• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lamtumirë Vasil Tabaku!

February 25, 2020 by dgreca

– Shuhet poeti  i mrekullueshëm,NJERIU I MIRЁ dhe QYTETAR i jashtëzakonshëm/

Esse nga Raimonda MOISIU /

Sikush prej nesh ёshtё udhёtar nё udhёtimin e trishtё e tё lumtur tё jetёs. Eh pra, nё kёtё udhёtim ku ka jetё edhe vdekje, ecim nё paqartёsitё dhe tё papriturat e jetёs, dhe askush prej ne nuk e di se çfarё do tё ndodhё, si do e pёrjetojmё njё çast gёzimi, hidhёrimi e lajmi tё trishtё. Edhe pse ndarja nga jeta ёshtё dialektika e jetёs, njeriu pёrsёri e pёrsri gjen forcё, kurajo, respekt  dhe dashuri  tё ngushёllohet mes vedit dhe me njёri-tjetrin, me mendimin se jeta dhe drita e trashёgimisё qё njeriu lё pas sfidojnё vdekjen, duke i ruajtur virtytet dhe vlerat e tyre ende “tё gjalla” si dikur edhe nё vazhdim me pёrjetёsinё e emrit dhe veprёs sё tyre. Na krijohet ndjesia e realitet dhe e çasteve tё dhimbshёme e tё trishta qё na trazojnё paqen shpirtёrore. Lajmin e trishtё se u nda nga jeta shkrimtari, poeti dhe publicisti, njё burrё fisnik, koleg i mrekullueshёm, vlerё qytetare, baba dhe bashkёshort dinjitoz,- Vasil Tabaku – e mёsova nёpёrmjet  rrjetit social Facebook. Familja humbi  njeriun model dhe prindin shёmbullor, ndёrsa  komuniteti i shkrimtarёve dhe gazetaria shqiptare humbi pasionantin e letёrsisё, poetin, shkrimtarin, kontribuesin produktiv e tё palodhur nё letrat shqipe, art, kulturё dhe historinё e njё kombi.

Ndjej një emocion të veçantë teksa shkruaj këtë esse, për këtë vlerë të çmuar qytetare dhe e letrave shqipe, ndikimin e thellë të veprave të tijnë shoqëri, art, kulturë dhe historinë e një kombi.

Në një nga ato ditët e nxehta të korrikut, 2013, isha në Tiranë, kur  në celularin tim u shfaq numuri i poetit e publicistit  Vasil Tabaku. Deri atë çast njiheshim nëpërmjet eksperiencës krijuese si dy miq e kolegë virtualë në rrjetet sociale. E lamë të pinim kafe në qendër të Tiranës, te Bar – Kafe “Europa”, mjedis i njohur ky, ku mblidhen e  takohen intelektualë, shkrimtarë, poetë e gazetarë, kafe e biseda “për qejf të poezisë e  të letërsisë”. Ishte një ditë e këndshme dhe impresionuese mes kolegësh. Por edhe diçka më shumë! Vasili më dhuroi dy libra të tij e sapobotuar; -romanin “Baleti i drerit të plagosur” dhe vëllimin me poezi “ Dhimbjes i rrinë të vogëla, këpucët e heshtjes”.

Poeti dhe publicisti i njohur, Vasil Tabaku i prezantohet audiencës së lexuesve dhe botës shqiptare, si një ndër  autorët mjaft interesantë e mbreselënës i dhjetra vëllimeve në të treja gjinitë; poezi, prozë dhe publicistikë, ndërkohë është  autor i mijra editorialeve gazetareske, esse, analiza dhe opinione social- ekonomike- politike e kulturore. Dhe kjo nuk erdhi krejt rastësisht, por as e papritur.

Shkrimtari dhe publicisti, Vasil Tabaku  është autor i dhjetra librave në disa gjini si poezi, prozë, publicistikë, analiza e esse me të cilat ai tashmë ka krijuar influencën e tij në letrat shqipe dhe publicistikën shqiptare dhe  ballkanike.

Shkrimtari dhe Poeti Vasil Tabaku, duket si një personazh që sikur vjen nga “Muzeu Historik i EPOKAVE dhe LETRAVE SHQIPE”, -zërin e kontributin e tij e kini dëgjuar jo vetëm në emisionet Radiofonike por edhe në  RTSH.

Poezinë e poetit Tabaku e njoh mire, kam shkruar edhe njё studim, stili dhe pena poetike e poetit Tabaku njihet  për harmonizimin e bukur, zhvillimit të identitetit të pjekur poetik dhe gjetjes poetike brenda detajit artistik, kujdesit estetik e filozofik,  tonit qytetar e intelektual dhe vargjeve lirike, ç’ka ai deklamon atë që askush nuk e mendon, imagjinon dhe të paparashikueshmen. Poezia e poetit Tabaku deklamon më shumë se fjalët që reflektohen në tekstin melodioz muzikor të një kënge. Ne dëgjojmë përmes tingujve muzikorë të ndryshëm notat e shpirtit tradicional e klasik, por poetët nuk janë pinjollë të muzikës, ata janë  njerës të talentuar që krijojnë vargje falë dhuntisë dhe imagjinatës poetike të tyre. Si poezia dhe muzika të ngjallin emocione se i këndohet, jetës,  dashurisë e dhimbjes,-asaj njerëzores. Argumenti është sekondar, finishi  poetik i vargjeve është primar. Fjalët dhe veprat janë mënyrat indiferente të energjisë hyjnore e njerëzore, ku fjalët janë vepra dhe veprat në një farë mënyre janë fjalët. Nëpërmjet metaforës poezia prodhon afërinë mes detajeve jetësore e njerëzore, filozofike e artistike, që kurrë nuk i kemi menduar më parë se ato do të mund të bashkëjetojnë të veshura me artin e fjalës së bukur. Teksa lexoja poezitë e vëllimit “Dhimbjes i rrinë të vogëla këpucët e heshtjes”, mendoja se poeti Tabaku nuk është një poet “ i famshëm”, por ai është një poet i mrekullueshëm dhe njeri i jashtëzakonshëm.

Ky fakt është shumë më e rëndësishme e domethënës për mua, se sa pyetjes që mund të lindë, se a po shkruaj për dikë të njohur…?! Ky vëllim poetik reflekton personalitetin e maturuar poetik të autorit, që është i dallueshëm për qartësitë dhe  skepticizmin e tij ndaj realitetit e përvojave jetësore, kur koha duket sikur mbaron. Karakteristikat e tjera të stilit të tij poetik plot ajër dhe liri, janë forma të strukturuara të hapjes  me botën shpirtërore, psikiken e humanen, tërheqjes drejt momentit poetik  nga njëra anë dhe ndaj jetës në anën tjetër, imazhin e simbolit të dhimbjes e harmonisë, dashurisë dhe përjetimit shpirtëror, dhembshurinë, heshtjen dhe  pikëllimin, vetëdijen e mosvetëdijen, pranë e larg. Të gjithë takohemi në këtë jetë jo thjesht për mirë apo për keq, por  në marrëdhëniet me njerëzit gjithsecili prej nesh, pret  një përgjigje sa herë ka pyetje  në  “fushëbetejën”-e  jetesës e mbijetesës.

Por ajo ç’ka e bën atë të shquar,- ai ka rekord  botimesh  rreth 5450 shkrime publicistike, analiza politike, sociale, shoqërore si dhe shkrime të veçanta studimore në fushën e letërsisë, folklorit dhe kritikës letrare, në këto organe: “Drita”, “Zëri i Rinisë”, në revistat: “Nëntori” e “Ylli”. Pas vitit 1991 ka botuar kryesisht në: “Rilindja Demokratike (RD)”, “Tribuna Demokratike”, ”Republika”, ”55”, ”Koha Jonë”, ”Liria”, “Ballkan”, “Sot”, ”Tema”, ”Metropol”, ”Lajmëtari i Lirisë”, ”Drita”, ”Shkodra”, ”Bota Sot” në Zvicër etj. Po ashtu Vasil Tabakun e gjemë me poezi e tregime nëpër gazeta e revista si: “Drita”, “Zëri i Rinise”, “Ylli”, “Nëntori” dhe më pas edhe në: “RD”, “Republika”, “Drita”, “Tema“ etj.
– Vasil Tabaku është autor i rreth dyzet e pesë dokumentarëve artistik televiziv në TVSH dhe ATN – 1. Ka realizuar me qindra emisione televizive dhe radiofonike në “TVSH”, “ATN – 1”, në “Radio Kontakt”, “Radio Nacional” dhe së fundi edhe në Radion Ndërkombëtare “IRIB”.

VEPRAT LETRARE:“Hyrja e Pranverës“, poezi, 1976, “Në të gjitha ditët“, poezi, 1981, “Me këngën time dhe jetën“, poezi, 1987, “Ndërrimi i epokave“, studime, 1988, “Bota në sytë e mi”, ese, 1990, “Klithmë drite“, poezi, 1998, “Vit i mbrapshtë”,  “Zgjim i dhimbjes“, ese dhe studime social – shoqërore, 1999,  “Vështrim i ngrirë”, poezi dhe ese, 2000, “Shqipëria në udhëkryq, apo politika e kryqëzuar?”, studime dhe artikuj politikë, 2001, “Shkolla Iraniane dhe Shqipëria”, studime dhe intervista me akademikë dhe personalitete të shquara, 2005, “Monumentet e munguara të Demokracisë”, libër eseistiko – publicistikë, 2006, ”Baleti i drerit të plagosur“, roman, 2007,“SHKOLLA IRANIANE DHE SHQIPËRIA”, është përkthyer në gjuhën persishte, Teheran, 2004, “Dhimbjes i rrine te vogela kepucet e heshtjes” Tirane 2012
ËSHTË PREZANTUAR:Hasan Hasani: “LEKSIKONI I SHKRIMTARËVE SHQIPTARË 1501 – 2001”, Prishtinë 2003, Ferdinan Laholli: “ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE – ANTHELOGIE DER MODERNEN ALBANISCHEN LYRIK”, Holzminde/Germany,

Përveç kësaj veprimtarie të begatshëm e të larmishme, që përmendëm më lart Vasil Tabaku, një pjesë e krijimeve poetike i janë përkthyer edhe në gjermanisht, italisht dhe persisht. Ai njeh mirë italishten dhe rusishten.

Prehu në PAQE, miku im!

Të qoftë dheu i lehtë, koleg i shtrenjtë dhe i mrekullueshёm!

I përjetshëm kujtimi e vepra e Poetit dhe Shkrimtarit Vasil Tabaku

Nga Raimonda MOISIU

Florida SHBA

Shkurt 2020

Filed Under: ESSE Tagged With: Raimonda Moisiu, Vasil Tabaku

Monolog dhimbjesh, dashurie, malli e proteste….

February 18, 2014 by dgreca

Esse-analizë e vëllimit me poezi, “Dhimbjes i rrinë të vogëla këpucët e heshtjes” e Poetit e Publicistit -Vasil Tabaku)/

Shkruar nga Raimonda MOISIU/

 Poeti dhe publicisti i njohur, Vasil Tabaku i prezantohet audiencës së lexuesve dhe botës shqiptare, si një ndër  autorët mjaft interesantë e mbreselënës i dhjetra vëllimeve në të treja gjinitë; poezi, prozë dhe publicistikë, ndërkohë është  autor i mijra editorialeve gazetareske, esse, analiza dhe opinione social- ekonomike- politike e kulturore. Dhe kjo nuk erdhi krejt rastësisht, por as e papritur. Ato janë dëshmi e prirjeve të shpirtit letrar-artistik, psikikes e filozofikes, aftësisë dhe kredencialeve të identitetit krijues të tij. Në një nga ato ditët e nxehta të korrikut, 2013, isha në Tiranë, kur  në celularin tim u shfaq numuri i poetit e publicistit  Vasil Tabaku. Deri atë cast njiheshim nëpërmjet eksperiencës krijuese si dy miq e kolegë virtualë në rrjetet sociale. E lamë të pinim kafe në qendër të Tiranës, te Bar – Kafe “Europa”, mjedis i njohur ky, ku mblidhen e  takohen intelektualë, shkrimtarë, poetë e gazetarë, kafe e biseda “për qejf të poezisë e  të letërsisë”. Ishte një  ditë e këndshme dhe impresionuese mes kolegësh. Por edhe dicka më shumë! Vasili më dhuroi dy libra të tij, -romanin “Baleti i drerit të plagosur” dhe vëllimin me poezi “ Dhimbjes i rrinë të vogëla, këpucët e heshtjes”. Poezinë e poetit Tabaku e njoh mirë për harmonizimin e bukur, zhvillimit të identitetit të pjekur poetik dhe  gjetjes poetike brenda detajit artistik, kujdesit estetik e filozofik,  tonit qytetar e intelektual dhe vargjeve lirike, c’ka ai deklamon atë që askush nuk e mendon, imagjinon dhe të paparashikueshmen. Poezia e poetit Tabaku  deklamon më shumë se fjalët që reflektohen në  tekstin melodioz muzikor të një kënge. Ne dëgjojmë përmes tingujve  muzikorë të ndryshëm notat e shpirtit tradicional e klasik, por  poetët nuk janë pinjollë të muzikës, ata janë  njerës të talentuar që krijojnë vargje falë dhuntisë dhe imagjinatës poetike të tyre. Si poezia dhe  muzika të ngjallin emocione se i këndohet, jetës,  dashurisë e dhimbjes,-asaj njerëzores. Argumenti është sekondar,  finishi  poetik i vargjeve është primar. Fjalët dhe veprat janë mënyrat indiferente të energjisë hyjnore e njerëzore, ku fjalët janë vepra dhe veprat  në një farë mënyre janë fjalët. Nëpërmjet metaforës poezia prodhon afërinë mes detajeve jetësore e njerëzore, filozofike e artistike, që kurrë nuk i kemi menduar më parë se ato do të mund të bashkëjetojnë të veshura me artin e fjalës së bukur. Teksa lexoj poezitë e vëllimit “Dhimbjes i rrinë të vogëla këpucët e heshtjes”, mendoj se poeti Tabaku nuk është një poet “ i famshëm”, por ai është një poet i mrekullueshëm dhe njeri i jashtëzakonshëm. Ky fakt është shumë më e rëndësishme e domethënës  për mua, se sa pyetjes që mund të lindë,  se a po shkruaj për dikë të njohur…?! Ky vëllim poetik reflekton personalitetin e maturuar poetik të  autorit, që  është i dallueshëm për qartësitë dhe  skepticizmin e tij ndaj realitetit e përvojave jetësore, kur koha duket sikur mbaron. Karakteristikat e tjera të stilit të tij poetik plot ajër dhe liri, janë forma të strukturuara të hapjes  me botën shpirtërore, psikiken e humanen, tërheqjes drejt momentit poetik  nga njëra anë dhe ndaj jetës në anën tjetër, imazhin e simbolit të dhimbjes e harmonisë, dashurisë dhe përjetimit shpirtëror, dhembshurinë, heshtjen dhe  pikëllimin, vetëdijen e mosvetëdijen, pranë e larg. Të gjithë takohemi në këtë jetë jo thjesht për mirë apo për keq, por  në marrëdhëniet me njerëzit gjithsecili prej nesh, pret  një përgjigje sa herë ka pyetje  në  “fushëbetejën”-e  jetesës e mbijetesës.

 

Stili poetik  e poetit Vasil Tabaku,  është dyvalenca  e ekzistencës njerëzore.

 

Vëllimin  poetik autori nuk e ka ndarë në kapituj, por ndërsa shfleton atë dhe  lexon poezitë kupton se është  cikël poetik i plotë alegorik, inteligjent dhe ambicioz. Autori me mjeshtëri letraro – artistike e filozofike prezanton kontrastet e dy aspekteve të personalitetit të tij poetik; 1-nga njëra anë  vargje entusiaste ku brenda realitetit human është njeriu, me kompleksitetin e larminë e ndjenjave e emocioneve, të strukturuara këto  me  imtësira psiko-analitike dhe metaforike:

“Thesari i vetëm që kemi/është puthja…/Meteorin e këputur të kokës së kaprollit/mban në duar/ /kërkon të mbështetesh/tek një përqafim.”(poezia “Realitete”,f.51).

Poeti përkufizon pikëpamje komplekse dhe intensitetin simbolist  njerëzor me simbolikën  e lidhjes të fortë të  lirisë së shpirtit, gjëndjes emocionale të natyrës njerëzore, si pozitive ashtu edhe  negative, dhëmbshurisë e etjes për të dhuruar  e marrë dashuri.

“Dhimbja vesh këpucët e heshtjes,/mbi rrugën e kafshuar,/nga hapat e varfërisë,/supet e mi,/janë frymëmarrja e detit ,/me hënën,/nga zambakët e bardhë./Duart/kanë/humbur ndjesinë e prekjes./Pëllumbat e gjinjve fërfëritës/qajnë/nga mungesa e dashurisë.”,(poezia “Shpërbërje”f.53).

–  2-nga ana tjetër të vërtetën e pamëshirshme me mall e brengë, melankoli e heshtje, trishtim e gëzim, vargje   që motivojnë luftën për jetën dhe përmirësimin e të kundërtave në hapësirën e dimensionit njerëzor dhe stalagitet e shpërbërjes në hapësirën e boshtë të farsave sociale, në dritën e gjërave të shkruara në heshtje nga mendja e dhimbja,  monologon sinqerisht dhe emocion poetik  dhimbjen e dashurinë njerëzore, dhe arrin në përfundimin se poezia e poetit Tabaku është dyvalenca  e ekzistencës njerëzore.

  “Ne ishim bashkë/ kisha pirë vesën e syve të bukur/kisha puthur lulet/zjarri ishte derdhur brenda meje/si shkrepëtimë rrufesh…/Kisha ndjerë ftohtë/kisha ngrirë përpara syve,/statuja e dhimbjes sime/kishte mbetur memece/.(poezia “Sytë e bukur”f.170)

Poeti Vasil Tabaku në këto vargje ka saktësi lirike, sinqeritet e ciltërsi të  drejtëpërdrejtë të ndjenjës e shpirtit poetik. Përzgjedhjet e figurave letrare janë   jashtëzakonisht të goditura e të zbuluara, të lakmuesheme dhe i pavëndshëm ndaj energjisë simbolike. Autori me termat – “sytë e bukur, puthja, zjarri, shkrepëtima, ftohtë, ngrirë, dhimbje, rrufesh,  memece”, terma që  nënkuptojnë – dashuri, besnikëri, durim, kurajo dhe ka  argumentuar vecorinë për të monologuar me lexuesin me  forcën krijuese artistike e filozofike të dala nga shtrati i ndjenjave të fuqishme. Poezi të tilla si “Ajkuna qan Homerin”, “Dashuri e dashuruar”, “Krizë”,  “Me c’dhimbje të dua”, “Puthja e zambakëve”, “Etyd”, Të ndezësh zjarre”, etj, janë ndërtuar me vargje lirike  që dramatizojnë kontrastet mes jetës, artit dhe krijesave natyrore përreth, dashurinë e dhimbjen ndaj paqëndrueshmërisë së natyrës, këndvështrime lirike origjinale e të arrira, psikikja dhe përjetimi shpirtëror që demonstrohen nëpërmjet  artit e forcës së fjalës  artistike e filozofike, -magjia e artit në të përditshmen. Poeti demonstron  mjeshtërisht dualitetin; me brengë e trishtim, gjuhë të figurshme e letrare për vashën e heroin lirik në kohë e hapësirë, sikundër;  “Ajkuna fshin lotët e derdhur për Homerin/vetëtimat/ka varur në qafë/Me yjet si gurë të cmuar”, dhe emërton  përshkallëzimin e  intensitetit të tyre me epitete, krahasime e metafora, nën vëzhgimin e hollë e të vëmendshëm të personazheve,  temperamentet e emocioneve individuale, të gjallë e të paharrueshme. Vetëdija e poetit Tabaku monologon me lotët e gurët e cmuar, të  Ajkunës që fshin lotët për Homerin –një vajtim ky, që ka muzën dhe perëndinë e saj brenda mjedisit elegjik e poetik.

“Prej kënge është bërë edhe zemra ime/Po shpirti eh shpirti/Qënka një humnerë/shpresë e dhimbjeje…/Ku bisqe drite/Ushqehen me frymën time/Me dashurinë dhe puthjen/me zjarrin e thinjur e ëndrrat.”(poezia “Me c’dhimbje të dua”).

Ndjeshmëria e nevoja e poetit për të zbuluar shtigje e gjetje poetike, mediton e monologon, i ngroh  brenda shpirtit të tij që është zjarr nga ndjenja e dashurisë, poeti identifikon tensionin qëndror të subjekt/objektit, tërheqjen e tyre drejt artit të fjalës nga njëra anë dhe ndaj jetës nga ana tjetër, mision për të transmetuar filozofinë e jetës, dhimbjes e dashurisë njerëzore.

“Me emrat e Mujit e Halilit/Me vajin madhështor të Ajkunës/një qarje,/Që rrëqeth planetët dhe njerëzit/Me qumështin mitik të zanave/Dhe pluhurin qiellor/të kreshnikëve…./Bota/ Ka shtangur/Dëgjon këngët hyjnore/Nga gurrat e zërave të aedëve popullor.”(poezia “Eposi shqiptar” (f.129).

Kjo është poezi –baladë me temë historie me mendim, sqimë e klasike. Ka edhe të tjera poezi të tilla baladike, elegjike, historike dhe  sonetë. Por zgjodha këtë se më tërhoqi vëmendjen si krijim i individualitetit të vecantë dhe  përmasat artistike e filozofike. Paraqitja e heronjve me emrat e tyre, nuk se është prirje e rastësishme për poetin Tabaku, por është aftësia krijuese tij, koeficenti artisik me koeficentin filozofik që kristalizojnë dhe evokojnë historinë, heronjtë, traditën, krenarinë, dashurinë dhe  përcohet thelbi i përjetësisë të vetëdijes e kujtesës njerëzore e historike, të vërtetën e kumtuar nga dialektika e kreshnikëve  me qumështin mitik të zanave. Poezia e poetit dhe e publicistit Vasil Tabaku ka ritëm funksional, metafora lehtësisht të kuptueshme, të cilat të fusin në teleskopin poetik, zbulojnë prirjet  e mesazhit të tij pozitiv që nxisin vetëdijen njerëzore, meditimet, intimitetin, shqetësimin e poetit, tematika të vecanta me tendencën e vargut tradicional, estetik e bashkëkohor,  tematika që përcaktojnë biografinë kolektive të vetvetes e brezit që jeton e i përket. Kemi poezi lirike që i dedikohen atdhedashurisë, si; “Të puth Shqipëria ime”,(f.10), “Brenga e Mërgimtarit”(f.11), “Vështrim mbi Tiranë”(f.156), “ Realitete shqiptare”,(f.180), “Luaj dramën time”( f.172), etj,

dhe semantika e ideve të tyre,  është dashuria, historia, ndjenjat patriotike, krenaria, guximi  për të thënë të vërtetën e realitetit gri, të veshura këto me ngjyra gazmore e  të dhimbëshme, shpirtërores e psikikes,  dhimbjes e mallit, vuajtjes e  sakrificës, mungesën e njerëzve, shpresës e spekulimet mbi njerëzoren, pesimizmin dhe optimizmin, shpirtin intelektual, qytetar e  protestues, për të thënë të vërtetën, ëndrrën e ndaluar dhe ëndrrën e së ardhmes. Kemi poezi me ton qytetar, social  e intelektual, ku shpaloset aspekti human i poetit, sikundër; “Gjëra të trishta”(f.146), “Kthim te e vërteta”(f.128), “Reale” (f.124), “Fundi” (f.129), “Arratisje” (f.127), etj.

Është  një mision i tërë me konvecione të goditura artistike e filozofike, që poeti Tabaku  penetron  në dramën cinike e tragjedi të ngurtësuara; “Shqipëri/dhimbje e dimërt/e shpirtit tim/Dimërzuar dimërisht/hesht/në cep të shekullit të ri./Nëpër zërin tim/rrokullisen gurë/si tragjedi të ngurtësuara nën një qiell klithmash.”

Në këto vargje ndjejmë  nervozitetin, stresin, virtuozitetin dhe kujdesin human,  si thirrje e ankthit të kohës së mbarsur nga  stereotipet e kontrasteve të mëdha, farsave sociale dhe bujarinë njerëzore. Me inteligjencë, grintë ironie, poeti  monologon raportin shpirtëror intim me atë që është shpallur botërisht; e varfëra me të pasurën, të vërtetën e të pavërtetën, e anashkaluara me gjërat që janë në skenën e jetës, vlerën e antivlerën, zotin, ankthin, grotesken e sarkazmën, qytetaren dhe intelektualen, realitetin e hidhur dhe shpresën e pashpresë, me vitalitetin e pushtetin e habitshëm moral, social e politik të tyre  -mes të bukurës e së përditshmes njerëzore.

“Hap qiellin/kërko/sytë e humbur të të verbërit…/duart e mija/janë mbushur/me shi lotësh…/I verbëri/vërtitet brenda natës së vet/gishtat /I digjen/nga copëzat e thyera të dritës.”(poezi “Dhimbje qielli”,(f.92).

 Në këteë poezi kemi imazhin e dukshëm. Hija e copëzave të thyera të dritës ndaj hijes së errësirës në sytë e të verbërit, mbulon plotësisht imazhet e tjera, që dëshmojnë sfidën në kohë e hapësirë të imponuara vetvetiu me  vizionin ekspresionist poetik. Poeti e ka formuar këndvështrimin e tij poetik me anë të rrënjës së ideve, figurave retorike dhe metafizike, prirje kjo drejt qasjes të intimitetit personal e kolektiv, ku poeti edhe ne  të gjithë banorët në tokë e qiell, por pak prej nesh guxojnë apo ta përshkruajnë atë me ngrohtësi, sic bën autori Tabaku. Poeti shpengon dhe shpëton veten nga heshtja e syve të të verbërit, një heshtje që i ngjan dhimbjes qiell…vdekjes….

Poeti dhe Publicisti Vasil Tabaku përmes krijimit letrar artistik e filozofikes, përmes grintës poetike të imagjinatës,  lirikes, psikikes e shpirtërores, në vëllimin poetik “Dhimbjes i rrinë të vogëla këpucët e heshtjes”, i dalë nga shtëpia botuese “Ada”,  na ka dhënë mjeshtërisht monlogun e dhimbjes, dashurisë mallit e protestës – me besimin dhe aftësinë e shpirtit krijues, qytetar, intelektual e njerëzor, jo vetëm ngjall emocione e mbresa të jashtëzakonëshme për audiencën e lexuesve e dashamirësve të poezisë, por  përcon edhe mesazhin botës, që  të mendoje më ndryshe, i jep optimizëm e shpresë se e ardhmja ekziston e i përket jetës e dashurisë njerëzore

Raimonda MOISIU

Hartford CT USA

Shkurt 2014

 

Filed Under: ESSE Tagged With: analize, esse, Raimonda Moisiu, Vasil Tabaku

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT