• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Enver Hoxha,varrmihësi i nacionalizmit shqiptar

February 1, 2014 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/

[Të dashur bashkatdhetarë, brenda trojeve etnike dhe në diasporë! Brenda mundësive që keni, mundohuni ta lexoni librin e dr. Vasfi Barutit, me titull: “Enver Hoxha në optikë të re”. Autori ka punuar 8 vjet për përgatitjen e kësaj vepre. Librin e ka nxjerr nga shtypi Shtëpia Botuese UEGEN dhe e ka hedhur në qarkullim në qershor të vitit 2013. Në këtë libër, mbi bazën e dokumenteve arkivore, zbulohet lakuriq fytyra e vërtetë e Enver Hoxhës dhe roli i tij, si varrmihës i nacionalizmit shqiptar.]

  Sot, në Shqipërinë Londineze, në mjetet e informimit masiv, si zor të haset kund termi nacionalizëm (nga frëngjishtja nationalisme). Jo vetëm kaq, por edhe kur përmendet, ky term shoqërohet me një mbiemër qesënditës: nacionalizëm folklorik. Por një herë e një kohë, kur komunistët nuk kishin dalë në skenën e jetës shqiptare, ky term ishte mjaft i respektuar. Madje për lartësimin e kuptimit të këtij termi, ishin të interesuara drejtpërsëdrejti strukturat më të larta të shtetit shqiptar, deri te vetë Mbreti Ahmet Zogu. Dhe një interesim i tillë nuk ishte i rastësishëm. Sepse nacionalizmi, në thelb, përfaqëson në vetvete një ideologji dhe një orientim të politikës që ka si parim themelor tezën për vlerën e kombit, si formën më të lartë (më supreme) të unitetit shoqëror në procesin e shtetformimit. Nacionalizmi, si një lëvizje politike, ka si pikësynim mbrojtjen e interesave të bashkësisë kombëtare në raport me pushtetin shtetëror. Në themelin e vet, nacionalizmi predikon besnikërinë ndaj kombit, pavarësinë politike dhe punën në të mirë të popullit, ngritjen kulturore dhe shpirtërore të tij, bashkimin e vetëdijes kombëtare për mbrojtjen e kushteve të jetesës së kombit, të territorit ku ai banon, të resurseve ekonomike dhe të vlerave shpirtërore. Ai mbështetet mbi ndjenjën kombëtare, e cila do të thotë atdhetari. Si ideologji, nacionalizmi ka për qëllim të bashkojë shtresat e ndryshme të shoqërisë, pavarësisht se ato mund të kenë edhe mospërputhje interesash.

Në librin e dr. Vasfi Barutit flitet me fakte konkrete për vlerat e nacionalizmit shqiptar në kohën e Mbretërisë:

“Mbreti Zog kishte merak të madh edukimin e fëmijëve të shkollave me ndjenja patriotike e nacionaliste. Më 1927 Ministria e Arsimit shpalli konkurs kombëtar për tekstin më të mirë për “Patriotizëm e nacionalizëm”, konkursin e fitoi Kristo Floqi, një intelektual mjaft i njohur i kohës, dhe me lejë nr. 1290, datë 24. XI. 1927, botohej teksti i tij “Patriotizëm dhe nacionalizëm”, i detyruar “Për shkollat publike e private të shtetit. Tiranë 1928”, shkruhet në faqen e parë të tekstit. Është tekst shumë i mirë që edhe sot nga të rritur e të rinj do të lexohej me kënaqësi” (Citohet sipas: Vasfi Baruti. “Enver Hoxha në optikë të re”. Shtëpia Botuese UEGEN. Tiranë, 2013, f. 206.

