Trilogjia romanore e Amedeo Baçit/
Nga Prof. dr. KLARA KODRA/
Një studiuese bashkëkohore Kristianë Montko, në artikullin e vet “Emergjenca e një “romani të zi” në Shqipëri” pohon se: palitra e romanit nuk ofron veçse dy ngjyra, rozën dhe të zezën që shfaqen si evidente, kur i krahason me çiftin shpresë/dëshpërim.
Në historinë bashkëkohore shqiptare mbizotëron e zeza, dramatizmi në caqet e tragjizmit dhe një lloj pesimizmi ekzistencial që shprehin krizën e sotme të vlerave njerëzore. Një shembull tipik për këtë janë romanet e Fatos Kongolit, por mund të përmendim edhe romane ta Virion Graçit, Ridvan Dibrës, Agron Tufës, Roland Gjozës, etj.
Te trilogjia e romaneve të Amedeo Baçit “Mes dhimbjes dhe dashurisë”, “Peng i dashurisë”, “Dashuri dhe dëshpërim”, vepër e një autori që shfaqet në mënyrë befasuese në horizontin e letërsisë, do të thoshnim se, megjithëse s’i mungon dramatizmi, ekziston një zonë rozë e cila mëshirohet nëpërmjet leitmotivit të dashurisë si ndjenjë e madhe njerëzore. Ky leitmotiv shfaqet që në titujt e romaneve që përbëjnë një triptik me një fjalë-çelës, “dashuri”.
Kjo trilogji romanore shkon “kundër rrymës”, në kuptimin që nuk përfshihet në prirjet moderniste dhe pasmoderniste të romanit bashkëkohor, por i kthehet realizmit, duke e pasuruar me një lloj “energjie romantike” e trashëguar nga drejtimi letrar i romantizmit, i cili i përket tashmë historisë.
Në këtë trilogji ndërthuren disa zhanre: romani dokumet ose dëshmi, ku realja mbizotëron mbi “fiction”, romani autobiografik, “romani i formimit” (meqënëse ndjek hap pas hapi procesin e formimit të personalitetit të protagonistit, Paridit, që nga fëmijëria në pjekuri). Por, në këtë trilogji nuk gjejmë dy llojet klasike me të cilat përfundon ky lloj romani në letërsinë europiane: fundi i lumtur, zakonisht me martesë, në të cilin përmbylleshin romanet e shekullit të tetëmbëdhjetë, të karakterizuar nga optimizmi iluminist dhe “fundi tragjik” me vrasjen a vetëvrasjen e heroit ose me “vdekjen shpirtërore” të tij, që ka qenë karakteristikë për shekullin romantik të 19-të. Autori anon më tepër nga një finale “e hapur”.
Amedeo Baçi ka shfaqur guxim duke u rikthyer tek romani tradicional me subjekt të përcaktuar, ndjekje të vijës kronologjike, personazhe të përcaktuar qartë, madje me një protagonist që lufton për disa vlera, në vend që të përplaset andej-këndej nga era e jetës. Në fakt, në letërsinë bashkëkohore mbizotërojnë “njerëzit pa cilësi” që i kundërvihen “heroit pozitv” famëkeq të realizmit socialist. Krijimi i këtyre figurave shpreh humbjen e besimit te njeriu që dallon shkrimtarët e sotëm, pra, është fjala për një skajshmëri të krahut të kundërt.
Paridi i Amedeo Baçit, përkundrazi, ndonëse është larg së qëni i përsosur dhe mishëron një njeri të thjeshtë në virtyte, po edhe në të meta të zakonshme njerëzore, beson te disa vlera, si dituria, puna, dashuria në kuptimin e ngushtë dhe të gjerë të fjalës, dhe familja. Nuk është një personazh që kalon në një proces degradimi dhe as një personazh që përjeton ndonjë “ndriçim” moral. Autori e piketon atë duke i qëndruar larg, si idealizimit, ashtu edhe skematizmit. Duke qenë fjala për një roman autobiografik, shkrimtari identifikohet pothuajse deri në shkrije me protagonistin.
Figura e rrëfimtarit në roman nuk rikthehet te rrëfimtari i dikurshëm i “gjithëdijshëm”, por është një rrëfimtar që di po aq sa personazhet, madje në ndonjë rast më pak. Zhvillimi i ngjarjeve dhe karakteret shihen përmes optikës së rrëfimtarit/hero që e njohim fëmijë, adoleshent dhe të pjekur. Tërë trilogjinë e përshkruajnë konfliktet midis individit dhe shoqërisë, idealit dhe realitetit, të kaluarës dhe të ardhmes, e cila shihet me sytë e zemrës dhe në të cilën, me gjithë zhgënjimet, protagonisti beson.
Autori ka ditur të pikturojë në pjesën e parë të trilogjisë poezinë naive, spontane dhe të çiltër të botës fëmijërore, duke na dhënë në mënyrë të besueshme protagonistin fëmijë. Aty spikasin disa episode të këndshme që përshkohen nga humori, si biseda e vogëlushit më nënën e vajzës për të cilën ndien dashurinë e parë në fëmijëri dhe dëshirën e tij “për të ngrënë shtatë furrë me bukë brenda një kohe sa më të shkurtër” veç të arrijë dëshirën fëmijërore për ta pasur të vetën shoqen e vogëlisë ose mospranimi i lëvizjes së tokës në dialogun me të motrën .
Dashuria e pafajshme fëmijërore për Janën, shoqen e tij të vogël, zë mjaft vend në pjesën e trilogjisë që i kushtohet fëmijërisë së protagonistit. Autori përshkruan me kujdes mikrokozmosin që rrethon Paridin fëmijë, duke vizatuar tablo të peisazhit të vendlindjes së tij dhe portrete fizike e morale të njerëzve që e rrethojnë, midis të cilëve spikatin figurat e Hetit dhe të Xhekit, babait dhe nënës së tij.
Xheki, e ëma, karakterizohet përmes një detaji kuptimplotë që shpesh optimizon dhe vitalitetin e karakterit të saj, “të qeshurën karakteristike që kur i dilte nga kraharori, ngjante me një buçimë ushtuese që dëgjohej deri te komshinjtë dhe madje tek fqinjët e tjerë përreth” dhe që “linte përshtypjen se bënte të dridheshin edhe xhamat e dritareve, dhe se pas gjithë atij gazi të pafund do të binte përdhe pa frymë”. Autori nënvizon edhe bukurinë e saj fizike, duke e përshkruar përmes imtësive konkrete. “Nëna kishte një fytyrë të bardhë në dimër dhe ngjyrë mjalti të ëmbël në verë. Sytë e saj ishin të bukur, në ngjyrën e gështenjës, ndërsa flokët e zeza e të drejta, të cilave, herë pas here u jepte forma të ndryshme, duke i dredhur e përdredhur sipas dëshirës”.
Autori e karakterizon këtë personazh edhe nëpërmjet qëndrimit në një moment të vështirë të jetës, kur rrezikon të humbasë fëmijën e vet dhe mendon për vetëvrasje. Ngjan se këtu ka një kontradiktë midis karakterit të saj të gëzueshëm dhe një dëshpërimi të tillë të skajshëm, por në të vërtetë këto dy aspekte shprehin një karakter të pasionuar që e përjeton thellë edhe gëzimin edhe dhimbjen, duke qenë i aftë për një dashuri tepër të thellë amësore.
Në portretizimin e personazhit të të atit të protagonistit mbizotëron aspekti moral: ai jepet skajshmërisht i drejtë dhe i ndërgjegjshëm siç zbulohet në episodin kur orvaten ta korruptojnë me dhurata dhe ai i qëndron besnik bindjeve të veta. Ai jepet edhe me mendime relativisht të përparuara për kohën, gjersa nuk i ndërhyn të shoqes në mënyrën e veshjes dhe të zbukurimit.
E shoqja, Xheki, ndonëse është mishërim virtytesh të larta prej gruaje, nënë dhe bashkëshorte, jepet edhe me dobësitë e veta njerëzore, një naivitet që i rrjedh nga natyra e saj e sinqertë dhe një farë patriarkalizmi të imponuar nga mjedisi që e bën të ndërhyjë në të drejtat e fëmijëve për të zgjedhur shokun e jetës. Autori sheh te prindërit e vet mishërimin e virtyteve tradicionale të kombit shqiptar që rrezikojnë të zhduken në kohën e sotme, po edhe kushtëzimin nga një shoqëri patriarkale… Një vëmendje e veçantë i kushtohet personazhit të Verës, motrës besnike, mishërim i dashurisë për vëllanë dhe shpirtit të sakrificës, udhëheqëse shpirtërore e vëllait të vogël në fazat më delikate të jetës.
Në roman spikasin gjithashtu figurat e vajzave dhe grave që hyjnë e dalin nga jeta e protagonistit: Jana, dashuria e fëmijërisë, Zana, dashuria e adoleshencës, Viktoria dhe Esmeralda të dashurat e rinisë, dhe Eleona Bushati, dashuria e gjithë jetës, e parealizuar për një kohë të gjatë. Dy të parat janë rrethuar me një aureolë romantike, po prapëseprapë reale me çiltërsinë e tyre, naivitetin dhe aftësinë, ndonëse në moshë tepër të njomë për të dashuruar thellë. Linja e dashurisë me Zanën hedh dritë të veçantë në vetëdijen dhe nënvetëdijen e protagonistit, duke paraqitur konfliktin shpirtëror të tij mes dashurisë dhe vetëdijes se kjo dashuri është e lidhur pashmangësisht me dhimbjen, një konflikt mes altruizmit dhe egoizmit. Esmeralda dhe Eleona Bushati janë më të ndërlikuara si karaktere, të dyzuara midis dashurisë dhe ndikimit nga mjedisi, Viktoria është e dyzuar midis dashurisë dhe karrierës, një personazh i afërt me figura grashë të realitetit aktual shqiptar, ndonëse i përket të kaluarës.
Mandej vjen figura e Violës, gruaja me të cilin protagonisti lidhet pa dashuri, një vajzë e zakonshme që për shkak të egoizmit të tepëruar përjeton një evolucion negativ dhe bëhet shkak për prishjen e martesës. Të gjitha këto figura i shohim nëpërmjet optikës së protagonistit. Ato janë paraqitur nëpërmjet dialogjeve dhe veprimeve, pra, së jashtmi. Nuk kemi mundësi t’i shohim tërësisht nga brenda për shkak të vetë strukturës së romanit, ku rrëfimtari është edhe personazh. Pra këto personazhe, nga një anë, në dritën subjektive të ndjenjave të dashurisë apo mërisë të protagonistit/rrëfimtar ndaj tyre, nga tjetra, siç thamë, në dritën relativisht objektive të fjalëve dhe veprimeve, veçanërisht të këtyre të fundit, meqënëse fjala mund të shërbejë për të fshehur mendimin, por thelbi i njeriut shfaqet përmes veprimit.
Një fill i kuq që përshkon tërë trilogjinë është dashuria. Dashuria në kuptimin specifik të erosit që mishërohet në kërkimet e vazhdueshme të heroit për të gjetur shoqen e jetës dhe që u kundërvihet nga një anë tabuve të shoqërisë patriarkale, nga ana tjetër puritanizmit hipokrit të diktaturës, e cila pretendon se mbron dashurinë dhe familjen, po ia nënshtron politikës; dashuria në kuptimin e gjerë, dashuri për prindërit, motrën, vëllain, shokët dhe shoqet e shkollës, mësuesit dhe diturinë. Në dhënien e tablove erotike, autori, ndonëse jep disa detaje, i shmanget erotizmit banal me skena të rënduara sensuale që i dallon disa romancierë të sotëm.
Një nga tiparet tërheqëse të protagonistit është dashuria ndaj librit, e kultivuar që në moshë tepër të njomë (episodi i leximit të librave fshehurazi) dhe që i shërben atij për krijimin e një bote virtuale, më të bukur dhe më të thellë se realiteti që përjeton. Protagonisti nuk jepet si i ndërgjegjësuar për çfarë përfaqëson në thelb diktatura, por instinktivisht e ndjen se ky lloj regjimi politik shtyp individin.
Një meritë e veprës është të dhënit e realitetit të kohës jo të ngjyrosur veç me bojë të zezë, siç është një prirje e përgjithshme në veprat letrare që e rikrijojnë atë kohë, po në kompleksitetin e saj, ku përzihen ngjyra të ndryshme. Kështu me realizëm jepet tabloja e jetës së shkollës dhe jeta dinamike kulturore-sportive e Bushatit, vendlindjes së autorit, kur vlerësohet puna fisnike e mësuesve.
Në këtë trilogji romanesh realiteti i jetës përzihet me “fiction”, ku autori i qëndron besnik fakteve reale dhe paraqet tipa realë, por natyrisht i përzgjedh dhe i filtron nëpërmjet fantazisë. Saktësia e kronikanit ndërthuret me imagjinatën e shkrimtarit. Trilogjia e Amedeo Baçit ka diçka nga romani-dokument i Truman Kapotit dhe diçka nga realizmi klasik i Dikensit ose Balzakut, që shkrimtari përpiqet ta ringjallë.
Triptiku romanor nuk është një kronikë e thjeshtë që mund të kalonte lehtësisht dhe të bëhej i mërzitshëm për lexuesit. Shkrimtari di ta mbaj të tendosur vëmendjen e lexuesit me befasira të papritura. Ai i kushton vëmendje intrigës që jepet në mënyrë të dallgëzuar me ngjitje dhe zbritje. Ana më e mirë e romaneve qëndron në çiltërsinë e protagonistit, në gërshëtimin e përshkrimit të jetës së zakonshme me ngjarjet tronditëse dhe të pazakonshme.
Autori synon të komunikojë me një publik sa më të gjerë, prandaj i është shmangur thërmimit të subjektit dhe copëzimit të personazheve që janë karakteristike për romanin modernist dhe pasmodernist. Madje i është shmangur edhe relativizmit të kohës dhe hapësirës, që e bën të veçantë këtë roman. Siç thamë, ai ka treguar guxim në rikthimin e traditës dhe, për të mos rënë në anakronizëm, ai është mbështetur në ngrohtësinë komunikuese që e dallon romanin në vetë të parë dhe në rëndësinë që ka personazhi si karakter në këtë zhanër.