Ne Foto:Fehime Pipa, Arshi Pipa, Mithat Gashi.Washington D.C. Qershor 1996./
Nga Mithat Gashi*/Në librin e tyne “Intellectual Virtues,” Roberts dhe Wood (2007), ndër të tjera, rreshtojnë disa virtyte cerebrale të inteligjencës njerëzore. Ndër këto janë: 1) dashunia për ta ndjekë dijen; 2) guximi intelektual; 3) qëndrueshmënia ndaj bindjeve kur ke fakte dhe arsye edhe kur ato nuk janë popullore; 4) përultësia – mos me shkarravitë a me shkrue për me ra në sy, por se ke diçka thelbësore që don më e thanë; 5) autonomia – kur nuk pranon çdo lloj ideje pa e sitë mbarë e mirë. I rendita këto virtyte, sepse ma kanë sjellë ndër mend karakterin e profesor Arshi Pipës. Arshi Pipa e ka dashtë dhe ndjekë dijen. Ai kurrë nuk ka qenë i lëkundshëm në karakter dhe në mendime. Si rrallë kush, u ka qendrue besnik bindjeve të veta. Si intelektual i përgjegjshëm, Pipa kurrë nuk ka shkrue për me u dukë, por ka dashtë me e publikue atë çka ai thellësisht, ka mendue se asht thelbësore për t’u thanë. Profesor Pipa ka qenë mendimtar i pavarun, në kuptimin e plotë të kësaj fjale; nuk ka pranue çdo lloj ideje pa e futë në sitën e vet të arsyes dhe llogjikës.
Në temën e sotme, unë do të përqendrohem tek virtyti i guximit intelektual të Profesor Arshi Pipës, dhe për të ilustrue guximin e tij intelektual, do të jap vetëm pak shembuj tue i bâ nji vështrim veprave të tij në: poezi, kritikë letrare, gjuhësi, analiza politike, si në publicistikë dhe veprimtari.
Roberts dhe Wood (2007) theksojnë se forma ma e dukshme e guximit intelektual asht rezistenca në mbajtjen e pikëpamjeve jopopullore. Për të mbërri në konkluzionin e pikëpamjeve jopopullore, duhet të merren në konsideratë të gjitha faktet dhe anët e argumentit.
Kur Arshiu ishte i ri, ideologjitë marksiste kishin penetrue në rininë shqiptare, sidomos në Korçë dhe Shkodër. Pushtimin e Shqipnisë nga Italia komunistët e shfrytëzuen më rritë radhët e tyne. Siç pohon edhe vetë Pipa, elementë të ndryshëm u munduen me e futë në radhët e komunistëve, por aj, tue përdorë synin kritik dhe intuitën, dijti të dallojë të keqen prej të mirës. E pa qysh herët që komunizmi nuk asht sistem i mirë për njerëzimin. Dhe për kët arsye nuk e pranoi atë idelogji.
Tash po jap disa ilustrime të shkurta të guximit intelektual të Pipës në fushat që përmenda ma parë:
Poezia e Pipës
Në “Libri i Burgut”, jo vetëm që në kohën ma të vështirë Pipa merr guximin me i bâ kritikën e duhun sistemit komunist, por ai i len historisë së letërsisë shqipe nji testament mbi krimet e komunizmit. Në parathanien e këtij libri, shkrue në vitin 1958, ai tregon se zgjodhi vargun, jo sepse vargu asht sintetik dhe zen vend ma pak, por donte të paraqiste jehonën e shpirtit tue kapë momentet e realitetit, ose siç shkruen ai vetë: “me ruejtë çasin, çasin vështrimplotë, herë mbas here, në mënyrë qi ndija e kohës, e asaj kohe, të mbetej e gjallë.”
Nji prej përshkrimeve të këtij realiteti asht “Kanali” që tregon vuejtjen e të burgosunve në Kampin e Vloçishtit.
Poeti shkruen:
Kanali
Nga Korça bumbullon. Currila shiu
rrjedhin prej mushamas mbi krena e shroje.
Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:
nji lamsh ku qelben recka e mish njeriu.
Kur rojeve u tekej me u zbavitun
Merrshin ndokên nga puna, zakonisht
Fetarë a njerëz shkolle, dhe me bisht
Lopate u hyjshin sa t’ishin mërzitun.
Mandej nji doç i hypshin mbi kërbisht
Qi e ngitte posi kalin tu’ e shetitun
Përgjatë kanalit, “hyja!” tue i britun…
E ja diftojshin puntoris me gisht:
“Sabotator i poshtër! klysh i Carit!
Sabotoni po deshët ju të tjerët!…”
Zgërdhiheshin, ngërdhesheshin. At’herë
dy-tre zuzarë ma t’lig, shokët e t’parit,
shtymjen i jepshin n’gjol qi nga skarpati,
dhe t’qitmen kryet me hunj i rrijshin gati.
Në “Kështjelli” ku përshkruen jetën e burgut në Gjirokastër, Pipa shkruen:
“Kush e mendonte se prej ktij kështjelli/do ta soditsha rishtas pamjen tande”.
“kur me prindin erdha/te shpija e etnëve.
E shumta u dogjën. Nuk i dogj i hueji, /Gregu, Italjani, por banori i tyne/Gjatë luftës qytetare…
26 vjet mbas shembjes së Murit të Berlinit, propaganda komuniste ende e glorifikon “Luftën Nacional Çlirimtare”. Pipa e ka shkrue në poezi qysh në vitin 1950, kur ishte në burg, se ajo ishte luftë qytetare, pra luftë civile.
Nëpër burgje, të burgosunve u banin edukim politik. Mbi këte, Pipa shkruen,
“Na thonë se sot na miq i kemi Grekët, /se jemi lidhun kundër komunizmit/me ta për nji qellim!…
Dhe në pjesën tjetër të strofës, ban pyetjen:
“Shqiptarë, a i njifni? /Harruet Hormovën? Kristo Negovanin, /shërbëtorin e Zotit e t’atdheut/therun me thika? Egzodin çam harruet?
Në pjesën përmbyllëse të kësaj strofe, Pipa deklaron:
Jo, nuk e due lirín qi m’falë anmiku!/Ma parë kalbem e vdes ndër kto bodrume/se me shpërblye kamatën e lirimit/me turpin e nji heshtjeje tradhtare!
Mund të gjejmë plot vargje të tjera ku shprehet guximi intelektual i Pipës në poezi.
Kritikë letrare
Arshi Pipa asht themeluesi i kritikës letrare shqiptare. Qysh në moshë të re, e pa se ndër letrat shqipe ekzistonte edhe boshllëku i kritikës letrare. Për këtë arsye, ai argumentoi se nuk duhet të çuditemi që nuk kemi kritikë shqipe, sepse “mungon materiali për t’u kritikue.” Në vitin 1944 nxori në botim revistën “Kritika” të cilën e drejtoi vetë. Në numrin e parë të kësaj reviste, në faqen 27, Pipa shënon se revista ka për qellim me botue në pjesën e parë prodhime origjinale dhe përkthime dhe në pjesën e dytë, kritikë lerare. Mbi kritikën letrare, Pipa shkruen: “N’art e ndër letra, në shkencë e në filosofi, e deri në fé, kritika asht baza e çdo ndërtimi të sigurtë. Kritika asht shêji i mendjes së pjekun. Derisa mendja nuk kthehet me rishikue atë çka ka bâ, tue e vlerësue, ajo asht ende fëminore. Ajo mund të prodhojë vepra madhështore, kur intuita e përpjek me burimin e jetës. (nxjerrë nga: https://gazetadielli.com/shpirti-kritik/#sthash.hDRa0IJ5.dpuf). Pasionin e tij për kritikën letrare, Pipa e vazhdoi ma vonë në Amerikë me botimin e Trilogia Albanica (1978), Montale dhe Dante (1968), me shkrimet që botoi në revistën “Albanica” të cilën e drejtoi vetë, etj.
Gjuhësi
Në librin Politika e Gjuhës në Shqipninë Socialiste (1989), spikasin njohunitë e Pipës në lamën e gjuhësisë, të metodologjisë hulumtuese, dhe të analizave teknike në linguistikë. Pipa muer guximin me i bâ nji autopsi procesit të standardizimit të gjuhës shqipe.
Në studimin e tij gjuhësor, Pipa vê në dukje mungesat dhe të metat methodologjike të tri veprave: 1) Drejtshkrimi i gjuhës shqipe (1973), 2) Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe (1976), dhe 3) Fjalori i gjuhës së sotme shqipe (1980).
Me analiza statistikore, Pipa mbërrin në konkluzion se gjuha e ashtuquejtun e njësuar në Shqipni, asht nji toskënishte e standardizueme. Pipa thekson se asht përdorë modeli Stalinist në standardizmin e gjuhës, por ma e keqja asht se tinëzisht janë marrë forma të gegnishtes me plotësue boshllëqet e toskënishtes.
Simbas Pipës, metodat e Kostallarit në përpilimin e Fjalorit janë ndikue nga Marri, nji gjuhëtar i Bashkimin Sovjetik, ku simbas teorisë së tij, gjuha ka natyrë klasore. Kjo asht lehtësisht e vërtetueshme tashma edhe me shkrime të ndryshme në Shqipni si buletinet shkencore të kohës apo edhe në shkrime të tjera prej gardianëve gjuhësorë, tue e trumpetue si arritje të madhe të shkencës shqiptare në Shqipninë socialiste.
Pipa e pyet me ironi, Kostallarin, i cili shkruen se gjuha e njësuar asht edhe “gjuhë e spastruar”.
“E spastrueme nga çfarë?”
“Nga plehnat letrare. Nji shembull asht Fishta. Poeti-prift që jetoi në nji periudhe që përfshihet mbrenda caqevet historike të leksikut të gjuhës së sotme shqipe. Megjithatê, leksiku i tij nuk gjen vend te Fjalori.” Dhe jep vetëm disa fjalë që ka përdorë Fishta, të cilat nuk janë përfshi në fjalorin e Kostallarit: “kryqali, shkinë, mec, shmrijak, grrec, letrac, dheske, leçitë.” Asnjena nga këto fjalë nuk gjindet te fjalori i Kostallarit. “E pra këto fjalë janë të popullit”, thotë Pipa. “Fishta nuk i ka krijue” (Koha e Jonë, f. 83).
“Tue shlye gjuhën e Fishtës, Pipa thekson se Kostallari ndëshkon popullin përveç se poetin” metodë të cilën e quen, “shembull tipik i ‘ideoshkencës’ kostallariane” (Koha e Jonë, f. 84)
Pasunimi i Fjalorit bahet për dobi të toskënishtes dhe me tjetërsimin (toskëzimin) e gegnishtes. Kriteri asht leverdia, dhe fenomeni ka emnin shfrytëzim. E pra “ideologjia proletare, marksiste-leniniste” e Tiranës lufton kapitalizmin për mort. Por kur asht puna me shitë “gjuhën e njësuar”, idelogjia “proletare” kopjon kallëpin kapitalist” (Koha e Jonë, f. 84)
Arsyen e gropës së vorrit që i asht bâ gegnishtes, Pipa udhëzon që ta kërkojmë te Politbyroja, dhe tue u bazue në nji statistikë të Peter Priftit mbi përbamjen e Politbyrosë nga 1948-1976, Pipa nxjerr se 84.8% kanë qenë toskë dhe 15.2% gegë. Përpjestimin që nxjerr nga pikëpamja e redaktorëve të Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe asht 4 toskë dhe 1 gegë. Pra, Pipa konkludon se hegjemonia e klasës sunduese pasqyrohet në lamën e gjuhësisë.
Argumentit zyrtar që “gjuha e njësuar” bashkon popullin dhe forcon vetëdijen kombëtare, Pipa i përgjigjet me këto fjale, “E vërteta asht se gegë e toskë, kur ka qenë fjala për Shqipni dhe për gjuhë shqipe, kan qenë nji trup, së paku prej Lidhjes së Prizrenit e këndej, kur vetëdija kombëtare mori hov dhe filloi të kristalizohet. Të qenët toskë e gegë nuk e ka pengue bashkimin kombëtar ndër kohë, kur vetëdija kombëtare ishte shum ma pak e zhvillueme se sot” (Koha e Jone, f. 87)
Me këto pak ilustrime, e vërehet guximi intelektual i Arshi Pipës në gjuhësi.
Analiza politike
Guximi intelektual i Arshi Pipës duket kthjelltas edhe në analizat politike që ai ka bâ. Shkroi dhe botoi disa analiza politike, të cilat i ka përmbledhë në librin “Albanian Stalinism” qysh prej vitit 1958-1989. Nëpër këto shkrime Arshi Pipa, ndër të tjera, përqendrohet në dy tema kryesore; në shkeljet themelore që u bahen shqiptarëve të Kosovës, dhe shtjellimin e dominimit të politikës shqiptare në Shqipni nga idelogjia staliniste. Mendimet e tij në lidhje me këto tema janë të shum të qarta dhe të kthjellta.
Në fund të librit “Stalinizmi Shqiptar”, Pipa boton edhe këto vargje:
“Krushçevi ju foli hakun:
Atij vërën, ju kapakun!
Stalinuc i Shqipërisë,
Paç haram qumësht e sisë!
Paç mallkimin e një nëme:
Pizeveng, doç i satëme”.
Dhe në revistën Telos, në vitin 1989, botoi artikullin me titull “Glasnost in Albania” ku analizon situatën në Shqipni.
Si redaktor i gazetës “Dielli” botoi disa analiza të tjera politike. Artikulli që po përmend sod asht “Turqit e Rij të Shqipnisë së re” (“Dielli” vol. 83, nr. 10, maj-qershor 1992), ku autori, ban nji paralelizëm ndërmjet xhonturqve dhe ish-komunistëve në Shqipninë e mbas shembjes së Murit të Berlinit. Në kët artikull janë bâ shum parashikime dhe vlerësime. Për popullin e Kosovës, Pipa shkruen, “Tue fillue me Lidhjen e Prizrenit (1878-81), historia shqiptare dëshmon se kosovarët kanë qenë lokomotiva e nacionalizmit shqiptar.” Për votimet e 23 marsit 1992, Pipa i ban kritikën Partisë Demokratike dhe ndër të tjera thekson “18 parti dhe shoqata morën pjesë në zgjedhjet e dyta. Por mbasi shumica e tyne u regjistruen me vonesë (PD-ja nuk bani nji çap me shpejtue pranimin e tyne) ato nuk mundën me fitue katër-përqindshin e votavet të duhuna për me u përfaqsue në Parlamentin e ri.”
Po në kët artikull, Për Sali Berishen, ndër të tjera, shkruen, “Asht e vërtetë se Berisha nuk asht nji tjetër Hoxhë. Por le e rritë në Shqipninë staliniste, ai ka thithë frymën e stalinizmit bashkë me sisën e s’amës. Inteligjent, trim, karizmatik, nuk mund t’i mohoet Berishës merita e krijimit të nji partie opozitare dhe të primjes së saj deri në fitore. Koha do ta tregojë a asht ai njeriu që i duhet Shqipnisë për me e nxjerrë nga humnera ku e plandosi stalinizmi.”Nga këto pak ilustrime, shohim që Pipa e kishte guximin intelektual me e thanë e me e shkrue ate çka mendonte në lidhje me zhvillimet politike në Shqipni e Kosovë.
Publicistikë dhe Veprimtari
Arshi Pipa ka mbajtë shum ligjerata ku i asht drejtue audiencës amerikane dhe shqiptare. Në ligjëratat e tij, nuk ngurroi me i bâ kritikën e duhun temës që trajtonte. Dha edhe nji seri intervistash në Zanin e Amerikës, dhe nji veprimtari për të cilën nuk asht folë fare, asht ideja dhe aktivizimi i tij me krijue nji parti politike shqiptare në New York në pranverë të vitit 1990. Ndër të pranishmit kanë qenë edhe disa antarë të Vatrës dhe të partive politike shqiptare në New York. Unë nuk kam qenë prezent, por vallai im, Luani, ka marrë pjesë në këtë mbledhje. Asht hedhë ideja edhe në vota, por, si duket, për arsye se nji pjesë e madhe e përfaqësuesve ishin antarë të partive politike si Bloku Indipendent, Legaliteti dhe Balli, nuk asht votue me shumicë që të formohet nji parti e re si front antikomunist. Prej kësaj, mund të konkludojmë se Pipa, në aktivitetet e tij, jo vetëmse kishte kurajo dhe guxim, por ishte edhe largpamës. Intuita e tij e ndiente se ishte çashtje kohe për Shqipninë me fillue procesi multipartiak dhe donte me qenë gati me u kthye në Shqipni me nji formacion politik.
Gjithashtu Arshi Pipa ka marrë pjesë në demonstrata kundra regjimit komunist të Shqipnisë që janë mbajtë në New York. Nuk e shihte të arsyeshme me kërkue të drejtat e shqiptarëve të Kosovës me flamurin shqiptar që kishte yllin komunist, pra stemën diktatoriale; prandaj, merrte pjesë në protestat që organizoheshin në New York dhe Washington nga grupet nacionaliste shqiptare. Në nji prej këtyne protestave në vitin 1990, kam bâ pjesë edhe unë para Shtëpisë së Bardhë në Washington, ku e kam takue Arshi Pipen për herë të dytë.
Në fund të vitit 1990, Federata Panshqiptare e Amerikës ‘Vatra’, ishte në rrezik me u marrë në dorë nga disa elementë të mërgatës që ishin të ndikuem nga regjimi komunist i Tiranës. Kryesia e Vatrës dërgoi Dr. Gjon Buçajn dhe Z. Hajdar Tonuzi që t’i banin ftesë Arshi Pipës që të bahej kryetar i Vatrës. Pipa e pranoi dhe shërbeu si kryetar i Vatrës dhe editor i “Diellit” për nji kohë të shkurtë, deri në vitin 1992.
Kur mbërrini në aeroportin e Tiranës, Arshi Pipa nuk ngurroi me shprehë mendimet e tij të kthjellta e pa kompromis. Ai, thellesisht i shqetësuem prej krimeve te periudhes komuniste, tha se ata që kanë bâ këtë hukubet duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dënohen, dhe deklaroi se të gjith anëtarët e byrosë politike, sekretarët e rretheve, dhe kryetarët e degëve, duhet të arrestohen dhe të japin llogari për krimet që janë bâ në Shqipni. E di që edhe në Shqipninë e sotme, këto fjalë tingëllojnë të ashpra, por kjo ka të bâjë me rregullimin e marrëdhanieve reale të nji shoqnie, së pari në aspektin e përballjes morale me damet e shkaktueme prej asaj makinerie brutale. Në vendet e botës së zhvillueme shoqnia ballafaqohet me të vërtetat, edhe kur ato janë të hidhuna dhe u jep zgjidhje me kurajo. Athue a do të ishin vû ma së miri bazat e shëndosha të demokracisë shqiptare po të ishte ndjekë udhëzimi i Pipës? Pra, krimineli të ishte ballafaque me drejtësinë.
Për hir të vërtetës, edhe pse ende të pakët, disa intelektualë, ndihen të shqetësuem për “harresën” e veprave të inteligjencës antikomuniste jashtë Shqipnisë, ku doemos përfshihet profesor gjiganti i letrave shqipe, profesor Pipa. Ndër ta, Agron Tufa, Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ka vu në dukje se vepra e Prof. Pipës asht mënjanue nga studiuesit e klasës komuniste. Ai shprehet se: “…mendoj se ka nji faktor të natyrës politike dhe egoistike, që nuk asht i interesuar për njohjen dhe botimin e veprës së Pipës por i interesuar që Pipa të mbetet jasht kanalit të receptimit… establishment krejt i turpshëm që i ka drejtuar të gjitha punët në Shqipërinë socialiste dhe atë komuniste në vazhdim.”
Marr shkas prej kësaj deklarate, të nji studjuesi si Tufa, për të rikujtue edhe nji herë titullin e këtij shkrimi. Asht virtyti i guximit intelektual të Profesor Arshi Pipës, që e ka vendosë atê në anën e të vërtetave njerëzore, historike, shkencore, politike e letraro-artistike që, për fatin e keq të inteligjencës së spërkatun me ideologjinë komuniste, Pipa “asht kafshata që s’kapërdihet”.
Edhe pse dëshira ime asht të flas mâ e mâ për këte personalitet unik të kulturës, në respekt të hapsinës për të tjerët, detyrohem me e mbyllë tue ju falenderue përzemërsisht për pjesmarrjen dhe vëmendjen tuej.
* (Fjalim i mbajtun nga autori në New York me 27 korrik me rastin e 95-vjetorit të lindjes së Arshi Pipës organizue nga Federata Panshqiptare e Amerikës, Vatra.)
Bibliografi
Pipa, A. (2004) Libri i Burgut. Tiranë: Eurorilindja.
Pipa, A. (1990). Albanian Stalinism: Ideo-Political Aspects. New York: Distributed by Columbia University Press
Pipa, A. (1989). The Politics of Language in Socialist Albania. New York: Columbia University Press
Pipa, A. “Shpirti Kritik”. Nxjerre nga: https://gazetadielli.com/shpirti-kritik/#sthash.hDRa0IJ5.dpuf
Pipa, A. “Mbi te ashtuquejtun ‘gjuhe e njesuar’” (Koha e Jone: numër i posaçëm me rastin e 25 vjetorit të revistës, 1986, f. 79-93)
Pipa, A. “Turqit e rij te Shqipnise se re”. (“Dielli”, maj-qershor 1992, vol. 83, nr. 10)
Roberts, R. C., & Wood, W. J. (2007). Intellectual Virtues: An Essay in Regulative Epistemology. Oxford: Clarendon Press.
Dokumentar televiziv – Nudret Kalakulla mbi arshi Pipen, intervista nga Agron Tufa.