Në Universitetin Shtetëror të Arizonës/
SHËNOHET 15-VJETORI I KURSIT TË SHQIPES/Nga Hajro HAJRA/
Pesëmbëdhjetë vjet më parë, në verën e vitit 2002, në mjediset e Universitetit Shtetëror të Arizonës (Arizona State University), si një zonjë hijerëndë, erdhi e u fut gjuha shqipe, kjo gjuhë perëndie, siç e kanë quajtur rilindësit, ose gjuhë kozmike, siç e ka quajtur Petro Zheji, gjuhë e cila përgjatë një muaji e gjysmë të verës dëgjohet, flitet e mësohet nga studentë, kryesisht amerikanë, po edhe nga studentë shqiptarë, falë Institutit të Gjuhëve të Rrezikuara (Critical Languages Institute) të Qendrës Melikian të Universitetit Shtetëror të Arizonës (ASU Melikian Center) dhe falë zellit e punës së palodhshme të mësueses fjalëmbël Linda Mëniku.Në 15-vjetorin e fillimit të kursit të gjuhës shqipe, më 26 qershor 2017, ky institut organizoi një manifestim për të kujtuar këtë ngjarje shumë të rëndësishme e të veçantë. Themi të veçantë, ngase ky është i vetmi universitet i SHBA-ve, ku, krahas gjuhëve të tjera, si armenishtja, boshnjakishtja-kroatishtja-serbishtja, hebraishtja, indonezishtja, jidishtja (gjuhë e hebrenjve ashkenazë, ose hebrenjve gjermanë), persishtja, polonishtja, rusishtja, tatarishtja, turqishtja dhe uzbekishtja, mësohet edhe shqipja.
Manifestimin, në të cilin morën pjesë afro 100 veta (shqiptarë e amerikanë), e hapi zonja Kathleen Evans-Romaine, drejtoreshë e këtij instituti, e cila për 15 vjet me radhë ka bërë çmos që ky kurs të vazhdojë të mbahet deri më sot. Pas fjalës përshëndetëse, ajo ftoi para mikrofonit 6 studentët e sivjetshëm të këtij kursi, që të gjithë amerikanë (Travis Nielson, Taylor Moore, Christopher Kinley, Aleksej Demjanski, Joseph Casavecchia dhe Emily Barnes), që ta prezantonin veten para të pranishëmve. Njëri prej tyre, Taylor Moore, më vonë, gjatë bisedës, na tha se kishte rrënjë shqiptare, ngase i ati i gjyshes së tij ishte arbëresh, ndërkaq studenti Travis Nielson, i cili kishte qëndruar në Kosovë 9 muaj, gjatë gjithë kohës e mbante plisin në kokë, në shenjë nderimi e dashurie për shqiptarët.
Pasoi fjala e zotit Stephen Bataldin, profesor, ish-drejtor i Institutit të Gjuhëve të Rrezikuara, i cili ka meritën se bashkë me zotin Shahin Berisha i ka vënë themelet e Kursit të Gjuhës Shqipe në kuadër të këtij instituti. E drejta, fjala e tij ishte historik i përmbledhur i këtij kursi, që nga themelimi, në vitin 2002, deri më sot. Veç të tjerash, zoti Batalden tha se programi i gjuhës shqipe është i vetmi program (dhe është i vetmi program i këtij lloji për gjuhët më pak të mësuara), që ka nxjerrë më shumë se 25 bursa ndërkombëtare Fulbright dhe NSEP/Boren. Ky është një nder shumë i madh për programin, për pedagogen e tij dhe për Institutin e Gjuhëve të Rrezikuara. Pastaj, programi i shqipes është i vetmi program të cilin e kanë ndjekur 125 studentë në 15 vjet. Ky numër është sa dy të tretat e studentëve të kurseve të të gjitha gjuhëve të tjera.
Më tutje zoti Batalden tha: – Dua t’jua kujtoj se program i gjuhës shqipe në Universitetin Shtetëror të Arizonës nuk ka filluar si program i gjuhës shqipe, por si partneritet edukimi i Departamentit të Shtetit me Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2001, pas luftës në Kosovë dhe pas fushatës së bombardimeve të NATO-s më 1999, Qendra Melikian e Universitetit Shtetëror të Arizonës kishte aplikuar në konkursin për fonde për ndërtimin e kapaciteteve të Universitetit të Prishtinës dhe një vit më vonë kishte filluar si kurs i shqipes, për të vazhduar deri më sot dhe për këtë meritë të madhe ka Shahin Berisha, profesor në GateWay Cummunity College, të cilin kemi nderin ta kemi sonte këtu.
Pjesë e fjalës së tij ishte doemos edhe Linda Mëniku, për të cilën zoti Batalden tha fjalët më të mira që mund të thuhen për një pedagoge, së cilës para përfundimit të programit do t’ia japë një mirënjohje për kontributin shumë, shumë të madh në mbarëvajtjen e Kursit të Shqipes, në mbajtjen gjallë të këtij kursi për 15 vjet me radhë.
Pas pjesës së parë të manifestimit, përgatitur nga përfaqësuesit e Institutit Melikian, filloi pjesa e dytë e programit, përgatitur nga anëtare të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan të Arizonës. Fillimisht u intonuan Himni i Flamurit dhe Himni i Kosovës dhe mikrofoni ishte për zonjushën Rina Hajra, aktore filmi e juriste, edhe kjo ish-kursiste e shqipes, e cila ftoi në podium motrat Nora e Arba Hajra, po ashtu ish-kursiste të shqipes. Njëra shqip, tjetra anglisht, ato falënderuan Institutin, i cili ua kishte mundësuar atyre dhe studentëve të tjerë për ta ndjekur kursin, duke u dhënë edhe bursa studimi studentëve që nuk kishin mundur t’i përballonin shpenzimet. Një falënderim i posaçëm ishte për pedagogen Linda Mëniku, një njohëse e shkëlqyeshme e shqipes dhe e anglishtes (pa zënë ngoje këtu gjuhët e tjera që i njeh, por që nuk i hyjnë në punë këtu), e cila ishte shumë më tepër se një pedagoge.
Pastaj mikrofonin e mori 12-vjeçari Dion Bejta, lindur në Amerikë, i cili recitoi poezinë e Naimit “Gjuha jonë”, pasoi një valle, Vallja e Logut, luajtur nga vajza e talentuar korçare, Xhesina Fidani, për të vazhduar me një tjetër pikë recitimi, me disa vargje nga “Bagëti e Bujqësia”, recituar nga Erza Gashi.
Në podium sërish doli zoti Batalden (bashkë me zotin Lee Croft dhe me zotin Shahin Berisha) dhe ftoi Linda Mënikun për t’ia dhënë mirënjohjen, me të cilën ajo shpërblehej për punën e jashtëzakonshme e sakrificën që kishte bërë gjatë një dekade e gjysmë, që nga themelimi i Kursit të Shqipes, deri më sot.
Linda Mëniku, e emocionuar dhe krenare njëherësh, foli për punën e deritashme dhe falënderoi gjithë ata që kishin vënë nga një gur në kështjellën, institucionin që për kaq vjet me radhë po e trajton shqipen si bijë të veten.
Pasuan disa valle, luajtur nga valltaret e Grupit të Valleve “Ora”, Xhesina Fidani, motrat Erza e Mjellma Gashi dhe motrat Vlera dhe Nesa Syla.
Pas valleve që u shpërblyen me duartrokitje të gjata të publikut, në podium doli profesori nga Kosova, Shahin Berisha dhe, plot modesti, foli për rrugëtimin e tij që nga ardhja në SHBA me bursën e Programit Fulbright, e deri më sot. Duhet shtuar se zoti Berisha ka dhënë një kontribut të madh, përveç në themelimin e Kursit të Shqipes, edhe në bashkëpunimin ndërmjet Universitetit Shtetëror të Arizonës dhe Universitetit të Prishtinës.(Te plote lexojeni ne Diellin e Printuar)