Nga Guxim Alimani/
10 vite më parë, në metropolin e kombit e nën hijen e monumentit të heroit tonë kombëtar Skënderbe, si për të marrë pagëzim, forcë e bekim , deputeti i parlamentit shqiptar Azgan Haklaj do të shfaqej me një pishtar të ndezur në dorën e djathtë. Mijërat e qytetarëve të tubuar në atë manifestim, veshur me larmi etnografike e me simbole nacionale që valëviteshin, dëgjuan përbetimin e politikanit e të kulturologut tashmë të mirënjohur për vendosmëri e qëndresë : “ Ky pishtar i ndezur sot në Tiranë, do të na paraprijë në rrugën e pandalshme të bashkimit shpirtëror mbarëshqiptar e me të në dorë do të tejshkojmë gjithë trullin autokton, ethnik kombëtar”. Një utopi ky përbetim për shumicën, për këtë iniciativë kurajoze por aspak e tillë për Azganin.
Shumë ëndrra shqiptare me shekuj janë munduar t’i qasen realitetit sikundër edhe sot, por në Ballkanin paqebrishtë, ku ethet e nacionalizmit e shovinizmit, mbajnë akoma në limite ekstreme temperaturën, në realitetin e dhimbshëm të copëzimit të trojeve tona në pesë shtete, hapi i Azganit po tejkalonte edhe optimizmin iluminist të personazheve volteriane. Por, ai ja arriti dhe sot si mbi Olimp, pishtari flakadan vazhdon të ndriçojë për të mos u shuar. Tirana e Prishtina, Gucia e Mitrovica, Preshava e Medvegja, Selaniku e Tuzi, Shkupi e Ulqini, Qafë-Bota e Prizreni, Gjakova e Deçani, Juniku e Ferizaj, Dibra e Madhe, Plava, Tivari, Struga e Gostivari do ta përjetonin materializimin e premtimit e përbetimit të Azganit. Art, kulturë, muzikë, etnografi, folklor e letërsi, si në një magji baladash u bënë një për kombin.
Dhe jo vetëm kaq, por të mbështjellë dhe me një mesazh të shqiptuar qartë e me guxim nga Azgani: “Jemi një komb, kemi një qëndrim, një gjuhë, një kulturë dhe aspirojmë veç bashkim“.
Aspak e lehtë për Azganin kurajoz, por deri në kufijt e pabesueshmërisë . Sepse nuk bëhej fjalë për unifikim të kulturës anglo-saksone në trevat e shteteve të Komunuelthit, por flitej për terrenin e ujqërve idhnakë të sllavo-shovinizmit ballkanas që edhe sot kur po rrekëllehet dekada degjitale e milieniumit të ri, skermitin akoma dhëmbët si çakej.
E këtë do ta vërtetonte nota e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë. Kjo notë do t’i drejtohej diplomacisë shqiptare duke kundërshtuar energjikisht veprimin e Azgan Haklajt në Preshevë e Bujanovc, se ai paska shpalosur flamurin e kombit të vet si dhe planin e tij të bashkimit shpirtëror e kulturor shqiptar !
Poetët e krijuesit nga më të mirët të trevave tona e kanë portretizuar Azganin me metafora të zgjedhura , ndaj unë nuk di ku t’i marr fjalët, komplimentet e përcaktorët që lipsen që të mund të shtoj diçka me modesti në portretin poetik të këtij burri atdhetar e fisnik. E në këto kushte po vjedh mjeshtrin e vargut shqip Hamit Aliaj “ Azgan , bohem i lirisë , marathonomak i bashkimit e demokracisë”.
Diçka e rrallë fenomeni Azgan jo aq për iluminizmin, që shumë personalitete kanë projektuar në studio e libra për kombet e tyre. E veçanta, magjikja, e papërseritshmja tek ky fenomen, qëndron në idealizmin gërshetuar me vullnet, në trimërinë të bashkuar me ndërgjegje , jo vetëm për të predikuar por për të prekur e bekuar vetë, po, po vetë ai trollin ethnik shqiptar në çdo anë, në çdo skaj, me mesazhin e fortë e të qartë në çdo detaj.
Azgani është i tillë, i gatuar veçmas me lirinë e pabesueshme të vendosmërisë së vet. Shpërblimin e punës së vet Azgani e pret e i gëzohet me shumë kur ajo ngelet anonym, por që ka bërë vend në rindërtimin e qelizave të bashkimit kombëtar.
Por ja që gjendet një personalitet, si Presidenti shqiptar, zoti Bujar Nishani, që merr rrugën këtë vjeshtë të hershme për në Alpe dhe pikërisht në vendin ku lindën heronjtë homerianë, nderon Azgan Haklajn me titullin e lartë “ Mjeshtër i Madh”.
Ditë më parë, mbi Beograd fluturoi një dron. Ishte një dron digjital. Bisha serbe në folenë e saj lëshoi xixa eksitimi e ulurimë tërbimi. Por ju siguroj se kjo s’është asgjë perballë një droni njerëzor si Azgan Haklaj, i cili për mëse një dekade, jo vetëm ka fluturuar, por ka aterruar në çdo pëllëmbë të tokës Iliro-Dardane, jo veç me simbole në duar, por me mesazhe me zë e piskamë, duke lëshuar në kohët moderne kushtrimin e të parëve për bashkimin me patjetër të të gjithë shqiptarëve.