GËZUAR KRISHTLINDJET DHE VITIN E RI!/
Nga Dr. Gjon BUCAJ/
Të nderuem vatranë, /
Të nderuem bashkatdhetarë;/
Më lejoni t’ju uroj: Për shum mot Krishtlindjet! Gëzime e shëndet të gjithëve në Vitin e Ri e përgjithmonë! Le të shpresojmë se ky Vit i Ri do të sjellë ma shumë arritje për Kombin tonë, ma shumë arritje edhe për Vatrën tonë.
Ashtë për të ardhë keq që në prag të festave shqiptarët morën lajmin e refuzimit të marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Një notë pakaluese kjo për klasën politike shqiptare.
Për “Vatrën”, viti që po lamë pas shënoi një pikë kulmore me Kuvendin që u mbajt me 28 Prill, një vjetë pas kremtimit të 100 vjetorit të themelimit të saj.
Në Kuvend morën pjesë shumë antarë e dashamirë të “Vatrës”. Punimet u zhvilluen me pjesëmarrjen e delegatëve që përfaqësonin degët, nga një delegat për 10 antarë. Gjatë këtij viti asht punue dhe vazhdohet me ristrukturimin organizativ të “Vatrës” dhe me disa ndryshime në nenet e Kanunores që rregullojnë funksionimin organizativ të saj, pa ndërrue pikat themelore. Ky vit, sidomos prej Kuvendit e deri në Kuvendin e ardhshëm, asht koha e përgatitjes së ndryshimevet që do t’i paraqiten Kuvendit të ardhshëm për aprovim. Funksionimi i degëvet dhe rritja e vazhdueshme e numrit të antarëvet, e shtojnë optimizmin për të ardhmen e “Vatrës”.
Ndër aktivitetet e Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, përveç Kuvendit, dallohen edhe aktivitete të tjera, si vizita e Presidentit Nishani dhe pritja e “Vatrës” me darkë në shtator, takimi me Kryeministrin Edi Rama dhe dorëzimi i një liste të arritjevet që “Vatra” dëshiron të realizohen nga koalicioni i ri qeveritar në Shqipni; roli i Degës së Michigan-it në organizimin e darkës për Presidentin Nishani në komunitetin e atjeshëm, kremtimi i njëvjetorit të themelimit të Degës në Jacksonville-Florida bashkë me Ditën e Flamurit, vizita delegacionesh e personalitetesh në “Vatër” dhe aktivitete të tjera kulturore, promivime librash, kremtimi i përvjetorit të pavarësisë në New York ,vazhdimësia e gazetës “Dielli” pa ndërpremje që nga shtatori i vitit 2009, numri special i saj dhe publikimi i përditshëm në online i “Diellit”, shtimi i bashkëpunëtorëve nga mërgata dhe trojet e vendlindjes, etj.
Vatrës për të ardhmen i urojmë: hapjen e degëve të reja dhe rregullimin e funksionit të degëvet në përgjithësi me kanunore dhe rritjen e konsiderueshme të numrit të antarëve, suksese në organizimin e kremtimit të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, promovimin e librit mbi Kosovën (anglisht) të Jusuf Buxhovit dhe promovime tjera, si dhe Kuvend të suksesshëm në prill e tjera.
Viti që shkoi për kombin tonë në përgjithësi regjistroi si ngjarje zhvillimin e zgjedhjevet parlamentare në Shqipni dhe ato lokale në Kosovë, që u cilësuen nga ndërkombëtarët si ma të mirat deri tash. Mjerisht nuk erdhi ndonji dobi në rrugën e integrimeve, për asnjanin shtet shqiptar, kryesisht për shkak të korrupsionit dhe për arsye të tjera.
Urimet dhe deshirat tona për vitin 2014 janë të shumëta, por kryesisht le të shpresojmë të shohim luftë efektive kundër korrupsionit; zhdukjen e konfliktualitetit politik dhe bashkëpunimin konstruktiv në interes të vendit, në mes të qeverisë dhe të opozitës në Shqipni e në Kosovë; bashkëpunim në mes partive politike shqiptare edhe në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Kosovën Lindore, angazhim institucional për zgjidhjen e drejtë të çështjes Çame; ma tepër randësi harmonisë ndërfetare të shqiptarëvet, angazhimin e institucionevet shtetnore, qeveritare e kulturore në përkrahjen dhe mbrojtjen e klerikëvet dhe institucionevet fetare që i shërbejnë me përkushtim fesë e kombit, ma shumë angazhim për pengimin e ekstremizmit radikal pas të cilit janë anmiqtë tanë shekullorë; shkëputjen jo afrimin e së kaluemes së diktaturës komuniste; dënimin e krimeve dhe të kriminelëve komunistë, ligjin e lustracionit; përforcimin e vlerave të mirëfillta morale e kombëtare.