– Bosat e shtetit/
nga KOLEC TRABOINI/
Jemi kësisoj si në kohën e triumviratit të Jul Çezarit me një pushtet që shfaqet si një kurorë mbajtur në tre gozhda e ku gozhda e Saliut nuk ka gjasa të zhgulet në të gjallë të tij. Veç Zoti mund ta ndryshojë këtë raport. Por Zotit nuk i intereson politika e shqiptarëve dhe i lë gjërat të rrjedhin siç duan njerëzit. Përfundimisht mund të themi se shteti shqiptar është i përqendruar në tre shtylla Rama, Meta dhe Berisha (presidenti është inekzistent ndoshta jo plotësisht për fajin e tij), ku Meta qëndron në mes dhe është forca ekuilibruese e triumviratit të ri shqiptar prej të cilit kurrnjë të mirë nuk pret ky popull.
Kalkulimi për goditjen e Lazaratit është bërë në marrveshje të plotë me emisarët e BE dhe të Ambasadorit Arvizu. Sado të përpiqen ta mohojnë maja e aisbergut duket dhe pjesa e nënujshme fare lehtë përftyrohet. Dhjetë ditë më pare se të ndodhte ndërhyrja e shumëpërfolur, ministri i brëndshëm kishte një platformë tjetër, të një zgjidhje europiane, gjithëpërfshirëse, si është e mundur pra që po ky ministër bën një zgjidhje të një goditje rrufe që më shumë se stil europian të jep përshtypjen e një inkursioni hollivudian stil Rambo. Pra hezitimit të gjatë të qeverisë shqiptare për të ndërhyrë me trupa speciale, ju gjëndën pranë ndërkombëtarët për dy arsye. Arsyeja e parë ka të bëjë me fasadën, që të krijohet përshtypja se Qeveria shqiptare e ka gjëndjen nën kontroll dhe ësht ë në rrugë të mbarë. Pra një show për të kënaqur europianët të cilët e dinë mirë se Shqipëria nuk plotëson asnjë kusht të vërtetë për të qënë pjesë e integrimit europian, dhe përgjegjësia është së pari e politikës. Natyrisht politika duhej ndihmuar, duhej shpëtuar sepse refuzimi i tretë do ti të varroste politikën shqiptare përfundimisht dhe nuk mbetej veç të shiheshin aleanca lindore në segmentin Turqi Kinë, mirëpo kjo nuk u interesonte të dërguarve europianë. A nuk e shihni çfarë bën Europa për të tërhequr Sërbinë nga prëhëri rus? Tani në Beograd shkon dhe Toni Bler. Anipse Lazarati nuk ishte në asnjë nga 12 pikat e kushteve, papritur shqiptarët e politikës dhe emisarët e huaj e vunë si pikë të parë krejt e paqënë. Sepse ishte i vetmi kusht që mund ta realizonin dhe atë gjithësesi me vështirësi sepse u vunë 1000 policë kundër 15 antarëve të një bande të armatosur nga të cilët u arrestuan vetëm kush u dorëzua, të tjerët ikën në drejtim të paditur. Si ti përpinte dheu. Kjo tani shitet si sukses kur kurrfarë suksesi nuk është sepse kjo mund të bëhej pa patur nevojë të pushtohej ushtarakisht Lazarati dhe të turpërohej policia, megjithëse propoganda po e shet disfaten si lavdi.
Arsyeja e dytë ka të bëjë me Ambasadorin Arvizu i cili tashmë nuk e honeps Berishën, dhe me të drejtë sepse është brënda konceptit amerikan, kur je në pushtet je gjithçka, kur zbret nga pushteti je një qytetar i thjeshtë. Kështu do të thjeshtëzohet edhe Arvizu në Amerikë kur të lëshoj postin për një tjetër. Por Arvizu nuk mund të puqet me mendimin se ndërsa ai do të shkojë e do të thjeshtëzohet në SHBA, Berisha do të vazhdojë të jetë faktor dhe i përnatshëm në qëndër të vëmëndjen në Shqipëri. Por përtej ndjesive personale ndaj atij që e quajti “burrë shteti”, ka edhe pasigurinë se socialistët nuk do të dijnë të mbajnë pushtetin përballë një dinosauri politik si Berisha që manipulon gjithçka në këtë vend, ndaj jo më kot ia zgjatën mandatin që i ka skaduar si ambasador Aleksander Arvizut, për eleminimin politik përfundimtar të Berishës për ti lënë krah të lirë Lulzim Bashës. Për realizimin e kësaj ai mesaduket ka menduar për një sërë masash që duheshin marrë për ti dobësuar pushtetin politik Berishës. Ai e ka dëgjuar Ministrin e Brëndshëm Tahiri në intervistën televizive mbi zgjidhjen e problemit të Lazaratit në plan europian dhe ka mbetur i pakënaqur duke i sugjeruar zgjidhjen e problemit në stil amerikan. Dhe kështu të bindurit tanë e kanë pranuar goditjen me stil Rambo mbi Lazaratin. Por llogaritë nuk dolën siç u menduan me shkakun se ato 1000 policë shqiptarë, ca thonë edhe specialiste italianë ndërhyrjesh, nuk patën sukses me blicin e tyre sepse u frenuan nga 15 njerëz, kaçakë të armatosur, mercenarë fshatarë këta të bosave të droges, të cilët rezistuan në pesë ditë por nuk vranë njeri, ikën nga sytë këmbët në drejtim të paditur duke ua lëshuar fshatin policisë që hyri si triumfatore e lodhur e raskapitur deri në palcë. Ca thonë edhe e uritur. E për ti dhënë një gjallëri e publicitet aksionit nxorrën në foto dhe një vajzë të bukur, e dënjë për Mis Albania, me uniformën e policit dhe automatik në dorë. Tani në internet të rinjtë po çmënden pas kësaj fotografie që vërtetë është e admirueshme por gjithësesi policja e bukur nuk e përballon suksesin e betejës së pesë ditëve kuturisje, por propoganda është propogandë ajo do bëjë punën e saj sa të shuhet zhurmënaja e betejës e pjatave e pirunëve në Padam dhe beteja raskapitese në Lazarat.
Gjithësesi qëllimi politik u arrit, klanit të Berishës ju pre mbështetja financiare nga bastionet e Lazaratit dhe si e tillë ai tashmë financiarisht mbetët i dobët. Fakti se kryetari i fshatit Lazarat gjithnjë është gjëndur nëpër grevat e metingjet e PD tregon shumëçka për lidhjet e kësaj partie me republiken e kanabisit. Por megjithë se kjo zgjidhje me goditje të përqendruar policore është në interes të kryeministrit dhe të Ambasadorit që duan shmangjien e Sali Berishës nga skena politike, ose të paktën dobësimin e tij maksimal, kjo nuk i shkon për shtat politikës së LSI-s me Ilir Metën që e ka në shtrungë partinë e vet. Atij i intereson të vazhdojë aleancën me PS dhe Ramën por jo dhe aq sa këta të fundit të forcohen aq shumë sa të mos ja ndjejnë më nevojën LSI dhe Metës, aq më tepër ai nuk do që PS të jetë plotësisht e sigurtë se Metën tashmë e ka prapavijën e vet. Meta nuk është nga ata që rrin nga pas, ambicja e tij është të rrijë në krye. Meta gjithashtu dëshëron që aleati gjithmonë të jetë me frikën e ikjës së tij nga aleanca, ndaj nuk i intereson eleminimi i plotë e Berishës nga skena politika. Me Berishën e lidhin shumë gjëra që dihen e nuk kanë nevojë për koment. Berisha e shpëtoi Meten, gjyqi u kthye në një farsë dhe ja ku është edhe më lart në rolin kyç të politikës shqiptare, një nga tre burrat e shtetit me peshë më të madhe se vetë presidenti. Meta me mjeshtri gjeti rastin kur Berisha i nxehur përsëriti ato çfarë i kishin sjellë informatorët e vet nga darka që u hëngër ligsht në “Padam”, por që ishin mbajtur jashtë vëmëndjes së publikut. Pra përfitoi dhe e ndaloi Berishën në foltoren e Kuvendit, një sinjal ky besnikërie ndaj Ramës duke e siguruar se në kuvendin që drejtonte ai, Meta, nuk guxon njeri të prekë kryeministrin, por nga ana tjetër, Meta i frikësuar( nuk ka trima në politikë, ka vetëm dhelpra) se Berisha do ti priste të gjitha lidhjet me të e do ti përfliste gjyqin Meta-Prifti, deshi s’deshi bëri një deklaratë publike duke thënë se e kishte dobësi Saliun dhe do të kishte kënaqësi ta dëgjonte edhe më tej në kuvend. S’ka më bukur. Me një gur Meta vrau dy zogj, jep siguri tek Rama por jo siguri maksimale dhe kësisoj e zbut Berishën duke i dhënë të kuptojë se mirësinë që i ka bërë nuk ja harron e në ditë të vështira do ti gjëndej në krahë.
Jemi kësisoj si në kohën e triumviratit të Jul Çezarit me një pushtet që shfaqet si një kurorë mbajtur në tre gozhda e ku gozhda e Saliut nuk ka gjasa të zhgulet në të gjallë të tij. Veç Zoti mund ta ndryshojë këtë raport. Por Zotit nuk i intereson politika e shqiptarëve dhe i lë gjërat të rrjedhin siç duan njerëzit. Përfundimisht mund të themi se shteti shqiptar është i përqendruar në tre shtylla Rama, Meta dhe Berisha (presidenti është inekzistent ndoshta jo plotësisht për fajin e tij), ku Meta qëndron në mes dhe është forca ekuilibruese e triumviratit të ri shqiptar prej të cilit kurrnjë të mirë nuk pret ky popull. Pa daljen e Sali Berishës, Fatmir Mediut dhe grupimit ish qeveritar në gjyq dhe zvogëlimin e rolit të Metës në shkallët e pushtetit, nuk ka shpresë që Shqipëria të kthehet në normalitet. Por kjo mjerisht nuk ka asnjë gjasë të ndodhë me këto raporet e aleanca që janë krijuar, prandaj shqiptarët të mos jetojnë me iluzione kultesh por të kuptojnë se është koha për të nxjerrë në skenë forca e individ të një fryme të re e me energji pozitive në politikë që i tejkalojnë këto konspiracione që e kangrenzojnë shoqërinë shqiptare, që më shumë të kujtojnë klanet mafioze se sa politikën e shtetit të ligjit dhe të së drejtës.
23 qershor 2014