Dy ditë përpara se Ilir Meta të udhëtonte për në Greqi, nisi më parë të dërguarin e tij, deputetin Vangjel Dule, i cili qëndroi në Greqinë e Veriut duke bërë takime me drejtues të lartë të degës së PS-së në emigracion./
Ilir Meta nisi Vangjel Dulen t’i përgatiste vizitën në Greqi/
Vizita tre ditore e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta i shoqëruar nga një grup me shumicë deputetësh me kombësi greke, më shumë i ngjau një vizite të kryetarit të LSI për fushatë elektorale se sa një burri shteti. Mediat greke të printuara nuk i kanë kushtuar asfare vëmendje vizitës së Ilir Metës. Asnjë gazetë nuk botoi, qoftë një fotografi nga takimet e tij me personalitetet greke në ballinë. Kryetari i partisë opozitare më të madhe, Demokracisë së Re, Qiriako Micotaqi nuk e takoi Ilir Metën. Kuvendi i Greqisë nuk lejoi që kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta të mbante një fjalim tradicional, ashtu si e do zakoni në vizita të personaliteteve shtetërore.Kryetari i Kuvendit Ilir Meta e shfrytëzoi vizitën tre ditore në Greqi më shumë për të bërë fushatë partiake se sa shtetërore. Dy ditë përpara se Ilir Meta të udhëtonte për në Greqi, nisi më parë të dërguarin e tij deputetin Vangjel Dule, i cili qëndroi në Greqinë e Veriut duke bërë takime me drejtues të lartë të degës së PS-së në emigracion.
Më 8 tetor, Vangjel Dule bëri një takim në Selanik me anëtarët e OMONIA, PBDNJ dhe anëtarët e PS-së, ku midis tyre ra në sy pjesëmarrja e kryetarit të degës së PS-së në Selanik, Spiro Janaqi (Ilir Hyqmet Hoxholli nga Korça), i cili ka miqësi të vjetër me Ben Blushin e Vangjel Dulen. Gjatë këtij takimi Vangjel Dule foli rreth dështimit të kryeministrit Rama dhe përkrahjen që duhet t’i jepet LSI-së si parti pragmatike. Gjatë takimeve në Greqinë e veriut Vangjel Dule shoqërohej nga Spiro Janiqi, kryetar i degës së PS në Selanik dhe Anxhela Filu, drejtuese e lartë e degës së partisë greke Demokracia e Re. (Kjo Anxhela Filu ka disa libreza partiake, të cilat i nxjerr sipas nevojës ditore, herë të partive greke e herë të partive shqiptare).
Vangjel Dule gjatë takimeve me emigrantët shqiptarë u ka premtuar që nëse votohet PBDNJ në të ardhmen, ai do të ndikojë pranë institucioneve greke për përshpejtimin e dhënies së shtetësisë greke për shqiptarët që kanë aplikuar. (Në vitin 2013, Vangjel Dule u ka premtuar votuesve shqiptarë të Vranishtit të Qarkut të Vlorës që nëse votojnë PBDNJ, ai do ndikojë në Ministrinë e Brendshme të Greqisë për dhënien e shtetësisë greke për këta shqiptarë).
Gjatë kohës që Ilir Meta dhe Vangjel Dule ishin në Athinë bënë edhe disa takime me drejtuesit e disa shoqatave të emigrantëve që njihen si mbështetës të fortë të PS. Ata u takuan edhe Edmond Gurin, kryetar i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi, i cili kohët e fundit po bën përpjekje bashkë me disa drejtues të shoqatave shqiptare në Itali për themelimin e Partisë së Emigrantëve.