Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi /Ish presidenti dhe kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, në pranverën e vitit 1999 i deklaronte një gazete gjermane se “Serbia është në trenin e gabuar dhe Mali i Zi nuk mund të udhëtojë në të njëjtin tren të saj”. Për këtë arësye ai e orientoi vendin e tij drejt një treni tjetër, në atë të integrimeve euro-atlantike, duke e shkëputur Malin e Zi nga trashëgimia nacionaliste e shoviniste e Beogradit. Dje Serbia dëshmoi që jo vetëm simbolikisht qëndron në trenin e gabuar. Ajo përdori një tren real të prodhuar në Rusi në funksion të qëllimeve të saj nacionaliste e shooviniste. Ky tren u nis nga stacioni hekurudhor kryesor i Beogradit dhe mbërriti deri në Rashkë. Ai ishte i mbështjellë me parulla nacionaliste të kohëve të errëta të shtetit serb dhe pëeshkoi linjat e hekurudhës nga kryeqendra e e Serbisë së sotme për të nbërritur aty ku, sipas akademikut britanik, Noel Malcolm, kishte lindur shteti i parë i Serbisë, aso kohe i quajtur shteti ose principata e Rashkës. Rashka ishte në mesjetë kryeqyteti i principatës së Serbisë, nuk ishte as Prizreni, as Shkupi. Këto qytete u pushtuan nga perandori serb i shekullit XIV, Stefan Dushan dhe u shpallën si kryeqytete të Preandorisë 22 vjeçare të Serbisë. Pra treni i Beogradit u shndërrua në një farë mënyre si rezultat i reagimit të shtetit të Kosovës dhe KFOR-it e NATO-s në symbol të kufijve realë të shtetit të Serbisë, çka do të thotë se Beogradi nuk mund të “shtrijë këmbët përtej jorganiit të vet”. Rashka mbeti, ashtu si në mesjetë, kufiri i fundit i Serbisë në raport me territoret shqiptare dhe kështu do të duhet të ishte që prej vitit 1912-1913. Ngjarja e djeshme e nxitur, projektuar dhe e organizuar nga kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ishte një ngjarje e panevojshme, një provokim nga i cili nuk u vunë vetulla, por u errësuan sytë. Por treni i mbushur me parulla të tipit nacionalist “Kosova është Serbi” kishte si synim e destinacion territorin e Kosovës, Mitrovicën. Donte të jeptë mesazhin e frikshëm nacionalist të përpjekjeve për zgjerim territoresh. Ndërkohë ai trend ha një mesazh më të frikshëm se kaq, atë të destabilizimit të rajonit. Nëse ky tren i destabilitetit permanent serb nuk do të ndalej, atëherë mesazhi që u jepej serbëve ishte i qartë: “Nacionalizmi serb është i pandalshëm”. Përtej Kosovës ai mund të shtrihet egërsisht edhe në Bosnjë-Hercegovinë, Maqedoni e në Mal të Zi. Simbolika e tretë kishte të bënte me lidhjen e ngushtë Moskë-Beograd. Ai tren kyçte në një nyje të përbashkët ambicjen e Serbisë për zgjerim territoresh, si dhe dëshirën e zjarrtë të Rusisë për të qenë e pranishme si fuqi primare jo vetëm në Ballkanin Qendror, por deri në Adriatik. Simbolika e nacionalizmit të rrezikshëm serb u shfaq jo vetëm te afishjet e trenit, por edhe në shpalljet publike të kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Pas dështimit të aksionit të tij diversionist ai deklaroi në stilin e Milosheviçit se “Askush nuk mund të ushtrojë dhunë kundër serbëve në Kosovë”. Në Fushë-Kosovë, para 28 viteve, (1989) paraardhësi i tij, krimineli Milosheviç, kishte deklaruar në Fushë-Kosovë se “Askush nuk mund t’i prekë e t’i lëndojë serbët, kudo që ata jetojnë”, duke shtuar zgjatimin e idesë së tij se “Serbia ose do të jetë e madhe, ose do të shuhet fare”?! Madhësinë e Serbisë Vuçiç u përpoq ta përshkojë me trenin rus, ndërsa deklaratën e tij e huazoi fjalë për fjalë nga një kriminel lufte. Sot në Veri të Mitrovicës, aty ku është ngritur monumenti i Shën Llazarit, serbët e veriut do të protestojnë. Për çfarë? Se ndjehen “të frikësuar” pasiqë treni i nacionalizmit dhe shovinizmit serb nuk u lejua të hyjë në territorin e Kosovës. Edhe në vitet 1986-1990 serbët kudo në Jugosllavi protestonin në mitingjet e Milosheviçit për gjoja kundër “genocidit të shqiptarëve ndaj serbëve në Kosovë”. Aq shumë u përdor kjo lloj propagamde sa në memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Beogradit, kryetar i së cilës ishte ish-presidenti i Serbisë, Dobrica Qosiç, flitej për një “holokaust shqiptar kundër serbëve në Kosovë” shkruhej për “inhumanitetin e shqiptarëve kundër serbëve”. Madje ai memorandum e ngriti në rang përgjithësues rastin e Martinoviç, një serbi nga Gilani i Kosovës, i cili u vetëplagos gjatë një masturbimi me një shishe birre, por që akademikët me sy të errësuar nga nacionalizmi e propaganduan si “dhunë e genocid të shqiptarëve kundër serbëve”. E njëjta gjë ndodhi dje me kryeministrin e Serbisë!!! Ndalja e një treni e çoi atë në pikën e vlimit, të akuzojë shqiptarët pa asnjë fakt, pa asnjë provë, se “ushtrojnë dhunë kundër serbëve”. Mesazhi i kryeministrit serb ishte në adresë të shqiptarëve: “Ju shqiptarët nuk keni parë asgjë akoma”!, përpiqej Vuçiç të kërcënonte! Duke i lexuar kësisoj deklaratat e Aleksandër Vuçiç ka shanse që treni i nacionalizmit serb kurrë më të mos provokojë Kosovën. Dje u dha prova e parë. Qeveria e Kosovës, policia e Kosovës, institucionet e këtij shteti, me mbështetjen e KFOR-it dhe të NATO-s ia arritën t’i venë barrikadë të pakapërcyeshme këtij provokimi. Ishte kjo një arritje e jashtëzakonshme. Por shqiptarët do të duhet të venë re edhe një zhvillim tjetër pozitiv: Në veri të Kosovës prej shpalljes së pavarësisë nuk janë vetëm forcat e KFOR-it francez. Aty janë stacionuar edhe amerikanët, gjermanët, austriakët, britanikët. Ky zhvillim pozitiv është i përmasave të jashtëzakonshme, sepse i jep Serbisë mesazhin e pandryshueshmërisë së kufijve të shtetit të Kosovës. Ndërsa nga pikëpamja diplomatike këto vende e njohën shtetësinë e Kosovës, i dhanë asaj gjithashtu garancinë e mbrojtjes së territorit të saj. Muri në anën veriore të rrjedhës së Ibrit ishte kërkesë e KFOR-it francez që kur Kosova ishte nën administrim ndërkombëtar nga UNMIK-u, para vitit 2008. Madje ishte projekt i UNMIK-ut, por nuk ishte realizuar për shkak të kundërshtive nga ana e partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. Ai mur u ideua dhe projektua asokohe për të çimentuar ndarjen e Kosovës. Ndaj nuk është rastësi as ndalimi i Haradinajt në një aeroport francez. Ka nga ata që bëjnë thirrje të mos nxitet konflikti me Francën kur dikush përmend këto të vërteta. Por e vërteta nuk nxit konflikt. Eshtë fakt se Franca ushqeu ndarjen e Kosovës dhe vendosi kufirin te Ura e Ibrit. Eshtë fakt se Franca ka një marrëdhënie specifike miqësore me të gjitha Serbitë, edhe me Serbinë e sunduar prej nacionalizmave shovinistë dhe fashizmave që ushqejnë urrejtjen rracore e etnike në rajon, gjë të cilën po e pranojnë vetë studiuesit e historianët serbë. Serbia provokon në Kosovë vazhdimisht. Megjithatë ajo e intensifikon propagandën antishqiptare dhe diversionin kundër Kosovës në ditët e festave fetare ortodokse. Përse prvokon dhe kërcënon Serbia gjithnjë në ditët e festave ortodokse në Kosovë? Pse çdo vit përsërit të njëjtin ritual diversion kundër Kosovës, pavarësisë dhe integritetit të saj?! Këtë vit ndërmori në kohë festash të Krishtindjeve Ortodokse të Serbisë tri aksione: Ndërtimin e murit, ndalimin e Ramush Haradinajt dhe së fundi nisjen e trenit nacionalist për në Mitrovicë. Autoritetet e Kosovës ia bënë të qartë se kjo nuk mund të vijojë papmbarim, kur para dhjetë ditësh ndaluan hyrjen e presidentit të Serbisë në territorin e Kosovës. Ndalimi për të hyre në Kosovë i dha Nikoliç kredite politike dhe elektorale në Serbi. Për këtë arësye Vuçiç urdhëroi dhe koordinoi arrestimin e liderit të UÇK-së dhe AAK-së, Ramush Haradinajt, duke u investuar vetë në retorikën kundër shqiptarëve dhe kundër Kosovës. Më pas ai ideoi trenin e gabuar të nacionalizmit shovinist dhe ethet e pushtetit e sollën atë në origjinën e tij, kur ishte ministër i kabinetit të Milosheviçit dhe ushtar i Vojisllav Shejshelit.. Lirimi i Haradinajt u konsiderua në Beograd si dështim i politikave nacionaliste. Prandaj u hartua dhe vu në veprim skenari i trenit të turpit. Treni u kthye për në Beograd, por ka lënë pas disa probleme: 1. Serbia do të vazhdojë edhe në të ardhmen të provokojë Kosovën dhe shtetësinë e saj. Nuk do të ndalet. Do të nxisë serbët e Kosovës që të destabilizojnë vendin. Do të dërgojë ilegalisht grupe policore dhe instruktorësh në veri të vendit, madje dhe paraushtarakët e Arkanit e të Shejshelit, nga partia e të cilit vijnë presidenti dhe kryeministri i Serbisë. Kjo do të ndodhë për tri arësye. Së pari, sepse në Beograd e kuptojnë se statukuoja nuk mund të shkojë deri në infinit, ndaj dhe qeveria serbe ngutet t’i japë një zgjidhje “me përfitime politike e territoriale” çeshtjes së Kosovës dhe njohjes së shtetësisë së saj. Së dyti, sepse nuk dihet se cili do ë jetë pozicioni i Rusisë në atë që mund ta quajmë fillimin e epokës së Trump. Mundet që një marrëveshje midis Moskës dhe Uashingtonit të çojë në njohjen nga Këshilli i Sigurimit të pavarësisë së Kosovës në këmbim të përfitimit të njohjes së Krimesë si pjesë të Rusisë dhe atëherë në Beograd do të mbeteshin me “gisht në gojë”. Dhe së treti është konkurenca politike për pushtet ajo që nxit gjithnjë provokime të këtij lloji, provokime që nuk do të ndalen, sepse gjithmonë në Serbi do të ketë garë elektorale. 2. Institucionet e Kosovës nuk kanë tagër, as të drejtë të luajnë kartën elektorale kur është fjala për integritetin dhe sovranitetin e vendit. Nëse dje treni serb i nacionalizmit u ndal në territorin e Serbisë, në Rashkë, kjo padyshim ishte meritë e forcave speciale, policisë dhe institucioneve të Kosovës, por kishte dhe faktorë të tjerë. Kryesore ishte presioni i publikut, i qytetarëve dhe frika se mosveprimi do të shkaktojë revoltë popullore. Pra qytetarët e Kosovës janë aktori e faktori kryesor i aktit të djeshëm dhe vendosmërisë së institucioneve të vendit për të ndalur provokimin nacionalist të radhës të Serbisë. Faktor tjetër po aq i rëndësishëm sa veprimi i institucioneve të Kosovës ishte prania dhe garancia e NATO-s dhe KFOR-it. Pa NATO-n dhe KFOR-in Kosova nuk do të ishte sot kjo që është. Duhet të jemi realistë dhe t’i japim secilit atë që i takon. Vetë prezenca e këtij faktori ndërkombëtar e bën Serbinë të mos guxojë në aventura ushtarake kundër Kosovës. 3. Përpjekja për të përvetësuar meritat nga ana e drejtuesve të institucioneve të Kosovës, përkatësisht institucionit të presidentit dhe qeverisë apo parlamentit është lojë adoleshentësh e pajustifikuar dhe e rrezikshme. Në vend që fitore të tilla si ajo e djeshmja t’i bashkojë shqiptarët, ata nisën ritualin e përfitimit të dekoratave elektorale. Kjo zhvleftëson nga pikëpamja kombëtare vetë aktin e ndërhyrjes. Thuhet se presidenti nuk ka kompetenca të urdhërojë aksionet e policisë dhe forcave të sigurisë dhe natyrshëm kështu do të duhet të jetë në një Republikë Parlamentare. Atëherë opinion publik duhet të kuptojë se ky akt i presidentit mund të jetë nxit nga nevoja për t’i ardhur në ndihmë partisë të cilën ai e ka formuar dhe udhëhequr për një kohë të gjatë. Dhe kjo në vend që t’i japë kredite, ia heq atij kreditet morale dhe politike. 4. Qeveria dhe institucionet e Kosovës, madje edhe qytetarët e Kosovës duhet të frikësohen kur qeveria e Tiranës, cilado të jetë ajo, ndërton marrëdhënie vëllazërore me qeverinë e Beogradit, pa e kushtëzuar këtë me heqjen dorë prej saj jo vetëm për të penguar shtetësinë e Kosovës, por edhe për të ndikuar me anën e serbëve instirucionet e saj dhe për të provokuar sistematikisht rendin kushtetues dhe sovranitetin e saj. Një nga arësyet e provokimeve të fundit është afrimi i kryeministrit shqiptar dhe atij serb në kufijtë e bashkim-vëllazërimit të komunistëve jugosllave dhe komunistëve shqiptarë në përfundim e vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore. Zoti Vuçiç, i sigurt se zoti Rama nuk do të reagojë, ndërmori një akt agresioni kundër territorit dhe institucioneve të Kosovës. Heshtja e kryeministrit shqiptar duket se është blerë në Beograd. Mjafton të kujtoj këtu koncensionin që ministria e Energjitikës së Shqipërisë i ka dhënë një kompanie serbe për menaxhimin e hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, president i së cilës është djali i një gjenerali të Aleksandër Rankoviç. Një kryeministër shqiptar peng i Beogradit është e keqja më e madhe e shqiptarëve në historinë e tyre. 5. Së fundi, paraqitjet e Aleksandër Vuçiç në konferencat e djeshme për shtyp dhe deklaratat e tij në frymën e programeve asgjësuese të shqiptarëve të Serbisë i japin shansin institucioneve dhe qeverisë së Kosovës që të kërkojë në institucionet ndërkombëtare dënimin nga ana e Serbisë të të gjitha platformave nacionaliste shoviniste kundër shqiptarëve, si dhe kërkesën e ndjesës për krimet ç’njerëzore që Serbia ka bërë kundër shqiptarëve në Kosovë. Madje ta vendosë si kusht të bisedimeve me Beogradin. Eshtë një kërkesë kjo krejt logjike dhe humane. Në pranverën e vitit 1999 shumë gazeta dhe televizione në Perendim kanë ribotuar psh Memorandumin famëkeq të Vasa Çubrilloviç të 7 marsit 1937 për shpërnguljen dhe asgjësimin e shqiptarëve në Kosovë. Ai memorandum u ribotua për t’i kujtuar botës së qytetëruar se asokohe, para 18 vitesh, Milosheviçi po zbatonte një program dhune e terrori kundër shqiptarëve, si ai I Çubrilloviçit. Kjo e lehtëson aktivizimin e një iniciative, e cila në thelb është njerëzore, për të kërkuar që qeveria e Serbisë t’i denoncojë të gjitha projektet e asgjësimit të shqiptarëve, duke filluar te projekti i Naçertanies”, më pas te ato të Jovan Cvijic, Vaso Çubriloviç, Ivo Andriç, Vukotiq, Stevan Moljević dhe deri te memorandum i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë i vitit 1986. Gjithashtu duhet kërkuar që Kisha Ortodokse e Serbisë të dënojë dhe të kërkojë ndjesë për memorandumet e Sinodit të saj, me të cilat ka nxit urrjetje, dasi, ksenofobi e deri racizëm kundër shqiptarëve. Pa eleminuar bazën teorike të sjelljes raciste të Serbisë kundër Kosovës dhe shqiptarëve nuk mund të pritet që nacionalizmi serb të heqë dorë nga përpjekjet e tij për ekspansion dhe zgjerim të kufijve në territorin e Kosovës.