me vete: “Po kjo Ermelinda, çupë e re, gocë qyteti, vajzë me kulturë…, si nuk gjeti një titull të bukur, një metaforë të gjallë për këtë libër, se që librin e parë të saj, që më dhuroi i ati Pëllumbi, miku im, e pati realizuar goxha mirë “. Por qysh në poezinë e parë vërejta se Ermelinda kishte të drejtë, sepse ndjeva që varg pas vargu e vjershë pas vjershe po rritej një urugan pështjellimi ndaj venitjes së vlerave e virtyteve të kulluara njerëzore, që kanë ardhur brez pas brezi si margaritarë të shoqërisë, të ruajtura e të pasuruara për ta bërë më të bukur jetën, duke e vlerësuar si gjënë më të shtrenjtë dashurinë e pastër dhe fisnikërinë e familjes. Sidomos poezia “Etër të përdalë” më bindi plotësisht se titulli i shkonte përshtat pëmbajtjes së materialit që më dha për redaktim autorja. Në këtë kohë të kalbur, kërkohet plugim në mentalitet, në sjellje, në sjellje, në veprim, në edukimin estetik e artistik, sepse jemi Njerëz. Dhe NJERIU visaret më të çmuara në jetë ka Emrin dhe Nderin. Dhe për këtë synim të lartë, si me frymëzim hyjnor jep mesazhet e saj Ermelinda Nebiu për të bërë gati një revolucion biblik.Po i jap që në krye lexuesit një klithmë rrëqethëse të kohës nga pena e autores së re me të nesërme letrare, E. Nebiu: “Etër të përdalë!

Ku jeni ju, fëmijë nënash? / Ju tradhëtarë,/ Që Emrin dhe Nderin e përfolët si të ulët!/ Mallkuar qofshi ju, etër epshndjellës!/ Ju, mëkatarë trutharë,/ Që kurrë s’do të keni sy për të parë!/ Mallkuar qofshi të gjithë ju, etër,/ Që zemrave të njëjtin emër i vutë!/ Ju s’keni as gjak, as lavdi, as nder/ Por veç helm, që lëndojnë shumë./ Përdalësinë, përkatësinë e rreme/  Ditët ta zbukuronit plot nur./ Në këtë botë të ndyrë e të përmjerme,/ Etër të etur ka ca si shumë.” Kjo vajzë e thjeshtë Vlore ka marrë jo penën, por vërtet levën e Arkimedit dhe i thotë shoqërisë: Shkundu! ” Etër të përdalë” është një vjershë tronditëse, por fatkeqësisht plazmë e hidhur e realitetit, që lëviz nga themelet njerëzimin, apo të paktën këtë mikrokozmos njerëzor që ne njohim dhe autorja e rrok artistikisht si një bulëz migjeniane. Me një varg larg folkorizmit të vjetër dhe artificializmave, embrioni poetik i Ermelindës çeli zërin individualist të protestës së sotme, të zhgënjyerën dinjitoze, që nuk bën poezi për moral, por MORALIN e ngre në art, sepse ka forcë depërtuese sa që pastaj ka shpresë e del mbi natyrën pesimiste depresive, të diktuar nga rrethanat e kohës së kalbur me liliputët e saj të shpërfytyruar nga viruset e skamjes morale. Ajo lëshon kushtrimin qytetar tepër e shqetësuar:” O njerëz, o bij nënash, o etër, o meshkuj të pështirë! Mblidhni mendtë e kokës e mos e shkatërroni këtë begati të shëndetshme që quhet FAMILJE”! Në këtë shoqëri njerëzore, ku familja ka qenë, është e duhet të jetë bekimi i jetës së qetë e të lumtur dhe burimi i energjive të pastra, autorja me neveri këlthet djemve të nënave, që prishën familjen, venitën shoqërinë, saqë e thanë jetën si një gjethe të kalbur vjeshte.“Me ç’ krahë do të shtërngoj, kur s’ më kanë mbetur?” nga tradhëtia e pabesë.  Revoltimi i autores është ngritur dhe artistikisht në nivel, kështu që bëhet më shpotitës, më civil, më papajtues dhe bën efekt tek lexuesi. Për mirësinë njerëzore ajo flet me erën, me retë, me diellin, bën aleancë qiellore për të mos guxuar askush të bëjë biznes me zemrat.Ajo shkund shpirtin e prishur të njeriut dhe i drejtohet pjesës lakmitare të gjinisë mashkullore,  me dinjitetin e virtytshëm të femrës shqiptare si motër, si vajzë, si shoqe- atyre bijve të nënave, meshkujve, burrave (që kuptohen se janë të tillë jo nga vlerat shpirtërore e morale, por thjesht nga seksi).Ajo ka një logjikë të fortë dhe argumenton bindshëm me pak fjalë mendime të mëdha, të forta, të qartë, konkretë, të dobishëm, të guximshëm. Shprehjet lakonike dhe të figurshme ilustrojnë botën e brendshme të autores: të pasur, të pastër, të shëndetshme, që nuk pranon të bëhet pis nga soji i lyrashëve zuzarë. Ajo me vargjet e saj i shkul veset e tyre si krisjet në arë. Ajo s’ kërkon as fytyrë, as shpirt dhe as gjak fals. Forca e abstraksionit ngjizet me këtë realitet  harbutërisht tallazitës dhe mendimi krijues vezullon kthjellët, sa që ” Kafshatën e thartë kapërdiva me dhembje“- vjen si një ofshamë migjeniane në trajtë të re, kur ajo shikon lakuriqësitë e ëndrrave, kur poshtërsia përdhunon realitetin, kur zjarr i zhveshur nga të tjerë vjen si ngadhënjim i çliruar ligësie. Të flas nuk dua/ për një askush pa emër/ që e humbët kur e donit/ Të zbuloj dua një askush të humbur. Me shigjetën e mprehtë të vargut të ri poetja vlonjate fshikullon kopenë demode maskiliste, që rrezikon të shndërrohet shoqërisht e dëmshme dhe logjikisht e papranueshme. Dhe autorja e enjtur rend pas buzëqeshjeve, pa fjalë si ushtarë të paepur,kur siluetat botërore të ndyra e zvarrisin si lypës i fatit të trishtë, kur tradhëtohen kaltërsitë e grisen mijëra herë,s’ka kthim tek ti, se thyhet dashuria, s’ka as rrugë, as pema s’mbin më. Mëshiron autorja dhe përsëri shumë denjësisht. Ajo pothuaj  shprehet:” Nuk vij tek ti, por do të kërkoj një kishë ku të falem për ty, se je një lamash që s’di se ç’bën!”. Përsëri ajo ka guximin qytetar ta imponojë me virtytet e larta që mbart atë, të cilit i besoi, por që ai s’ e meritoi, sepse  u katandis në një frymor që e rrëmbeu vesi në pellgaçet me zhul. Ajo e imponon robin e vesit: “ Të nderosh ndjenjat e mia- hesht/ të mos bëhem pis nga fjalët e ndyra, o mbret i zemërimit!”. Është një fjalë e vjetër persiane:” Humbe paranë-s´ke humbur asgjë. Humbe shëndetin- ke humbur diçka. Humbe dinjitetin- ke humbur gjithshka”.  Ermelinda Nebiu  dinjitetin e ka frymën, shpirtin, pasqyrën dhe të vërtetën jetësore, duke u bërë një model i ri shembullor qytetarie,  natyrshëm dhe simbol i ri i karakterit të vajzës së sotme vlonjate. Në këtë libër të vogël në volum, por të mirë në realizim gjejmë dhe sentenca si “ Realitetin e urrej/ por urejtjen s’e çmoj” apo dhe fjalëformime si fundëron:” fundëron ndjenjat e mia “. Ndihet vargu modern, solemniteti i fuqisë artistike të autores. E enjtur rend pas buzëqeshjeve. Siluetat botërore të ndyra e zvarrisin si lypës i fatit të  trishtë, se është faji i dhembjes që  forcë s’ka, thotë shumë e sinqertë në vjershat e saj poetja e re nga Vlora, një talent premtues sikurse Alisa Velaj e pak të tjera, që po të punojnë mund të përfaqësojnë poezinë moderne nesër. Libri “Revolucion” është vëllimi i dytë me poezi i Ermelinda Nebiut dhe ngjyrat befasuese që poetesha e re ka zgjedhur për të pasqyruar kozmosin e saj jetësor janë tejet emocionuese e tronditëse. Lexuesi shtanget qysh në fillim, sapo hedh një vështrim nga dritarja artistike e Ermelindës, sepse ajo e sheh botën me një sy tjetër, të freskët, duke hedhur poshtë apo shpërfillur shumë nocione apo paragjykime të pranuara jo vetëm nga një shumicë qytetare por edhe nga mjaft librabërës. Tek kjo autore e re e me kulturë vërej rikthimin me elegancë te letërsia dhe mishërimin e shprehjes që theksonte Kassireri (Cassirer): “ Njeriu prej kohësh nuk jeton vetëm në botën fizike, ai jeton edhe në një farë bote simbolike”.  Autorja e re është në rezonancë me kërkesat e reja, kërkon dimensione të reja, ekzistenca yjësish, duke u bërë grimcë dhe valë e pluhurit kozmit të krijimit.   “Me ç’ krahë do të shtërngoj, kur më s’ më kanë mbetur? – shkruan autorja- se “Gjithësia luan me lotët ” e bën të kthejë në gllënjkë me ëndrra dhe përsëri beson se mbi fletët e bardha ka një  qenie plot botë!  Vargu i Ermelindës ka dritë, ka muzikalitet, ka ngjyra, horizont e botë. Ka ritëm të brendshëm në vargjet e saj,. Ka poezi të bukura si “Hirësi e marrë”,”Love+”, “Poshtërsi”,”Etër të përdalë”,” Lodhje”,”Revolucion”,”Aleanca qiellore” etj. Kur ajo mërzitet harron të psherëtijë, ende më poshtë zbret në mbretërinë e heshtjes, fjalorin tres, thotë dhe regjistron jo lehtë me dëshpërim në kujtësën e shkruar mendimin e sintetizuar, të shtrydhur si musht, për ta fisnikëruar këtë jetë nga kjo palo kohë e kalbur. Lumturia shkon si dhe unë-  konkludon autorja në një poezi, ndërsa mua mu kujtua një shprehje e  poetit nobelist Janis Ricos “…ndjenja, mendimi , fjala, lidhen në një bashkim monolit të pathyer ”. Mu kujtua, si duket, nga që edhe Ermelinda ka ditur ta respektojë këtë pirosti magjike të artit. Arrij në këtë përfundim sepse vargu i saj lëviz, është në veprim, ka ngyrë, ka erë, ka terren, ka fenomene, ka hapësirë e të gjitha këto jo të ngjyera me art, por dalin nga bërthama e artit të fjalës.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, NJË MËNYRË TJETËR PËR, TË THËNË TË, VËRTETËN

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT