
Homazh në Ditën Europiane e Përkujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit…
VARRET PA EMËR…
“Varret pa emër” është historia e zhdukjes së mijëra shqiptarëve gjatë regjimit komunist, Blerina Gjoka, drejtoreshë e Fondacionit “Kujto.al” në një rrëfim për gazetën Dielli- Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, dhënë Editorit Sokol PAJA shprehet se dokumentari përfshin dëshmi të familjarëve dhe dokumente arkivore që tregojnë se si regjimi i Enver Hoxhës u soll me kundërshtarët politikë, duke i vrarë, burgosur e internuar dhe në mijëra raste duke u zhdukur varrin.

DOKUMENTARI “VARRET PA EMËR
”Regjimi totalitar komunist në 45 vite të qeverisjes e ktheu territorin e Shqipërisë në një varrezë masive. Statistikat zyrtare njoftojnë vdekjet, me dhe pa gjyq, të mijëra kundërshtarëve të regjimit, ndërsa familjarët e tyre kërkojnë me shpresë prej dekadash të gjejnë eshtrat e tyre e t’u ndërtojnë një varr. Pas viteve ’90 një pjesë e tyre u gjenden nga përpjekjet e familjarëve, por 30 vite pas rënies së komunizmit, mijëra të tjerë figurojnë akoma të zhdukur. Fondacioni Kujto – Arkiva online e viktimave dhe krimeve te komunizmit ka realizuar projektin “Varret pa emër”, një dokumentar me dëshmi të familjarëve dhe dokumente arkivore që tregojnë se si regjimi i Enver Hoxhës u soll me kundërshtarët politikë, duke i vrarë, burgosur e internuar dhe në mijëra raste duke u zhdukur varrin. Dokumentari përveç dëshmive dhe dokumenteve arkivore ka arritur të ndërtojë grafikisht se si do të dukej harta e Shqipërisë nëse do të shënojmë në të, të gjitha pikat që besohet se janë përdorur si vendvarrime në Shqipërinë komuniste.
ÇFARË NA TREGON HARTA E VENDVARRIMEVE
Kjo hartë na tregon se Shqipëria ishte një varr i madh. Dhe për fatkeqësinë tonë që nuk kemi mundur t’i lajmë hesapet me të shkuarën, vijon të jetë një varr i madh sekret pasi dhe sot që flasim 3 dekada pas rënies së komunizmit mijëra shqiptarë konsiderohen të zhdukur, pasi asnjëherë në këto 30 vite nuk pati një nismë seriozie dhe zyrtare nga shteti shqiptar për t’i hapur këto vendvarrime dhe për të bërë identifikimin e trupave të të zhdukurve. Nga Veriu në Jug, anash lumenjve, në male, pranë burgjeve, apo kampeve-burgje, pranë reparteve ushtarake, apo dhe pranë fshatrave të banuara, gjenden varre të humbura të përdorura nga ish-sigurimi i shtetit për pushkatimin dhe më pas varrosjen e kundërshtarëve politikë. Në të dhënat zyrtare janë të paktën 35 vendvarrimeve të tilla, por sipas dëshmive besohet se janë shumë më tepër. Dëshmitë e familjarëve dhe dokumentet arkivore kanë ndihmuar për të krijuar një perceptim më të qartë mbi shtrirjen e këtyre vendvarrimeve sekrete. Mbi bazë të këtyre të dhënave fondacioni Kujto ka krijuar një hartë dixhitale interaktive që do të pasurohet me informacione hap pas hapi. (https://kujto.al/harta-e-vendvarrimeve/) Çdo njeri që ka dijeni për këto vendvarrime mund të ndihmojë në plotësimin e kësaj harte me informacione të reja duke klikuar në pikat në hartë dhe duke plotësuar formularin përkatës. Projekti do t’u mundësojë studiuesve shqiptarë dhe të huaj informacion bazë mbi këtë fushë, lehtësisht të aksesueshëm, duke rritur ndërgjegjësimin e shoqërisë për krimet komuniste. Po ashtu u vjen në ndihmë familjarëve që të sjellin dëshmi dhe dokumente për të afërmit e tyre të zhdukur gjatë periudhës konuniste 1944-1991. Gjej rastin tu bëj thirrje të gjithë mërgimtarëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë familjarë të zhdukur gjatë regjimistrit të Hoxhës që të klikojnë në këtë hartë dhe të japim informacionet e tyre për vendndodhjen e mundshme të trupit të të afërmit të tyre. VENDVARRIMET E FSHEHTA,
ÇFARË KA ZHDUKUR KOMUNIZMI NË KËTO VARRE?
Praktika e zhdukjes së kundërshtarëve të regjimit nisi të zbatohej prej tyre që në vitet e para të vendosjes së diktaturës komuniste dhe u përdor deri në fund të saj duke shënuar të paktën 35 varre masive dhe mijëra të zhdukur, të pushkatuar nga regjimi totalitar ose të vdekurit në burgje e kampet e internimit. Sipas Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri, 5.577 burra dhe 450 gra u dënuan me vdekje dhe u vranë. Prej 30 vjetësh familjarët e tyre, kërkojnë me shpresë se një ditë do ti gjejnë e do t’ju ndërtojnë një varr ku të mund ti qajnë e ti nderojnë. Dokumentari “Varret pa emër” e sjell në mënyrë kronologjike dhe të lidhur me ngjarjet më të mëdha që tregojnë këtë krim, siç janë kryengritjet e para, gjyqet politike, vdekjet në kampe e burgje e vrasjet në kufi, etj. Për secilën prej këtyre ngjarjeve flasin dëshmitarët, që janë familjarë që kërkojnë ende eshtrat e të afërmëve. Vrasjet e para politike, përkojnë me instalimin e regjimit, mes viteve 1944 – 1948. Në këtë periudhë një fushatë e gjatë spastrimesh u shënua në veri të vendit, si Shkodër, Mirditë, Malësi e madhe, Pukë, Kukës, Kurbin etj. Ngjarjet më domethënëse, ishin kryengritja e Postribës në veri të vendit dhe kryengritja e Zhapokikës në jug. Këto ngjarje, sikurse edhe eliminimet e grupeve të intelektualëve vit pas viti, shkaktuan një numër të madh viktimash, pjesa dërrmuese të zhdukur pa gjurmë. Në vitet e para të regjimit janë shënuar edhe një varg vrasjesh, me gjyq edhe pa gjyq, sikurse edhe shumë të vrarë në qelitë e hetuesive nën tortura, apo të vdekur në burgje prej sëmundjeve dhe urisë. Pak familje kanë mundur t’i tërheqin trupat e të vdekurve, pasi pjesa dërrmuese nuk i morën kurrë. Spastrimet politike të regjimit vijuan vit pas viti. Të pushkatuarit, apo të vdekurit në burgje dhe kampet e punës së detyruar, mbushnin statistikat e Ministrisë së Brendshme. Proceset e para të bujshme, si gjyqi special, gjyqi i deputetëve, gjyqi i sabotatorëve të Kënetës së Maliqit, etj, vijuan më vonë me një mori procesesh të tjera gjyqësore, që linin pas viktima të shumta dhe varre të fshehta që nuk mësoheshin kurrë. Një nga varret e para që mban brenda një nga krimet të më të mëdha të komunizmet është ajo e kampit të Turanit, një fshat malor 15 minuta larg Tepelenës, ku gjenden shenjat e një varreze të vjetër, ku gjatë muajve të verës së 1947, ishin varrosur prej të internuarve të stacionuar aty, qindra fëmijë dhe pleq, vdekur prej dizanterisë dhe mungesës së ushqimit. Vdekjet nuk do të ndaleshin edhe pas zhvendosjes së kampit nga Turani, në fushën e kazermave të italianëve pranë Tepelenës. Aty varret ishin zhvendosur 3 herë, derisa përfundimisht i kishin vendosur buzë lumit Bënçë, ku thuhet se u zhdukën nga gërryerjet vit pas viti. Një dëshmi rrënqethëse për fatin e këtyre varreve na vjen nga Fetah Bajram Hamata. Ai këmbëngul se eshtrat e fëmijëve të vdekur në Tepelenë janë ende aty, pasi 2 vite para rrëzimit të regjimit ai i ka parë dhe prekur me dorë kur punonte si punonjës ndërtimi në ndërtimin e disa pallateve fare pranë kampit. Po ashtu, kufiri i Shqipërisë, përgjatë 45 viteve izolim shihej si shpresa e vetme për t’i shpëtuar terrorit dhe përndjekjes, por kufiri është përgjakur në gjithë vijën e tij nga vrasjet dhe më pas zhdukjet e atyre që trentonin të arratiseshin nga ferri komunist.
SHPRESA PËR GJETJEN E TË HUMBURVE PA VARR
Të afërmit e të zhdukurve jetojnë me shpresë se një ditë do i gjejnë njerëzit e tyre që tu ndërtojnë një varr, që ti kujtojnë, ti nderojnë. Këtë gjë e tregon dhe fakti që qindra prej tyre kanë shkuar pranë zyrave të ICMP ( International Commision for Missing People) në Tiranë për të dhënë kampionin e gjakut që do të shërbente si provë për verifikimin e ADN-së në rastet kur gjenden eshtrat e të zhdukurve. Por… përkundrejt shpresës së tyre unë nuk shoh një vullnet politik për të ndërmarë një hap serioz dhe konkret në hapjen e këtyre varreve, të identifikuara tashmë nga dëshmitarë të kohës, nga dokumentet e ekzekutimeve që ndodhen në Ministrinë e Brendshme dhe nga të afërmit e të zhdukurve. Pati një hap të vogël po që nuk arriti dot që të kishte rezultatet që priteshin. Në tetor të vitit që shkoi, 2020, nisën gërmimet pranë Burgut të Burrelit, një ndër vendet e identifikuara nga shumë dëshmitarë për varrosjen e të burgosurve politikë që vdisnin në këtë burg. Gërmimet në Burgun e Burrelit patën si synim gjetjen e eshtrave të shtetasit italian Giuseppe Terrusi, i cili vdiq në këtë burg në vitin 1952. Në këtë burg mendohet se janë varrosur dhe qindra të burgosur të tjerë që kanë humbur jetën gjatë dënimit nga torturat, sëmundjet ose uria, por është hera e parë që shteti shqiptar ndërmerr një akt të tillë për gjetjen e tyre. Sipas informacioneve në media ishte këmbëngulja e ambasadës italiane në Tiranë dhe djalit të Terrusit, Aldo Renato Terrusi, që bëri të mundur nisjen e gërmimeve. Pas një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe ambasadës italiane është ngritur një task-force e posaçme për të nisur këtë proces. Por, gërmimet u ndërprenë pas 24 orësh dhe akoma nuk ka asnjë hap të ri për hapjen e atij vendvarrimi. Ja një dëshmi që na vjen për këtë vendvarrim: “Ku varroseshin gjithë ato kufoma?” “Gjithmonë në të njëjtin vend. Atje, pikërisht përballë dritareve të qelive mes dy rrethimeve, në mënyrë që të gjithë ta shihnin se ç’fund do të pësonin. Atje ka qenë një pemë qershie që në pranverë dukej se lulëzonte bash për ata që treteshin poshtë saj. Kufomat, cullake – rrobat dhe gjërat e tjera i ndanin mes vetes xhelatët – të mbështjellë me batanije i varrosnin në radhë, njërin ndanë tjetrit, pa emër dhe pa asnjë nishan”- thotë Engjëll Kokoshi, ish i burgosur politik në këtë burg gjatë një bisedë me Aldo Renato Terrusin pas viteve ’90.
PUSHTUESIT KËRKOJNË ESHTRAT, TË VRARËT TANË ENDE PA VARR
Gjetja e të zhdukurve është një plagë e hapur për mijëra familje në Shqipëri. Një pjesë e tyre mundën t’i gjenin me përpjekjet e tyre trupat e të afërmëve në vitet e para të tranzicionit, direkt pas rënies së komunizmit, por mijëra të tjerë akoma nuk kanë një vend ku t’i qajnë baballarët, vëllezrit apo fëmijët e tyre. Në dokumentarin tonë “Varret pa emër”, kemi dy dëshmi që kanë arritur t’i gjejnë të afërmimit me përpjekje private, por ndërkohë kemi dëshmi se si janë përpjekur me vite me radhë duke u shkruar autoriteteve dhe madje duke iu lutur dhe xhelatëve që janë akoma gjallë ( rasti i Taip Hoxhës) dhe përsëri nuk kanë mundur të gjejnë njerëzit e tyre. Drama e madhe e mungesës që trashëgohet brez pas brezi në këto familje mund të përmblidhet më mirë me atë që thotë malësori Ndoc Culaj në fund të dokumentarit tonë; “…Këta grekët pushtues, eshtnat, këta italianët pushtues eshtnat, n’dijeninë teme edhe gjermanët kanë pas raste që kanë ardh kanë marrë eshtnat e ushtarëve ose oficerave të vet. Po shqiptarët n’tokë të vet, po shqiptarët në shpi të vet, pse s’paskan të drejtë me i marrë eshtnat e njerzëve të tyne? Pse s’paska të drejtë nji nanë ose nji babë me i çu nji lule te vorri i djalit t’vet? Pse s’paska të drejtë nji djalë me shkue me i çua nji lule te vorri i babës së vet? Kjo asht e papranueshme…”. Linku i dokumentarit: https://www.youtube.com/watch?v=reaiSGeetaw