Faktori kohë si vlerë…/
Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj/
… Të nesërmen vendosa të shkoja te mjeku. Papritmas në rrugë u ndesha me kolegen time, e cila parkoi makinën dhe u bashkua me mua. Fjalët e saj mbi gjendjen sipërfaqësore të shëndetit tim, më ngrohën zemrën .
-Faleminderit. Në fakt ndihem më mirë, por…
-Por…Çfarë do të thuash?
“-Gjithçka është në vartësi të kohës,- nisa ta sqaroj, ndërsa po po prisnim mjekun.
-Është pikërisht koha, ajo që na rezervon të papritura të mëdha apo të vogla, të këndshme apo të pakëndshme, të pëlqyeshme ose të papëlqyeshme. Sido qofshin ato, ndodh që ta ndryshojnë rrjedhën e jetës.
Edhe kur nuk je e vëmendshme apoe ke harruar, është ajo që të kujton . Papritur e kujtuar të duket sikur në vesh të kumbon një zë i huaj, por që të duket i njohur , magjepsës e hyjnor:’ Ej… mos harro se unë jam e plotfuqishme, e pamposhtur , e palodhur dhe ripërtëritëse… Kam në dorë sahatin magjik, ku shoh se si rendin, çaplojnë e fluturojnë sekondat, minutat , orët , ditët…Mos u habit nëse kam pamje të çuditshme, herë si një krijesë e mbinatyrshme që pa kuptuar shëroj e gëlltis plagët që unë kam shkaktuar.
Unë e sajoj një takim të rastësishëm, një pikëtakim vështrimesh të paqëllimshme, një përplasje të vogël pa dashje, që nuk shkakton asgjë, që nuk është aksidental në kuptimin e vërtetë të fjalës, mund të sjellë atë që ti e quan ndryshim. Ky mund të jetë ndikues në marrëdhëniet e qenies tënde me ndjenjat, me profesionin, apo edhe me mënyrën e të jetuarit..”- ai zë i brendshëm apo mbinjerëzor ka të drejtë. Gjithsesi ai zë i çuditshëm s’më lë të qetë…”
-E di që nuk më beson, por…Magjia ime është e pakonceptueshme. Nuk të bind? Kush tjetër veç meje bën që dita të puthet me natën, që muajt të përqafohen me vitet , që shekujt të kapen për dore dhe të ecin bashkë me epokat…, kush vallë?!
Unë edhe brenda boshësisë, jam kumbimi që s’njeh kufi. Ngjasoj me një këmbanë, jehona e së cilës nuk pushon kurrë. Jam e plotfuqishhme në çdo pjesë të universit që krijoj. Nga sekondë e heshtur, shndërrohem në çast të zjarrtë të pa harruar lumturie apo të një fundi fatal! Unë çaploj bashkë me fatin,mew të mirën e me të keqen…
A e di se unë jam përbindësh? Ndaj jam e pavdekshme dhe çdo çast të pëshpëris ty : ‘o jetë që gëlon papushim, je e vdekshme, kurse unë jo! Të ndjek ty, të pres e të shoqëroj deri sa jep frymën e fundit…Kjo të lebetit, të tromaks e të lë pa frymë, pa gjumë…Kujtohu sa herë je e paqetuar, gjumarratisur në netët e pafjetura…?
-Po ti nga e di këtë?- pyeta e zgurdulluar .
-E shikon që jam unë ajo që zgjova kureshtjen tënde… Ti habitesh kur unë qesh…, qesh me të madhe. Përsëri ti nuk e di se unë qesh, se asgjë nuk më mposht. Di se nuk ndalem nga asgjë dhe para asgjëje s’tutem dhe as friksohem. Duke qenë e plotpushteshme, më bën të jem e kudogjendur.Jam edhe shoqe e mirësisë. Jam galopim i gëzimit, jam kënga vajtuese e vdekjes, oksigjen për frymëmarrje, forca e emocionit, shkaku i ndryshimit, motivi i shpejtësisë, unë i jap kuptimi së ardhmes. Unë jam gjithçka! Unë kam gjithcka! Jam era ripërtëritëse . Nuk jam krijesë si ti që frymon, por jam ajo prej së cilës lindin sekonda, minuta, orë, ditë, javë, muaj,vite shekuj, mijëvjeçare…jam e pashtershme.”