Në vazhdim, Dr. Vasfi Baruti, nga libri në fjalë, ka shkëputur një fragment mjaft domethënës:

“… Po cili është atdheu juaj? Atdheu juaj s’është kodra ose fusha e katundit tuaj, xhamia ose kisha e fshatit tuaj, minaretë ose kambanoret kryepërpjeta, oxhakët e shtëpive ose kasollet tuaja. Atdheu juaj është Shkodra për Korçarin, Korça për Kosovarin, Kosova për Kolonjarin, Kolonja për Hotasin e Grudasin, Hoti e Gruda për Devollasin, Devolli për Bregdetasin dhe Çamin dhe Çamëria e Himara për Dibranin e Lumjanin. Atdheu juaj është gjithë Shqipëria ku flitet, si thamë, gjuha e lehtë zanore shqipe dhe ku jetojnë shqiptarë, është gjaku jonë, ai gjak i vlertë që kanë derdhur gjyshstërgjyshët tanë mbi altarin e Atdheut për shpëtimin e tij, është bashkimi jonë dhe ndjenja e dëshira për një rrojtje të lirë e të panjollë; është Qielli i bukur e i kaltër që mbulon Shqipërinë; është Dielli i flakët dhe i ëmbël që ndriton Shqipërinë; është deti i blertë me tallazet e valët e tij që përlak zallet e Shqipërisë; janë fushat e malet e kodrat e bregoret e pllajat e lumenjtë e kulluar të Shqipërisë. Atdheu është kombi jonë, të cilin kemi detyrë ta duam e ta ndërtojmë e ta mbrojmë me mish e me shpirt kundër çdo msyësi e invadori e të mos lëmë kurrë asnjë pëllëmbë dheu të shkelet prej thundrës së një të huaji. Ky duhet të jetë programi e ideali juaj, o djelmosha!…” (po aty).

Është shkruar e ç’nuk është shkruar për themelimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Por sipas burimeve arkivore partiake, me të cilat dr. Vasfi Baruti është njohur nga afër, rezulton një e vërtetë tragjike. Në mbledhjen themeluese qe aprovuar një Rezolutë, të cilën e patën përgatitur paraprakisht Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha. Pikërisht në atë rezolutë, “mbillet, që atë natë, fara e helmët e rrezikshmërisë që vjen nga nacionalizmi shqiptar për Shqipërinë natyrale dhe Rezoluta publikohet për herë të parë po nga Hoxha në shkrimin e tij kushtuar Titos në revistën Shqipëri-Jugosllavi (nëntor 1947)” (po aty, f. 229).

Të vërtetën tragjike për rrezikshmërinë që vjen nga nacionalizmi shqiptar, e pranon edhe biografi i Titos V. Dedijer, në librin me titull “Marrëdhëniet Jugosllavi-Shqipëri”, 1949, f. 25 (po aty, f. 255).

Dhe dr. Vasfi Baruti vjen në një përfundim logjik:

          “Fara e helmët e kundërnacionalizmit që u hodh në mbledhjen themeluese të Partisë prodhoi fryte të helmëta për “dekorimin” me plumb pas shpine të qindra nacionalistëve gjatë luftës e pas lufte, me “rrezikun” e nacionalizmit u përgatit dhe strategjia për qëndrimin antikombëtar ndaj Kosovës, në interes të politikës kolonialiste të Titos” (po aty, f. 256).

Shovinizmi serbojugosllav, përmes përfaqësuesve të vetë Popoviçi dhe Mugosha, më 8 nëtor 1941 përgatiti turrën e druve dhe mbi to vendosi nacionalizmin shqiptar. Pastaj turrës së druve i vuri zjarrin. Enver Hoxha shkoi e hodhi edhe një krah shkarpa mbi atë turrë drush. Pikërisht ky qëndrim prej tradhtari i Enver Hoxhës, më kujton një ngjarje nga mesjeta e largët:

Luftëtarin e madh të popullit çek që luftonte për çlirimin e tij nga dhuna gjermane, Jan Gusin (1369-1415), në kohën e inkuizicionit,  katedralja kishtare katolike e pati dënuar me vdekje me djegie mbi turrën e druve, duke e cilësuar si heretik të rrezikshëm, si armik të kishës së vërtetë. Tek po e priste vdekjen mbi turrën e ndezur të druve, ai vuri re një plakushe të rrëgjuar, një besimtare katolike kjo, e cila, duke qenë plotësisht e sigurt se po bënte një punë të mirë, solli në sheshin e ekzekutimit një krah me lëmishte dhe i hodhi në zjarr. Atëherë Jan Gusi klithi me një nënqeshje ironike plot dëshpërim: “О plakushe naive!”

Por në këtë krahasim ka një dallim të vogël: ajo plakushja çeke ishte besimtare naive deri në verbëri, kurse Enver Hoxha ishte i bindur dhe i vendosur deri në çmenduri për aktin e tradhtisë së lartë që po kryente kundër nacionalizmit shqiptar.

Nën parullën e antinacionalizmit enverian, komunistët shqiptarë i lejuan shovinistët serbomëdhenj të kryenin masakrën e rëndë të Tivarit. Nën këtë parullë antikombëtare, të gjithë kosovarët që arratiseshin nga tirania serbe për në atdheun amë, Enveri ose i kalbte në burg, ose ia kthente Titos në kufi për t’i pushkatuar apo për t’i varrosur për së gjalli nëpër burgjet apo kampet e përqendrimit të Jugosllavisë. Nën parullën e antinacionalizmit enverian, iu vu një gurë i rëndë përsipër Çështjes Çame dhe u la në heshtje bashkëpunimi i ngushtë i nazifashizmin grek me nazifashizmin gjerman. Prandaj shovinizmi nazifashist grek masakroi dhe dëboi në mënyrën më barabare popullsinë e krahinës sonë të Çamërisë. Nën parullën e antinacionalizmit enverian, krimineli Ramiz Alia lejoi pushtimin e kishës ortodokse fanoliane prej Janullatosit, pararojës së shovinizmit grekokaragjoz në Shqipëri. Me këtë akt të tradhtisë së lartë kombëtare, antinacionalizmin enverian Ramiz Alia ia përcolli dhe ia la trashëgim klasës politike shqiptare pas vendosjes së pluralizmit në vendin tonë. Produkt i antinacionalizmit enverian janë mbajtja e pushtuar e kreut të kishës fanoliane që prej verës së vitit 1992 prej shovinistit Janullatos, ngritja e varrezave, e memorialeve dhe e manastireve në nderim të ushtarëve agresorë grekë, me kontributin e drejtpërdrejtë të Janullatosit, prapa të cilit Athina rri në gatishmëri. Klasa politike shqiptare dhe Tirana zyrtare, duke e pasur antinacionalizmin enverian si yll karvani, ka heshtur për deklaratat e Janullatosit kundër bombardimeve të NATO-s dhe në mbrojtje të barbarisë serbe kundër popullit shqiptar të Kosovës, për deklaratat e tij në gazetën “Katemirini” për çrrënjosjen e shqiptarizmit nga vetëdija e kombit shqiptar që mishërohet në parullën “feja e shqiptarit është shqiptaria”, për shpifjet e ulëta  para gazetarit amerikan Fred Reed se në Shqipëri po ngrihet një shtet fundamentalist islamik, për sulmet që ka ndërmarrë kundër emigrantëve shqiptarë, duke u radhitur përkrah partisë nazifashiste “Agimi i Artë”. Ajo ka heshtur për deklaratën plot ngazëllim të historianit grek Nikolas Stavros, i cili, pushtimin e kishës ortodokse fanoliane prej kishës shoviniste greke, e vlerëson si fitoren më të madhe të Greqisë në shek. XX. Antinacionalizmi enverian i klasës politike të Tiranës, ka bërë që të dalin në skenë lakenj të llojllojshëm, që nga Tirana deri në Nju Jork, të cilëve, me sa duket, shovinizmi grekokaragjoz ua ka ngrohur mirë xhepin dhe ata, si sahanlëpirës të rëndomtë të Athinës dhe të lobit grek në Amerikë, kanë dalë në mbrojtje të Janullatosit, deri në faqet e gazetës internetike “Tribuna Shqiptare”, duke u pozicionuar haptas kundër kontributit të Fan Nolit dhe të Mbretit Ahmet Zogu për themelimin e Kishës së Pavarur Ortodokse të Shqipërisë.

Emisarët jugosllavë Popoviçi dhe Mugosha nuk e patën fare të vështirë ta kultivonin farën e antinacionalizmit në vetëdijen e Enver Hoxhës, si njeri pa kurrfarë morali kombëtar, si edhe te tërë kasta komuniste  që ishte e zhveshur krejtësisht nga një moral i tillë. Dëshminë më të pastër për mungesën e këtij morali kombëtar në qenien e tyre, e jep Mehmet Shehu dhe Fiqrete Shehu në letrën që i dërgonin Dushan Mugoshës më 22 prill 1944:

“Nuk kishim parti, por kishim dhe ishim bashibozukë, ishim një “turli” me zarzavate të hidhura e me udhëzimet e Miladinit e të tuat, me ndihmat tuaja mundëm të seleksionoheshim, të formojmë partinë tonë komuniste, ta forcojmë. Na dhatë dorën, na mësuat, na ngritët si nëna foshnjën”. (Citohet sipas faqes së internetit AlbDreams.Net. 05 tetor 2010).

Dhe Popoviçi me Mugoshën e bën seleksionimin që duhej: në bashkëpunim të ngushtë me Enver Hoxhën, varrosën nacionalizmin shqiptar, bashibozukët komunistë i ngritën në poste të larta, i vunë në shërbim të sllavizmit dhe nxitën histerinë antinacionaliste, e cila u manifestua me egërsinë më të madhe në luftën civile që shpërthyen komunistët prej shtatorit të vitit 1943, pas hedhjes poshtë të Marrëveshjes së Mukjes. Rezultat i padiskutueshëm i antinacionalizmit të klasës së sotme politike shqiptare, trashëgimtares së denjë të antinacionalizmit enverian, është gjendja jonë e mjerueshme në marrëdhëniet me fqinjët, të cilën, me një profesionalizëm të lartë prej publicisti nacionalist, e ka vlerësuar zoti Skënder Buçpapaj në analizën me titull “Fqinjët janë në ekspansion, ne jemi ne restriksion”, të botuar në gazetën internetike “Tribuna Shqiptare” të datës 31 janar 2014. Rezultat i antinacionalizmit enverian është dhunimi i Përmendores në Llogara, për çka është njoftuar si më poshtë:

“Dhunohet nga grekofonët Përmendorja në Llogara në rrugën Vlorë-Himarë, që përkujton masakrat greke 1912-1917. Kjo përmendore tregon luftën heroike të shqiptarëve për mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë. Përmendorja është dhunuar me rastin e 100-vjetorit të aneksimit të jugut të Shqipërisë” (Citohet sipas: “Dhunohet përmendorja kundër gjenocidit grek në Llogara”. Gazeta “Dielli”. 26 janar 2014).

Pas këtij njoftimi, Tirana zyrtare s’është bërë e gjallë të thotë një fjalë se noton në ujërat e antinacionalizmit enverian. Por, çuditërisht, hesht rinia vlonjate, hesht rinia e Labërisë, hesht rinia përmetare, në vend që të rrëmbejë kazmat dhe varetë dhe t’i shkatërrojë me themel varrezat dhe memorialet në nderim të ushtarëve agresorë grekë dhe t’i japë një leksion të mirë nacionalist mbarë klasës politike shqiptare dhe sidomos Tiranës zyrtare. Por kjo rini hesht se i janë venitur ndjenjat nacionaliste, se antinacionalizmi enverian e ka bërë punën e vet, i ka lënë pasojat e veta në vetëdijen e saj. Hesht Aleanca Kuq e Zi, e cila, me sa duket, rezultoi një flakë kashte. Hesht Klubi i Patriotëve të Rinj, i cili, siç po del, paska qenë thjeshtë një tym myshku. Prandaj edhe dhunohet Përmendorja e Llogarasë dhe mbeten të paprekura përmendoret në nderim të ushtarëve agresorë grekë. Ç’të bëjmë! Enveri, me kastën e vet komuniste, dha shembuj tragjikë të nënshtrimit të pështirë ndaj shovinizmit gjakatar serbojugosllav, Tirana zyrtare ka 23 vjet që po vazhdon të japë shembuj të nënshtrimit të neveritshëm ndaj shovinizmit të shpifur grekokaragjoz.

Antinacionalizmi enverian i Tiranës zyrtare, manifestohet më së miri në heshtjen para shovinizmit grekomaqedonas, i cili po përpiqet të mbyllë përfundimisht damarët jetëdhënës të lumit Radika dhe Vjosa dhe t’i shkaktojë ekonomisë sonë dëme të pallogaritshme.

Santa Barbara, Kaliforni

31 janar 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Hoxha, Eshref Ymeri, varrmihes i nacionalizmit shqiptar

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT