METEOROLOGËT THANË DIELL/
-Poetit Azem Shkreli-/
Prapë po dal Lugut të Zanave/
Të pi ujë krojeve rugovisht/
Të shoh cilat vasha janë bërë zana/
Dhe cilat ende presin rikthimin e jetës./
Azem nëse sot erdha të varri yt/
Nuk ika ta lë të vetmuar qytetin tonë/
Desha të protestoj pse askush nuk e vret frikën/
Qyqarët nuk zgjedhin emra të vrasin./
Nuk vdes burri çdo ditë e çdo vjet
Fjalës ia kemi borxh jetën e jo vdekjen
Me fal Azem pse nuk kam kohë të rri me ty
Bie shin në këtë ditë kur meteorologet thanë diell.
IM ZOT
Im Zot
Një jetë e bëra pa ty betejave
Cili më je sot.
Përmes cilës jetë më erdhe
Kur i duheshe lirisë si çlirimtar
U zhduke nga toka ime pa faqe të bardhë.
Tani çfarë më duhesh nëse veç u riktheve
As nuk më njeh nga fytyra ime e vrarë
Për varr mos më pyet sepse askush nuk ma di
A jetohet dhe a vdiset me kafka të huja në këtë shekull.
Kam mendue që vetëm sot vdiqet për atdheun
Unë paskna vdekur që një mijë vite jete
Dritë dhe diellin ka pesë shekuj që nuk di gjë për ta
Unë po jetoj për të vdekur apo po vdes për të jetuar.
Im Zot edhe unë e ti kemi qenë shumë më afër të vërtetës
Të dytë kemi jetue në një tokë të ndarë padrejtsisht
Unë vdisja për secilën betejë që e fitonim me ty
Ndërsa ti zhdukeshe edhe nga faqja e dheut e lëre më nga toka e jonë.
Çudi për njëqind masakrat e që shpirtrat e tyre iu rrëfyen yllit të Davidit
Unë mbeta duke shikue se si bëhen orë e çast vrasjet e demonëve
Dhe orët e liga janë rikthyer sebashku për t῾i numëruar varret pa emër
Jeto toka ime edhe pse sot kishte rënë shi që as Drini i bardhë nuk e mbajti.
ASGJË NGA ZOTNAT
Nëse një ditë rikthejnë zotnat
Tek unë dua të jetë dolli e gotës se kalorësit
Të lënë në gjysmë nga dashuritë e humbura
Hamletiane.
Errësirat më kalitën të di se cili jam
Kurrë nuk ju rrëfeva lirisë as ferrit
Isha dhe mbeta i njëjti kryeneq i krisur
Zbrita dhe u ngrita me emrin tim të harruar.
E harruam kur ishim të vetmit luftëtarë të lirisë
Dhe më të burgosurit e jetës dhe ndërgjegjes
Nën dhe mbi plumbat e armiqve e mbytnim frikën
Ku ndërroheshin vetëm emrat e patronëve të ferrit.
Ishim më shqiptarë se vetë toka e dielli
Bashkë me detin që përmbyste Titnikun e dhembjeve
Kështu të lodhur sa herë bënim kryq për tokën
Dhe kurrë nuk e kërkonim vrasësin e dritës.
Por, në liri e kam mendue të më qujnë Marie e Shotë
Jetën e vdekjen edhepse i kisha më vete
Kurrë nuk i kam takue të vrara nga betejat
Sot,përpos lutjeve të rri me engjëjt asgje mos më pyetni.
E VRARË
Eh,toka ime sa herë u bëra i krisur
Edhe njëqind herë nëse do vdisja
Varrin e kam pasur të dashur për atdheun
Pa asnjë çmim të jetës e di që do ma ruani.
Tani luftën time për tokën dikush e vrau
Një mijë herë edhe mua më vranë
Vetëm me plagët e kalorësit tim jetoj
Nganjëherë besoj se unë jam Promethe.
Sa herë i ujiti trëndafilat e kopshti tim
Ulëm dhe ju marrë erë dhe i pyes
Cili jemi më të vrarë në shpirt dhe në jetë
Por nuk do të vdesim as unë as ti trëndafil.
Unë i fala atdheut eshtrat dhe s῾di ku i kam
Ti trëndafil më qëndrove besnik me aromën e jetës
Të dytë jemi e vërteta dhe lutja e popullit tim
Në shpirtin e vrarë do e shkruajmë lirinë e qindra sokolave.
Një mijë vjet i paska jeta ime
Dhe nuk e dija për tokën
Që s῾ka një vend për mua
Ku të lutëm dhe të luftoj për ty.
FUQI PROMETHEU
Cila fjalë më ndalon
Ta shikoj jetën me sy atdheu
Me cilën gjuhë ngjaj në perëndi
Nga hyëj Promethe dua fuqi.
Deri kur lufta s´ka mbarim
Deri kur fjala s´ka tradhëtim
Deri kur trupin as varri s´ma njohu
Atdhe kurrë mos më thuaj ,ti largohu.
Sot lirinë e kam lënë trashëgim
Për të gjallët hyjneshës dhe Sokolit tim
Këta janë Gjergji dhe Marije Shllaku
Këmbëkryq sa mirë më rrinë krye oxhaku.
Ag
Ag e terr
I mbeta tokës besnik
Deri në frymën e fundit
Kur zjarrët ndizen vetë.
Ia lava sytë pranverës
Toka u bë loti im
Deri sa nuk di kush jam unë
Dielli ngjanë në fuqinë e zanave.
Relikt i shpatës se Gjergjit u shndërrova
Ka njëmijë vjet që u martova me motrën e atdheut
Të mos mbetët e vejë liria
Nuk e di kur do përfundon dasma e jonë.
Ag e terr
Mbetëmi kalorësit e Itakës sonë
Diellit ia laj borxhin
Dhe i lutem të më mbështjell
Kuq e zi.
Mua dhe varrin tim
Të ma bekoj me flamur.
TRISHTIM
Mos më thenqin
I çmendur
Kur mes thonjësh
Ç´mallkim hyri.
Eh,si më zu trishtimi.
Më nuk i besoj fjalës
Nëse nuk më rrri betejave
Të besës se dhënë
Vetëm për fitore.
Njeri duhet të vdes
Për lirinë
Ju vdisni.
Sot, dua të vdes unë
Vetëm për atdheun.
Lirinë merreni ju
Të gjallët pa liri.
Më mirë me rrënjet e mia
Po rri
Ku gjysh e stërgjysh
I kam
Me faqe të bardhë.
Ah,ndoshta vetëm në varr
Jam shqiptar.
PRAPË PROMETHE
Ecim
Ngritëm
Lartësitë s´kanë fund
As fillim.
Cila është jeta
Kur ecim
Pa këmbë të saj
Në tokë.
Në lapidare
Ngritëm
Me Diellin.
Ah,si paskanë ikur
Njerëzit
Tok po vdes
Nga vetmia.
Në udhëkryqe të jetës
E vura zemrën e vendlindjes
Të marrë frymë heroi
Të di orjentimin e betejave.
Vallë,a kam pasur ndonjëherë fitore
Të betejave për lirinë.
Apo vetëm një grusht dheu
Për varr.
Sot dikush ma humbi lirinë
Pse e barta tërë jetën
Plisin e babait.
Ah,asgjë nga fjala e shejtë
Prapë mbetëm udhëkryq.
Ndoshta lutja ime
Bëhet shërim plagësh
Të kem vetëm atdhe
A të ngritëm në Promethe.
S´DORËZOHEM
Nuk vras
Si më kanë vrarë
Këngët nepër legjenda
Mua më ngjajnë.
Nuk të dorëzoj
Oj tokë
Pasha nënë lokën
Pasha tokë e qiell.
Turp më vjen
Nga disa perandorë
Të rrejshëm.
Sa herë ma shkërdhyen
Atdheun
Me tokën e Zotit
Bëjnë tregti.
Herë e shesin
Më shumë e vrasin
E ndërrojnë me fytyra
Djajësh.
Atdhe nuk të dorëzoj
Të asnjë demonë
Edhe njëqind herë
Nëse vdes për ty.
ETIKË
Nëse nuk flet fare
Është etikë
Po fole
E mbyte veten
Pa të mbytur të tjerët.
Dhe po hype shkallëve të Diellit
Si unë dje me poetin Fran Tanushi
Është etikë.
Mbrëmë ishim në një pikë
Në një shkëmb të Gjergjit në Mirëditë
Kur Dielli ia fal rrezet pranverës
Edhe aty është etikë.
TË JETON POEZIA
Koha e poezisë deri ku shkon
Ka fund perëndimi i vrasjeve të saj
Dhe koha e njeriut që e krijon artin.
Heminguej nuk zhduket nga faqja e jetës
Jetojmë me kujtimet për Lasgushin e Serëmben
Dritë paqin hyjnitë dhe miqt e mij.
Mos e harrofsha as unë fjalën shqipe
T´i ruajmë miqt nga vrasësit e ferrit
Për të bukurën e ndezën botën.
Njeri sot a nesër duhet të vdes
Koha e poezisë apo unë
Më mirë vdekësha unë
Le të jetoj poezia.
GJUHA E SATANIT
(Paradox një njeriut gjysmë bishë)
Asnjëri nuk më njeh për gjuhën time
Nëse kam fotografi demonësh
Në njeri më sepaku ngjajë
Sikur nuk jam nga kjo tokë engjëjsh.
Dje isha më perandorë se vetë ata
Sot nuk ma zë goja se çfarë jam
Shetiti anë e mbanë faqes se dheut
Të gjithë më mendojnë se jam njeri.
Vetëm Zoti e di se kush jam unë
Dhe nëna kur më lindi dhe më rriti
Sot asgjë nuk bëhet nëse nuk vras
Mbas shpine kështu ma do fytyra ime.
A duron ma toka nga e shkel këmba ime
Sytë si më ngjajnë në krokodila
Ah,në këtë farë të këtij fisi jam shndërrue
Vetëm me Të Bukurën e Detit rri.
Nuk ka faj ky njeri për faqen e zezë të tij
Unë u bëra më bishë se bisha kur e ngritëm gotën bashkë
Ja tani bota sillet nepër bulevardet më kryeneqe të Satanit
Dhe heshtjes sime që s´kam më as fuqi të iku nga kjo farë e keqe.
TRËNDAFIL OSE ATDHE MBI VALËDETI
Valët e deti a të ujitin kur aty je tretur
Çdo mbrëmje kur dalin sebashku me yjet
Me mall lotësh të tokës se etur.
Për ty trëndafil dua të rri në pritje të lirisë
Nëse zotat kanë ngritur për ne gotën e dashurisë
Përgjithmonë fatin e ndaj me ëndrrën e lirë
Të tretur ku të dyve emrin dhe fatin na kishin marr
Pa kthim.
Sikur edhe fatëkeqësinë e ndamë njëjtë
Vetëm aromën e hyjnive e falim pa mbarim.
Buzëqeshjet i ruajmë nëse kemi beteja për lirinë
Me bajlozët e di serish do t´i kryqëzojmë shpatat.
Mos ke frikë nga deti Trëndafili im
Të gjitha hijet e zeza në natën e shejtë u vetëvranë.
Ti do të rilindësh persëri për hirë të gjuhës se Zotit
T´i bashkohesh tokës se shejtë dhe flamurit tënd kuq e zi
Betejat e shekujve na e lanë kujtim secilit brez shqipesh.
Sonte marr frymë nga fryma e jote trëndafil
Sepse i duhesh tokës dhe kohës sime
Ku ende nuk më janë varrosur eshtrat
Kur të ktheva serish në liri.
Tani të lirë trëndafil e ke rrugën për tek unë
Fjalën time do ta ruaj nga demonët dhe perandoritë e tyre
Prapë jam në luftë me perandorët që ma vranë atdheun .
Udhës se Kombit po i mbjellim lulet më të bukura të jetës
Për Trëndafilat e lirisë ndoshta një ditë bota e thot të vërtetën
Dhe në Natën e Zjarreve të Prekazit festojmë jasharisht
Me aromën e luftëtarëve të flamurit tim.
FRYMA E FUNDIT
Për mua dhe fisin tim
Kënga dhe lufta
Janë i njëjti udhëtim
Për ta mbajtur besën
Të gjallë.
Dielli
Më është fryma e fundit
Që ma mbanë në jetë
Fjalën e shejtë.
Zotnat
Nëse janë të fundit
Kur më goditën
Në emër.
Pse mbrojta
Fjalën
Dhe tokën
E grabitu
Fillimin
Dhe fundin e jetës
E lidha për ashtin
E tokës.
Frikën
Ia mbyta vetes
Deri sa këndoja
Betejave.