• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

E VËRTETA!

March 14, 2021 by dgreca

NGA AGUSTIN MIRAKAJ/

Çdo dite që kalon, gjithnjë e më shumë njerëzit po e kuptojnë se me të vërtetë po jetojmë në një kohë të jashtëzakonshme. 

Kurrë nuk kam jetuar në një kohë kur aftësia për të kuptuar një të vërtetë ështe aq e rëndësishme sa realiteti që na rrethon.

Çfarë është e vërteta? E vërteta është besimi. Ne duhet të besojmë që vendi ynë do të behet.

Kush janë mashtruesit? Mashtruesit janë ata që sot drejtojnë dhe administrojnë pushtetin, ata të cilët përdorin armën e tyre djallëzore “fshesën” (me preteksin se emigrimi sjellë mirëqënie) ju larguan qëllimisht nga Atdheu për të mos pasur shpresë se një dite vendi ynë do të bëhet.

Kush janë Patriotët? Patriotët janë atdhetarët që mendojnë e punojnë për vendin e vet pa cënuar integritetin territorial. Janë ata që në ditën më të vështirë i përgjigjen Atdheut duke e mbrojtur atë (si familjen) me gjithë fuqinë që i madhi Zot i jep.

Kush është armiku? Armiku ishte komunizmi e sot është socializmi, ku për dekada ata kanë mbjellë varfëri, denigrim dhe shkatërrim në trojet tona.

Kujt i besojmë? VETVETES! Forcës shpirtërore që na ngriti në kembë për të na dhënë mundësinë të dalim nga skëterra dhe izolimi totalitar. Diktaturat sjellin shkatërrim si e keqja (komunizmi) atëherë dhe socializmi i tashëm e shkatërrojë ëndrrën e SHQIPËRISË ndryshe.

Besoji Zotit fuqiplotë. Ai nuk do t’ju zhgënjejë kurrë me forcën e tij di si të veprojë me të keqen. Dashuria juaj për të VËRTETËN, lirinë dhe Zotin është arsyeja pse ne do të ruajmë shpresën e cila do të sjellë ditë shumë më të mira për vendin tonë të bekuar.

Filed Under: Komente Tagged With: Agustin Mirakaj, e verteta

GJITHMONË NË RASTE KRIZASH, E VËRTETA ËSHTË VIKTIMA E PARË

April 16, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ata që më njohin dhe ata që mund të kenë lexuar, nga koha në kohë, shkrimet e mia modeste e dinë se sa për “për zemër” e kam lirinë e fjalës në përgjithësi dhe lirinë e shtypit në veçanti –mbështetjen ndaj të cilës e kam konsideruar gjithmonë, pothuaj, si një mision i jetës.  Mbështetjen dhe promovimin e lirisë së fjalës, e kam si një obligim moral personal por dikur edhe si një detyrim profesional për 30-vjet pranë Zërit të Amerikës, gjatë luftës së ftohtë midis lindjes komuniste dhe perëndimit.  Madje edhe në pension pas më shumë se 15-vite që jam larguar nga VOA, vazhdon të më mbetet një subjekt ky, gjithnjë, tepër i rëndësishëm për shoqërinë amerikane ku jetoj për një gjysëm shekulli, por edhe për çdo vend tjetër në botë.  Është një subjekt të cilin e kam trajtuar në dyzina artikuj këto vitet e fundit.  Edhe ky shkrim modest është në rrjedhën a dyzina të tjerëve më parë, ku kryesisht kam shprehur shqetësimet e mia ndaj kërcënimeve që i bëhen fjalës së lirë këtu në Amerikë, por edhe anë e mbanë botës ku liria e fjalës vazhdon të shkelet, të abuzohet dhe të mos respektohet,– përfshir edhe trojet shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë.  

Por, këtë artikull nuk po ia kushtoj mungesës së lirisë së shtypit dhe as nuk po promovoj lirinë e fjalës në vende dikatoriale ose autoritare të njohura botërisht për shkeljet flagrante të fjalës së lirë – siç janë Rusia, Kina, Turqia, Irani, Arabia Saudite, e tjera e të tjera, por atyre që Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, (KMG) me qëndër në Nju Jork, Joel Simon, i cilëson si një, “mori presionesh, fyerjesh dhe abuzimesh që dalin nga goja e Presidentit Trump”, kundër gazetarëve këtu në Shtetet e Bashkuara. 

Sipas një njoftimi për shtypin të (KMG), në një raport të botuar më 16 prill i sponsorizuar nga Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, thuhet se, “prej shumë mënyrave të ndryshme që ka përdorur Administrata Trump në sulmet e saja kundër gazetarëve, ndër më efektivet dhe më të rrezikshmet është përpjekja për të shkatërruar kredibilitetin e medias, duke minuar të vërtetën dhe konsensus-in, ndërkonë që pandemia e koronavirusit kërcënon të shkaktojë vdekjen e dhjetëra mijëra amerikanëve.” 

Në raportin me titull, “Administrata Trump dhe Media” e botuar të ënjtën, me 16 prill, përgatitur nga Profesori i Gazetarisë në Universitetin e Arizonës dhe ish-kryeredaktori i gazetës the Washington Post,  Leonard Downie, Jr me bashkautoren Stephanie Sugars, përfshihen intervistat me mbi 40 gazetarë dhe ekspertë të medias, akademikë si dhe zyrtarë të administratës Trump.

Në njoftimin për media me këte rast, Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Joel Simon, shprehet se, “ Gazetarët në Shtetet e Bashkuara, kryesisht, nuk i janë penguar aspak, (në kryerjen e punës së tyre) nga kritikat, fyerjet dhe presionet e përditshme që vijnë nga Presidenti Trump, por megjithëkëtë, shtoi ai, “ato kanë ndikuar në minimin e besimit të publikut tek media si një institucion publik”, gjë që sipas tij është diçka e rrezikshme, sidomos në mes të një krize shëndetësore.

Për më tepër, thekson Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, kritikat e Presidentit Trump ndaj gazetarëve, “inkurajojnë dhe fuqizojnë autokratët anë e mbanë botës, të cilët janë duke shkelur liritë e medias dhe lirinë e fjalës me një ashpërsi dhe vendosmëri të paparë, në një kohë kur informacioni i vërtetë, nevojitet më shumë se kurrë.” 

Në raportin e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, me qëndër në Nju Jork, përfshishen një numër rekomandimesh –https://cpj.org/reports/2020/04/trump-media-attacks-credibility-leaks.php#11 — për administratën Trump, përfshir nevojën për të folur publikisht në mbrojtje të lirisë së fjalës, ndërsa (KMG) i ka dërguar Shtëpisë së Bardhë edhe një letër, https://cpj.org/2020/04/cpj-calls-on-trump-to-improve-press-freedom-in-us.php, bashkangjitur me raportin Adminstrata Trump dhe Media, me të cilën i kërkohet edhe një takim  në Shtëpinë e Bardhë, për të biseduar mbi këto çështje.

Ndërkaq, gjatë takimit me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, Presidenti Trump zgjodhi Zërin e Amerikës, për ta venë kësaj radhe në shënjestrën e kritikave të tij.  Në raportin e transmetuar mbi këtë çështje nga Zëri iAmerikës në gjuhën shqipe, të enjtën https://www.zeriamerikes.com/a/trump-congress-voa-bennett/5374257.html, në kritikën e tij ndaj Zërit të Amerikës, Trump përmendi si shembull një postim në llogarinë e Zërit të Amerikës në Twitter, të një videoje të agjencisë Associated Press.  Videoja tregonte një shfaqje dritash në Wuhan për të shënuar riahpjen e qytetit, ku COVID-19 u diktua për herë të parë.  Në këtë ndërkohë, Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe njoftoi dje se kritikave të Presidentit Trump iu përgjigj Drejtoresha e Zërit të Amerikës të mërkurën në mbrëmje, duke i hedhur poshtë kritikat e Presidentit Trump, ndërsa theksoi se Zëri i Amerikës “ka diskredituar shumë nga informacionet që vijnë nga qeveria kineze dhe media e kontrolluar prej saj”.  Për më tepër, Drejtresha e VOA-s, Amanda Bennett u shpreh se, “Për mbi 75 vjet, Zëri i Amerikës ka ndjekur misionin e tij për të treguar historinë e Amerikës në vende të tjera dhe për të dhënë informacion objektiv, bazuar në fakte, në vende në gjithë botën që nuk kanë qasje në këto informacione.  Siç kemi thënë për një kohë të gjatë, ne përhapim (parimet) e Amendamentit të Parë (që përfshin lirinë e shprehjes dhe medias)”, citohet Drejtorja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett në një deklaratë për dtafin dhe median.  Ajo shtoi duke thënë se, “Unë besoj në atë mision.  Dhe duke gjykuar nga mënyra se si po zgjerohen audiencat tona, duke kërkuar informacion të besueshëm gjatë kësaj krize të koronavirusit, edhe bota beson në misionin tonë.  Është punë e vështirë, punë e rëndësishme, ndoshta sot më shumë se kurrë më parë”, vazhdon deklarata e Drejtoreshës së Zërit të Amerikës, Amanda Bennett.

VOA në gjuhën shqipe citon gazetën New York Times të ketë shkruar në lidhje me kritikat e Presidentit Trump ndaj VOA-s, se “Akuzat drejtuar agjencisë 75 vjeçare të transmetimit, dukeshin aq të tepruara saqë disa lexues shprehën shqetësimin se hakerat mund të kishin depërtuar në rrjetet e Shtëpisë së Bardhë”. 

Edhe për mua – bazuar në përvojën time 30-vjeçare me Zërin e Amerikës, kritikat e Presidentit Trump ndaj VOA-s janë aq të pakuptimta sa edhe të çuditshme për një president.  Jo se VOA, në gjuhë të ndryshme të mos ketë bërë ndonjë gabim, nga koha në kohë, në lidhje me ndonjë lajm ose raportim te cilësdo natyrë qoftë.  Por, çdo gjë tratohej ndryshe.  Na vinte ndonjë kërkesë për ndonjë shpjegim, jo vetëm nga Shtëpia e Bardhë por edhe nga Kongresi, nga Departamenti i Shtetit e tjera ente qeveritare, përfshir ambasadat.  Më kujtohet një rast kur një zyrtar i lartë amerikan po interesohej për një lajm të VOA-s nga Evropa Lindore, në periudhën e Solidaranostit.  “Po interesohem, tha ai, për atë lajm jo se nuk i besojmë VOA-s, por nëqoftse jeni gabim, për arsye të besueshmërisë së madhe që gëzoni në rajon, mund të shkaktohet një luftë.  Prandaj, nëqoftse ishte lajm i gabuar të kërkoni falje dhe ta tërhqini.   Pas një shqyrtimi të shpejt të programeve, lajmi i VOA-s doli i sakt dhe as nuk shpërtheu ndonjë luftë, si rrjedhim.   Dua të them se gjërat trajtoheshin krejt ndryshe, dikur.

Është e vërtetë se gazetarët në Amerikë nuk shqetësohen shumë për kritikat ndaj tyre, madje qoftë edhe kur ato vijnë edhe nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, që konsiderohet njeriu më i fuqishëm në botë.  Falë nderës të Madhit Zot dhe baballarëve të këtij Kombi që kanë lënë pas një Kushtetutë dhe që krijuan institucione të forta qeveritare dhe jo-qeveritare, të cilat i qëndrojnë dhe kundërshtojnë – pa frikë ndëshkimi – abuzimin me pushtet të cilitdo president ose degë qeveritare qoftë.  Jo më kotë garancia e fjalës së lirë zen vend në artikullin e parë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.  Nuk e luan as topi!

Por, sot më shumë se kurrë, Amerika dhe bota kanë nevojë për lirinë e medias, për mbrojtjen e lirisë së fjalës dhe për mbështetjen e të vërtetës.  Bota ka nevojë për ente dhe burime lajmesh, kombëtare dhe ndërkombëtare, siç është Zëri i Amerikës, i cili që nga themelimi i tij në fillim të Luftës së Dytë Botërore, është angazhuar të thotë të vërtetën.  Përgjatë ditëve të errëta të Luftës Botërore, trazirave të Luftës së Ftohtë, përballë terrorizmit, apo në krah të përpjekjeve të njerëzimit për të fituar lirinë, Zëri i Amerikës i ka shërbyer botës si shembulli i ruajtjes së parimeve të shtypit të lirë.  Karta e Zërit të Amerikës përmbledh tre vlera themelore.  Së pari, Zëri i Amerikës shërben si një “burim i besueshëm dhe autoritar lajmesh. të sakta, objektive, dhe gjithëpërfshirëse.”  Janë këto vlera themelore të një shtypi të lirë që duhet të mbrohen nga të gjithë ata që besojnë në liri, por mbi të gjithë nga ata përgjegjësia kushtetuese e të cilëve është që t’i mbrojnë ato vlera dhe liritë bazë të njeriut – madje edhe në kohë krize, nepër të cilën po kalon sot Amerika dhe bota.

Filed Under: Politike Tagged With: e verteta, Victim e pare, VIKTIMA E PARË

ÇAMËRIA, E VËRTETA E LARGON ERRËSIRËN

July 14, 2018 by dgreca

…“Umbram fugat vetitas”/

Shkruan: Enver DAHRI,Studiues/

fahri dahri itali 2018

Thesprotia me trashëgimtaren e saj Çamërinë, është me fillesë, popullsi Pellazge, e cila i ka ruajtur veçoritë dalluese me botën tjetër të lashtësisë deri në ditët tona. Hijet e zeza perandorake gjatë dymijëvjeçarit pas Krishtit, si dhe gam-gamet fqinjësore, sado që kanë errësuar historinë, mes ndërhyrjeve kirurgjikale në tabanin pellazgjik, nuk kanë arritur ta shuajnë, sepse:“E vërteta e largon errësirën”.

Sot të gjithë flasim, kudo dhe me ç’fardo, përdorim foltore të ndryshme këndej dhe andej kufinjëve, shkruajmë në gazeta, në libra, në samite dypalëshe dhe shumëpalëshe, betohemi e stërbetohemi për demokraci, për liri, për të drejta të popujve qofshin të mëdhenj në numur apo dhe të vegjël. Por brenda qenies njerëzore jeton urrejtja, ligësia, e cila kamuflohet si hameleonët. Ligësitë, armiqësitë dhe urrejtjet e palës greke ndaj banorëve të Çamërisë, të mbështetura në shkaqe hipotetike, përshtaten sipas situatave, por vetëm në dukje (aparencë); ato veprojnë të nënëdheshme, duke ndjekur me vemendje sinjalet e fshehta që i vijnë nga gjeopolitika e sëmurë.

Në njohje të këtyre situatave të nënëdheshme e të mbidheshme, detyrohem të mos bëj komente në këtë shkrim, por do të përqendrohem për të treguar të vërtetat, me referime të personaliteteve tëshquara si historianë, filozofëdhe dijetarë të mëdhenj të lashtësisë dhe të këtyre dymijë viteve tona.

Atëhere, le të njihemi me qendrimet vlerësuese të Thesprotisë, që është vijëmësisht Çamëria “Pellazgo-epiroto-shqiptare”.

Realisht të gjithë autorët grekë kur flasin për thesprotasit apo dhe për mollosët, thonë se ata janë barbarë, dmth të huaj kundrejt grekëve. Grekët, për tu dalluar prej kombeve të tjera i përmbaheshin  formulës: “Πας μη ελληνβαρβαρος”, dmth “Ti nuk je grek, je barbar”.

Homeri: “Thesprotët janë banorët më të lashtë të Epirit dhe është thënë se kanë marrë emrin nga Thesprotues, djali i Lycaon. Ata ishin pellazgë dhe vendi i tyre ishte një nga fronet udhëheqëse të kombit pellazg. Këtu ishte orakulli i Dodonës, qendra më e madhe e besimit pellazg. Prej thesprotëve rrodhën Thesalinjtë që zotëruan territorin që më vonë u quajt Thesali”.

Kjo thënie e Homerit, informon disa të vërteta: Thesprotët ishin një popull, jo vetëm para Homerit (i cili mendohet se ka jetuar rreth shekullit IX-të para Krishtit), por ai e cilëson dhe si populli më i lashtë i Epirit; Homeri pa hezitim, thesprotët i cilëson pellazgë dhe Thesprotinë, vendi nga ku ishte froni që udhëhiqte kombin pellazg.  Nga Thesprotia dhe populli thesprot, lindi bija, që sot quhet Thesali dhe banorët thesalinj. Në Thesproti ishte orakulli i Dodonës, faltorja më e madhe e besimit pellazg.

Herodotus deklaron se: “Fise shumë të sigurta Pellazgjike në kohën e tij flisnin një gjuhë barbare.”

Strabon: “Atëherë në kohët e lashta, Dodona ishte nën sundimin e thesprotëve; dhe në malin Tomarus, ose Tmarus (është quajtur në dy emra) ishte vendosur tempulli. Të dy poetët tragjike dhe Pindari e kanë quajtur dodonën: “Dodona thesprotiane”.

Straboni, në shkrimet e tij, e bën të qartë se ai sheh katër grupe të mëdha të njerëzve: Ilirët, Epirotët, Hellenët, dhe Thrakët.  Theksojmëgjithashtu se Straboni nuk është i vetëm në gjetjen e jo-hellenasve në Epir, dhe që Thukididi i quan ata barbarë.

NëTelegonia, një poemë e lashtë epike, shkruar në shek. e VI,  thuhet se Odiseu (vitet 1180 BC-1170 BC), komandoi Thesprotët për herë të parë, por pa sukses kundër fisit ilir Brigjëve (Brygi), pasi ai ishte kthyer në Itakë. Fakt i vërtetuar nga gjetjet arkeologjike në Kiperi, pak kilometra prej kalasë Mikeniane mbi Nekiomanteion në luginën e lumit Akheron (11 km në veri të Prevezës).

Plutarku: “Historianët na thonë se mbreti i parë i thesprotëve, pas përmbytjes, ishte Pheidon (Feidoni-pellazg), një nga ata që erdhi në Epir bashkë me pellazgët…”

Disa nga fiset e lashta Thesprote ishin Eleans, Dodonaeans, Agestaeans (Agest = të moçmit- më të vjetrit-bëhet fjalë për fisin Dagavi që përfshinte territorin sipër Margëllëçit deri në fshatin Risian, ose në jug të lumit Kalama-FD) dhe Elins. Disa nga qytetet e lashta Thesprote ishin Titani (Gitani), Elea dhe Dimokastro. Në shekullin IV p.e.s. fortifikimet e para janë ndërtuar rreth qyteteve në Thesproti.
Perandori i Bizantit Leoni i Mençur, në shekullin e X-të të erës sonë, në një nga librat e tij përmend faktin që “banorët e Epirit janë shqiptarë”.

Pukvili (1770-1857), njihej si mik i helenëve, i cilësuar si fillogrek, shkruan “për Pirron dhe Thesprotinë që nuk janë grekë” si dhe jep mjaft prova etnografike, arkeologjike për autoktoninë çame (libri “Udhëtime në Greqi” vol. 1 fq.98). Gjithashtu në fillim të shek XIX, studiuesi francez F.Pouqueville, në veprën e tij prej gjashtë vëllimesh “Voyage delle Greece”, përshkrimi i Çamërisë dhe i krahinës së saj, Sulit, zë pesë kapituj. Racën shqiptare ky autor e ndan në katër regjione etno-gjeografikë: në gegë, në toskë, në labë, e në çamë. “Katundet e zallit te Thyamis (sot lumi Kalama) janë shqiptarë të krishterë të gjuhës çame” (Vëll II, fq 103)… Çamëve u ka hije lëvdata për trimërinë, bukurinë, pastërtinë e zgjuarsinë.

Martin Lik në librin “Kërkime në Greqi” botuar në Londër, në 1814, në fq. 266 thotë: “Çamët zotërojnë vendin në jug të lumit Kalama (Thiam i vjetër) dhe kam arësyen të besoj, se çamët e kanë nxjerrë emrin e tyre nga një aliternacion i lumit. Vendit i thonë Dar, dhe shtrihej deri rrotull fshatrave të Janinës, vendet kryesore të Çamërisë janë: Suli, Paramithia, Margariti, Parga, Agjija”.

Enciklopedia e madhe helenike, vëllimi 15 fq. 405 provon  se, çamët janë banorët e parë të Thesprotisë dhe jep njoftime se emrin çam e kanë marrë prej lumit Thiam (Kalama i sotëm). Nga pikëpamja gjuhësore pranon se dy të tretat e Çamërisë, megjithëse të ndarë në të krishterë dhe myslimanë, flasin shqip, por një shqipe të veçantë.

Studiuesit, konsujt dhe udhëtarët e ndryshëm si Pukvili, Lik, Brukton, Helon, Bul, Liri, Dozon etj, që vizituan Shqipërinë në shek. XIX-të, konstatuan se populli i Çamërisë, trevë që shtrihej në mes të lumit Kalama, gjirit të Artës e deri në Prevezë, popullohej nga shqiptarët autoktonë.

Sami Frashëri për Çamërinë, botuar me 1878, shkruan:“Gjuha e poetit Homer të “Iliadës dhe Odisesë” shihet si më e afërt me pellazgjishten, si gjuha e filozofit Platon. Emrat e perëndive greke, pothuaj të gjithë janë pellazgjisht, ndaj gjuha e vjetër e Epirit nuk ka qenë greqishtja, por ka qenë pellazgjishtja”.

“Fjalor i pergjithshem i historisë dhe i gjeografise” (Konstandinopoje 1889). Vepra 2 e Sami Frasherit, bot. i Akademise se Shkencave, 1988. Tesprotia (Çamëria), shkruhet: “Thesprotianët e vjetër i perkasin thjesht popullit pellazg”.

Naim Frashëri:Tek “Bagëti e Bujqësi”, kur i drejtohe dallëndyshes:

“Eni vjen prej Çamërie …me milëra fjalë e me gluhë perëndie”. Për gati dy dekada ai i ra kryq e tërthor Çamërisë dhe ky është nëndialekti që dëshmon, më shumë se çdo gjë tjetër, lashtësinë e gjuhës shqipe e sa kishte hyrë thellë tek Naimi. Naimi e dinte me themel nëndialektin e Çamërisë.

Abdyl Frashëri, “Çështjen Çame” e bëri problem në kancelaritë e perëndimit. Ai arriti të zgjojë atdhetarizmin, në të gjitha trevat shqiptare. Abdyli bashkë me Mehmet Ali Vrionin, shkuan në kabinetet e Europës për të mbrojtur çështjen Shqiptare, kryesitsht të Epirit, të ndihmuar fuqimisht nga djali i Çamërisë, Abedin Pashë Dinon. Në udhëtimet e tij në Europë për të mbrojtur Çamërinë, ai shkriu 7 barrë flori, kurse kryetari i Lidhjes Shqiptare për Jugun e Shqipërisë, Abedin Dino (djalë i Prevezës-FD), shiti 2000 hektarë tokë dhe paratë që mori i përdori për nevojat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Abdyli me ndihmën edhe të Abedin Dinos, firmosi letrat e përfaqësimit në Çamëri dhe në krye të një delegacioni të dalë nga Kuvendi i Dibrës, u ngarkua për t’i paraqitur Sulltanit kërkesën për një autonomi territoriale administrative të Shqipërisë.

Në çdo memorandum, në mbrojtje të Çamërisë, në krye janë firmat e Abdyl Frashërit. Abdyl Frashëri bashkë me Abedin Dinon, në Mbledhjen e Prevezës të vitit 1879, arritën qëgrekët, me pretendimet  tyre shoviniste për të grabitur Çamërinë, tëdështojnë. Në saj të Abdylit, të Abedin Dinos dhe të Hasan Tahsinit, Çamëria dhe Janina edhe për 35 vjet të tjera mbeti në duart e shqiptarëve.

Martin P. Nilson, studiues i njohur suedez, në veprën: “Studime mbi historinë e Epirit të lashtë”, botuar në Londër në 1909, sqarohet më së miri, se Epiri nuk ka qenë ndonjëherë grek, ky rajon ka ruajtur natyrën e vet ilire të pandryshueshme.

Kaklamanos, përfaqësuesi grek në Lozanë, më 19 janar 1923, deklaroi se qeveria e tij nuk kishte aspak ndërmend të fuste në shkëmbim “myslimanët me origjinë shqiptare” për të cilët ai vetë kishte pohuar se “banojnë në një krahinë të përcaktuar qartë-Epirin” dhe se “derisa janë bashkëfetarë me turqit, nuk janë aspak bashkëatdhetarë të tyre”.

Nga sa më sipër, del mëse e qartë autoktonia dhe vazhdimi i pellazgo-epiroto-shqiptarëve të banorëve të Çamërisë. Thesprotët janë quajtur fise pellazge me qendër shpirtërore tempullin e Dodonës. Banorët e vjetër të Çamërisë, përgjigjen për vendndodhjen e Çamërisë e shprehnin në të folurën e tyre: “Çamëria zihet ka lumi i Shalësit (Pavllo) në veri, jaram te tre gurët e zes në Prevezë”-[“Çamëria fillon nga lumi Pavllo i Shalësit (fshat në komunën e Konispolit) në veri, deri tek tre Gurët e Zezë në Prevezë-FD]. Çamët dhe epiriotët, kanë patur me helenët ndryshime nga kultura, gjuha, historia, zakonet, territori, etj.

Të gjitha këto të vërteta, kanë arritur të shpëtojnë nga fshirja dhe ndërhyrjet e shumta për shtrembërimin e tyre në historinë e shkuar, siç po veprohet edhe sot me ndërhyrjet e fuqishme që bëhen nga shteti Grek, për emërin e Maqedonisë dhe zhdukjen e emrit të Çamërisë. Por jo vetë pala greke, ka dhe studiues sharlatanë shqiptarë, që përpiqen për të rritur vlerat historike krahinore, gabojnë pa dashje apo me dashje të ndihmojnë në shuarjen e të vërtetave dhe na e spostojnë me laps Dodonën mijravjeçare, nga mali Tomar, në malin Tomorr, ose e marrin “hopa” nga Thesproti/Çamëria dhe e vendosin në Malin e Tomorrit?. Me këtë veprim mendje shkurtër, i thuhet historisë që gjeografikisht Thesproti/Çamëria nuk është trevë pellazgo-epiroto- shqiptare, por e lëshojnë që të bjeri ku ta shpjerë era e tradhëtisë kombëtare.

Për ti hedhur poshtëedhe këto përpjekje tradhëtie në ndihmë të shuarjes dhe fshirjes së historisë, lidhur me “Dodonën”, po citojmë Strabonin: “……Të dy poetët tragjike dhe Pindari e kanë quajtur dodonën: “Dodona thesprotiane”. ….Në çdo rast, nga poeti askund nuk janë quajtur orakujt “themistes”, por është thënë se dekretet, statutet dhe ligjet janë quajtur “themistes”; ndërsa banorët, njerëzit janë quajtur “tomouroi “, sepse “tomouroi ” është një tkurrje (shkurtim) i fjalës “tomarouroi”, (fq. 329), ekuivalente e fjalës  rojtar, ose portjer “tomarophylakes” (fq. 467). Nga kendej del dhe emri i malit në Dodonë “Tomar” dhe jo Tomorr, siç dikush pretendon.

  • ●●

Për shqiptarët çamë, që historia i ka caktuar të jenë një grup njerëzisht fatkeq, analiza ndaj tyre detyrohet të përqëndrohet në disa rrethana të veçanta. Nuk ka alternativë tjetër për zgjidhjen e problemit kombëtar të trojeve etnike dhe gjenocidin grek ndaj pjesës së popullsisë shqiptare të Çamërisë, përveç shtetit Shqiptar dhe Konventave Ndërkombëtare, që Këshilli i Europës duhet të kërkojë zbatimin rigoroz prej të gjithë shteteve.

Rëndësi e veçantë dhe aspak tolerim kërkohet të kenë personalitetet e shtetit Shqiptar, në deklarimet e tyre lidhur me çështjet kombëtare, si nga pikpamja historike ashtu dhe gjeografike. Nuk është shteti Shqiptar që ka pushtuar territore të huaja, por fqinjët tanë kanë përfshirë në territoret e tyre hapësira etnike shqiptare. Është ky realitet, që e bën të detyrueshëm pozicionin “shmangës” të personaliteteve të larta të shtetit Shqiptar, lidhur me deklarimet: “Nuk kemi pretendime territoriale ndaj fqinjëve”. Nuk arësye të mbahen qendrime euforike, që realisht janë të pasinqerta, nuk pasqyrojnë të vërtetat, por gjoja i përgjigjen rregullave ndërkonbëtare të kohës. Qendrimet e “cekta”, ose “tolerante”, bien ndesh me qendrimet e vazhdueshme të fqinjëve të cilët edhe në ditët e sotme vazhdojnë të mbajnë të “ngrehur” një “Ligj lufte” ndaj nesh, duke treguar se ata paskan pretendinme kufijsh ndaj Shqipërisë. Dy qendrime në të njëjtën periudhë, me po ato rregulla ndërkombëtare. Njëri qendrim inferior, gjoja parimor, dhe një qendrim superior, jo parimor, por i pranuar dhe i justifikuar nga gjeopolitika e sotme europiane. “Ambiguity konstruktiv” (Paqartësia konstruktive), ka qenë strategjia e preferuar e Bashkimit Europian në mënyrën e sjelljes me Ballkanin.

  •                                 ••

Në ritualin e përkujtimit të banorëve të Çamërisë, të cilëve kockat u gjenden në nënëdhéun e Kllogjerit të Konispolit, të datës 24 qershor 2018, disa nga deklarimet e mitingmbajtësve, kërkohej dhe duhej të ishin më të sinqerta e të drejtpërdrejta. Në ato deklarimeve veçojmë: Sipas gazetës shqiptare news 55:“Qeveria tradhtoi çështjen Çame”, eDiel, 24 June 2018 .“Kryetari i PDIU-së, ..ishte i pranishëm në homazhet e zhvilluara në Varrezat e Kllogjerit në Konispol. Në këtë vend më shumë se 2.900 shqiptarë të Çamërisë kanë humbur jetën pasi u dëbuan me dhunë nga trojet e tyre në Çamëri nga Greqia. Në atë takim, mes të tjerash u deklaruat se:“çështja çame zgjidhet nëse në tavolinën e bisedimeve do të jenë PDIU dhe Shoqata Çamëria”. Në këto të shprehura vrehen disa nuanca të dyshimta, të cilat përpiqen të bejnë diferencën mes etnisë shqiptare në tërësi, duke e vënë theksin se gjoja ai komunitet i dhimbset, apo duhet ta mbrojë vetëm Shoqata Çamëria dhe PDIU. Duke ecur në “linjën e veçimit”, u deklarua dhe u mohua puna e madhe diplomatike e shtetit Shqiptar, i cili gjatë dekadës së dytë dhe të tretë të shekullit të kaluar, ka mbrojtur vendosmërisht çështjen e shqiptarëve të Çamërisë. Nuk mund të shpërfillen përpjekjet tepër serioze të bëra në të gjitha takimet ndërkombëtare. Është e pa pranuar që sjellja jonë e sotme të mos njohë dhe të mos nderojë mbrojtjen kombëtare që është bërë në kohën e Mbretërisë së Ahmet Zogut, të qeverisë së Fan Nolit.

Absolutisht është i pavënd  deklarimi …”se sot Shqoqata Çamëria dhe PDIU u paska dashur t’u a mësojnë historinë e Çamërisë atyre”, apo shtetit të sotëm Shqiptar, i cili e zgjoi nga harresa dhe heshtja.

Ky deklarim: “ju mësuam historinë se nuk e kishin haberin” , lëtëkuptohen paramendime të qëllimshëm, ku me “marifet”, hidhet poshtë gjihçka e bërë nga paraardhësit, si autoritetet shqiptare dhe atdhetarët çamë (kur keta të sotmit nuk kishin lindur), duke deklaruar se para PDIU-së dhe drejtuesave të sotëm, nuk njihej historia e Çamërisë. Kushdo qëmendon kështu, duhet tëkuptojëndikimin negativ, se gjoja “Çështja Çame”, ashtu siç pretendohet sot, na paska lindur gjatëLuftës sëDytëBotërore.  Është në nderin tonë përulja me respekt dhe nderim para veprës së paraardhësve dhe përpjekje me përkushtim për të ndikuan në zgjidhjen e problemit “çam”, një çështje  thelbësore kombëtare shqiptare.

Parashtrimi i këtyre pretendimeve, përgadit terren që nesër historia të shkruhet duke u a atribuar njohjen e historisë së Çamërisë vetëm këtyre afro 14 viteve të krijimit të PDIU-së dhe se para kësaj partie, sipas tyre, ajo histori nuk njihej dhe nuk e kishin haberin. Kështu realizohet, me kujdes politik, uni i këtij apo atij drejtuesi partiak, që gjoja pretendohet të mbrohet dhe zgjidhet “Çështja Çame”dhe e rajonit të Çamërisë, vetëm prej tyre, kur dihet që partitë politike ndihmojnë në proceset e ndryshme. Vendimmarrja për zgjidhje është e drejtë e vetme shtetërore me qeveritëpërkatëse.

Nëse kjo alternativë është mision i asaj partie, në mënyrë kategorike nuk përkon me pikëpamjet e popullit shqiptar në përgjithësi dhe hidhet poshtë me indinjatë(indignation) nga pjesa çame e këtij populli. Populli shqiptar dhe shqiptarët e Çamërisë, pavarësisht rezidencave, shprehin nderimin dhe përgëzimet më të sinqerta ndaj atyre qeverive shqiptare të djeshme dhe të sotme, të cilat janë ngritur në nivelin e duhur kushtetues të mbrojtjes së të drejtave kombëtare.

  • ••

Le të ndalemi pak edhe në deklarimet e ditëve tësotme, të cituara në gazetën greke “Protothema”, të cilat na i sjell gazeta “Dita”, dt. 02/07/2018 ku lexohet: “Dhamë Epirin e Veriut”. “..E përditshmja “Protothema” i mëshon faktit për Epirin e Veriut. “Japin Epirin e Veriut për Çamërinë që nuk ekziston”, është titulli i këtij shkrimi.Sipas saj, pala greke ka pranuar që të heqë termin “Epiri i Veriut”, megjithatë kjo nuk është e konfirmuar zyrtarisht. Nga ana tjetër, edhe Shqipëria nuk do të përdorë më termin Çamëria, shkruan gazeta greke. Në të dyja rastet, thuhet në artikull, nuk do të ketë pretendime formale territoriale”.

Trajtimi i dy çështjeve: “Epiri i Veriut” dhe Çamëria janë dy gjëra të ndryshme nga pikpamja gjeopolitike dhe historike. “Vorio Epiri” është një toponim i sajuar gjatë Luftës së Parë Botërore dhe atyre Ballkanike, duke u bazuar në dëshirat e shfrenuara të zgjerimit të hapësirave të helenizmit me bazë besimin fetar të ortodoksisë. Çamëria apo Thesprotia historikisht, gjeografikisht, antropollogjikisht ka qenë dhe do mbetet e banorëve autoktonë të etnisë pellazgo-epiroto-shqiptare, siç u relatua  më lart.

Po shuaj  këtu edhe dyshimet e shumta, sidomos të palës greke, të cilët i përmbahen tezës së sajuar se toponimi “Çamëri” na qenka vendosur në kohën e pushtimit Osman dhe, meqë pala greke ka alergji dhe tmerr nga ajo perandori, kërkon ta shuajë nga harta, nga historia dhe deri nga librat shkollorë, që për fat të keq mundet të pranohet nga ndokush që historia kombëtare është e panjohur, por qëdo ta gjykojë!.

Çamëria në kohën e hershme (shekulli i IV-të para Krishtit), ishte e ndarë në tetë njësi bashkësish të brendshme fisnore  me emërtimet dhe kufijtë ndarës brenda Thesprotisësi vijon:Parakallamo; Dagavi; Phanari (Fanari); Çamohori (Thsamokhori), (Fjala “hor” tregon tokë me gropa-sopa (rough); Lamari (Lumara dmth ara lumëla, që përshkohen nga uji i lumit); Kampos; Llaka; Kato Skala (Shkalla e poshtëme).

Një nga njësitë e bashkësisë së Thesprotisë, e cila daton qënga shekulli  IV para Krishtit, quhet “Çamohori”. Kohë kur ende nuk kishte lindur perndoria romake, as bizantine , apo ajo osmane, që grekët e sotëm duan të kamuflojnë gjithshka me gjoja toponime osmane. (Për më shumë, shif: Njohuri historike për Thesproti/Çamërinë, fq.76, bot. i vitit 2014-Tiranë FD).

Nga viti 1830 deri sot, shteti Grek në zbatim të “Megalloidesë”, ka synuar dhe realizuar shtimin e territoreve nëpërmjet luftërave, mashtrimeve, shpifjeve, predikimeve ortodokse kishtare; ndërsa me shekullin e XXI, krahas atyre metodave, kanë hedhur në arenën politike, diplomatike, ushtarake, këmbënguljen për shuarjen e toponimeve tëemrave të fshatrave, të rajoneve dhe deri edhe të shteteve, siç po vepron me ish banorët çamë myslimanë dhe rajonin e Çamërsië, apo me Republikën ish Jugosllave të Maqedonisë. Këmbëngulje të cilat synojnë shuarjen dhe fshehjen e historisë së kaluar në dëm të fqinjëve të saj, gjë që i siguron tjetërsimin gjeografik të territoreve të popujve jo grekë.

Ende pa u nënëshkruar marrëveshja mes dy shteteve, pa pritur as miratimi nga parlamentet përkatëse të dy shteteve, pala shqiptare, me entuziazëm të paparë, me një shpejtësi dhe fshehtësi të rrufeshme, fillon dhe vë në zbatim disa nga çështjet që janë në diskutim. Ndërsa pala greke, arrin deri tek deklarimet se “po diskutohet kjo dhe ajo”, por asgjë nuk lëshon përpara “vulosjeve zyrtare. Taktikëe përdorur ndër shekuj.

Kush e ka autorizuar Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, që të mos lëshojë pasaporta për nënështetasit shqiptarë që kanë lindur në rajonin e Çamërisë?

Kush është urdhëruesi i këtij institucion që lërkon të verë në zbatim një çështje që nuk është vendosur ligjërisht dhe që pala greke e ka ngritur zërin fort se në këto negociata “Çështja Çame” nuk është e përfshirë?

Apo zgjidhja e “probblemit çam”, vërtet nuk diskutohet, por ndaj shqiptarëve çamë po diskutohet që atyre tu shuhet edhe vendlindja?.

Nëse me pasaportat shqiptare nuk do të paisen çamët e lindur në Çamëri (sepse ashtu do pala greke) atëhere me ç’farë dokumenti do të paisen për të siguruar barazinë, lirinë dhe lëvizjen e lirë?

Ku bazohen drejtuesit e “emëruar” tështetit Shqiptar, për të cënuar të drejtat e njeriut?.

Kush e pranon dhe e lejon shtetin Grek të ndërhyjë egërsisht në punët e brendshme të një shteti tjetër?

Nëse e nesërmja do vërtetojë se në këto negociata është pranuar një gjë e tillë, diplomacia e sotme shiptare, jo vetëm ka kryer tradhëti ndaj atdheut, por ka shkelur në dinjitetin e kombit shqiptar. Nuk duhet t’unënështrohemi “vetove” çnjerëzore që sillen në qiellin e Europës Plakë, dhe përdoren për përfitime të territoreve etnofetare.

Nëse zyrtarëte “emëruar partiakë” qësot drejtojnështetin, bien nëkurthet antikombëtare; përfaqësiuesit e shtetit Shqiptar të “zgjedhur nga populli”nesër do ti gjykojnë.

Kjo është e vërteta e Thesprotisë apo e Çamërisë. Por ja që ka dhe gënjeshtra, mashtrime, shpifje që ndërthuren me endje, tregëtohen me dinakëri e dhunë për të ndryshuar identitetin e prejardhur nga lashtësia para Homerike, që të tjetërsohen si territore të ardhacakëve aziatikë gjatë shekullit XX. Fallsifikime mjeshtërore, nuk e kanë të vështirë të zënë vend në mendjet e shumta mediokre, ku finesa e dinakërisë greke tek këta ngjit si me zamkë.

Tiranë, më 14/07/ 2018

 

Filed Under: Fejton Tagged With: Cameria, E LARGON ERRËSIRËN, e verteta, Fahri Dahri

E VERTETA

December 11, 2017 by dgreca

Alfons Grishaj/

2-Alfons-Grishaj1-250x300

Që në lindjen e njeriut , e vërteta është thelbi dhe boshti i jetës . Ndërsa e pavërteta ,  webi i  prehës  , regresi i të dobtëve , errësira e arsyes , rrëshira  negativitetit.

Në udhëkryq , e vërteta  të jep shpresë,  frymëzim ,  rigjenerim , të rrit.Në paqe , e vërteta  është aureola e shpirtit , të ndrit , të ngazëllon.Në biseda, e vërteta  të sqaron , shkrifton arsyen e turbullt , të jep  bindje  dhe siguri.

Rastësisht,  lexova  një prononcim të Z.Henri Çili , për Z. Lulzim Basha, ku trajton me  finesë mirëndjellëse  figurën e Kryetarit të PD-së,  si një  e vërtetë premtuese  në filozofinë  ridimensionuse të së djathtës shqiptare. Kundërshtarët e Bashës,  kanë kohë që u bien trompetave për largimin e tij, duke harruar se,  bash ata  janë simboli i konsumimit dramatik të pushtetit. Më e çuditshmja është se , ata nuk merren kurrë me drogën dhe  pushtetin e krimit që ka mbuluar  pushtetarët e sotëm , por vetëm me subjektin që i

krijoi! Garda  e portofoleve të vjetra pakuptuar noton në një nonsense qesharak. Si zanatçi kaçkaritës e qymyrxhinj  letrash  afrojnë anakronizëm politik pa respiracion. Ndonjë Kazanovë , djersitur pas pluhurit të seksit, ëndërron sekretare me vithe të bukura dhe jo strategji shpresëdhënëse për elektoratin dhe prosperitet për Shqipërinë, prandaj klith : “Dorëheqje sa nuk është vonë!”

Sa më tepër largojmë të vërtetën  prej vetes , aq më të komplikuara dhe të pazgjidhshme bëhen problemet jetike e shoqërore. Konflikti është më i pranishëm se paqa , mirëkuptimi mbetet derë e harruar,  politika trampolin  gënjeshtrash  , dashuria kontratë teatrale.

Nuk kam ndërmend të citoj Z. Çili , që jam tërësisht me të , por dua  të përshëndes çdo zë intelektuali , qytetari apo fshatari  që thotë të vërtetën . Rrallë herë  shohim njerëz  me horizont që flasin me dorë në zemër për të vërtetën , pa pasion e urrejtje, pa flirte groteske. Troç ! Pa penelin e shekullit të shkuar që  katranosi djallin  hero, dhe të birin , “gjeni” të Shekullit të Ri!

Kur qenë  Ministra e Deputetë , pa pikë derti  trajtuan shtetin si tortë e jo si përgjegjësi kombëtare. Kulmi i mjerimit shfaqej në  prezantimin para  diplomatëve të huaj… shformimi i grimasave u krijonte një pamje neorovegetative, dhe  dialogu që ndërtonin kuturu përfundonte monolog i palëvruar .Tani, paraqiten njëherësh lektorë e shpëtimtarë , mendimtarë modernë, kolosë të arsyes së kulluar, por nuk janë asgjë tjetër,  vetëm orkestër e çakorduar .

Z.Basha , e kemi shikuar të përulur para anëtarëve të PD-së , popullit dhe  asnjëherë të djersitur e përulur para  homologëve të huaj. Kryelartë e me integritet  ishte përfaqësues i denjë i shtetit shqiptar . Si shpresë ndryshimi  dhe ogur i mirë për të ardhmen e Shqipërisë,  vizioni i tij është në  provë . Nëse  nuk do të jetë në gjëndje të shkëlqejë , të tjerë do të vijnë pas. Historia  dhe Shkencat Politike  na mësuan : liderit dështojnë apo bëjnë epokë, askush nuk është i pazëvendësueshëm.

Kam qenë dhe jam, nuk ka të  tepërt në PD. Qoftë se “të provuarit”  kanë dëshirë  për të krijuar boshlleqe dhe keqndjellje…, për ta sjell një  thënie të urtë nga librat e shenjtë  : “Nëse shkon pas Vulture*,   udhëhiqesh drejt vdekjes. ”

Mendoj , trajtimi i të vërtetës nuk është dilemë apo njëanshmëri  po bërthama universale.

—————————————————————————

* Vulture, Voltchër , Shpend i madh grabitqar që  ushqehet kryesisht me kafshë,  apo persona  që janë në prag të vdekjes , ose kërma . Jeton në juglindje të Amerikës , Uruguaj, Kili, Argjentina , Mexico  etj . Ka disa lloje Vulture  më i famshmi është , King vulture.

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, e verteta

E VERTETA MBI BESIM NDREGJONI

March 23, 2017 by dgreca

Nga Namir Lapardhaja/

Ka një problem me të vërtetën në Shqipëri. Sa herë që dikush hedh një akuzë, të vërtetë ose jo, del dikush tjetër që bën një kundërakuzë dhe, duke u krijuar një tymnajë, askush nuk e merr vesh se si qëndron e vërteta.Në këtë realitet, njerëzit e painformuar në përgjithësi, ndjekësi i thjeshtë  i portaleve, lexuesi i gazetave dhe dëgjuesi i lajmeve e ka të vështirë ta filtrojë të vërtetën, duke qenë se ai bombardohet nga mëngjesi në mbrëmje vetëm me informacione, shpeshherë të paverifikuara.

Një gjë e tillë bën që palët të qëndrojnë në llogoret respektive, hendeku të thellohet, ndërsa e drejta dhe e vërteta të mos merren vesh asnjëherë.

Në ditët e sotme, edhe pse ka kaluar një çerek shekulli nga rënia e komunizmit, një ndër akuzat më të përhapura është ajo e bashkëpunëtorit të ish-sigurimit të shtetit. Duke qenë se dosjet nuk u hapën kurrë, partitë poltike nuk ndërmorën asnjëherë një nismë serioze që ta sqaronte këtë problem përfundimisht, çdokush ka “të drejtë” të akuzojë tjetrin për spiun dhe bashkëpunëtor të ish-sigurimit famëkeq të shtetit.

Një gjë e tillë ndodh rëndom me shtresën e ish-të përndjekurve dhe ish-të persekutuarve, qoftë ndërmjet njëri-tjetrit, qoftë kur bëhen vegla të pushtetit, për të sulmuar bashkëvuajtësit e tyre të djeshëm.

Duke mos mbajtur të njëjtin qëndrim për xhelatët e djeshëm, viktimë të propogandës qeveritare të majtë më së shpeshti bëhen viktimat e sistemit diktatorial.

Një problemi të tillë i vjen në ndihmë edhe një opinion i gjerë publik, i cili, duke qenë në një krizë të thellë morale, nuk interesohet për të verifikuar dhe për t’i vajtur të drejtës dhe të vërtetës deri në fund.

Si shembull të këtij spekulimi me të vërtetën do të marrë rastin e Besim Ndregjonit, i cili shpeshherë ka qenë në qendër të këtyre akuzave.

Vala e kësaj propagande u ndez sërish pak ditë më parë, ku zoti Ndregjoni u gjend në krah të kreut të PD-së, Lulzim Basha, në një aktivitet në çadrën e Partisë Demokratike, e cila prej një muaji vazhdon protestën në bulevardin përpara kryeministrisë për zgjedhje të lira e të ndershme.

Portale të majtë nxituan ta akuzojnë dhe iu turrën Ndregjonit me një valë akuzash, të paqënda dhe të pavërtetuara, vetëm e vetëm për të bërë pis e për të hedhur baltë mbi të, por edhe mbi kauzën e Partisë Demokratike.

Besim Ndregjoni është aktivist i të drejtave dhe lirive të njeriut dhe President i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të të Burgosurve dhe ish-të Përndjekurve Politik të Shqipërisë.

Gjatë kohës së regjimi komunistë atij iu privuan e drejtat e arsimimit dhe e punësimit, duke u caktuar të punojë në punë të rënda dhe hapje tunelesh, ndërsa i ati i tij, Imeri, bëri 17 vite burg.

Sot ai duhet të përballet me akuza të paqena dhe të sqaruara më parë.

Filtrin e parë Ndregjoni e ka kaluar në vitin 1996, ku kandidoi për herë të parë nën siglën e partisë së Lëvizjes së Legalitetit.

Kështu, vendimi nr. 8, Tiranë, më 20.04.1996, i Komisionit Shtetëror për Kontrollin e Figurës së Zyrtarëve dhe Personavë të Tjerë nën kryesimin e Hajri Mezinit, thotë se “duke vepruar në zbatim të ligjit numër 8043, dt. 30.11.1995, në mbledhjen e tij të datës 20.04.1996, mbasi shqyrtoi dokumentet zyrtare që ju vunë në dispozicion vendosi që z. Besim Imer Ndregjoni NUK rezulton të ketë bërë pjesë në funksione të përfshira në Nenin 2 të ligjit.” (Shih vendimin bashkëlidhur shkrimit).

Neni 2 i ligjit Nr. 8043, dt. 30.11.1995, veç të tjerave, parashikon: “c) Të mos ketë punuar si oficer në Sigurimin e Shtetit (legal a ilegal), në repartet e ndjekjes dhe ato të ruajtjes së personaliteteve; ç) të mos ketë qenë i regjistruar në materialet e Sigurimit të Shtetit si bashkëpunëtor (informator, agjent, rezitent a strehues) ose të mos ketë bashkëpunuar në mënyrë të ndërgjegjshme me Sigurimin e Shtetit (të mos ketë qenë zotërues i një apartamenti të vënë në ­­—dispozicion të Sigurimit të Shtetit); d) të mos ketë qenë denoncues, dëshmitar i rremë ose rëndues në procese politike në dëm të të pandehurve; dh) të mos ketë punuar si oficer në strukturën e kampeve dhe burgjeve me të dënuar politikë.”

Në këtë kuptim, ajo që del qartë është fakti se strategjia e së majtës ka qenë kostante: të vendosim ekulibër në raportin me të keqen midis atyre që u persekutuan dhe persekutorëve. Nëse nuk ke qenë komunist, ke qenë bashkëpunëtor me pushtuesin, nëse nuk ke qenë sigurims, patjetër që ke qenë spiun. Kështu plotësohej mozaiku shqiptar me bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor. Fajtorët asnjëherë nuk i ndanë privilegjet e tyre me viktimat, pëkundrazi i burgosën, i torturuan, i vranë, i lanë pa familje, pa shkollë, pa të ardhme. Kur komunizmi ra, u predikua që barra e fajit të ndahej me të gjithë popullin dhe kështu ndodhi. Fajtorët u fshehën, nuk u ndëshkuan, faji u shpërnda. Pas ca kohësh fajtorët u bënë biznesmenë, deputetë , madje edhe ministra. Viktimat u mjaftuan vetëm me kënaqësinë se për herë të parë në jetën e tyre nuk u diskriminuan, por u bashkuan dhe u bënë solidarë në ndarjen e fajeve e krimeve të diktaturës: ne kemi plagët ju keni armët, ndaj jemi një edhe bashkëfajtorë edhe bashkëvuajtës.

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: e verteta, MBI BESIM NDREGJONI, Naimir Lapardhaja

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • At Zef Valentini, ndër emrat më të ndritur të albanologjisë dhe historiografisë shqiptare
  • QË DRITA E DITURISË PËRPARA TË NA SHPJERË…
  • Në 44 vjetorin e rënies se Tahir e Nebih Mehës
  • Çfarë përmban projektligji i madh i Trump? Triliona në ulje taksash, ndryshime në Medicaid…
  • Në Philadelphia u organizua panairi shqiptar
  • “Ukshin Hoti ishte filozofi i rezistencës”
  • 63 vjet Orkestra Simfonike e RTSH
  • Samiti i KPE në Tiranë – Liderët ndajnë vizionin për Europën, luftën në Ukrainë dhe integrimin në BE: “Së bashku në rendin e ri botëror”
  • “Le të ulërijmë”
  • SHËNIMI NDËRKOMBËTAR I 80 VJETORIT TË ÇLIRIMIT TË MAUTHAUSENIT
  • EVROPIANËT NË TIRANË: FESTË TË MADHE KA SOT SHQIPËRIA—HANI E PINI DHE RRËMBENI…
  • Anëtarë të Komitetit Shtetëror për Kultet në Shqipëri vizituan Vatrën
  • FEDERATA “VATRA” DHE GAZETA “DIELLI” PËRKUJTOJNË EDITORIN DALIP GRECA NË 3 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM
  • Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e Jasharajve në Prekaz
  • “Samiti Europës në 16 Maj, privilegj dhe sfidë serioze e Republikës së Shqipërisë”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT