Homazh për piktorin Ilmi Bani/
Nga Vaso Pata/
Punën e porositur ma solli në shtëpi vetë Ilmiu, i shoqëruar nga miku ynë i përbashkët, Albert Abazi (Habazaj).Sapo e pashë pikturën, “një kompozim i thjeshtë”, u zhgënjeva disi. Nuk i kisha vënë kufizime Ilmiut, as për gjininë, teknikën, motivin apo hollësi të tjera që lidhen me një vepër arti. E dija mirë se rezultati i kufizimeve të tilla do të ishte një punë e Ilmiut por jo ai vetë, të paktën jo me përmasat që kishte. Jo vetëm kaq. Besoj se edhe unë nuk do ta shijoja sa e siç duhej.
Përmasat mu dukën të papërshtatshme e, aq më pak përpjesëtimet ndërmjet tyre. Sytë, të vendosur horizontalisht në fytyrën e njeriut, janë mësuar të shohin pamje ku gjerësia e kalon lartësinë. Natyra, gjatë evolucionit, jo rastësisht ka arritur deri këtu. Kjo vendosje e syve siguron njeriut më shumë informacion për botën që e rrethon por edhe një përpunim të mirë të tij. Në përputhje me të njeriu ka përshtatur përmasat e ekranit të kinemasë, të televizorit e të komjuterit. Po ashtu, shumica e fotografive dhe pikturave janë më të gjera se të larta. Informacioni i marrë nga librat jepet në rreshta horizontalë etj. Kompozimi i Ilmiut sfidonte gjithëçka që thamë më lart në lidhje me përmasat dhe përpjesëtimet e tyre.
Kompozimi paraqet një nënë me fëmijën e saj. Një motiv i thjeshtë e i vjetër sa vetë njerëzimi. Figurat janë disi të mjegullta. Madje edhe linjat e figurave, po ashtu, janë të mjegullta. Nuk dallohen qartë tiparet e nënës (ajo paraqitet në profil) e as ato të fëmijës (fytyra e tij është gjysmë e mbuluar nga shalli i nënës). Ndërkaq disa hollësi, janë paraqitur me konture tepër të qarta. P.sh., cepat e shamisë që mbulon kokën e nënës janë të mprehta, aq sa duket sikur të çpojnë.
Nisa të shikoj me vëmendje ngjyrat. Ato që zotërojnë janë, e zeza, e bardha dhe e kuqja, me disa ngjyrime. Në fizikë e zeza (mungesa e çdo lloj rrezatimi apo ngjyre) dhe e bardha (mbivendosja e të gjitha rrezatimeve apo ngjyrave) nuk quhen ngjyra. E bardha e shamisë që mbulon kokën e nënës dhe një pjesë të fëmijës përfundon në të zezë. E kuqja, që zotëronte tablonë, më dukej e ashpër, agresive, jo shumë e pëlqyeshme për syrin dhe sikur nuk përputhej me përmbajtjen.
Zhgënjimi i fillimit nuk më pengoi që ta shikoja pikturën çdo ditë. Nuk mund t’i shmangesha kurrsesi. Sa më shumë e shikoja, aq më tepër mësoja për ta lexuar, kuptuar e për ta shijuar.
Tabloja nuk shkel as ligjet e shkencës që lidhen me përpjesëtimin e përmasave dhe ngjyrat, aq më pak ato të artit, megjithëse i ka sfiduar deri diku.
Ngjyrat tani i shoh me tjetër sy, si simbole. Vështirësitë që duket se ka përballuar nëna gjatë jetës së saj, mund të jepen më mirë se me çdo ngjyrë me të zezën. E ardhmja që pëfaqëson fëmija më shumë se me çdo ngjyrë mund të jepet me të bardhën.
Fytyrat e nënës dhe fëmijës nuk shprehin shumë por qëndrimi i tyre tregon gjithëçka. Fëmija e ndjen veten të mbrojtur. Ai është strukur në gjirin e nënës, gji që e ka ushqyer. Për aq kohë sa ndodhet aty s’ka asnjë rrezik për të, ka vetëm paqe. Ndonëse lidhja fizike e fëmijës me nënën është ndërprerë prej kohësh lidhjet shpirtërore vazhdojnë të jenë të fuqishme.
Qëndrimi i nënës rrezaton dashuri dhe mirësi. Dallohet mirë dhimbsuria e nënës e shprehur shumë natyrshëm e me elegancë jo të shtirur. Përtej këtyre ndjenjave, të njohura për të gjithë ne, tabloja ka diçka tjetër më të fuqishme që, më në fund arrita ta kap. Nëna ka përjetuar dhimbjet e lindjes, ka përballuar vështirësitë e rritjes së fëmijës së saj. Ajo, duket, ka vuajtur shumë. Por, Zoti ka kompensuar gjithçka. Zoti i ka dhuruar nënës ndjenjën e amësisë. Tabloja fare mirë mund të titullohet “Amësia”
E ndjej veten me fat që kam një punë, me vlera artistike të padyshimta, një monument për nënën. Aty shoh gjithnjë Ilmiun, herë në figurën e fëmijës, herë në atë të nënës.
Faleminderit Ilmi!
Vaso Pata
Qershor 2015