• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË 30-VJETORIN E MARRËDHËNIEVE DIPLOMATIKE, PREJ 8 VITESH, SHQIPËRIA PA AMBASADOR NË VATIKAN – PSE?

September 12, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

A person in a suit

Description automatically generated with low confidenceJavën që kaloi, u shënua 30-vjetori rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Vatikanit, me 7 shtator, 1991.  Njëkohësisht, ky vit shënoi gjithashtu edhe 300-vjetorin e vdekjes së Papës Klementit XI me origjinë shqiptare, nga ana e babait, i njohur ndryshe si Gjon Françesk Albani (Giovanni Francesco Albani).  Në Korrik janë mbajtur seminare në Romë dhe në Tiranë, për të kujtuar këto dy përvjetore me rëndësi. Për më shumë hollësi mund të lexoni: Frank Shkreli: Papa Klementi  i XI me origjinë shqiptare – mbrojtës i identitetit kombëtar të shqiptarëve | Gazeta Telegraf  

Por, ndërkaq, me datën 7 shtator, 2021, që është dita zyrtare e rivendosjes së marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan, në portalin e Ambasadës së Shqipërisë pranë Vatikanit shënohet kjo datë se, “Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë, 7 shtator 1991, përfaqësonte një stacion shumë të rëndësishëm në të cilin po hynte diplomacia shqiptare në rrugëtimin e saj të ri në marrëdhëniet me jashtë pas rënies së Murit të Berlinit dhe vendosjes së pluralizmit në vend.”

“Në të vërtetë marrëdhëniet diplomatike midis Vatikanit e Shqipërisë kanë një histori më të hershme që përpara sistemit të diktaturës komuniste, por që qeveria komuniste i ndërpreu marrëdhëniet me Vatikanin, me dëbimin e legatit apostolik Imzot Leone Nigris, si person të “padëshirueshëm”, më datë 24 maj 1945”, thuhet në portalin e ambasadës shqiptare në Vatikan — që në mungesë të një ambasadori fuqiplotë — kryesohet nga e Ngarkuara me Punë, Majlinda Doda. Deklarata e përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Vatikanit, thuhet mëtej në portalin e ambasadës shqiptare, u mendua të bëhej publike nga të dy palët, më 7 shtator 1991, ku ndër të tjera shkruhet: “Selia e Shenjtë beson që marrëdhëniet zyrtare të vendosura me Shqipërinë do të jenë një avantazh për të dy palët, do t’i shërbejnë forcimit të lidhjeve dhe miqësisë midis tyre, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar…”, thekson portali zyrtar o përfaqësisë diplomatike të Shqipërisë në Vatikan. 

Ndonëse marrëdhëniet diplomatike mes Vatikanit e Shqipërisë kanë një histori më të hershme shekullore — që para periudhës së diktaturës komuniste — ishte pikërisht qeveria komuniste e Tiranës ajo që ndërpreu marrëdhëniet me Vatikanin, me dëbimin e legatit apostolik, imzot Leone Nigris, si person të “padëshirueshëm”, më 24 maj të vitit 1945 – kur edhe filloi martirizimi i Kishës Katolike shqiptare due persekutimi i klerikëve të saj nga regjimi barbar komunist i Enver Hoxhës.

Ndërkaq, javën  që kaloi, në 30 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndёrmjet Selisë së Shenjtë e Shqipërisë, në emër të Kishës Katolike të Shqipërisë, u shpreh Imzot Gjergj Meta, Sekretar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe ipeshkëv i Rrëshenit, me një deklaratë për Radio Vatikanin, në të cilën nënvijoi hapat drejt forcimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan — përfshir vizitat e dy papëve në Shqipëri, Gjon Palit të II më 1993 dhe Papa Françeskut më 2014 — por ai nuk anashkaloi as problemet që duhen zgjidhur në marrëdhëniet midis dy vendeve në këtë 30-vjetor, përfshir edhe mungesën e një ambasadori fuqiplotë të Shqipërisë në Vatikan, bosh ç’prej vitit 2013.  

Me këtë rast, Imzot Gjergj Meta foli pozitivisht, por edhe realisht për ecurinë e marrëdhënieve këto 30-vjetë post-komunizëm midis Tiranës zyrtare dhe Vatikanit.

“Shqipëria dhe Vatikani kanë pasur gjithmonë një raport të mirë, një raport strategjik me njëri tjetrin.  Dhe kjo qysh nga lashtësia, qysh nga kohët e hershme”, tha ai, për Radio Vatikanin.  Imzot Gjergj Meta u shpreh se gjatë historisë ka pasur shumë momente dhe ngjarje historike të marrëdhënjeve Shqipëri-Vatikan, por klima që ekziston, marrëveshjet që janë arritur, përfshir ato juridike dhe ndërkombëtare, por edhe ato të brendshme, theksoi Imzot Meta, kanë qenë të një niveli shumë të mirë dhe të rëndësishme për Shqipërinë dhe për Kishën Katolike.  “Dihet se shteti dhe populli shqiptar kanë tek Vatikani një partner të vazhdueshëm, një aleat të vazhdueshëm, edhe për aspiratën e tij për integrimin evropian, për zbatimin e të drejtave të njeriut, e kështu me rradhë. Mund të themi se në këto vite shkëmbimet e ndryshme që kanë ndodhur, e kanë pasuruar marrëdhënien midis dy vendeve”, vlerësoi ai.    

Ndër çeshtjet problematike që mbeten midis dy palëve, i përndershmi Gjergj Meta përmendi mos pasjen e vazhdueshme prej 8 vitesh të një ambasadori fuqiplotë të Shqipërisë në Vatikan: “Sigurisht se duhet thënë se mungesa e një ambasadori të Shqipërisë në Vatikan qysh prej vitit 2013 nuk është një gjë që na bën fort nder ne si shtet, duke qenë se Vatikani, vazhdimisht, ka sjellë ambasadorë në Shqipëri dhe ne prej disa vitesh pra nuk kemi ambasador në (Vatikan). Jam i sigurt se po të kërkohet dhe po të kihet vullneti i mirë, mendoj se mund të gjëndet një zgjidhje e kënaqshme për të dy shtetet, por që është edhe përfaqsuese e denjë për shtetin tonë, një zgjidhje e kënaqshme për të gjithë ne”, ka theksuar përfaqsuesi i lartë i Kishës Katolike Shqiptare.

Një çeshtje tjetër, që sipas Imzot Gjergj Metës, shqetëson Kishën Katolike Shqiptare (por besoj edhe komunitetet e tjera fetare në Shqipëri – shënim i autorit), është çështja e pronave të tyre të konfiskuara nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.  Ky, “mbetet ende një problem i pazgjidhur — çeshtja e këthimit të pronave Kishës Katolike, prona të konfiskuara gjatë regjimit komunist. Gjatë këtyre 30-viteve ka munguar vullneti për të gjetur në zgjidhje edhe për ato prona që ka pasur Kisha”, është ankuar Imzot Gjergj Meta.  Ai shtoi se këto janë prona që nuk janë një qëllim në vetvete, se sa një mundësi që do t’i lejonin Kishës Katolike të kishte një autonomi të veten për të kryer ato veprimtari që janë në të mirë të popullësisë, në të mirë të vendit, qoftë veprat e bamirësisë, qoftë shkollat që ka në administrim, universiteti katolik e tjerë.

Megjithë këto çeshtje të pazgjidhura, Imzot Gjergj Meta u shpreh optimist për zgjidhjen e tyre, duke thënë se, “Mendoj se edhe këtu, nepërmjet atyre zgjidhjeve ligjore që ofron edhe vet marrëveshja Vatikan-Shqipëri, si për shembull krijimi i komisioneve ad hoc për çeshtje të veçanta. Do të ndihmonte shumë për zgjidhjen e këtyre ngërçeve, të cilat nganjiherë duket se i bejnë hije marrëdhënieve të mira Vatikan-Shqipëri”.   

Më në fund, Sekretari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe ipeshkëv i Rrëshenit, i vlerësoi marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Vatikanit në programin e Radio Vatikanin në gjuhën shqipe: “E them me bindje se këto marrëdhënie janë në nivelin më të mirë të përzemërsisë dhe të ndihmës reciproke të dy shteteve, me njëri tjetrin. Sigurisht, se duhet thënë se marrëdhëniet Vatikan – Shqipëri kanë shprehjen e vet më të mirë në angazhimin e katolikëve në jetën e shoqërisë shqiptare. Katolikët si pjesë themeltare e historisë së Shqipërisë, e shtetit shqiptar, e institucioneve shqiptare, e jetës shoqërore të përditëshme, mund të luajnë një rol të rëndësishëm në trasnformimin e shoqërisë, të frymëzuar nga ato parime që vijnë nga jeta shpirtërore, nga ato parime që vijnë nga tradita e krishterë e cila ka elementë, ka shumë gjëra për të thenë e për të kontribuar në arritjen e mëtejshme të demokratizmit të vendit, në rritjen e mëtejshme të cilësisë së jetesës dhe të një shoqërie ku ka vend për të gjithë.  Katolikët në Shqipëri kanë qenë mjaft aktivë në dialogun ndërfetar, në punë të ndryshme, në ndihmat dhënë familjeve në nevojë, qoftë në kohën e pandemisë, qoftë në kohë edhe më të vështira”, ka thenë Imzot Gjergj Meta në deklaratën e tij për Radio Vatikanin, duke uruar, njëkohësisht, në këtë  30-vjetor të marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan, që këto, ”marrëdhënie të vazhdojnë të jenë të mira, të vazhdojnë të jenë të shkëlqyeshme midis shtetit shqiptar dhe Vatikanit, sigurisht në të mirë të gjithë njerëzve, në të mirë të komunitetit katolik, në të mirë të shtetit shqiptar por edhe në të mirë të Selisë së Shenjtë”, ka përfunduar deklaratën e tij Imzot Gjergj Meta me rastin e 30-vjetorit të lidhjeve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Vatikanit.

Zakonisht, mungesa e një ambasadori fuqiplotë në një vend, sidomos për një periudhë kaq të gjatë si në këtë rast – prej 8 vitesh – tregon se shteti që nuk ka një ambasador fuqiplot në një shtet të caktuar – siç është rasti i Shqipërisë me Vatikanin – duhet të jetë i pakënaqur për diçka me vendin pritës, me politikat e tija, me sjelljet ose diçka tjetër. Ndërkohë, Ambasada e Shqipërisë pranë Vatikanit është e hapur dhe vazhdon veprimtarinë – por nuk është njësoj pa ambasador — ndërsa drejtohet nga një e ngarkuar me punë, në këtë 30-vjetor të marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan.

Atëherë, ku qëndron problemi? Kush e pengon dhe PSE emërimin e një ambasadori të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Shqipërisë në Vatikan?  Nëqoftse marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Vatikanit vazhdojnë të jenë, jo vetëm të mira, por të “shkëlqyeshme”, sipas Imzot Gjergj Metës, PSE vazhdon të jetë bosh karriga e Ambasadorit fuqiplotë të Shqipërisë në Vatikan – për 8 vjet tani?!  Dikush në qarqet e politikës shtetërore, qeveritare e diplomatike në Tiranë duhet ta dijë se PSE mungon ambasadori fuqiplot i Shqipërisë në Vatikan – dhe kush e pengon emërimin e një ambasadori atje.  Një pyetje që kërkon përgjigje nga autoritetet shqiptare në këtë 30-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve midis Republikës së Shqipërisë dhe Vatikanit.

Frank Shkreli

30-vjetori i marrëdhënieve Seli e Shenjtë - Shqipëri
A person holding a flag

Description automatically generated with medium confidence

“Nënë Tereza është bijë e madhe e këtyre trojeve. Paqe në shtëpitë tuaja”, kështu është lutur Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2014 – vizita e parë e tij si udhëheqës i Kishës Katolike në një vend të Evropës.   Me atë rast, nga sheshi Nënë Tereza në Tiranë, mes tjerash, Papa u është drejtuar shqiptarëve me fjalët: “Erdha për t’iu inkurajuar që të rritet shpresa brenda dhe mes jush. Uroj që shqiponja që keni në flamurin tuaj, të mbajë gjithmonë shpresën te Zoti që nuk zhgënjen, e qëndron pranë në momente të vështira”.

Bandiera albanese e bandiera città del Vaticano

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Frank shkreli, VATIKANI DHE “SHQIPNIA”

VATIKANI DHE “SHQIPNIA”

March 15, 2016 by dgreca

PAPA GJON PALI II PUTHI TOKEN E GJERGJ KASTRIOTIT/

Nga Fritz RADOVANI*/

 ■Gjergj Kastrioti – Skenderbeu – i la Popullit Shqiptar: Shtetin e Lirë Shqiptar, Flamurin, Unitetin e Gjuhës, Trojeve dhe të Fesë, si dhe Identitetin Europjan Perëndimor.

Per këta sot flasin: Flamuri ynë me Shqipen dykrenare, Perkrenaria e Shpata e Tij.

■Mbështetja kryesore e Gjergj Kastriotit në Europë, ishte Shteti i Vatikanit. Kryesisht të gjithë Papët e Romës e mbështetën Prijsin e Shqiptarëve Gjergj Kastrioti, si Mbrojtës i Krishtenimit Europjan, Lirisë së Atdheut të vet dhe Luftar i vendosun per identitetin e Shqiptarëve me frymen kulturës përparimtare të Europës Përendimore.

■Mirënjohja e Vatikanit per Gjergj Kastriotin asht kenë dhe mbetet e përjetshme!

■Në mënyren ma të paligjëshme, kur në Shqipni sllavokomunistët jugosllavë vendosën në qeverisjen provizore sherbëtorët terroristë Enver Hoxha me shokë, veprimi i parë që ata kanë zbatue nga porositë e Titos, ishte “premja e mardhanjeve diplomatike të shtetit Shqiptar me Vatikanin, me 25 Maji 1945, dhe nxjerrja jashtë e Delegatit Apostolik të Vatikanit nga Shqipnia Imzot Leone G.B. Nigris.” Asgja e papritun. Në fillim të Janarit të 1945, kur Kuvendin e Fretenve e vizituen terroristi Sheuqet Peçi dhe Mehmet Shehu, të dy kerkuen nga Provinçiali At Mati Prennushi shkëputjen e Kishës Katolike nga Vatikani dhe, të dy morën të njajtën pergjegje: “Françeskanët nuk do të perzihen në politikë dhe, se nuk do të pranojnë me disktue premjen e marrdhanjeve me Vatikanin, mbasi nuk e kemi nder mend me u kthye Ortodoks si Kishat Autoçefale të Lindjes…”

Po këte mendim e mbështetën edhe Imz. Vinçenc Prennushi dhe At Pjeter Mëshkalla në Tiranë, si dhe të gjithë Klerikët Katolik që u perfshine në Gjenocidin e njohun komunist.

■Këte mendim e dinin edhe Aleatët që në shtator 1944 nga Don Ndre Zadeja, se kur u takue me kolonelin anglez Neel i pat kerkue: “Theksova nevojën që Populli Shqiptar, i vorfen e me armiq shekullor që janë sllavi, bullgari, greku, Italia, ka nevojë për nji mbrojtje nga Fuqitë e hueja…” Prokurori Sotir Dodona, shenon: “Këtu nuk ka bërë tjeter veç detyrën e kollonës së pestë dhe ka treguar një urrejtje për frontin N.Çl.” (Dosja 677).

■Në Maji 1945 Delegati Apostolik Imz. Leone G.B. Nigris, kur u largue perfundimisht  nga Shqipnia me urdhen të Enver Hoxhës, Ai la në vendin e Tij Imz. Frano P. Gjinin, si Regjent i Delegacionit Apostolik në Shqipni, i cili deklaroi: “Unë nuk do t’a ndajë kurr grigjen teme nga Selia e Shejtë…” (1945).

■DOSJA 1302/II – A, Imz. Gjini deklaron: “Nji kopje të letres u vendos t’i jepet Misionit Anglez ose Amerikan, per dijeni nga ana e tyne si dhe me vue në dijeni Vatikanin, mbasi perfundimisht ishin nderpre korespondencat nga Shqipnia. Dergimi i kësaj letre në Vatikan kishte për qellim që të vihej në dijeni Selia e Shejtë se Kleri Katolik Shqiptar, nuk i nderpret lidhjet me Te, dhe se kjo çeshtje, asht vetem kërkesë kamngulëse e qeverisë komuniste të Tiranës e kryesueme nga Enver Hoxha.” (1946).

■Mosnjohja e Regjentit Imz. Frano Gjini nga qeveria e Tiranës, lidhja e saj me qeverinë komuniste jugosllave, vrasja e Malësorëve të Veriut dhe të Mirditës, per mospajtim me okupacionin e Shqipnisë nga Jugosllavia e Titos, vazhdimsia antikombtare e politikës së PKSh që në formimin e saj me 8 nandor 1941, e detyrojnë Imz. Gjinin me ba hapin e Tij të randsishem, per me evitue mundsinë e Enver Hoxhës me akuzue Klerin Katolik, prandej, Ai Urdhnoi: “Mos implikimi i çdo Kleriku, kushdo kjoftë, me asnji çeshtje politike, pra ndalimin e plotë të marrjes me politikë. Urdhni asht i padiskutueshëm dhe i pakundershtueshëm.” (Origjinali ruhet në Arkiv.)

■Imzot Frano Gjini, arrestohet me 15 Nandor 1946, torturohet dhe mbasi nuk pranon asnjë akuze dhe shpifje, pushkatohet me 11 Mars 1948 me Prelatët e Klerit Katolik.

■Perpjekjet e Tiranës “kuqe” per shkëputje nga Vatikani vazhdojnë deri në korrik 1951, kur pjesa e mbetun e Klerit Katolik “aprovoi” “Statutin e Kishës Katolike Shqiptare”.

Klerikët që nuk e nenshkruen atë Statut u pushkatuen ose u zhdukën me të tjera mjete nga sigurimi i shtetit, tue u urdhnue direkt nga Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha,  që edhe ajo urdhnonte nga karrigat e Kuvendi Popullor…

***

9 NANDOR 1989, Muri i Berlinit ra!

■Në Rumani vritet Çaushesku me të shoqen nga turmat e popullit rumun…

■14 Janar 1990, në Shkoder mendohet me u rrezue busti i Stalinit… Bahen arrestime.

Me 11 Nandor 1990, Don Simon Jubani thotë Meshen e parë në Rrëmaji mbas 1967…

Në Shkurt 1991, formohen në Shqipni Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna…

Shqiptarët mbas Lirisë së Fesë, kerkojnë formimin e partive politike e zgjedhje të Lira.

Mbas heqjes në Shkoder të bustit E. Hoxhës, në 20 Shkurt 1991 hiqet shtatoria në Tiranë.

Rinia Shqiptare brohoritë: “E duam Shqipninë si gjithë Europa!”

***

■16 TETOR 1978, Karol VOJTILA zgjidhet Papa i Kishës Katolike në Vatikan.

Fillon takimet me udhëheqës shpirtnor e politik nga gjithë Bota…fillon lidhjet me shumë shtete të mbetuna pezull si ShBA, BRSS, Hungari, Çekosllovaki, Rumani etj…(1990).

20 Mars 1991, vjen per vizitë private Zv/Ministri Claudio Celi, pergjegjës per mardhanje të Vatikanit në KSBE, dhe me rasen e vizitës së Tij në Shkoder, jemi takue në Turizmin e Shkodres, ku kemi shkembye mendime per lidhjet e ardhëshme me Vatikanin.

■22 Gusht 1992, Papa Gjon Pali II ban Apelin e sigurimit Paqës në Ballkan…

■2 Dhjetor 1992, Shqipnia bahet antare e “Konferencës Islamike”…

■Prill 1993, Paraqet letrat kredenciale pranë Selisë Shenjte Ambasadori Villy Kamsi.

■25 Prill 1993, PAPA GJON PALI II viziton Atdheun e Gjergj Kastriotit…

■21 Shtator 2014, PAPA FRANÇESKU, viziton Tiranën në pragun e “rilindjes”…

Janë ba dy vjetë që “Rilindja” e Tiranës nuk gjenë asnjë “Katolik” të pa bamë synet, me e dergue Ambasador në Vatikan… Mos ndoshta, “ngerrçi” i para 70 vjetëve, që në 1945 na nxori nga Europa per 50 vjetë, na ka marrakotë…e janë ba 25 vjetë që “Shqiptarët” nuk gjejnë ende çelsat e “Dyerve të Europës”…Po, rrijnë tue shikue “hanën”…?!

■Bahet fjalë per “40 Martirë të Kishës Katolike”, kur numuri i vertetë i Atyne Martirëve që u pushkatuen, u mbyten nder balta e kampe pune, Ua nxorën Shpirtin tue i shkye per gjymtyrësh, e sot nuk kanë as Varre, po shka asht ma keq “edhe fshihen si numur nga

Libri Martirizimi i Kishës Katolike në Shqipni 1944 – 1990”, Liber i cili, Ju dhurue edhe Papës Gjon Pali II, kur vizitoi Shqipninë…E numuri nuk asht 40, po asht 131 Klerikë, që ka perfshi Gjenocidi nga të cilët, janë zhdukë nga faqja e dheut 61 Klerikë Katolik.

■Sikur para Kathedrales së Shkodres të digjeshin librat e shkruem nga 1945 e deri 1993, kunder Papëve e Vatikanit, tue perjashtue “Inkuizicionin e Kishës”, jam i sigurt se flaka e atyne librave do të shihej jo vetem në Romë, po edhe në Athinë, Beograd e Stamboll!

            *Vazhdon Pjesa e VI…

Melbourne, 16 Mars 2016.

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, VATIKANI DHE “SHQIPNIA”

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT