-Festohet Bajrami, mesazhe kundër çdo ekstremizmi dhe terrorizmi në emër të fesë/
Nga: Behlul Jashari/ PRISHTINË, 17 Korrik 2015/- Në Kosovë festohet Bajrami i Madh, drejtuesit institucionalë e politikë të shtetit më të ri evropian në mesazhet e tyre kanë uruar paqe, solidaritet dhe mirëkuptim me njëri-tjetrin, duke theksuar vlerat e tolerancës ndërfetare dhe ndërkulturore.
“Të punojmë çdo ditë, me shumë përkushtim, për ndërtimin e të ardhmes më të mirë për vendin tonë, si pjesë e familjes së madhe evropiane, duke kultivuar me shumë respekt traditën e tolerancës ndërfetare dhe ndërkulturore si vlerat me të çmuara të shoqërisë sonë”, theksohet në Kosovë, në mesazhet e urimit në festën e Bajramit të Madh.
BASHKË PËR VLERAT NË INTERES TË NJERËZIMIT DHE PAQES
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e Fitër – Bajramit, vizitoi sot Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u prit nga myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.
Duke uruar myftiun Tërnava dhe të gjithë besimtarët myslimanë të Kosovës, kryeministri Mustafa, theksoi se Festa e Bajramit është një ditë e cila i bashkon të gjithë besimtarët dhe përkujton se duhet të zhvillohet solidariteti, toleranca e të punohet bashkërisht për të mirën e njerëzimit.
“Ne erdhëm sot të vizitojmë Bashkësinë Islame, t’i urojmë myftiut dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij, por edhe të gjithë besimtarëve islamë Ditën e Bajramit. Një ditë që është shumë e rëndësishme për ne të gjithë, sepse është një ditë e cila na bashkon edhe në familje, na bashkon edhe me miqtë, na bashkon edhe me të gjithë të tjerët që nuk kemi mundësi që t’i shohim dhe t’i vizitojmë shpesh, por edhe na përkujton me faktin se ne duhet të zhvillojmë solidaritetin, duhet të zhvillojmë tolerancën, duhet të punojmë bashkërisht për të mirën e njerëzimit”, tha kryeministri Mustafa.
Duke vlerësuar punën që Bashkësia Islame po bën në edukimin e popullatës dhe në aktivitetin e përditshëm për të zhvilluar paqen e mirëkuptimin, jo vetëm në Kosovë por në tërë botën, kryeministri kosovar Mustafa theksoi përkushtimin që të punohet bashkërisht për thellimin e këtyre vlera dhe që të punohet në interes të njerëzimit dhe në interes të paqes.
Gjatë vizitës në Bashkësinë Islame të Kosovës, bashkë me kryeministrin Isa Mustafa, ishin edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti.
OBLIGIM I SHENJTË TA RUAJMË VATANIN TONË SI SYTË E BALLIT, E KEMI AMANET ATDHETAR E FETAR
Mesazhi i Bashkësisë Islame të Kosovës kundër çdo ekstremizmi dhe terrorizmi në emër të fesë është shprehur edhe sot në festën e Fitër Bajramit, për të cilën u janë drejtuar urime të gjithë shqiptarëve kudo që janë, besimtarëve myslimanë.
Në faljen në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava u shpreh se, “nuk ka asgjë më me rëndësi në një shoqëri sesa përkushtimi i të gjithëve për siguri, paqe, harmoni, mirëbesim, respekt e nderim ndaj njëri-tjetrit”.
“Duhet të tregohemi shumë syçelë ndaj asaj që po ndodhë sot nëpër disa shtete nëpër botë, si luftë, terror e vrasje, në mënyrë që kjo të mos reflektohet edhe në vendin tonë”, vijoi ai.
“E kemi obligim të shenjtë ta ruajmë vatanin tonë si sytë e ballit, ngase këte e kemi amanet atdhetar e fetar. Nuk guxojmë me asnjë çmim të lejojmë që dikush t’i bëj keq vendit tonë, duke futur pasiguri, mosbesim e vëllavrasje mes nesh”, theksoi myftiu i Kosovës.
“Nga ky vend i bekuar, me tërë fuqinë e zemrës, shpirtit dhe të fjalëve tona, rikonfirmojmë edhe një herë përkushtimin e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dhe të besimtarëve myslimanë se jemi kundër çdo ekstremizmi të çfarëdo ngjyrimi fetar qoftë dhe kundër terrorizmit në emër të fesë”, tha kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Tërnava.
“Vetëm të bashkuar e unikë në qëllimet tona për mbrojtjen e atdheut tonë do të pengojmë me kohë çdo përpjekje për destabilizimin e shoqërisë sonë nga kushdoqoftë. Siguria, mirëqenja dhe interesi i vatanit do të jetë mbi interesat tona, se përndryshe nuk e kemi kryer amanetin e marrë nga i madhi Zot”, tha myftiu i Kosovës, Tërnava.
Ai u lut “për një Kosovë të sigurt, që Zoti ta ruajë prej kriminelëve, terroristëve dhe prej të gjithë atyre që dëshirojnë t’u bëjnë keq trojeve etnike shqiptare”.
Në Xhaminë e Madhe në Prishtinë manifestimi qendror për festën e Fitër Bajramit për Republikën e Kosovës filloi herët në mëngjes me faljen e namazit të sabahut.
Faljes së namazit të Fitër Bajramit i priu kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora.
Hytben e Fitrër Bajramit e mbajti myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili edhe iu drejtua opinionit me mesazhin e festës.
Me rastin e festës së Fitër – Bajramit, sot gjatë paraditësa organizohet edhe pritja tradicionale e përurimit në selinë e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, në Prishtinë.