Opinion Nga Ilir Levonja/
Fitoret e tipit me mbi 80%, nuk vinë nga zgjedhjet, por nga votimet. Se ku është diferenca mes zgjedhjeve dhe votimeve, kujtoni ato të kohës që bëheshin me saze. Këtë bëri edhe dje grupi rreth Lulzim Bashës të ashtuqujtur Partia Demokratike. Ndaj ata që iu gëzuan më shumë kësaj fitore ishin qeveria, fanatikët brenda PD-ës që çdo zë ndryshe e trajtuan si armik të klasës, popullit dhe pa dyshim të liderit a kultit të tij të individit. Fal internetit shumë drejtues qarqesh postonin me krenari se në zonat e tyre votimi kishte përfunduar me mbi 95% pro liderit aktual. Ata që e konsiderojnë këtë një fitore të thellë nuk kanë bërë asgjë tjetër vetëm sa kanë firmosur opozitarizmin e përjetshëm. Kanë çimentuar kultin e individit dhe kanë brejtur më shumë të djathtën apo Partinë Demokratike. Dhe nuk janë të rastësishëm, pasi janë pikërisht ata me të cilët Lulzim Basha humbi zgjedhjet e përgjithëshme. Nderi e donte që jo vetëm Lulzim Basha, por edhe grupi rreth tij, deri sa i humbën zgjedhjet duhet të hapnin krahun. Nuk e bën, ndaj edhe këto dy javë ne pamë një luftë të ashpër brenda familjes si me përjashtime, bllokim listash, sms për mos pjesmarrje, një ligësi dhe trysni karshi çdo anëtari, presione a trysni që kurrë nuk ndodhi në zgjedhjet e përgjithëshme. Ishte një shanc i madh edhe për vendin, mbase ai elektorati gri, shqiptarët nuk do dëgjonin më broçkullat e dështimit në lidhje me gjoja korrupsionin e Berishës, Bashës. Mbi vilat e gjirit të Lalzit etj. Mbi pasuritë e Ilir Metës dhe varfërinë e epike të pushtetarëve të majtë. Por nuk ndodhi… Kjo makineri do rizgjohet rishtas. Po ashtu edhe sytë nga krahu djathtas do ngopen me denoncimet dixhitale të Sali Berishës, denoncime që nuk sjellin asnjë dobi tjetër, vetëm pushtetin e Edi Ramës. Madje çdo protestë civile do mbetet po aq pa përkrahje nga opozita, për faktin e thjeshtë, emrat fitues nuk ngjisin. Nuk u afrohen dot…, janë të pabesueshëm, të konsumuar dhe të kompromentueshëm. Sado deklarate bombë të bëj Sali Berisha, është një oxhak i fikur. Kjo për arsyen më miturake, atë të kohës. Koha është një hon gjigand dhe lum kush e kupton këtë. Ata që rrojnë me kujtimet janë robër të saj, jo misionarë të vetvetes dhe vendit ku jetojnë. Nëse sot e djathta do kishte bërë zgjedhje normale, do kishte pa asnjë diskutim një lidership të ri. Por nuk e bëri. Dhe kjo ka një shpjegim të vetëm. Sot e djathta nuk i shërben më ineteresave të qytetarëve, por të disa emrave brenda saj. Interesave të tyre familjare, bizneseve. Ashtu si qeveria komçesioneve dhe oligarkëve. Një dualitet i turpshëm që po e vdes atë vend.