1 APOLOGJIA
Shtëpia e teatrit? Po, mor, ekziston, si jo. Askujt nuk i shkonte mendja se teatri mund të ishte edhe plaçkë lufte. Përndryshe do ta kishin paketuar me kujdesin më të madh si për ta ruajtur diku, ndoshta në ndonjë nga garazhet e vjetër të ushtrisë së re. E, duke qenë plaçkë lufte e lanë të gjente lirisht një strehë dhe ai i ndërroi tri shtëpi dhe pastaj mbeti në mes të rrugës. Kështu që e fjeti mendjen: do ta gjente një garazh çfarëdo, me hupulít, një dhuratë e mëkëmbësit të mbretititalian në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore, sido që të vinin punët. Edhe në këtë moshë të shtyrë përsëri do ta gjejë strehën. Kemi, fjala vjen Turbinën. Gjë e rrallë! Jo,s’është romantike, por bën siç i thonë, bën. Dhe të dukej se syri i bashkëfolësit tënd lëvizte syrin e djathtë, të madh e aq magjepsës, që s’të ndahej e të bënte për vete. Teatri i madh për një vend të vogël, duhet të jetë jo me shumë vende, por mjaft komod, dhe të tillë e bëjnë kullat,dëgjomë mua, ato do jenë qershia mbi tortë. Mrekulli të reja shqiptare! Po pse nuk e bëjnë këtëqë thonë andej nga bulevardi i ri? Bashkëfolësi im, edhe ai i dhënë pas teatrit si puna ime, po më shihte pak me të keq. Nuk ta hiqte atë sy aq ngacmues e të ëmbël, gati foshnjarak, por për femrat, e dija, ishte vërtet një tundim tronditës. Teatri, thoshte ai, do të na marrë më qafë. Shoh diçka të keqe. Unë nuk mbroj kullat, e di, por më vjen të pëlcas se si nuk kuptojnë që me atë sebep bëjmë të riun, me tri salla dhe me tre kate, nën hijet e kullave, sigurisht! Askujt nuk i shkonte ndërmend që ky të binte në dashuri me fjalët e tij dhe pa përmendur aktorët fare, merrej me anën e jashtme, të lodhur, jo ngashënjyese, trëndafilshkulur, siç shpreheshin aktoret më të vjetra, ngaqë s’hiqnin kurrë dorë nga thumbat. Ja, miku im, më thuaj një, një të vetëm, që t’i bëjë apologjinë teatrit. Se mos më thua për Mirush Kabashin, me që ka bërë Apologjinë e Sokratit! Se nuk është njëlloj apologjia e teatrit me Apologjinë e Sokratit! E di, vetëm emrin Sokrat të ndryshosh dhe në vend të tij të vendosësh teatërdo të shohësh, pa pritur e pa kujtuar do shtrohesh në një klinikë urgjence dhe s’të riparon dot kush, gjersa një ditë të heqësh shpirt! Mirëpo, ke parë ti? Atë ndërtesë të vjetër, natyrisht jo e vjetër sa bota, sikur e mbron një fuqi djallëzore, me gjithë rrapëllimat dhe shtërzimet e tokës që kanë qenë gati të mbysnin dynjanë! Ajo rri atje, kryeneçe. E mua më bëhet se po kalon Kadri Roshi dhe me dy khe-khesikur jep frymën e tij. Gremisu Kadri! Prapë me teatrin ti? Tani ka dalë ai, aktori i Vlorës dhe thotë gjëra të mëdha, ai, pra, Bujar Asqeriu? S’të vjen në mendje? Lëre më mirë, të rrufisim kafenë, të heqim athëtirën pushtetore, të zhdukim mpirjen sociale, jo prej ndonjë pakënaqësie, po gjithnjë nga dashuria. E kush nuk e do aktorin e madh Reshat Arbana, ai me zërin e tij të gjëmimtë është gati të tundë nga themelet tërë dynjanë! Se kjo puna e zërit është punë e madhe! Vetëm zëri bën çudira! E ku do vesh pa zë, të gjen si ai që e fik atë të shkretë zë në kulmin e thirrjes dhe njerëzit tremben se iu duket si një kedh. Le të jetë sado bukurosh e i krekosur, pa zë kthehet në zhelan. Aktorët, miku im që edhe në festa e në vdekje, shkojnë e vijnë me rrobat e punës, janë tjetër mall! E kështu të fikin derën! E pse? Sepse puna e tyre është Fjala! I pëlqente kjo gjë më fort se gjithçka, ndaj dhe del në protestë. Edhe unë do vij në protestë or mik! Të jem aty. Se edhe unë e dua teatrin si puna jote. Kemi qenë, ohu, denbabaden, me teatrin ne, kur të tjerët i binin maces me lugë! Një famë e bukur na rrinte pranë me një lloj zilie të trembur, se ai ishte gati të bënte që të gumëzhinin ëmbël nga fyti gjenial i të mëdhenjve një kushtrim lirie. Dhe kjo e bënte gjithë sheshin të ushtonte, duke qenë gati ta ngrinte zërin në kupë të qiellit për t’i dhënë frymë shoqërisë. E pse të mos shquhej një fije? Thirrje, përshtypje dhe bulevardi merr pamjen e një skene të jashtëzakonshme. Kanë ardhur zërat e fuqishëm. Le të jenë pak. Nesër vetvetiu bëhen shumë dhe si ai lumi që vjen janë gati të vënë përpara gjithçka sepse ky hall nuk është dot kurrë më i rëndë se fama…
Tiranë, më 12 korrik 2018