Nga Uk Lushi/
Vera është stina kur shqiptarët nga mbarë bota afrohen me njëri-tjetrin më së shumti gjatë tërë vitit. Bijtë dhe bijat e shqiponjës takohen dhe shoqërohen në plazhet e Ulqinit, Velipojës, Vlorës apo Sarandës; në bregliqenin e Shkodrës, Pogradecit, Strugës apo Plavës; dhe gjithashtu në luginat dhe majat e Kodrës së Diellit të Tetovës, Rugovës së Pejës apo Thethit të Shalës. Këto bukuri magjepsëse të natyrës së dheut, ujit dhe ajrit të vendeve tona i vizitojnë edhe mijëra bashkëkombës që jetojnë jashtë trojeve tona etnike, në Diasporë. Shqipëria, gjatë ditëve verore, bëhet një.
I pushtuar, i shtrënguar dhe i copëtuar për qindra vjet, populli shqiptar në shekullin e XXI-të hyri me një barrë të rëndë ndarjesh në krahët e tij. Për fat të mirë, me zgjuarsi ne e kuptuam shumë shpejt që dallimet mes pjesëtarëve të një kombi, në fakt, janë të dobishme njëjtë si të përbashkëtat dhe filluam t’i shohim dhe trajtojmë variacionet lokale-krahinore, partiake-politike, fetare-religjioze dhe gjeografike-territoriale— ashtu si janë— si pasuri kombëtare. Megjithatë, fatkeqësisht, dallimet që ende vazhdojnë të mbulohen nga një mjegull fodulle e mosnjohjes janë një duzinë veçantish normale mes shqiptarëve brenda dhe atyre që jetojmë në Diasporë. Është pak e çuditshme që kjo temë gati nuk është rrahur fare as në atdhe e as në kolonitë tona nëpër shtete të ndryshme ku gjallojnë shqiptarët. Pse, sot, shqiptarët jashtë trojeve amnore, më shpesh se më rrallë, konsiderohen sikur të ishin një ishull i ndarë nga toka mëmë? Pse shqiptarët në tokat tona na thonë neve, shqiptarëve mërgimtarë, ju, ose, anasjelltas, ne atyre ju?! Pse nuk ka bashkëpunim dhe shfrytëzim më përmbajtjesor mes shqiptarëve në atdhe dhe jashtë atdheut? Pse nuk shfrytëzohet potenciali i çmuar dhe larmishëm i mërgimtarëve dhe Diasporës shqiptare? Si mund të shfrytëzohet përparësia e të pasurit Diasporë për popullin shqiptar?
Emigrantët nuk janë copë e ndarë e kombit shqiptar. “Ne dhe ju” apo “ju dhe ne” jemi një. Diaspora jonë ka kontribuar, kontribuon dhe do të kontribuojë për popullin tonë. Shtetet tona, jo edhe sa duhet për Diasporën.
Potenciali i parë i Diasporës është pasuria. Por para se të mendohet si të përdoret kjo fuqi është me rëndësi të merret parasysh se sa e vështirë dhe sa djersë e vuajtje derdhen për të bërë pasuri në vendet e huaja. Shumë shqiptarë në atdhe nuk provojnë as të imagjinojnë krajatat e emigrantëve që duhet të fillojnë nga zero dhe të çajnë përpara: ankthin për letrat, mësimin e gjuhës së huaj, adaptimin në një ambient shpeshherë krejt ndryshe nga ai i vendlindjes, mungesën e shoqërisë, netët e gjata pa gjumë duke kujtuar me mërzi torturuese familjen dhe miqtë, punën (nëse e gjen) deri në fyt gjatë ditëve stresuese, urgjencën për t’u (ri)shkolluar në një sistem tjetër, dhe, patjetër, ndjenjën e obligimit të ndash sa më shumë para për t’i dërguar familjes dhe njerëzve tu atje prej nga vjen. Pak njerëz në mëmëdhe mund të përfytyrojnë paragjykimin e dyfishtë të cilit i nënshtrohen emigrantët nga vendorët në shtetet ku sistemohen se gjoja të huajt marrin ndihma sociale dhe kështu shterojnë arkën e buxhetit ose, nëse nuk e bëjnë këtë, janë të gatshëm të punojnë më fort dhe për më pak para se sa shtetasit dhe kështu ulin pagat dhe rrogat e vendësve. Studime të tëra kanë provuar këto pohime si të rreme, por ato vazhdojnë të mbijetojnë. Pra, është shumë me rëndësi të kuptohet se paratë e fituara nga shumica dërmuese e emigrantëve janë para të vështira dhe meritojnë respekt, si kur merren si remitenca, si kur kërkohet që të investohen në atdhe.
Sipas Bankës Botërore vendet në zhvillim vetëm në vitin 2013 kanë pranuar më shumë se 440 miliardë dollarë remitenca, por vetëm 10% e kësaj shume është investuar në asete të vlerës së lartë, kurse 90% në gjëra të nevojave elementare si ushqimi dhe veshmbathja. Shtetet shqiptare duhet ta evitojnë këtë gabim dhe përmes Agjencive për Promovimin e Investimeve (API), të cilat në Tiranë dhe Prishtinë do të ishte e dobishme të unifikohen në një API të përbashkët të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, të krijojnë platforma transparente për mundësi investimi në projekte infrastrukturore dhe energjetike si p. sh. Termocentrali “Kosova e Re”, që është edhe investim me rrezik të ultë edhe me kthim të leverdishëm. Që investimi të jetë në pajtim me autoritetet rregullatore ku jetojnë emigrantët dhe dyfish i sigurt shtetet tona në Ballkan do të duhej të regjistrojnë bonot apo instrumentet financiare në shtetet ku jetojnë pjesëtarët e Diasporës dhe të angazhojnë banka investuese në ato shtete të cilat do të bënin shitjen e instrumenteve dhe distribuimin e kuponit dhe/ose profitit. Nëse duhet gjithsesi të tejkalohet kjo barrierë, atëherë API-të mund të organizojnë fushata informuese dhe prezantuese ku emigrantët do të mund të konsiderojnë mundësi tjera që kërkojnë shuma më të vogla.
Potenciali i dytë i Diasporës është fuqia e lidhjeve dhe rrjeteve si etnike ashtu edhe inter-etnike. Rrjetet e emigrantëve janë më multilinguale, multikulturore dhe multisektoriale se sa ato të vendorëve dhe më të përshtatshme për bërje biznesi dhe shkëmbime të të gjitha llojeve. Shumësia dhe lloj-llojshmëria e kontakteve mundëson reagimin e shpejt dhe efikas në ujdi me kulturën lokale nëse kërkesa dhe oferta për investim dhe bashkëpunim puthiten përkundër që janë me mijëra kilometra larg njëra-tjetrës. Në këto kohë globale, diasporasit shqiptarë kanë mundësi të influencojnë qeveritë e vendeve ku jetojnë të mbajnë qëndrime pro-shqiptare, të ndikojnë në korporata të mëdha të transferojnë pjesë të zinxhirit të operacioneve apo biznesit të tyre në tokat shqiptare dhe të inkurajojnë institucionet e dijes akademike të japin bursa apo hapin degë në shtetet tona për studentët që duan të zgjerojnë diapazonin e njohurive të tyre. Sa për ilustrim, një studim nga Royal Society në Britaninë e Madhe nga viti 2011, (duke përdorur shpeshtësinë e citimit), ka ardhur në përfundimin që bashkëpunimi shkencor mes hulumtuesve nga vendet amë dhe atyre nga Diaspora jep rezultatet më të mira dhe fjala vjen një punim i bërë nga një shkencëtar në Kinë dhe një koleg kinez në Amerikë citohet tri herë më shumë se sa një punim i bërë vetëm në Kinë. Mjetet e komunikimit bashkëkohor dhe Interneti gati i kanë fshirë kufijtë dhe largësitë fizike dhe komunitetet e emigrantëve janë të lidhura vazhdimisht dhe ngushtësisht me kombin e origjinës. Shtetet e shqiptarëve do të duhej të shfrytëzonin këto rrjete dhe këta njerëz sepse përfitimet do të jenë të dyanshme dhe do të përshpejtojnë përparimin e kombit shqiptar. Disa nga emigrantët e aftë dhe me lidhje të forta do të duhej të ftohen dhe binden të kthehen, qoftë përkohësisht qoftë përhershëm, duke u propozuar të marrin role udhëheqëse në administratat, institucionet apo kompanitë e shteteve tona në Ballkan. Një dorë e përfaqësuesve të elitave shqiptare që kanë komplekse dhe frikë nga zotësitë dhe shkathtësitë e emigrantëve me përvojë do të duhej të kujtojnë rolin e madh e kryeministrit Manmohan Singh dhe bashkëpunëtorit të tij Montek Ahluwalia, të dy të edukuar në Oxford dhe të kthyer në atdheun e tyre, që luajtën në reformat shoqërore dhe ekonomike në Indi në fillim të viteve 1990-ta.
Potenciali i tretë dhe mbase më i rëndësishmi i Diasporës është universi i ideve dhe vizioneve globale. Në botën e sotme nuk ka nevojë të zgjidhet mes vendit A dhe vendit B. Shqiptarët e jashtëm, shumica, jetojnë me një këmbë në shtetin rezident dhe me një tjetër në atdhe dhe si emigrantët e gjithë globit, tash që kombi shqiptar nuk është më nën robëri, mund të udhëtojnë dhe bile kthehen në Shqipëri kur të duan. Qarkullimi i lirë përhap idetë dhe përvojat sikur era anijet me vela. Emigrantët nuk janë më të mirë apo mençur se sa shqiptarët tjerë, por ata janë më të ekspozuar përkundrejt sistemeve të ideve, shkollimit dhe zhvillimeve më të avancuara dhe duke parë botën nga më shumë anë dhe dritare mund të jenë në pozicion të krijojnë gjëra që marrin më shumë kohë të qartësohen për shqiptarët brenda. Njeriu i cili jeton jashtë vendit e mat veten kundrejt dy standardeve— atij të vendit mikpritës dhe atij të vendit amë— dhe kështu mund të rris vlerën e tij apo saj duke parë se cili standard është më i lartë në cilën fushë.