-Po më çudit! Të lutem më thuaj se cila je ti?
-Vazhdo mendimin që ke nisur…,e do ta mësosh emrin tim
“ -Një ndryshim i tillë vjen kur është në harmoni të plotë thelbësorja, ose qenia humane, me atë të veçantë që të tjerët nuk e vënë re dot tek ti. Kjo e veçantë nuk është e dukshme sepse ajo është tejet personale, është vetjake… Është diçka me të cilën ke lindur, ndaj nuk i përket askujt, por është pjesëz e qenies sate… Pa e vënë re, pa e ditur, pa u shprehur, në memecërinë e heshtjes së plotë, ajo fle brenda teje, rritet bashkë me qenien tënde dhe pa e kuptuar as Nevetja, ajo e veçantë është bërë pjesë e pandashme e jetës tënde. Kjo bashkëjeton me ty dhe është aq e vërtetë, sa edhe bujku që si askush tjetër, ndjen aromën dhe frymëmarrjen e tokës, pa të cilën nuk mund të jetojë. Ose kjo e veçantë është si detari që njeh gjuhën dhe shpirtin e detit. E njëjta gjë ndodh edhe me aviatorin, i cili gjatë fluturimit bashkëbisedon me ajrin e atmosferës. Këto raste që përmenda, me kalimin e kohës kthehen në vlera dhe bëhen një masë e vetme, e pandashme me atë diçka, atë të veçantë që u është bashkangjitur si pjesë e qenies së tyre. Njeriu ia njeh vetes këtë të veçantë, këtë dhunti të falur, kur ajo është bërë domosdoshmëri, gjë që e spikat vetëm përmes arsyes, kur truri i tij ka arritur mbindërgjegjen, pra është në shkallën më të lartë të logjikës.
Përshembull bujku e dashuron tokën deri sa ka jetën, madje flijohet për të. Në rast stuhije në det, kapiteni i anijes kur sheh se s’ka rrugë tjetër shpëtimi, nxjerrë jashtë rrezikut jetët e ekuipazhit dhe vet mbytet bashkë me anijen. Vdesin bashkë si një qenie e vetme në ujërat oqeanike, me të cilat kishin një gjuhë të përbashkët.
Më thoni cili aviator është treguar burracak dhe e la timonin, apo e braktisi sallën e komandës së aeroplanit, duke e lënë atë në mëshirën e trysnisë së faktorëve atmosferik?! Si në këto raste e në mijëra e miliona të tjera, duket se mes tyre, me fije të padukshme është krijuar një lidhje e ngushtë organike që shkrihet në një masë të vetme.Këto ndjenja nuk lindin menjëherë sa hap e mbyll sytë, por me kohë ato bëhen pjesë të pandashme të qenies së cilitdo. Ndaj ndjesia e të veçantës së tyre vdes bashkë me ata,- ndërsa ngisja makinën ne të dyja vazhdonim bisedën.
E tillë, e paepur është edhe dashuria. Në një gjendje të tillë isha edhe unë kur u ndava me dashurinë e jetës sime atje te shkallët e universitetit. Ishte një ndarje pas atyre ditëve jashtëzakonisht të bukura që kaluam bashkë…, e cila kishte lënë tek unë një boshllëk. Gjithsesi ende nuk e kuptoja se ç’ishte ajo gjë e rëndësishme që më mungonte e më bënte të vuaja shpirtërisht. Veçse brenda qenies sime nuk di se ç’kisha …ndieja një shpirt të zbrazët, që dukej si një zgavër e boshuar. Pa humbur kohë e pikasa se ndarja e përkohëshme është një nga provat më bindëse që vërteton se sa e fortë është ndjenja. Varet se sa i rezistojnë mungesës së njëri-tjetrit partnerët, gjë që shërben si prove dashurie.
Sot të gjithë e dimë se jeta e njeriut lind së bashku me ndjenjat, paçka se ai ende nuk është i aftë mendërisht apo logjikisht t’i dallojë. Kur arrin shkallën e njohjes dhe të përceptimit të ngjyrave, formave, gjendjeve, shijeve etje, atëherë fillon edhe ndarja e tyre, një tip klasifikimi ndjesish sipas ndërgjegjësimit të moshës. Secila ndjesi rritet e përsoset gradualisht me rritjen fizike dhe pjekurinë mendore.
E para dashuri që lind te njeriu, është dashuria e fëmijës për nënën, e cila rritet e vazhdon të rritet krahas ndryshimit fizik, mendor dhe kohor që pëson fëmija. Kalojnë vitet, ndërsa jeta paraqet kushte e kërkesa të tjera të reja dhe akoma më të ndëlikuara. Kur tek djali apo tek vajza lind një ndjenjë e re, dashuria për partnerin, atëherë nis dhe mënjanohet pak dashuria ndaj nënës, por kurrë nuk shuhet. Dashuria për nënën dhe mungesa e saj janë të pranishme edhe kur ajo mungon fizikisht…kurrë nuk shuhet, por përherë edhe në pragvdekje endjen pranë.
Gjatë muajit të fundit që më kishte ngelur nga leksionet dhe shlyerjet, më merrte malli për mamanë, babanë, vëllanë e vetëm, të cilin e kisha edhe shokë të mirë. Shpesh herë sillja ndërmend apo më dilnin para syve veprime e zakone të tyre, çaste të bukura, shaka, zënka. Por sa kujtoja mungesën e tyre, parafytyrimet nuk ma plotësonin atë që doja. Mundohesha të harroja, po ndieja një zbrazëti në shpirt dhe më sëmbonte zemra. Më dukej sikur në hapësirën ku jetoja mungonte ajri i domosdoshëm. Nuk mbushesha dot me frymë, sikur ajrit i ishte larguar oksigjeni i nevojshëm dhe unë mbytesha si i sëmuri që vuan nga astma. E kisha të qartë se këtë psikologji ma sillte gjendja shpirtërore. Gjithashtu e merrja me mend se kush ishte shkaku i vërtetë i gjendjes sime të njelmët që më shtynte drejt plogështisë.
Qysh atëherë nisa ta vlerësoja faktorin kohë. Mund të jetosh me vite të tëra me dikë pranë dhe nuk e ndjen mungesën e largimit të tij. Kurse me kaq pak kohë që isha njohur me atë djalë simaptik,, ishte bërë për mua aq i pandashëm, ashtu siç janë elementët e domosdoshëm jetik, si: ajri, drita dhe uji. Herë-herë bija në mendime, madje edhe në leksion më fluturonte mendja tek Ai…
Para syve më shfaqeshin vendet ku kishim shkuar bashkë, puthjet, përqafimet, bisedat, përmes të cilave ne njohëm të shkuarën e secilit. Pataj bëmë analizën e lidhjen logjike, se çfarë të përbashkëta dhe të veçanta kishim. Ku duhej të synonte secili nga ne, që të ecnim paralel në rrugën tonë, e cila ishte zgjedhja jonë. Ishte detyra jonë që zgjidhjen duhet ta bënim vetëm ne të dy dhe askush tjetër.
Edhe pse kishim pak kohë bashkë, tani i dashuri im ishte bërë vetja ime e dytë. Mendimi se lumturia më kishte trokitur dhe më kishte pushtuar trup, shpirt e mendje, nuk më mjaftonte…Doja ta kisha të dashurin tim pranë…
-Aty ndal…Tani sapo e the se cila jam unë.E ke përsëritur shpesh, por nuk ta ndërpreva rrëfimin.Ishte bukur tek dëgjoja që më vlerësoje…
-Eh sa shumë kam folur dhe…, nuk di se ku duhet të vë gishtin.
– Unë jam koha!Jam ajo e padukshmja që të ka shoqëruar ty dhe shpesh të angështon, duke të të marr frymën.
Jam qenie e pajetë që ngahera ripërtëris pllakëza monotone përpjestimore dhe ia dhuroj jetës që fati e përplas në humnerat e veta, të cilat unë i hap!
Unë jam koha : një erë e lehtë që të fryn çdo ditë në fytyrë, të kujton ,të sjellë në jetë, të pret…Unë jam Koha që shoqëroj jetën në çdo hap e çdo bëmë!”
”- Teksa kisha ngelur e shastisur nga ai duel i ndërgjegjes e po kthehesha në konvikt, pranë meje frenoi butë një makinë. Pa u ndikuar nga automjeti, nuk e ktheva kokën, po vazhdova rrugën e përhumbur në atë dialog mistik dhe me mendjen tek i dashuri im. Ndërkohë dëgjova që pas shpine zërin e tij të butë e të shumëpritur…, i cili, me përrallëzën e tij, më solli në realitetin real.
“Na ishte një herë një vajzë e dëshpëruar sepse i ishin mbytur gjemitë.E ëmbla vogëlushe mendonte se me ç’varkë do ta përshkonte pellgun ujor që të dilte në bregun tjetër se atje e kishte shtëpinë. Gjithashtu atje e priste edhe i dashuri i saj. I marrosur pas saj, i dashuruar si kurrë ndonjëherë, Ai e nuhati se çfarë i duhej vajzës që donte. U bë zog me krahë, fluturoi dhe iu gjend asaj në kohën e duhur. E gjeti atë të përlotur dhe të shqetësuar, se nuk po gjente rrugëzgjidhje. Me gjuhën e tij i fshiu lotët e kristaltë dhe e mori në krahë…
-Po pastaj çfarë ndodhi?- e pyeta unë që kisha ngelur gojë hapur nga çudia.
– Përgjigja e tij ishte pa fjalë…Më rrëmbeu në krahë, më rrotulloi dhe pastaj nisëm të putheshim si të çmendur. Atë çast po silleshim si dy fëmijë të pafajshëm, kur lodrojnë e puthen me rrezet e diellit.
Hip në makinë.
-Më parë më duhet të shkoj në konvikt…
-Si të urdhërojë zonjusha ime e ëmbël…”
Atë çast s’isha në gjendje. E lajthitur nga gëzimi i papritur isha gati të bëja marrëzinë më të madhe. Më dukej sikur qiejt u çanë dhe portat e Parajsës ishin hapur enkas për mua… “- rrëfeja e përhumbur.
Zëri i infermjeres që më thirri emrin më shkëputi nga rrëfimi…dhe nisa të jetoj realitetin në kohë reale.
Diaspora Shqiptare dhe “Fjala e Lirë” në 15 vjetorin e saj
Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj
U bë shkak ditëlindja e Fjalës së Lirë, e cila sot është e brishtë, si një vashëz e re 15 vjeçare, me ëndrrat dhe shpresat e një adoleshenteje, por bënë punë që u përkasin të moshuarëve. Nuk më pëlqen t’i uroj 100 vjet jetë asaj reviste që u bë tribuna e mendimit dhe fjalës së lirë, që deri dje ishte burgosur brenda mendjeve të mykura. Revistës “Fjala e Lirë”i uroj jetë të suksesshme në përjetësi! Jeho Përjetësisht, o Fjalë e Dëlirë, e Ëmbël Shqipe! Ky përvjetor i mikes sonë Fjala e Lirë, më bëri që të shprehja dëshirën time si më poshtë…
Shqipëria ndër kohëra ka mbartur, ka nxjerrë dhe do të dalin prej saj figura të spikatura dhe të ndritura në fusha të ndryshme të jetës. Në fushën e hartimit të fjalorit shqip, përhapjes së gjuhës dhe shkollave shqipe, si dhe fillimeve të letërsisë sonë kombëtare, vlera të mëdha ka Rilindja jonë Kombëtare, e cila përgatiti terrenin dhe ka qenë Prologu i Pavarësisë Kombëtare. Klubet dhe shoqëritë atdhetare shqiptare të themeluara në mërgim, të drejtuara nga intelektualët më në zë shqiptarë, duke shpërndarë abetaren shqipe në të gjithë vendin, hodhën themelet e tempullit të dijes, si udhërrëfyes dhe udhëheqës të së ardhmes sonë kombëtare. Kjo lëvizje kulturore, me nismë në vatrat e nxehta, ku jetonin e vepronin shqiptarët e ditur e mëmëdhetarë si në: Stamboll, Rumani, Bullgari, Kalabri, Sh.BA, Greqi, Australi e në shumë shtete të Evropës Qëndrore dhe Perëndimore, arritën ta bëjnë të njohur çështjen shqiptare. Hapja e shkollave shqipe në të gjithë vendin zgjoi e rriti ndërgjegjen dhe dashurinë për tokën e të parëve, historinë, traditën, si dhe kulturën e të gjithë bashkëkombasve brenda apo jashtë kufijëve. Pas Luftës së Dytë Botërore, edhe pse ekzistonin dhe vazhdonin aktivitetin këto vatra kulturore, politika e dyerve të mbyllura në diktaturën komuniste heshti, madje shpesh herë u akuzuan si tradhëtarë të kombit gjithë ata që e vazhduan traditën e bukur të Rilindasve.
Duhej përmbysja e sistemit diktatorial, që shqiptarët e emigracionit të vjetër dhe të ri, ndoqën, rinisën, apo nisën nga A-ja një punë të madhe me median, si vazhdues të rilindësve tanë. Pushteti i medias së lirë ka vlera të jashtëzakonshme për një komb që përqafon rrugën e zhvillimit. Veç ripërtritjes së atyre ekzistuese, u çelën mjaftë media të reja, virtuale apo gazeta dhe revista të shkruara, sidomos jashtë vendit, të cilat nuk janë nën influencën e asnjë force politike. Ato i shërbejnë kombit pa interes vetjak, duke shpalosur kulturën, historinë, traditën dhe situatat e shkuara që përjetuam, situatën aktuale të një tranzicioni të tejzgjatur e premisat-dilema që kanë lindur si përgjegjësi morale, qytetare dhe kombëtare për të gjithë intelektualët shqiptarë në çdo kënd të globit ku jetojnë dhe punojnë. Ata shërbejnë dhe janë Ambasadorë të Shqipërisë të paemëruar nga shteti, janë vetemëruar dhe përzgjedhur nga bashkëpunëtorët apo lexuesit e panumërt, në saj të ndërgjegjes që i udhëheq për të thënë të vërtetën e mohuar apo të lënë në harreesë mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.
Çdo komb ka elitat e veta. Asnjë elitë nuk ka brirë, as e ka të shkruar në ballë. Elita del natyrshëm, nuk emërohet e nuk drejtohet nga askush, por me intelekt, vullnet, profesionalizëm dhe punë, mendimi i saj i avancuar, ndiqet apo përkrahet nga të gjithë. Natyrisht të gjithë ata që punojnë dhe pasqyrojnë arritjet, mbajnë qëndrim kritikë ndaj mosarritjeve, apo ndaj gjithçkaje që bëhet keq, në këtë mënyrë ndihmojnë çështjen kombëtare shqiptare. Këto janë vlerat e vërteta intelektule, të cilat kanë nevojë për një falendereim, për një mirënjohje, për një ftesë nga organet përkatëse administrative dhe të publikohen për gjithçka që bëjnë në favor të vendit të tyre. Një veprim i tillë do të rriste autoritetin e Shqipërisë në botë, si komb që di të vlerësojë intelektualët. Nuk duhet të harrojmë se ata janë emigrantë që përqafuan kulturën, kushtet e zhvillimit dhe iu përshtatën qytetarisë evropiane, amerikane etje. Asnjë emigrant nuk e gjeti rrugën të shtruar me dafina, ndaj puna që bëjnë për vendin e tyre, duke u rrëmbyer kohën problemeve familjare, është sakrificë sublime. Kjo punë e pashpërblyer, të paemëruar nga asnjë institucion shtetëror, i ka bërë ata jo vetëm të jenë vetvetja, dikushi, por i kanë treguar botës se shqiptarët janë njerëz të vlerave. Natyrisht duke punuar në fusha të ndryshme, secili prej tyre jep një apo më tepër vlera të ndryshme, por gjithmonë në favor të Shqipërisë.
Mes këtyre mediave për punën e mrekullueshme që bëjnë, do të përmendja disa prej tyre që kanë shmangur urrejtjen dhe nxitjen e hakmarrjes, por reflektojnë kulturë, dije dhe vëllazërim si: “Fjala e Lirë”, “Albania News”, “Dielli”, “Illyria”, “Bota e Gruas shqiptare”, “Tribuna Shqiptare”, “Gazeta Kritika”, “Albanezul/Shqiptari”, “Rrënjët”, “Fjala Arbëreshe”, “Vatra Arbëreshe”, “Zemra Shqiptare”, “Voal”, “Dituria”, “Forumi Shqiptar” dhe disa media tjera të rëndësishme.
Propozim!
Të nderuar, miq, lexues dhe bashkëpunëtorë të mediave në emigracion, krijues dhe studiues, kritikë dhe analistë brenda dhe jashtë vendit! Bota nuk i ka heronjtë apo njerëzit e shquar dhe i krijon, kurse ne i kemi dhe i lëmë në harresë, ose i ngremë në piedestal pas vdekjes. Duke parë se antivlera në tërësi ka mbuluar vlerat reale, ku vlerësohen me fushata në bazë miqësie dhe partiake. Vlera nuk matet nga sasia, por nga cilësia e vlerave intelektuale që i shërbejnë kombit, shoqërisë dhe edukatës sonë. Mediat e sipërpërmendura që punojnë në emigracion nuk janë fluide, as abstrakte. Ato drejtohen nga stafe të formuara në bazë shoqërie dhe atdhetarie dhe po japin vlera maksimale. Jam e mendimit që intelektualët e shquar që veprojnë vullnetarisht në emigracion për njohjen e historisë, kulturës dhe vlerave kombëtare, të vlerësohen, në këtë vit me të cilin nis 100 vjetori i dytë i Pavarsisë. Po ju paraqes një kërkesë që intelektualët e shquar sipas listës dhe vlerave të secilit, t’i propozohet Ministrisë së Kulturës të vlerësohen gjatë këtij viti:
1. Fatmir Terziu, Botues dhe drejtor i revistës prestigjioze Akademia “Fjala e Lirë” dhe “Albania News”, si intelektual i shquar që e ka vendosur veten mes personaliteteve botërore në fushën e kritikës, kinematografisë, publicistikës, botimit dhe shkrimtar mjaftë i talentuar në disa gjini, i vlerësuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, që jeton dhe punon si Akademik në Londër, mendoj të vlerësohet me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë
2. Baki Ymeri, kryeredaktor i revistave “Shqiptari” dhe “Kosovoa”, poet, përkthyes dhe publicist, që me shumë kurajo, vullnet dhe dinjitet vazhdon punën e rilindësve të dikurshëm të Shoqërisë“Drita” në Bukuresht, i çmuar nga mbarë bota shqiptare, meriton një vlerësim të veçantë.
3. Dalip Greca, kr/redaktor i Gazetës “Dielli”, publicist, ShBA.
4. Gëzim Marku, drejtor i revistës “Zemra Shqiptare”, Angli
5. Ajet Nuro, drejtor i Tribuna Shqiptare, publicist, Kanada.
6. Ruben Avxhiu, drejtor i Gazetës “Illyria”, publicist, Sh.BA.
7. Kozeta Zylo, poete, publiciste, ka hapur shkollë shqipe dhe televizion shqip ShB.A.
8. Hasan Aliaj, publicist, drejtor i gazetës “Rrënjët”, Itali
9. Elida Buçpapaj,poete, publiciste dhe drejtuese e “Voal”, Zvicër
10.Sedulla Zendeli Daja, hartues i katër fjalorëve shqip-suedisht dhe suedisht-shqip, si dhe i një gramatike dhe fjalori për fëmijë, Suedi
11.Ermira Babamusta, botuese e gazetës “Prishtina News” (via Prishtinë-Londër-New York)
12.Vasil Qesari, gazetar i TV Francë, publicist dhe fotograf i talentuar
13. Sokol Demaku, botues i revistës “Dituria”në Suedi
P. S. Si individë me vlera të rralla publicistike në mbrojtje të çështjes kombëtare veçoj: Prof. Dr Eshref Ymeri, Dr. Vedat Shehu dhe Prof. Dr. Rasim Bebo.