Turne i suksesshëm i i Perlave të Muzikës shqiptare, i Trio-s;- Irini Qirjako, Petrit Lulo dhe Nokja i Beratit-në emër të shqiptarisë, në Mërgatën Shqiptare të Amerikës!/
Nga Raimonda MOISIU/
Të jetosh larg atdheut, –jo vetëm na shton mallin për gjithcka mbart toka mëmë, por është një dashuri pa kushte, një marrëdhënie e fortë emocionale që nuk e kërcënon asgjë, dhe e ka emrin Atdhedashuri. Jeta midis atdheut e mërgimit simbolizon historinë, gjeografinë, letërsinë, traditën e vlerat tona kombëtare, muzikë, art, kulturë, vizioni dhe pasaporta e një kombi për të kaluarën, të tashmen e të ardhmen. Gjithsecili prej mërgimtarëve përpiqet me të gjitha mënyrat dhe përpjekjet e tyre, gjen forcën e shpirtin shqiptar, për të njehsuar identitetin kombëtar në formë e përmbajtje me barasvlerën e vlerave kombëtare mes gamës së gjerë të kulturave dhe komuniteteve të ndryshme në shoqërinë demokratike amerikane -multikulturore. Emigrantët shqiptarë të vendosur në shtete të ndryshme të Amerikës asnjëhërë nuk harrojnë të festojnë Festat Kombëtare dhe ato fetare, vecmas Festën e Flamurit, datën historike të 28 Nëntorit, që për kombin shqiptar është një ditë e shenjtë- kur lideri i parë shqiptar me vizion evropian, Ismail Qemal Bej Vlora, do të shpallte Shqipërinë të pavarur, dhe i dha formën në historinë e shtetit shqiptar-Qeverinë e Parë Shqiptare dhe njohjen e pavarësisë nga komuniteti politik europian. Nën kujdesin e vecantë e të drejtpërdrejtë , të bisnesmenit shqiptaro-amerikan, z.Hysen Elmazaj, tashmë i integruar sukseshëm në pjesën e emigracionit të vjetër e të ri shqiptar, i ngrohur me idenë e krenarinë e të qenit shqiptar; si qytetar i kulturuar e i emancipuar , në Amerikën e madhe e të lirë, që ju jep shanse e mundësi të barabarta kulturave të ndryshme, duke u bërë pjesë e komunitetit. Z.Elmazaj veçmas arritjeve të ndjeshme, të prekëshme e të realizueshme, në fushën e bisnesit, aktivist i cështjes kombëtare, ai është dashamirës dhe nostalgjik i pandreqëshëm i artit, i trashëgimisë kulturore dhe i muzikës shqiptare, aq modest sa që preferon Olimpin e heshtjes, për atë që bën. Duke qenë i tillë, bisnesmeni shqiptaro-amerikan, z. Hysen Elmazaj nëpërmjet Albanian Entertainment bëri të mundur për Festat e Nëntorit mbërritjen në Amerikë, të Yjeve të Muzikës Populllore, në mbrëmjet festive mes komunitetit shqiptaro-amerikan të; -Brilantit të Polifonisë Shqiptare, Irini Qirjako, Bilbilit të Këngës Popullore të Jugut, i vlerësuar gjithashtu si Perla e Këngës Polifonike, Petrit LULO, dhe atë që shpesh e identifikojmë me “Halitin e Beratit”, -mjeshtërin e klarinetës, por që e thërrasin, Nokja i Beratit, artisti që i dha zë e famë rolit të tij në filmin”Gjeneral Gramafoni”.
Novrus VENGO-alias –Nokja i Beratit është një nga klarinetistët e shquar e të talentuar, pasardhës i denjë dhe virtuoz i elitës të klarinetistëve -mjeshtra të muzikës shqiptare, që kanë bërë historinë, që nga Laver Bariu i Përmetit dhe Lulushi i Korcës, etj. Gjithashtu mes tyre gjendet edhe orkestranti i talentuar në organo, Artur Vengo. Që nga mesi i Nëntorit Festiv Historik e Simbolik i Pavarësisë dhe i Lirisë për shqiptarët, nën menaxhimin dhe investimin e z.Hysen Elmazaj, artistët shqiptarë po japin koncerte madhështore për komunitetin shqiptaro-amerikan, me ndjenjën e atdhedashurisë, patriotizmit e shqiptarisë nga Detroit, Ëaterbury, Connecticut, Boston Massachusetts, Chikago, Neë York, Detroit, duke u rikthyer disa herë në të njëjtët shtete, pas kërkesave të shumta që kanë nga shqiptarët e Amerikës! Qëllimi kryesor i këtyre koncerteve është jo vetëm për të festuar së bashku, por edhe për të ruajtur traditën, gjuhën, zakonet, kulturën, vlerat kombëtare dhe identitetin kombëtar; për ta ruajtur nga asimilimi, ardhmëërinë, dhe për t’i transmetuar këto vlera, ndër brezat që vijnë në tokën e huaj, sidomos te ata që lindin në Amerikë, apo kanë ardhur në një moshë fare të re. Nën tingujt e muzikës shqiptare të kënduar nga Irini Qirjako, Petrit Lulo dhe të klarinetës të Nokes së Beratit, u japin këtyre mbrëmjeve festive; hare, shqiptari, gjeografi, muzikë sipas trevave shqiptare, pamje festive të mrekullueshme në sinkron me ngjyrën kuq e zi—ngjyrën e flamurit tonë kombëtar. Mallëngjehesh kur shikon fëmijë të vegjël nga mosha 2 vjec, 4 vjec e shtatëvjec e më shumë, të lindur në Amerikë, nën përkujdesjen e prindërve të tyre, të veshur me ngjyrat e flamurit kombëtar, deri edhe në kostume popullore e luftëtarësh nga të gjitha trevat e Shqipërisë, dikush si Isa Boletini, kush si Ismail Qemali e Bajram Curri, dikush si Cerciz Topulli e Adem Jashari, deri edhe T-shirt-me flamurin shqiptar, duke treguar Krenarinë Fisnike e të qënit Shqiptar! Nën përformancën e shkëlqyer të zërit energjik e të mrekullueshëm, të Irini Qirjakos dhe Petrit Lulos, mbrëmjet hapen duke kënduar hymnet respektivë të dy “Atdhe-ve” –Hymni Shqiptar dhe Hymni Amerikan. Më pas të gjithë vallëzojnë, ngrejnë dollitë e trokasin gotat e shqiptarisë, dhe Trio-ja, Irini Qirjako, Petrit Lulo dhe Nokja i Beratit nuk dorëzohen, por ata ndezin Flakadanin e Shqiptarisë me muzikën shqiptare sipas krahinave e trojeve shqiptare, të gjithë festojnë, të gjithë gëzojnë, të gjithë kërcejnë, brenda atyre sallave –të quajtura “Shqipëria e vogël” , shpalosin Krenarinë Kombëtare si pjesë e Identitetit Shqiptar në Tokën e Bekuar të Amerikës për orë me rradhë, deri në agimin e ditës tjetër, duke i shëndrruar ato, në “Vlora Shëqiptare e Pavarësisë dhe e Flamurit”, në Kosovë e Camëri , në Shqiptarinë që nuk njeh kufij! Është nder dhe vlerësim të dëgjosh këto perla të muzikës popullore shqiptare. Me përformancën e tyre të shkëlqyer, shpirtërisht e profesionalisht, Irini Qirjako, Petrit Lulo dhe Nokja i Beratit u dhurojnë bashkëatdhetarëve në Amerikë, momente të mrekullueshme, plot drite, jetë ngrohtësi dhe shqiptari, shqiptarët bëhen njësh me muzikën dhe së bashku tregojnë vlerat madhështore të kulturës shqiptare e kombit. Aty ata gjejnë gjithçka por edhe edukohen ndjeshëm me ndjenjën e atdhedashurisë këtë ndjesi margaritarësh që nuk i gjendet fundi asnjëherë, por vetëm se të bën krenar si vetë historia e shqiptarëve.
-Irini QIRJAKO i përket binomit të madhërishëm Artist & Njeri, që i kapërxen kufijtë e mirësisë, vitalitetit dhe talentit që ajo përcon me zërin e saj si gurra e ujit të kristaltë mes dinamikës së muzikës, të kënduarit dhe interpretimit emocional, e cila u jep fuqinë e tingujve, melodisë së këngës popullore por edhe asaj të trevave të ndryshme shqiptare, vecmas të polifonisë. E kanë quajtur Princesha e Polifonisë, e kanë nominuar me “Mjeshtre e Madhe”, “Qytetare nderi” e Sarandës, por te kjo grua e shquar shqiptare qëndron modestia fisnike, që me muzikën popullore të interpretuar prej saj qetëson shpirtrat e njerëzve dhe i largon për disa momente nga streset e mosmarrëveshjet e ditës, mes të përditshmes e të bukurës njerëzore.
-Petrit LULO, një nga zërat më të vlerësuar të këngës së jugut dhe asaj të përpunuar qytetare, për dekada ka përcjellë tek publiku vlerat më të mira të folklorit shqiptar. Kënga e tij nuk arrihet nga të tjerët, ndërsa vazhdon ti mbajë denjësisht këto vlera të folklorit shqiptar. Jeta e tij artistike i ka dhuruar shumë momente të veçanta, të cilat për këngëtarin kanë mbetur si kujtimet më të bukura.
Shumë e njohin si interpretues të këngës, por ai ka gjithashtu dhe shumë vite që kompozon këngët e tij. Kantautori Petrit Lulo pohon se polifonia është një vlerë e madhe në krijimtarinë tonë popullore, ndërsa gjatë viteve i ka falur shumë dhe për të polifonia mbetet unike.
-Nokja i Beratit -Atë tani e identifikojnë me Halitin e Beratit, klarinetistin që është bërë me famë në filmin “Gjeneral Gramafoni” . Për këtë arsye edhe Noken nuk i flasin në emër Novrus Vengo, por Nokja i Berait. I bëshëm, serioz, plot fuqi, ai kur të shtrëngon dorën duket si ata burrat e sertë, por të ndjeshëm të filmit në fjalë. Berati qyteti i klarinetës së bashku me Tepelenën, Përmetin dhe Gjirokastrën përbëjnë një kuartet nga ku kanë dalë klarinetistët më të shkëlqyer shqiptarë që kanë tronditur dhe platetë e botës. I tillë është dhe Nokja, madje ai ndihet më krenar kur i flasin Nokja i Beratit pasi e identifikojnë me qytetin e lashtë të 1001 dritareve, ku historia e këngës është po aq e bukur sa e luftës.
Dhe këta Artistë Shqiptarë, kjo Trio e mrekullueshme, Perlë e Muzikës Shqiptare vazhdojnë turin e tyre në Tokën e Bekuar të Amerikës mes komunitetit shqiptaro-amerikan, në Festat e Fundvitit!
Raimonda MOISIU
Hartford CT USA