-Qeveria e Kosovës përshëndet publikimin e draft-raportit për matjen e territorit të shtetit/PRISHTINË, 21 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Qeveria e Republikës së Kosovës deklaroi se përshëndet publikimin e draft-raportit për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, të publikuar sot nga Komisioni gjithëpërfshirës i ekspertëve, i kryesuar nga akademik Hivzi Islami dhe i monitoruar nga përfaqësuesit e SHBA-së, BE-së dhe KFOR-it.
Qeveria e Kosovës ka mirëpritur konstatimin e Komisionit se Republika e Kosovës nuk ka humbur asnjë metër territor me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.Qeveria e Republikës së Kosovës respekton edhe mendimin ndryshe të disa anëtarëve të Komisionit, duke shpresuar se ky mendim reflekton vetëm këndvështrimin e institucionit që ata përfaqësojnë dhe fton të gjithë për një bashkëpunim të mëtejmë deri në përfundimin e plotë të punës së Komisionit.
Qeveria e Republikës së Kosovës fton edhe një herë të gjithë spektrin politik dhe qytetarët e interesuar që të bashkëpunojnë ngushtësisht me Komisionin deri në finalizimin e raportit për matjen e territorit të Republikës së Kosovës.Qeveria e Republikës së Kosovës vijon përkushtimin e saj që të punojë pareshtur në përmbylljen e procesit të demarkimit të kufirit me Malin e Zi, si kusht i vetëm i mbetur për t’i mundësuar qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë në vendet e BE-së, dhe fton të gjithë spektrin politik që t’i kontribuojnë arritjes së këtij synimi madhor për Kosovën dhe qytetarët e saj.
KONKLUDIMET
NGA DRAFT-RAPORTI I PUNËS SË KOMISIONIT PËR MATJEN E TERRITORIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Në mbështetje të të dhënave, argumenteve dhe gjetjeve profesionale, shkencore dhe menaxheriale që u ofruan nga institucionet pjesëmarrëse në procesin e matjes, si dhe debatit dhe verifikimit të mbulueshmërisë me dokumentacion administrativ e hartografik nga ekipi i specialistëve të fushave të ngushta në terren, pikërisht në segmentet dhe pikat e diskutueshme, Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës njofton se madhësia territoriale e Republikës së Kosovës para 25 gushtit 2015, përkatësisht nga vitet 1961-1981 është 10.887 km² dhe nga vitet 1982-2007 është 10.908 km².Mirëpo, në bazë të obligimeve ndërkombëtare që ka marrë shteti ynë, në radhë të parë me Planin e Ahtisaarit (Aneksi VIII) të 2 shkurtit 2007, me demarkacionin e kufirit në mes të Republikës Federative të Jugosllavisë (Serbia dhe Mali i Zi) dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë ka një ndryshim të vogël të sipërfaqes në zonat kadastrale të Debëlldesë (minus), Restelicës (minus) dhe Dimcës (plus), në kufi me Maqedoninë. Prandaj, MADHËSIA TERRITORIALE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS SOT ËSHTË 10. 905. 25 KM².
Pjesë e këtij Draft-raporti, si dhe Raportit përfundimtar të punës së Komisionit dhe të dokumentacionit (gjeoinformacioni, hartat e kadastrit të tokave, hartat topografike, skicat, të dhënat statistikore, planet zhvillimore e mjedisore, baza ligjore, faktet shkencore etj.), si dhe të gjetjeve profesionale, shkencore dhe menaxheriale të subjekteve pjesëmarrëse në proces, që lidhen me madhësinë territoriale të Kosovës dhe të njësive më të vogla territoriale-administrative, do të jenë disa anekse.
Prishtinë, 21. 02. 2017
PËR KOMISIONIN E EKSPERTËVE PËR MATJEN E TERRITORIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Akademik Hivzi ISLAMI, Kryetar