• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POETJA E VRARË…ANTOLOGJI UKRAINASE…

July 12, 2023 by s p

Nga Visar Zhiti -/

Ukraina qëndron… Ajo po lufton, po lufton dhe me libra, me poezi, po fiton…Bota u trondit sërish, kur u vra nga bombardimet poetja dhe romancierja e re Victoria Amelina, dëshmitarja e sulmeve ruse, me artin e saj. Mediat në Perëndim, në Itali, Francë, etj, e deri në SHBA e shpërndanë lajmin e kobshëm: po bombardohet poezia…

Edhe një miku ynë shkrimtar, Dashnor Kokonozi, shkruajti i pari për atë…

Ukraina na dhimbet, Ukraina na mrekullon, vazhdon jo vetëm luftën, por dhe luftën kulturore, takimet letrare, çmimet, përkujtimoret, botimet, ja, Panairi i Librit në kryeqytet, në Kyiv, etj, etj.

Miku dhe poeti i dashur ukrainas Dmytro Chystiak nxori një antologji të poezisë së popullit të tij, “Klarinetat diellore”, me nja 50 poetë, në gjuhet frënge dhe atë italiane dhe po përurohet si të ishte një mision. Ai kujton ata që kanë mbështetur Ukrainën tani, poezinë e saj të lirisë dhe rendit vendet nga janë: Shqipëri, Belgjikë, Brazil, Spanjë, Itali, Kanada, Poloni, Rumani, Slloveni, Turqi, Hungari, Francë, Zvicër… Shqipëria sigurisht është e para se fillon me A, Albania. Ndërkaq atje, në Ukrainë, edhe pse janë të gjithë të armatosur, nuk po gjej ankesa që s’është ky poet apo ai a unë e të qëllojnë mbi antologjistin, të marrin tanksin dhe të hedhin predha mbi shtëpinë botuese a raketa mbi promovimet…

Vetëm pushtuesit rusë vranë dhe një shkrimtare ukrainase së fundmi, Victoria Amelina, 37 vjeçe, ishte më koleget e saj të huaj në një pizzeri dhe po bisedonin për organizimin e Festivalit të ri të poezisë, “New York”, poezia si metropol…

Ndërkaq në Kiev para u bë Panairi i Librit, pllakati i tij, punim i çiftit të dy artistëve, Romana Rymanyshyn dhe Andriy Lesiv, bëri “xhiron e botës”, sepse “Librat janë mbrojtje kundër çmendurive të çdo lloji”, shkruanin gazetat dhe kompozimi ishte i tillë, shikojeni: poshtë një libri të hapur si nën një strehim janë njerëz, burra që mbajnë librin mbi krye, me shpatulla, me krahë, me muskujt e mendjes e të shpirtit, edhe një foshnjë nga karroca e saj zgjat këmbkat të mbajë librin të mos bjerë, edhe një njeri me bastun mundohet të largojë një gjarpër në anë, kurse sipër librit rrumujshëm janë raketat, avionët luftarakë bombardues, tanket, (pikërisht mbi këmbkat e foshnjës), misilet, shkrepëtimat e tyre mizore, shenjat e trafikut të vdekjes…

Dhe një shkrimtare u vra… ciflat e bombave na kapën të gjithëve, mishi i poezisë rrjedh gjak…

Tre poezi të saj këtu, trini në nderim të triumfit të jetës mbi vdekjen, të qëllimit hyjnor, të vetë poezisë që po lufton, të Victoria Amelina-s, të atij çasti, për ju…

VICTORIA AMELINA

(1 Janar 1986 – 1 Korrik 2023)

STATISTIKAT E HUMBJEVE…

Statistikat e humbjeve tona janë sekrete,

deri në fund të luftës, nuk ka shifra.

Aty do të jetë fqinji, burri i asaj gruas

eksentrike që mbolli lulet e kuqe.

Miku, i cili nuk lajmëroi askënd.

Mësuesi që e pëlqenim aq shumë.

Ajo vajza irrituese dhe piktori

i çmuar nga të gjithë, që e dashuronin.

Në emër të sekretit shtetëror,

Betohem, nuk do t’i numëroj

të rënët tanë,

Nuk do t’i numëroj deri në rraskapitje

dhe deri në fund të luftës.

(Në fakt u përpoqa të numëroj – por

e humba.)

Lviv, 7. V. 2022

SIRENAT

Sirenat e sulmit ajror në të gjithë vendin

Ndjehen sikur të gjithë

janë nxjerrë jashtë për ekzekutim

Por vetëm një person është

në shënjestër

Zakonisht ai më këndej…

Këtë herë jo ti; gjithçka e qartë.

NUK SHKRUAJ POEZI

Nuk shkruaj poezi

shkruaj prozë

Por realiteti i luftës

i ha shenjat e pikësimit

kohezioni i fakteve

kohezionin ha

Sikur në gjuhë

të kishte rënë një granatë

copërat e gjuhës

janë poezi

por unë s’jam

dhe as kjo nuk është.

Ajo është në Charkiv

Ajo po lufton

Përktheu: Eda Zhiti

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

POETI – NGA KOSOVA NË MEKSIKË, NGA GJAKU NË YJE…

June 22, 2023 by s p

Visar Zhiti/

U bë viti, që ke ikur në Qiell,

por me sa poezi

e ke mbushur truallin tonë

si me gjethe shpirti…

Vërtet poeti Xhevdet Bajraj mbetet një Luftëtar shpirtëror i fuqishëm, këtë mund të them që në fillim, që s’e duroi dot luftën, ku tmerrshëm vriten njerëz dhe ëndrra dhe poezia e jetës… dhe iku nga Kosova e tij, larg, sa më larg, në Meksikë, me gruan dhe fëmijët, të shpëtonte jetën sa më shumë… duke mbartur gjuhën amë dhe frymë-Zi-min… ashtu si dhimbjet mbi shpinë dhe kujtimet, që rëndojnë, rëndojnë…

E pritën si poet në Mexico City dhe tani ai ka studentët e tij që e duan atje, lexuesit e shumtë, të cilëve ua dha poezinë dhe në gjuhën spanjolle… miqtë… imazhet… hardhinë në prag…gotat me verë… sombrerot… macet… bibliotekat… kujtesa e tij është plot me Kosovë…

Poezitë i lexohen dhe në rrugë, i janë kushtuar dhe koncerte të mëdha, konferenca, takime… po përkujtohet dhe në Kosovë, në vendlindje, atje veç datëlindjen i dinë, ai është përherë poet i tyre…

Shoh si e ka gdhendur fjalën, ashtu si drurin, pak ashpër, por natyrshëm dhe sa dhemb, sa dhemb… si mishi i jetës… dhe sa dinjitoz është ai në dhembjen e tij… ndërkaq fjalë-urtë si malësorët, i madhërishëm së brendshmi… i kultivuar dhe me poezinë e madhe latine, europiane ashtu si me eposin e popullit të tij dhe befas ashtu na u përshfaq: aq sa poet tradicional, po aq dhe modern, krejt i veçantë, i ëmbël do të thosha deri në hidhësi dhe i hidhur deri në ëmbëlsi, gdhëndës i duruar dhe parak, e them sërish, gjithsesi antologjik.

E shfletoj me ëndje, larg dhe unë, librat na i dha Zonja e tij, Doktoreshë Vjollca Bajraj, muza e tij, tani e përkushtuar pas poezisë së Xhevdetit, me mision përhapjen e tyre… si gjethet nëpër erë.

S’e di pse ndal te poezia “Trëndafili”:

Jam goxha i sigurt se

kur për herë të parë

është takuar me njeriun

trëndafilit i kanë dalë gjembat.

Fërgëlloj së brendshmi. Ndjej shpuarje në lëkurë, madje dhe gjakun që rrjedh. Kështu është poezia e Xhevdet Bajrajt, që s’i trembet druajtjes, qortuese ndërkaq, metaforike, por dhe hermetike, përdryshe dhe e çiltër, e veçantë, antologjike…

Fjalë të tilla po i thosha Vjollcës, teksa ajo na shkruante përkushtimin në librat e të shoqit, hija e saj është vetë vazhdim i asaj poezie dhe, kur po shëtisnim rrugëve të Chicago-s, – Eda ime dhe unë e kishim vënë në mes, – për Xhevdetin po flisnim me adhurim dhe kur u ndezën dritat e para në muzgun e parë, ato po më dukeshin si trendafila të poezisë së tij.

Gjithë këtë vit mungese, poeti Xhevdet Bajraj e mbush po vetë me prani hyjnore, me atë poetiken…

May be an image of 2 people and text

See Insights and Ads

Create Ad

All reactions:

22

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

ARTISTI, ËNDËRR DHE ZGJIM DHE DASHURI NË PENELIN E PIKTORIT GJERGJ KOLA…

June 21, 2023 by s p

Visar Zhiti/

Ai kap penelin dhe e ngjyen në blunë e një çasti, me qiell dhe ujra, i duhet ari i mëngjezit, me penel prek diellin, dhe tani rruga, ja, përvijimet e saj, hapat e bukur dhe gjurmët si njolla shpresash, lulnajë dëshirash, bregu i ëndërrimeve, fytyra të jetës, sy e buzë, rini, puthje, mendim, rrudhat e mençurisë, vallja, që na bën bashkë, kostumet e popullit në vendlindje, në Ballkan, një copëz muzgu se nga bie, frushullima e erës mbi pemë si frymëzimi, një ujvarë yjesh, etj, etj.
Është Gjergj Kola, nuk mund të rrijë pa pikturuar, një peizazh shpirti që nis trojeve të atdheut, Shqipërisë së tij dhe vazhdon, në Greqinë fqinje dhe kalon detin, në Italinë rilindase, ku jeton dhe punon ndërkaq, ikën vepra, në Francë e Gjermani etj, dhe pas Europës, përtej oqeanit ka arritur në Amerikë… ka marrë atë famë, thonë kritikët, që të japin arritjet në art, ato të vërtetat, pasioni, që duket sikur zbret nga misteret lart, që nxit punë të palodhur, shenjojnë karakterin artistik, por dhe të përditëshmin, modesti dhe mirësi bashkë, dhimbjet dhe dashurinë mbi të gjitha…
Ekspozitat e Gjergj Kolës janë të shumta, që nga Lezha, ku la shtëpinë prindërore e në kryeqytet në Tiranë, pastaj në Selanik e Athinë, pastaj në Romë, në Vatikan, brenda në kishë, me Shenjten Nënë Tereza e Papa Françeskun e Skënderbeun, Jugu kaltërosh e muralet në Veri, në Milano e në Limone sul Garda, ku ka shtëpinë tani si brenda një zambaku ujor, gruan dhe fëmijët, djali pikturon si i ati, të mbërrish në Paris, në Luver, dekorohet atje e në metropole të tjera, në tjetër kontinent, në New Yorkun marramendës.
Dhe Gjergj Kola veç punon, piktura, piktura, piktura kudo, shkallëve, gishtrinjtë e tij janë penela, fjalët e tij janë ngjyrat, lëvizjet e tij janë mbi telajot e ditëve dhe të netëve, realiteti i tij është kompozimi, miqtë janë personazhet, portretet në korrniza, dalin prej andej, shkojnë diku në një vegim takimesh dhe kthehen prapë…
Ekspozita e katalogë e zogj e një florë mrekullish, albume si për çdo piktor të madh e video të shumta e artikuj gazetash, murale në qytet e çmime e medalje, jo vetëm në Itali e Greqi, por dhe në Francë, etj, etj dhe së fundmi:

NË GJERMANI MEDALJE ARGJENDI.

Gjergj Kola – i Ftuar Nderi në Berlin, në ekspozitën e rëndësishme me pjesënarrjen e shumë artistëve nga e gjithë bota, në Art Gallery Zeidler, Artcom Expo International… sukses i jashtëzakonshëm në Gjermani, i bënin jehonë mediat… piktori Kola u përfaqësua me 15 vepra… dhe Medalje Argjendi për akuarelin ‘Artisti’.
…është një i ri aty, real dhe emblematik, ‘Studenti I përhershëm i filozofisë’, Atjon Zhiti, që dhe ai pikturon, rikrijon prindërit dhe botën përreth, është pjesë e boceteve të një kompozimi monumental mural për një nga muzeumet e artit në Lombardi.
Sa fantazi ka ky kompozim, natyrshmëri dhe lirizëm, mendim, skena, përveç protagonistit ëndërrimtar me fletë ndër duar, që i studion, pra piktorit brenda në pikturë, ka dhe personazhe të tjerë, brenda tablosë një tjetër tablo, dy portrete, klasikët baba e mama, t’i ribësh në telajon mbi kambecët nëpër lulet poshtë këmbëve, që rriten në shpirt, një copëz toke me sigurinë e lumturisë dhe ja, një vajzë shtat-hedhur si prej shiu, dashuria me flaut, piktura ka dhe muzikë të heshtur, një kolorit të lehtë parajsor, që i ngjan fundit të një ëndrre në prag të një zgjimi…Arti është ëndërr dhe zgjim dhe dashuri, prania e tyre hyjnore.

Filed Under: Kulture Tagged With: Visar Zhiti

IKONA EMINESCU

June 17, 2023 by s p

-përmbytje dhe çmim –

Nga Visar Zhiti

S’e di kur ka ndodhur kjo përmbytje, në ç’vend të Rumanisë ishin shembur ashtu aq çati e mure, në ç’dimër, por më tronditi dhe më magjepsi pamja, se njerëzit dhe forcat e ndihmës së shpejtë, ata duhet të ishin, të futur në ujë, teksa nxirrnin të tjerët nga rreziku dhe merrnin nga orenditë më të çmuara e më të nevojshmet, besoj, ndërkaq nja dy veta mbartnin një portret, atë të poetit të tyre, Mihai Eminescu, bardit të Kombit. Në atë apokalips ata donin ta shpëtonin nga përmbytja si të ishte njëri nga ata…
Këtë imazh të rrallë na e nisi nga Rumania miku ynë, Luan Topçiu. Po e shikonim…
Me Edën time, vjet në këtë kohë, dhe me Luanin, ishim në Craiova, në festivalin botëror të poezisë, që mban pikërisht emrin e Eminescut, me president Deaconescu Ion. Aty pamë se sa shumë e donin Poetin. Por s’kishte përmbytje, veç përmbytje poezish.
Dhe poetët e ardhur nga bota, ne, së bashku, bëmë homazhe te statujat e Eminescu-t, vumë lule dhe lexonim nga librat tanë.
Kudo në qytet ishin pllakatet e Eminescu-t, pikërisht me atë fytyrë që ishte dhe në atë korrnizën që e mbanin lart, ndër duar e tyre, njerëzit në atë përmbytjen s’di se ku, kur rrebeshi mbase s’kishte pushuar ende…
– Si sot një vit më parë festivali ta dha ty Çmimin e Madh “Mihai Eminescu”, – po më thoshte Eda sikur donte të më qetësonte.
Nëpërmendëm solemnitetin dhe ceremoninë aq të bukur, për të cilën shkruajtën gazetat, folën mediat dhe dhashë intervista në televizione… edhe unë mbaja në dorë fort statuetën e larë me ar të Eminescu-t, por tani skuqem dhe ul kryet nga turpi para asaj pamje, që s’di ku është, të asaj shtëpie të shëmbur, sigurisht në ndonjë vend të largët e të humbur, të përmbytur si mos më keq dhe njerëz atje, anonimë, të thjeshtë, që s’japin intervista, çanin nëpër ujin e turbullt, pa ndonjë alarm të dukshëm, duke mbajtur përsipër vorbullave portretin e Poetit të tyre, që ta shpëtonin nga fatkeqësia që u kishte pllakosur… Po, po, ajo ishte si një tjetër ikonë, Poeti, që u kishte dhënë shpirt dhe identitet me aq shumë bukuri dhe ata, për fat, e dinin, ua kishin thënë etërit, shkolla, era që frynte, kujtesa…ishin të ndërgjegjshëm, kishte ndodhur dikur, në një të dikurshme të gjithmontë, pra dhe në të ardhmen se ata ua thoshin dhe bijve… ja, ashtu siç mbillet toka, siç udhëtohet me trena, me ëndrra… dhe po sakrifikonin prapë ashtu siç bënin shpesh për të tjera gjëra, pa bujë, e bujshme ishte veç përmbytja… edhe festivali…
Po ai është çmimi më i madh, – po i thosha Edës, – më i shtrenjtë për një poet…
Kur të duan edhe kur s’je… dhe je më shumë se ata që janë… thellë… si në një korniza të drunjtë… të varfër… por kjo është pasuria…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

SORKADHJA, ZJARRI I MIQVE DHE POEZIA…

June 16, 2023 by s p

– Uau, paska ardhur Sorkadhja, – thirri e mrekulluar Eda ime, – shiko, shiko nga dritarja…

Vërtet si e dalë nga ëndrrat, një sorkadhe e bukur, elegante, buzë pyllit, pikërisht të tabela që kishim marrë nga Kisha jonë, “Hope is alive”, kishte qendruar aty dhe shikonte për këtej. Ajo ishte, e atëhershmja? E mbante mend muajin e Edës dhe donte ta takonte?…

Dolën të tjerë nga pallati për te makinat e tyre, e shikonin me adhurim sorkadhen dhe ajo u largua duke kthyer kryet nga pas, sikur po shkonte sërish tek ëndrra. Si një flakë e gjallë, m’u duk…

– …që ma ngrohu shpirtin, – me tha Eda ndërkaq…

Mbërritën miqtë tanë, Milto me Vjollcën, e kishim lënë të shkonim në një tjetër vizitë në një tjetër pyll afër, atë të gratacieleve në Downtown, ku miq të tjerë, Ernesti me Imeldën, na prisnin sërish në apartamentin e tyre të bukur në një kat të 30-të. Më pas u ngjitëm bashkarisht ende mē lart, në njërën nga taracat për të vazhduar bisedat e për të pirë kafetë. Dhe ndezën zjarrin në vatrën e mermertë para nesh. Flakët vallëzonin në ngjyrën e sorkadhes. Dhe m’u shfaq ajo, zjarr i gjallë, mikesha e Edës, sorkadhja… me tabelën mbi kurrizin e saj “Hope is alive”… ku po e çonte?

Unë kisha bllokun e vogël në xhep, mezi ç’prisja rastin të shkruaja poezinë…

SORKADHJA E DITËS

Po shikonte nga dritarja

Ime shoqe

dhe drita e mëngjesit

befas u bë sorkadhe.

Njerëzit që na duan

dhe s’janë këtu,

u bënë pemë.

Përmes pemëve ecte sorkadhja,

përmes pemëve,

se ç’donte të na thoshte.

Nëpër gjethe

shkruajnë sytë e sorkadhes

si sytë e sime shoqeje

të njëjtin merak të blertë…

Dhe e druajtur

u afrohet duarve që beson,

sorkadhja – mbi psherëtimat

e njoma të barit,

me shpresë hyjnore mbi shpinë.

Uria ime prej sorkadheje

mori një copëz buke dashurie.

Krahët e sime shoqeje

menjëherë u bënë rrugë, –

njëra për mua

dhe tjetra për sorkadhen në ëndërr.

Po ku shkoi ajo? Si u fut ashtu

në trupin e sime shoqeje,

sorkadhja?

Dhe mëngjezi – mantel

me yje të mbetur nga dashuritë

fërgëllon mbi supet prej gruaje

të jetës.

Kjo ditë imja kështu –

gjysmë grua dhe gjysmë sorkadhe…

Visar Zhiti

Filed Under: ESSE Tagged With: Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT