• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

UÇK-ja dhe «fondamentalizmi islamik»

August 12, 2017 by dgreca

Nga Bardhyl MAHAMUTI/

1-bardhyl_mahmuti_interviste

Mediet e kontrolluara nga pushteti politik i Beogradit aktualizuan temën e konstruktuar nga Shërbimi Sekret i Serbisë për gjoja lidhjen e personaliteteve më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me organizatat terroiriste islamike. Kësaj radhe në shënjestër të akuzave serbe ishte Daut Haradinaj. E shoh të arsyeshme ta botoj si shkrim të veçantë këtë temë, të cilën e kam trajtuar në librin tim, për të nxjerrur në shesh domosdoshmërinë e zhveshjes së kësaj propagande politike dhe mediatike që fatkeqësisht mund të ketë ndikim te njerëzit që nuk e dinë se çka ka ndodhur në Kosovë para dy dekadash.

Lus mediet që e shohin të rëndësishme zhveshjen e kësaj propagande me fakte të pakontestueshme ta publikojnë këtë shkrim.

* * *

Misionet diplomatike të Jugosllavisë kishin shpërndarë në të gjitha vendet me peshë në skenën politike ndërkombëtare mate­rialin e përgatitur nga shërbimet sekrete të Serbisë, nëpërmjet të cilit “informonin” se “më tepër se 1000 mercenarë të huaj nga Shqi­përia, Arabia Saudite, nga Jemeni, nga Afganistani, nga Bosnja e Hercegovina dhe nga Kroacia ishin të angazhuar në radhët UÇK-së.” (“Vlada Srbije: Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovu i Metohiji”, Beograd, shtator 2003; botimi në versionin serb f.9, në versionin në gjuhën frënge, f.207 dhe në versionin në gjuhën angleze, f.199)

Për ta “shitur” më lehtë stigmatizimin e luftës çlirimtare të Kosovës si të ishte një luftë fetare, autorët e “librave të bardhë” shpërndanë gënjeshtrën se gjoja “në Konferencën e 18-të Islamike, të mbajtur në Pakistan në vitin 1998, separatizmi shqiptar në Kosovë ishte cilësuar si “xhihad” dhe të gjitha vendet myslimane ishin ftuar për çlirimin e territoreve të pushtuara myslimane! (…) Në përputhje me këtë thirrje një numër islamikësh fanatikë nga Afganistani, Algjeria, Egjipti, Çeçenia, Irani dhe nga vende të tjera iu përgjigjën thirrjes dhe u përfshinë në shtabet e njësive komanduese të UÇK-së në Kosovë si instruktorë për stërvitje speciale ushtarake të disa formacioneve të UÇK-së.” (Vepra e cituar më lartë, botimi në versionin serb f. 41, botimi në versionin në gjuhën angleze f. 36)

Përmes kësaj gënjeshtre synohej të manipulohej ajo kategori e njerëzve që kishin frikë nga fondamentalizmi islamik dhe nuk kishin njohuri për zhvillimet reale. Në të njëjtën kohë, kjo gënjeshtër u shërbente politikanëve të llojit të Jean-Marie Le Pen-it që “frikësonin” evropianët me rrezikun që u kanosej të islami­zoheshin nga Kosova e pavarur, apo gazetarëve dhe publicistëve që kërkonin të stigmatizonin mbështetjen që i jepej luftës çlirimtare të Kosovës sikur të ishte luftë me konotacion fetar.

Të vetëdijshëm se realiteti ishte krejtësisht ndryshe, sajuesit e kësaj gënjeshtre shpresonin se informatat nuk do të verifi­koheshin. Të gjithë atyre që u ka interesuar e vërteta për pohime të tilla, kanë pasur mundësi të vërtetojnë se Konferenca e 18 Islamike nuk u mbajt në Pakistan, siç pretendohej në këtë «Libër të Bardhë», por në Arabinë Saudite dhe në datat 13-16 mars 1989 [La dix-huitième conférence islamique des ministres des affaires étrangères Riyadh, Royaume Diarabie Saoudite, 6 au 9 Cha’abane 1409-H, (13-16 mars 1989) http://www.oic-oci.org/french/conf/fm/18/18%20icfm-main.htm]. Pra, dhjetë vjet para Luftës së Kosovës! Madje, jo vetëm lufta e Kosovës që nuk ka mundur të përmendet dhjetë vjet para se të fillojë por, në këtë Konferencë Kosova nuk është përmendur fare.

Sa i përket Pakistanit, në këtë shtet është mbajtur Kon­fe­renca e 21-të Islamike nga 25-29 prilli 1993. [La vingt-et unième conférence islamique des ministres des affaires étrangères (Session de l’unité et de la coopération islamiques pour la paix, la justice et le progrès Karachi, République islamique du Pakistan 4-8 Zul-Oaada 1413 ( 25-29 avril 1993)].

Pra, edhe Konferenca islamike në Pakistan është mbajtur para shpërthimit të luftës në Kosovë dhe rrjedhimisht nuk kishte mundësi që të kualifikohej si “xhihad” një luftë që ende nuk kishte filluar. Gjatë Konferencës islamike të mbajtur në Pakistan në vitin 1993, në kuadër të rezolutës 7/21-P, kushtuar situatës në Bosnje e Hercegovinë, në pikën 28 të saj, përmendet edhe Kosova. Përmes kësaj rezolute “kërkohej nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes, tani më të tendosur, në Kosovë, në Vojvodinë, në Sanxhak dhe në Repu­blikën e Maqedonisë.” (Rapport et résolution sur les affaires politiques, les minorités musulmanes, les questions juridiques, et de l’information adoptés par la vingt-et unième conférence islamique des ministres des affaires étrangères. Shih : http://www.oic-oci.org/french/conf/fm/21/21%20icfm-political-fr.htm )

Siç shihet qartazi, qëndrimet e shprehura në këtë rezolutë nuk dallojnë aspak nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit i OKB-së. Përkundrazi, janë më pak të ashpra se qëndrimet e shprehura përmes rezolutave të Këshillit të Sigurimit.

Ndërsa në vitin 1998, në kohën kur zhvillohej lufta në Kosovë, Konferenca Islamike mbajti mbledhjen e radhës në Katar. Gjatë sesionit të 25 të kësaj organizate u miratua rezoluta 19/25-P që kishte të bënte me situatën në Kosovë (Session Du Conseil Des Ministres Des Affaires Etrangères des Etats membres de l’OCI, 15-17 mars 1998. Shih :http://www.oic-oci.org/french/conf/fm/25/Resolutions25-P.htm#19).

Kjo rezolutë nuk përmbante asnjë cilësim të luftës së Kosovës si “xhihad” apo “thirrje drejtuar vendeve myslimane për çlirimin e territoreve të pushtuara myslimane”, siç gënjente propaganda serbe.

Propaganda për gjoja lidhjet e UÇK-së me ideologjinë e ekstremizmit fetar islam dhe për gjoja “instruktorë të fonda­mentalizmit islamik, që stërvitnin ushtarët e UÇK-së”, nuk gjeti mbështetje të gjerë, siç kishin shpresuar udhëheqësit e pro­pagandës së regjimit të Beogradit. Përveç disa artikujve në gazeta, të cituara në librin tim, ku shihej ndikimi i kësaj propagande, përpjekjet për të paraqitur UÇK-në si “organizatë terroriste me pikëpamje fondamentaliste islamike” kishin dështuar. Zhgënjimin e autori­teteve serbe për këtë dështim e shprehu publikisht ministri i Informacionit të Republikës së Serbisë, Goran Matić-i. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Međunarodna politika” ai deklaroi se “është e pabesueshme se si fondamentalistët islamikë cilësohen si terroristë vetëm kur vrasin amerikanë. Ndërsa, kur vrasin qytetarë të pafajshëm të Jugo­sllavisë ata cilësohen si luftëtarë të drejtësisë.” (Radio Jugoslavija, «Double standard?», 29.08.1998. Shih :http://www.srpska-mreza.com/Kosovo/atrocities/Klecka-2.html).

Dështimi i propagandës për “instruktorë fondamentalistë islamikë që stërvitnin ushtarët e UÇK-së” dhe sidomos qëndrimet e institucioneve ndërkombëtare kundër dhunës së forcave të armatosura policore dhe ushtarake serbe e tërbuan pushtetin e Beogradit.

Ky tërbim mori përmasat e një histerie, veçanërisht pas denoncimit që William Walker-i i bëri vrasjes së civilëve shqiptarë në fshatin Reçak. Kualifikimi i Walker-it se ajo që kishte ndodhur në këtë fshat “ishte krim kundër njerëzimit” dhe se “ata që kishin dhënë urdhër për këtë krim duhej të jepnin llogari para drejtësisë” bëri që “instruktorët e fondamentalizmit islamik që stërvitnin ushtarët e UÇK-së” të harroheshin përkohësisht nga propaganda e Beogradit. Ata u “zëvendësuan” me “instruktorë ose specialistë me mbiemra amerikanë ose anglezë që kishin ardhur të stërvitnin ushtarët e UÇK-së…”. Sipas qëndrimit të ri propagandistik të regjimit serb, “ekspertët që stërvitnin ushtarët e UÇK-së kanë mundur të jenë instruktorë të Walker-it ose mercenarë të shërbi­meve dhe të organizatave të tjera anglo-amerikane.” (Večernje novosti, artikulli i cituar, «SLUČAJ RAČAK PET GODINA POSLE …».  shih:

http://www.novosti.rs/vesti/naslovna/aktuelno.69.html:154641-SLU268AJ-RA268AK-PET-GODINA-POSLE-INSCENIRANOG-MASAKRA–Laz-u-sluzbi-tomahavka—4

Në Kapitullin e tretë të librit tim është trajtuar hollësisht manipulimi me gjoja “zbulimin e listës së 126 terroristëve” të brigadës që kishte Shtabi i UÇK-së në Reçak).

Ata që kanë lexuar librin tim u kujtohet zhurma që bënë patologët e ekipit mjekoligjor serb për gjoja “zbulimin” se “tri kufomat e paidenti­fikuara në Reçak kishin shenja në trupat e tyre që dëshmonin se nuk kanë qenë myslimanë ose pjesëtarë të popujve që bëhen synet pas lindjes.” (RTV Serbisë, dokumentari « Kosovo : Račak Laži i istine ». Shih:  https://www.youtube.com/watch?v=eS7scYW6el4).

E tërë puna e “synetit” sillej rreth strategjisë që “komploti antiserb” t’u atribuohej “shërbimeve të huaja sekrete” të shteteve perëndimore.

Krahas stigmatizimit të shërbimeve sekrete amerikane dhe britanike, si të implikuar në “përgatitjen e terroristëve shqiptarë”, nuk mungojnë autorët që implikojnë edhe shërbimin sekret francez [Pierre Péan, Kosovo: une guerre “juste” pour un Etat mafieux, (Një luftë e “drejtë” për një shtet mafioz)f.121-141] dhe atë gjerman [Réseau Voltaire, «L’UÇK, une armée kosovare sous encadrement allemand» (UÇK-ja – Ushtria kosovare nën drejtimin gjerman) http://www.voltairenet.org/article615.html ] në lidhjet me UÇK-në.Për ta kompletuar akuzën se gjoja “komploti kundër Serbisë vjen nga jashtë”, shteti serb denoncoi edhe “tolerancën” e shteteve të demokracive perëndimore në raport me “terroristët shqiptarë”. Këto akuza u drejtuan në veçanti kundër “tolerancës” së auto­ri­te­teve gjermane dhe zvicerane. Sipas «Librit të bardhë» “autoritetet gjermane ia kishin lënë UÇK-së kazermat e braktisura të NATO-s (në Hanover, në Nüremberg, në Bon dhe në Frankfurt) dhe qindra kampe të azilkërkuesve, ndërsa autoritetet e Zvicrës, i paskëshin lejuar “kampet paramilitare private, sallat e gjuajtjes me armë dhe klubet e sporteve luftarake për nevojat e UÇK-së.” (Libri i cituar “Vlada Srbije: Albanski terorizam …” botimi në gjuhën frënge f. 209, botimi në gjuhën angleze f.204, ndërsa versioni elektronik në gjuhën serbe, f.9).

Me një fjalë, sipas propagandës serbe, shumë shtete perëndimore ishin mobilizuar në komplotin kundër Serbisë!Përkundër asaj se pas krimeve në fshatin Reçak “instruktorët anglo-­amerikanë” dolën në rrafshin e parë propagandistik të re­gji­mit të Milosheviqit, ndërrimi i “instruktorëve islamikë fonda­men­talistë” me “instruktorët anglo-amerikanë” nuk e hoqi tërësisht propagandën serbe që synonte përafrimin e UÇK-së me grupet terroriste islamike. Në të gjitha ribotimet e mëvonshme të “librave të bardhë” ky stigmatizim mundohet të mbahet gjallë duke u ilustruar me “argumente të reja”.

Duke shpresuar se konteksti i ri ndërkombëtar, i krijuar pas atentateve të 11 shtatorit 2001, ishte i favorshëm për të shpërndarë propagandën e moçme të “lidhjeve” të UÇK-së me ideologjinë “fondamentaliste islamike”, propaganda e pushtetit të “ri” të Beogradit aktivizoi arsenalin e vjetër propagandistik. Në botimin e vitit 2003 të “Librit të bardhë” u përsërit deklarata e Milosheviqit në fjalën hyrëse të procesin gjyqësor kundër tij se gjoja “në vitin 1995 Osama Bin Laden-i kishte qëndruar në Shqipëri, si mysafir i presidentit të atëhershëm, Sali Berishës.” (Fondi për të Drejtën Humanitare, Beograd, Serbi, Procesi kundër Slobodan Milosheviqit, Traskriptet e seancave:

Fjala hyrëse e të akuzuarit Slobodan Milosheviqit, 15 shkurt 2002).

Shërbimet sekrete serbe shpërndanë “informatën” se gjoja “në atë kohë janë formuar bazat për mbështetje logjistike dhe për përkrahje financiare të organizatës Al Kaeda dhe celulat e saj në Kosovë dhe në Metohi.” (Libri i cituar “Vlada Srbije: Albanski terorizam …” f.40). Sipas kësaj propagande, përveç Bin Ladenit “në atë takim kanë qenë të pranishëm edhe Muhamet Al-Zawahiri, vëllai i ideologut të Al Kaedas, Ajman Al-Zawahiri-t, ndërsa nga pala shqiptare, përpos presidentit Berisha, të prani­shëm ishin edhe Bashkim Gazideda, ish-shef i policisë sekrete të Shqipërisë, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj…” (Po aty)

Shpërndarja e kësaj dezinformate synonte pezmatimin e opinionit publik perëndimor e në veçanti opinionin amerikan që kishte mbështetur luftën kundër regjimit të Milošević-it. Gënjeshtra se Osama Bin Laden-i kishte qëndruar në Kosovë dhe se gjoja kishte krijuar bazat e Al Kaedas në këtë pjesë të Evropës ishte gënjeshtra më skandaloze që trilloi Shërbimi Sekret Serb. Fatkeqësisht, edhe pse shumica e autorëve që e përmendin këtë “informatë” theksojnë se është “e pabesueshme që Bin Laden-i të ketë qëndruar në Shqipëri” (shoh referencat në librin tim), kjo “informatë” gjeti një vend të konsiderueshëm në mediat dhe në veprat e autorëve të ndryshëm perëndimorë. Dhe si e tillë, ajo paraqet një mundësi për vazhdimin e manipulimeve me lexuesit e painformuar.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Bardhyl Mahmuti, Terrorizmi Islamik, uck

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT