Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Philip Reeker uroi dje Lulzim Bashën për zgjedhjen si Kryetari i ri i Partisë Demokratike. Reeker ka qenë ndër të parët që kanë uruar Bashën për zgjedhjen në krye të partisë më të madhe në vend. Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Philip Reeker është një nga njohësit më të mirë të zhvillimeve politike në Shqipëri. Ai është takuar disa herë me Bashën si në Departamentin e Shtetit edhe në Tiranë.
Mesazhe të shumta urimi, Kryetari i sapozgjedhur, Basha ka marrë nga shumë personalitete të larta brenda dhe jashtë vendit, nga përfaqësues të trupit diplomatik etj. Kryetari i ri i PD ka marrë mesazhe urimi edhe nga Kryetarët e Partive Aleate të Partisë Demokratike, nga Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, nga Kryetari i LZHK, Dashamir Shehi etj. Mesazhe të veçanta urimi Basha ka marrë edhe nga liderët e Kosovës.
Thaçi: Basha, zgjedhje përmes demokracisë dhe konkurrencës
Kryeministri i Kosovës, njëkohësisht, Kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi uron Lulëzim Bashën me rastin e zgjedhjes kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë.
“I nderuar kryetar Basha! Kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të Partisë Demokratike të Kosovës dhe në emrin tim t’Ju përgëzoj pë zgjedhjen në krye të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Zgjedhja juaj kaloi nëpër një proces demokratik, transparent dhe të konkurrencës së lirë, shenjë se kultura demokratike në shoqërinë shqiptare po krijon traditë të mirë edhe në këtë rrafsh të rëndësishëm të konsolidimit të vlerave. Duke shprehur urimet më të sinqerta Ju sigurojmë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe thellimit të marrëdhënieve midis PDK-së dhe PDSH- së në shërbim të forcimit të raporteve midis dy vendeve tona, me synim për promovimin e vlerave të përbashkëta në planin e brendshëm dhe me vizion të integrimeve euroatlantike, në planin global. Partia Demokratike Shqipërisë nën drejtimin tuaj besoj se do ta luaj rolin adekuat në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Shqipëria”.
Haradinaj: Udhëheqje të sukseshme Bashës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj i përcolli urimet më të mira Kryetarit të sapozgjedhur të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha. Haradinaj i uroi kryetarit Basha punë të mbarë dhe udhëheqje të suksesshme në krye të PD-së, me bindjen se do të vazhdojë bashkëpunimin e deritashëm midis PD-së dhe AAK-së, në kuadër të memorandumit për bashkëpunim, që ekziston midis dy subjekteve, si përfaqësuese të spektrit të djathtë politik shqiptar. Haradinaj, gjithashtu, i ka shprehur kryetarit Basha suksese në konsolidimin e mëtejshëm të PD-së dhe të së djathtës në Shqipëri, si alternativë e zhvillimit dhe prosperitetit kombëtar në familjen madhe të vlerave euro-atlantike. Gjithashtu, kryetari Haradinaj e ka falënderuar dhe përgëzuar kreun e deritashëm të PD-së dhe kryeministrin Sali Berisha për punën e madhe dhe me ndikim të jashtëzakonshëm në krye të PD-së dhe të Republikës së Shqipërisë në të gjitha fazat dhe proceset e deritashme të tranzicionit, zhvillimit ekonomik dhe prosperimit demokratik të Shqipërisë, që prej rënies së komunizmit dhe deri sot.
Isa Musatafa: Zgjedhja e Bashës, shembull i vërtetë
Edhe Kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës uroi Lulzim Bashën për zgjedhjen si Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë. “Kemi kënaqësinë e veçantë të konstatojmë se ky proces ishte një shembull i vërtetë i kulturës politike e demokratike jo vetëm për klasën politike në Shqipëri, por edhe për gjithë rajonin. LDK-ja e çmon lart kontributin e jashtëzakonshëm të PD-së dhe të kryetarit të deritanishëm të saj, kryeministrit Sali Berisha, për konsolidimin e shtetit shqiptar dhe integrimin e tij në strukturat euroatlantike, si dhe për mbështetjen e përhershme dhënë Kosovës, lirisë dhe pavarësisë së saj”, thuhet në kumtesën e LDK-së. Ai Në mesazhin e urimit vlerësohet se LDK dhe PD do ta vazhdojnë traditën e bashkëpunimit të ngushtë në mes vete, e cila është trasuar nga drejtuesit historikë, presidenti Rugova dhe kryeministri Berisha.
Topalli: Sa më shpejt demokratët drejt fitores
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i ka uruar kryetarit të ri, Lulzim Basha fitoren sa më të shpejtë të Partisë Demokratike nën udhëheqjen e tij. Në profilin e saj në Facebook, Topalli vlerësoi edhe ringritjen që anëtarësia i bëri me votën e dhënë më 22 korrik Partisë Demokratike. “Në një moment të vështirë të Partisë Demokratike, demokratët u ngritën për t’i dalë zot partisë së tyre! Me pjesëmarrjen e tyre në çdo takim, gjatë dy javëve të fushatës për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike, me qytetarinë dhe emancipimin e tyre, demokratët dëshmuan shpirtin e idealeve, mbi të cilat u lind dhe punoi kjo parti. Të vetëdijshëm për nevojën e ringritjes, të vendosur për t’i dalë zot asaj, në ditë të vështira, të bindur se Partia Demokratike kishte nevojë më shumë se kurrë për anëtarësinë e saj, demokratët e bënë garën një proces emancipues, të veçantë, të civilizuar dhe demokratik. Sot, Partia Demokratike ka një kryetar të ri dhe uroj që ai t’i çojë sa më shpejt demokratët drejt fitores! Mirënjohje të thellë anëtarëve dhe anëtareve të Partisë Demokratike për shpirtin e tyre të paepur, zemrën e tyre të madhe, besimin dhe vullnetin e fortë për t’u ringritur”, shkruan Topalli.
Selami: Basha do ta udhëheqë PD drejt fitores
Eduard Selami ka uruar kreun e ri të PD-së, Lulzim Basha, duke shprehur bindjen se ai do të udhëheqë PD-në drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme. Në profilin e tij zyrtar në FB, Selami vlerëson procesin zgjedhor për kreun e ri të Partisë Demokratike. “Urimet më të mira demokratëve për zgjedhjen e kryetarit të ri. Kjo ishte një garë, ku PD shpalosi vlerat e saj më të mira. Uroj zotin Basha për detyrën e re dhe shpreh bindjen që do ta udhëheqë PD në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme” shkruan ai.