• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË GJYSMË SHEKULLI POEZI NGA NIKO KACALIDHA

August 3, 2023 by s p

Visar Zhiti
Roselle, Chicago/

– mbresë –

Duke shfletuar sërish antologjinë e poezive të zgjedhura të poetit Niko Kacalidha, “Heraldikët e borës”, fëshpërimën e fletëve të librit ke qejf ta krahësosh me fëshfërimat e gjetheve të një pylli dhe e ndjen se është fjala për pyllin e kujtesës, me dritëhijet e tij, dhe jo thjesht të një vetmitari, që endet andej, por të kujtesës së gjerë, njerëzore, të emocionit të saj, që atë pjesë të kohës së vet e ktheu në poezi.
Janë 50 vjet krijimtari, që dhe unë e kam të njohur qysh në rininë time të parë, gjimnazist, e një poeti të ri, Niko Kacalidha, që duket se ka mbetur i tillë, duke ruajtur atë freski e habi të bukur duke i shtuar vit pas viti përvojën dhe maturinë epike. Dëshira e atëhershme për ta njohur poetin, por që mund të mos e takoje kurrë, përmbyshet tani me poezinë e tij, aty paraqitet ai më së miri.
Dhe ke një dëshirë tjetër, si ta përkufizosh poezinë e tij, ç’mund të thuash për të dhe e gjen, ajo përkufizohet vetëm me vetveten.
Vazhdoj shfletimin, libri sikur bëhet më i dashur me autografin e autorit, i shkoj në fund, lexoj distikun e fundit:

“Mirë, në fillim ishte fjala dhe kjo
nuk lëkundet.
Po pse para ekzekutimit kërkohet
fjala e fundit?”

Tronditëse fjala ekzekutim. A mos është metaforë? Se në fund të fundit ka një çast suprem të tillë për të gjithë, po jo për jetën, jo…
Dhe kthehem prapë në krye të librit, në faqen e parë, poezi e vitit 1972, ja dhe vargu i parë:

“Unë jam paqësor si deti dhe i egër
si deti…”

Dy krahasime me të njëjtën gjë, detin dhe deti s’është thjesht “gjë”, por është metaforë jete dhe vetë jetë, zanafillë dhe përjetësi dhe dallgët e tij janë vargjet homerikë të poemës së njeriut që i rri përballë dhe thirret prej tij, në ravgime përmes shkulmeve dhe legjendave në zbulime ishujsh të rinj e stere tjetër, në kthimet kavafjane, etj, etj, ku:

“Dallga jepte shpirt
në brigjet tona”… –

kështu thotë poeti. Brigjet tona janë gjoksi ynë me një det të tërë shpirti…
Dhe futemi prapë në pyllin e kujtesës, në atë të vetes, me poezinë e Niko Kacalidhës dhe gjejmë prapë natyrë e mitologji, cicërima zogjsh e tempuj, dhimbje dhe Trojë, ikje dhe varre, drerë, Akeront, Sarandë, Helenë, Bibël, Krisht, verë, forma të tjera poezie, tercina, vendlindje, Greqia e re, një vend tjetër europian, Gjermania, udhëtime e poezi si prozë e shkurtër, flatra Shqipërie, shkronja korsive, elegancë, metafora të tjera “Trupi i agulllimit” dhe prapë etj, etj:

“Darka e shenjtë
Unë i paftuar në vetminë e detit.
Të dehurit e flaknin nëpër dallgë
dhe copë e çikë bëhej kupë e hënës.

Helena
Tre mijë vjet kërkoj nëpër Trojë
dhe gjej vetëm pleqtë mbi mure
transparencës së këmishës tënde.

Ferri i çarë
Frynte era e egërsisë së shpirtit.
Shkallëve dy këpucë të shqyera.
Mos ishin vallë të Visar Zhitit?”
…

Natyrisht s’kam si të mos ndal te kjo befasi, të gjesh emrin në varg, jo vetëm emri, por dhe këpucët, metaforë e ecjes, akoma më shumë – dhe Ferrin tënd të çarë, fat i një populli, çast dantesk…
Takim i ri dhe ku, në poezi. Më i sinqerti.
Më i sigurti dhe më i pambrojturi mes dhimbjeve dhe zemëratave si në një shtjellë…
Mbyll kopertinat e librit si për t’u mbrojtur vërtet dhe më bëhen si porta kështjelle. Nga brenda tyre kanë shkruar poetë dhe studiues, Sadik Bejko e Jani Malo, Moikom Zeqo e Gëzim Basha, ndërsa pas në shpinë Ismail Kadare e Dritëro Agolli, të gjithë e gjejnë të arrirë dhe të virtytshme poezinë e Niko Kacalidhës, poetit shqiptar dhe grek bashkë, truall nga njëri dhe qiell nga tjetri, po dhe e ndërsjellta dhe deti i përbashkët, Joni: poezia.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

NJË DITË PAS FITORES…

July 31, 2023 by s p

– përsiatje nga Visar Zhiti -/

Është koha më e rëndësishme

dhe më e rrezikshmja ajo e mbasfitores…

Dhe dëgjojmë për fitoret që ndodhin në vendin tonë, aq shumë të përsëritura, fitore të njëllojta, që entuziazmojnë shumë e shumë njerëz njëlloj, kur s’kuptohet çfarë u fitua dhe kush dhe pse është fitore prapë ajo që s’ishte fitore as herën e parë, madje jo dhe aq e mirë, ngulmimi s’është fitore, etj, etj, ndërkaq më përsillen befas në mendje vargjet e pamëshirshme të Nolit, edhe pse si një terapi dëshpëruese:

“Ti dhe të tjerët pleq do të ngelni,

Tokën e Shenjtë kurrë s’e shkelni

Skllevër, bij-skllevësh, s’e meritoni

Se liri s’doni!…”

Çfarë s’meritojmë, Imzot?…

Është poezia e tij me gjuhë biblike,“Moisiu në Mal”, dhe ashtu si Bibla me vlerë të përjetëshme, edhe poezia e Fan Nolit ka porosi të tilla që më duken aktuale për fitoret apokrife, pas të cilave nuk ka mbërritje.

Po ta lexojmë edhe një herë të gjithë poezinë për bukurinë e saj të egër:

MOISIU NË MAL

Ngjitet përpjetë Malit të shkretë

Krye-Profeti trimi me fletë,

Të bisedonjë me Perëndinë

Për Palestinë.

Arrin në majë lart i kapitur,

Qëndron me frikë, pret i tronditur,

Dhe Jehovaj i flet prej një reje

Me zë rrufeje:

“Ti dhe të tjerët pleq do të ngelni,

Tokën e Shenjtë kurrë s’e shkelni

Skllevër, bij-skllevësh, s’e meritoni

Se liri s’doni !”

Krye-Profetit dita i ngryset

Dhe shpirt-këputur përdhe përmbyset

Me lot në sy, me zemër të ngrirë

I lyp mëshirë.

Pse kaqë gjatë, Zot, m’arratise,

Pse më përplase, më përpëlise,

Pse shpresën dyzet vjet ma ushqeve,

Dhe sot ma preve ?

“Nëm Dhen’ e Lirë! Zot ku ma ke?”

“Shiko, i tha, dhe ja ku e pe.”

Së largu Zoti ia pasqyron,

Dhe e shikon.

Ja Nazareti, ja Bethlehemi,

Lum’ i Jordanit, Jerusalemi,

Mal’ i Sionës, Bethsaidaja,

Dhe Golgothaja,

Sheh gasn’ e pritmë për djalërinë

Dhe shkretëtirën për pleqërinë,

Atje sa bukur, këtu sa zi,

O Moisi.

Këtej ka dimrin, andej pranverën,

Kërkon parajsën, vdes në Skëterrën;

Ajme, sa vrer, sa keq e sa zor,

Liberator!

Si përzihen fitorja me mosfitoren! Premtimi me ëndrrën, antiteza me pranverën dhe dimrin, me parajsën dhe skëterrën… me ne dhe ne, që mbetemi përballë tyre, pa ditur të zgjedhim…

Mund të flitet shumë e më shumë për këtë poezi, por s’po shkoj më tej, veç dua të them se ajo më sjell mua, e kam me veten, dhe dy imazhe të fuqishme, e para, skulpturën mahnitëse të Moisiut të Michelangelo-s, që gjendet në Romë, në Kishën ”San Pietro in Vincoli”, ku familjarisht shkonim shpesh ta admironim, me orë të tëra rrinim para saj, më vonë u gëzova kur lexova se aty vinte shpesh që të shikonte “Moisiun”edhe Zigmund Freud i ri…

Ajo është vërtet një triumf me artin.

Po entuziazmi ynë për fitoret tona abdsurde, për të mos thënë të dēmshme, mos kanë nevojë për “Frojdin”, për psikiatër? – pyeta veten befas.

Poezia “Moisiu në Mal” është shkruar nja një shekull më parë dhe tani e mora nga “Albumi” i Nolit, të cilin, kur e botoi në Vitin 1946, ua kushtoi fitimtarëve të luftës, atyre që më pas ndërtuan mbylljen dhe ferrin e shqiptarëve e Noli do të prishej përfundimisht me ta. Neve do të na mbetej frika nga fitoret… duket sikur të tilla do t’i kishim…

Po të dalim tek e dyta, tek imazhi i Imzot Fan Noli, poet dhe gjeni i përkthimit, që i solli shqipes triumfalisht një Hamlet e Makbeth e një Don Kishot magjepsës, që Khajamin e bëri të dehej shqip, por ja, që i shkrepte dhe atij për fitore të mbrapshta duke u bërë “kryeministri që i binte fyellit”, siç e thotë dhe vetë, i pa parë, që solli ambasadën bolshevike në Tiranë, të parën në Ballkan. Dhe u përsërit e u përsërit, kryeministër jo me fyell, s’dua të flas për ata me karabina e kallashnikovë, por me penel. Nejse, Noli solli një tjetër fitore të madhe, që lidhet me shpirtin dhe identitetin, që s’po dimë ta ruajmë vërtet, themeloi Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Noli risolli dhe fantazmën heroike e frymëzuese të Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, që e kishte marë emrin nga Shën Gjergji që mposhti Dragoin mizor dhe dhunues. Me emrin Gjergj triumfoi rilindja jonë…

KONJAKU “SKËNDERBEU”.

Dhe ne fitoret skënderbejane i shndërruam në një patriotizëm romantik, që si për t’u dehur prej tij, i shtydhëm dhe në një shishe konjaku me famë, madje dhe në botë, “Konjak Skënderbeu”. Dhe po përsërisim fitoret pa kuptim, ndërsa në entuziazmin e një ditë më pas, duke pëplasur gotat gjumëndjellëse plot me urime, biem si rishtarë në makthin e paharruar, pa parandjenja, aq më mirë, se ndoshta s’do të përsëritet e kaluara aq tamam. Na i tha dhe një Gjergj bashkëvuajtës, që erdhi nga burgjet dhe ëndrra, kërkoi fitoret morale si (ri)fillim, t’i arrinim bashkarisht, por e lamë mënjanë, duke ia mbyllur rrugën, që na e tregoi për një çast…

Roselle, Chicago, 30. 07. 2023

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

BUKUR! VËRTET, SA BUKUR!

July 17, 2023 by s p

– Përshtypje dhe imazhe nga përurimi –

Nga Visar Zhiti

BIBLIOTEKA DHE FOSHNJA: …erdhën njerëz të bukur në Bibliotekën e bukur në Downers Grove, Chicago. Salla e bukur, me ato radhët e gjata me karrige, që nga pianoja e deri te dera në fund, po mbushej me shpejtësi dhe, teksa uleshin, vazhdonin bisedat me njëri-tjetrin. Po bëhemi Shqipëri dhe këtu, e madhe në zemër, ja, kemi shqiptarë të Shqipërisë, nga Kosova e Çamëria, nga Maqedonia e Veriut (e Jugut për ne) e nga Mali i Zi, po, po, por jemi dhe amerikanë…
Kishin ardhur dhe nga qytete të tjerë, madje dhe nga shtetet pranë, ishte dhe një nga Gjermania, Altini, të rinj plot, por edhe flokëzbardhur siç janë luleborat këtej dhe shkonin te tryezat ku ishte libri, e merrnin dhe kërkonin autorin. U krijuan radhë të vogla e të shpeshta para tij, donin një autograf…

Shih, shih, dhe një fëmijë i vogël, e mbajnë në krahë, s’është bërë ende një vjeç, e kanë marrë me vete mami me babin Bledi Stefa, Davidi i bukur, dua dhe unë ta marr në krahë, pranë është dhe një babi tjetër, i Olivias, që i bëri 40 ditë. Në karrocën e tij Davidit mbase i kishin vënë ndonjë libër me figura, por ai xhaxhi që çeli veprimtarinë, Taipi, edhe ai sapo është bërë gjysh me Elirën, tha se jemi mbledhur të gjithë për një libër tjetër, “Këpuca e aktorit” të xhaxhi Visarit…
Do të flasim për të sotmen dhe të ardhmen, duke kujtuar dhe të shkuarën, kështu është romani që na ka mbledhur këtu.

FILLUAM: …E organizojmë këtë takim ne, Klubi Shqiptar i Librit, e vazhdoi fjalën e tij të mirëseardhjes Taip Beshiri, jemi një grup shokësh e miqsh, që mblidhemi shpesh e vendosëm të hapemi më shumë me ju. Së pari tha ai, do të lexoj përshëndetjen që Presidenti i Shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, Adnand Mehmeti, dërgonte nga New Yorku. Dhe ia lë drejtimin e veprimtarisë Dr. Jani Gjonit. Ai menjëherë foli se ç’ishte ky roman, arketipin dhe vlerat që sjell, “Këpuca e aktorit” si metaforë e ecjes dhe ftoi Odise Priftin të thotë dy fjalë për jetën e autorit dhe veprat e tij.
Dhe u vazhdua me diskutim e parë nga Doktor Minella Aleksi, ndërkohë dhe ai autor i një libri dhe i shumë artikujve në media, ai lexoi shkrimin e tij kritik që kishte botuar në gazetën ExLibris, ku ndër të tjera cekte raportet e romanit “Këpuca e aktorit” më të vërtetat dhe historinë, me shpërpjestimet dhe zbehjet që krijohen me ata që bëjnë histori…
Edhe Inxh. Artan Nati, që po shkruan dendur artikuj në gazeta, shikoi lidhjet e romanit me mitologjinë e lashtë, por dhe me politikën e ditës.
Edhe Inxhinieri tjetër Milto Skrami në fjalën e tij zbuloi vlera të tjera, që e bëjnë romanin modern, tërheqës, ndër më të rëndësishmit në botimet e reja.
Përsëri vjen në foltore Taipi dhe lexon fjalën e Doktor Xhabir Alilit, i cili ka ikur në vendlindje, në Maqedoni. Edhe shoku ynë i grupit Dhimo Jano ka ikur në Greqi dhe mungon diskutimi i tij, por jo meraku për këtë takim.
Ja, në foltore shkon Dr. Ernest Nasto, Fjala i tij ngrihet dhe kap pjesën qiellore, andej nga na vijnë shpirtërat, bukuria e tyre hyjnore, Nënë Tereza, thotë ai, At’ Fishta, Frashëri… Atjoni, Hiri (Grace) etj, etj.
Po si u shkruar ky roman?

Drejtuesi i takimit, Jani, fton të flasë bashkëshorten e autorit, Eda Agaj Zhiti dhe ajo nxjerr disa ”sekrete”, por dhe i thur një himn bibliotekave, që ruajnë kujtesën e botës. Jam e emocionuar, tha ajo, kam përballë mësuesin tim të parë, tim atë…Profesor Gezim Basha kërkon fjalën. Ka ardhur nga larg. Jep lëndën e letërsisë në një kolegj në shtetin pranë, është kritik letrar dhe përkthyes, e paraqet drejtuesi i veprintarisë.
Gëzimi sjell vërtet gëzim mendimi dhe emocionesh. Me elegancën e fjalës u thotë të pranishmëve se letërsia lexohet vetëm si e tillë, as si histori e as si politikë. Në romanin “Këpuca e aktorit”, që sa nis, shohim presat e kovës së një ekskavatori si thika, ato lajmërojnë një krim shtetëror dhe në fund lexojmë, ‘…jam shtatzënë dhe ndjeu brenda vetes qiell plot dritë.’ Kjo është shpresë dhe poezi, autori është poet… Gëzimi lavdëroi veprimtarinë, praninë, nivelin e lartë të diskutimeve, rrallë kam parë takime të tilla shqiptarësh, përfundoi ai.
Foli dhe një mërgimtar i hershëm, Fejzi Sulejmani, i arratisur nga Shqipëria dikur dhe me znj. Vjollca nisën pyetjet nga salla.
Po i shikoja me dashuri njerëzit përballë. Davidi i vogël aty ishte ende, në krahët e të atit dhe lëshonte zëra gazmorë. Ishte hera e parë që merrte pjesë në përurimin e një libri. Dashi xhironte me celular. Te tryeza e librave rrinte në këmbë bashkëqytetari im, lushnjari Bujar… Të njohur plot. Të gjithë dinin të dëgjonin bukur… Pranë familjarëve dhe Leka Brisku, diakoni i parë shqiptar në shtetin Illinois, ja dhe Edlira… në rreshtin tjetër, Elsa me Nikon, ja dhe Nikoja tjetër me Merin… Imelda… Rita, Vjollca… Mirela me Nasin… Nebiu, Turi më tutje, Tasi, Elvisi… Labi… Ray me bashkëshorten, Fatmiri me bashkëshorten, Mirjani me bashkëshortin, Mondi… Agroni… Arben Bejleri… Mynyri, Artedi… etj, etj, ndjeva dritën e yllësive të kaq shumë syve që më rrethonin bukur… e ç’mund të thosha, që sjell përshëndetjet nga Shtëpia Botuese Onufri në Tiranë, nga drejtoresha, znj. Hudhri, të redaktorit nga Rumania, Dr. Luan Topciu, të miqve nga Miçigani, nga Wisconsin? Këtu folën kaq bukur të gjithë dhe ju jeni kaq të bukur të gjithë, veçse mirënjohje pafund… dhe erdhën të tjerë përsëri të më kërkoni autografe, u ula sërish në tryezën mes dy vazosh të mëdha me lule të bukura, lule motre, flatra shqiponje… dikush vinte me dy libra, donte autograf për një të tijin, që s’erdhi dot, ishte në punë, për në Shqiperi e donte një tjetër autografin, me tre libra, me pesë… çastet m’u bënë lule… një vazo tjetër e përhershme… dolëm… sheshi para Bibiotekës ishte plot me vetura, në shumë prej tyre në ndenjësen tjetër ishte dhe një libër i ri, ku do ta çonin, në shtëpi, në të ardhmen?… Eda ashtu ishte lutur.

FJALA NGA DR. JANI GJONI

“KEPUCA E AKTORIT” NJË ARKETIP LETRAR MJESHTËROR

Libri “Këpuca e Aktorit” i shkrimtarit Visar Zhiti është një vepër letrare e rëndësishme dhe e vlefshme që sapo erdhi në peisazhin e letërsisë shqiptare. Ajo është shtesa e fundit nëtërësinë e veprave të sjella nga Zhiti përpara publikut lexues. Nëpërmjet këtij romani, autori trajton tema të gjëra dhe komplekse që reflektojnë përvojën e jetës dhe mendime të thella të artikuluara në mënyre poetike për njerezit, vendin dhe historinë e Shqiperisë.

Libri është një arketip letrar i krijuar me mjeshtëri nga Visar Zhiti, që çon lexuesit në një udhëtim të larmishëm dhe tërheqës në horizontin historik dhe shoqëror të Shqipërisë. Struktura narrative e tij mpleks në mënyrë të përsosur elemente të mitologjisë, besimit dhe historisë moderne, duke ofruar një eksplorim shumëdimensional të përvojës njerëzore në shoqerinë tonë. Libri ndahet në tre pjesë kryesore të cilat janë rrjedhim i natyrshëm i ngjarjeve në epoka të ndryshme, dhe që nga faqet e para, lexuesi zhytet në një botë magjepsëse, e ngjashme me epikat e mëdha homerike. Prania e personazheve si Hektori, Moisiu, Maria, Hëna, Donika, e Nënë Tereza krijojnë një tablo të gjallë që lidh të kaluarën e largët dhe të afërt me kohërat moderne. “Kepuca e Aktorit” është në mënyrë simbolike udhetimi në kohë i Shqipërisënëpërmjet karaktereve e ngjarjeve të goditura të përshkruara me mjeshtëri nga shkrimtari.

Ndërsa lexuesit vazhdojnë të thellohen në lexim, ata zhvendosen në histori, në periudhat e turbullta të Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore ku fati i Shqipërisë dhe i popullit të saj varej në kufijtë e një ekzistencializmi delikat. Tregimi mjeshtëror i Zhitit i jep jetë këtyre udhëkryqevehistorike me magjinë e metaforës, duke kapur thelbin e çdo kohe me detaje të kuptueshme për këdo. Përmes protagonisteve, lexuesit përjetojnë vështirësitë dhe sakrificat e individëve të kapur në marrëzinë e luftës, shohin jetët e tyre të përpjekura me fatet e kombëve. Aftësia e autorit për të lidhur së bashku narrativat dhe periudhat e ndryshme lejon një kuptim të ndërvarur e më të gjërë të identitetit të Shqipërisë dhe vendit të saj në kontekstin kohor. Autori shkel qetësisht tabutë e racave, kombësive dhe përkatësive tribale, duke ecur në territorin e egërsisë njerëzore, por pa e tejkaluar ne kufinjtëe vulgaritetit. Gjuha e pasur e shkrimtarit dhe ngjyrat e fuqishme që përdor krijojnë një tablo të plotë dhe një përshkrim romantik të Shqipërisë në fillimet e saj në shekullin e 20.

Një aspekt i rëndësishëm i librit është stili tekstual i Zhitit, i cili është i veçantë, unik dhe virtual. Ai shpreh ide dhe emocione nëpërmjet fjalëve të thjeshta e simbolike, duke krijuar një atmosferë poetike të veçantë. Shqipja e tij është e pastër dhe e qartë, ai përdor imazhe të fuqishme për të dhënë situata komplekse. Në përgjithësi, libri “Kepuca e Aktorit” është një vepër e thellë dhe e frymëzuar nga ndjenjat patriotike. Zhiti shpalos talentin si shkrimtar nëpërmjet tregimtarisë origjinale dhe trajtimit estetik të temave të rëndësishme. Ky libër ofron një perspektivë marramendëse mbi identitetin, dramën dhe kuptimin e ekzistencës së njeriut, duke bërë që lexuesi të reflektojë dhe të përsiasë për çështjet e shumta.

Në këtë roman Zhiti i përshkruan karakteret si pjesëtarë të një trupe teatrale, të cilët luajnë rolet e tyre në skenën e jetës. Për ta, jeta është një teatër i madh, ku secili prej nesh luan një rol të veçantë. Përmes personazheve të tij, ai shpreh konfuzionin dhe peshën emocionale që vjen me përgjegjësitë dhe pritshmëritë e shoqërisë ndaj nesh. Tensionet dhe kontradiktat e identiteteve shpalosin aktet e humbjes, ndarjes, frikës dhe dëshirës për të gjetur qëllimin e njerëzve në jetë. Duke ndjekur rrugëtimin e jetës, ata përballen me sfida të ndryshme dhe kërkojnë të zbulojnë vetveten. Shkrimtari shprehet – se roli që kemi në jetë nuk është gjithmonë i vullnetshëm, por shpesh imponohet nga pritshmëritë e jashtme dhe rrethanat. Për shkak të kësaj, karakteret përjetojnë konfliktin midis pritshmërive të jashtme dhe dëshirave të tyre të brendshme.

Një tipar tjetër stilistik është ndërthurja nga shkrimi normal në atë korsiv (italik). Ky ndryshim krijon një lehtësi në kalimin nga një gjëndje në tjetrën dhe shërben si një urë lidhëse midis ngjarjeve të ndryshme pa u bllokuar nga ndarja e kapitujve. Kjo bën që leximi i historisë të jetë më i rrjedhshëm dhe më i natyrshëm duke zvogëluar rutinën me befasira.

Gravitetin kryesor në roman e zë paraqitja e diktaturës komuniste që mbajti Shqipërinë të mbyllur e izoluar pas Luftës së Dytë Botërore. Konturimet e qarta dhe gjuha evokative e Autorit paraqesin imazhe të atmosferës së frikës dhe shtypjes që mbizotëronte në çdo hapësire të jetës së përditshme. Duke u fokusuar në përvojat e personazheve, autori zbërthen ndikimin e thellë të sundimit totalitar mbipsikën njerëzore, ankthin dhe luftën e brendshme që përballen individët në këtë shoqëri. Frika e dhunës dhe propoganda djallëzore krijuan dyzimin e personalitetit të njeriut, pasojat e sëcilës ndjehen akoma. Ndonëse nën diktaturë, njerëzit nuk ndaluan të jenë humanë duke shprehur emocionet, gëzimin, dashurinë, dhe mirësinë si tipare qenësore – diktati nuk e vrau dot njerëzoren. Mardhëniet intime të personazheve nëpër sfidat e ashpëra qartësohen si një revoltë natyrale që nuk pyet për kufinjtë artificialë. Mbi të gjitha, ai i nxjerr në pah vlerat dhe bukurinë e shpirtit njerëzor, të cilat nuk mund të bllokohen as nga diktatura më e ashpër.

Post diktatura, pas viteve 1990, e rrëmben Shqiperinë nërrejdha e stuhi në të cilat inercia dhe nostalgjia e së shkuarës trazuan keqas mëndjet e ndjenjat e shqiptarëve për njëperiudhe jo të shkurtër. Shoqëria përjetoi absurde dhe mashtrime nga njerëz të ndotur prej së kaluarës, të cilët u prezantuan si fytyra e së ardhmes duke ngadalësuar e penguar zhvillimin demokratik të vëndit.

Në roman, autori në mes të tjerave merret me brezin e ri, mefenomenet e dallgët që e tashmja po përballet, me ndryshimet gjeopolitike e shoqërore, me historinë e re moderne që po jetojmë. Kufijtë e shteteve pothuajse janë venitur, globalizmi me internetin ka çliruar mundësitë për një komunikim tëgjithanshëm, lëvizja e lirë ndërthur jetën e personazheve në skena të reja. Ngjarjet natyrshëm kalojnë në kontinent tjetër, lëvizin njëlloj si në të shkuarën nga një qytet në tjetrin, karakteret lundrojnë me emocione e ndjenjat njerëzore, me veprime në një hartë më të madhe.

Aq me vërtetësi dhe me besueshmëri kalojnë kapitujt sa tëkrijojnë përshtypjen e një vepre autobiografike, por në fakt ajo është një krijim fikshën. Tregimtaria me një gjuhë të pasur të jep mundësinë për të përjetuar emocionet, përvojat dhe mardhëniet ndërkarakteriale. Monologu i gjatë i Hektorit, personazhit kryesor, vjen si një film personal duke e vendosur lexuesin në qëndër të ngjarjeve dhe duke e bërë udhëtimin nëpër faqet e librit më të ngjitshëm.

Në përfundim, libri “Kepuca e Aktorit” është një vepër e mrekullueshme letrare që përshkruan ngjarjet historike me sy kritik e estetikë të fuqishme. Romani është një biografi e Sqipërisë e rëfyer në mënyrë artistike, mbase më e mira e këtyre kohëve.

PERSHENDETJA NGA ADNAN MEHMETI

President i Shoqates se Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane

Sa bukur të jesh në festën tuaj

Të nderuar miq të “KLubit të Librit”!

Sot jam shumë i nderuar dhe i lumtur sepse përkon në një event kulturor në komunitet. Ndokush prej jush do të nxitojë të thotë: “Është ditëlindja jote!”. Por, kjo është shumë personale, përballë një eventi letrar.

Bota njeh mjaft ambasadorë shtetesh me zyra, makina, shkresa, takime zyrtare, po ka ca ambasadorë të veçantë që mund t’i quajmë thjeshtë Ambasadorët e librit. Kur flasim për Visar Zhitin ai i ka të dyja këto emërtime, që i japin jetës së tij kurorë nderimi dhe na e bëjnë më të bukur e të dobishme jetën tonë kudo ku shkojmë.

Në Çikago, sot janë mbledhur një grup miqsh, shkrimtarësh të përfshirë te Klubi i Librit. Ua kemi lakmi.

Dëshirojmë të jemi aty, po qe se është mundësia.

Të ishim në rreshtin e parë të bibliotekës, që të jemi sa më afër shkrimtarit Visar Zhiti, autorit të ardhuruar prej të gjithëve, pa përjashtim.

Të bëjmë një foto.

Të blejmë nga një kopje të romanit “Këpucët e aktorit”

Të dëgjojmë vetë autorin e me vrap të shkojmë për ta lexuar brenda natës.

Në mesin tuaj sot gjenden shumë emra të njohur, që janë dhe miqtë e mi…

Sa mirë!

Sa emocion!

Të gjithë i përshëndes.

Ju kam zili për iniciativën për bashkëpunimin, për përurimin e librit shqip, duke filluar nga vendlindja e Heminguej…Ju mirëpresim në Nju York, për ta vazhduar në Boston, Philadelphia e gjetkë… Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe unë si President i saj e përshëndes. Kryesia e Shoqates, dashamirësit të librit, njerëz të mrekullueshëm, e mirëpresin.

I dashur Visar, Anëtar Nderi, i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, jemi me fat që ju kemi.

Ne gjejmë frymëzim nga veprat tuaja letrare.

Sot, na bën më shumë krenar…

Juaji

Adnani

New York, 15 korrik 2023

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

PO VJEN NJË GJERGJ I RI PËR TË DJATHTËN SHQIPTARE…

July 13, 2023 by s p

Nga Visar Zhiti/

KANDIDATI I RI. 

Ç’THUHET PËR TË DHE VOTIMIN E ARDHSHËM?

Për të zënë vendin bosh të kryetarit të asaj pjesë të ndarë të Partisë Demokratike, ndërkaq dhe zyrtare, hodhi kandidaturën e tij të beftë qytetari Gjergj Hani, anëtar i thjeshtë i saj, me premtimin për bashkim, për të ecur në rrugën e rimëkëmbjes të së Djathtës politike shqiptare, por dhe të Shqipërisë. 

Menjëherë pas tij, me një befasi tjetërlloj, shpalli kandidaturën për kryetar dhe Lulzim Basha, kryetari i dorëhequr me të drejtë për shkak të humbjeve dhe ndarjes dhe përgjegjësive ndaj tyre. 

Tani janë ballëpërballë kandidati i parë, i panjohuri Gjergj Hani, por që parashtron ide, filozofinë e munguar të PD-së, sipas tij, me apelin për të zbuluar gabimet, fajet dhe papërgjegjshmëritë që u arrit deri këtu, “në këtë derexhé” thotë ai dhe që të dënohet e shkuara e keqe e përbashkët për të ardhmen normale, më të mirë, po të përbashkët, teksa kandidatura e dytë, i mirënjohuri Lulzim Basha, po kërkon rikthimin e tij, për të bërë ato që s’u bënë dot dhe me të në krye ndër disa legjislatura. 

Duket sikur kandidati i dytë derën e ka të hapur dhe rrugën të shtruar dhe të lehtë, që të rivijë atje ku e kishte lënë, me ata që nuk e kanë lënë dhe e mirëpresin, me po atë zyrë dhe brohërima në gjysmë partinë, me ato struktura dhe përvojë humbjesh dhe me atë armiqësi të vonë, por të pandreqshme me pararendësin e tij, teksa zgjedhjet për kryetar të 29 korrikut i shohin si një formalitet, gati festiv, “Basha e ka të sigurtë fitoren”. Të kujt? Të vetes?… Përse? Është tmerrëisht e pamjaftueshme, madje e padobishme.  

Ndryshe është me kandidatin e parë, befasuesin Gjergj Hani, që thotë se nuk ka rëndësi nëse nuk fiton, “nuk jam për vete, të fitoni ju, idealet tona, prosperiteti i vendit”. Dhe është i vetëm, pa struktura elektorale e zyrë e financë, pa asnjë lloj mbështetje, madje dhe shfaqja e tij është parë me mosbesim, edhe me dyshim: kush është ky? 

Një qytetar yni, bashkëvuajtës yni. 16 vjeç na e sollën në burgun e tmerrshëm të Qafë Barit se donte të arratisej, donte lirinë e tij, me besimin se do ta gjente në Perëndim. E kapën mu në kufi në Pogradec dhe e dënuan me 10 vjet burg nga gjykata ushtarake, gjyqtar ishte deputeti i mëvonshëm i PS, Spartak Braho, ndërsa karakteristikën që u kërkua për atë si nxënës në gjyq, e kishte përgatitur mësuesja e tij, Anita Braho, bashkëshortaja e gjyqtarit. Ajo kishte shkruante shkëlqyer për nxënësin e saj, Gjergj Hani. E çuditëshme dhe e bukur! Që atëhere e dha të çarën e parë, mësuesja është me të, ligji kundër…  

Gjergji lirohet nga burgu me një amnisti, por në qytetin e lindjes, në Durrës, nuk i japin as shkollë e as punë, por pritën të bëhej 18 vjeç që ta dënonin përfundimisht, sërish në burgun e Qafë Barit, etj, etj. Shëmbet Muri i Berlinit, bie perandoria komuniste dhe diktatura në Shqipëri ndryshoi, Gjergj Hani del dhe ikën në Itali, punon në një gazetë me vokacion të djathtë në Napoli, etj e mbas 20 vjetësh kthehet në Atdhe. Tani që të sjellë idetë Perëndimore, kulturën konservatore, qendresën dhe besimin, qoftë dhe aq sa mund të zgjojë dhe një i vetëm. Dhe:   

1- U hap opinioni çoroditës a çoroditja e opinionit, ndoshta dhe vetvetiu, që kandidati i parë është vënë me marrëveshje për kandidatin e dytë, se i dyti e ka të sigurtë, po i duhet i pari, që të jetë, si të thuash, i përligjur, siç është bërë dhe herët e tjera, kështu thonë e nuk fyhet e nuk indinjohet askush… 

E pabesueshme për mua që Basha do ta donte një fitore mashtruese..

2- Jo në biseda kafenesh, por në studiot televizive, në intervistat me Gjergj Hanin po i thuhet hapur, që dhe nëse nuk je në një marrëveshje me atë, të dytin, e ke të kotë, ti nuk fiton, as të njohin dhe as ke përvojë, kush ta jep votën ty(?!).

Vota nuk është për të, por për idetë e tij dhe rimëkëmbjen. 

3- Madje shkohet deri atje, që të thuhet açik, që edhe sikur të votojnë për ty, gjë që nuk ndodh, sipas parashikimit të Kasandrave mediatike, ata, mëtonjësi tjetër, partia, i kanë të gjitha mjetet që të nxjerrin fitues atë tjetrin, të dytin. (?!?)

E pabesueshme them prapë për një Parti Demokratike! E rëndë për një epokë demokratike! Për një popull të lirë. E keqja pranohet si të jetë një nen, zakon, si normalitet. 

Gjergj Hani vështron I pahutuar. E di. Edhe buzëqesh lehtë. Thotë dhe s’ka gjë, kam ardhur të bëj timen, t’ju them…

Ndërkaq për intervistën e tij serioze me gazetarin Muç Nano unë shkruajta një koment:

Një gazetar që pati mirësinë të dëgjojë, Nano i durueshëm në profesionin e tij dhe Gjergj Hani i shkëlqyer, i qartë në ide dhe në shpirt, filozofi i munguar i gjendjes, udhërrëfyes modest, por siperan ndaj atyre që e rrethojnë: ai e di rrugën, po e tregon…

Dhe s’duhet lënë vetëm. Ndërgjegjja qytetare, përgjegjësia e gazetarit, investiguesve të së vërtetës, ta vërtetojnë atë që thuhet dhe thonë, të nxjerrin proven, që të mos mbetet si thashethem, nëse s’është. Studioja televizive duhet të jetë institucion i informimit të të vërtetave dhe, nëse do të ndodhë ashtu siç parashikojnë, nëse nuk e ndalin dot, duhet apeli qytetarëve që së bashku me ata të ngrihen kundër krimit elektoral, padrejtësisë së lartë, ta denoncojnë dhe në Institucionet e Drejtësisë, në Spak, nëse është për këto çështje vërtet, në Bruksel, në Hagë. 

Ç’është kjo gjëndje dhe realitet ku më seriozisht dhe më me emocion merren spektaklet bjerrakohëse të tipit “Big Brother” dhe jo realiteti spektakolar njeribjerrës, ku “Big Brother-at” dalin nga ekranet dhe duan të sundojnë të gjithën mbi të gjithë? Ndaj dhe përhapet kjo ftymë mosbesimi dhe status quo-je, që shkon keq e më keq, teksa mediat vërtet mund të bëjnë krejt tjetër dhe shumë, jo disinformim, por informim, pse jo dhe formim në dobi të popullit të tyre.

ZËRI YNË  

I GJERGJ HANIT

Unë jam i prirur dhe i besoj asaj që Gjergj Hani thotë, ashtu bindshëm, me qytetari, i qetë, i hapur, me filozofi të kuptueshme, me shqetësimin e shumëve, me dashuri Biblike e urtësi Kurani, që kërkon të sjellë dhe pse jo të mos e prijë, ndryshimin dhe rimëkëmbjen, sfidë ndaj kësaj gjendjeje dhe realitet të amullt, kundër politikës në vetvete, të shkëputur nga realiteti dhe gjendja, që si rrjedhojë i ka lënë dhe si të tilla, ndotjes morale të mjedisit ideologjik, që kërkon të startojë aty ku dhe është, në PD-në e tij.   Me tagrin e një qytetari të zakonshëm, që e konsideron të rëndësishme pjesëmarrjen në shqetësimet aktuale të përbashkëta, unë bëra dhe këtë koment në rrjetet sociale, pas shfaqjes së Gjergj Hanit si kandidat:  

“Një zë i veçantë, që vjen nga humnera, nga vuajtja e madhe, nga burgjet politike, me ëndrrën e lirisë, të demokracisë, i qartë, me mendim dhe vizion, me besim, jashtë strukturave dhe zyrave, por me dëshirat, aspiratat dhe idealet e demokratëve të shumtë e të thjeshtë, të qytetarëve, që kërkon të kemi moralin e munguar në politikë, të rimëkëmbë një të djathtë politike në shërbim të një realiteti pa urrejtje, të drejtë, jo retorik, të punës begatuese të gjithsecilit për një Shqipëri normale, të frymës dhe kulturës Perëndimore, të një Shqipërie EuroAtlantike… Dëgjojeni!”

Për rivalin e tij të njohur nga të gjithë, nuk kam shkruar gjë, se ai e ka treguar vetë rrugëtimin e tij si politikan, lider, kryetar bashkie, ministër i disahershëm dhe kryetar i Partisë Demokratike, vazhdues i liderit historik të saj, Sali Berishës, deri në ndarjen me të, pas shpalljes së vonë “non grata” nga DASH, Departamenti i Shtetit Amerikan, me akuzë të parë “minimin e demokracisë”? A do ta bënte Lulzim Basha këtë ndarje me të kaluarën, që është dhe e tij, pyet kandidati për kryetarin e ri të PD-së, Gjergj Hani, po të mos ishte kjo ndërhyrje drastike nga jashtë, nga SHBA, aleatit jetik i Kombit tone? Dhe përgjigjet po vetë që jo. Dhe i ka vënë vetes këtë mision: shkëputjen e PD-së, dhe jo vetëm të saj, nga e kaluara rrënimtare.  Ky ishte dhe misioni i themelimit të së parës parti opozitare, Partisë Demokratike, 33 vjet më parë, në dimrin 1990 dhe sot ndodhet në gjendjen më të rëndë e më të vështirë të saj, na thotë Gjergj Hani me fjalën dhe shkrimet e tij, Ky është realiteti, që sigurisht duhet të përjetohet me dhimbje nga e gjithë shoqëria, së pari nga anëtarët e PD-së dhe simpatizantët e shumtë, dhëmbje therëse siç është për Gjergj Hanin, që e sheh me sy kritik. Opozita në demokracitë normale e të kultivuara është pushteti moral i një vendi, dihet, ndërkaq nuk harrohet që PD-ja është dhe partia e ndryshimeve të mëdha, e kalimit të vendit nga sistemi diktatorial socialist në sistemin demokratik, të tregut të lirë, pra, në kapitalizëm dhe Gjergj Hani mendon dhe e vuan që PD-ja i ka braktisur idealet e fillimit, ato për të cilat dhe u themelua dhe i shkuam nga pas, edhe ne, që dolëm nga burgjet politike e kampet e përqëndrimeve, që sipas Gjergj Hanit, nuk ka të përndjekur, por kundërshtarë, jo ish të burgosur, por të burgosur politikë, jo ish pronarë, por pronarë, se “ish”-i është, jo “ish komuniste”, por komuniste. Ndërkaq ka që i gëzohen hapur apo fshehurazi apo paturpshëm këtij rrënimi nga lart e që punojnë për këtë antiarritje, që është ndërkohë dhe rrënim moral lart i vetë pozitës dhe e gjithë, – karikaturë e demokracisë, – duhet bërë e qartë se nuk i shërben shëndetit të vendit, kështu ngulmon dhe Gjergj Hani. Tranzicioni postdiktatorial kaq i lodhshëm, bipolarizues, i shtimit të ndërtimeve, rrugëve, betonizimeve, turizmit, lirsië, ikjeve, por dhe varfërisë në shumicë dhe i pasurimit të shpejtë, por dhe i dyshimtë i një pakice, tjetërsimit tashmë të demokracisë, avitja e praktikave të lëna dhe formave të kamufluara të burokracisë totalitariste, etj, duhen ndalur, bën apel Gjergj Hani dhe beson në në forcën që kërkon të drejtojë.   Fillon me moralin në politikë, për rrjedhojë dhe në të gjithë kapilarët e veprimtarive jetike të një vendi, i lënë pasdore nga partitë, pozitë dhe opozitë. Keqardhja politike e Gjegj Hanit dhe, për fat jo vetëm e tij, por e një shumice të madhe, është e thukët, një pozitë pa opozitë, që ndërsjelltas kërkojnë rrënimin fatal të njëra-tjetrës. Opozita nuk funksionon si duhet, kur është e copëzuar, grindjet brenda vetes, është e paqartë tani dhe kërkon kuturu marrjen e pushtetit, pa nënkuptuar pushtetin e ligjeve, të parimeve të demokracisë dhe të lirisë, në fund të fundit të mirëqenies ekonomike dhe shpirtërore. Parësore është lidhja tërësisht me BE dhe SHBA, çështja kombëtare, dy shtete shqiptare në Ballkan, ndërveprimet, strategjitë, etj. Duhet hierarkia e vlerave dhe rendi i detyrave dhe angazhimi qutetar. Nëse këto nuk janë aktive, madje me një diplomaci agresive, por thjesht i dorëzohen apatisë, indiferences ose shqip mënjanësisë, një (mos)keqardhje kombëtare jashtë nesh si retë mbi popullin, vërtet do të thosha se gjendja është më dramatike, zvetënimi dhe mosbesimi gjeneral nga politikëbërja dhe politikëbërësit e të gjitha kaheve dhe dekadave. Në klasën politike, të krijuar tashmë, ajo pjesë që merr pushtetin, pra e njërës parti, duket se instalon ethshëm vetveten dhe simetrinë e vet, partinë tjetër, opozitën, që e do për sfond dhe sa më të dobët, mundësisht të zhbëhet dora-dorës, por dhe të bëhet, aq sa i  duhet lojës dhe përdor mbetjet e saj për të përligjur kriminalisht sundimin me oligarkë e vazhdues e trashëgimtarë nostalgjikë të regjimit. Jo thjesht si gjak, por si mendësi dhe frymë urrejtjeje. Marrshimi mbrapsht!

  HERËT APO VONË APO JASHTË KOHE?

   Kanë filluar takimet në bazë, siç quhet me gjuhë partiake, të dy kandidatëve, Gjergj Hani dhe rivalit ë tij, Lulzim Basha. Pra ata po shkojnë nëpër rrethe të flasin me demokratët që do të votojnë për kryetarin e ri në PD zyrtare, po sa reale është, do ta tregojë e nesërmja. Gjergj Hani shkon në takime pa grup, pa shoqërues, vetëm me bashkëshorten, pa asnjëlloj mbështetje partiake, elektorrale, me makinën e tij që mbush rrugëm me bezninë nga xhepi i tij, me idetë e tij, me moralin e tij, me vuajtjen e tij, është njëri nga ne që kërkon të bëjë atë që do të donin shumica a të gjithë dhe takimet, sipas tij, janë sipas një formati të paracaktuar nga Partia, jo fort të volitëdhme për të, që nuk ka qenë pjesë e forumeve, grupimeve apo klaneve të interesave të tyre. Në rrjetet sociale unë sërish kam bërë komentin tim: Gjergj Hani po sjell vetveten, një prurje kritike e munguar, por e duhur. Idealist, me principe dhe real, ku pesimizmi është një arsye për ndryshim, me këmbët në tokë, kur shumëçka është e zhytur në llumin e gabimeve, fajeve dhe të korrupsionit, te mashtrimit dhe të përçarjes dhe talljes së trashë me realitetin, që na sundon, duket dhe nga vetë media, gati sharlatane, e kapur nga interesat oligarkike dhe mediokriteti mërzitës i vetvetes. Ai është bërë më i njohur dhe po ngjall interes të rëndësishëm. E përsërisim, pas zhgënjime të rënda, humbjeve të njëpasnjëshme dhe ndarjes së PD-së, ai ndjeu thirrjen e brendshme, jo që të konkurojë ndokënd, por të plotësojë boshllëkun e krijuar, moral dhe në ide e në veprim, mosbesimin apo lëvizjet e mbrapshta. Konkurenti i tij i sprovuar erdhi më pas, të rimarrë vendin që la bosh. Gjergj Hani do që t’u tregojë anëtarëve si askush tjetër më parë në PD, por dhe gjithë vendit që pse u arrit këtu e çfarë duhet bërë për të dalë, jo vetëm Partia dhe e djathta, por së bashku. Sërish si askush tjetër në fjalën e tij ka besim, Në themelet e Bashkimit Europian është kultura e krishterë dhe në Kushtetutën e SHBA është doktrina e lumturisë, kjo frymë është dhe në kumtet e tij. Paqe, pa urrejtje, pa hakmarrje, me drejtësi duke parë përpara, pa harruar… T’i shkojmë nga pas. Unë sërish kam komentuar:       Nëse do të humbet vizioni i Gjergj Hanit, ka për t’u humbur një mundësi e rrallë shprese, thirrja e hapur per moralitetin në politike, për rimëkëmbjen e një ideali dhe platforme zanafillëse të së djathtës, të paqena qartazi, por të deshiruara turbull nga mungesat e kultures se saj dhe përvojat. Gjergj Hani së paku kërkon të zgjojë ndergjegjet dhe përgjegjësitë duke ofruar ndërkohë pikërisht këtë vizion, prandaj duhet mbështetur per t’u kthyer në një realitet ecja nëpër këtë rrugë. Si kthesë dhe si ndryshim. Ndryshe demokracia e vendit është ende më e rrezikuar… 29 Korriku erdhi, nuk jemi herët, por vonë… mbase me dekada. Gjergj Hani sapo nisi të shkruajë kështu një kronikë të re në të djathtën e re, libër politik i historisë së tanishme. Nga e kaluara dhe përvoja të marrim vlerat dhe arritjet dhe dinjitetin. Gjergj Hanin nuk dua t’ja kundërvë kurrkujt, gjithkush që bëri atë që mundi, pararendësit e tij duhet ta mbështesin, kjo do të ishte e arsyshmja.   Nëse do votoni kryetar Gjergj Hanin, çdo demokrat i thjeshtë ka votuar vetveten e tanishme. Nëse jemi në kohën e sistemit që ëndërruan dhe deshën martirët dhe vuajtën të persekutuarit e shumtë burgjeve dhe internimeve dhe e dëshiruan qytetarët e një vendi të mbyllur, kundër të cilit u ngritën së pari studentët, rinia, të gjithë, që t’i besojmë se jemi në të tashmen e tyre, pse të mos jetë lider i kësaj ëndrre një që vjen nga ajo ëndërr, nga ajo vuajtje e madhe, që tashmë i ka këputur prangat që vinin mendjes dhe telat me gjemba shpirtit, Gjergj Hanit, për të sjellë sa më parë nga e ardhmja që e duam bashkë…

C:\Users\User\Downloads\IMG_6994.jpg

Filed Under: ESSE Tagged With: Visar Zhiti

POETJA E VRARË…ANTOLOGJI UKRAINASE…

July 12, 2023 by s p

Nga Visar Zhiti -/

Ukraina qëndron… Ajo po lufton, po lufton dhe me libra, me poezi, po fiton…Bota u trondit sërish, kur u vra nga bombardimet poetja dhe romancierja e re Victoria Amelina, dëshmitarja e sulmeve ruse, me artin e saj. Mediat në Perëndim, në Itali, Francë, etj, e deri në SHBA e shpërndanë lajmin e kobshëm: po bombardohet poezia…

Edhe një miku ynë shkrimtar, Dashnor Kokonozi, shkruajti i pari për atë…

Ukraina na dhimbet, Ukraina na mrekullon, vazhdon jo vetëm luftën, por dhe luftën kulturore, takimet letrare, çmimet, përkujtimoret, botimet, ja, Panairi i Librit në kryeqytet, në Kyiv, etj, etj.

Miku dhe poeti i dashur ukrainas Dmytro Chystiak nxori një antologji të poezisë së popullit të tij, “Klarinetat diellore”, me nja 50 poetë, në gjuhet frënge dhe atë italiane dhe po përurohet si të ishte një mision. Ai kujton ata që kanë mbështetur Ukrainën tani, poezinë e saj të lirisë dhe rendit vendet nga janë: Shqipëri, Belgjikë, Brazil, Spanjë, Itali, Kanada, Poloni, Rumani, Slloveni, Turqi, Hungari, Francë, Zvicër… Shqipëria sigurisht është e para se fillon me A, Albania. Ndërkaq atje, në Ukrainë, edhe pse janë të gjithë të armatosur, nuk po gjej ankesa që s’është ky poet apo ai a unë e të qëllojnë mbi antologjistin, të marrin tanksin dhe të hedhin predha mbi shtëpinë botuese a raketa mbi promovimet…

Vetëm pushtuesit rusë vranë dhe një shkrimtare ukrainase së fundmi, Victoria Amelina, 37 vjeçe, ishte më koleget e saj të huaj në një pizzeri dhe po bisedonin për organizimin e Festivalit të ri të poezisë, “New York”, poezia si metropol…

Ndërkaq në Kiev para u bë Panairi i Librit, pllakati i tij, punim i çiftit të dy artistëve, Romana Rymanyshyn dhe Andriy Lesiv, bëri “xhiron e botës”, sepse “Librat janë mbrojtje kundër çmendurive të çdo lloji”, shkruanin gazetat dhe kompozimi ishte i tillë, shikojeni: poshtë një libri të hapur si nën një strehim janë njerëz, burra që mbajnë librin mbi krye, me shpatulla, me krahë, me muskujt e mendjes e të shpirtit, edhe një foshnjë nga karroca e saj zgjat këmbkat të mbajë librin të mos bjerë, edhe një njeri me bastun mundohet të largojë një gjarpër në anë, kurse sipër librit rrumujshëm janë raketat, avionët luftarakë bombardues, tanket, (pikërisht mbi këmbkat e foshnjës), misilet, shkrepëtimat e tyre mizore, shenjat e trafikut të vdekjes…

Dhe një shkrimtare u vra… ciflat e bombave na kapën të gjithëve, mishi i poezisë rrjedh gjak…

Tre poezi të saj këtu, trini në nderim të triumfit të jetës mbi vdekjen, të qëllimit hyjnor, të vetë poezisë që po lufton, të Victoria Amelina-s, të atij çasti, për ju…

VICTORIA AMELINA

(1 Janar 1986 – 1 Korrik 2023)

STATISTIKAT E HUMBJEVE…

Statistikat e humbjeve tona janë sekrete,

deri në fund të luftës, nuk ka shifra.

Aty do të jetë fqinji, burri i asaj gruas

eksentrike që mbolli lulet e kuqe.

Miku, i cili nuk lajmëroi askënd.

Mësuesi që e pëlqenim aq shumë.

Ajo vajza irrituese dhe piktori

i çmuar nga të gjithë, që e dashuronin.

Në emër të sekretit shtetëror,

Betohem, nuk do t’i numëroj

të rënët tanë,

Nuk do t’i numëroj deri në rraskapitje

dhe deri në fund të luftës.

(Në fakt u përpoqa të numëroj – por

e humba.)

Lviv, 7. V. 2022

SIRENAT

Sirenat e sulmit ajror në të gjithë vendin

Ndjehen sikur të gjithë

janë nxjerrë jashtë për ekzekutim

Por vetëm një person është

në shënjestër

Zakonisht ai më këndej…

Këtë herë jo ti; gjithçka e qartë.

NUK SHKRUAJ POEZI

Nuk shkruaj poezi

shkruaj prozë

Por realiteti i luftës

i ha shenjat e pikësimit

kohezioni i fakteve

kohezionin ha

Sikur në gjuhë

të kishte rënë një granatë

copërat e gjuhës

janë poezi

por unë s’jam

dhe as kjo nuk është.

Ajo është në Charkiv

Ajo po lufton

Përktheu: Eda Zhiti

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 40
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Qendra Kulturore dhe Artistike Shqiptare “Margarita Xhepa” në edicionin e dytë të Paradës së madhe të kostumeve dhe muzikës tradicionale shqiptare
  • SERBIA SULMOI KOSOVËN ME BANDA KRIMINALE
  • Aleksandër Xhuvani drejtor dhe autori i teksteve në Normalen e Elbasanit
  • Shqiptarët në New York kryen homazhe në nderim të heroit të Kosovës Afrim Bunjaku
  • NY Vigil Tribute to Officer Bunjaku
  • 150 VJETORI I LINDJES SË HASAN PRISHTINËS, NJË NGJARJE QË TEJKALON KUFIJTË KOHORË E HAPËSINORË
  • KALENDAR Kur Papa Pali III merrte nën juridiksion papal, Urdhrin e Jezuitëve
  • SHKOLLA SHQIPE E MICHIGANIT, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË AMERIKË
  • Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier
  • Shtatori është dhembja dhe krenaria jonë, kujtimi për masakrën e Deliajve në Abri
  • KLARA  KODRA,  STUDIUESE  E  LETËRSISË  ARBËRESHE
  • Pyetje
  • Shqipëria po shitet, shqiptarët  rrijnë e vështrojnë
  • SERBIA – PROBLEM I BALLKANIT DHE JO ZGJIDHJE E TIJ
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1912) / FALË MARK KAKARRIQIT ARRITËM TË INTERVISTONIM NË QYTETIN TONË ISMAIL BEJ QEMALIN, PARA SE KY I FUNDIT TË NISEJ PËR TË SHPALLUR PAVARËSINË E SHQIPËRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT