*Nënë Tereza Shenjte: programi i Misionareve të Bamirësisë(Motrat e Nënë Terezës)/
Në prag të eventit të shenjtërimit të Nënë Terezës, Shteti i Vatikanit do të emetojë një Pullë Postare në nderim të figurës së besimtares shqiptare.
Prej datës 2 shtator do të hidhen në treg 150 mijë pulla postare dedikuar Shenjtores së ardhshme Nënë Tereza. Vlera e pullës do të jetë 0.95 cent.
Realizimi i kësaj pulle është bërë nga artisti italian Patrizio Daniele. Nën mbishkrimin Nënë Tereza Shenjtore, besimtarja shqiptare shfaqet në dy momente; me buzëqeshjen e saj klasike plot mirësi si dhe ndërsa ecën dorë më dorë me një vogëlushe. Larg në sfond duket katedralja St. Paul e Kalkutës në Indi.
Kjo është hera e dytë që Shteti i Vatikanit hedh në treg një seri pullash dedikuar procesit të shenjtërimit të Nënë Terszës.
Më shtator të vitit 2003 është emetuar pulla postare dedikuar nisjes së proesit të Lumturimit të Nënë Terezës me vlerë 0.41 cent.
Është bërë publike logoja zyrtare e eventit të shenjtërimit të Nënë Terezës që do të mbahet me 4 shtator në Vatikan.
Kjo logo është krijuar në qytetin Mumbai të Indisë nga dizenjatorja indiane Karen Vaswani nee D’Lima, besimtare katolike e Urdhërit të Nënë Terezës në lagjen Mahim të këtij qyteti.
Artistja Karen Vaswani nee D’Lima, e ka nisur karrierën e saj në moshën 21 vjeç dhe gjatë gjthë këtyre viteve ka ofruar punën dhe si dizenjatore për mjaft kisha në Indi.
Për Azia News Karen Vaswani nee D’Lima, rrëfen se “nuk e ka takuar kurrë personalisht Nënë Terezën, por ka admiruar gjithmonë veprën e saj, që e ka frymëzuar profesionalisht dhe në mjaft aktivitete bamirësie.”
Përsa i përket krijimit të logos për këtë event madhështor, artistja indiane thotë se Ipeshkvia e Kalkutës e kishte kontaktuar për të dizenjuar logon e celebrimit të ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës në Kalkuta.
“Pas realizimit drejtuesja e përgjithshme e urdhërit të Motrave të Nënë Terezës në Indi, Motra Prema, e pëlqeu aq shumë sa u vendos ta adoptojnë dhe për eventin zyrtar që do të mbahet më 4 shtator në Vatikan. Jam mjaft e kënaqur dhe mirënjohëse për këtë”, tha ajo.
Artistja Karen Vaswani nee D’Lima ka treguar se i janë dashur 3 ditë për realizmin e kësaj logo.
“Tema e zgjedhur nga Vatikani, thotë ajo ishte “Përcjellja e dashurisë dhe e mëshirës së Zotit”, kështu vendosa të punoj mbi një pozim klasik të Nënë Terezës, e cila mban me shumë dashuri ndër duar një fëmijë. Preferova të përdor një stil mjaft të thjeshtë në grafik e vetëm, dy ngjyra, gjë që lejon të përdoret me mjaft lehtësi nga të gjitha tipologjitë e mediave.”
Duke përfunduar, artistja indiane thotë se gjatë punimit të kësaj logo-je është lutur shumë, duke falenderuar Zotin për mundësinë që i dha, si dhe duke e falenderuar gjithashtu dhe për frymëzimin në realizimin e kësaj logo të thjeshtë e të fuqishme njëhershën, e qe flet vetë më shumë se çdo tjetër përshkrim.
Nënë Tereza Shenjte: programi i Misionareve të Bamirësisë(Motrat e Nënë Terezës)
ROMË – 4 SHTATOR 2016
PAPA FRANÇESKU SHPALL SHENJTE NËNË TEREZËN E KALKUTËS
Programi i Misionareve të Bamirësisë
E enjte – 1 shtator
Hapja e ekspozitës
“JETA, PËRSHPIRTËRIA DHE MESAZHI I NËNË TEREZËS”
1-3 e 5 shtator 9.00-19.00
4 shtator 14.00-19.00
7 shtator 9.00-14.00
LUMSA – Kompleksi Jubileu,Via di Porta Castello 44
Shtegtarët mund të kapërcejnë Portat Shenjte ose të vizitojnë ekspozitën kushtuar Nënë Terezës.
______________
E premte, 2 shtator
Mesha Shenjte: ora 9.00 në gjuhën angleze; 10.00, në gjuhën spanjolle, 12.00, në gjuhën italiane.
Bazilika e Shën Anastasisë në Palatin
______________
MBRËMËSORE E LUTJES DHE ADHURIM SOLEMN
Kori i Dioqezës së Romës, drejtuar nga imzot Marco Frisina.
Tema: “Rrezatojmë dritën e Krishtit, thirrja për shenjtëri”.
20.30-22.00 – Bazilika e Shën Gjonit në Lateran.
__________________
E shtunde, 3 shtator
KATEKIZMI I PAPËS FRANÇESKU
8.30 përgatitja – 10.00 fillimi i katekizmit në Sheshin e Shën Pjetrit
Hyhet me biletë
ORATORI “MOTHER”
I Marcello Bronzetti, me korin dhe orkestrën Fideles et Amati, ora 17.00
Bazilika e Shën Andrea della Valle.
Mesha Shenjte, në orën 19.00
Në përfundim të Meshës, nderimi i relikeve të së Lumes Tereza e Kalkutës
______________________
E diel, 4 shtator
LITURGJIA SOLEMNE EUKARISTIKE E SHENJTËRIMIT TË SË LUMES
TEREZA E KALKUTËS.
Ora 10.00, në Sheshin e Shën Pjetrit
E nevojshme, bileta e hyrjes
Lutja e Engjëllit të Tënzot e Papës Françesku
Ora 12.00, Sheshi i Shën Pjetrit
______________________
E hënë, 5 shtator
FESTA E PARË E SHËN TEREZËS SË KALKUTËS
Mesha e falënderimit, kryesuar nga Hirësia e Tij, kardinali Pietro Parolin me pjesëmarrjen e korit të Dioqezës së Romës, drejtuar nga imzot Marco Frisina
Ora 10.00, Bazilika e Shën Pjetrit
Pasdite
NDERIMI I RELIKEVE TË SË LUMES TEREZA E KALKUTËS
Ora 16.0- 18.00 – Bazilika e Shën Gjonit në Lateran
6-8 shtator
NDERIMI I RELIKEVE TË SHËN TEREZËS SË KALKUTËS
E martë, 8 shtator, ora 9.00-18.00 Kisha e Shën Gregorit të Madh,
Vizitë në dhomën e Nënë Terezës në kuvendin e Shën Gregorit;
ora 8.30-18.00 Piazza San Gregorio 1
Për biletat e hyrjes dhe informacione të tjera të nevojshme, shiko:
www.motherteresa.org
Në të gjitha ngjarjet, me përjashtim të atyre që janë shënuar, hyrja është e lirë.
Kosovë: Pullë Postare për “Shenjtërimin e Nënë Terezës”/
Për ta nderuar këtë ngjarje te papërsëritshme, Qeveria e Kosovës me 15 janar e ka shpallur, 2016-tën Viti i Nënës Terezë në Kosovë. Atë ditë në mbledhjen e Qeverise, kryeministri Isa Mustafa pat thënë se këtë vit te Shenjtërimit të Nënës Terezë do ta shfrytëzojmë për afirmimin e humanizmit, te mirëkuptimit, te ndihmës, te raporteve të mira e korrekte të paqes dhe dinjitetit në Kosovë. Muaj me vone Qeveria e Kosovës ndau edhe mjete buxhetore në vlerë prej 300 mijë eurove për ta ndihmuar koncertin kushtuar “Himnit te Nënës Terezë” që do të shfaqet më 3 shtator në Romë, në bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, në prag të Shenjtërimit të saj.
Ndërkaq, me 13 korrik 2016, Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën plenare me votim unanim e pat miratuar propozimin e Kryesisë për shpalljen e 5 Shtatorit në Kosovë “Ditë e Bamirësisë – Nëna Terezë”.
Në vazhdim, në kuadër të aktiviteteve kushtuar Vitit të Nënës Terezë, më 16 gusht në Prishtine është promovuar Pulla Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”. Ne ketë rast solemn, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se është nder i veçantë që të respektohet figura e Nënës Terezë. “Mund të them se për Republikën e Kosovës e për gjithë qytetarët e saj është një nder i veçantë që ne të respektojmë një figurë të jashtëzakonshme dhe një humaniste globale siç ishte dhe është Nëna Terezë”, tha Mustafa.
Ndërkaq, drejtori i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, tha se institucioni që ai e drejton si mision të vetin e ka që t’i nderojë figurat kombëtare. “Ndjehem i privilegjuar qe, Filatelia e Postës së Kosovës nga sot pasurohet me këtë pullë postare që është edicion i jashtëzakonshëm dhe i kushtohet ngjarjes se jashtëzakonshme për kombin shqiptar siç është Shenjtërimi i Nënës Terezë. Një nga misionet tona është edhe promovimi i vlerave tona kombëtare, kështu që pulla postare për Nënë Terezën është përmbushje e këtij misioni”, tha ai.
Kontributi i Nënës Terezë i tejkalon kontributet e penës e të shpatës që i kanë dhënë të gjitha figurat kombëtare shqiptare, tha me ketë rast, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. “Në të kaluarën ne si komb kemi dhënë shumë figura të penës e të shpatës. Figurat të cilat kanë ditur të japin kontribut në zhvillimin e njerëzimit dhe qytetërimit evropian dhe në udhëheqjen e perandorisë otomane, por figura e Nënës Terezë i tejkalon të gjithë dhe është shpërblim nga Zoti për të gjithë sakrificën që kombi e ka bërë në historinë e vet sepse Nëna Terezë është figura e shpirtit tonë dhe e zemrës bujare të shqiptarit, askush në histori nuk ka ditur ta shpalos zemrën bujare të popullit tonë si Nënë Tereza”, tha ai.
Pulla postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”, menjëherë pas promovimit fillojë të qarkullojë nëpër të gjitha vendet e botës.