• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Poema “Vetëm të Vdekurit Pendohen “e Skënder Buçpapajt, një krijim i pashoq në Letërsinë shqipe të pas 90-ës

May 21, 2016 by dgreca

NGA ILIR NIKOLLA/

Në vjetarët që harton Biblioteka Kombëtare (shumica për përdorim të brendshëm), prej vitesh poezia shqipe zë bashin e vendit, si prodhimtari. Megjithatë, titujt humbin në këta vjetarë, publikimet janë më shumë sprova vetjake e ndere botuesish për autorët. Poezitë janë aty e s’na trandin ma. S’po na trandin ka mote, ndoshta qysh kur rrëzuam regjimin e qoftëlargut dhe shqiptarët po enden të çliruar vargonjsh, duke ndjekur ëndrra më praktike, të arritshme e të matshme, herë me dollarë e herë me poste qeveritare.
E në këtë ligatinë poetike, të cilën s’e fsheh dot vjetari i Bibliotekës Kombëtare me shifrën e 60 përqindëshit të botimeve në poezi, Skënder Buçpapaj, një poet i vjetër e i sprovuar në kohën “para ligatinës” që përmenda më lart, sjell për lexuesit poemën “Vetëm të vdekurit pendohen”, një botim i shkëlqyer i Onufrit dhe një blatim i pagjindshëm në letërsinë e pas’90-s për nënën. Poema është e ndërtuar në katër përgjërata, të shkruara me vargje të bardha, ku rrëfimi i Buçpapajt dhe ritmi i brendshëm i vargjeve, pasohet nga pauzat, të cilat janë tingujt e lahutës që lexuesi duhet të ndjejë. Është detyrë e tij të përfshihet në këtë proces leximi, pasi vetëm ashtu vepra është e plotë. “Vetëm të vdekurit pendohen” është një poemë e paplotë, pa lexuesin, është ai rasti i veprave të fuqishme dramatike, të cilat duhet të vihen në skenë, në mënyrë që të reflektojnë dritën që bartin së brendshmi. “Lexuesja e parë” e poemës, poetja e gazetarja Elida Buçpapaj, bashkëshortja e poetit, na paralajmëron se leximi i poemës do të shoqërohet me një përmasë të fuqishme personale, tek secili, pasi secilit do t’i duhet të zbërthejë sipas lentes së tij grimcën personale Nënë-bir (bijë), brenda universit poetik të Buçpapajt.

Mbi karakterin panteist të poemës

Kudo në poemë spikat karakteri panteist i rrëfimit dhe motivimit të gjithçkaje. Është e fortë gjurma e bektashizmit, që ngërthen rrëfimin në Malësinë e Gjakovës. Në fakt, edhe më i fortë, rrëfimi panteist shfaqet këndej kufirit sesa andej kufirit, pasi Malësia e këndejme u gjend edhe më e gjymtuar nga ndarja dhe shpëtimi i vetëm në kërkimin e plotnisë është natyra. Ajo s’pyet për politikë e për vendimmarrje, prandaj edhe luginat, malet, bokat, “Lisi i Xhemajlit”, “Fundi i Tplanit”, janë dëshmitare më të mira të dhimbjes, dashurisë, e mbi të gjitha të ekzistencës së Nënës. Ajo vjen nga përjetësia e shkon në përjetësi, prandaj kërkimi i dëshmive për ekzistencën e përkohshme mbi tokë, është puna më e mirë që mund të bëjë poeti. Ai i gjen dëshmitë kudo e janë të gjitha dëshmi dashurie. Është një dashuri e plotë, e pakufi, është një dëshmi e dashurisë më të bukur, e një ekzistence aq të bukur, saqë veç ajo mund të ndërhyjë në raportin me përjetësinë e të bëjë udhëtarin të pendohet që ka marrë udhën drejt të përtejmes së përjetshme.

Është një bukuri e kudogjendshme, bile poeti është koshient që ky interpretim klasifikohet si panteist, por cili më mirë sesa një i Malësisë së Gjakovës, është krenar për këtë trashëgimi. Bukurinë e trashëgimisë ai e ka në zemër të përgjëratës së parë, të cilën përkujdeset të na e raportojë pa ekuivoke Skënder Buçpapaj, kur ka problem të marrë shpendinë për dëshmitare, pasi ata janë disi fluturakë e kanë probleme të jenë dëshmitarë. Po s’ka problem për poetin. “Vezët e tyre, të të gjithë shpendnisë tjetër, të të gjithë kandrrave të botës, dihet, unë i kam në gjakun tim, atje çelin dhe fluturojnë…ku të munden”. E ka në gjak dëshminë për nënën, është një dëshmi që gjendet kudo, është një trashëgimi e bukur, të cilën e vertetojnë edhe poetët e tjerë të botës, edhe John Keats, edhe Emili Dickinson, edhe Walt Witman, por dëshmitë e tyre janë dytësore, janë me asteriks, janë thjesht shembuj për dëshminë qendrore që po jep autori i përgjëratës, i lumtur që ekziston të dëshmojë përjetësinë e trashëgimisë së Nënës.

Karakteri global i kalimit në amëshim, e gjithë bota është një fshat

Por e gjithë bota është një fshat, thonë. E thotë edhe poeti në përgjëratën e tij të dytë. Lexuesi e ka për detyrë që në pauzat mes vargjeve të bardha të marrë vesh zezonën botërore, largimin e Nënës. Është një stacion i ditur, i pashmangshëm e njëkohësisht i zi. Zezona është për të gjallët, pasi kalimi, shkuarja përtej, është një kalim për tek Zoti. Ky kalim ka dëshmitarë të mirë në Malësinë e Gjakovës, dëshmitare të mirë ka hënën, dëshmitare edhe më e mirë sesa hëna që dikur s’pa vrasjen e Lorkës. E megjithatë, largimi lë si dëshmitar për të gjallët lotin, lotin e të vdekurit, një lot-kufi, i ngjashëm me lotin e lindjes, por një lot me trashëgimi.

Kërkimin për këtë trashëgimi sërish poeti Buçpapaj e bën tek natyra,por në radhë të parë e kryesisht edhe tek historia. Vdekja e babait, Mehmet Bubrrecit të Bubrrec Alisë, në shkurt 1983 në Tpla, është një dëshmi historike që flet për Lotin e Vdekjes, lotin që Nëna po linte si dëshmi pendimi. Edhe Mehmet Bubrreci ishte penduar që kishte kaluar andej, pasi në segmentin mes dy lotëve, ishte bukuria, ishte fara e gjakut. Kërkimi i të gjallëve për ta ndryshuar historinë gjen shembuj të pashoq tek poezia e Skënder Buçpapajt, që nga qytetet fantazmë të Salvador Dalisë e deri tek gjëma e ujëvarës së Kënetës së Madhe në Tpla. Përpjekja për të vonuar vdekjen është fizike, poetike e metafizike.

Historia jep gjithmonë të njëjtin përfundim, prandaj edhe Loti i Vdekjes është Loti i Pendimit. Një lot pendimi është edhe i Nënës, edhe i Mehmet Bubrrecit, sepse poeti s’kish mundur të vinte. Është një pendim që vjen prej përtej, jo prej këndej. S’është një pendim tokësor, por tjetërqysh. Dëshmia e lotit në syrin e majtë të Nënës është fare pak për ta ndalur kërkimin e poetit, i cili është koshient për plotninë, që përmbushet veç në segmentet përtej lotit të lindjes e të vdekjes. Atje përtej është universi, kurse këtu në botën tonë është iluzioni. “Kot themi se honet i kemi poshtë nesh, në të vërtetë ne honet i kemi përmbi” thotë poeti në përgjëratën e dytë e po aty edhe “Unë isha universi, universi ishte unë” apo “unë isha miniatura e universit, universi ishte perspektiva ime”. Kjo plotni nuk është një shqyrtim i panjohur, por është i pafarë në poezinë shqipe të pas’90, ku si në Tpla, si në Tiranë e si në Zvicër, iluzioni është kudo e shërben veç për të mbledhur dëshmitë për plotninë, një univers që u arrit nga Nëna, duke na lënë pas veç Lotin e Vdekjes. Gjithsesi poeti është i sinqertë, kur njeh edhe përvojat e mëhershme të poetëve në shqip lidhur me këtë kërkim. Vaji i Bylbylit i Mjedës është i njëjti këndvështrim panteist dhe “për atë lot e ka fjalën edhe Naimi”.

Buçpapajt, miniaturë e plotnisë

Gjithsesi, kalimi i nënës për në amshim nuk është një kalim i zakonshëm dhe megjithë fatalitetin që përmban enumeracioni “Vjen një kohë…” si stacion i pashmangshëm, poeti tregohet i hollësishëm, teksa na tregon “ceremoninë e kalimit”. Është ashti i ceremonisë prania e degëve të Buçpapajve, ku Buçpapajt e Moknit dhe ata të Dojanit janë thuajse të gjithë të pranishëm, edhe ata të Kapuçprushit e të Bujanit. Poeti sheh tek ky bashkim i farëve një miniaturë të plotnisë, një botë që e ka kalimin e Nënës të shenjtë, si bartëse të jetës, prandaj edhe prania si dëshmitarë në momentin kur “vjen një kohë…”, është një detyrim, një kënaqësi, një plotni e ekzistencës. E kush më mirë se Tejdrinia e jep praninë e jashtëzakonshme në kalimin për në amëshim. Tejdrinia është një kufi natyror, por edhe historik e kulturor. Sado sektare dallimet, Tejdrinia është e pranishme, si dëshmitare e veçantë, si kufizë e plotnisë në përcjelljen e Nënës.

Buçpapajt përcjellin “motrën e Isufit”, një blatim gati pellazgjik për rrënjët, një falënderim për nënën që ekzistoi dhe i dha jetë fisit. Blatimi i rrënjëve ka një historik të vetin në poemë, është historiku i “motrës së Isufit” dhe i “motrës së Isuf Meshit”, është tregimi i dyfishtë i gruas që solli jetë tek Buçpapajt dhe i gruas që shërbeu edhe si dëshmi e qëndresës për të ruajtur rrënjët nga “njeriu i ri” i partisë. Isuf Meshi ishte pas hekurave, nëpër birucat e regjimit dhe njeriu i ri ishte thirrur në detyrë për t’i ra mohit atij njeriu, asaj fare. Por propaganda e “njeriut të ri” has në një pengesë të pakapërcyeshme, has në pengesën e Nënës. Ajo është kudo si “motra e Isufit” dhe “motra e Isuf Meshit”, ajo jetoi si dëshmitare e asaj fare dhe u përcoll prej Buçpapajve si një fituese përballe “njeriut të ri”. Buçpapajt përcollën “motrën e Isufit” dhe ishin aq të shumtë, një botë e tërë, e përcollën pa pezm e me krenari, sepse ata ishin një botë e madhe që ia plaste surratit krijesës hermafrodite të “njeriut të ri”.
Nga personalja tek impersonalja dhe rrëfimi për procesin e krijimit

Rrënjët triumfojnë gjithmonë dhe mutacionet thuajse asnjëherë. Poeti përcjell dëshmitaren, “motrën e Isufit” dhe në përgjëratën e katërt, si për t’i qëndruar besnik bindjes së tij se jeta është iluzioni i së vërtetës, plotnisë, që ekziston këndej e andej ekzistencës tonë – pra, para lindjes dhe pas kalimit – vajton thuajse në mënyrë impersonale. E përmbyll poemën përgjërata “Para jetës është ëndrra”, më impersonalja e të gjitha përgjëratave, aq sa ç’mund të jetë ekuidistant një vaj poetik për largimin e nënës. Besnik i bindjes se udhëtimi tokësor i njeriut është iluzioni i jetës së vërtetë, poeti u thotë lexuesve se jeta është një ëndërr, se vijmë prej saj e shkojmë drejt saj.

Para jetës së autorit ishte ëndrra e nënës, ëndrra e djalit që po vjen, ëndrra e një iluzioni të bukur që do mbushte jetën e saj e do ta bënte të bukur atë iluzion, gati si një ëndërr. Sërish nëna është dëshmitare në vetë të parë e plotnisë si ëndërr dhe ajo s’ka nevojë për prova, teksa e thotë atë, “e di si vetë Zoti” se është ashtu. Është pra fiks një shfaqje e të përjetshmit, një përkthim tokësor i ëndrrës që po na përmbushet, një pjesë e hyjnores që po vjen nga ëndrra drejt iluzionit të jetës. Metafizika e shpirtit të shenjtë shfaqet kudo në përgjëratën e fundit, pa lajle lule e pa stërhollime poetike. Ashtu boll e vështirë është t’u shpjegohet lexuesve se para jetës është ëndrra, sepse nëna “e di si vetë Zoti”, prandaj edhe ushtrimi i lexuesve bëhet edhe më i thjeshtë në përgjëratën e fundit. Ndjekja e pauzave është edhe më e thjeshtë, sepse vargjet e bardha të poemës gati takohen me prozën poetike, në mënyrë që gjithçka të jetë më e kapërdishme dhe skepticizmi i gjithëpranishëm të mos lejojë dyshime se jeta, djali, po vjen në iluzionin tonë, sepse kështu thotë nëna, sepse ajo e di, sepse e di si Zoti. E nëse skepticizmi rrezikon të na mbysë të gjithëve, në përgjëratën e fundit, marrim vesh se ëndrra s’do lodhet duke sjellë djalin ndër ne, në mes iluzionit tonë, do sjellë djalin tek fëmijët tanë, tek fëmijët e fëmijëve tanë, sepse “jeta është thjesht një parantezë…e ëndrrës”.

Në fund të poemës, i ndërgjegjshëm se po i jepte lexuesit një publikim të pafarë edhe në krijimtarinë e mëhershme të tij, Skënder Buçpapaj rrëfen edhe ai vetë sekretin e procesit të krijimit. E rrëfen sa mundet si një tjetër ndihmë për të kuptuar më mirë mesazhet që ndoshta s’janë përthithur si duhet në përgjëratat e tij. Është një xhevahir i fundit në publikimin e “Onufrit”, që e grish lexuesin t’ia rinisë edhe njëherë leximit të poemës. Do të jetë një ushtrim i shkëlqyer për lexuesit dhe një garanci se leximi i dytë i poemës do të jetë një udhëtim magjik nga përgjëratat personale tek vëzhgimet impersonale të secilit.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Skender Bucpapaj, Vetëm të vdekurit pendohen

“Vetëm të vdekurit pendohen”- ONUFRI botoi librin e ri te poetit Skënder Buçpapaj

February 22, 2016 by dgreca

Nëse poemën “Vetëm të vdekurit pendohen” mund ta përfytyrojmë si një grup skulpturor të vendosur me relieve të gjithfarëshme, i pranishëm kudo, tek të gjithë njerëzit e mi, jam unë, ndërsa në qendër është patjetër nëna ime. Dhe poema ime mund të quhet Poemë për Nënën. Mendoj se të gjithë ne që vijmë në jetë në këtë botë, jemi absolutisht projekt i Nënave tona, jemi projekt i Nënës. Për të na sjellë ne në jetë, këtë e thonë edhe të gjitha shkrimet e shenjta, Zoti na beson pikërisht tek nëna. Ndërkaq prindi tjetër, babai, është i besuari i drejtpërdrejtë i Nënës sonë. Pra, Zoti e zgjedh nënën që do të kemi ne, ndërsa Nëna e zgjedh babain që do ta kemi ne. Në rrafshin universal, etërit tanë, janë të besuarit e Nënave tona. Edhe Njerëzimi kryehere është projekt i Nënës. Dhe vetëm kur bota të kthehet tek zanafilla që atë ta sundojnë bukuria, dobësia, zgjuarsia dhe jo forca e vrazhdësia, bota do të jetë e merituara për Njerëzimin.

” VETËM TË VDEKURIT PENDOHEN”, NJË SIMFONI PËR NËNËN

Parathënie nga Elida Buçpapaj/

Ndihem me fat që jam lexuesja e parë e krijimeve të Skënder Buçpapajt. Edhe e poemës Vetëm të Vdekurit Pendohen, që unë e shoh si poemën e Pemës të Jetës, të konceptit kozmik të krijimit, që lidh trupin me shpirtin, prej zanafillës e deri kur jeta kthehet në frymë. Është poema më e bukur e shkruar për Nënën në rrang botëror, sikur ta kenë shkruar gjithë bijtë e Nënave të këtij Njerëzimi, përgjatë epokave dhe mijëvjeçarëve që kur njeriun e ngjizi Zoti.Është poemë për Nënën e poetit dhe poemë që eksploron enigmën e jetës, një obsesion eternel i poetëve, të cilët ndihen mbi tokë si zëdhënësit e të Plotfuqishmit, sepse arrijnë t‘i sendërtojnë ndjenjat, t‘i bëjnë të prekëshme e vajtuese vuajtjet, pikëllimin, të zëshëm gëzimin, simbolet abstrakte të universit e gjithësisë.

Këtë sensasion të krijon leximi i Vetëm të Vdekurit Pendohen, prej gërmës së parë deri tek gërma e fundit.

Kjo poemë nuk do të mund të shkaktojë mahnitje vetëm tek lexuesi pa të cilin poetët nuk do të ishin të pavdekshëm. Vetëm të Vdekurit Pendohen do të shkaktojë huti tek vetë poetët që do të konstatojnë se kjo vepër është e pamundshme për t’u shkruar, pasi ndjeshmëria e poetit ka thithur brënda gjithë spiralin e jetës në ciklin e përherësisë.

Vetëm të Vdekurit Pendohen është një poemë e harmonisë së dizarmonisë të mirëfilltë që hulumton deri në grimcën e fundme humnerën e shpirtit njerëzor me të gjitha dramat dhe tragjeditë njerëzore, prej njeriut të parë deri tek fundi i njeriut.

Ndërsa Dantja tek Komedia Hyjnore zbulon ferrin, purgatorin e parajsën në shoqërinë e Virgjilit, Skënder Buçpapaj zbulon përherësinë duke u ritakuar me Nënën e tij në jetë të jetëve.

Është poema më e fuqishme e shkruar për Nënën, çdokush që e lexon, tronditet rëndshëm, sepse gjen veten, në raportin nënë-bir a bijë, aq e pakufishme është në poemë përmasa e dashurisë, jo si univers abstrakt por si ndjenjë e ndjesi, sa që Toka kthehet thjeshtë në metaforë. Nëna është gjithësia, është shkaku, është e Para ndërsa Toka si planet me qiellin, detet e oqeanet e gjithçka është pasoja.

Vetëm të Vdekurit Pendohen është e një krijim poetik i atij niveli, që do të meritonte epigrafin e „Farkëtarit më të mirë“që Thomas Stern Eliot do t’ia dedikonte Ezra Paundit në poemën e tij kryevepër „Waste Land“ – „Toka e shkretëtirës“.

Skënder Buçpapaj e absorbon të gjithë kohën ku jeton dhe s’ka si të mos jetë përjetuesi më i thekur i eksodit biblik shqiptar të milenarit të tretë në një shoqëri postkomuniste. Diktatura vrau njeriun, ndërsa postdiktatura i vrau njeriut Atdheun. E po të mblidheshin lotët e nënave nga ndarjet me bijtë e tyre patjetër do të krijohej Oqeani i Lotëve e Skënder Buçpapaj u ngriti një apoteozë monumentale këtyre lotëve e këtyre ndarjeve.

Poema është kompozuar me katër përgjërata: Udhës për tek Nena, Loti i të vdekurit, Motra e Isufit dhe Para Jetës është Ëndërra që janë shkruar në kohë të ndryshme, me ndërprerje midis njëra-tjetrës, për shkak të ngarkesës së madhe emocionale, në kufirin kur shpirti plas sepse nuk duron dot më.

Të katër përgjëratat për nga objekti formojnë një trinitet të përkryer. Ato i kushtohen nënës, atit e të birit, poetit, ku nëna është shpirti i shenjtë që dikur e qetëson vullkanin e poetit, i paqton më në fund dhe i mposht tronditjet, dyshimet, kaosin prej së panjohurës të vetme, që vjen përtej jetës.

Nga përgjërata tek përgjërata tronditja është shkundëse, cfilitëse, bërtitëse si tek „Ulërima“ e Edvard Munch apo tek „Howl“ – „Britma“ e Allen Ginsberg, ndërsa dhimbja është piskamë, klithmë,rënkim e gulçim e njëherësh të gjitha së bashku rebelim kundër vdekjes dhe në fund pajtim me deduksionin profetik të Skënder Buçpapajt se në fund të fundit, jeta është vetëm një parantezë.

Skënder Buçpapaj e zbulon si amalgamë lidhëse për poemën e tij fjalën „përgjëratë“ nga verbi „përgjëroj“ që ka një polisemi kuptimesh e plotkuptimësi gjendjesh emocionale si dëshira e zjarrtë, dhimbshuria, adhurimi, lutja, malli apo premtimi solemn. Është një nga fjalët më të përveçme e më të bukura të shqipes, që nuk e ka simotrën e saj në gjuhët e tjera, krijuar posaçërisht prej vuajtjes ekstreme në trollin e baladave shqiptare ku universi i dhimbjeve nga pritjet e ndarjet janë homerike.

Skënder Buçpapaj i përfshin në poemën e tij Vetëm të Vdekurit Pendohen të gjitha sensacionet, përjetimet, perceptimet, vizionet, ngjyrat, dritat e hijet, përveç urrejtjes që mungon si njësi, si ndjesi, si koncept e nocion.

Skënder Buçpapaj e përfshin të gjithë leksikun e gjuhës shqipe, në mënyrën më elegante supreme, mjeshtër i metaforave dhe asosacioneve, mjeshtër i figurave të kuptimit e shqiptimit poetik, mjeshtër i kontrasteve, duket se i ka shterur të gjitha fjalët e kësaj jete, asnjë objekt i kësaj bote s’ka mbetur jashtë orbitës së poetit pa u permendur, emër për emër, gjithë universi është brënda, universi i natyrës dhe universi i shpirtit të njeriut, sa vjen një moment kur duket se vargjet i shkruan subkoshienca e poetit në një delir e jerm niçean, shumë afër cakut e kufirit ku poeti ve në dyshim vetveten a është njeriu apo është vetë Zoti.

***

Dy fjalë lexuesit të poemës

Skënder Buçpapaj/

Le t’i nis këto shënime për lexuesin me këtë fakt të thjeshtë:

Atë ditë marsi të vitit 1995, kur po më përcillte të fundit herë nga shtëpia ime prindërore në Tplâ, pasi ne ishim ndarë, nëna ime bënte një hap drejt meje dhe ndalej, bënte një hap tjetër dhe ndalej.

Unë duke u larguar kohë pas kohe ktheja kokën dhe përshëndeteshim derisa e humbëm plotësisht nga sytë njëri tjetrin.

Kushedi sa kohë ka qëndruar nëna ime atje në fund të livadhit me shikimin drejt asaj pike të horizontit nga unë dilja prej fshatit dhe humbisja në Gjithësi.

Ishte hera e parë që nëna më përcillte kaq gjatë, ishte hera e parë që me gjuhën e gjesteve sikur donte të më thoshte Skënder kthehu, Skënder mos shko, Skënder mos ik.

Këto çaste unë nuk i kam në poemë. Ato nuk i ngërthen dot i vetëm asnjë shfrim lirik, asnjë tablo epike, asnjë sagë heroike.

Unë i sjell ato këtu duke dashur të zbres në zanafillat e poemës, të cilat nuk janë një po disa.

Rëndom unë krijimet e mia poetike i shkruaj pa lëvizur fare nga tryeza ime e punës. Edhe krijimet e tjera, të gjata apo relativisht të tilla, i shkruaj me të njëjtën frymë, pa u shpërqëndruar asnjë çast prej tyre, pa u marrë me diçka tjetër krijuese.

Poema “Vetëm të vdekurit pendohen” bën përjashtim.

Përgjëratën e parë “Udhës për tek nëna” e kam shkruar në shtator të viti 2008, një vit e disa muaj pasi nëna ime kishte ndërruar jetë.

Përgjëratën e dytë “Loti i të vdekurit” e kam shkruar në dhjetor të vitit 2013, pra pesë vjet e disa muaj pas së parës.

Përgjëratën e tretë “Motra e Isufit” e kam shkruar në dhjetor të vitit 2014, një vit pas së dytës.

Përgjëratën e katërt “Para jetës ëndrra” e kam shkruar në tetor të vitit 2015, domethënë vetëm para pak javësh, kur tashmë kristalizohej përfundimisht mendimi për ta paraqitur libër më vete poemën me katër përgjërata.

“Vetëm të vdekurit pendohen” është një poemë e paralajmëruar njëkohësisht me mua, madje ajo është më e hershme se unë.

Dhe, ndonëse në fund të çdo përgjërate paralajmërohet përgjërata e ardhshme, për shkak të mbingarkesës së tyre, për t’iu rikthyer asaj mua më është dashur të marr kohë fizike të bollshme në mënyrë që të kem përgatitjen e duhur shpirtërore.

Kushedi nga cili shteg, nga cila thellutë e nënvetëdijës vjen një kohë kur eteri i shpirtit, në palimpsestin e tij, shpalos në shtresa të mistershme fanitje që kërkojnë me ngulm tashmë të dalin në dritë. Poetit i mbetet të hedhë në letër apo drejtpërdrejt në kompjutër atë që gjen nëpër shtresat një mbi një të pergamenës dhe, njërën pas tjetrës, në mënyrën më besnike, në mënyrën më autentike të mundshme, ta shndërrojë fanitjen në vepër krijuese dhe ashtu t’ia përcjellë lexuesit, publikut.

Në ndërkohët më të gjata apo më të shkurtëra, duke u marrë me krijime të tjera, në fakt poeti për asnjë çast nuk është shkëputur nga krijimi i nisur dhe i lënë në një stacion të caktuar të udhëtimit të tij.

Akti i krijimit është vuajtje për çdo krijues të vërtetë. Sa më serioz, sa më i thellë të jetë, aq më shumë është vuajtje. Homeri, bardi i parë i njerëzimit, ishte i detyruar ta ndante vuajtjen e tij me muzën, zanën e krijimit. Të njëjtën gjë bënin pararendësit e mi të drejtpërdrejtë, bardët e Ciklit të Kreshnikëve, të njëjtën gjë bënin rapsodët e vendlindjes sime të epikës historike. Ata thërrisnin në ndihmë zanat e bjeshkëve, orët e trojeve, madje i thërrisnin ato me emra të përveçëm, si të motrave të tyre, si të dashurave të tyre, si të nuseve të tyre. Shpesh thërrisnin, siç do të bënte më vonë edhe Fishta, “Ndihmo Zot”. Ndërsa Lasgush Poradeci pohonte se kur krijonte, pranë tij në tryezën e punës ulej vetë Zoti.

Unë i kam ftuar për të ndarë me mua vuajtjen e krijimit dhe dhimbjen për Nënën, kolegët e mi poetë, filozofë, krijues që nuk janë në jetë ose ende janë në jetë, kryesisht nga ata që kanë kushtime për nënat e tyre. Në studion time, kam hapur të pame, siç i thuhet në veriun shqiptar, në përkujtim të nënës. Unë shkruaj vargjet e poemës, Nëna iu shërben miqve të të birit kafetë dhe bisedat e rastit për të pamen e saj.

Shpesh krijuesve iu bëhen pyetje se çfarë kanë dashur të thonë me veprat e tyre, veçmas iu bëhen pyetje për domethënien e titujve. Pyetje të shumta iu lindin të gjithë lexuesve, të çdo breznie, iu lindin kritikëve, si lexues të specializuar. Në fakt përgjigjet, edhe ato më të suksesshmet, janë më të paplota. Nëse përgjigjet e sakta do të gjendeshin ndonjëherë, me siguri atëherë do të pushonte leximi i atyre veprave. Ky është ligji absolut kufizues mes artit dhe joartit.

Artisti, sipas meje, është lexuesi më i mirë dhe më i keq, konsumuesi më i mirë dhe më i keq i veprës së vet. Lexuesit e tjerë, që të gjithë, ndodhen mes këtyre dy skajeve të segmentit. Në mënyra të ndryshme, asnjë krijues nuk i shpëton brengës së leximit, të interpretimit, të shjimit të veprës së tij nga publiku. Disa orvaten ta fshehin këtë brengë, të tjerë jo. “Do të isha një gënjeshtare, një hipokite ose një budallaqe – dhe unë nuk jam asnjëra nga këto – po të thoshja se nuk shkruaj për lexuesin. Unë shkruaj për të. Por për lexuesin që dëgjon, për lexuesin vërtet të zellshëm, që shkon përtej asaj që i duket se e them unë në krjimet e mia. Kështu unë shkruaj për veten time dhe për atë lexues që e bën detyrën e tij si duhet,” thotë poetja amerikane Maya Angelou, tejet e çiltër edhe në krijimet e veta. Ndërsa Marcel Prost thotë se çdo lexues e gjen veten e tij: “Puna e shkrimtarit është më shumë një lloj instrumenti optik i cili ia bën të mundur lexuesit të shikojë atë që, pa këtë libër, ai ndoshta nuk do ta kishte parë kurrë vetë.” Artisti është zëdhënës më i lartë i atyre ndjenjave, mendimeve, përjetimeve të cilat njerëzit e tjerë nuk i shprehin dot.

Brenga më e madhe për krijuesin është pikërisht kjo: sfida e tij përballë artit të vërtetë. Këtë brengë e shpreh më hapur se të tjerët poeti Charles Bukowski tek “pra ti do që të jesh shkrimtar?”, poezi të cilën ai e nis me vargjet: “nëse nuk gufon nga brenda teje/ pavarësisht gjithçkaje,/ mos e bëj atë./ nëse nuk vjen pa pyetur nga vetë/ zemra jote dhe mendja jote dhe goja jote/dhe rropullia jote/ mos e bëj atë.” Sipas teorisë së anasjellë, unë këto vargje ia kumtoj kështu vetes: “nëse gufon nga brenda teje/ pavarësisht gjithçkaje,/bëje atë./ nëse vjen pa pyetur nga vetë/ zemra jote dhe mendja jote dhe goja jote/ dhe rropullia jote/ bëje atë.” Dhe jam absolutisht i bindur se e kam bërë këtë.

Prej këndej, dua të them edhe se nuk ndjej as këtu kurrfarë shqetësimi për raportet midis personales dhe universales, midis lokales dhe nacionales. Nëse poemën “Vetëm të vdekurit pendohen” mund ta përfytyrojmë si një grup skulpturor të vendosur me relieve të gjithfarëshme, i pranishëm kudo, tek të gjithë njerëzit e mi, jam unë, ndërsa në qendër është patjetër nëna ime. Dhe poema ime mund të quhet Poemë për Nënën. Mendoj se të gjithë ne që vijmë në jetë në këtë botë, jemi absolutisht projekt i Nënave tona, jemi projekt i Nënës. Për të na sjellë ne në jetë, këtë e thonë edhe të gjitha shkrimet e shenjta, Zoti na beson pikërisht tek nëna. Ndërkaq prindi tjetër, babai, është i besuari i drejtpërdrejtë i Nënës sonë. Pra, Zoti e zgjedh nënën që do të kemi ne, ndërsa Nëna e zgjedh babain që do ta kemi ne. Në rrafshin universal, etërit tanë, janë të besuarit e Nënave tona. Edhe Njerëzimi kryehere është projekt i Nënës. Dhe vetëm kur bota të kthehet tek zanafilla që atë ta sundojnë bukuria, dobësia, zgjuarsia dhe jo forca e vrazhdësia, bota do të jetë e merituara për Njerëzimin.

Rreth 20 vjet më parë, për ta bindur Nënën se ardhja ime në Zvicër ishte zgjedhja e duhur, i thashë se Zvicra është vetëm dy orë larg me avion dhe avion nga Zvicra ka çdo ditë. Nëna e kuptonte se isha bërë i padëshirueshëm në Shqipëri për politikën e vendit tij, prandaj u pajtua me zgjedhjen që unë kisha bërë.

Avioni që mora atë 15 mars të vitit 1995 dhe që më solli në Zvicër, më ka dërguar kudo në botë prej asaj dite, por deri tash asnjëherë në vendin tim.

   ***

Shënime për autorin

Skënder Buçpapaj, shkrimtar, publicist, kritik, përkthyes, arsimtar, diplomat dhe botues, lindi më 22 maj 1953 në fshatin Tplâ të Tropojës.

Arsimin tetëvjeçar e kryeu në fshatin e lindjes, ndësa arsimin e mesëm pedagogjik e kreu me korrespondencë në qytetin Bajram Curri. Studimet e larta për gjuhë e letërsi i filloi në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër dhe nga viti i dytë i vazhdoi e i mbaroi më 1978 në Universitetin e Tiranës. Më 1986 i kreu studimet mastër po në Universitetin e Tiranës në fushën e kritikës letrare.
Para studimeve të larta, Skënder Buçpapaj ishte tri vjet punëtor në kantjerin e ndërtimit Rruga-Ura Bajram Curri, pastaj arsimtar në Luzhë e Visoçë. Pas studimeve të larta ishte arsimtar në Shëngjergj të Mërturit, Degë, Babinë dhe në gjimnazin e qytetit Bajram Curri, ku ishte edhe metodist në Kabinetin Pedagogjik të Rrethit. Më 1986 ishte redaktor në gazetën ‘Drita’, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Artistëve të Shqipërisë, ku mbuloi kryesisht sektorin e kritikës. Për një kohë të shkurtër, paralelisht, drejtoi gazetën e përjavshme “Kosova”.

Skënder Buçpapaj më 1990 pati rol aktiv në lindjen e pluralizmit politik në Shqipëri. Ai dha ndihmesë të veçantë në themelimin dhe konsolidimin e shtypit pluralist shqiptar. Në fillim të vitit 1991 ka qenë inciator dhe bashkëthemelues i Lidhjes së Pavarur të Gazetarëve të Shqipërisë, më vonë Lidhja e Gazetarëve, i zgjedhur dy herë në kryesinë e kësaj organizate.

Në dhjetor të vitit 1991, Skënder Buçpapaj u emërua zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar; ndërsa më 1992 është Drejtor i Përgjithshëm i RTSH, detyrë që e kreu deri në gusht të vitit 1995. Prej atëherë kaloi në diplomaci, në Ministrinë e Jashtme e pastaj në ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bernë, Zvicër, ku mbuloi sektorë të ndryshëm dhe ka qenë edhe i ngarkuar me punë (chargé d’affaires) pranë kësaj ambasade.

Nga viti 1998 filloi në gazetën e përditshme “Bota sot”, kryeredaktor i së cilës ishte për dhjetë vjet rresht. Në atë kohë, kjo gazetë, me redaksinë qëndrore në Zyrih të Zvicrës dhe me redaksi të tjera në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Frankfurt e Nju Jork arriti në 200 mijë kopje, tirazh i paparë ndonjëherë në gazetarinë shqiptare.

Nga viti 1991 Skënder Buçpapaj është anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve me qendër në Bruksel, Belgjikë. Prej vitit 2000 është po ashtu anëtar i Shoqatës së Gazetarëve APES, me qendër në Gjenevë, i Sindikatës së Gazetarisë Krijuese, me qendër në Zyrih. Është anëtar i kryesisë së Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës e tjerë.

Aktualisht me bashkëshorten e tij, poeten dhe gazetaren Elida Buçpapaj, është botues i portalit Voice Of Albanians (Zëri i Shqiptarëve) www.voal.ch.)

Krijimtarinë e filloi që në shkollën tetëvjeçare, kur botoi edhe krjimet e para në shtypin për fëmijë. Nga vitet 1970 në pothuajse të gjitha të përditshmet dhe periodikët shqiptarë në Shqipëri dhe jashtë vendit botoi poezi, përkthime nga poezia botërore prej italishtes, anglishtes dhe gjermanishtes, shënime për librat, kritika, studime monografike etj. Nga viti 1976 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ka lëvruar pothuaj të gjitha zhanret e shkrimeve publicistike dhe letrare si dhe ka realizuar shumë dokumentarë televizivë. Ka fituar çmime të ndryshme kombëtare në poezi, kritikë, publicistikë, studime dhe skenarë dokumentarësh. Është përfshirë në antologji të ndryshme të poezisë shqipe. Ka tërhequr vëmendjen e kritikës dhe historiografisë letare në Shqipëri dhe jashtë vendit që me ciklin e parë poetik të botuar në revistën “Nëntori” në janar të vitit 1973.

Skënder Buçpapaj është gjithashtu autor i librave poetikë “Zogu i bjeshkës”, “Poezi”, “Frika nga Atdheu”, “Vetëm të vdekurit pendohen” e tjerë.

 

Filed Under: ESSE, LETERSI Tagged With: Onufri, Skender Bucpapaj, Vetëm të vdekurit pendohen

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT