• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONGRESI I LUSHNJËS OSE PAVARËSIA E DYTË E SHQIPËRISË

January 21, 2019 by dgreca

1 shtepia e Kongresit–Një letër Presidentin Wilson dhe drama e atyre njerëzve – /

1 Visari 1

Nga Visar ZHITI/1 Kongresi-i-lushnjes-delegatet-1920-616x330

Sa larg është Kongresi i Lushnjës? – Është një pyetje që mund t’u bëhet shqiptarëve. Sa larg nga çfarë dhe nga cilët? Si kohë 99 vjet më parë. Si hapësirë, po të nisemi… nga ku? Nga Amerika? Larg, larg, është një oqean në mes, duhet të shkosh në Europë, në Mesdhe, në Ballkan, në brigjet e Adrikatikut… Nga kryeqyteti i Shqipërisë, që pikërisht ky kongres caktoi Tiranën si të tillë, është 84.57 km. Në vijë ajrore shumë më pak.

Dhe mua do të më interesonte ajri, fryma. Se ishte kuvendi i një vendi të vogël mes rreziqesh të mëdha, të cilit SHBA i dha mbështjetjen e vet, aq jetike dhe ekzistenciale për kombin shqiptar. Po sa pranë fryme së atij kuvendi është kujtesa? Po shteti shqiptar dhe institucionet e tij? Po njerëzit?

Ndërsa Pavarësia e Shqipërisë dhe shpallja e shtetit modern shqiptar janë futur tashmë në shekullin e dytë të jetës së tyre, saktësisht në vitin e shtatë të tij, ndërkaq më 21 janar mbushen 99 vjet nga Kongresi jetik i Lushnjës ose “Pavarësia e Dytë e Shqipërisë”, siç është cilësuar.

Gjëndja e Shqipërisë në kohën e këtij Kongresi ishte e rëndë, alarmante, e rrëmujshme dhe e paqartë nga brenda; kërcënuese dhe tejet agresive nga jashtë. Ishin mprehur hanxharët si në një kasaphanë dhe po kërkonin të bënin copëtimin e dytë dhe përfundimtar të Shqipërisë.

Përfaqësues, të përzgjedhur apo të vetëcaktuar, nga të gjitha trevat e vëndit, kush e ndjente e mundëte, nga ata që kishin bërë emër, kryengritës a nëpunësa, që kishin qenë në Vlorë 8 mote më parë në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë, që kishin punuar në perandorinë otomane apo kishin studiuar nëpër Europë, që kishin mërguar deri në Amerikë, nga ata që kishin bërë për vendin dhe kishin sakrifikuar, u nisën për në Lushnjë, me ndonjë makinë, nga ato të pakat që ishin atëhere, e ngadaltë si qerret, me kuaj, në këmbë, kaptonin male, çanin borën dhe baltën e dimrit, rreziqet nëpër shtigjet ku mund të gjendeshe befas mes ushtrive të huaja.

“Të mblidhemi në Lushnjë!” ishte thirrja. Qeveria heroike dhe halle madhe e Ismail Qemalit ishte shprishur. Lufta e Dytë Botërore kishte mabruar, por pasojat jo. E si u lajmëruan shqiptarët të mblidhen në Lushnjë? Si u përcoll lajmi 99 vjet më parë, në vendin më të varfër në Ballkanin e trazuar, ku mungonin universitetet, trenat, postat, media, institucionet, shteti vetë, etj, etj? Si kaloi lajmi nëpër ajër me ç’frymë?

Dhe erdhën, u bashkuan. S’i caktoi kush, veç ndërgjegjia dhe përgjegjësia. Thirrja nga thellësitë e zërave të Kombit. Pra, jo me vota të blera, por sipas bëmave sakrificave dhe arritjeve. Jo për të bërë pasuri, por përkundrazi, duke humbur nga e tyrja veç “të bënin Shqipëri”.

U mblodhën në Lushnjën e vogël, ende katund.

Qëllimi ishte që jo vetëm të gjykonin dhe të vendosnin se ç’duhej bërë në ato rrethana të rënda e me rrezikun mbi krye, jo vetëm të tyre, por të Shqipërisë, dhe të vepronin menjëherë, me diplomaci e luftë, duke përcaktuar aleatët, nëse do të kishte, pra ata që do të mund të ndihmonin në shpëtimin e Vëndit. Se gjysma e trojeve i ishin marrë dhe po kërkohej copëtimi dhe i kësaj që kishte mbetur.

Kongresi i Lushnjës në 10 ditët e punimeve të tij, ribëri shtetin shqiptar, caktoi kryeqytetin, Tiranën, Kryeministrin dhe Qeverinë e tij për t’i dalë zot vendit, institucionet dhe detyrat.

Dhe u arrit mrekullia. Me përpjekje, sakrifica, përkushtim dhe mënçuri, mbi të gjitha nga fryma e përbashkët e të gjithave. Kjo i dha forcë që të siguronte mbrojtjen e Kongresit një emëri, pothuajse i panjohur, Sulë Zdrava, me luftëtarët e vet, me atë pushkë që kishte marrë pjesë dhe në Rrethimin e Shkodrës apo kishte mbrojtur Beratin nga andartët grekë.

Duke mos hyrë në zejen e historianit, për të mos thënë ato që tashmë janë arkivuar në historinë e Kongresit shpëtimtar të Lushnjë, ndërsa qeverive të tanishme u del si detyrë jo vetëm që t’i njohin thellë dhe t’i përkujtojnë, por t’i kthejnë në përvojë e mësime, unë dua të risjell këtu një letër, që më çudit me largpamësinë, dërguar në SHBA nga Lushnja e humbur e Shqipërisë së vogël e në rrezik Presdentit të SHBA.

LETËR NGA LUSHNJA NË WASHINGTON

Kryetari i Katundarisë së Lushnjës, gati një muaj pas mbarimit të Kongresit, më 17.3.1920, dërgon një letër në Washington. Dhe kujt? Presidentit të SHBA-së, Wilsonit.

Letër e mrekullueshme, e sinqertë, e qartë, me fjalë të zgjedhura, e ndjeshme, pa stërhollimet dinake kancelareske, e urtë dhe me dije, e bukur, vizionare për të ardhmen. Përfytyroj gjyshërit tanë të mbledhur rreth atij që shkruante, fjalët që thoshin me zë, hiq këtë fjalë, shto këtë, po si t’i drejtohemi? Kujdes këtu, mos e zgjat shumë “e-rej, se isht Presidenti më i madh i botës, lale”, etj, etj. Kërkonin njohje të Shqipërisë, mbështetje dhe ndalim të copëtimit të mëtejshëm.

Letra është e shkruar me dorë, me stilolaps mbase dhe pastaj është transkriptuar dhe gjendet në Arkivin e Shtetit. Meriton vëmendje shkencëtari. Orientimi i drejtë i shqiptarëve mes atij kaosi drejt SHBA-së. Ndjesia e fuqishme e atdhedashurisë, Shqipëria quhet Mëmë dhe dhimbja therëse për Kosovën dhe Çamërinë. Ja, teksti i saj i plotë, pa asnjë ndryshim dhe në drejtshkrim:
        Shkëlqesisë së Tij Wilson, kryetar t’Amerikes

        I shteteve të bashuem Vashington

        Shqiptarët që kanë mbështun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh. S’Uaj, sot iu luten të të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshir madh që jeni tye kryer për shpërtimin e atdheut tyne.

       I nalti kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-es, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufite natyrale ethnografike të sh. s’uej nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.

      Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike.
Kryetari Katundaris së Lushnjës

      Lushnjë, më 17.3.1920

 

Po si ia çuan atë letër historike Presidentit Wilson? Shqip? Po kush e përktheu? Ç’do me thënë ‘Kryetar i Katundarisë’? A, qenka Kryetari i atëhershëm i Bashkisë, zoti Besim Nuri. Mes atij analfabetizmi të madh, varfërisë e malarjes e trallisjes kombëtare, si iu arrit kësaj largpamësie, me ç’mister dhe ç’engjëll i mbronte? Ja, një nga kronikat e kohës:

      “…në fillim të vitit 1920 Wilsoni i irrituar refuzoi ta pranonte propozimin britanik, francez e italian për ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë: Jugosllavia do të merrte veriun, Greqia jugun, kurse italianët do të kishin mandatin për ta qeverisur një shtet të vogël shqiptar që do të mbeste pas kësaj rrudhjeje. Vlora do të bëhej pjesë e Italisë. Britanikët dhe francezët po përpiqeshin ta arsyetonin planin e tyre duke thënë që “populli shqiptar kurrë s’ka qenë në gjendje ta themelojë një qeveri të veten”. Wilsoni fuqishëm refuzoi, siç tha vetë ai, “padrejtësinë” ndaj popullit shqiptar. Ai prej njerëzve vlerësohet që vetë i dha fund idesë së ndarjes dhe një mandate italiane që ka qenë në zemër të negociatave në Versajë. Bile edhe në atë kohë, përfaqësuesi i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, shkruante në gazetën “New York Times” të 11 marsit: ‘Shpëtimi i vendit tim i mbetet borxh tërësisht veprimit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara’”…

 
Në kryeqytetin që caktoi Lushnja, në Tiranë, u ngrit më së fundmi në shtatorja e Presidentit Wilson në sheshin që iu dha emri i tij, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, por po në atë bronz meriton të derdhet dhe kjo letër-institucion dhe të vihet si memorial në Lushnjë, në sheshin para Bashkisë a para Shtëpisë së Kongresit, pse jo dhe në Muzeun Kombëtar në Tiranë.

 

 

FRYMA NË DRAMËN E KONGRESIT

 

Vetë Kongresi i Lushnjës është një dramë, por dhe për atë ka një dramë të shkruar, e një gjysmë shekulli më parë, por ende gati e panjohur, edhe pse e vetme, që sjell më së miri atë frymë e popull. Është vepër e dramaturgut Hekuran Zhiti, aktor në Teatrin e Estardës së Lushnjës, tashmë “Qytetar Nderi” i atij qytetit.

Drama “Të mblidhemi në Lushnjë” ishte menduar të vihej në skenë në kushtet e atëhershme, plot mangësi, por harrimi i saj i bën dhe më të mëdha mangësitë. Arriti të botohet postume nga editori “Uegen” me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit, ndërsa në gjimnazin e Lushnjë nxënësit e vunë në skenë për veten e tyre. Akt prekës, por vetëm kaq.

Vendi ynë vazhdon të harrojë shumë dhe të bëjë pak, shumë pak për ato që do të duheshin dhe konsumohet me tepri për ato që s’do të duheshin dhe aq, që janë kohëhumbëse, deri dhe të dëmshme si diktaturat, s’e kam fjalën për atë të madhen, që erdhi me dhunë botërore dhe u vendos në gjysmën e kontinentit të Europës, në Azi, Afrikë e deri në Amerikë dhe besojmë se iku përgjithmonë, por si pasojë e saj, prej arsenalit të saj, trashëgimisë dhe mendësisve e praktikave gëlojnë “diktaturat e vogla”, gjithsesi të hatashme, të institucionalizuara si varfëria dhe korrupsioni e për pasojë  sherret, marrëzi e delire, një mediokritet kombëtar i pashëmbullt.

Si kundërveprim po sjellim këtu pak nga fryma e dramës, nga akti i tretë.

Në Kongres:

Salla me 10 ose 12 sërë karrikesh. Në krye një tryezë e madhe, në anë të saj një flamur kombëtar me shtizë dhe një portret i Skënderbeut në njërën dhe i Ismail Qemalit në anën tjetër. Kongresistët, disa me veshje karakteristike të Veriut dhe të Jugut dhe disa me kostume europiane, barsolina e gravata e çanta, janë shpërnarë në grupe, dy e nga tre, duke biseduar… 

        Lushnjarë e bashkë me ta e të tjerë të armatosur, Vathi, Bajrami, Vrenozi, Thimiu, etj., si roje rrinë pak larg, hyjnë dhe dalin.

ZËRA: 

– …kam ardh mes borës, ujqve dhe ushtrisë serbe… 

– E madhe shtëpia… e mblodhi Shqipërinë… 

– …nuk kanë mbrritë të gjithë… 

– …ku ishit mbrëmë?

– Këtu afër. Na kanë pritur me këngë. Këndonin me rradhé dhe dilnin bënin roje me pushkë jashtë shtépisé…

– …kush e kishte Korçën, grekërit apo fracezët? 

– Francezët për grekërit… 

– Shiko Plakun e Butkës… legjendarin…

– … sa kohë që s’jemi parë? Qysh në Vlorë, 

– …atë ditë kur u ngrit flamuri…

– A fillojmë, burra? Koha nuk pret…

– I përndershmi Sheh Karbunara do t’i bëjë një lutje Zotit, që të na bekojë…  ogur i mirë… në mbrojtje nga të papriturat e shumta… ka kaq trazira…

(Të gjithë pa lëvizur nga vendi ngrijnë në heshtje dhe secili, sipas menyrës së vet, luten, dikush me kokën lart, me duart e bashkuara, me kryet ulur, ndonjë gjunjëzohet, mërmërisin, etj., në mes tyre Sheh Karbunara i statujtë duke krijuar kështu një si grup skulpturor sugjestionues, suprem…

– Përfaqësuesi i Lushnjës ta marrë fjalën… Zoti Vokopola nise… 

PËRFAQËSUESI I LUSHNJËS- Në emër të Prefekturës së Lushnjës, Beratit e Skraparit ju uroj mirëseardhjen në Kongres. Nuk jemi këtu vetëm në shtëpinë e mikut tonë bujar, lushnjarit të nderuar Kaso Fuga, por dhe brenda mureve të historisë. Po nisim një betejë, sot më 21 Janar 1920, e mërkurë, që nuk do të harrohet, e ndjej… (emocionohet) Zini vendet… në këtë sallë… por dhe në ngjarjet që na presin…

Ia jap fjalën patriotit të flaktë, veprimtarit të palodhur kundër pushtimit otoman, mbështetësi kryesor i Ismail Qemalit, ministër në qeverinë e parë, Elbasan Pashës, i zbardhur në përpjekjet për çështjet e më mëdheut. Urdhëroni!

ELBASAN PASHA (I moshuar, me pak mjekërr të bardhë, i hollë, i thatë, me kravatë e qylaf, me zë të ngadaltë e pak të ngjirur.) Të dashur qytetarë, delegatë nga i gjithë vendi, ju që keni ardhur dhe ata që nuk kanë arritur ende, por dhe ata që nuk do të vijnë dot kurrë se janë vrarë për ideal, (duartrokitje të forta), luftëtarë, burra që më bëtë nderin ta çel këtë kuvend, vazhdim i atij të Lezhës me Skënderbeun dhe i atij të Prizrenit me Abdyl Frashërin me shokë, duke ju falenderuar me shpirt, shpall të hapura punimet. Së bashku të hapim udhën që do të ndjekim. Nëpër vazhdën e gjakut do të shkojmë ku na e do zemra e plasur që të arrijmë te ëndrra, atje ku na e do puna, sipas amanetit të të parave. Shqipëria është bërë një herë dhe nuk ka pse zhbëhet!

Duartrokitje.

Zotërinj, jeni të lodhur, e di, keni ardhur rrugë e pa rrugë, mespërmes pushtonjësve të Shqipërisë, kjo na ka vrarë më shumë se sa të tatëpjetat e shtigjet e humnerat, se nata me erë e bora, kemi ecur me mjete që prisheshin, kështu e lanë atdheun tonë, me karroca e kuaj e më këmbë, po u shplodhëm që gjetmë sho-shoqin e do të bëhemi me flatra kur të gjejmë dritën që na duhet.

Kam kërkesën që të nderojmë dëshmorin e kësaj ideje, bashkëpunëtorin tonë të ngushtë, Abdyl Ypin, që e vranë ca ditë më parë për të mos qënë këtu ai dhe të gjithë ne e ky Kongres të mos mbahej. Nëpërmjet tij duam të përulemi para gjithë të rënëve dhe martirëve të Kombit…

Të gjithë ngrihen më këmbë. Heshtje e thellë…

 

KRYETARI (i porsazgjedhur) – Të vazhdojmë më tej… të formojmë komisionet, që tani, të ndahen përfaqësonjësit në grupe dhe… Po emërojmë Sekretarin e Kuvendit, zotin Vokopola dhe për të këqyrur letërpërfaqësimet e delegatëve, pra një komision  të posaçëm prej 5 vetash… Hë, të presim… për të mos pritur…

DELEGATI I MATIT- (ngrihet) Unë jam për sulm, i përndershmi Sheh!

ZËRA- Me shka, me çfarë?

DELEGATI I MATIT- Me armën e diplomacisë, me diplomacinë e armëve.

DELEGATI IV- Konkretisht: burra, gra, djem e pleq, me spata e me hunj, me armët që kemi, të përzëmë armiqtë nga toka jonë. Të hedhim si leckë qeverinë e sotme, që nuk bën për sot. (Duartrokitje)

KRYETARI- Traktatin e Fshehtë të Londrës… Kongresi e hedh poshtë me vendosmëri duke përgatitur një protestë energjike për Konferencën e Parisit.

Kjo bëhet në emër të Asamblesë së Kombitnë Lushnjë, kundra vendimeve të Francës, Anglisë, Italisë për copëtimin e Shqipërisë ndërmjet Italisë, Greqisë, Sërbisë e Malit të Zi. Rezolutën, na vjen një kërkesë, përfundoje kështu (lexon): Shqiptarët janë gati të bëjnë çdo lloj sakrifice dhe me e derdh pikën e fundit të gjakut të tyre kundra çdo veprimi, që mundet me vue në rrezik pamvarësinë dhe tërësinë e saj tokësore…

Ndizen drita ngadalë, salla e kuvendit, përfaqëuesit nëpër vende, kongresi vazhdon punën…

SHEH KARBUNARA- Të tregojmë që dimë të qeverisim. Shteti i pavarur shqiptar është realitet. Kështu kanë bërë dhe disa shtetet të tjera të robëruara, zotërinj, kështu Çekosllovakia, Finlanda, Polonia, Lituania… Edhe ne. Shtet i vjetër, qeveri e re!

ROJET E ARMATOSURA- Rroftë Qeveria e re!…  (Duartrokitje)

NËNKRYETARI- Të përgatiten tekstet që do t’i dorëzohen Konferencës së Paqes në Paris dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sugjerime!

PLAKU I BUTKËS – T’i drejtohemi Parlamentit italian, por jo me ton të butë, kështu m’u duk se dégjova, me lal e me lule ose me tryla si thotë myzeqari. Me spatët dardharit siç e përdorin nga Korça…

PËRFAQËSUESI I MATIT – Shkronjat duhet të bjenë erë barut!….

VRENOZI- Zoti ka urdhëruar këtë Kongres për të shpëtuar Shqipërinë.

DELEGATI IV – Populli është mbret vetë dhe s’ka nevojë për mbretër, sulltanë e perandorë.

KRYETARI- Të gjykojmë situatën ku ndodhemi.

DELEGATI II –  Kongresi do përballet dhe do krijojë situatë vetë. Ne na shkon republika, republika, zotërinj dhe asgjë tjetër.

Zëra: republikë, po, po republikë…                                                           THOMAJ- Mbështetur nga shumë pëlqime, mendoj të kemi kryeministër zotin Sulejman Delvina.

DELEGATI I- Tani ai ndodhet jashtë shtetit, në Konferencën e Parisit, pra askush këtu nuk mendoi tjetrin pranë a vetveten.

DELEGATI II- Gjithmonë më i mirë është ai që mungon… (Të qeshura)

KRYETARI- S’është ashtu gjithmonë. Ne i dimë vlerat e mëdha të zotit Delvina, rrjedh nga një familje ndër më të njohura dhe më të famshme në të gjithë Jugun. Ka kryer gjimnazin e Janinës dhe mandej në Stamboll. Fakultetin e Mylqijes në kryeqendrën e Perandorisë Osmane dhe pas marrjes së diplomës, siç e dini, ai u caktua menjëherë atasheut në Ministrinë e Brendshme të Turqisë dhe më pas si sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë. Po në ato vite, ai shërbeu si profesor i literaturës në Gallata Saraj, etj. Në Bibliotekë gjithmonë e gjeje me libra francezë, të kulturës dhe shkencës perëndimore, dihen dhe interesi i tij e adhurimi dhe mirënjohja për Amerikën…

DELEGAT II- Ai të vijë sa më shpejt.

Ministër i Punëve të Mbrendshme Delegatin e Matit, Zogun e maleve, trimin 25 vjeçar… po, po…

Ministër i Punëve të Jashtme z. Mehmet Bej Konica…

Ministër i Arsimit z. Sotir Peci…

Ministër i Drejtësisë z. Hoxhë Kadri Prizrenin… Zëvendës z. Hysen Bej Virjoni… Ministër Finance Z. Ndoc Çoba… Zëvendës z. Idhomen Kosturi…

Votohen. Duartrokitje…

KRYETARI- Tani nuk na mbetet gjë tjetër, veç të bëjë betimin Këshilli i Naltë dhe Qeveria e re dhe të gjithë delegatët për ato që marrim përsipër. (Heq flamurin me shtizë e del para tavolinës duke e mbajtur në dorë.) Urdhëroni, zotërinj, të bëjmë betimin më të lartë para Kombit.

Delegatët ngrihen në këmbë ndërsa të zgjedhurit afrohen para flamurit.

SEKRETARI- (Lexon me zë të lartë) “Betohem n’Emën të Perëndis, tue dhanë besën shqiptare e fjalën e nderit përpara Mbledhjes së Kombit, se do t’i shërbej popullit dhe shtetit shqiptar drejtësisht dhe mproj ligjet dhe indipendencën e plotë të atdheut të shenjtë!”

TË ZGJEDHURIT – (Një zëri) Betohemi!

Duartrokitje. Kryetari u jep dorën. Delegatët ulen.

NJË ZË- Dua të shtoj dhe poetin e madh Gjergj Fishta! Le ta kenë si sekretar më vonë…

NJË ZË TJETËR: – Rroftë Poeti!

Duartrokitje prapë.

KRYETARI- Kongresi i Lushnjës është Pavarsia e Dytë e Atdheut!

SEKRETARI- Si kujtim nga ky Kongres kemi ca flamurë të vegjël si lulkuqet e fushave me grurë të Muzeqesë, vërini nga ana e zëmrës. Këta do t’i shpërndajmë kudo.

Shpërndan flamujt e vegjël. 

NJËRI NGA DELEGATËT- Ja, kështu dua ta kem plagën në gjoks në luftë për atdhe…

ZËRA TË ASHPËR- Jeni të rrethuar… ndalni!… Kongres i paligjshëm… Dorëzohuni… do ju shpërndajmë me forcë…

Jehona e kërcënimeve përsëritet në gjuhë të tjera, italisht, greqisht, serbisht: ndalni… të rrethuar…

MINISTRI I BRENDSHËM SHQIPTAR- Largohuni! Kongresi shqiptar është mbledhur si vullnet i popullit dhe jo në mëshirë të ndokujt, ushtri qoftë a qeveri e huaj. Po ju them që mos u përzieni në punët tona, përndryshe do ju godasim. Ne nuk duam armiq, por bëni mirë të largoheni nga Lushnja… dhe nga Shqipëria. Ndryshe do ju përzëmë dhe me luftë. Unë, bashkë me forcat e mia të armatosura do të marrshojmë drejt Tiranës!

NJË ZË I ASPËR- Kush jeni ju?

MINISTRI I BRENDSHËM- Ministri i Brendshëm i Qeverisë së vendit tim. Hapnu udhën!

ZËRI- Mos lëvizni.

MINISTRI I BRENDSHËM- Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjës. Ju përdorni armët që keni në dorë, në guxofshi. (Të vetëve.) Përpara me mua!

Hingëllima kuajsh, trokëllima…Bieperdja.                                                                                                                 

 *   *   *

 

Kështu mbyllet kjo dramë dhe duket sikur hingëllimat e shqetësuara të kuajve vazhdojnë, po ndryshe, pa kuaj e kalorsa dhe pa barra mbi shpinë, britma gjithandej, sidomos brenda në parlament, ndërsa trokëllimat janë kthyer dhe në flakje çizmesh, dosjesh, batare armësh, etj.

Sa larg është salla e gjorë e Kongresit të Lushnjës me atë të Parlamentit shqiptar sot? Po antarët midis tyre? Nëse do të mateshin me idetë, përgjegjësitë, moralin? Atë kongres e kemi lënë prapa apo ai na ka lënë prapa 99 vjet?

Pa ardhur viti i 100-të t’i rikthehemi atij betimi autentik, të lartë me besë e fe e nder e përkushtim, me drejtësi dhe ligje, se të gjithë tani e gjithmonë jemi para “Mbledhjes së Kombit”, ndërkaq si një mister në dramë ndihet fryma e shpëtimit, si e dërguar nga Zoti, nga përtej oqeanit, nga shteti më i fuqishëm në botë, SHBA, që shqiptarët të gëzojnë Atdhe dhe pavarësinë e tij të ndjejnë të shenjtë, po kështu dhe të shërbyerit popullit tënd.

Filed Under: Featured Tagged With: Kongresi i Lushnjes, Pavaresia e dyte, Shqiperise, Visar Zhiti

SHPJEGIM PËR PARTITË, PËR PARTIAKËT DHE PËR ATA QË S’KANË ENDE PARTI…

January 8, 2019 by dgreca

 – Një poezi në vend të një kryeartikulli -/

         Nga Visar Zhiti /

Fillimi i vitit e pranon poezinë, ndërkaq poezia duhet të jetë e pranishme gjithkund e gjithmonë, s’është fjala vetëm në formë vargjesh, por si gjendje, kjo ka rëndësi, përjetim mbi të gjitha.                                                                  Në ditën e parë të këtij viti Papa Françesku në meshën e parë foli për mahnitjen, që sipas tij është venitur. Jeta pa mahnitje, tha ai, bëhet gri, rutinë. Pjesë e mahnitjes është dhe poezia, besoj.unë.

Dhe nëse të keqes duhet medoemos t’i kundërvihesh dhe sado shumë të pllakosë ajo, kurrë nuk duhet të luftohet me të keqen, ndryshe është e njëjta gjë.

E bukura do të shpëtojë, themi shpesh dhe kollaj atë që tha Dostojevski, pra dhe poezia, poetikja, më saktë që s’është vetëm poezi. Kultura, aty janë “armët” e brendshme të njeriut, mrekullia e tij, që të mahnit, kur ndërkaq pikërisht ajo është nëpërkëmbur më shumë dhe institucionalisht është drejtuar nga më të pa besueshmit e saj, që na çudisin për të kundërstën.

Prandja do të doja pikërisht të sillja një poezi, vezullimin “e thikës” së saj, që duhej të shërbente veç për të qeruar “mollën e mëkatit”, që të mos ta kafshojmë atë si të egrit, po mendoja…

 Poezia na ngre lart me mahnitjen e saj, na bën deri dhe hyjnorë,  por le të zbresim në tokë nga Pegasi me flatra, në baltë, ku shpesh ka rënë jeta. Poezia na ka mbrojtur, por, ah, edhe është përdorur, gjithsesi ka qenë lehtësuese dhe në të keq, madje ajo di të jetë dhe opozitarja më e bukur. Sepse poezia është kundër shëmtisë dhe, duke qenë vetë harmoni, është dhe kundër çrregullit, duke qenë e sinqertë, është dhe kundër mashtrimit. Është kundër varfërisë, por për pasurimin, atë shpirtëror, më të vështirin, më të lehtin… 

Poezi dhe është hakmarrë, sepse dhe e kanë katandisur  dhe për propagandë, për të hymnizuar diktatura e sundimtarë. Në perandorinë komuniste, kur në letërsi e arte ishte e detyruar metoda e realizmit socilist, por jo e realitetit social, poetët duhej t’i këndonin partisë, asaj që kishte krijuar më së shumti realitete të rënda tjetërsuese, gjëma aq të mëdha.

Prandaj përzgjodha një poezi të një poeti që jetoi nën diktaturë, larg në Moskë, që ishte i njohur dhe tek ne nga që s’lejohej të njihej, teksa përflitej si “poet oborri”, por dhe si disident, veçse  “disident i emëruar” është quajtur, por mua sot më intereson ajo poezia e tij për partinë, e shkruar kur ishte dhe i ri, siç duket përfitoi dhe nga zbutja disi e diktaturës “në vendin e tij revizionist”, ishte viti 1972, se dhe e keqja lodhet si në përgjumjet e frikshme të përbindshit, por ajo poezi mundi të botohej vetëm pasi u shemb Muri i Berlinit, që ndante botën dhe kohën më dysh dhe fill pas tij ra dhe perandoria komuniste e diktaturat e saj.

Kumti i asaj poezie të gati gjysmë shekulli më parë duket se vlen dhe për sot, sidomos në vendin tonë, ku gjendja ka më shumë nevojë për qytetarë të çliruar se sa për militantë fanatikë të partive, të cilat duan të sundojnë për interesa oligarkike, ku shpesh na kanë dalë në krye të shtetit e janë bërë edhe presidentë “çalamanët moralë”, siç thotë poeti i kësaj poezie, militarë  të diktaturës, që kanë qenë gati të zbraznin kallashin mbi njerëz për të mbrojtur statujat me bronz stalinian dhe kësaj dukurie vetëm poezia i ka dalë përballë si ato heroinat para tankut, teksa ende mungon partia e vuajtjeve dhe dhëmbjeve, e ëndrrave të të burgosurve politikë, partia e nënave, partia e njeriut, sipas poetit..

Nëpër protestat e reja studentët grisen flamujt partiakë dhe po ngrenë shpresat që dhe Shqipëria e vonë të bëhet vend sa më normal, mundësisht, pa korrupsionin asfiksues, pa “Klanin” e zi të oligarkëve, me afera të dyshimta, që sa më të pasur bëhen, aq më mediokër shpallen, bisha që në vend të brirëve kanë antena televizive, që si dema u janë vërsulur partive, që ende lëkundin cohat e kuqe të flamujve të leckosur të së dikurshmes.

Mbase dhe kjo poezi e djeshme, që unë e përktheva që atëhere kur ajo u botua për herë të parë në 1991 në shtypin e huaj e poeti i saj më pas emigroi dhe vetë nga Moska në SHBA, në vendin kampion të lirisë dhe demokracisë, pra dhe kjo poezi që dëshmon, besoj, se na thotë diçka që duhet, sidomos për të rinjtë, “në kryengritjen e tyre morale”, siç shkruan një student.                                              Duhet për qytetarët pa parti, që i shmangen me dinjitet anëtarësimt, duhet dhe për ata me parti, që të kuptojnë, edhe për vetë partitë, që ta kenë parasysh në programe e tyre. Poezia nuk duhet të jetë e huaj, sidomos armiqësore. Që partitë të kenë guximin t’i durojnë poetët.                                                        Diku në poezinë në fjalë përdoret fjala “krimb”, që unë e kam shkruar kështu: “krim(b)”, është lojë e përkthimit, kam dashur të kujtoj dhe krimet, ma dha begatia e shqipes, realiteti i tanishëm.                                                          Në strofën e katër në vargun e fundit përmenden Aushvici,  kampi nazist i internimeve në Poloni, ndërsa Songmi është lokalitet në Vietnamin e Jugut, kampin e të cilit e shkatërruan amerikanët, ndërsa gulagu Magadan është në Siberinë e internimeve. Lexuesi është i lutur të kujtojë dhe burgjet shqiptare, të Burrelit, kampet e kënetave, të aeroportit, Spaçin dhe Qafë Barin, ku ndodhën dhe dy revoltat e të burgosurve, mes të cilave kishte dhe poetë, të vetmet në të gjithë parandorinë komuniste.

         Dhe një sqarim i fundit, në strofën e fundit poeti flet për “çalamënë moralë”, natyrisht që nuk është fjala për cene fizike, ato duan ndihmën dhe dhembshurinë e të gjithëve dhe s’është fjala as për ndonjë ish president shqiptar, ngjashmëria është krej e rastit, por poezia edhe pararend e shpesh bëhet dhe profetike.

 Ndjesia që krijon kjo poezi dhe kumti i saj tronditës, mendoj se vlejnë, më shumë se sa për nesër, për sot, në fillimet që s’kanë mbarim. Dhe e sotmja për poezinë ndonjëherë :është e pakufi…

Evgeni Jevtushenko

MONOLOGU I NJERIUT  TË PASNESËRM 

As Eva, as Adami nuk ishin antarë partie,                                                                                       njerëzimi e di, të lutem dhe ti dije.

Pa parti Noja me atë arkën e tij,

Globi shtyn errësirërat pa parti.

Por Djalli, me pikpamje djalliste,

shpiku partitë, – ç’gusto neveritëse!

Në zemër të mollës futi krimbin, –

krim(b)  dhe gjarpër një ishin,-

politikën – profesion

me prejardhje djallëzore,

që krim(b)ëzon njerëz kohë pas kohe.

 

 

Politika shpiku policinë,

Politika shpiku kryetarët.

Njerëzit kishin ëndërruar bashkësinë,

jo partitë dhe nënndarjet.

Po ku është partia e vejushave,

invalidëve, pelegrinëve,

ku është partia e familjes, e fëmijëve?

Partia e syve të skuqur ku është vallë,

në hirin e Aushvicit, Songmit,

Gulakut të gjallë?

Por një ditë, një ditë, një ditë,

për stërnipërit tanë të gjitha partitë

do të kujtohen si një gjë e tejshkuar

si superkafshët, si Babilonia e rrënuar.

Bota pa të persekutuar e blasfemi do të jetë,

pa çalamanë moralë në pushtet,

e gjitha një e asnjë parti,

veç ajo me emrin e thjeshtë: njeri.

Shkruar në 1972.

Botuar për herë parë në 1991

 

Filed Under: Opinion Tagged With: spjegime per Partite, Visar Zhiti

GABIMI FATAL I SHQIPËRISË

January 7, 2019 by dgreca

– Pas një meshe për të vërtetën –/

Visar Zhiti

NGA VISAR ZHITI/

FJALË PËR NJË FILLIM:

Një nga porositë për këtë Vit të ri ç’mund të ishte? Se çdo fillimi, jo vetëm i vitit, por dhe i një takimi, i një rruge apo epoke, i një jete, i një libri, i një elegjie a kënge, etj, etj, i duhet një shenjëz, një ndjellje, se, siç ka një pikturë firmën në fund, ka dhe njollën e parë nistore apo filmi, kur mbaron e lexohet “The end”, ka një titull në fillim.

Dhe s’ka pse të jetë një fillim i ngjashëm me fundin, nga nisi, pavarsisht vazhdimësisë. Gjithsesi do që të thuash diçka pararendëse, që të mos jetë vetëm për ty, por për sa më shumë… për njerëz e kohën. Drithmërisht e sinqertë, që të shërbejë si një e vërtetë, si një përvojë. Le të jetë qortuese për të gjithë dhe askënd, t’i ngjajë hapjes së një testamenti nga viti i shkuar, për një zbatim të ri, në mos, një denoncimi për atë që s’duhet më, që e bën ende më lodhës atë që vazhdojmë ta quajmë “tranzicion”, duhet një porosi për vazhdimin tjetër, le të jetë klithmë e vetmuar, rënkim plage, ngazëllim dhe qëndresë jona, shpresë, dorë që na tregon drejtimin.

Unë e zgjodha atë që do të doja të thosha, jo për vete, është si një dashuri, – e dëshpëruar e pa dëshpëruar – dashuria është dashuri. Thjesht po sjell një zbulesë për atë që s’ka qenë e mbuluar, që dihet, por nuk është përmbledhur as si një përfundim e as si një prirje udhe, s’është në ligj, mbase në përbetimet e fshehta, ngjan me kodet kafkiane, por gjendet thellë e më më thellë. Më ndihmoi një meshë ta gjej. Po ua them, është si një hakmarrje biblike ndaj vetveteve tona, për të gjithe ata “që nuk e bëjnë historinë, por e pësojmë atë”, jo, jo, shërben për të dy palët, për të gjithë si vetë mesha                                                                          

Heshtet për të ashtu siç heshtet për më të rëndësihmet, por dhe ishte folur siç flitet për rrezikun, nën zë, mbytur, por që befas shpëthen si me prostestat, nën thirrje të tjera, por është po ajo.                                                                          

  Duket sikur do të nisë prapë siç nisi dikur, për dritat elektrike që nd:erpriteshin në konviktet e studentëve, por fjala ishte për dritën e madhe, që sjell liria, manifestuan në fund të vitit që shkoi për përgjysmimin e tarifave të studimit, për kushtet etj, sa edhe Kryeministri i Vendit u dha të drejtë, ndërkaq ajo duhet kuptuar si protestë kundër përgjysmimit të dëshirave, ëndrrave, lumturisë, të së vërtetës. E vërteta përgjysmë nuk është më e vërtetë… Kjo do njohjen e zanafillës, ‘pse-në?’ e saj..

Për këtë qëllim, në këtë fillimviti unë zgjodha një meshë, që e kam rrëfyer në një libër timin, “Si na ershi ai, i ndaluari”, që, sipas meje dëshmon atë që na ishte ndaluar, shpirtëroren,hapur apo fshehurazi. Duket se flitet për një poet të njohur, “zyrtar”, duke dashur të them se në një farë mënyre gjithkush është poet i jetës së vet. Është dhe një student, e ardhmja që kërkon prej nesh dhe na gjykon duke na dashur.

Por gjendja mund të ashpërsohet. Dhe shkaqet nuk janë të gjitha të tanishme. Çfarë u bë keq qysh në krye?

          TË PREKËSH PLAGËT

…Të gjithë jemi poetët e një perandorie të rënë, me poezi, pa poezi, mërmërita sërisht. Na ka zënë nën vete dhe dalim nga gërmadhat të copërluar. Ca i nxjerrin të vdekur. Ndokush ka qenë i mbrojtur brenda ndonjë bunkeri a nën ndonjë kupolë. Në fund të fundit gjithkushi ka ringjalljen e vet.

Edhe poezia është ringjallje…

E në Shqipëri?- pyes unë, një poet është më pak se një poet? Dhe shtova në heshtje: “Ai” është poeti i madh i një perandorie që ra, që natyrisht poezia nuk bie bashkë me perandoritë.

Mezi po prisnim të shkonim në kishën tonë… Donim të luteshim së bashku. Për djalin. Për ëndrrat e tij… edhe për të dashurit tanë, për miqtë e përbashkët… për vendin.

Të ndizja dhe një qiri… Gjatë  homelisë meshtari po na fliste për ringjalljen e Krishtit e për dyshimin e Tomës, nga që s’kishte qenë i pranishëm në atë ringjallje dhe donte të sigurohej në ishte i njëjtë ai që ishte kthyer nga vdekja me atë që kishin kryqëzuar… pa vënë gishtin tim në vëndin e gozhdave, pa e shtirë dorën time në kraharoron e tij, kurrë nuk besoj… shkruhet në Ungjillin sipas Gjonit.

Pa këtë vazhdimësi s’do të kishte kuptim… po thoshte meshtari.

Ngrita kryet i tronditur si ai që zbulon një gjë me rëndësi. Tek ne kishte ndodhur ndryshe, nuk i kishin prekur dhe aq plagët tona, s’na kishin vënë dorë në kraharor, nuk na besonin duke qenë dhe vetë të mosbesuar dhe më e rënda, të tjerë ishin ata që u kryqëzuan dhe të tjerë ishin ata që u ringjallën.

Gabimi fatal që kishte bërë Shqipëria…

Ia thashë sime shoqeje. Më pa dëshpërueshëm…

Dhe shkuam shumë larg, në Uashington. Mora me vete tragjedinë time, dhëmbjen, mëkatet që i dija dhe s’i dija. Atdheun. Dhe dëshirën e thellë për ringjallje. Jo timen, por dhe timen… Si është ajo dhe si ndodh?… është për të gjithë?

Pasvdekja është një nga shqetësimet e përjetëshme të njeriut, besoj, edhe për jo besimtarët. Përjetësia është dashuri, them, prandaj dhe dashuria mbetet e përjetëshme.

Që në ditët e para në Uashington kërkuam kishë. E gjetëm afër shtëpisë. Mesha në anglisht. The Lord be with yuo, tha meshtari dhe ne, të gjithë, u përgjigjëm: And with your spirit. Gjatë lutjeve, nën zërat që na mbulonin, unë mërmërisja në shqip, Ati ynë që je në qiell… At’joni im… Ndodhte dhe që shkruaja.

Ishim të ulur nga fundi… Kur mesha mbaroi, në anë të ndenjësjes pashë një targëz metalike, e lexova, aty rrinte Presidenti John F. Kennedy, shih, shih, sa interesante dhe nuk shkonte në rreshtin e parë…

Ah, po, ai vinte këtu para se ta vrisnin, shtova këtë varg dhe po mendoja ringjalljen e tij, aq sa ia dilja, presidenciale, trashendentale, e mistershme, qiellore pa tjetër, ndërsa unë kisha ardhur këtu pas vrasjes time, ia shtova dhe këtë poezisë, por s’e dija ç’ringjallje kisha pësuar apo thjeshtë atë tokësoren, të plagës time, të bërë tashmë më të madhe se sa unë.

 

T’I RIKTHEHEMI POROSISË.

E patë Presidentin e vendit më të pasur në botë, më të fuqishëm e më demokratik? Në tempull dhe ai si të gjithë, për të dëgjuar lutjet e njerëzve?

Librat e Shenjtë, mes të tjerash kanë dhe porosinë, që të lutemi dhe për armiqte tanë, t’i kthejmë ata në vëllezër, t’i duam, edhe pse jetojmë në kohën e çvëllazërimit, të zhgënjimeve. Po humbjet duhet të bëjmë që të kthehen në përvojë për mirë, korrupsioni të mos jetë motori që do të lëvizë dhe këtë vit, të rikthehen puna, të mirat e saj dhe ngazëllimi i tyre, gjithë arritjet të japin lumturinë e brendshme, begatinë e gjithanëshme, paqen, nderin dhe moralin që duhet të jenë me të parat fare.

Pas gabimit fatal të Shqipërisë, si ai që ka arritur fundit, të ngjallim shpresat e ringritjes. Bashkëpunim, së pari mes nesh, pastaj me të tjerët, aty ku aspirojmë, me botën e përparuar EuroAtlantike. S’ka pse të pritet nga ndokush, të mos i besohet verbërisht disave, që nuk besojnë në ne, sidomos atyre që udhëhoqën “Gabimin fatal” dhe atyre që e vazhdojnë si një mashtrim të madh, por ta kërkojmë nga vetvetet, që s’janë pak, është nuklea e të gjithës, e pafund, është popull, duke dashur të hapim edhe më  Qiellin tonë, “për më shumë dritë”, për më shumë dashuri. Të thirret e ardhmja që të bëhet e tashme, por kujdes se përgjigjia mund të jetë ashtu siç je(mi) sot…

Të bëhemi ashtu siç duam të jemi nesër. Me punë e mund e dashuri!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: GABIMI FATAL, i Shqiperise, Visar Zhiti

NJË TRINI DHE TRE SHQETËSIME NGA KOHA DIABOLIKE…

October 13, 2018 by dgreca

1 Treshja Trinia– Sot, datëlindja e poetëve Pano Taçi, Dritëro Agolli, Migjeni – /

2Visari

 nga Visar ZHITI/

…Migjeni e kujton Amerikën në shkrimet e veta, kurse Pano Taçi ka patur gjyshin emigrant dhe donte të arratisej, të vinte te ai, edhe pse vetë kishte qenë partizan, e kapën dhe kështu nisi kalvari, po edhe Dritëroi ka patur të atin emigrant në Buenos Aires dhe në Çikago dhe të dy bashkë kanë qenë partizanë…

Me Dritëroin jam takuar dhe në SHBA, në Festën tonë Kombëtare në Detroit, madje gazetari dhe miku unë Dalip Greca na bëri dhe një foto, mes nesh është: ambasadori William Wallker, ai që shpalli botërisht “Masakrën e Reçakut” në Kosovë.

Në të kremtet tona bie dhe hija e dheëmbjes vazhdimisht…

                                        -nga shënimet e mia- 

Pikërisht sot, në 13 Tetor mediat vizive e të shkruara, kujtesa kompjuterike, etj, bëjnë me dije dhe datëlindjen e dy poetëve të njohur shqiptarë, Migjenit e Dritëro Agollit, që s’janë më në këtë jetë, ndërsa si asosacion idesh kujtesa njerëzore (imja) nxitet të shtojë dhe një datëlindje të tretë, të poetit të veçantë, bohemit të persekutuar, Pano Taçi, që dhe ky s’është më.

Teksa më mbërrijnë shënimet e dikurshme, botimet me këtë rast, mendoj nëse ka diçka tjetër për të shtuar.

Një trini poetësh jona. Por në kohë diabolike, që morën prej saj dhe i dhanë. Si rrjedhojë dhe tre shqetësime, sipas meje. Në fillim po përkujtoj.

Migjeni, autor i shekullit XX, nuk e përjetoi diktaturën e më pastajme, vdiq më herët, por vepra e tij nuk u ndalua nga regimi siç ndodhi me mjaft autorë të tjerë, u studiua, u vlerësua dhe shkëlqeu mynxyrshëm në diktaturë.

Kurse Dritëro Agolli dhe Pano Taçi janë dy dukuri të tjera nën diktaturë në fushën  e letrave, dy fate të ndryshme poetësh, edhe pse e nisën ngjashëm, të dy kishin qenë partizanë qysh fëmijë për çlirimin e vendit, ku pas asaj lufte u instalua diktatura më e egër në të gjithë perandorinë komuniste. Krijimtaria e të dyve u zgjat dhe në moshë të thyer, në shekullin e ri, XXI.

I pari lavdërohej së tepërmi, mbahej mirë, poezitë e tij futeshin në tekstet shkollore, i dyti dënohej së tepërmi, i ndalohej poezia dhe futej burgjeve.

Pse? Mos i duheshin si të tillë sistemit? Tani, në postdiktaturë, kur po mbushen tri dekada dhe ka ndërruar sistemi, por po me ne, është krijuar dhe largësia e duhur për të gjykuar të lirë letrat shqipe, klasikët e saj.

DEMONI I KRIJIMIT

13 tetori, sikur e bën mbarë të flasim për tre poetët e lindur në këtë ditë, nën shenjën zodiake të djallit metaforikisht. Jo pse në këtë muaj do të renditen dhe datëlindjet e atyre që kanë sunduar më së shumti Shqipërinë. Kthehemi te tre poetët e sotshëm.

Pani Plak, por dhe engjëlli plak e quanin Panon tonë. Aq sa me miq, po aq dhe vetmitar, i përvuajtur dhe buzagaz, që, kur ishte në burg në diktaturë, duhej të ishte më i lirë së brendshmi, i një lirie të tmerrshme, të leckosur si rrobat e të burgosurit, ndërsa kur ishte i lirë e në demokraci, mbeti në burgun e varfërisë dhe të mosmirënjohjes, deri dhe të braktisjes. Edhe botimet e tij janë të varfëra, libra të vobektë. Harrohej në gjallje dhe s’e di a nëpërmendet tani, që ka ikur në qiell.

Dritëro Agolli është autor i njohur poemash e romanesh, tregimtar dhe dramaturg, patriarku i socialistëve, siç e quajnë, por dhe i realizmit socialist, i asaj metode letrare vrastare, siç e sulmojnë, me miq shumë e me lavdira e përvjetorë e me botime të shumta e luksoze.

Migjeni mbetet poeti më i ri i shqiptarëve, që modernizoi poezinë shqipe, europian i viteve ‘30 dhe klasik, ndërkohë themeltar sidomos në prozën e shkurtër, i konsideruar me të padrejtë si pararendës i socrealizmit dhe i nënvleftësuar me të pasdrejtë më pas po për këtë arsye, vrojtues i revoltuar i mjerimit, blesfemist si i kaplluar vërtet nga djalli.

Tre poetë, të pangjashëm dhe me fate të ndryshëm, me rëndësi të ndryshme, madje jo dhe aq të pakrahasueshme, mendoj, bashkëkohës aq sa mund të ishin, se e njëjta koha s’është e njëjtë për asnjërin, që shpalosin tri drejtime të letrave shqipe, ku i pari, sipas kronologjisë kohore, Migjeni, zë vend të qëndrueshëm, edhe pse me një libër, të realizmit kritik do të thoshim si në shkollë, por që ndikoi ndjeshëm në shkëputjen e letrat shqipe nga romantizmi i vonë, sarkastik deri edhe kafkian, guxoj të shtoj, duke patur parasysh ca parabola të tij, etj, kurse Agolli, ndër më të shquarit e mëvonshëm, prijës në socrealizmin shqiptar, tregimtar spartan dhe romancier me humor popullor, kur lufta e klasave dhe kulti i individit ishin normë, sa entuziast në socializëm, kur sundonte djalli, i vlerësuar ndërkaq nga udhëheqja, nga djajtë thënë më mirë, po aq i zhgënjyer në demokraci, edhe i trishtë, por prapë i vlerësuar nga udhëheqja e re, nga djajtë e rinj, mund të shtojë ndokush, ndërsa Pano Taçi, që u bë i njohur vonë, por asnjëherë sa ata, ishte poeti i pafat, i vetëbërë, edhe pse dënohej për të mos qenë i tillë. I  burgosur dhe internuar gjatë diktaturës, pra i flakur në ferr, me djallin e armatosur mbi kokë, ndërsa pas rënies së diktaturave, edhe pse viti ’90 e gjeti 62 vjeçar, boton libra të shumtë me poezi, tradicional, por i përqendruar në dhimbjet e persekutimit, në terrin dhe qëndresën, e thërret djallin për ta damkosur dhe e gjen atë dhe në mashtrimet në demokraci, prandaj dhe sarkazma bëhet më  e hidhët, edhe banale prej lodhjes, besues dhe mosbesues, i avitet qiellit, por flatrat i ka të thyera dhe i kthehet një dashurie cigane, duke nxjerrë libra erotikë me “poezi pornografike”, të parët në llojin e tyre, që e gajasnin lexuesin me një si donzhuanizëm të allasojshëm shqiptar.

Tre poetë – një trini diabolike, në kohë diabolike, më saktë.

ELIPSET E TRE JETËVE

Duke lënë jashtë rastësinë e 13 tetorit, se ç’forcë a mister qiellor deshi që të lindnin në atë datë të vjeshtës së dytë, do të desha të thosha se ka diçka përbashkuese në jetët e poetëve në përgjithësi, fat dhe fatalitet, ku nuk mund të shkëputet demoni i krijimit. Elipset e jetëve kanë dhe pika takimi, ndonjëherë dhe përzierje.

Kur u shua Migjeni, fare i ri, as 27 vjeç, Taçi ishte vetëm 10 vjeç dhe Agolli 7 vjeç, pra bashkëkohësia e tyre është fare e pakët, si të thuash pak vite ajër të përbashkët përthithën në truallim amëtar. Taçi me Agollin u rritën si shkollarë dhe me poezinë e Migjenit.

Do të desha të risjell kronologjinë e tre jetëve, nxjerrë nga botimet e tyre, duke futur dhe ndonjë të dhënë tjetër të kohës, se sikur arrihet të kuptohet disi më mirë diçka nga realiteti i përbashkët.                                             

1911- Kur Shqipëria e rropatur ende s’e kishte ftuar mëvetësinë, aq e dashur dhe po aq rrezikshme, lindi Migjeni në Shkodër. Arsimin fillor e mori në vendlindje në një shkollë serbo-ortodokse. E çojnë të studiojë në Tivar. Daja i Migjenit, Jovan Kokoshi nga Kavaja, e dërgon në gjimnazin e Manastirit dhe po këtu, në vitin 1927 kryen Seminarin Ortodoks “Shën Joan Teologu”.                   

1917- Në Rusi shpërthen revolucioni bolshevik, që do të ndryshonte rrjedhën e historisë botërore, me ndikim fatal dhe në Shqipërinë e vogël.               

Lind Musine Kokalari, që do të jetë shkrimtarja e parë shqiptare dhe desidentaja e parë grua në perandorinë komuniste, themeluese e një partie opozitare e do të burgosej e më pas do të vdiste në internim.                                            

1928- Parlamenti shqiptar shpall Mbret Zogun I. Shqipëria shpallet mbretëri. Lind Pano Taçi në Gjirokastër, ku merr dhe mësimet e para, ndërsa gjimnazin do ta vazhdojë në Tiranë me mësues filozofin, shkrimtarin dhe poetin Isuf Luzaj, i ikuri politik, patrioti i dënuar me vdekje.                                                

1931- Ndërsa vazhdonte të bëhej kryeqyteti i ri Tirana, pas bulevardit të madh u ndërtuan 6 pallatet e 6 ministrive, vendi po institucionalizohej ndërkaq, në Jug-lindje, në një fshat të Korçës, në Menkulas të Devollit, lindi Dritëro Agolli. I ati i tij, Rizai, kishte mërguar në Buenos-Aires dhe në Çikago (e dinte përmendësh Khajamin dhe Naim Frashërin, dy poetët më të mirë në botë, sipas tij).                                                                                                           1933- Migjeni emërohet mësues i gjuhës shqipe në shkollën “Skanderbeg” të Vrakës në Shkodër dhe boton në revistën “Illyria” prozën “Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun”. Dy vjet më vonë kërkon të shkojë në Slloveni për kurime, por kunsullata jugosllave në Shkodër nuk ia jep vizën, punë djajsh dhe ikën në Greqi. Kthehet dhe vazhdon mësuesinë në gjimnazin e Shkodrës.                                                                                                             1936- Shpërngulet në Pukë. Shtypshkronja “Gutenberg” bën gati 1000 copë të librit ”Vargjet e lira”, por “censura ndalon qarkullimin e tyre”, shkruhej në botimet e mëparshme. (Nuk gjendet në arkiva ndonjë dokument që e dëshmon dhe nuk na duket aq bindës ky fakt diabolik. Sepse Migjeni po botonte dhe po çmohej në shtypin e kohës.) Në fund të vitit përgatit librin e ri “Novelat e qytetit të Veriut”.                                                                              Në Gjirokastër lind Ismail Kadare, shkrimtari që do të merrte famë botërore.                                                                                                        1937- Mbreti Zog martohet, edhe pse i besimit musliman, me konteshën e bukur katolike hungareze, Geraldinë Appynoi, ndërsa At Gjergj Fishta nxjerr versionin përfundimtar të eposit të tij “Lahuta e Malcis”,  dhe në Pukë Migjeni, me rastin e festes kombëtare, 28 Nëntorin, mban një fjalim para popullit të Pukës. (Sot nuk duket me aq rëndësi, hollësi e tepërt, se fjalimet e tilla i mbajnë dëndshëm pushtetarët.)                                                                                1938- Migjeni niset për në Torino dhe shtrohet në sanatoriumin “San Luigi”. Vdes gjatë natës së 26 gushtit. Zi në botën shqiptare të letrave. Botohen proza dhe poezi të tij.                                                                                     1939– Nis Lufta e Dytë Botërore. Shqipëria pushtohet nga Italia fashiste. Ajo qëndresë heroike e atyre pak njerëzve në bregdetin shqiptar do të shënonte fillimin e rezistencës me armë në Europë kundër djallit përbindëshëror nazi-fashist.                                                                                                          1941- Themelohet në Tiranë Partia Komuniste e Shqipërisë, të pranishëm në drejtim janë dhe dy demonë serbë…                                                     

  1942– Pano Taçi, i përfshirë në lëvizjen antifashiste që 12 vjeç, futet në Debatik (Djemtë e bashkuar, antarë të ideve komuniste) dhe del malit partizan. Dy vjet më pas nxjerr poezinë e parë në “Bleta”. Ia botoi poeti i njohur Lasgush Poradeci.                                                                                                         

1943- Dritëro Agolli, edhe ai 12 vjeçar, përfshihet në luftë, (diku shkruhet si 9 vjeçar), bëhet korrier batalioni, teksa i ati është partizan dhe lufton me armë në dorë për çlirim e vendit.                                                    

1944- Del libri “Vargjet e Lira” të Migjenit. Shqipëria, e vendosur në anën e drejtë të historisë, çlirohet… (por jo shqiptarët…).                                                   

1945- Mbaron Lufta e Dytë Botërore. Fitojnë Aleatët Perëndimore me Bashkimin Sovjetik kundër Boshtit Nazist. Humbjet ishin të mëdha, u vranë 60.754.000 njerëz në botë.                                                                             

1946- Vendoset shërbimi i detyruar ushtarak. Nisin arrestimet e klerit katolik, Enver Hoxha shkon për vizitë zyrtare në Beograd, kurse Pano Taçi, i përjashtuarnga gjimnazi për “dashuri borgjeze”, i magjepsur pas një vajze të bukur, motër e njërit prej presidentëve të ardhshëm të Republikës, tundohettë arratiset në Greqi, që më pas të ikte në SHBA tek gjyshi.Panoja dënohet me 4 vjet burg, në kënetën e Maliqit njeh mes të dënuarve shkrimtarin Mitrush Kutelin. Pas dy vjetësh lirohet dhe e çojnë në internim.                                

1947- I kthehet Shqipërisë ishulli i Sazanit, qeveria refuzon planin Marshall, Enver Hoxha takohet me Stalinin në Moskë, djalli i vogël me Djallin e Madh dhe Dritëroi boton poezinë e parë “Vullnetari i hekurudhës” në gazetën “Rinia”.                                                                                                        1951– Bomba në ambasadën sovjetike në Tiranë, pretekst për arrestime intelektualësh, pushkatime, mes tyre dhe një grua, shkencëtarja e parë shqiptare, Sabiha Kasimati. Pano Taçit ia shtojnë internimin në Savër të Lushnjës, me akuzën se nuk kishte dashur të votonte.                                                

1952- Hapet Kinostustudia “Shqipëria e re”, Dritëroi mbaron gjimnazin e Gjirokastrës, “akademinë e tij letrare¨, siç e quante dhe e nisin për studime në Lenigrad, Sant Petërsburgu i dikurshëm.                                                                       

1953– Shqipëria në zi për vdekjen e Djallit të Madh, Stalinit. Pano Taçi shkruan poemat për Kosovën “Treni i muhaxhirëve”, “Gryka e Kaçanikut”. E pranojnë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, por një vit më vonë kritikohet ashpër për poemën “Kambanari”, si reaksionare që nxit kryengritje.                  

1955- Shqipëria e uritur nuk pranon një ndihmë ushqimore me vlerën 850.000 dollarë nga Presidenti Eisenhauwer, por bëhet anëtare themeluese e Traktatit të Varshavës. Dritëroi martohet në Bashkimin Sovjetik me një ruse të bukur, Nina Novikova, kurse Enver Hoxha takohet me Hrushovin, një tjetër djall, por shumë më i zbutur. Pano Taçi në internim, me kontroll të rreptë policor.

1956- Sillen eshtrat e Migjenit nga Italia në Shqipëri, nga Torre di Pelice në Shkodër, në Varrezat e Dëshmorëve. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu shkojnë në Kinë. Djajtë ndërrojnë drejtimin.

1957- Hapet universiteti i Tiranës. Dritëroi nis punën si gazetar në “Zërin e Popullit”. Ribotoheti zgjeruar libri i Migjenit “Vargjet e lira” dhe dekorohet me titullin “Mësuesi i Popullit”.                                                                              1960- Mbledhja e 81 partive në Moskë, kacafytje përbindshërore. Pano Taçi lirohet nga internimi.

1961- Ndëpriten marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, vdes Mbreti Zog afër Parisit, del Vepra e plotë e Migjenit (nën kujdesin e Skënder Luarasit), i jepet “Urdhëri i Lirisë”, kurse Pano Taçi martohet.

1962- Fronti Demokratik në Shqipëri, siç ishte caktuar, i fiton përsëri zgjedhjet 99.99%, me një pjesëmarrje të zgjedhësve 99.99%. Lirika të Pano Taçit përgatiten për botim nga kritiku dhe shkrimtari Drago Siliqi, por befas cilësohen nga lart “pa frymën e kohës, ku zotëron grija kapitaliste”. Pano dënohet me burgim për agjitacion e propagandë, kur djali i tij ishte vetëm 3 muajsh.

1964- Vjen për vizitë kryeministri kinez Çu En-lai, (demonë nga Azia), ndërkaq gruaja ruse e Dritëroit së bashku me djalin ikin përgjithmonë. Pas një viti Dritëroi martohet me gazetaren Sadije Kecaj nga Shkodra, e cila do ta shoqërojë me devocion e përkujdesje për më shumë se gjysme shekulli.

1967– Nis fushata kundër besimeve fetare, djalli arrin të mbyllë dhe të shembë të gjitha kishat dhe xhamitë në Shqipëri, ndalohen kopshtet/bahçet private, tërmet në Dibër dhe Librazhd, ndërsa Pano Taçi lirohet nga burgu dhe e internojnë në vendet e tërmetit. Dritëroin e çon shteti për vizitë në Kinë.

1970– Vendi shpallet i gjithë i elektrifikuar. “Pranë dritës – i pa parë”, -kishte shkruar Fan Noli. Pano Taçi vjen në Tiranë, bën punërat më të rënda e më të vështirat ashtu si burg. Vendoset bashkëpunimi mes universiteteve të Tiranës dhe Prishtinës.

1971- Dritëroin e çojnë për vizitë në Kongo dhe nis botimi në revistën “Hosteni” i romanit të tij “Shkqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Kthehet nga Parisi.   1972- Pleniumi IV i Partisë për letërsinë dhe artet, ku dënohet autorë dhe libra, festivali i 12-të dhe artistë. Dritëroi emërohet sekretar për letërsinë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe pas një viti kryetar i saj dhe prapë pas një viti deputet dhe do ta vazhdojë karrierën paralamentare për 30 vjet gjithsej.

1976– Enver Hoxha kritikon Kinën në Kongresin VII të tij, me Kushtetutë shpallet Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë (një emërtim disi i gjatë për një vend tejet të vogël), kurse Pano Taçin e arrestojnë sërish. 10 vjet burg. Përpiqet të vrasë veten. Me bishtin e lugës pret damarët si Esenini. Ia shpëtojnë jetën me zor. Kafe dhe cigare do t’i dërgonte në burg dhe poeti qiellor Lasgush Poradeci.                                                                                                     1979- Dënimet vazhdonin gjithandej, si më parë. Arrestohet dhe dënohet me 10 vjet burg “për poezitë e tij kundër socrealizmit” dhe autori i këtij shkrimi, kur ende s’ishte bërë 27 vjeç. Dritëroi, duke qenë dhe kushëri nga nëna me të, bën përpjekje për ta ndihmuar, për t’ia lehtësuar dënimin, por nuk ishte e mundur.

I thotë nënës së atij: “të mira i ka poezitë”, por “…ia bënë shokët gjëmën…”.

1980- Dritëronë e dërgojnë në Turqi. Botohet në Prishtinë, kur Kosova bënte pjesë në ish-Jugosllavi, “Vepra e Migjenit”, në katër volume luksoze dhe monografitë për të.

1985- Vdes diktatori Enver Hoxha, djajtë ndihen pa kreun. Pano Taçi lirohet nga burgu dhe përsëri e çojnë në internim, sa më larg Tiranës, në Peshkopi e përreth. Lajmërohet se gjyshi i vdes në Amerikë, por dhe babai me nënën në Shqipëri, të cilët i ndjente ende më larg. Djalin nuk e takonte dot, se nuk i lejohej një “armiku të shpallur”.

1987- Vendosen marrëdhënie diplomatike me Kanadanë e R.F. Gjermane. Sipas lajmeve në gazetë, një grup shkrimtarësh, Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë, Nasho Jorgaqin, Androkli Kostallarin, etj, i lejojnë të marrin pjesë në grup në një kongres në Itali, në Palermo, më pas Agolli e Kadare shkojnë në Beograd në konferencën për nacionalitetet.

1989– Shëmbet Muri i Berlinit, që ndante jo vetëm Gjermaninë në dysh, por dhe botën, me një “luftë të të ftohtë” e të gjatë mes tyre.

1990- Rënia e perandorisë komuniste, e diktaturave të saj në Europë. Mbi 100.000.000 numërohen viktimat, të vrarët e saj në të gjithë botën, disidentë, kundërshtarë, martirë. Shumë më tepër se të vrarët e Luftës së Dytë Botërore. Djalli në kohë paqeje qënkësh më i rrezikshëm se njeriu në kohë lufte.                                                                                                                       Nisin protestat antikomuniste. Dyndjet e shqiptarëve nëpër ambasada, ikja e tyre jashtë. Vendosja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Ramiz Alia viziton SHBA. Kadareja kërkon strehim politik në Francë, vjen Nënë Tereza në Shqipëri. Botohet në frengjisht romani i shokut Zylo i Dritëroit, ftohet dhe autori. Mes trazirave kudo, themelohet në 12 dhjetor Partia Demokratike me kryetar mjekun kardiolog, Prof. Dr. Sali Berisha dhe në janarin e mëpastajmë amnisti për të burgosurit politikë.                                                                                 1991- Dritëroi kthehet në Shën Petërsburg, në Lendingradin e dikurshëm, ku kishte studiuar. Në Kongresin X të PPSH Dritëroi do të kritikonte hapur vijën partisë-shtet dhe kultin djallëzor të Enver Hoxhës për të cilin kishte kontribuar dhe ai si poet.

1992- Dritëroi me një grup kolegësh shkrimtarësh shqiptarë shkojnë në Gjermani me rastin e botimit të një antologjie të poezisë shqipe. Një vit më pas, në vazhdim të botimeve të tij, Dritëroi nxjerr vëllimin “Pelegrini i vonuar”, etj.

1994 – Pano Taçi 66 vjeçar boton librin e tij të parë “Blerim i thinjur”, ku përfshin shumë poezi të shkruara fshehurazi nëpër burgje dhe internime. Mësuesi i tij i hershëm, filozofi dhe shkrimtari Isuf Luzaj, do t’i shkruante nga SHBA-ja: “Të paskëshe qenë italian, do të udhëtoje në enciklopeditë euro-amerikanë, me Borgesin dhe Kalderonin… Vazhdo të shkruash në gjirin e kombit tonë”…                                                                                                            1996– Tronditet “demokracia e brishtë” nga Djalli i Parave, nga firmat piramidale finaciare dhe të gjithë vendin fillojnë protestat e humbjes, dhuna e rikthimeve. Pano Taçi nxjerr librin tjetër “Dhe vdekja do paguar”, Dritëroi “Çudira dhe marrëzi”, etj, dhe shkon në Greqi. Në parlament qëllohet me armë dhe plagoset deputeti Azem Hajdari, udhëheqësi i protestave studentore. UÇK-ja në Kosovë sulmon forcat serbe.

2000– Pano Taçi boton dramat “Qirinjtë” dhe “Flakë në terr”. Vazhdon me poezitë dhe do të nisë memuaret e veta, të mbetura në dorëshkrim. Zgjedhjet vendore i fitojnë socialistët, Edi Rama – kryetar i Bashkisë së Tiranës.

2001- Bashkia e Pukësi jep Migjenit titullin “Qytetar Nderi”.

Dritëroi viziton SHBA më pas 2009- Shqipëria futet në NATO. Ndërkaq Pano Taçi është bërë i njohur, ftohet në festivale poezie në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, edhe kur andej bëhej lufta mes gueriljeve të shqiptarëve dhe forcave qeveritare, etj, ndërkaq ai do të bëhet më i dashur për lexuesin, sidomos pas botimeve me erotikë të hapur si “Hukama e Venusit”, “Lakuriq”, etj, edhe pse me pseudonimin letrar, Burgim Pata (“Burgim” përmbledh fatin e autorit, kurse “Pata” bashkon dy rrojket e para të emrit dhe mbiemrit të tij: Pa-no Ta-çi). Do të marrë çmime letrare, por jo dëmshpërblimin e burgut, do t’i prishin befas shtëpinë për t’u ngritur një pallat në atë truall. Klani i djajve të ndërtimit, do të thoshin…

Pa shtëpi muze do të ishin dhe Migjeni, dhe At Gjergj Fishta, etj.

2011- Dritëro Agolli merr një tjetër “Honoris Causa”, këtë rradhë nga Universiteti Europian i Tiranës…

2012– Pano Taçi shtrohet në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërron jete në 13 qershor, në moshën 84 vjeçare. Kryeministri i vendit, Berisha, do të ngushëllonte komunitetin e letrarëve dhe familjarët. Trupi i tij do të vendosej në hollin e Teatrit Kombëtar, ku do të bënin homazhe miqtë e shumtë, qytetarë e artistë si dhe Presidenti i Republikës.

Fjalën e lamtumirës për Pano Taçin në vendin e prehjes, në Tufinë, do ta mbante poeti Agron Tufa. “Sa pak qiell për ty, do të perifrazonte ai një titull libri të të Ndjerit…                                                                                                  2014- Botohet në 4 volume poezia e mikut të Dritëroit dhe të Pano Taçit e jo vetëm, Fatos Arapit, poetit që lëvroi një poezi qytetare, më evropiania në vitet e mbylljes të diktaturës komuniste.

2017- në 3 shkurt do të mbyllte sytë përgjithmonë Dritëro Agolli, në moshën 86 vjeçare. Do të përcillej për në Tufinë me nderime të shumta, me homazhe e duartrokitje dhe me fjalën e kryeministrit Edi Rama. Librari e shkolla kishin marrë ndërkaq emrin e tij.

TRE ÇËSHTJE DHE NJË DËSHIRË SI PËRFUNDIM

Tre poetë të një datëlindje. Të dashur të tre. Nga të ndryshëm me mënyra të ndryshme. Deri dhe me urrejtje…

Sipas meje me këta tre poetë, Migjeni, Agolli dhe Taçi, mund të ngrihen dhe tre çështje, të konsoliduara keqas dhe të mbartura si atavizmë:

1- Keqpërdorimi i traditës duke u nisur jo vetëm nga keqkuptimi i saj. Së pari ajo u gjymtua në diktaturë, duke përdorur kriterin e “kufizimeve ideore” dhe të “luftës së klasave” edhe në kulturë, u ndaluan autorë të rëndësishëm, klasikë, gjithashtu dhe nga autorët që u lanë, u ndalua një pjesë e veprave, duke u përsëdytur ndryshe ky gabim, duke himnizuar nga pjesa e mbetur. Pra tradita nuk shikohej pasuri kulturore e vendit dhe si përvojë e shekujve, por se sa i shërbente ideologjizimit dhe çimentimit të regjimit.

2- Diktatura përçau egërsisht letërsinë shqipe, e ndau më dysh, ku njërën pjesë e bëri të sajën, i dha kushte begatimi, duke e vënë në shërbimin të vetes, të propagandës “trushplarëse”, ndërsa pjesën tjetër e dënoi, duke pushkatuar autorë, duke burgosur sistematikisht e duke ndaluar vepra, pa u lodhur punoi me të gjitha mjetet diktatoriale, me qëllim që nga kjo pjesë të mos dalë asgjë, të bëhet e mosqenë.

3- Dukuria e daljes së letërsisë nga burgjet, e autorëve dhe veprave të tyre. Sa janë përfshirë ato në jetën letrare kulturore të vendit, edhe zyrtarisht, deri tek tekstet shkollore.

Në një farë mënyre Letërsia Shqipe e gjysmës së dytë të shekullit XX i përket një metode të veçantë, “Realizmit të dënuar”, sipas meje, sepse i tillë ishte realiteti i tyre.                                                                                     Të dënuar ishin jo vetëm ata që u dënuan, që nuk lejoheshin të krijonin, por, tjetërsoj sigurisht dhe ata që u drejtuan të bënin letërsi të socrealizmit, pra s’ishin të lirë, u mashtruan, u përdorën dhe u keqpërdorën.

Sado absurde dhe e papranueshme të duket sot, është e habitëshme, por shpjeguese ajo që ka treguar Dritëroi për veten dhe Kadarenë në një intervistë, ku sipas tij, kryeministri i atëhershëm, Mehmet Shehu, ka thënë: “Ju jeni dy shkrimtarët kryesorë të vendit dhe jeni si dy qe që lëroni tokën. Ne, herë ngacmojmë njërin e herë tjetrin me hosten, në mënyrë që puna të shkojë mbarë”.  Ai “hosten” për shumëkënd në fakt ishte pushkë. Kur me shkrimtarët e vet veprohej ashtu apo dhe me ata si Pano Taçi që “devijuan”, mendoni se ç’është bërë me kundërshtarët, me ata që ishin kundër doktrinës komuniste qysh në krye e realizmit socialist.

Tre çështjet që përçika, duan studime serioze, profesionistët e kritikës, akademikët e letërsisë, etj, teksa duket se ecet zyrtarisht në udhën e lënë, por le të kthehemi për ta përmbyllur te tre autorët e sotshëm.

Poetët kanë dhe një jetë tjetër, atë të poezive, që vazhdon.Mbetet krijimi që, si të thuash nuk ka më as biografi dhe as rrethana, por vetëm vlera.

Kur isha student në Shkodër, në kohën e diktaturës, shkoja në shtëpinë muze të Migjenit. Shikoja reliket e tij, fotot, i veshur hijshëm, me elegancë, me borsalinë, ja dhe stilografi mbi tryezë, që s’dihej çdo të shkruante më tej, aq sa dhe demoni i vdekja duket se iu tremb dhe e rrëmbeu aq të ri. Mes miqsh bisedonin se po të kishte qenë gjallë Migjeni, a do të ishte bërë shkrimtar i Realizmit Socialist? A do ta shmangte dot? Me siguri do të përfundonte në burg, thoshim ose do të kishte vrarë veten. Edhe mund ta vrisnin. Ja, i vranë kumtin e veprës. Po ai vetë e vrau më parë!?…

Gjithsesi vepra e tij është e vetëmjaftueshme dhe e pazëvendësueshme, me rëndësi e prijëtare. Tablotë e mjerimit dhe blasfemitë përsëriten. Dhe dhëmbja dhe protesta. Teatri “Migjeni” mund dhe duhej të dramatizonte nga vepra e atij, se i mban dhe emrin.

Dritëroi – këngëtar i baltës së vendlindjes, fëshfërimë grunoresh në Jug, fjalë me shijen e bukës, të pjekur në kryqytet…

Prozator dhe me humor thumbues, të cilat dëshmojnë një epokë që s’është, zhgënjimet dhe trishtimi i më pastajmë dhe është e ardhmja që do të gjykojë më shumë e do të vendosë më shumë.

Unë si lexues e kam dashur Dritëronë, e kam takuar me kënaqësi të veçantë kudo, në kafene, në parlament, në SHBA dhe kam venë lule pranë bustit të tij…                                                                                    Dëgjoj fyellin e  drunjtë, elegjiak të Panit plak, të Panos tonë… shkoj andej nga kafe “Europa”, ku ai rrinte me orë të tëra, shkruante dhe me porosi të pronarit i çonin dy kafe falas çdo ditë. Po sikur atij t’i jepej në kohë dhe mjaftueshëm dëmshpërblimi i vërtetë dhe puna e pa paguar e 24 viteve burg, e internime, mbase do të kishte dhe ai një kafene të veten, një librari, një… ndarja e shkrimtarëve duket se vazhdoi si në diktaturë, suksesi dhe fama, mirëqenia dhe varfëria po kështu, ishin përcaktuar një herë nga djalli dhe s’kishte zot që t’i ndryshonte… ndërkaq nëpërmend një vegim që kam patur përnjë portret të Pano Taçit në kafe “Europa”, pikturë ose skulpturë, me llullën mes dhëmbëve të zverdhur dhe kasketën mbi kryet e zbardhëllyer dhe në një nga qelqnajat e mëdha të dritareve të shkruhej një poezi e tij, që më mrekullonte me thjeshtësinë dhe kumtin, me universalizmin e saj, e dija përmëndësh, të denja për çdo antologji në botë, thosha.

Diçka i mungon tokës,/ nga qielli t’i zbresë./ Diçka edhe qiellit,/ nga toka t’i ngjitet ka shpresë./ Më bëhet i gjej te vetja/ ç’mungon te gjithësia:/ Qiellit: urrejtja,/ tokës: dashuria.

Mbetet një nga pengjet e mia, një dëshirë ende e vlefshme, që të vihen mureve, të gdhenden gurëve, shkëmbinjve, nëpër parqe e rrugë vargje nga eposi, nene nga Kanuni, lutje nga Shenjtja Nënë Tereza, poezi nga De Rada, Naimi, Fishta, Migjeni, pra nga Rilindja dhe të rilindurit e me radhë.

Ato do të sjellin më shumë estetikë të brendëshme, energji pozitive, siç i themi, prani kulture, do t’i shërbenin mjedisit si pemët e mendimit të bukur.

 

Filed Under: Featured Tagged With: DHE TRE SHQETËSIME, NGA KOHA DIABOLIKE..., NJË TRINI, Visar Zhiti

PJETËR ARBNORI,I BURGOSURI-TANI STATUJË

July 21, 2018 by dgreca

PJETËR ARBNORIN – NJË DUKURI E VEÇANTË, NGA I BURGOSUR NË KRYEPARLAMENTAR E TANI STATUJË…/4 PJETER-ARBNORI-1

Nga Visar Zhiti/Visar Zhiti

 Rikthimi i Pjetër Arbnorit në vendin ku punoi, në Parlament si Kryetar i tij, pas burgut të gjatë, tashmë në bronz, statujë, gjithsesi na e (ri)kujton atë se sa njeri ishte, e kundërta e bronzit, na vjen të flasim, ndërkohë dëshmitar dhe kundërshtar i pa epur i së keqes.

E krahësojnë me Mandelën, e ka patur më të vështirë se ai. Mandelës i thoshin që po të ndërronte mendim e qendrimet, e lironin nga burgu. Me të burgosurit shqiptarë nuk kishte tolerime të tilla. Haveli kishte makinë shkrimi në dhomën ku e mbanin mbyllur, të burgosurit shqiptarë e kishin të ndaluar, duhej të shkruanin fshehurazi në qeli apo kampeve në miniera të tmerrshme, etj, etj.

Pjetër Arbnori është një dukuri, mund të themi. Sa e veçantë, po aq dhe shembëlltyrë. Erdhi nga terri i thellë i dënimeve dhe u bë i njohur në postdiktaturë, në tranzicion, teksa i ishte bashkuar lëvizjes për demokraci duke u bërë dhe lider i urtë. Ashtu mbeti, por shkaktonte dhe shamatë përreth, jo vetëm nga opozita. I ngadaltë, po i sigurtë. I dijshëm, pa shumë fjalë. Dha më shumë se ç’mori. Donin më shumë prej tij, por aq ishin mundësitë. Donin të harrohej, befas kur s’pritej, u kthye i statujtë. Që edhe ajo po përflitet. Ai përsëri hesht, shumë e më shumë.

Na ka lënë disa libra për të cilat një studiues arbëresh në Itali, Giuseppe Gradilone, shkruan se Arbnorin e çoi tek letërsia robëria, burgu.

 Qendresa e Arbnorit, fati i tij, lartësimi dhe ndihmesa, të harruarit dhe rikthimi janë me interes, vërtet përbëjnë një dukuri, ku më shumë se sa Arbnorin, kuptojmë kohën, ecurinë e saj dhe të tjerët, ata që bëjnë kohë dhe si. Mes shpresave dhe mashtrimeve.  

Ai, besoj, është pjesë e historisë së tanishme, por më shumë se sa në histori, është ende mes atyre që e njohën dhe punuan, që e deshën dhe e sulmuan, që i përballi urtësisht dhe bëri që të bashkohen simbolikisht përballë statujës së tij tani.

Si njëri nga ata që e njohën dhe punoi me të, edhe unë do të doja të thosha diçka, grimca ndodhish, që mendoj se shpjegojnë më përtej. Më thërrasin dëshpërimi i tij fundmë dhe zhgënjimet.

Së pari emrin “Pjetër Arbnori” e dëgjova në burgun e Spaçit, ma tha këngëtari Sherif Merdani… atje në Burrel është dhe ai… di shumë, i urtë… Emri i tij më kumboi mirë, sikur bashkohej e shenjta me arbëroren. E si mund të futej në burg ai emër? Shkruante dhe përkthente, thoshin. Tregimeve dhe romaneve të tij u vinte emër shkrimtari të huaj, sikur ishin përkthime. Me emër tjetër ai ishte regjistruar dhe në universitet, sepse nuk i lejoheshin studimet e larta për shkak të biografisë. ia kishin pushkatuar babanë. Pastaj dhe atë e dënuam me pushkatim se donte të themelonte një parti tjetër, klandestine, demokratike. Pushkatimin ia kthyen në burgim të përjetshëm..

Tjetër emri, tjetër partia, tjetër shkrimet… Të tijat ishin qëndresa në një jetë pa jetë, guximi i të qenit sa më njeri dhe në ferr, dinjiteti i natyrshëm.

Bëri 29 vjet burg, më shumë se sa e gjithë mosha e shkrimtarit tronditës,  bashkëqytetar i tij, Migjeni.

Po risjell këtu një rrëfim shumë domethënës për të në burg, e nxora nga burgologjia ime “Rrugët e ferrit”:

 

 

DUHANI I PJETRIT…

 

Burrë i ditur në Burrel (në burg), thonë, është Pjetër Arbnori. Prift është ky? Jo, ka qenë mësues. Shkruan romane. Po ta pëlqeu shkrimin Pjetri, ta dish, ka vlera.

Kush do të bëjë poezinë më të bukur për dritën e hënës, do t’i jap atë 1 kg duhan që më ka ardhur nga shtëpia, u thotë Pjetri shokëve të dhomës së vet.

Vërtet ç’ujëvarë drite, një tuberkuloz i florinjtë dergjej në frëngji! Kurse hëna s’dukej, jo se e kishin zënë retë, por muret ciklopike. Drita e hënës sikur gurgullonte nga ajo copë nate përtej.

U përzgjodh juria (me të burgosur). U mblodhën poezitë, copa letre, copa lëkure, shpirti… ca ishin gati, dikush po donte të përshtaste një tjetër a të bënte të re. Dhe si më e bukura u zgjodh ajo e kolonjarit Luan Burimi. Po ky e ka poezinë në mbiemër. Në emër ka luftën. Ngjan pak me të Alfred De Myzesë. Jo, jo, është origjinale. Ka frymëzimin popullor të krahinës së vet. Është stili i tij kështu. Urime, Luan! E mrekullueshme ideja jote, Pjetër, për këtë konkurs në burg!

Asnjë gazetë nuk do të shkruajë, s’do të flasin radiot, televizioni. Poetët jashtë, ata të realizmit socialist, marrin çmime të mëdha, me poema për diktatorin, për komunizmin, Partinë, u japin dekorata atyre, pará, studio, udhëtime jashtë shtetit. E ata asgjë nuk thonë, jo protestë, jo, por as një mërmërimë. Të paktën këtë konkurs poetik në burg, dhe s’është i pari, për një hënë që s’kursen ta derdhë dritën dhe për ne, të dënuarit, kujtoheni…

 

 

2.

Më pas, kur ra perandoria komuniste e Shqipëria mori tjetër udhë, do të na ndodhnin gjëra që as guxonim t’i ëndërronim.

Ja, Pjetër Arbnori do të vendosej si kryeparlamentar pikërisht në zyrën e diktatorit Enver Hoxha, në ngrehinën ku kishte qenë Komiteti Qendror i PPSH-së e shndrruar tashmë në Kryesi të Kuvendit.

Në burgologjinë time të dytë “Ferri i çarë”, e rrëfej këtë, përjetim imi:

 

 

PJETRI NË ZYRËN E ENVERIT

 

Kur hyra për herë të pa rë në zyrën e Diktatorit në ngrehinën e Komitetit Qendror, pata ankth dhe një frikë të tjetërllojtë, të mistershme. Kujtova se do të kapërceja mbi kufoma për të mbërritur në atë derë. Trokita. Ja, ja, nga kjo zyrë i vinin mynxyrat Shqipërisë. Shandani në tavan po më dukej si kokë e prerë, e kapur nga flokët e përgjakur. E pabesueshme.

Në poltronën e tij qe ulur Kryetari i porsazgjedhur i Parlamentit, Pjetër Arbnori, mbas 29 vjetësh burg. Prapë me rojë ai, dikur e ruanin si të burgosur, tani…

“Pse, nuk u pushkatua ki? – pyeti fantazma e Enver Hoxhës. – Apo u kthie këtu pas vdekjes së vet, fantazmë si unë? Kot ia falëm atë dreq jetë, na paska dashur të themelojë parti tjetër, është dhe katolik, do të më kenë mashtruar, vetëm tradhtarë kam pasur përreth, jo bashkëpunëtorë.”

– Dua të punojmë bashkë, – më tha Pjetër Arbnori, – merru me bibliotekën dhe shtypin këtu. Pranon?

– A nuk është e tmerrshme?… – e në vend të thosha “zoti”, desh mërmërita: – Shën Pjetër.

Pashë në tryezën e tij telefonat. M’u dukën si mjete torture.

– Nuk di t’i përdor, – më tha, – sidomos këta të brendshmit. Butonat kanë ende emrat e anëtarëve të Komitetit Qendror dhe të ministrave të pushkatuar. S’dihej a u telefononte dhe atyre, i thërriste të vrarë. Poshtë ndërtesës është labirinti, bodrumet dhe kanalet e nëndheshme. Të çojnë nëpër vilat e gjithë udhëheqjes. Në punë do të vish me kravatë.

Ndërsa po më përcillte, vura re se i tërhiqte si zvarrë këpucët e bardha, “ngaqë ka mbajtur gjatë vargonj ndër këmbë, – mendova, – dhe vazhdimisht ka ecur me shapka burgu.”

– Dëgjo, po të duash, zbrit me ashensorin e Enver Hoxhës, del më shpejt, – dhe më shtrëngoi duart.

Kur u mbyllën dyert, m’u duk se isha në një dhomë të ngushtë nga ku do të shpërthente gazi i vdekjes. Nëpër pasqyra më fanitej Enveri. Jo kaq pranë tij, o Zot! Ashensori po zbriste për në ferr.

 

 

3.

PARA SE TA BËNIN STATUJË DHE MË PAS

 

Nga të qenit simbol i vuajtjes dhe i qendresës në diktaturë dhe deri sa u bë statujë në demokraci është në mes koha e Pjetër Arbnorit – njeri. Meqënëse ai i mbart dhe i bashkon këto dy kohë, le ta quajmë dhe ne atë “demokraturë”, me të gjitha kuptimet që i japin asaj në media.

Kam ndjesinë se, në fund të fundit, më shumë janë dashur simboli dhe statuja e tij se sa vetë Pjetri. Dukuri kjo dhe e kohëve të tjera, por dhe e vendeve të tjerë, besoj, por jo kaq e rëndomtësuar deri në mosmirënjohje sa tani në vendin tonë.

Besoj se njerëz si Pjetri pak a shumë e kapnin këtë, e kuptonin që edhe po përdoreshin dhe mundoheshin të bënin moralisht më të mirën e mundshme brenda këtij kushti.

E njoha dhe unë Pjetër Arbnorin, madje punova me të në parlament e më vonë takoheshim e bisedonim. Do të desha të kujtoj ndonjë gjë në nderim të tij, janë grimca, i bindur që të tjerë më afër tij kanë më shumë e rrëfime më të rëndësishme.

Arbnorin unë e pashë të ishte i qetë, gjë që e bënte të dukej si me shumë heshtje, me një si tis trishtimi të pandarë, edhe kur qeshte.

Shef i shkëlqyer, thoshim. I palodhur. I drejtë. Si kryeparlamentari i parë në demokraci, në ngrehinën e Kryesisë kishte dhe punonjës të së kaluarës, kur aty ishte Komitetit Qendror i PPSH-së, që frika po u dilte shpejt nga ne. Pjetër Arbnori jo vetëm që nuk bëri luftë klase, por kur dilnin delegacione apo grupe jashtë shtetit, kujdesej vetë që t’u vinte radha të gjithëve dhe atyre që kishin 10 apo 20 vjet punë e nuk kishin dalë kurrë jashtë me Enverin.

Arbnori u përball me sulme si kryeparlamentar, jo vetëm të kundërshtarit politik, por dhe të të vetëve. Përgjigjej rrallë ose fare. Kujtoj kur e sulmoi një herë deputeti Azem Hajdari. Unë dola në media në mbrojtje të Pjetrit, më shumë si bashkëvuajtës i tij. Azemi më erdhi në zyrë gjithë përzemërsi, jo vetëm që më dha të drejtë, por dhe më përgëzoi. Ishte rrezatimi i Pjetrit, që lëshonte mirësi.    Drejtpeshues dinjitoz i çështjeve. Mbaj mend që vizitoi në burg dhe vejushën e diktatorit, Nexhmie Hoxhën, të dënuar për shpërdorim të fondeve shtetërore në Bllok dhe jo të shpërdorimit të pushtetit, të rrënimit të Shqipërisë, të izolimit të saj, të vrasjeve dhe persekutimit gjeneral.

Kushtet e burgut te vejushës së diktatorit ishin ku e ku sa herë më të mira, madje luksoze, po të krahësosheshin me ato të Pjetrit dhe të të gjithë burgosurve shqiptarë të regjimit të asaj.

Pjetri takonte me shumë dëshirë Shenjtoren Nënë Tereza, kur vinte në Tiranë, po e kisha parë të ikte me qejf dhe në takimin me atë aktorin komik anglez, i njohur si Pitkini.

Ndihej përkujdesi në veshjen e tij. Parapëlqente ngjyrat e çelëta, jakat e bardha, këpucët e bardha. Ishte bashkëshort i mirë, gjithë kujdes dhe baba i dy fëmijëve të bukur. Mbanin emrat e prindërve të tij. I pëlqente të fliste për ta.      I shkoja shpesh në zyrë dhe i kërkoja takime, i kërkonin ndihmë, ndonjë grup për pronat që nuk po i merrnin dot, ndokush për shkollë për fëmijët e ish të persekutuarve, donte të futej në punë një tjetër, ish i burgosur. Dua në doganë, kërkonte njëri. Pse pikërisht atje, thoshte Pjetri, mjafton të futesh në punë.

Kujtoj poetin Frederik Rreshpja, bashkëvuajtës yni, që më tha t’i thosha Pjetrit se po i konfiskonin shtypshkronjën, nga që kishte shtypur trakte, që bënin thirrje për të mos votuar referendumin për Kushtetutën e re dhe kundër Presidentit Berisha.

Arbnori dha porosi me shkrim që të mos cënohej Frederik Rreshpja me zell politik dhe jo më shumë se ç’e përmbante ligji.

Në zyrën e tij hynin shpesh deputetët Uran Butka, Pjetër Pepa, mbaj mend dhe botuesin Shefki Hysa.

Me Arbnorin kisha udhëtuar me helikopter për një takim të gjerë kulturor në Sarandë. Në kthim ai do të ikte në Shkodër, por unë doja të ndalja në Lushnjë, te ime më dhe ai u tha pilotëve që të uleshin ku të mundnin. Helikopteri zbarkoi në fushën ndanë stadiumit. Të rinjtë që po luanin me top, e ndërprenë…

Arbnori erdhi dhe vetë në Lushnjë për të parë në teatër një pjesë të tim eti, “Përqafime i dy kundërshtarëve”, rivihej në skenë pas gati gjysmë shekulli. Por ne duhet ta dekorojmë këtë autor, tha.

Ne takimet zyrtare i pëlqente të thoshte se ai, si Kryeparlamentar, ishte katolik, Kryeministri ortodoks dhe Presidenti mysliman. Një rastësi kuptimplotë për ne, shtonte. I rëndonte koka si e.Çurçillit.

E kisha parë dhe në takime të vështira. Mbaj mend atë me një grup të madh parlamentarësh grekë, mbi 20 veta, të cilët kërkuan që në takim të ishin vetëm me të. Dolën këshilltarë e bashkëpunëtorë të tij, unë nuk dola, mbase nuk rashë në sy se ndodhesha mes grekërve. Ai i vetëm i përballoi me sukses, tregoi se e njihte historinë e tyre po aq mirë, në mos më shumë se ata. Dhe e mbrojti bindshëm situatën e rënduar në Jug dhe premtoi zgjidhjen.

Kisha qenë me Arbnorin-kryetar Parlamendi në vizitat zyrtare në Maqedoni e Rumani. Me homologun e tij rumun, një autoritet me ndikim të madh, Arbnori  ishte perfekt.

Gjeja rast dhe i thosha të mos harronte Ditarin e Burgut, duhej botuar patjetër, jo vetëm romanet dhe novelet dhe letrat. Aty, te ditari është rëndesa… Eh, më thosh, nuk kam kohë tani, kur të dal në pension. Po jepua të tjerëve, ta daktilografojnë të paktën. Eshtë me një alfabet që e kisha shpikur vetë, më shpjegonte, për të mos ma kuptuar policët e burgut dhe tani e kam harruar, nuk e lexoj dot as unë.

Kur përgatiti për botim novelën lirike “Bukuroshja dhe hija”, i thashë se është e çuditëshme historia se si e kishte shkruar atë në birucë, në ata shiritat e bardhë anëve të gazetave. E kishin dënuar nga që kishte lënë shtrembër shapkat e veta në fund të shtratit.

Megjithëse i ngarkuar me shumë punë, e shkruajti natën hyrjen që ia kërkova. Ja, tha. Poeti Teodor Keko bëri një kritikë shumë të bukur për librin,  goditur pikërisht prej saj.    

Nën kujdesin e shkrimtarit Novruz Shehu, dolën të gjitha letrat e burgut të Arbnorit në vëllimin e madh “E dashtun Nanë”.

Më pas në Itali Arbnorin do ta prisja edhe unë. Kishte dhurata për të gjithë personelin e Ambasadës. Djalit tim të vogël i dha një arush të madh. Shoferi atje na tha se për herë të parë merrte një dhuratë nga një funksionar i lartë. Mbajti një ligjëratë në Universitetin “La Sapienza” në Romë.

Dhe në New York, më kanë treguar kolegë, që i tillë ishte shfaqur, modest, po kështu dhe në Washington.

Mbas vitit të çmendur 1997, kur Partia Demokratike dhe Arbnori ranë në opozitë, pritej nga adhuruesit e tij që ai me konsensus të ishte Presidenti i Republikës. Por nuk e dimë se sa mbështetje pati nga të dy kahët. Simboli i tij po zbehej.

Pjetri dinte të ishte dhe i sakrificës. Për fjalën e lirë u fut në një grevë të vështirë urie, i mësuar me to nga dikur.

Ndërkaq dhe më pas e ruante atë buzagazin dhe humorin shkodran mes miqve. Dhe miqtë e tij mbeteshin të pandryshuar, po ata që kishte patur në burg e pasburgut, kur punonte si marangoz. Po kështu dhe heshtja dhe një ai trishtimi siperan.

Kur rierdhën në pushtet demokratët, po thuhej se ai mund të shkonte ambasador pranë Selisë së Shenjte në Vatikan. E priste me shumë dëshirë, por nuk më kanë thënë gjë, më tha urtësisht një pasdite.

Ndërkaq unë i kërkova ndihmë për djalin, do të fillonte shkollën, klasën e parë. Ai u përkujdes, shkoi te Ipshkvi ynë Rrok Mirdita dhe im bir u regjistua në shkollën katolike “Ylber” në Tiranë, ku ishin dhe fëmijët e tij e ai zori miqësi me ta.

Takoheshim përzemërsisht në përurime librash. Rrallë. Si të papunë të dy. Dukej sikur dhe harrosa po marrshonte fitimtare. A thua kishte mbaruar misoni i Arbnorit?

Iku vetëm në Napoli, për të mos i bërë merak familjarët, për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale, aspak të vështirë, por ndodhi ajo që s’pritej, befas vdes në spital.

E shoqja, Suzana, kërkoi që ceremonia mortore të mos ishte zyrtare. U mblodhëm shumë qytetarë në Katedrale në Shkodër.

Ndërkaq Piramidës së diktatorit Hoxha, të shndërruar në Qendrën Ndërkombëtare Kulturore, i vunë emrin “Pjetër Arbnori”, të atij që i kishte marrë zyrën së pari Enverit.

Por Piramida, nëse do të prishej siç diskutohej, do të humbte dhe emrin e ri. Por ai emër u spostua dhe pa u prishur Piramida.

Kur punoja në Ministrinë e Kulturës si drejtues i saj, një ditë më bie telefoni. Ishte shkrimtari Stefan Çapaliku. Më tha se skulptori Sadik Spahija kishte realizuar një portret të Arbnorit dhe se është në nderin e të gjithëve që ajo skulpturë të vihet diku në Tiranë, në Parlament, kudo, patjetër.

Më bëri përshtypje një si këmbëngulje e tij. Sikur kërkonte të trande pluhur harrese. Dhe nisa interesimin tim më lart. E dija forcën tronditëse të atij skulptori, e kisha parë te grupi skulpturor i poetëve të Librazhdit. Kërkova vendin ku mund të vendosej. Po nuk është realizuar mirë busti, mora përgjigje. Dhe ca më lart më thanë për ta lënë për më vonë.

Ç’kanë ata me anën artistike te veprës, u nxeh me të drejtë Çapaliku, detyra e tyre është të caktojn:e vendin se ku mund të vihet, se për anën artistike përgjigjen artistët, konkursi, komisioni që e ka miratuar. E kur më vonë?

Ndieja një si bosh brenda vetes. Një si braktisje dhe ankthin e ftohtë që vjen pas saj. Më mirë vonë se kurrë. Me ironi apo pa ironi? Mbasi priti nja 10 vjet statuja e Pjetrit, e nxorën për ta vënë në lulishten para ngrehinës ku ai punoi si Kryeparlamentar.

Dhe e sollën kundërshtarët e tij. U mbodhën në përurim jo vetëm familjarët dhe miqtë e përhershëm, por Kryeparlamentari aktual Ruçi, Presidenti i Republikës Meta, nga pozita dhe nga opozita, Basha. Dhe Zonja Topalli, ish Kryeparlamentarja tjetër demokrate, e para grua. Dhe Berisha – themeluesi i opozitës zyrtare, President dhe Kryeministër i saj, lideri historik. Me të cilin Arbnori bashkëpunoi me përkushtim e besnikëri.

Më dukej sikur nga çasti në çast Pjetri do të shpërndante cigare të dredhura, nga ai duhani i tij i burgut.

Ai urtësisht gjithsesi sikur e dha një tërmet të vogël kundër harresës së dëmshme. Busti i tij mbart qortim për të gjithë në heshtje. Dhe ashtu siç nuk pëlqehet qortimi gjithmonë, edhe pamja e tij e bronztë ngjalli pakënaqësi dhe shkaku s’është më Pjetri, por simboli i tij.

Unë po flas se më thërret dhëmbja e atyshme. Statuja e Pjetrit ka enigmën e një zemërimi sublim të një të burgosurit të madh. Edhe nëse nuk e pikasëm te origjinali.  Dhe fletët e librit në krah. Të shkruara e të pa shkruara. Nga që kemi mjaft për të thënë, edhe pas vdekjes.

Po më e rëndësishme tani është rikthimi. Duke u sjellë prej kundërshtarëve, unë e shoh si një përpjekje për t’u pajtuar bashkarisht me historinë, një mirëkuptim dhe shtrirje dore, ndjesa e paguxuar dhe kështu busti i Pjetër Arbnorit bëhet më i patundshëm dhe dyfish i vyer. Ngjan si i një porosie biblike, që “armiqtë t’i bëjmë vëllezër” dhe Pjetër Arbnori, aq sa ishte e munduar, ia doli. Edhe tani me vetminë e trishtë të një satuje.

 

Filed Under: Featured Tagged With: i burgosuri, Kryeparlamentar, Pjetër Arbnori, Statuje, Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT