Nga Frank Shkreli/
Bazuar në deklaratat e tija të shpeshta mbi lirinë e fjalës, duket se Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry e ka në zemër lirinë e shtypit dhe kjo është një gjë e mirë. Liria e shtypit në Shtetet e Bashkuara konsiderohet si pjesë jetike e jetës dhe qeverisjes në këtë vend. Liria e fjalës dhe fjala e lirë janë të shënjta dhe të padhunueshme, ndërkohë që garantohen nga amandamenti i parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Është kjo një e drejtë e mbrojtur nga Kushtetuta, nga ligjet dhe gjykatat amerikane — dmth, e drejta e gazetarit për të mbledhur, për të botuar dhe për të shpërndarë informacion dhe ide, pa ndërhyrjen e qeverisë dhe pa censurim.
Me rastin e 10-vjetorit të Programit Edward Murrow për Gazetarët Ndërkombëtarë, fund vitin që kaloi, kryediplomati amerikan Kerry në fjalën e tij drejtuar më shumë se 100- gazetarëve dhe profesionistëve të ndryshëm mediatik ndërkombëtarë, tha se si gazetarë, ata gjënden çdo ditë në vijën “frontale”. Ushtrimi i detyrës së gazetarisë në shumë vende nevojitë guxim, nënvijoi me atë rast zyrtari i lartë i diplomacisë amerikane dhe njëkohsisht shprehu keqardhjen e tij për fatin e gazetarëve dhe për vështirsitë me të cilat ata përballen në shumë pjesë të botës. Nuk duhej të ishte kështu, tha ai. “Në shumë vende të botës” theksoi Z. Kerry, “Është e rrezikshme të jeshë gazetar, të bëjsh punën që ju keni zgjedhur të bëni si profesion.” Ai theksoi se kurrë “Nuk duhet të jetë e rrezikshme të thuhet e vërteta, të raportohet mbi ato që ndodhin në vend — të thuhet dhe të shkruhet e vërteta mbi korrupcionin publik dhe të mbrohet liria e shtypit me qëllim për të mbajtur përgjegjës personat që mbajnë detyra të larta administrative, shtetërore dhe qeveritare.
Unë jam i mendimit se nuk duhen pushuar kurrë përpjekjet për mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe të fjalës në përgjithësi, pasi liria e shtypit dhe e fjalës është gjithmonë në shënjestër të diktatorëve dhe të korruptuarve kudo në botë. Liria e medias pra duhet të mbrohet në çdo rast, pasi fjala e lirë gjithmonë kërcënohet dhe sulmohet nga diktatorët, tiranët dhe të koruptuarit anë e mbanë botës. Andaj është kënaqësi kur udhëheqsit amerikanë, publikisht dhe privatisht, vazhdojnë të mbrojnë lirinë e shtypit dhe lirinë e fjalës, jo vetëm këtu në Shtetet e Bashkuara, por edhe në çdo vend të botës.
Javën që kaloi, Kryediplomati amerikan, Kerry u prononcua përsëri në mbështetje të lirisë së medias në përgjithësi për sigurinë e gazetarëve në kryerjen e profesionit të tyre. Rasti për mbrojtjen e lirisë së shtypit qe dedikimi i kryeqendrës së re të gazetës së famshëme Washington Post në kryeqytetin amerikan, të cilën e quajti, “një institucion mediatik i cili ka zënë një vend jashtzakonisht të nderuar në historinë e shtypit të lirë.” I pranishëm në atë dedikim ishte edhe gazetari i Washington Postit, Jason Rezaian, i posa liruar nga burgjet e Iranit. Ditën e lirimit të tij nga burgjet e ajatollavëve, John Kerry e cilësoi si “dita më e mirë që ai ka pasur donjëherë si kryediplomat amerikan”. Ndërsa gazetari Rezaian, duke falënderuar Z. Kerry për përpjekjet e tija diplomatike që më në fund çuan në lirimin e tij tha se, “Asnjë vend tjetër në botë nuk do të bënte aq shumë për një shtetas të thjeshtë” siç bënë Shtetet e Bashkuara për lirimin e tij nga burgjet e Iranit.
Javën që kaloi, Sekretari Amerikan i Shtetit përdori dedikimin e kryeqendrës së re të gazetës Washington Post në kryeqytet si dhe lirimin e gazetarit të saj Jason Rezaian nga burgjet iraniane, për të theksuar për të disatën herë rëndësinë e lirisë së medias në këtë vend dhe anë e mbanë botës dhe përpjekjet për të siguruar që gazetarët të kenë mundësi të ushtrojnë profesionin e tyre pa frikë dhe ndëshkim nga autoritetet. Duke iu referuar Gazetës Washington Post, Kerry tha se çdo institucion e sidomos gazetat, kanë nevojë për një udhëheqje dhe menaxhim të fortë, ndërsa lavdëroi redaktorët e tanishëm dhe të së kaluarës si dhe familjen pronare të kësaj gazete. Ai vuri në dukje historinë e famëshme të Washington Postit të para 40 e sa viteve, kur në Shtëpinë e Bardhë ishte presidenti Riçard Nixon dhe të mbulimit të skandalit “Watergate” nga gazeta e njohur e kryeqytetit amerikan. Ishte gazeta Washington Post ajo që me shkrimet e saja — duke pasqyruar dhe duke përdorur burime shpesh anonime mbrenda qeverisë mbi atë që po ndodhte në Shtëpinë e Bardhë, — më në fund përfundoi në dorëheqjen e Presidentit Richard Nixon si rrjedhim i skandalit Watergate. Kjo gazetë me artikujt e sajë të një gazetarie investigative, tha John Kerry, provoi se “Madje as Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk është mbi ligjin”.
Nga pikëpamja e tij dhe për të cilën ai tha se e kishte ngritur edhe në takimet e Davos-it disa ditë më parë si një çështje shqetësuese, Sekretari Amerikan i Shtetit nënvijoi se, “kur të merret parasyshë niveli i korrupcionit në shtetet që kanë dështuar dhe në ato që janë në proces të dështimit – është me rëndësi absolutisht jetike që e vërteta të dalë në dritë dhe që publiku të njihet me faktet.” Dikush duhet t’i zbulojë faktet, thai ai, dhe kjo pikëspari është detyra e gazetarit. Kemi parë dhe jemi dëshmitarë shtoi ai se çfarë ndodhë kur, “Në mungesë të njohurisë së fakteve dhe fuqisë që mungesa ose mos raportimi i fakteve për publikun e epur për informacion, u jep diktatorëve, demagogëve dhe tiranëve. Heshtja mundëson që krimi dhe korrupcioni të shkatërrojnë shtete të tëra. Injoranca bën të mundur që demagogët të argumentojë se lartë është poshtë, se e zeza është e bardhë, se intervista me një disident është tradhëti dhe madje bën që disa persona të pretendojnë se dhunimi i femërave dhe se vrasja e njerëzve të pafajshëm është një thirrje nga Perëndia”, ka thënë John Kerry në fjalimin e tij në kryeqendrën e re të gazetës Washington Post, javën që kaloi.
Ai foli para gazetarve të kësaj gazete dhe të të ftuarve mbi përpjekjet për të përcaktuar të vërtetën edhe në marrëdhënjet ndërkombëtare dhe në jetën politike në përgjithësi. Mirëpo për një të vërtetë, tha ai, nuk ka dyshim, se “Media e pavarur dhe pjesëtarët e saj sot janë nën presion të vazhdueshëm politik si dhe nën kërcënime fizike. Megjithëse jemi në shekullin 21”, vazhdoi ai, “prapseprap vetëm një person në gjashtë veta jeton në një vend ku liria e shtypit mund të cilësohet si e lirë.” Ose sipas organizatës Freedom House e cila monitoron zbatimin e lirive dhe të drejtave të njeriut në botë, vetëm 14 përqind e qytetarëve të botës jetojnë në një vend që konsiderohet se gëzon lirinë e shtypit. Në pjesën tjetër të botës, pohon Freedom House, qeveritë dhe aktorë të tjerë jo qeveritarë, kontrollojnë mendimet dhe pikëpamjet për qytetarët e vet dhe brutalisht shtypin zërat e pavarur, qëllimi i të cilëve është promovimi i demokracaisë së vërtetë dhe llogaridhënjes, të qeverisjes së mirë dhe zhvillimit ekonomik të një vendi.
Shqipëria dhe Kosova, sipas organizatave ndërkombëtare vazhdimisht janë gjetur në kolonën e vendeve të botës që konsiderohen si “Pjesërisht të lira”. Organizata e të drejtave të njeriut, Freedom House i karakterizon vendet si të lira, pjesërisht të lira ose jo të lira bazuar në zbatimin e të drejtave dhe lirive politike dhe civile, përfshirë lirinë e shtypit — të drejta dhe liri këto që kryesisht përcaktohen në Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut, të nënshkruara nga të gjitha vendet anëtare të OKB-së, por mbetet e pa zbatuar në shumë vende të botës.
Sekretari Amerikan i Shtetit iu drejtua gazetarve në përgjithësi, duke i cilësuar ata si “mbrojtës të lirisë” dhe kritiktoi vendet që kufizojnë dhe abuzojnë me lirinë e shtypit. Ai përfundoi duke theksuar se asnjë qeveri, sado që të pretendojë se ka shënuar suksese, nuk mund ta quaj veten i madhërishëm, nëqoftse nuk lejon shtetasit e vet të shprehin lirisht mendimet e tyre për ngjarjet dhe vendimet që afektojnë drejtë për së drejti jetën e tyre. “Një shtet pa liri dhe pa pavarësi të plotë të shtypit, nuk ka asgjë për tu lavdëruar për arritjet, nuk ka asgjë për të mësuar askënd dhe në asnjë mënyrë nuk mund të shfrytëzojë potencialin e vet”. Duhet t’i kundërshtojmë ata që përpiqen të frikësojnë dhe të burgosin gazetarët dhe tu themi se, “Ushtrimi i lirë i gazetarisë dhe raportimi i së vërtetës, nuk përbën krim, por është një nder i dalluar dhe një detyrë në shërbim të publikut”, u shpreh John Kerry dhe përfundoi fjalimin e tij duke thënë se është krenar që Shtetet e Bashkuara, ç’prej kohës së Thomas Jeffersonit e deri tani, kanë bërë më shumë se çdo vend tjetër në botë në mbështetje të lirisë së fjalës dhe të mendimit. Kjo është arsyeja”, nënvijoi ai, “se pse unë jam krenar për punën e ambasadave dhe konsullatave amerikane anë e mbanë botës të cilat pothuaj çdo ditë kërkojnë përgjigje, shprehin kundërshtime dhe kërkojnë llogari në emër të gazetarëve të kërcënuar ose të burgosur kudo në botë.”
Nuk është për tu habitur pra që Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry si dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë, vazhdojnë të flasin publikisht dhe kurdoherë që u jepet rasti, në mbështetje të lirisë së shtypit dhe medias në përgjithësi, pasi sipas ekspertëve në këtë fushë, shtypi i lirë luan një rol kyç në zhvillimin e demokracisë së një vendi dhe se kufizimet dhe kërcënimet qeveritare ndaj ushtrimit të gazetarisë së lirë, përbëjnë shënjat e para se shtetet dhe qeveritë e ndryshme që i turren lirisë së shtypit, kanë si qëllim të kufizojnë edhe lirinë e veprimtarisë së institucioneve të tjera demokratike të shoqërisë.