-Qeveria përshëndet përfundimin pa asnjë incident të vizitave të pelegrinëve serbë/
PRISHTINË, 7 Nëntor 2015/ Qeveria e Republikës së Kosovës përshëndet përfundimin pa asnjë incident të vizitave të pelegrinëve serbë në Kishën e qytetit të Gjakovës dhe në kisha, manastire dhe varreza nëpër disa qytete të tjera të Kosovës.
Qeveria e Kosovës çmon lartë sjelljen e qytetarëve dhe të pelegrinëve gjatë këtyre vizitave si dhe përkushtimin e kryetares së Komunës së Gjakovës dhe autoriteteve lokale të Pejës, Deçanit, Suharekës, Prishtinës, Mitrovicës dhe komunave të tjera, ku kanë qëndruar pelegrinët serbë, si dhe Policinë e Kosovës, për profesionalizmin e dëshmuar.
Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se kjo është dëshmia më e mirë reale e bashkëjetesës dhe tolerancës tradicionale që karakterizon qytetarët e Kosovës, të të gjitha etnive dhe besimeve fetare.
Deklarata thkson se, “Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, janë të përkushtuar për të respektuar të gjitha vlerat demokratike evropiane, për të qenë pjesë e botës demokratike dhe e të gjitha organizatave ndërkombëtare që kanë të bëjnë me trashëgiminë, kulturën, arsimin e shkencën dhe avancimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të gjithanshëm ndërmjet kombeve në botë”.
Me këtë rast, qeveria e Kosovës vlerëson se pranimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), ditën e hënë, do të ishte një hap i rëndësishëm për fuqizimin e këtyre vlerave. “Republika e Kosovës e meriton dhe është e gatshme të jetë anëtare e denjë e UNESCO-s, pasi që ndan dhe beson në vlera të njëjta me misionin e kësaj organizate”, thekson deklarata e qeverisë kosovare./b.j/ Foto: Kortezi Zeri