Mbrëmjen e së premtes, një nga pikat më të frekuentuara turistike, Kalaja e Ulqinit ka dhuruar një spektakël të përmasave të mëdha. 31 vajza bukuroshe të mbledhura nga të gjitha trevat e Shqipërisë kanë ndezur qytetin turistik të Ulqinit dhe kanë kthyer vëmendjen tek një tjetër monument i rëndësishëm i historisë shqiptare. Kombinimi i mureve të vjetra, të larta, me skenografinë madhështore të ndërtuar nga Rebus Studio dhe ndriçimin e Franco Ferrarit i kanë dhënë mundësi, “Deliart Association” të mendojë një spektakël të përmasave të mëdha, i cili është ndjekur me një interes të jashtëzakonshëm jo vetëm nga qytetarët e Ulqinit, por edhe nga një numër i madh qytetarësh të ardhur nga Shqipëria dhe Kosova. Kështu spektakli i së premtes ka mbledhur si asnjëherë tjetër spektatorë pasionantë rrëzë kalasë madhështore të qytetit bregdetar.
Pas disa sfilatave të vajzave konkurrente, përzgjedhjes së dhjetë më të mirave dhe një votimi të menduar nga juria e këtij viti, fituese e këtij edicioni të spektaklit të bukurisë është shpallur 19-vjeçarja nga Tirana, Anisa Petrela. Ndërkaq shoqëruesja e parë e Miss-it është shpallur Kristi Pejo, 20 vjeçe nga Tirana dhe shoqëruese e dytë, 22-vjeçarja nga Shkupi, Sara Ymeri.
Si destinacion final të këtij edicioni të “Miss Shqipëria”, organizatorët zgjodhën këtë vit kalanë e Ulqini. I dëshmuar si vendbanim që nga periudha parahistorike të dhënat arkeologjike dhe histori-grafike mbi Ulqinin flasin qartë se historia më e lashtë e këtij qyteti mijëvjeçar zë rrënjë në truallin e qytetërimit ilir dhe si i tillë, ky është një nga qytetet më të vjetra dhe më interesante të Adriatikut që zhvillimin më të lartë e arriti në kohën e mbretërisë së Ilirëve. Pra, një destinacion që i vjen për shtat misionit të konkursit shqiptar të bukurisë një Miss-një kala. Nën këtë efekt u ideuan edhe elementët e show-, të cilët ofruan një spektakël me të ftuar dhe surpriza të shumta. Nën drejtimin e prezantueses e këngëtares Orinda Huta në “Miss Shqipëria” performuan disa nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare, si Irma Libohova, Aleksandër Gjoka, Elton Deda, Redon Makashi, Mihrije Braha etj, të cilët krijuan tjetër atmosferë mes vajzave që konkurronin për titullin e më të bukurës shqiptare, por edhe në publik. Ndërsa anëtarët e jurisë së këtij viti ishin emra të rëndësishëm në artit, kulturës, medias, etj., të cilët ndanë disa fasha fituesesh. Prania e tyre këtë vit, ishte konceptuar krejt ndryshe nga herët e tjera. Kledi Kadiu, Arlinda Dudaj, Virgjil Kule e Ylljet Aliçka, si anëtarë të kësaj jurie u bënë paksa edhe prezantues, ndërsa ndanin disa prej trofeve të këtij eventi si, “Miss Inteligjenca”, “Miss Kinemaja”, “Miss Press”, “Miss Buzëqeshja”, etj.. Pjesa tjetër e jurisë, Holta Dulaku, Amarda Toska, Mark Frroku, Ardit Cela, kryetari i komunës së Ulqinit, Fatmir Gjeka dhe Miss Shqipëria 2013, Florenza Lekstakaj kanë dhënë votat dhe vlerësimet e tyre për më të bukurat e këtij edicioni. Një çmim special u dha sivjet nga sponsori zyrtar i “Miss Shqipëria 2014”, Cotonella. Vajza e përzgjedhur për të mbajtur fashës e “Miss Cotonella” ishte 17-vjeçarja nga Elbasani, Lindita Idrizi, nxënëse për flaut në Liceun Artistik, e cila ka fituar njëherësh edhe një kontratë ekskluzive si imazh i Cotonella-s në Shqipëri. Ndërsa për fituesen e “Miss Shqipëria”, si çdo vit edhe sivjet Universiteti “Marin Barleti” ofron një bursë studimi. Me të tilla çmime, nata finale rrodhi shumë shpejt, nën ethet e një gare që sivjet u duk të ishte e fortë, por edhe një spektakli të bukur që ofruan të ftuarit specialë, artistë të kësaj mbrëmje.
Kështu është mbyllur rrugëtimi i këtij viti i “Miss Shqipërisë”, i cili si çdo vit edhe sivjet ka nisur tre javë më parë me rrugëtimin e bukurosheve nëpër trevat historike dhe kulturore të vendit tonë. Të premten e javës së kaluar konkurrentet kanë shijuar turin e Malit të Zi, pasi vizituan për dy javë të tjera zona historike dhe turistike të Shqipërisë. Rrugëtimi i “Miss Shqipërisë” sivjet filloi në qytetin e Vlorës, ku për dy ditë vajzat kanë vizituar bazën e Pashalimanit, duke prerë në një farë mënyrë edhe shiritin e moraturiumit, i cili deri tani ndalonte udhëtimin me mjete të motorizuara përgjatë bregut. Me anije turistike, ndryshe nga vitet e tjera ku vajzat janë shoqëruar nga policia dhe kanë udhëtuar me anije luftarake, ato kanë parë Karaburunin, bregun e pastruar të Vlorës dhe bukuritë natyrore të bregut shqiptar. Më pas turi ka vazhduar në Berat, ku janë vizituar dy qendra biznesi, partnere të “Deliart Association” dhe kanë ndalur në kala ku janë pritur nga banorët. Mali i Shpiragut ka qenë destinacioni i radhës ku janë realizuar etyde,janë vjelë qershitë, frutin e stinës nëpër frutoret e zonës, kanë parë Osumin dhe më pas i janë drejtuar qendrës së Shqipërisë. Në Kavajë janë zgjuar sërish emocionet e edicionit të dy viteve më parë në vizitën e bërë në Gosë, ku u realizua “Miss Shqipëria 2012”. Në Durrës gjithashtu vajzat, konkurrente të këtij viti, mbrëmjen e 12 qershorit kanë qenë protagoniste të një feste të organizuar në Los Locos Beach me veshjet e skuadrave më të njohura të futbollit në botë, me rastin e çeljes së kampionatit Botëror Brazil 2014. Pas kësaj grupi i është drejtuar Veriut, për herë të parë qytetit të Pukës, ku janë mirëpritur nga banorët dhe kanë qenë mysafiret speciale të haneve, vizitore të Muzeut të qytetit, bukurive natyrore dhe historike që ruan ky qytet me shtrirje të madhe gjeografikë. Më tutje në Malësinë e Bogës, vajzat kanë qenë protagoniste të një really, destinacioni final i së cilës ka qenë Thethi. Të tjera bukuri natyrore dhe mikpritje janë shijuar në Theth e më pas në Shkodër për t’u përmbyllur përtej kufirit me mbrëmjen finale të së premtes, në të cilën u shpall një tjetër mbretëreshë bukurie. Florensa Lekstakaj i ka dorëzuar kurorën Anisa Petrelës, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në “Miss Globe 2014”.
HUMBIN SHQIPTARËT NË ULQIN
NGA FRANK SHKRELI/
Thonë se bashkimi bën fuqinë, ndërsa përçarjet gjithmonë përfundojnë në disfatë. Kjo fjalë e urtë merr një domethënje të veçantë kur flitet për mungesën e bashkpunimit midis faktorëve politikë anë e mbanë trojeve shqiptare, por sidomos i përshtatet faktorëve politikë të shqiptarëve nën Ma të Zi, ku një grusht shqiptarësh janë të ndarë në një dyzinë partishë dhe faktorësh të tjerë politikë. Të djelën që kaloi, në Komunën e Ulqinit u mbajtën zgjedhjet për qeverinë e ardhëshme komunale. Sipas informacioneve nga media e Ulqinit, shumicën e vendeve në Kuvendin e Komunës së Ulqinit i fitoi, për herë të parë, në këto 20-e sa vitet e demokracisë faktori politik malazez, Partia Demokratike e Socialistëve, PDS.
Shumë nga problemet e sotëme të shqiptarëve në Mal të Zi mund t’i atribohen politikave të hershme dhe aktuale të Cetinës ose Podgoricës kundër interesave të shqiptarëve në trojet e veta, por humbja e faktorit shqiptar në zgjedhjet e fundit në komunën e Ulqinit duhet të vendoset aty ku e ka vendin — para dyerve të partive dhe faktorëve të tjerë politikë dhe udhëheqsve të tyre, në rrethin e Ulqinit. Gjatë dy dekadave të fundit, anë e mbanë trojeve shqiptare, krijimi i partive dhe faktorëve politikë është këthyer në një industri të vërtetë, por është një industri e cila nuk krijon punë për askënd, përveçse garanton vetëm punësimin e kryetarit të partisë,gjithmonë në kurriz dhe pa marrë shumë parasyshë interesin e përbashkët. Kjo ka ndodhur edhe në radhët e shqiptarëve nën Mal të Zi, por u vu në dukje haptas të djelën që kaloi, ku sipas dhënave mund të ketë pothuaj një dyzinë partishë dhe faktorësh të tjerë politikë, iniciativash qytetare e tjera, për një popullsi shqiptare që nuk i kalon 50 mijë banorë. Ndoshta një gjë e tillë nuk do të ishte aq katastrofale, nëqoftse atyre nuk do tu mungonte bashkrendimi i mirëfilltë i politikave dhe strategjive bashkrenduese, në interesin e përbashkët të popullësisë shqiptare të atyre anëve. Është e qartë se për derisa të vazhdojnë këto përçarje në radhët e faktorëve politikë të shqiptarëve në Mal të Zi, ata vet si udhëheqës dhe as problemet me të cilat përballen shqiptarët nën Mal të Zi, nuk do të merren seriozisht as nga Tirana as nga Prishtina, madje as nga ndërkombëtarët — por mbi të gjitha, as nga qeveria në Podgoricë, e cila do të vazhdojë të luaj me fatin e tyre politik dhe ekonomik, për derisa shqiptarët të mos kenë një strategji veprimi të përbashkët politike. Numëri i madh i këtyre partive nuk është asgjë tjetër veçse një fushë e përshtatshme për tu shfrytëzuar në bazë të thënjes së vjetër romake, “Divide et Impera”, përçajë e sundo.
Shpresoj që zgjedhjet e të djelës që kaloi në komunën e Ulqinit të jenë një zgjim nga gjumi, nga një ëndërr e keqe, dhe që të ketë tronditur politikanët shqiptarët të këtyre trevave. Si rrjedhim, ende ka mundësi për shpresë se ata do të shikojnë përtej interesave të ngushta të karrigave të tyre partiake dhe të bashkohen për interesin e përbashkët të shumicës së banorëve të Komunës së Ulqinit. Ende ka mundësi për ndreqjen e gabimeve para zgjedhore. Ka ende mundësi për shpëtim, ka ende mundësi që politikanët shqiptarë të riabilitohen, jo vetëm në sytë e banorëve të kësaj treve, por edhe në sytë e të tjerëve jashtë kësaj komune, qoftë mbrenda Malit të Zi, qoftë jashtë tij. Pasi nevojiten 17 vende për të qeverisur Komunën e Ulqinit, lind pyetja nëse a do të bashkohen tani në koalicion, të pakën tri partitë kryesore të shqiptarëve të cilat duke bashkuar forcat, do të përbënin shumicën dhe si të tillë do të mund të qeverisin përsëri Ulqinin?
Kjo besoj është dëshira e të gjithë shqiptarëve kudo, por sidomos e banorëve të Ulqinit të cilët duan një qeverisje që do të mbronte dhe do të mështeste interesat e tyre politike, ekonomike dhe kombëtare. Duke iu referuar udhëheqësve të tri partive kryesore të shqiptarëve, redaksia e faqes elektronike, Lajme Nga Ulqini, në një artikull me titull: “A do të bashkohen këta tre burra që të shpëtojnë fëtyrën e ulqinakëve”, pyetje me vend dhe me seriozitetin më të madh, drejtuar klasës politike të Ulqinit, duke nënvijuar siç duket shqetësimet e mëdha në radhët e banorëve të asaj komune. Duke shprehur shqetsimet e saja mbi të ardhmen e komunës, redaksia bën këto pyetje: “A do të bashkohen këta tre burra për të shpëtuar fytyrën e Ulqinakëve? Apo ndoshta këta tre burra nuk do të mund të merren vesh se kujt t’i takojë ulësja e kryetarit të qytetit, e kujt ajo e kryetarit të Kuvendit? A do mund të merren vesh këta burra se kush do udhëheqë me departamente të ndryshme të komunës? Apo ndoshta këta tre burra as që e kanë ndërmend të bisedojnë për një gjë të tillë? Ndoshta për ta ky opsion nuk do të shqyrtohet fare, ose do të shqyrtohet sa për sy e faqe, ashtu siç u shqyrtua opsioni i bashkimit për zgjedhjet parlamentare, e i cili dështoi ende pa nisur mirë. E kjo “tentativë” do ju shërbejë, si edhe më heret, për të fajësuar njëri tjetrin për dështimin e iniciativës. A do të mendojnë një herë të vetme këta tre burra për të mirën e qytetarit, për të mirën e shqiptarëve në Ulqin? Ne qytetarët gabuam, kush me dëshirë, kush nga mosdija, e kush nga kushtet e vështira me të cilat po manipulon shtresa politike. Por a do gabojnë edhe këta tre burra, e do lejojnë këtë njollë në historinë e Ulqinit të shqipeve? Nazif, Fatmir e Mehmet, mendojini mirë veprimet tuaja sepse ju do shkruani historinë tonë, ju do vizatoni të ardhmen tonë. Mos shkatërroni atë për çka të parët tuaj e tonët kanë dhënë edhe jetën. Mendoni mirë …”, shkruhet në faqen elektronike Lajmet nga Ulqini.
Përfundimi i zgjedhjeve të së djelës në Ulqin dhe gjëndja politike dhe ekonomike e shqiptarëve në Mal të Zi në përgjithësi, ndiqen me interesim të madh edhe nga diaspora e madhe në numër nga ato troje shqiptare, sidomos nga diaspora që ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Ameikës. Njëra prej organizatave që vepron në Nju Jork, Shoqata Shqiptaro-Amerikane, “Ana e Malit” e cila grumbullon rreth vetes shqiptarët e emigruar në Amerikë nga ato troje, i dërgoi një letër të hapur udhëheqësve të subjekteve politike të komunës së Ulqinit duke u bërë thirrje që tri partive kryesore të shqiptarëve dhe udhëheqsve të tyre, (Forcës së re Demokratike, Koalicionit “Për të Ardhmen e Ulqinit” dhe Unionit Demokratik të Shqiptarëve) që të bashkojnë fuqitë duke krijuar kështu një shumicë në kuvendin e komunës, ndonëse shumica dërmuese e kësaj komune janë shqiptarë. Letra e hapur e shoqatës “Ana e Malit”, shprehë ndjenjat e shumë shqiptarëve jo vetëm në diasporë, kurë shprehet se, “Apeli i ynë buron thjeshtë nga ndjenja e dashurisë sonë për vendlindjen dhe të ardhmen e saj. Tani është momenti që Ju të lëni në një anë interesat partiake, dhe vendimin Tuaj t’a bazoni në interesat e përgjithshme kombëtare apo në interesat e shumicës shqiptare të Komunës së Ulqinit. U jemi drejtuar me këtë rast pasi që juve u është dhënë edhe një mundësi e fundit që gjendjen ta ktheni në tabanin kombëtar dhe që asnjë subjekt politik shqiptar, të mos bëhet derë e hapur për dorëzimin e Komunës. Ju bëjmë thirrje që të shfrytëzoni këtë mundësi në favorin tuaj duke marrë parasyshë se çdo opcion tjetër shkon kundra interesit të pergjithshëm dhe do të mbani përgjegjësi dhe do të merrni gjykimin e përshtatshëm në faqet e historisë. Gjeneratat e ardhshme nuk do t’ju gjykojnë në bazë të asaj se çka është folur, por në bazë të asaj se si keni vepruar dhe koha është tani për të vepruar”, përfundon letra e kryesisë së Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Ana e Malit” në New York, drejtuar klasës politike të shqtarëve nën Mal të Zi.
Edhe po të doja, unë nuk mund të shprehesha ndryshe dhe as më mirë se nga thirrjet e mësipërme drejtuar ndërgjegjes së faktorëve politikë të shqiptarëve në rrethin e Ulqinit. Shpresoj që këto thirrje të mos jenë thirrje në shkretëtirë, por të plotësohet dëshira e popullit për unitet dhe strategji të përbashkët programesh për përmirësimin e jetës të të gjithë banorëve të asaj komune. Thirrjet e banorëve të komunës Ulqinit, të pasqyruara në shkrimin e agjencisë, “Lajme nga Ulqini” dhe letra e hapur e të mërguarve shqiptarë në Amerikë nga Ulqini me rrethe, për nga forca e tonit të ashpër, janë tepër dëshpëruese nga një anë, por edhe shpresëdhënse nga ana tjetër se udhëheqsit politikë të partive shqiptare nën Mal të Zi, më në fund do të tregojnë ndërgjegje dhe përgjegjësi të lartë morale dhe politike duke dëgjuar zërin dëshpërues por shpresëdhënës të shqiptarëve kudo, i cili thërret për bashkim të forcave politike shqiptare në Mal të Zi.
ULQIN: Nga Konferenca Shkencore ,,Masakra e Tivarit 1945″
Në Ulqin te shtunen me 30 mars u mbajt Konferenca Shkencore ,,Masakra e Tivarit 1945″, të cilën e organizoi Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Malin e Zi. Konferenca i zhvilloi punimet në dy seanca, ku morën pjesë shumë studiues të njohur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. U lexuan 16 kumtesa interesante në lidhje me këtë ngjarje të rëndë tragjike për shqiptarët që ndodhi 68 vite më parë.
Konferenca do të vazhdojë me punimet e veta edhe te dielen, më 31 mars 2013. Pas përfundimit të Konferencës, do të shkohet edhe në Tivar, të Monopoli i duhanit, në Breg të Tivarit, aty ku ndodhi kjo masakër dhe do të vendoset një kurorë me lule. Ishte kjo Konferenca e parë që organizohet për këtë ngjarje të dhimbshme, për këtë masakër, për këtë gjenocid të paparë ndaj trimave kosovarë.