• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Washington DC, Përurohet Muzeu i viktimave të komunizmit në botë, i pari i këtij lloji…

June 9, 2022 by s p

Nga Visar ZHITI/

I hap dyert për të gjithë, për kujtesën e popujve, Muzeu i ri i Fondacionit VOC (Victims of Communism) në Washington DC, mu në qendër të kryeqytetit, në Sheshin McPherson (900 St, 15 NW), të hënën, në 13 qershor… Është ngjarje, shenjon një hap përpara, nuk është thjeshtë një muzeum më shumë në muzeumet e mrekullueshme që ka SHBA, por në këtë kohë revanshesh nga e kaluara andej, është jo vetëm kujtesë e njerëzimit, por qendrim dhe të kuptuar i madh, përballje, shpresë e fortë dhe të vazhdosh të prish…SHBA nuk e ka vuajtur komunizmin vetë, dihet, por puna dhe lufta që ka bërë për shëmbjen e diktaturave komuniste, është historike dhe aktuale, vendimtare dhe ja, tani dhe muzeu i kujtesës si asgjekundi tjerër…Përkujtohen kështu më shumë se 100 milionët e vrarë nga regjimet komuniste, më tepër se ç’vranë dy luftrat botërore së bashku. Çfarë tragjedie botërore! Teksa sot 1,5 miliardë njerëz janë ende nën qeveritë komuniste, armike ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Të tilla janë kumtet që na vijnë nga ky muze i ri. Po vendi ynë që po kalon një tranzicion postkomunist të zgjatur e të mundimshëm? Ç’thotë dhe ç’do të bëjë?

“Hapja e këtij muzeu në një kohë kaq të rëndësishme është kulmi i më shumë se tre dekadave të punës dhe donacioneve”, tha Ambasadori Andrew Bremberg, President dhe CEO i VOC. “Ekipi i historianëve, arkitektëve dhe artistëve që kontribuan, kanë qenë të klasit botëror dhe besimi ynë është që muzeu do të shërbejë si një vend, ku të gjitha viktimat e komunizmit mendojnë se historia e tyre po dëgjohet.” Të dëgjohemi! Këtu fillon……është muzeu i parë në botë, qê përshkruan historinë e komunizmit si dhe shtrirjen e tij aktuale globale në Evropë, Azi dhe Amerikën e Jugut. Vizitorët mund të shikojnë filma dhe të marrin pjesë në ekspozita interaktive moderne që sjellin në jetë historitë e viktimave dhe të të mbijetuarve, informohemi. A do të këtë dhomë të Shqipërisë, një stendë për vuajtjen e saj të madhe nën diktaturën më të egër të Europës Lindore, qoftë dhe një relike a një libër?

Di që në përurim mes të ftuarve të shumtë ishin nga miqtë tanë shqiptarë, që e kanë ndjerë në lëkurë të tyre atë vuajtje, znj. Merita McCormack si dhe zz. Cesar Ndreu me Haxhi Dautin, shqiptar nga Maqedonia, ndërkaq dhe donatorë të muzeut, tani qytetarë amerikanë ashtu si mijëra bashkatdhetarë tanët në SHBA, ku gjetën ëndrrën e tyre të lirisë dhe të mirëqenies, bashkë dhe me nga ata që ishin në anën tjetër, atë të persekutorëve. Kujtesa, aq sa na ndan, edhe na bashkon, muzeun mund ta vizitojmë së bashku dhe ta gjykojmë të kaluarën, ta dënojmë të keqen.

Për të kujtuar! – është shkruar dhe shqip në muze krahas gjuhëve të tjera, që vuajtën, se edhe gjuha vuan.

A do të këtë dhomë të Shqipërisë, stendë a një relike, pyes sërish?

Shtetet si Polonia apo Hungaria, kanë investuar në ngritjen e këtij muzeu, madje dhe me miliona dollarë, ndërsa ne, ish të burgosurit shqiptarë nuk paguajmë dot, as nga dëmshpërblimi ynë, që nuk mjafton. Me vuajtjen tonë s’bëjmë tregti, por shoqëria shqiptare, shteti vetë duhet të kujdeset, që ta njoha bota vuajtjen dhe qëndresën e të burgosurve shqiptarë nën diktaturë, kundërshtitë dhe martirizimin e tyre, sepse dhe shqiptarët farkëtojnë bashkë me kujtesën e tyre dhe ndërgjegjen dhe pêrpjekjet për të mbrojtur të ardhmen e tyre. Të përftohen vlerat e larta dhe aftësitë për t’u përballur me të kaluarën duke e njohur thellë dhe drejt atë, që të mos përsëritet, – e thënë shpesh kjo. Shqipëria të bëje muzeun e saj, burgjet e Spaçit, Qafë-Barit, etj, se BunkArt 1 apo 2 apo “Shtëpia me gjethe” a ndonjë shtëpi tjetër në qendër nuk mjaftojnë, aq më tepër që ato tregojnë diktaturën, forcën e saj, por ende jo qendresën dhe përballjen me të, qoftë dhe e një apartamenti të thjeshtë, ku fshehurazi dëgjonin “Zërin e Amerikës”. Dhe pastaj do të dinte të lidhej më mirë e më sinqerisht e të bëhej partner besimplotë me botën euroatlantike, do ta kuptonin e do ta pranonin krahëhapur, edhe nëse dhe në diplomacinë e saj do të kishte gjithnjë e më pak nga persekutorët e bijtë e tyre dhe të vinin gjithnjë e më shumë nga të persekutuarit e bijtë e tyre. Gjithsesi Muzeu i Viktimave të Komunizmit në Washington DC na pret së bashku. Edhe Kujtesa e së Ardhmes. Ta ndërtojmë mirë të gjithë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Visar Zhiti

KITARA, NGA PEJA NË PARIS…

June 8, 2022 by s p

Nga Visar ZHITI/

Mbresë për shkak të kitaristit Ehat Musa –

E magjepsi kitara dhe pastaj ai magjepsi botën me kitarën e tij.
E kisha parë në një koncert, dikur si në një ëndërr, si në një ankth, thuaj, se ishte diktaturë dhe unë përndiqesha. Më përshfaqet ai muzg skene, kitaristi si në një ujvarë drite dhe pastaj terr gjithandej. Çuditërisht tingujt e kitarës si vezullime të yllta i ndjej ende…
Dhe mësova se ai, djaloshi nga Peja, kishte fituar një çmim të parë në një Konkurs Kombëtar si solist dhe kishte shkuar nga Kosova (atëhere në Jugosllavi) për master në Itali dhe pastaj vazhdoi studimet për kitarë në Paris, ku dhe jeton dhe bota e njeh si kitarist francez.
Maestro Ehat Musa ka dhënë koncerte gjithkund, në skenat e famshme nga Nju Jorku e në Moskë, edhe si solist me orkestra të mëdha simfonike. Repertori i tij, mund të lexosh se përfshin vepra të J.S.  Bach, Heitor Villa-Lobos, Powell, Reis, Brower dhe Tamez, etj, etj.
Por unë e pashë në Tiranë, kur ishin ato, “vitet e liberalizmit” siç u quajtën, që më pas do të dënoheshin dhe do të burgoseshin artistë, këngëtarë, muzikantë, shkrimtarë, etj, ndërsa mua më dënuan me 10 vjet burg për poezitë e mia.
– Është dër më të mirët në botë në kitarën e drurit, – më bëhet se i dëgjoj dhe tani ato që thoshin për Ehat Musën.
Në Pallatin e Sportit do të jepej koncerti i Prishtinës. Duartrokitje të shumta, por dhe me druajtjen se mos po i vëzhgonte Sigurimi i shtetit. Po si mund të duroje, aty ishin këngëtaret Nexhmie Pagarusha, Liljana Çavolli, Luan Hajro, Bashkim Paçuku, Esat Bicuri, etj, i dija emrat e tyre, i dëgjoja në Radio-Prishtina, kur isha mësues në një fshat të largët të Kukësit, ndërsa në gjyq do të më akuzonin pse kisha dëgjuar një radio revizioniste, titiste…
– Fliste shqip, – u mbrojta unë në gjyq.
Këngëtari Sabri Fejzullahu e tronditi publikun me fjalët e këngës së tij, një poezi dashurie e Asdrenit, por që u dha kuptim tjetër, ashtu m’u duk: “Eja, se po s’erdhe, do të vij…”. Mos ia tha Shqipërisë?
Kitaristi Ehat Musa, shkëlqeu. I ri, virtuos modern, dora mbi tastierë si një hënë në muzg, dridheshin gishtrinjtë si tufa rrezesh… të prera… e ndjeja.
Unë ika bashkë me vitet, kohët ndryshuan dhe ne me kohën, u shemb Muri i Berlinit dhe e pabesueshmja, ra perandoria komuniste… në kujtesën time u kthyen copëza poezish e këngësh, tinguj të artë kitare, që binin si yje.
-Mos ik, – më tha një pasdite në Milano  piktori i famshëm Ibrahim Kodra, vjen një miku im nga Parisi…
Ishte ai, kitaristi Ehat Musa. Erdhi nga ëndrra, nga ankth i dikurshëm për mua. Ia thashë. Ai dëgjonte bukur. Sa i përzemërt! Portret artisti, gjithë njerëzí. I tregova që e kisha parë në koncertin në Tiranë, krejt rastësisht gjeta biletë, po endesha rrugës andej se mos shikoja artistët nga Kosova, kur të zbrisnin nga autobuzi, kur një i panjohur m’u afrua, ndoshta e kuptoi pikëllimin tim dhe dëshirën time dhe më tha: “A doni një biletë?”. U lumturova. E ku gjendeshin ato, sidomos unë që vija nga provinca e persekutineve në Tiranë. Mos ma kishe dërguar Ti? Buzëqeshi. Pastaj i fola aventurshëm për nje muzikant tjetër të madh, që kishte qenë në burg, mësuesin dhe bashkëqytetarin tim Fotaq Filipeu. Por unë dua ta njoh patjetër, – më tha me zë të lartë…
I tregova dhe për kitarën e Vaçe Zelës në burg, e kishte në Spaç bashkëvuajtësi Gëzim Çela, ia solla e ëma, do një kitarë djali në burg, i kishte thënë ajo këngëtares se famshme, kur ishin takuar në rrugë, ishin shoqe, po ku t’ja gjej, kishte psherëtirë. Dhe Vaçja i dha të sajën. Pas revoltës të të burgosurve në Spaç, policia kërkonte kitarën, ishte e ndaluar. Të burgosurit e fshehën dhe mundën ta nxjerrin gjallë nga burgu…
– Është dhe kjo kitarë që keni Ju në dorë, Maestro! – do t’i thosha miqësisht Ehat Musês, kur të shkoja në Paris.
– Mbase, pse jo…
Shëtisja afër Katedrales ”Notre Dame”, në çdo stol më dukej se ishte ulur nga një Viktor Hugo, kështu shkruajta në një poezi timen, pashë piktorin Zamir Mati, pranë tij regjisori Pirro Mani, t’ju bëj një portret, dëgjova… u bashkova me ta, shkuam për një kafe në Lagjen Latine, Pirro Mani merrej me xhirime, një film i Liri Begesë, do t’i shihja disa skena shumë herë në rrugë, se ktheheshin deri sa t’u dukej mirë kineastëve dhe atë mbrëmje a në një mbrëmje tjetër, në një lokal afër “Moulin Rouge”, ulur pranë banakut, në  mes kishim të mrekullueshmin Ehat Musa.  Vazhdonte biseda e mbetur përgjysmë. Maestroja para mesnatës porositi nga dy birra të tjera për secilin, pse kaq shumë? Sepse pas pak minutash, pas mesnate, birrat do të shtrenjtoheshin ndjeshëm. Maestroja kishte dhe humor fin. Qeshëm dhe e kaluam hareshëm si mes miqsh.
Do të shkoja ta vizitoja dhe në vilën e tij në rrethinë të Parisit. Ndejtëm në kopshtin e blertë, bisedonim nën drurë me qelqet e verës ndër duar, Zonja franceze e Ehat Musës fliste shqip…
U ndjeva si në shtëpi. Ç’imazhe me dritë në albumin e kujtesës!
Mund të rrish pak me dikë, ashtu e do fati, por e ndjen shumë. Mjafton një fjalë a një rresht i shkruar, që të të mbushë një bosh të gjithë. Po kur ai është pentagram dhe notat muzikore duken si zogj mbi tela? Mos i trembni!…
Kitara e Ehat Musës kumbon, nisi aty me burimet plot shkulme të bardha në Pejën e Tij, ku shpërthen Drini ynë dhe ecën dhe ecën dhe kitara e tij zmadhohet, zmadhohet, bëhet sa Tour Eiffel në Parisin plot drita.
E dëgjoni? Kërkojeni! Ka magjepsjen e rinisë…

Filed Under: Kulture Tagged With: Visar Zhiti

1 QERSHORI I FEMIJEVE DHE SHKRIMTARI…

June 1, 2022 by s p

“Valixhja e shqyer” e Visar Zhitit

Gabriela Mujaj Eloi/

“Përralla për fëmijë nga 7 deri në 77 vjeç”,do të shkruante në parathënie, Bashkim Shehu.Kam përzgjedh këtë libër të jashtëzakonshëm, të autorit të mirënjohur, poetit, shkrimtarit, humanistit, intelektualit etj etj, do vazhdoja pafund…thesarit të letërsisë shqipe e përtej, Visar Zhitit.Vetëm një shpirt tepër i naltësuem, një zemër e mbetun fëmijë, por një mendje tepër e përndritur e një mjeshtër i fjalës, mund të dhuronte një thesar të tillë. Ne e kemi “Princin e Vogël”, në fakt kemi “Mbretin e Madh”, kemi “Valixhen e shqyer”, kush nuk e ka lexu akoma, i them me qortim që shumë ka vonu e po aq shumë ka humb. ***” Dëgjova një si psherëtime të pasur nga një si kumt. Mos kisha folur me vete? Por, kur u përsëdyt, m’u bë si zëri i tim biri, më kuptueshëm se në fillim. Kush foli? – pyeta për të marrë ca kurajë.Valixhja.Mos je ti?! Do të bësh ndonjë lojë si zakonisht …?Jam…valixhja e kujtesës…aq sa mund të nxë unë…Ashtu? Duhet t’i mbash mend ato…rrëfimet e mia të dikurshme…Të humbura…” I nise si për përralla atëherë.Po, se përrallorja na ndihmon për realitetin, që, nëse nuk e bëjmë dot më të mirë e nuk i shmangemi dot, të bashkëjetojmë me të si njerëz. Ngaqë gjithçka është përrallë a bëhet si e tillë,- thosha atëherë MBASE VETËM PËRRALLAT MBETEN.” ***Të dashtun fëmijë,Me pastërtinë e shpirtit tim, uroj për secilin prej jush, kushdo jeni, kudo jeni, sido që jeni,Fëmijë me aftësi normaleFëmijë me aftësi të veçantaFëmijë të zi, të bardhë, kuqaloshëFëmijë nga Bejruti, Afrika, Siria, Kina, Shqipëria, Pakistani, e kudo, por në mënyrë krejt të veçantë, fëmijëve të Ukrainës, të cilët nuk kanë as fajin më të vogël për cipën e plasur të të mëdhenjëve. Falini fëmijë, se nuk dijnë çka bajnë!Gëzuar,Fëmijë të varfer që ju shkelqejnë sytë kur blini një akullore apo kostum të ri,Fëmijë të pasur, ndoshta të llastuar ndër të mira, uroj që një ditë të mësoni se çka don me thanë me ja dalë vetë mbanë në jetë. Se çfarë shije ka, se sa krenar ndihesh, sa dinjitet fal.Gëzuar, Fëmijë që bani kilometra dhe përshkoni rrugë të këqija, në dimra të acartë, për me frekuentu shkollën. Ai Zot, ua shpërbleftë! Raftë drita e dijes mbi ju, u bafshi yje n’errsinë!Gëzuar,Ju fëmijë të jetimores, që u rreshken faqet para kohe, në mungesë të nji ledhe amsore.Falini dhe ata që në vend që t’ju dhuronin juve një familje të munguar, ua japin atë qenve të rrugës. ( Të paktën të ishin qen si Labeati i Atjonit). Falini!Gëzuar,ju fëmijë që po luftoni për jetën në repartin e pediatrisë, neonatit, onkologjisë etjE lus qiellin për ju, që të keni jetë!Gëzuar,Ju fëmijë që jeni abuzuar në mënyra të ndryshme, seksualisht, fizikisht e psikologjikisht. Ju që jeni, e bullizoheni vazhdimisht, ndërkohë që bota vazhdon me kallzu modat e fundit, kur shëmtia ma e madhe kryhet mbi psiken tuaj. Gëzuar,të gjithë ju fëmijë që punoni që në moshë të vogël, që vriteni në vendin e punës dhe askush nuk mban as jep llogari. Në gjakun tuej kanë me u mbyt katilat tuej. Atje, në ferr, teksa lypin faljen e munguar.E në fund ( por jo të fundit),Gëzuar,Të gjithë ju fëmijë që u asht mohu e drejta e të Madhit Zot, për me ardh n’kyt botë.Po, të gjithë ju që jeni abortu e vazhdoni me u abortu në emen të një të drejte të nanzezës, e cilla e kallzon forcen e saj me dikand që nuk mundet me mbrojt veten, por që lejon burrat e botës me e dhunu në emër të dashurisë apo ekonomisë. Bota nuk ka me kenë kurrë nji vend i paqtë, për aq kohë sa nanat të vrasin fëmijët e tyne.Gëzuar, fëmijë, ju jeni drita e botës, e juaja është Mbretëria e Tokës dhe e Qiellit.Ju dua!Nuk njihemi, por le të ndihemi!Ju dua, e përsëri ju dua, e ju dua…” Nëse doni me shëru shpirtin tuej, rrini me fëmijë”, Dostojevskij!

Filed Under: Opinion Tagged With: gabriela mujaj, Visar Zhiti

ME NJË QË E DUA…

May 31, 2022 by s p

Visar Zhiti/

Është varg i Walt Whitnan, poetit amerikan me ndikim të madh në poezinë botërore… kujtoj që gjenerata ime u rrit me poezinë e tij, me librin që na mahniste, “Fije Bari”, me përkthimin dinjitoz nga origjinali të Skënder Luarasit, botuar në vitin 1959 nën ndikimin e Bashkimit Sovjetik, por kur Shqipëria i prishi marrëdhëniet me atë vend, libri u ndalua. Por e gjenim gabimisht librarive të qyteteve tona të vogla, në raftet e librit bujqësor, nga që kishte atë titulli ashtu, “Fije bari”. Por ai ishte “shpirti i demokracisë” që na mungonte, i begatë si “vetë natyra”… Sjell një poezi të tij sot në ditën e tij të lindjes, të thjeshtë, por kuptimplotë si “fije bari” dhe, në nderim të miqve që s’janë më midis nesh, një shkrim të gazetarit dhe mikut Dalip Greca, pjesët ku tregon për vizitën tonë në shtëpinë e poetit të përjetshëm.V.Me Visar Zhitin, një vizitë në shtëpinë e Walt Whitman- nga Dalip Greca/Dielli-Arkiv-Krahas programit që kishin ndërtuar ftuesit e Visar Zhitit, (Albanian Freedoom House) dhe mikpritësit e tij në New York, Zef Balaj… dhe Esat Çoku, bashkëvuajtës në burgun e Spaçit… Visari kishte kumtuar një dëshirë që nga Tirana: Dua të shkoj të vizitoj Shtëpinë muze të Whitmanit.Dine Dine së bashku me të birin Ervisin, i kishin marrë masat. Pas vizitës në Vatër, të shtunën me 16 shkurt, me dy makina, u nisëm drejt Shtëpisë muze, që ndodhej në 330 Mickle Bulevard (e njohur edhe si Martin Luter King Jr. Bulevard, Camden NJ. Plot 170 kilometra rrugë. Visari udhëtoi me Dinen dhe të birin e Dines, Ervisin, ndërsa ne, me Esat Çoku, udhëtuam në makinën e Zef Balës. Një aksident trafiku në mesrrugë e zgjati kohën e udhëtimin. Ervisi e shmangu autostradën duke përfituar nga njohuritë për zonën, udhëtoi nëpër rrugë lokale, ndërsa Zefi udhëtoi në autostradë. Gjithsesi Visari kishte përfituar në ato pak minuta të vonesës tonë duke soditur shtëpinë dhe duke mbledhur “Fije bari”, titulli i librit të famshëm të Walt Whitman, odiseja e të cilit zgjati më shumë se tri dekada, që nga botimi i parë e deri tek i fundit, që u botua 33 vjet pas të parit, më 1891. Përmes njoftimi të publikuar dy muaj para vdekjes, në janar 1892 në Herald New York, poeti i madh Walt Whitman njoftoi se ky botim, siç quhet ndryshe dhe edicioni në shtratin e vdekjes, i shfuqizon të mëparshmit. Kishte nisë botimi në vitin e largët 1859, një libër i vogël me vetëm 12 poezi, dhe rrugës orteku, ishte rrokullisur e rritur me shpirtin e poetit dhe botim pas botimi, 1855, 56, 60, 67, 71-72, 1881, 88-89, deri tek 1891-92, libri peshonte në vlerë dhe në volum, kishte plot 400 poezi botimi i edicionit në shtratin e vdekjes.Whitman është poeti që la gjurmë jo vetëm në fushën e poezisë, ai quhet dhe “bardi” i Demokracisë. Ishte poet, eseist dhe gazetar, provoi të punonte mësues, punë zyre, ndërsa fillimet i pat edhe si ndihmës në shtypje gazetash. Pat lindur në 31 maj 1819 në West Hills, Huntington, Long Island, New York.Krijimtaria e Whitman i thyen kufijtë e formës poetike tradicionale. Ai përdori imazhe të pazakonta dhe simbolet në poezinë e tij. Whitman shkroi hapur për vdekjen dhe seksualitetit, duke përfshirë dhe prostitucionin. Ai është etiketuar shpesh si babai i vargut të lirë, edhe pse ai nuk e shpiku atë.…Whitman kishte abuzuar me alkoolin që në rini. Madje në gjendje gjysëm të dehur, ai pat shkruar dhe një roman, të cilin e pat përfunduar për pak ditë, por më vonë nuk ndjehej mirë, që ishte autor i tij.…Ndërsa çoja ndër mend se ç’kisha lexuar rreth Whitmanit, në shtëpi ruaj përkthimin e Skënder Luarasit, botim i vitit 1959, zëri i Visari sikur më shkund:- A e di se e kemi pasur edhe në burg “Fije Bari” të Whitmanit?Po që, në biblioteka e librari e vendosnin tek stenda e librit bujqësor, e dini? Mos u çudit. Po, po, i shpëtoi diktaturës nga injoranca Whitmani. E kishin klasifikuar në stendat e librit bujqësor. Ishte lejuar botimi me “urdhër” nga Moska, në të gjitha vendet ish-komuniste, përfshi dhe Shqipërinë, kohë kur qe liruar për pak kohë çensura, por kur u shtërngua sërish dhe autorë të tjerë që ishin botuar në të njëjtën kohë u ndaluan po me urdhër, në Shqipëri Whitmani pati fat, se e klasifikuan libër bujqësor!Disa fotografi në hyrje të shtëpisë muze të Whitmanit, fiksojnë vizitën e Visarit dhe ne shoqëruesëve të tij.Duke u ndarë me shokun e prangave, Dine Dinen, duk buzqeshur, ndërsa në dorë shëtrngon barin e mbledhur rrotull shtëpisë muze, Visari i thotë:- Ia vlente të udhëtonim 170 kilometra për të ardhur deri këtu, qoftë edhe për këto fije bari, për këtë shtëpi ku pushoi së rrahuri zemra e poetit të madh.- Natyrisht që ia vlente…

Filed Under: ESSE Tagged With: Visar Zhiti

Dalip Greca, një emër në kujtesën e gazetarisë shqiptare

May 19, 2022 by s p

Visar Zhiti/

I përkushtuari i medias shqip në New York, që erdhi nga qyteti i vogël i Lushnjës, ku dhe atje punonte në gazetë, që, kur iku, mori me vete urtësinë e vendlindjes, virtytin e miqësisë, “Shkëndijën” lushnjare, pêrvojën në “Fjalën e lirë” dhe “Republikën” e atdheut. Duke mërguar në SHBA, përftoi në hapjen e metropolit botëror, si gazetar iu besua “Illyria” e më pas iu kthye “Diellit” në “Vatrën” e diasporës, punoi me zell, hulumtoi dhe arkivoi, u morr me dokumentin dhe librin, zgjeroi bashkëpunimin shqiptar nëpër Amerikë dhe Europë, ruajti Lushnjën brenda vetes, e shpalosi në gazetë, përvijoi nga tradita e themeltarëve klasikë, asaj koniciane e noliane e të Arshi Pipës dhe bashkëvuajtësve të Profesorit në burgun e atdheut dhe u bë dhe vetë traditë e re, modeste dhe e angazhuar…Papritur u shua kur kishte ç’të jepte ende. I shtrenjtë për familjen, lushnjar mes lushnjarëve, i paharruar mes miqve të shumtë dhe bashkëpunëtorëve, tashmë emër në kujtesën e gazetarisë shqiptare.

Filed Under: ESSE Tagged With: Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT