Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Qeveria e Kosoves ne mbledhje/
-Pritet raporti final për përmbushjen e rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës-
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Janar 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvillon sot në mesditë mbledhjen e 70-të, të tretën në vitin 2016, pas dy mbledhjeve brenda ditës së 8 janarit.
Vitin e ri qeveria e Kosovës e nisi me vendimin për rritjen e pensioneve të kontributdhënësve nga 140 në 158 euro si bazë fillestare, në mbledhjen e parë ku kryeministri Mustafa kërkoi nga ministrat dinamizim të punës së qeverisë, sidomos në Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik, plotësimin e plotë të rekomandimeve të fundit që kanë mbetur lidhur me liberalizimin e vizave, në çështjen e zbatimit të Marrëveshjes me Bashkimin Evropian për Stabilizim Asociim, si dhe për përgatitjet e ligjit për pagat.
Në fillim të kësaj jave, kryeministri Mustafa ka mbledhur përfaqësuesit e institucioneve të ngarkuara për finalizimin e përmbushjes së rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Përfaqësuesit e institucioneve u dakorduan që deri në ditën e sotme, 15 janar, të përgatitet raporti final lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, që më pas rezultatet konkrete t’i raportohen institucioneve relevante të BE-së.
“Bashkimi Evropian nuk e ka më asnjë arsye politike që Kosovës mos t’i jap liberalizimin e vizave”, tha dje kryeministri Mustafa, në takim me kryetarët e komunave.
Në dinamikën e axhendës, po dje, pasdite kreu i qeverisë kosovare zhvilloi një takim tjetër për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare asetit më të rëndësishëm strategjik të Kosovës – Trepçës, ku u shpreh “i bindur se zgjidhja e këtij problemi do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike të Kosovës, përmes rritjes së eksporteve, përmes krijimit të një potenciali të zinxhirit prodhues, me vlerë të shtuar, të rritjes së punësimit dhe të rigjallërimit ekonomik të vendit”.
Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.