Nga Frank Shkreli/
Katër nëntori shënoi 25-vjetorin e Meshës së Parë, pas një periudhe prej 45 vjetësh persekutimesh fetare në Shqipëri, meshë e cila u celebrua nga kleriku i njohur dhe guximtar, Dom Simon Jubani, më 4 nëntor, 1990 në Shkodër. Konsiderohet kjo si mesha që shënoi fillimin e shëmbjes së komunizmit dhe rivendosjen e lirive, përfshirë lirinë fetare, në Shqipëri. Të mërkurën, në qytetin e Shkodrës u përkujtua ky përvjetor me ceremoni fetare nga udhëheqës të Kishës Katolike, ku morën pjesë edhe përfaqsues të feve të tjera. Të pranishëm ishin gjithashtu zyrtarë të lartë politik të vendit, përfshirë Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Ia vlen që me rastin e këtij përvjetori të kujtohet edhe vizita e parë e protagonistit kryesor të kësaj ngjarjeje me rëndësi, Dom Simon Jubanit në Amerikë, në maj të vitit 1991 dhe pritjes madhështore që iu bë atij në atë kohë anë e mbanë Amerikës, në qarqet amerikane si edhe në komunitetet shqiptaro-amerikane dhe nga besimtarët shqiptarë të tre feve.
Protagonisti një epoke të re në Shqipëri! Kështu qe cilësuar Dom Simon Jubani gjatë vizitës së tij në maj të vitit 1991 në Universitetin e San Franciscos në Shtetet e Bashkuara, universiteti që i akordoi atij doktoratën e nderit. Në maj të vitit 1991, Dom Simon Jubani, i mbijetuari i burgjeve të Enver Hoxhës, vizitoi një numër shtetesh dhe qytetesh amerikane, përfshirë San Franciskon, Los Angjelesin, New Jorkun, Detroitin dhe Washingtonin. Gjatë vizitës së tij në Shtetetet e Bashkuara, kudo shkoi, ai u prit me entuziazëm dhe si hero, ndërkohë që i ishin rezervuar nderimet dhe pritjet më të mëdha, jo vetëm nga komuniteti shqiptaro-amerikan, por edhe nga vet amerikanët, zyrtarë dhe joyzrtarë, me të cilët ai takua gjatë qëndrimit të tij në Amerikë, e të cilët tani kishin dëgjuar për aktin e tij guximtar. Shtypi i kohës, si ai amerikan ashtu edhe shtypi i komunitetit shqiptaro-amerikan, përfshirë Buletinin Katolik Shqiptar, mbuluan vizitën e tij dhe këto shënime janë nga burime të ndryshme dhe nga kujtimet e mia të asaj vizite të paharrueshme.
Në San Francisco, Dom Jubanit iu akordua doktorata e nderit nga Universiteti i San Franciskos, i treti shqiptar, pas Nën Terezës dhe At Shtjefën Gjeçovit që është nderuar me atë titull nga i njëjti universitet, me motivacionin:
“Për qëndrimin tuaj të guximshëm ndaj lirisë së fesë madje edhe me mohimin e lirisë, duke paguar një kosto të lartë prej 26 vjetë burgim dhe kampe pune. Për përpjekjet tuaja të palodhshme dhe për thirrjet tua për një pajtim kombëtar në Shqipërinë e re postkomuniste, ashtuqë falja dhe drejtësia të kenë mundësi të zëvendsojnë shtypjet totalitare komuniste. Për bashkpunimin tuaj ekumenik me vëllëzërit e krishtërë dhe për bashkpunimin tuaj ndërfetar me besimtarët myslimanë dhe hebrejë. Dhe për praninë tuaj profetike këtu, duke përfaqësuar një numër të madh shqiptarësh të cilët kanë vuajtur persekutimet fetare dhe të cilët kanë dhënë jetën për besimin e tyre, për drejtësinë dhe për paqën.” Ky ishte motivacioni për nderimin e lartë akademik dhe njohja publike që iu akordua Dom Simon Jubanit në Amerikë — të burgosurit shqiptar të ndërgjegjës fetare dhe apostullit të lirisë fetare, nga Universiteti i San Franciskos më 4 maj, 1991.
Tepër i emocionuar nga ky nderim që iu akordua atij nga një universitet amerikan, Dom Simon Jubani nuk mundi të përmbante entuziazmin dhe kënaqësinë e tij të madhe për praninë e tij aty dhe për nderimin që iu akordua atij, duke thënë, ndër të tjera se në të vërtetë, ky ishte një nderim që i bëhej mbarë kombit shqiptar dhe vazhdoi duke thënë: “Unë nuk jam ipeshkëv, por një prift i thjeshtë katundi. Jam përpjekur të jetoj sipas besimit tim dhe të inkurajojë gjithashtu popullin tim që t’i rrij besnik Perëndisë dhe besimeve të veta fetare. Për këtë aktivitet, unë dhe vëllai im Lazëri, gjithashtu prift, kemi kaluar gjithsejt 62 vjetë në burgjet dhe në kampet e punës në Shqipërinë komuniste. Vëllai im Lazëri ishte me fat sepse vdiq atje si martir i Kishës. Por siç duket, ishte caktuar prej Zotit që unë të jem sot para jush një dëshmitar i vuajtjeve dhe martirizimit të katolikëve dhe besimtarëve të tjerë në Shqipëri. Unë e pranojë me kënaqësi këtë nderim akademik të çmueshëm, jo për meritat e mia, por në emër të klerit katolik shqiptar dhe të gjithë atyre besimtarëve të feve të tjera të cilët gjithashtu kanë vuajtur dhe kanë dhënë jetën për fe, për drejtësi dhe për liri. Sot, në të vërtetë, ju po nderoni mbarë kombin shqiptar”, përfundoi Dom Jubani fjalimin e tij me rastin e dekorimit nga Universiteti San Francisco, ndërkohë që në emër të popullit shqiptar falenderoi universitetin dhe të pranishmit. Në takimet e tija në San Francisco dhe në të vërtetë gjatë gjithë asaj vizite, Dom Jubani fliste më shumë për të tjerët se sa për veten, duke thënë se të tjerët kanë vuajtur më shumë se ai, dhe se i mbarë populli shqiptar ishte një viktimë e pafajshme e një regjimi të ashpër e të mbrapsht, që promovonte aktivitetet kundër besimit, ndërkohë që kishte shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë, diçka e pa dëgjuar dhe e pa parë më përpara në botë, duke i shpallur luftë edhe Perëndisë.
Ndërkaq, duke falenderuar Dom Jubanin për praninë e tij aty, Presidenti i Universitetit San Francisco, At Lo Schiavo u tha të pranishëmve se Dom Simon Jubani ishte, “Një inspirim për të gjithë ne në këtë universitet, si dëshmitar heroik i fesë. Për më tepër”, shtoi ai Dom Jubani, “Është simbol i feve të shqiptarëve, kështuqë besoj se duke nderuar atë, ne nderojmë shqiptarët e të gjitha feve, për heroizmin dhe për besinkërinë e tyre ndaj besimeve të veta gjatë asaj periudhe aq të vështirë për ta. Kam bindjen”, shtoi presdienti i Universitetot San Francisco se, “Ceremnia e sotëme shpreh unitetin dhe solidaritetin tonë me popullin shqiptar. Ne shpresojmë se liria e tyre në përgjithësi dhe ajo fetare në veçanti, do të rritet e do të konsolidohet dhe se besimi në Perëndinë do të përhapet jo vetëm në Shqipëri, por anë e mbanë botës, përfshirë vendin tonë.”
Pas vizitës San Francisco ai vizitoi Los Angjelesin ku sipas Buletinit Katolik Shqiptar, Dom Jubani gjatë qëndrimit atje, ka thënë një meshë për shqiptarët e të gjitha besimeve dhe se gjatë predikimit i kishte këshilluar shqiptaro-amerikanët që të mbeten qytetarë të mirë, besnikë dhe të denjë të Amerikës, duke shtuar se duhet të ishin mirënjohës që ishin larguar nga ferri dhe ardhur në parajsë dhe si të tillë duhet të respektojnë mikpritjen që u është ofruar atyre. Gjatë turneut të tij në Amerikë dhe pas largimit nga Kalifornia, Dom Simon Jubani vizitoi komunitetet e mëdha shqiptaro-amerikane në New York dhe në Detroit, ku u prit si hero jo vetëm nga besimtarët katolikë, por edhe nga udhëheqsit fetarë të besimeve të tjera dhe nga besimtarët e tyre.
Ndonëse në bisedë me të gjatë vizitës në Washintgton ai nuk mungonte të ishte kritik ndaj Shteteve të Bashkuara dhe e quante Amerikën si vendi i paradokseve, gazeta katolike Register njoftonte në atë kohë se gjatë një vizite në një shkollë fillore në Holivud ai u kishte thënë nxensëve, se “Amerika është kampione e demokracisë, e paqës dhe e përparimit. Europa kishte të gjitha luftërat. Amerikanët janë paqësorë e duan paqën. Edhe ju duhet të jeni paqësor dhe të doni njëri tjetërin – të falni dhe të harroni”. Megjithë kritikat e tija, në të vërtetë ky ishte mesazhi kryesor i Dom Jubanit gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara dhe sidomos gjatë qëndrimit të tij në Washington.
Dom Simon Jubani, kishte rezervuar gjithashtu disa ditë për të vizituar kryeqytetin amerikan ku pat zhvilluar një numër takimesh me anëtarë të njohur të Kongresit të Shteteteve të Bashkuara që dalloheshin si mbrojtës të të drejtave të njeriut, Senatori dennis De Concini dhe Chris . përfshirë Senatorin Dennis DeConcini, Deputetin Cristopher Smith e të tjerë. Ndër takimet e tjera në kryeqytetin amerikan, Dom Simon Jubani u prit gjithashtu edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe u takua me udhëheqës të lartë të Kishës Katolike Amerikane. Në takimet e tija me zyrtarët e lartë amerikanë, ai bëri thirrje për ndihma urgjente ekonomike dhe humanitare për Shqipërinë. Ndërkaq, Kongresi Amerikan shënoi vizitën e tij në Amerikë me një kryeartikull në gazetën zyrtare të Kongresit (Congressional Record) me titull: Përshëndetje dhe nderim për Dom Simon Jubanin, një mbijetues i kampeve të vdekjes në Shqipëri (SALUTE TO FATHER JUBANI, A BRAVE SURVIVOR OF ALBANIAN DEATH CAMPS). Miku i Shqiptarëve, deputeti nga shteti Michigan, William Broomfield për informacion për kolegët e tij shkruante më 25 qershor, 1991: “Për 26 vjetë, Dom Simon Jubani mbahej në burgjet e Shqipërisë sepse refuzonte të mohonte fenë e vet. I izoluar në një dhomë të vogël me viktima të tjera të atij regjimi shtypës, ai u rrah dhe u mundua, nën kushte të rënda dhe shumë të tmershme. Vëllai i tij, gjithashtu një klerik katolik, u helmua nga rojet e burgut. Dom Jubani mbijetoi dhe u lirua nga burgu në vitin 1989. Sot e mbarë Shqipëria po çlirohet nga komunizmi… Ashtu siç mori fund tmerri i gjatë i Dom Jubanit, le të shpresojmë se edhe terri i natës së gjatë dhe pikëllues për Shqipërinë, të marrë fund këtë vit me fitoren e lirisë mbi forcat e territ.”
Në këtë 25-vjetor të meshës së parë nga Dom Simon Jubani dhe të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, kujtojmë guximin e Dom Jubanit, bashkvuajtësit e tij dhe të gjitha vikimat e komunizmit në Shqipëri, pa dallim feje ose krahine. Gjatë vizitës në Amerikë, Dom Jubani u prit me entuziazëm dhe dashuri nga të gjithë, e pa dallim, si përfaqsues i të gjithë atyre që vuajtën dhe dhanë jetën, vetëm e vetëm, sepse donin të gëzonin lirinë e fesë dhe liritë e tjera themelore të njeriut. 25-vjetë më vonë, shpresojmë që nga ajo vizitë edhe Dom Jubani të jetë këthyer në atdhe me përshtypje të mira nga pritja entuziaste dhe nderimet që iu akorduan atij nga bashkatdhetarët e vet të të gjitha feve dhe nga përfaqsues të lartë politikë dhe fetarë të Shteteve të Bashkuara.