Fatmira Nikolli/
Një peticion i firmosur nga 127 intelektualë shqiptarë kërkon fuqimisht mos rishikimin e historisë së Shqipërisë dhe Kosovës nën Perandorinë Osmane. Duke marrë shkas nga debatet e fundit, si dhe nga krijimi në Prishtinë i një komisioni ndërshtetëror me specialistë turko-kosovarë për rishkrimin e teksteve, ata u janë drejtuar instancave më të larta qeverisëse në dy shtetet shqiptare. Shkrimtarë si Ismail Kadare e Flutura Açka, albanologë si Francesco Altimari apo Lucia Nadin, por edhe publicistë, gjuhëtarë, letrarë, mjekë, avokatë, ia përcjellin kërkesën e tyre presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe presidentit Bujar Nishani, kryeministrit Hashim Thaçi e Sali Berisha, dy qeverive e parlamenteve dhe dy akademive të shkencave. Intelektualët shprehen se ndryshimet e historisë me ekspertë turq përbëjnë një agresion kulturor që godet shtyllën kurrizore të kombit. Ato janë një fyerje e papranueshme për shqiptarët dhe me pasoja për të ardhmen dhe identitetin e tyre. “Të gjithë tashmë e dimë se çdo ndërhyrje në histori sipas skenarëve të paracaktuar politikë cenon ADN-në e kombit shqiptar.
Në emër të së vërtetës historike, i kërkojmë qeverisë së Kosovës, Kuvendit të Kosovës, institucioneve përgjegjëse kulturore dhe akademike, si dhe historianëve, që të mos e tradhtojnë ndërgjegjen e tyre profesionale dhe kombëtare”, shkruajnë ata, duke shtuar se duhet riparë ky vendim arbitrar dhe tërësisht antikombëtar, të anulojnë punën e komisionit të përbashkët ndërshtetëror për rishikimin e historisë.
Peticioni
Presidentes së Republikës së Kosovës, Znj. Ahtifete Jahjaga
Parlamentit të Republikës së Kosovës
Qeverisë së Republikës së Kosovës
Akademisë së Shkencave të Republikës së Kosovës
Për dijeni:
Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani
Kuvendit të Republikës së Shqipërisë
Qeverisë së Republikës së Shqipërisë
Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë
Kohëve të fundit në Kosovë, është hapur debati rreth “ndryshimeve të historisë” dhe nevojës për një histori të mirëfilltë kombëtare, në të cilën ngjarjet dhe personalitetet do të trajtoheshin në përkim me faktet historike dhe argumentet e nevojshme multishkencore.
Faktet historike dhe argumentet shkencore, janë ngjarje dhe momente jetike në historinë e një kombi. Ato s’mund të ndryshohen me ndërhyrje të jashtme, sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhëniet mes një perandorie pushtuese dhe një kombi të pushtuar, pas një qëndrese që përbën një faqe të ndritur jo vetëm në historinë e shqiptarëve, por edhe në historinë e Evropës.
Pushtimi osman shkaktoi një gropë të zezë në historinë e kombit shqiptar. Ai e ndërpreu procesin normal historik të zhvillimit të kombit tonë. Ky pushtim i shkëputi me dhunë shqiptarët nga Europa dhe shkaktoi tragjedi dhe drama të pashlyeshme në kujtesën historike të kombit. Nuk mund të pajtohemi kurrë dhe dënojmë përpjekjet e disa pseudohistorianëve dhe të segmenteve të caktuara politike, të cilat përpiqen që shekujt e gjatë të pushtimit osman t’i paraqesin si kohë të bashkëjetesës paqësore dhe të suksesshme. Pashallarët, ushtarakët, zyrtarët apo shtetarët e lartë të Perandorisë Osmane, qofshin këta edhe kryeministra që i kanë shërbyer Portës së Madhe, pavarësisht nga origjina e tyre shqiptare nuk kanë vlerë për historinë tonë kombëtare.
Historia e Shqipërisë nuk është një histori renegatësh dhe as histori shërbëtorësh, por histori qëndrese me në krye Gjergj Kastriotin. Është histori kryengritjesh e luftërash për liri, histori përpjekjesh për ruajtjen e gjuhës, të kulturës e të identitetit. Është histori e përpjekjeve titanike për Rilindje Kombëtare, për shkrimin shqip, histori e përpjekjeve dhe sakrificave të panumërta për liri, pavarësi dhe sovranitet kombëtar. Është histori e përpjekjes së pandalur të shqiptarëve për të jetuar të lirë me shtetin, kulturën dhe identitetin e tyre, si të gjithë popujt e tjerë të qytetëruar të Europës.
Përpjekja për të trilluar një histori të paqenë, me pseudohistorianë dhe pseudokomisionerë shtetërorë, të drejtuar sipas një projekti të errët politik, s’i shërben as paqes dhe as miqësisë së vërtetë mes popujve dhe as projektit të një të ardhmeje që sjell paqe, harmoni e mirëkuptim. Përpjekjet që interpretimi i historisë të bëhet në funksion të pushtetit dhe jo në funksion të së vërtetës, janë të rrezikshme dhe vënë në pikëpyetje të ardhmen tonë.
Ndryshimi i historisë në formë arbitrare, duke i ardhur rreth oreksit të diplomacisë turke, krijon një precedent të rrezikshëm: pas disa vitesh edhe Serbia mund të kërkojë të shpallet vetëm një administratore në Kosovë dhe ajo të vlerësohet pozitivisht për lirinë, pavarësinë, kulturën dhe identitetin tonë. Paqja e bazuar në drejtësi është përvojë që u ka ndihmuar shumë popujve të kuptojnë të kaluarën, pa e mohuar atë, pa i fshehur ose shtrembëruar të vërtetat historike. “E vërteta është e padiskutueshme”, pati thënë Winston Churchill-i.
Me të tillë shembuj është e mbushur historia e Europës dhe mbi këto premisa duhet të shkruhet edhe historia jonë. Pikërisht këtë paqe, që bazohet në të vërtetën historike, duhet ta synojmë edhe ne, që populli shqiptar dhe ai turk, si popuj liridashës dhe paqësorë, të ndërtojnë marrëdhëniet e tyre të miqësisë dhe të bashkëpunimit reciprok.
Pikësynimi i historisë, gjithmonë duhet të jetë e vërteta dhe vendosja e së vërtetës historike në kontekstin e duhur e në përkim me parimet metodologjike që ka shkenca e historisë.
Kërkesa për ndryshimin e historisë s’ka ardhur si rezultat i shtytjeve shkencore, zbulimeve dhe fakteve të reja dhe as i nevojës së interpretimeve të reja të mirëfillta shkencore, por si rezultat i trysnisë së shtetit turk mbi qeverinë e Kosovës dhe mbi disa historianë të manipuluar e të painformuar me punime të mirëfillta shkencore.
E gjithë historia jonë, e shkruar nga shqiptarë dhe të huaj, dëshmon të kundërtën e asaj që ofron komisioni i ministrisë dhe ekspertëve turq për historinë tonë, sipas të cilëve, periudha e pushtimit osman s’kishte dhunë, s’kishte shtypje dhe s’kishte gjenocid.
Pushtimi pesëshekullor turk ka qenë i dhunshëm dhe përgjatë asaj periudhe të gjatë, ka pasur vrasje, shfarosje, dhunë të vazhdueshme, ndërkohë që shqiptarët ishin populli më i persekutuar i Perandorisë.
Të mos harrojmë faktin se, nga të gjitha gjuhët e të gjithë popujve të pushtuar nga osmanët, gjuha shqipe u ndalua në mënyrë të veçantë e me forcë. Mjafton vetëm ky fakt për të treguar gjenocidin e Perandorisë Osmane kundër shqiptarëve, kundër kulturës dhe identitetit të tyre.
Ne nuk mund t’i fshehim të vërtetat historike. Mjafton të kujtojmë përpjekjet dhe sakrificat e panumërta të rilindësve shqiptarë për të parën shkollë shqipe laike, e cila u arrit të hapej vetëm më 7 mars 1887 në Korçë.
Për fat, ndryshe ndodhi me shqiptarët jashtë kufijve të Perandorisë Osmane dhe arbëreshët e Italisë, që prej fundit të shekullit XVI arritën t’i çelnin në diasporë shkollat e para dhe vatrat e tyre të rëndësishme arsimore, që u bënë promotorë të Rilindjes sonë kulturore dhe të identitetit kombëtar shqiptar.
Ndryshimet e historisë, që synojnë rehabilitimin e pushtimit osman, përbëjnë një lojë të rrezikshme që hap një plagë të thellë në ndërgjegjen tonë kombëtare.
Ndryshimet e historisë me ekspertë turq përbëjnë një agresion kulturor që godet shtyllën kurrizore të kombit. Ato janë një fyerje e papranueshëm për shqiptarët dhe me pasoja për të ardhmen dhe identitetin e tyre. Të gjithë tashmë e dimë se çdo ndërhyrje në histori sipas skenarëve të paracaktuar politikë cenon ADN-në e kombit shqiptar.
Ne kemi dëshiruar dhe dëshirojmë që marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe turqve dhe shteteve të tyre respektive të jenë miqësore, të sinqerta dhe në interes të popujve tanë, por siç thoshte Aristoteli i pavdekshëm, “Amicus Plato, sed magis amica veritas”. (“E kam mik Platonin, por e kam më mike të vërtetën.)
Në emër të së vërtetës historike, i kërkojmë qeverisë së Kosovës, Kuvendit të Kosovës, institucioneve përgjegjëse kulturore dhe akademike, si dhe historianëve, që të mos e tradhtojnë ndërgjegjen e tyre profesionale dhe kombëtare, të rishikojnë këtë vendim arbitrar dhe tërësisht antikombëtar, të anulojnë punën e komisionit të përbashkët ndërshtetëror për rishikimin e historisë së Shqipërisë dhe të lejojnë historianët të bëjnë punën e tyre të pavarur shkencore, sipas parimeve dhe metodologjisë së shkencës historike dhe jo sipas interesave, urdhrave dhe vullneteve politike të qeverisë së sotme të Turqisë.(kortezi:Gazeta Shqiptare)