Kosovë-Ukshin Hoti, filozofi i çështjes sonë kombëtare/
– Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli: Ukshin Hoti ishte ideologu që frymëzonte lëvizjen kombëtare me guximin e tij politik dhe mendimin e thellë intelektual. Ai ishte në kuptimin e plotë të fjalës, filozofi i çështjes sonë kombëtare/
PRISHTINË, 17 Qershor /Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, mori pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të shtatores së prof. dr. Ukshin Hotit, në oborrin e Universitetit “Ukshin Hoti”, në Prizren.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari Veseli e konsideroi Ukshin Hotin njërin prej personaliteteve më të shquara të luftës sonë për liri dhe pavarësi, i cili mbeti deri në fund veprimtar i pakompromis i lëvizjes kombëtare.
“Ukshin Hoti ishte ideologu që frymëzonte këtë lëvizje me guximin e tij politik dhe mendimin e thellë intelektual. Ai ishte në kuptimin e plotë të fjalës filozofi i çështjes sonë kombëtare”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Duke bërë një elaborim të aktivitetit politik atdhetar të Ukshin Hotit dhe të qëndresës së tij intelektuale e kombëtare, kryetari i Kuvendit tha se në fillim të viteve ’80-ta, kur terrori i regjimit jugosllav po përgjakte rininë e Kosovës, ai kishte ngritur zërin e protestës e të kundërshtimit dhe nuk ishte joshur nga postet.
Kryeparlamentari Veseli shtoi se burgosja e Ukshin Hotit nga regjimi jugosllav dhe shpallja e tij ‘i burgosur i ndërgjegjes’ nga Amnesty International, më 1983, bënë që zëri i Kosovës së shtypur të dëgjohej në qendrat vendimmarrëse të botës.
“Ukshin Hoti nuk hoqi dorë kurrë nga parimet e tij, sepse gjithë jetën kishte vetëm një interes: interesin kombëtar, lirinë e popullit të tij. Në vitet ’90-ta, regjimi përsëri e burgosi Ukshin Hotin, sepse e dinte shumë mirë se filozofi i çështjes shqiptare do të bëhej filozofi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por përsëri dështuan, sepse tanimë Ukshin Hoti ishte kthyer në ikonë të lëvizjes sonë kombëtare”, tha në vazhdim kryetari Veseli.
Thënia e tij legjendare se ‘për atdheun mund të luftohet vetëm në emër të njerëzores dhe kurrsesi ndryshe’, shtoi kryetari Veseli, qëndron në themele të vetë platformës së UÇK-së, parim ky i cili bëri botën demokratike të mbështeste kauzën për çlirim në vitin 1999.
Kryetari Veseli e quajti cinizëm faktin se Serbia sot pretendon të bëhet pjesë e BE-së, ndërsa ende nuk jep përgjigje për fatin e mijëra qytetarëve të pagjetur Kosovës, në mesin e të cilëve edhe të profesor Ukshin Hotit, dhe mban në territorin e saj varreza sekrete të viktimave të pafajshme.
“Si mund të jetë pjesë e Evropës dikush që mban sekret fatin e intelektualëve të kalibrit evropian, sikurse është Ukshin Hoti? Është koha t’i jepet fund këtij cinizmi. Kosova ka të drejtë të dijë për fatin e qytetarëve të saj, ta ketë drejtësinë për ta, sepse vetëm drejtësia shëron plagët e së shkuarës, mundëson paqen dhe të ardhmen”, theksoi kryetari Veseli.
Ai shtoi se Prizreni duhet të jetë krenar që ka fatin të ketë i pari në gjirin e vet shtatoren e këtij ideologu dhe intelektuali të madh, ndërsa paralajmëroi se së shpejti një shtatore e përmasave edhe më të mëdha, do të ngrihet në mes të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe Bibliotekës Kombëtare, afër vendit ku Ukshin Hoti derdhi djersën dhe shkriu mundin e tij atdhetar, intelektual e shkencor.