Medaljoni varëse kameo me portretin e Skënderbeut, vepra e parë artistike për Heroin Kombëtar /
NGA FOTAQ ANDREA-Strasburg/
– Letër profesor Lutfi Aliajt, Siena, Itali./
I dashur Prof. Luti, i dashur mik,/
Studimi juaj “Medaljoni – varëse (cammeo) me portretin e Gjergj Kastriotit” në British Museum të Londrës”, botuar në VOAL, qershor 2018, sillte të dhëna të reja me mjaft interes për këtë vepër artistike nga më të hershmet e më të bukurat me portretin e Skënderbeut, duke e çuar hapa përpara historinë e artit figurativ kastriotin. Konkluzioni juaj se kjo varëse, me gurë të çmuar e me vlera të rralla, duhet të jetë punuar në Venedik nga artistë me emër dhe mbi të gjitha, duhet të jetë mbajtur në gjoks nga Donika Kastrioti, Zonja e Parë e Madhe e Arbrit, është rrjedhojë e një analize të hollësishme që ju i bëni aq bukur kësaj vepre të mrekullueshme, në rrafsh historik, por edhe artistik. Me të drejtë, ju shtroni një seri pyetjesh që kërkojnë përgjigje, dhe konkretisht: “Kush e porositi këtë medaljon varëse?”; “Kush e skicoi, gravuroi, punoi atë portret?”; “Ku dhe kur u prodhua?”; “Kush ishte pronari i saj?”; e më në fund: “Kush ishte personi që e shiti në shekullin XVI tek koleksionisti i njohur Hans Sloane?”.
Pyetjet tuaja, në rolin e studiuesit serioz e metikuloz, i dashur Prof. Luti, janë me vend dhe tepër të vështira për të marrë përgjigje të saktë pas gati gjashtë shekujsh që nga koha e prodhimit të këtij medaljoni. Por, ne nga ana jonë (“ne” në kuptimin modest kolektiv të studiuesit), do orvatemi paksa të depërtojmë në labirintet e kohës për të parë më nga afër jo vetëm kuadrin historik e artistik të atij Venediku ku gëlonin qindra e mijëra artistë e artizanë, vendas dhe të huaj (e domosdo edhe artizanë arbër të mbledhur në shekujt XIV-XVI në “Calle degli Albanesi”), por edhe për të shqyrtuar disi kuadrin politik e diplomatik të Republikës së Sinjorisë me shtetin e Arbrit dhe me Skënderbeun, që të kuptojmë më mirë e më thellë simbolikën e këtij portreti të Skënderbeut shfaqur në gur oniks.
Për të saktësuar diçka nga historiku që ju i bëni këtij portreti medaljon-varëse, kujtojmë se antikuari i shquar, shqiptaro-kanadezi Dritan Muka hyri në korrespondencë me British Museum Images në dhjetor 2008, pas orvatjeve të para që kishte bërë që në qershor 2007, për të kërkuar të bëhej publike në internet një foto e portretit të Skënderbeut në varësen cammeo, (fig.1) sigurisht kundrejt rregullave në fuqi dhe
Fig. 1
pagesës përkatëse. Synonte në këtë mënyrë të shuante çdo pikëpyetje dhe çdo dyshim që figuronte në katalogimin e këtij portreti ku vihej në dukje konkretisht: “Text from Dalton 1915, Catalogue of Engraved Gems: Burlington Magazine, xxiv, 1913, p. 31. The head resembles that of Scanderbeg (nënvizimi ynë). Cf. Marius Barletius, Historia de vita et Gestis Scanderbegi Epirotarum Principis, Rome, 1501 or 1510, Frontispiece, opp. p. 1. Cf. also British Museum, Catalogue of Early Italian Engravings, by A.M. Hind, Section A. 1; and Stowe MS. 697. fol. 180.” Vetë kartelizimi i kësaj vepre, përmban shenjën (?) pikëpyetje, shfaq dyshim, përderisa nuk ekziston asnjë shënim i shkruar, asnjë provë a tregues kohor se bëhet fjalë këtu për portret të Skënderbeut. Veçse, nga studiuesit e huaj theksohet se Koka i ngjason asaj të Skënderbeut, mbi bazë krahasimore me portretin e Skënderbeut te botimi i parë i Barletit në latinisht.
Ne nga ana jonë, të bindur që kishim të bënim jo vetëm me një portret origjinal të Skënderbeut, por edhe me një portret të ri të tij, nga më të hershmit e të paparë ndonjëherë, nxituam ta paraqesim këtë portret publikisht e gjithë entuziazëm në ekspozitën tonë “Shpirti i arbrit ndër shekuj”, çelur në Muzeun Historik në maj 2012, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Sigurisht, reagimet nuk do të vononin në media, dhe ndonjë studiues do të angazhohej me shkrim kushtuar kameos. Por ju, i dashur prof. Luti, na dhatë kohët e fundit një tablo të plotë të përshkrimit të kësaj kryevepre në kuadrin e studimeve tuaja për medaljonet dhe veprat më të para me portretet e Heroit Kombëtar.
Mjaft studiues të jetës artistike veneciane në shekujt XV-XVI, ndër ta francezi Bertrand Jestaz, mbështetur në punimet e autorëve klasikë si G.Vasari, por edhe të P.G. Moro Lin e Emeric David, kanë vënë në dukje se Venediku i shekullit XV lulëzonte në të gjitha fushat e prodhimit, në të gjitha artet e veçanërisht në artin e gliptikës, në gravurimin e objekteve dhe sidomos të gurëve të çmuar (kameo). Me këtë “zanat” të hershëm merreshin dhe jetonin rreth 600 familje venedikase, ku shkëlqenin artistë me emër, arpunues e argjendpunues. Vetë familja Bellini është marrë edhe me artin e gliptikës e deri te arti i qëndistarisë. “Punë veneciane”, thuhej plot mburrje në oborret mbretërore të Europës, por edhe mes koleksionistësh për objekte luksi me shkëlqim të paparë, tërë ar e vezullim gurësh të vyer, tërë mëndafshe, cohurina e qelqe të Muranos. Prodhohej, shitej, blihej e koleksionohej gjithçka, që nga objektet e kultit (kryqe e ikona shenjtorësh dhe engjëjsh në ar e kristal), deri te veprat e artit, punimet e argjendarisë, zbukurimet nga fauna dhe flora, bizhuteritë, orenditë, madje edhe serviset prej ari të guzhinës. Mbi të gjitha, mbretër, princër, dukë, dozhë, markezë e emra të njohur personazhesh historikë, rendnin kush e kush të kishte jo vetëm portretin e tij nga dorë mjeshtërore, për të lënë gjurmë shkëlqimi në këtë epokë të artë veneciane, por edhe për të zbukuruar kështjellat e tyre mesjetare me koleksione të pasura, deri edhe me statuja mermeri, tryeza tualeti e pasqyra kristali. E njohur kështu për luksin e saj të shfrenuar, për madhështinë, por mbi të gjitha për shpirtin tregtar e fitimprurës, për rol të dorës së parë në marrëdhëniet me Evropën, Sinjoria – kjo Zonjë e Madhe e republikave italiane, “Qytet i pasur në ar, por edhe më shumë në famë”, siç thoshte Petrarka i shekullit XIV, me flotën tregtare e ushtarake më të përparuar të kohës -, po njihte kësisoj gjatë shekullit XV kulmin e lulëzimit, mes entuziazmit e euforisë. Asgjë s’e ndalte në zgjatjen e kthetrave si superfuqi e parë e kohës për të akaparuar tregje, duke ndjekur politikat e veta koloniale pa kurrfarë skrupulli e në dëm të popujve të tjerë, kryesisht të Ilirikumit të lashtë e të Ballkanit. (fig.2 Venediku).
Veçse… ama,… çdo lartësim ka rënie, çdo shkëlqim ka zbehje, dhe shpejt do pasonte një periudhë vështirësish për Republikën e Shën Markut, që do fillonte në prag të shekullit XVI, të njihte lëkundjet, tensionet, tkurrjet, si dhe ciklin e ulje-ngritjeve. Në fund të shekullit XV, prodhimet e luksit njohën krizë të rëndë në Venedik, për shkak të konkurrencës së huaj dhe largimit jashtë të arit, gjë që do të shkaktonte rrënim të prodhimit vendas. Aq sa më 1502, Senati detyrohet të marrë vendim që të mos përdoreshin më metalet e çmuara për zbukurime, sepse po boshatisnin thesaret e Republikës. Tanimë, nga 600 familje arpunuesish në Venedik,
Fig. 2, Venediku, shek. XV.
u lejuan të punojnë vetëm 20 familje. Më 1506, arrin kulmin kriza e objekteve të luksit, dhe më 1509, pas humbjes nga Venediku të betejës së Agnadello-s kundër koalicionit të huaj, Sinjoria veç kur do ta shihte veten në vështirësi të mëdha për të financuar e përballur sidomos luftën kundër turqve osmanë. Për rrjedhojë, plasi kriza financiare dhe Senati mori masa drakoniane që të ndalej me çdo kusht përdorimi i floririt për zbukurime. Po ashtu edhe përdorimi i gurëve të çmuar. Sakaq, epërsinë dhe përparësinë në Itali për prodhimin e objekteve të luksit do ta merrte Republika e Milanit.
E paraqitëm tërë këtë panoramë, prof. Lutfiu, për të konfirmuar përfundimin e rëndësishëm të studiuesve të huaj, po edhe tuajin se kameo me portretin e Skënderbeut ishte pamëdyshje prodhim venedikas luksoz i mesit të shekullit XV, pikërisht në periudhën kur Skënderbeu ishte gjallë, dhe kur kishin filluar të prodhoheshin edhe medaljonet e para me portretin e tij. Por, le të shohim konkretisht nga afër tipologjinë e portreteve të Skënderbeut të asaj periudhe, për të kërkuar mes tyre përafritë, dallimet, stilet dhe vetë synimin e realizimit të këtyre veprave. Konkretisht vëmë re:
Së pari, në tre gjinitë e veprave më të hershme me portretin e Heroit Kombëtar, (në kameo, në medaljon argjendi e bronzi, në miniaturën e kodikut të Fiocco-s, fig. 3, 4, 5), Kastrioti i Madh na shfaqet me profil vetëm nga e majta. Dhe nuk është rastësi: është pozicioni i parapëlqyer e tradicional i dozhëve të Venedikut (e majta e zemrës), po edhe i mbretërve, princërve, etj. Në fakt, edhe vetë portreti i parë i Skënderbeut në vaj, i realizuar mbi bazën e skicimeve të G. Bellini-t (“Skënderbeu” i galerisë Ufizzi të Firencës, – fig. 6), shfaqet gjithashtu me profil nga e majta. Më tej, edhe portreti i Skënderbeut në veprën e parë “Historia e Skënderbeut” e Barletit në latinisht (1502-1508), pozicionohet sërish nga e majta (fig.7).
Së dyti, në tre gjinitë e këtyre veprave, Heroi paraqitet në tre mosha të ndryshme: në moshë të hijshme e hirshme 40-50 vjeçare (kameo); në moshë mbi 50 vjeçare (figurë impozante apo legjendare – medaljonet); në moshë bukurisht e realisht 60 vjeçare (miniatura në kodikun e Fiocco-s, 1465). Domosdo, nga vitet 1450 deri më 1465, Skënderbeu do të lëvizte si fizionomi, dhe s’kish si të shfaqej statik e vetëm një, unikal. Është kjo arsyeja që kemi larmi portretesh të Skënderbeut, në mosha të ndryshme, por edhe në stile të ndryshme, sipas shkollave, epokave dhe vetë individualiteteve artistike, që kanë trajtuar historikisht portretin e Skënderbeut.
Fig. 3, 4, 5
Fig. 6, 7.
Së treti, figura e KryeHeroit sa ishte gjallë, pasqyruar në gjini të ndryshme të artit aplikativ (gur i çmuar, metal, pergamenë) dëshmon për vetë qëllimin e realizimit të tyre me një funksion të caktuar: për t’iu bërë dhuratë e çmuar vetë Heroit.
Së katërti e rrjedhimisht, dhurata merr kësisoj karakter të fuqishëm politik dhe është shprehje e marrëdhënieve të jashtme, në kohë e hapësirë midis shtetit të Arbrit e Shefit të tij dhe republikave të tjera italiane (shteti i Napolit, Republika e Venedikut, Vatikani, etj.).
Ju keni të drejtë, i dashur mik, kur thoni se medaljoni kameo duhet t’i jetë bërë dhuratë Skënderbeut me rastin e martesës së tij. Po. Është një pohim i guximshëm e i fuqishëm, rrjedhojë logjike e analizës suaj në kuadrin kohor të realizimit të kësaj vepre. Dhe ne ju mbështesim në mendimin tuaj se kameo është dhuratë për martesë e Princit të Arbrit. Në këtë rast, ne mund të thellojmë analizën tonë dhe të dalim në disa përfundime:
- a) Martesa është ngjarje madhore në jetën e një Princi, e sidomos të një Princi jo dosido, por të një drejtuesi e burrë shteti. Kameo, duke qenë objekt luksi i klasit të parë, merr kuptim të thellë dhe simbolikë të plotë e të fuqishme kur vjen si e porositur nga lart, nga një autoritet madhor, ashtu sikurse do vepronte më pas me dhurata të çmuara për Skënderbeun Alfonsi e Ferdinandi i Aragonës dhe sidomos Papati. Në rastin konkret, më 1451, e interesuar për mbarëvajtje dhe aleancë me KryePrincin Kastriot dhe në vazhdimësinë e politikës së saj të cilësuar “e zhdërvjelltë” (dredharake në fakt), Republika e Venedikut nuk do mungonte të dërgonte në Ardenicë – ku u zhvillua ceremonia e kurorëzimit të Skënderbeut me Donikën më 21 prill 1451 – Proveditorin e saj të përgjithshëm në Shqipëri, përkrah ambasadorëve të Napolit, Vatikanit, Raguzës dhe mjaft princërve të Arbërisë. E domosdo, këta të deleguar nuk kish si të shkonin aty me duar në xhepa, por shkonin me dhurata luksoze (ashtu sikurse princërit arbër dhe mbarë populli dërgonin me këtë rast në Krujë karvanë varganë me gjë të gjallë, drithë, mallra e ndihma financiare – sipas zakonit mesjetar sintetizuar në shprehjen “edhe mbreti e do dhuratën”), për të dëshmuar kështu afrimin dhe afinitetin me Princin e madh shqiptar.
Pra, për mendimin tonë, kameo me portretin e Skënderbeut duhet të jetë dhuratë e drejtpërdrejtë e Republikës së Shën Markut me vendim Senati. A nuk veproi kështu Senati kur dërgoi me vendim të posaçëm më 1479 Gentile Bellini-n në Konstandinopojë për të realizuar mbi gjashtë piktura e medaljone me portretin e Mehmetit II, në kuadrin e politikës së Venedikut për afrim me një tjetër superfuqi të kohës, perandorinë osmane? Nga ana tjetër, dimë që Skënderbeu dhe familja e tij fisnike ishin edhe qytetarë nderi të Venecias. Ky, mendojmë, duhet të jetë kuptimi i dhuratës me kameon luksoze dhe është tjetër punë që këtë dhuratë të çmuar sigurisht do ta mbante në gjoks Donika Kastrioti (krahas kryqit të artë), kur bashkëshorti, sipas shprehjes së bukur frënge “bëhet gjysma tënde” e brendshme, falë dashurisë, besnikërisë bashkëshortore, aleancës familjare fisnikërore, etj. Le të sjellim këtu në kujtesë edhe Faik Konicën kur shkruan prozën e bukur “Martesa e Skënderbeut”, duke theksuar se atë vit, “U dëftua në faqe të gjithë dheut, se Skënderbeu qe më i madhi kapetan i kohës së tija” (nënvizimi ynë).
- b) Në fakt, një vëzhgim i vëmendshëm i portretit të kameos na shfaq një Skënderbe yll të bukur 46 vjeçar, dhëndër i denjë plot fisnikëri e me kurorë martesore mbi krye, si një element domethënës për eventin dhe me një këmishë zbukuruar me shtatë pala në qafë (shtata si shifër e shenjtë). Leshrat, balli, syri, hunda, goja, mjekra e dredhur dhe e derdhur paraqesin një profil plot madhështi e dinjitet jetësor, një personalitet të shkallës së epërme, me individualizim e tipizim origjinal, realist, por edhe me lirizëm të theksuar. Jemi ende në profilin “klasik” venecian si stil imitues i medaljoneve dhe monedhave të lashta të botës iliro-greko-romake, por që shpejt do pasohej nga portreti me pamje tre të katërta të stilit flamand, praktikuar në atë kohë nga Jan van Eyck, i cili do ta sillte artin e tij në Venedik vetëm më 1474.
- c) Duke pranuar portretin e Skënderbeut në kameo si dhuratë e vitit 1451, kemi të drejtë nga ana tjetër, të pohojmë se ky portret artistik luksoz, i rrafshit sipëror, është dhe duhet të jetë ndër të parët, në mos i pari portret i Heroit Kombëtar që na shfaqet më se real, përderisa vetë Heroi do ta kishte pothuaj përditë përpara syve këtë medaljon varur në gjoksin e Arianitkës së tij nuse 23 vjeçare. Në këtë rast, medaljonet e tjerë të Skënderbeut me portret disi “më të plakur” (fig. 4, 8), dhe të hamendësuar si të Pisanello-s, të vitit 1449, nuk do mund t’i qëndronin arsyetimit që po parashtrojmë, veç në mos ato medaljone të jenë bërë enkas për të shfaqur një portret heroi legjendar – sikurse kemi thënë në….
Fig.8
një shkrim – mbi bazë skicimesh të realizuara ndoshta nga dezinjatorë lokalë (arbër) për t’u dërguar më pas në Raguzë apo Venedik.
- d) Po ashtu, jemi të mendimit se nuk do konsiderohej si fort e bazuar hipoteza sipas së cilës Skënderbeu duhet ta ketë porositur vetë këtë portret kameo në Venecie, për t’ia bërë dhuratë nuses së tij me rastin e martesës, në bazë të modës në fuqi, kur gratë mondane të kohës parapëlqenin shumë objektet e luksit në kameo. Teza tingëllon paksa “e tërhequr për flokësh”, siç thotë frëngu, e ndërlikuar, sepse do të na shfaqte në këtë rast një Skënderbe disi “narcisik”, që i bën dhuratë bashkëshortes portretin e vet. Në të vërtetë, Skënderbe Burri kish se ç’t’i bënte dhuratë Donikës: bizhuteri, varëse, byzylykë, unaza, kryqe e shenjtorë, po se po, por edhe servise kristalinë e në ar, etj. për të mos shkuar më tej, tërë ato objekte veneciane luksoze që në fakt, do të rimbarteshin në Itali nga Donika me tre anijata, pas vdekjes së Heroit.
- e) Nëse Donika e ka mbajtur në gjoks portretin e TënZot në gjallje të tij, kjo do të thotë se ajo duhet ta ruante këtë medaljon si gjënë më të çmuar shpirtërore gjatë tërë jetës së saj të gjatë, deri ditën e fundit që mbylli sytë si një e ve e ndëshkuar keq nga fati që në moshë të re, pa e shkuar kurrë ndër mend të rimartohej si shoqet e veta princesha të oborreve të Europës, që s’e kishin për gjë të rimartoheshin edhe tre herë a më shumë. Por, përderisa medaljoni është blerë në Itali nga koleksionisti Hans Sloane në shekullin XVI, dhe jo në Spanjë, ku Donika ndërroi jetë, atëherë lindin pikëpyetje të reja për fatin dhe rrugëtimin dorë më dorë të këtij medaljoni, një enigmë më shumë që do mund të vinte në dyshim krejt arsyetimin që parashtruam më lart. Veçse, … fati tragjik e historik i shqiptarit, fati sizifian i mbijetesës, nga ku edhe stoicizmi e epizmi i tij, nuk do të kursente as Mbretëreshën Donika Kastrioti, siç do të shohim në një shkrim të ardhshëm, gjë që do mund të shpjerë në do pista të reja tezash e hipotezash, kur Donika, përpara fatit të keq të sajin, të familjes, të vendit të vet pushtuar egër, ndoshta ka qenë e shtrënguar të shkëputet edhe nga objekti shpirtëror i saj për njëmijë arsye. Sepse, përderisa u detyrua të shkëputet e të lërë trojet amtare, për hir të mbijetesës dhe në emër të fesë së krishterë, nuk përjashtohet as mundësia që këtë kameo me portretin e Skënderbeut – sikurse ndodhi me krejt kancelarinë skënderbejane dhe objektet me vlerë (kodikët, shpatat, helmetat, medaljonet, heraldikat, etj. etj.) – ajo t’ia ketë kaluar me testament për trashëgimi, gjithnjë në emër të vazhdimësisë së kujtimit të Heroit të Madh – djalit, nipërve, nuseve të shumta në Itali (kur vetëm sot numërohen në këtë vend rreth 150 familje Kastrioti), duke qenë e sigurt se në Spanjë, fati i saj mund të njihte të papritura edhe më të këqija e përvoja edhe më të hidhura…
Le të shohim më në fund rrethanat politike, diplomatike e artistike, që bënë të mundur realizimin e dhuratës kameo.
Një vëzhgim i shpejtë i marrëdhënieve të Venedikut me shtetin e Arbrit dhe Skënderbeun, mbi bazën e studimeve të F. Babinger, A. Ducellier, F. Thiriet, G. Valentini dhe kohët e fundit të B. Doumrec, na lejon të vërejmë se kuptimi objektiv i diplomacisë e ndihmonte Skënderbeun të trajtonte realisht qëndrimet dhe synimet dredharake të Venedikut, që veç synonte t’i bënte ballë turqve me sa më pak shpenzime e sakrifica, falë një loje aspak të çiltër, aspak konsekuente dhe gjithnjë akaparuese tregjesh e kolonish. Duke njohur vlerën personale të Skënderbeut të barabartë sa një ushtri, cilësitë e tij si prijës kombëtar me synimin e vetëm fisnik për të udhëhequr luftën çlirimtare, Venediku nuk mungonte t’i lëpihej, gjoja ta ndihmonte herë-herë me fonde a trupa në numër të kufizuar. Por si Papati, si Venediku, nuk mungonin nga ana tjetër të rendnin kush e kush më parë për të bërë dhuratat që dimë, dhe në rastin konkret kameon e famshme. I ndërgjegjshëm për politikat zigzage, gjithë bishta e marifete të Serenisimës, Skënderbeu, ashtu si i ati i tij, Gjoni, do të ndiqte ndaj saj një politikë e diplomaci të zhdërvjelltë, subtile, të nuancuar, sidomos pas marrëveshjes së 4 tetorit 1448, kur Venediku do merrte Danjën, dhe Skënderbeut do t’i rinjiheshin titujt dhe pozicioni i tij në krye të Lidhjes dhe të qëndresës shqiptare, si dhe pensioni vjetor prej 1400 dukatesh ari, shumë kjo me të vërtetë e lartë për kohën. Atmosfera politike e diplomatike ishte pra e tillë që e lejonte Sinjorinë të nxitonte për të bërë dhuratën e shtrenjtë kameo, pasuar me siguri edhe nga një shumë e majme dukatesh ari, etj.
Veç kësaj, lypset të njihet historikisht forca dhe ndikimi që ushtron arti në marrëdhëniet dhe politikat ndërshtetërore (sikurse sot kultura, artet, sporti e turizmi në përgjegjësi). Folëm se Senati venecian nxitoi të dërgonte Bellini-n, portretistin më të mirë të Venedikut në Konstandinopojë më 1479, për të joshur sulltan Mehmetin II, për ta marrë me të mirë e për t’i fërkuar kokën. Dhe në fakt, fuqia e artit është e tillë që pezullon edhe dhunën e luftës, si në rastin klasik të lashtë kur Dhimitri i I-rë Poliorketes, gjenerali maqedon i mbiquajturi “rrëmbyesi i qyteteve”, tek ishte në krye të ushtrisë, gati për të pushtuar, rrënuar e shkrumbuar qytetin e bukur të Rhodit, sheh në rrethinë të pikturonte i qetë gjeniu Protogeni. Dhe në çast burri i luftës dorëzohet përpara forcës së artit, heq dorë nga pushtimi e rrethimi dhe braktis qytetin, pa i vënë flakën. Ashtu si do vepronte shekuj më vonë edhe Omer Pashë Vrioni, kryekomandanti i trupave osmane përqendruar në Akropol, që theu urdhrin e Stambollit për të qëlluar mbi Pire dhe djegur Athinën, tek u tërhoq dhe braktisi kryeqytetin antik me vetëdije të plotë mosshkatërrimi.
Më në fund, nëse shohim kush janë artistët me emër që merreshin sidomos me artin e gliptikut në Venecie në vitet 1450, na bien në sy sigurisht familja Bellini, i ati Jacopo, me dy djemtë e tij Giovanni e Gentile, por edhe motra e tyre artiste Nicolosia; më tej, bibliografi G. Vasari, veçon si portretistë të spikatur, që lanë vepra me bukuri të rrallë Antonello da Messina-n dhe vëllezërit Antonio e Piero del Pollaiuolo. Nga ana tjetër, sipas studiuesit F. Sales shkëlqenin në atë kohë në gliptikë si zoielierë apo arpunues Domenico di Piero e Polo da Monte, të cilët punonin edhe gurët e fortë, agatin, jaspisin, kalcedonitin dhe kristalinën. Bukur. Po kush prej këtyre artistëve të mëdhenj duhet të ketë punuar kameon tonë me portretin e Skënderbeut në oniks të bardhë? Dhe si u realizuan skicat e para? A u dërgua nga Senati ndonjë artist i Venedikut në Arbëri për të portretizuar në natyrë Heroin e Shqipërisë? Pse jo. Ecejaket ishin të shumta mes ambasadorëve, të deleguarve dhe artistëve nga Venecia drejt Europës, Ballkanit, Kostandinopojës, dhe vice-versa. Megjithatë, enigma mbetet, siç mbetet dhe shpresa se një ditë do mund të zbardhen mbi bazë dokumentesh tërë sekretet që mbart me vete kjo kameo e shkëlqyer me portretin e Skënderbeut, si portreti i tij i parë artistik, i njohur deri më sot, që i ka hije Dhëndrit të Arbërisë, portret të cilin, me kërkesën tonë e përfshiu aq bukur në zemër të shqiponjës dykrenore mjeshtri Anastas Shuke në studion Majestic – Tiranë…
(fig. 9).
Dhe në përfundim, për të shtuar inventarin tuaj të medaljeve e medaljoneve me portretin e Skënderbeut, i dashur Luti, po ju dërgoj një “kompozim” të medaljes tashmë të njohur të shekullit XV brenda një kuadër-kornize veneciane në dru të gdhendur, ku shfaqen bukur dy centaurë që rrethojnë portretin e Skënderbeut. Në konsultë me bashkëpunëtorët tanë A. Konstandini, F. Stamati e L. Taçi, duke mos pasur origjinalin në dorë, konkluduam se vepra, përafërsisht me përmasa 120 cm x 40 cm dhe portreti (në metal) me diametër rreth 25-30 cm, edhe pse është realizuar bukur në tërësinë e vet, duhet të jetë një montazh artificial, por që e shfaq KryeHeroin tonë artistikisht hijshëm e madhështor.
(fig.10).
Duke ju njohur, i dashur Prof. Lutfiu, meritën tuaj të madhe që, falë nuhatjes e mendimit tuaj të ndritur, e lidhët organikisht realizimin e veprës kameo me një moment të rëndësishëm në jetën e Heroit tonë Kombëtar, siç është martesa, dhe duke ju falënderuar publikisht që na dhatë mundësi të thellojmë analizën tonë për këtë vepër artistike,
Ju përshëndes,
Fotaq Andrea,
Strasburg, 19.10.2018.