Mirëpo edhe Diaspora nuk mundet aspak pa rrënjën respektivisht popullin në trojet etnike. Emigracioni i ka shumë të mira dhe, edhe nëse Shqipëria bëhet parajsë mbi faqe të dheut, populli shqiptar duhet gjithherë të ketë emigracion. Bile nuk do të duhej të ketë asnjë shqiptar apo shqiptare të vetme që nuk del dhe përjeton botën disa herë në jetën e tij apo saj. Por emigracioni i ka edhe kërcënimet dhe të këqijat e veta. Pa ndihmesën, vlerat dhe kapacitetet e mëmëdheut Diaspora është jetëshkurtër dhe pëson disfatën më të madhe të mundshme— asimilimin dhe zhdukjen. Së këndejmi, adresimi i njëri-tjetrit me “ne dhe ju” është adresim absurd dhe tani e tutje, çdo stinë kur takohemi në detet, fushat, apo bjeshkët tona, le të ndalemi dhe kujtojmë që të gjithë shqiptarët jemi nga e njëjta pemë që quhet NE dhe le të bëjmë gjithçka që ajo të jetë sa më e shëndoshë dhe fortë.
Masakra që kullon gjak tash 184 vjet
Nga Uk Lushi/
Pas më shumë se pesëqind viteve, në fillim të shekullit të 19-të, si në rastin e çdo perandorie tjetër që nuk mund të shkëlqejë përjetësisht, rënia zuri t’i rrëzbiste edhe themelet e Perandorisë Osmane. Në njërën anë popuj të shumtë, që ishin pushtuar qoftë me zor qoftë me joshje, dhe në anën tjetër Rusia dhe shtetet europiane, duke ndjerë dobësinë e shkërmoqjes së fuqisë së Stambollit, filluan ta godasin trupin perandorak kudo mundeshin. Krerët dhe elitat e popujve nën thundrën osmane po shihnin rastin dhe interesin e tyre ndërkaq që përpiqeshin të përfitonin sa më shumë për vete dhe popujt që i udhëhiqnin drejt pavarësisë.
Në këtë periudhë të turbullt, ndonëse nuk i ishte nënshtruar sundimit otoman asnjëherë plotësisht por— paralelisht dhe paradoksalisht— i kishte dhënë perandorisë udhëheqës dhe komandantë të jashtëzakonshëm nga gjiri i saj, elita e të vetmit popull e cila sillej si e ndërkryer dhe pa përgjegjësinë historike ishte ajo e shqiptarëve.
Gjatë viteve 1820, ndërsa dukej qartë që Greqia do të fitonte mëvetësinë duke ju falënderuar edhe luftës së shumë shqiptarëve, fuqia e elitës ushtarake në trojet shqiptare ishte shumë e madhe dhe bile edhe Egjipti administrohej dhe drejtohej nga valiu shqiptar Mehmet Ali Pasha. Mirëpo çuditërisht, në vend se për veten, shqiptarët herë luftonin për osmanët kundër të tjerëve, e herë për të tjerët kundër osmanëve. Mund të thuhet që ata në fakt luftonin më së pakut për veten e tyre!
Sidoqoftë, diku në kapërcyell të dekadës së tretë, ose më saktësisht kah fillimi i vitit 1830, duke parë që perandoria nuk po i paguante dhe shpërblente edhe pse gjakoseshin për të, katër prijës madhor— Mustafa Bushatliu, Veli Beu, Silehdar Poda dhe Arsllan Beu— u pajtuan të linin anash mospajtimet private dhe të bënin kauzë të përbashkët vetëm luftimin kundër turqve. Jugu dhe veriu i trojeve shqiptare u ngritën në revolta lokale. Rebelimi nuk u organizua në tërë gjeografinë e Shqipërisë njëkohësisht dhe si rrjedhojë veziri osman me prejardhje greke Reşid Mehmed Pasha arriti fitore të pjesshme kundër jugut, përpara se gegët e veriut të bëheshin gati për kryengritje dhe t’u vinin në ndihmë vëllezërve të tyre toskë.
Atë që nuk mundi ta bënte në fushëbetejë dhe i frikësuar nga bashkërendimi i jugut dhe veriut Reşid Pasha e vendosi të bënte me mjete tjera. Me dijeninë dhe miratimin e Sulltan Mahmudit II greku e mendoi një plan tinëzar për liderët e jugut shqiptar. Ai u premtoi pagesën e plotë gjithë atyre që kishin shërbyer në ekspeditat turke dhe i ftoi 1000 komandantë dhe krerë të Toskërisë që të takoheshin me të në qytetin e Manastirit në një gosti madhështore ku do të gjenin së bashku zgjidhjen e të gjitha problemeve. Rreth 500 fisnikë iu përgjigjën vezirit të Padishahut dhe dhanë fjalën që do të merrnin pjesë në ahengun xhymert të Pashait.
Sot— saktësisht— 184 vjet më parë, pra, me datën 8 të muajit të tretë të Pranverës së Parë të vitit 1246 sipas kalendarit islamik respektivisht me 26 gusht 1830 sipas kalendarit tonë afërsisht 500 elitarë— shumica e parisë së jugut të Shqipërisë dhe ajka e e gardës së tyre— në mesin e tyre edhe Veli Beu dhe Arsllan Beu— veshur, mbathur dhe armatosur si për ceremoni më—u drejtuan kah hipodromi i Manastirit ku ushtria perandorake— siç u ishte thënë— do të parakalonte në nderim të tyre.
Dielli i asaj të enjteje sapo kishte nisur zbritjen e pasdites. Prijësit shqiptarë u rreshtuan përballë 1000 trupave turke që t’i vështronin ndërsa ata do të kryenin marshin ceremonial. Mirëpo, ende pa mbaruar pozicionimi i shqiptarëve vis-à-vis efektivit, ushtarët turq filluan të shtinin rrufeshëm dhe tradhtisht mbi bejlerët dhe komandot toske. Sigurisht që burrat e rënë në grackë rezistuan deri në frymën e fundit dhe mbase disa duhet të kenë paguar vetveten shtrenjtë, porse bilanci i plojës ishte katastrofal dhe shqiptarët u vranë nga ushtarët e sulltanit deri në njeriun e fundit. Pas kësaj masakre barbare të paparë ndonjëherë kufomave ju prenë kokat, të cilat u dërguan në Stamboll nga një njësit tartar, ndërkaq trupat u lanë në të hapur të haheshin nga qentë dhe shpendët grabitqar.
Osmanët pasi e zhvoshkën jugun nga udhëheqësit, një vit më vonë, me 1831, e mposhtën edhe Shkodrën dhe u ndaluan të gjithë shqiptarëve mbajtjen e armëve, përshirë edhe shqiptarët e fesë islame. Në të gjitha vilajetet shqiptare në role drejtuese u transplantuan kodoshë dhe xhahilë pro-otoman. E tërë kjo ndodhi ndërsa shtetet dhe kombet ballkanike bëheshin të mosvarme dhe zgjeroheshin në shpinë të atyre që vonoheshin— me apo pa fajin e tyre. Shumë shqiptarë të ballafaquar nga pa-perspektiva dhe terrori osman u detyruan të emigrojnë për në Rumani, Egjipt, Bullgari, Itali të Jugut, Stamboll dhe më vonë për në SHBA. Porta e Lartë nuk fitoi kushedi çfarë nga masakra mizore dhe aktet e egra më pas, por kombi shqiptar humbi shumë sepse mbeti historikisht mbrapa— së pakut gjysmë shekulli— derisa (ri)lindi Rilindja Kombëtare.
Po pse, edhe pas 184 vitesh, Masakra e Manastirit kullon gjak? Pse edhe gati pas dy shekujsh ne shqiptarët duhet të ndalemi për disa momente dhe dëgjojmë rënkimin dhe gulçet e paraardhësve tonë që u prenë si kallinj gruri në qytetin e Manastirit me 26 gusht 1830?
Sepse efektet e kësaj masakre ndihen edhe sot. Sepse hierarkia shoqërore dhe kombëtare ndër shqiptarë ka pësuar dëme të mëdha prej 26 gushtit 1830 dhe ne jemi bërë pre e apetiteve hegjemoniste të shumë fqinjëve. Sepse masakra ka tentuar zhbërjen e Shqipërisë dhe— përkundër se dështoi— ja ka dalë ta vonojë Shqipërinë— që nuk është bërë ashtu si duhet të jetë akoma, as sot. Sepse duke mos hedhur dritë historike mbi këtë masakër dhe duke e mbajtur gjysmë të fshehur tragjedinë kastat e mëvonshme shqiptare, e bile as ato të sotmet, nuk kanë kuptuar se çdo të thotë të bëhesh dhe jesh elitë. Sepse në çdo komb ka dhe duhet të ketë një pakicë që ka privilegjin por edhe përgjegjësinë që të udhëheqë dhe ruaj interesin e pjesës më të madhe të shoqërisë. Sepse pjesëtarët e elitave ushtarake, politike, ekonomike, intelektuale dhe tjera që zënë postet e udhëheqjes dhe që influencojnë vendimmarrjen për të tashmen dhe ardhmen duhet të reflektojnë çfarë u ka ndodhur bejlerëve me 1830 dhe duhet të lidhen me njëri-tjetrin dhe sidomos ta lidhin interesin vetjak me atë të popullit, përndryshe përfundojnë sikur cjapi te kasapi. Sepse elitat e përgjegjshme duhet të punojnë në rekrutimin e pjesëtarëve të aftë nga të gjitha shtresat e popullsisë për të ripërtërirë vazhdimisht bazën dhe zgjatur rrezen e rrethit kombëtar. Sepse pasardhësja e Perandorisë Osmane sot u kërkon Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës që të rishkruajnë historinë e “(bashkë)jetesës” me dhe nën pushtimin osman ndërkaq që për një masakër të tmerrshme si kërdia e Manastirit me 1830 para se të rishkruhet duhet të shkruhet historia dhe Turqia duhet të shprehë keqardhje dhe pendesë dhe ne do ta falim, por pa pasur nevojë të harrojmë. Sepse një popull i cili nuk e di të kaluarën e tij, e cila përmban edhe ngjarje të llahtarshme si gjëma e Manastirit dhe nuk i kujton përvojat e tilla duke reflektuar për pse-të e tyre, nuk mund të shkojë në të ardhmen. Sepse…sepse-të janë aq të shumta dhe unë jam i sigurt që shumë nga to do t’i gjeni ju vetë!
20 këshilla nga bujtinari Günther S.
Nga Uk Lushi/ New York/
Nuk e kam pasur asnjëherë në plan të shkruaj për këshillat e dikujt në gazetë. Por pardje, pasi u ula me tasin e mbushur me kafe te njëra nga tavolinat e hekurta në verandën e Starbucks-it në lagjen ku jetoj në Nju Jork dhe pasi hapa e-mailet që i kisha marrë në iPad, mbeta pa zgjedhje.
E-maili me lajmin për vdekjen e mikut tim 87 vjeçar Gunther S. ishte shkruar nga vajza e tij e vetme Hilda, e cila më dëftonte se babai i saj kishte lënë një listë me këshilla për mua dhe kishte porositur të bijën që ta skanonte dokumentin dhe t’ma niste në rastin e parë posa të kryhej varrimi.
Për arsye privatësie nuk mund t’ju rrëfej shumë për bujtinarin Günther S., përveç faktit që kam punuar në hotelin e tij për disa muaj para shumë vitesh dhe ai ka qenë një ndër njerëzit më të mirë dhe urtë që kam takuar ndonjëherë në jetën time. Më kujtohet, në bujtinën e tij ai njëherë mbajti 16 refugjatë për 8 muaj dhe nuk i kërkoi asnjërit asnjë cent për qira. Arsyeja pse po i ndaj me ju këshillat e tij është sepse në krye të listës ai kishte shkruar këtë shënim: “Të lutem i ndan këto mejtime të miat me sa më shumë njerëz!”
1. Duaj të gjithë njerëzit dhe duaje sidomos familjen tënde.
2. Mos e krahaso jetën tënde me të tjerëve sepse çdo njeri i ka gëzimet dhe vuajtjet e veta dhe nëse ti nuk e jeton jetën tënde askush nuk do ta jetojë për ty.
3. Mos u merr me të kaluarën dhe as më të ardhmen më shumë se me të tashmen. Nuk ka njeri që gjithmonë është fitimtar. Fitoret ekzistojnë sepse ekzistojnë dështimet dhe humbjet.
4. Mos praktiko dredhi dhe mashtrime me femra. Nëse të pëlqen një grua shprehe pëlqimin haptas edhe me çmimin e përtalljes apo dëshpërimit të mosarritjes së zemrës së saj. Dashuria nuk është zaptim, por shkrirje e ndërsjellë e kënaqësisë dhe lumturisë së dy njerëzve.
5. Qesh sa të mundesh më shumë, por mos hezito të qash për vete dhe për të tjerët. Të qeshurit e mban zemrën të re; të qarët e pastron.
6. Bëj shokë dhe miq. Mos e përziej numrin e njerëzve që njeh me numrin e miqve të vërtetë. Një mik apo mike e mirë ka vlerën e 1 miliard eurove. Dy miq 2 miliardë. Një qind miq kanë vlerën e 1 bilion eurove, por mos u shqetëso, askush në botë nuk i ka njëqind miq. As dhjetë bile.
7. Trajtoje njëjtë— si gjeneralin si ushtarin e rangut më të ultë.
8. Kur je në dyshim si duhet të veprosh, vendose vetveten në këpucët e atij apo asaj që mund të përfitojë apo dëmtohet nga sjellja jote.
9. Ka dallim të madh mes shkollimit dhe edukimit. Shkollimi kryhet kur e merr diplomën, edukimi nuk kryhet deri sa të vije vdekja. Prandaj lexo, deri sa nuk të lënë sytë, dhe dëgjo muzikën e njeriut dhe natyrës, derisa nuk të lënë veshët, çdo ditë.
10. Zgjedhe profesionin të cilin mund ta lësh dhe megjithatë të jesh në gjendje të mbijetosh dhe pa ndier pendim. Puno që të jetosh, por mos jeto që të punosh.
11. Merr para hua vetëm në dy raste: nëse mbetesh pa bukë dhe nëse do t’i investosh paratë.
12. Mos e lër pasurinë të të komandojë ty. Ti mund ta bësh pasurinë, kurse nuk ka pasuri në botë që mund të bëjë ty.
13. Puno me nder dhe me përkushtim thua se e ardhmja e botës varet nga puna jote dhe i gjithë njerëzimi janë duke të vështruar si po punon ndërsa punon.
14. Mos shko në luftëra që nuk janë për liri.
15. Fetë dhe besimi janë dy gjëra të ndryshme. Hidhërohu në Zot, pavarësisht çfarë të thonë fetë, sepse, nëse Zoti ekziston, ai ose ajo do të të kuptojnë.
16. Shëndetin kije kujdesin më të madh. Shiko çfarë ha, sa lëviz dhe si fle. Shëtit çdo ditë dhe mundësisht gjithmonë me dikë tjetër. Lëre duhanin, nëse je duhanpirës, dhe zvogëloje pirjen, nëse pi.
17. Gjithsesi duhet të tregosh interes për së pakut tri arte, përndryshe ke jetuar pjesërisht. Nëse vdes pa provuar të shkruash një vjershë, apo të kompozosh ose këndosh një këngë, apo të pikturosh një tablo që e dalldis shpirtin, apo të luash në një film apo pjesë teatrore që i shtyn njerëzit të shqepen së qeshuri ose qajnë me dënese, apo nëse vdes pa provuar të bësh një skulpturë, ke humbur shumë.
18. Sa herë që ndihesh që ajo që të ndodh ty apo rreth teje është serioze dhe kulmi i stresit, kujtohu sa i madh është universi dhe sa i vogël dhe, sipas të gjitha gjasave, sa i parëndësishëm planeti ynë në shumësinë e miliarda galaktikave në kozmos. Ne njerëzit nganjëherë e marrim veten tepër seriozisht.
19. Dhuro lule sa më shpesh që mundesh. Ka të tillë që thonë nuk është mirë të këputen lulet. Mos u vij veshin. Lulet ekzistojnë që të këputen dhe dhurohen. Sapo ta lexosh këtë këshillë shko dhe bli një buqetë lulesh dhe dhuroja personit të parë të dashur që e sheh ose do të shohësh.
20. Mos ju frikëso vdekjes. Por respektoje shpatën e saj që na rri mbi krye. Shfrytëzoje çdo çast përpara se ajo të të godasë ashtu që të kesh kujtime sa më shumë dhe sa më të bukura me njerëz, sepse vetëm kujtimet na lejohen t’i marrim me vete— siç po i marr unë tash shumë të tilla edhe nga koha e shkurtër që kemi kaluar bashkë unë dhe ti.
Jam pa fjalë, e as nuk kam çka të shtoj. Ndiej dhimbje për humbjen e njeriut të mirë dhe plakut të shtrenjtë, mirëpo, ndonëse i pikëlluar, jam edhe i lumtur që listën e tij po e ndaj me shumë e shumë njerëz. Shpresoj që edhe ju do t’i shpërndani dhe përhapni këshillat e tij te të gjithë të dashurit tuaj, ndërkaq që, pasi ta keni bërë këtë, do të vendosni të blini një buqetë me lule të freskëta për njeriun e zemrës suaj, kushdo qoftë ai ose ajo. RIP Günther S.!
Civiliteti i shqiptarëve
Uk Lushi/New York/
Jeta në demokraci është një debat dhe cikël interaktiv që nuk përfundon kurrë. Në shoqëri, politikë dhe medie njerëz nga spektri i djathtë, majtë dhe i qendrës rrahin çështje të ndryshme dhe kështu ndihmojnë evoluimin dhe përparimin e një populli. Personat që vendosin të angazhohen dhe jenë të zëshëm në jetën publike duhet të jenë të ndershëm, të kenë mendime të pavarura dhe nuk duhet t’i bëjnë favore askujt apo kenë frikë nga askush. Armiqtë më të mëdhenj të atyre që hyjnë në arenën publike janë padituria, hipokrizia, padrejtësia dhe interesi vetjak i pafre; assesi personat që mund të jenë në opozitë apo mospajtim.
Krahasuar me kohën e thyerjeve të mëdha viteve të 90-ta të shekullit XX-të, populli shqiptar, sot, është në gjendje më të mirë gati në çdo pikëpamje. Pa asnjë dyshim baza e këtij progresi është liria jonë. Megjithatë liria nuk është postulat që lejon keqpërdorim dhe shfrytëzim. Liria është e drejtë të mendosh, shprehesh dhe veprosh sipas dëshirës, mirëpo pa e cenuar të drejtën e njëjtë për të tjerët. Fatkeqësisht kohëve të fundit hapësira publike shqiptare ka filluar të uzurpohet me agresivitet nga disa klika dhe individë të cilët kujtojnë që liria u takon vetëm atyre dhe në debate kanë të drejtë veç ata.
Grafomanë dhe llafazanë kanë nisur të përdorin fjalën dhe shprehjen e lirë si armë për të realizuar qëllime personale apo synime të padronëve që ua tërheqin penjtë tinëz nga prapa perdeve. Ngadalë, por sigurt, nëse nuk ndalen dhe zbohen nga ligjërimi dhe jeta publike, këta sherr-budallenj dhe të prapë mund të hedhin shoqëritë shqiptare përjashta orbitave të civilitetit dhe traditës shekullore të respektit dhe nderimit të tjetrit dhe kështu ndoshta të fusin popullin në rrethin vicioz të sharjeve dhe fyerjeve vulgare derisa eventualisht të arrihet në pikën ku mund të ndodh ndonjë konflikt qytetar.
Civiliteti është parimi themeltar i jetës publike. Pa të një popull gjallëron në “xhunglën hobesiane” ku secili është në luftë me secilin. Civiliteti apo njerëzia mbështeten në idenë që secili nga ne duhet të marrë parasysh interesat dhe aspiratat e tjerëve dhe të trajtojmë çdokënd sikur kemi dëshirë të trajtohemi ne vetë. Mirësjellja është shenjë e qytetërimit dhe refleksion i virtyteve dhe standardeve të vlerave. Civiliteti në politikë, biznes, medie dhe jetën e përditshme nuk do të thotë që konkurrenca, mospajtimi dhe argumentimi duhet të shuhen; përkundrazi, civiliteti do të thotë, që përkundër vështirësive dhe nxehtësisë që shkaktohen nga jeta, ne gjithmonë duhet të respektojmë dhe nderojmë të tjerët si qenie të barabarta njerëzore.
Më kujtohet, ka disa vite që kam lexuar, një fjalim mbi njerzillëkun të John Fletcher Moulton— shkollar, gjykatës dhe ministër i Anglisë para më shumë se 100 viteve. Në fjalimin e tij ai thotë që janë tri gjëra kryesore që përcaktojnë bashkëpunimin njerëzor.
E para është ligji, i cili na tregon se çfarë mund të bëjmë. Pjesëtarët e një populli të lirë duhet të zbatojnë ligjin pa kundërshtime. Nëse vërtetohet se nuk janë të mira dhe nëse u ka kaluar vakti, ligjet mund të zëvendësohen me më të mira dhe më të reja.
E dyta është zgjedhja e lirë, sipas të cilës ne mund të bëjmë çfarëdo që duam dhe të tjerët nuk duhet të na (para)gjykojnë për vendimet tona si duam të jetojmë.
Por, sipas Moultonit, mes këtyre dy gjërave është bota e manireve— gjegjësisht mirësjelljes— dhe është mu kjo gjë e ndërmjetme që e determinon suksesin e një kulture dhe një shoqërie.
Civiliteti është i vjetër sa jeta njerëzore në bashkësi. Konturat formale i mori që në kohën antike në Greqi dhe më vonë në Romë. P. sh. në Perandorinë Romake jo të gjithë banorët mund të ishin qytetarë. Nderi special i votimit u jepej vetëm atyre që angazhoheshin në diskursin publik dhe mund të influenconin shkrimin dhe miratimin e ligjeve. Familjet dhe individët që kualifikoheshin duhej të demonstronin histori aktive të civilitetit dhe kontributit për stabilitetin dhe përmirësimin e shoqërisë romake.
Në botën shqiptare sot ka individë që pa asnjë dëshmi e thonë apo shkruajnë që filan fisteku është spiun, e bile terrorist, dhe nuk ka asnjë konsekuencë morale, etike, profesionale apo juridike për akuza të tilla të rrejshme. Një politikan e quan tjetrin të sëmurë psikik dhe nuk ofron asnjë dokument mjekësor dhe askujt asgjë. Një gazetar hidhet si zagar mbi çdo kënd që ja prek interesat pronarëve të medies për të cilën punon duke përdorur gjuhë linçuese dhe shpifëse, për të cilën në një vend vërtetë demokratik dhe ligjor media dhe shkronjësit do të paguanin miliona kompensim financiar dhe redaktorët dhe pronarët do të shkonin në burg për vite të tëra, por, në vendet ku jetojnë shqiptarët, redaksitë në fjalë nuk mërziten të botojnë as reagimin e palës së dëmtuar. Zbritja më e madhe e tatëpjetës së civilitetit shqiptar mund të shihet në portalet dhe faqet tona në Internet ku persona të frustruar dhe pa edukatë nuk e kanë fare problem të shpallin secilën femër kurvë apo secilin burrë bandit ndërkaq që hingirizen pas maskës së anonimitetit.
Sidoqoftë, përkundër zymtësisë, ka shprese që situata do të ndryshohet dhe piramida e vlerave dhe civilitetit do të kthehet me maje përpjetë përsëri. Optimizmi bazohet në mospërfshirjen e pjesës më të madhe të publikut në lojën e shëmtuar të kastave dhe individëve të dobët të cilët me zhurmë e potere kujtojnë që do të zaptojnë hapësirat publike ndërkaq që publiku do të rrijë e shikoj seri. Këtë shpresë ma shtoi edhe një eksperiment i vogël që bëra në Facebook para ca ditësh ndërsa shtrova pyetjen publike për të gjithë miqtë dhe të njohurit e mi se për çfarë teme do të dëshironin që të shkruaja. Secili person që u përgjigj u deklarua që donte temë konkrete dhe konstruktive dhe askush nuk kërkoi sharje, përgojime ose diskreditime. Njëri nga ta, më duket që e përthekoi shumë mirë dhe punën e civilitetit ndër shqiptarë tek më shkroi: “Nuk është mirë të thuhet fjala e fundit e para, siç po bëjnë disa shqiptarë në publik sot. Kur fjala e fundit qitet e para aty nuk ka çfarë të thuhet më.”
Çfarë porosie antologjike për të gjithë jocivilistët, të cilët, herët a vonë, populli i civilizuar shqiptar do t’i ndalojë ose me mospërfillje ose me ligj.
Varfëria dhe zhvillimi ndër shqiptarë
Nga Uk Lushi/New York/
Në asnjë libër të profesorëve dhe ekonomistëve më të njohur të planetit nuk kam mundur të gjej përkufizim më të ngjeshur të varfërisë se sa nga një plak nga Malisheva në Republikën e Kosovës dhe nga një grua e ve nga Kruma në Republikën e Shqipërisë. Definicioni i plakut: “Varfërinë e sheh cullak këtu. Shikoje shtëpinë time dhe numëroj vrimat në të. Hajde futu brenda dhe shihi enët e vjetra dhe mobiliet e rrëzbitura. K’ qyri rrobat që i kemi veshë. Shiko përreth dhe shih se, përpos natyrës, këtu gjithçka është e mjerë. Kjo është varfëria!” Definicioni i gruas së ve: “Për të varfrin si unë çdo gjë është e tmerrshme. Njeriu i varfër është ulok. Ne të varfrit frikësohemi nga çdo gjë sepse ne varemi nga mëshira e të tjerëve. Ne si vyejmë askujt. Ne jemi mbeturina të cilat çdokush ka dëshirë t’i humbë diku pa nam e nishan!”
Varfëria nuk është faj apo mëkat, ose, nëse duhet të jetë faj apo mëkat, më shumë është faj dhe mëkat kolektiv se sa individual. Por a është varfëria fatalitet? A ka shpresë që kjo “fatkeqësi” mund të zhduket në trojet tona dhe çdo shqiptar dhe shqiptare mund të jetojë me dinjitet njerëzor?
Shpëtimi nga varfëria do të vije nga zgjidhjet që i ofron disiplina më të bukur e shkencës së ekonomisë e quajtur ekonomia e zhvillimit. Kjo lëmi është fusha më e re dhe më sfiduese e ekonomisë ndonëse ka profesionistë që mund të këmbëngulin se Adam Smith në fakt është ekonomisti i parë zhvillimor me librin e tij “Pasuria e kombeve” (Wealth of Nations) botuar në vitin e largët 1776.
Shkenca e ekonomisë përqendrohet në efikasitetin e akordimit të burimeve produktive si dhe në zgjerimin optimal të këtyre burimeve. Pra ekonomia tradicionale merret me një botë kapitaliste të avancuar me tregje perfekte, konsumatorë sovran dhe çmime që përcaktohen automatikisht nga takimi i kërkesës dhe ofertës. Ekonomia e përgjithshme supozon se sistemi ekonomik është rezultat i një racionalizmi të pastër dhe orientimi të qartë vetjak dhe material të subjekteve ekonomike. Ndërkaq ekonomia politike shkon një hap përtej ekonomisë duke e veneruar aktivitetin ekonomik në kontekst politik ndërsa tenton të shkrijë analizimin ekonomik me politikat praktike.
Megjithatë ekonomia zhvillimore qëndron më lartë se dyja— edhe se ekonomia, edhe se ekonomia politike. Ekonomia e zhvillimit është disiplina e cila studion dhe tregon rrugët se si një ekonomi mund të transformohet prej prapambetjes në rritje dhe prej statusit me të ardhura të vogla në status me të ardhura të mëdha. Kjo disiplinë e re i ndan shtetet e botës në dy grupe: 1) në vende me shumë të zhvilluara (VSHZH) dhe 2) në vende më pak të zhvilluara (VPZH). Shtetet e shqiptarëve bëjnë pjesë në VPZH.
Dallimi mes VSHZH dhe VPZH qëndron në faktin së në VPZH shumica e tregjeve të mallrave dhe burimeve janë jashtëzakonisht imperfekte, konsumatorët dhe prodhuesit kanë informacion të limituar, ndryshime të mëdha strukturale janë në proces e sipër si në shoqëri si në ekonomi dhe në vend të një ekuilibri, zakonisht, ekzistojnë disa ekuilibra, bile disekulibrat janë shpeshherë të pranishëm. Në shumë raste në vendet që janë në grupin VPZH kalkulimet ekonomike dominohen nga prioritetet politike dhe sociale— siç fjala vjen unifikimi i kombit, zëvendësimi i këshilltarëve dhe tutorëve të jashtëm me vendimmarrës vendor dhe ruajtja e substancës kulturore. Në fazën e parë të kalimit të një shteti nga VPZH drejt nivelit VSHZH ndërhyrja e qeverive është më se e nevojshme për shkak të lëvizjeve dhe ndryshimeve të mëdha që kërkojnë shtetin si faktor me fuqi dhe peshë, por më vonë, nëse qeveritë përzihen, ato vetëm sa e pengojnë zhvillimin. Është e rëndësisë së veçantë që ekonomia zhvillimore e një populli duhet ta marrë parasysh sistemin social, strukturën organizative të shoqërisë, përfshirë vlerat, kodet, strukturën hierarkike dhe traditat e saj, përndryshe modelet e eksportuara apo të papajtueshme me kulturën dhe traditën mund të sjellin rritje negative dhe regres.
Zhvillim nuk do të thotë domosdo rritje e të ardhurave për krye banori ose PPB-së, mirëpo sa janë realizuar tri objektivat themelore të zhvillimit, e të cilat janë: 1) aftësia për të mbajtur vetveten, që përfshinë mallrat dhe shërbimet bazike si ushqimi, veshmbathja dhe kulmi mbi krye— të nevojshme për mbijetesë; 2) vetërespekti, që reflekton ndjenjat e vlefshmërisë që pjesëtarët e një populli i ndiejnë përkundrejt dhe për sistemin social, politik dhe ekonomik që kanë krijuar; dhe 3) liria— situata në të cilën njerëzit kanë në dispozicion alternativa të ndryshme me të cilat mund t’i plotësojnë dëshirat individuale dhe kolektive duke pasur mundësinë të zgjedhin sipas vullnetit dhe preferencave të tyre.
Në shtator të vitit 2000, 189 anëtarë të OKB-së u morën vesh për arritjen e tetë Qëllimeve Zhvillimore të Mileniumit (Milleneum Development Goals) duke u betuar që do të bëjnë përparim substancial për zhdukjen e varfërisë ekstreme dhe urisë, mundësim të shkollimit primar në tërë botën, eliminim të pabarazisë gjinore, ulje të mortalitetit të fëmijëve, përmirësim të shëndetit të nënave, luftim të virusit HIV dhe sëmundjeve si SIDA, malaria dhe sëmundje tjera me rrezikshmëri epidemike, ruajtje të ambientit dhe krijim të një partneriteti global për zhvillim.
Republika e Shqipërisë si anëtare e OKB-së është bashkëzotuese për këto qëllime fisnike dhe Republika e Kosovës si shtet që mëton anëtarësimin në OKB duhet të përqafojë dhe përmbushë të tetë qëllimet. E ardhmja e varfërisë dhe zhvillimit tashmë janë të kodifikuara në nivel global dhe qeveritë që nuk punojnë t’i jetësojnë synimet mileniumale të OKB-së dhe që nuk përfshihen në aplikimin e zgjedhjeve që propozon ekonomia zhvillimore janë të destinuara të përmbysen. Madje mund të thuhet që rreziku më i madh ekonomik— e në esencë— ekzistencial i kombit shqiptar është dhe do të jetë varfëria. Si çdo kund në botë, ashtu edhe ndër shqiptarë, nuk mund të ketë dy të ardhme: një për një pakicë të pasurish dhe një për një shumicë të madhe të të varfërve. Në fjalët e një poeti— ose do të ketë një të ardhme për të gjithë, ose për askënd!