• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRESIDENTI NISHANI DEKORON INDIVIDE NE DIASPORE

September 24, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani vlerëson figura dhe personalitete me kontribute të spikatura të Bashkësisë Shqiptaro-Amerikane: Krenarë që jemi shqiptarë!/

24 shtator 2016-Nju-Jork, SHBA/

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani vlerësoi dhe çmoi në një ceremoni mbresëlënëse dekorimi në prani të shumë bashkatdhetarëve, kontributin mjaft të rëndësishëm të disa personaliteteve shqiptaro-amerikane me veprimtari të shquar atdhetare e shoqërore.

Kryetari i Shtetit shqiptar, i mikpritur ngrohtësisht së bashku me Zonjën e Parë Odeta Nishani në një atmosferë festive në Manhatan, shprehu kënaqësinë dhe emocionin e madh të shkaktuar nga takimi me bashkatdhetarët, duke vlerësuar në të njëjtën kohë atdhedashurinë dhe vullnetin e tyre për të ruajtur ndër breza identitetin dhe frymën kombëtare në shtetin më të fuqishëm e më demokratik në botë, në zemër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Me këtë rast, Presidenti Nishani nënvizoi mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të partnerit strategjik dhe aleatit të pazëvendësueshëm të dhënë ndaj demokracisë dhe institucioneve shqiptare, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të qeverive të saj në kohët më vendimtare të historisë së kombit shqiptar, ndaj shqiptarëve kudo ku janë: në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Luginën e Preshevës, Çamëri.

“Kjo traditë do ta vazhdojë në ditët, muajt, vitet, dekadat dhe shekujt në vijim miqësinë mes Shqipërisë dhe Shteteteve të Bashkuara të Amerikës” – theksoi Presidenti.

Presidenti Nishani çmoi rolin thelbësor e të pamohueshëm të Diasporës shqiptare për evidentimin dhe ruajtjen e vlerave të vërteta njerëzore e traditave të mrekullueshme të shqiptarëve.

“Ky vlerësim është për ju që jeni sonte në këtë sallë, për qindra mijëra shqiptarët kudo në Shtetet e Bashkuara, për familjet tuaja, të cilat ju mësuan jo vetëm respektin për të parët tuaj, por ju lanë trashëgim edhe respektin dhe krenarinë e të qenit shqiptarë”. – vuri në pah Presidenti Nishani.

Në veçanti, Kreu i Shtetit vuri në pah kontributin e jashtëzakonshëm dhe atdhetar, nëpërmjet ceremonisë zyrtare të dekorimeve, ku, u vlerësuan me Dekoratën “Nderi i Kombit” zotin Stan Dragoti me motivacionin: “Në vlerësim të krijimtarisë së tij të pasur kinematografike, rolit e kontributit të çmuar dhënë për dekada me radhë ndaj forcimit të lidhjeve të gjithanshme amerikano-shqiptare, si dhe përfaqësimit dinjitoz si artist i rrallë, duke lartësuar emrin e kombit shqiptar kudo në botë”; me Titullin “Mjeshtër i Madh” zotin Gëzim Nika: “Në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e tij të shquar artistike dhe kontributin e rëndësishëm shumëvjeçar në lartësimin dhe përçimin e vlerave të rralla e të vyera të muzikës popullore shqiptare” si dhe me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” zotin Musli Mulosmanaj: “Në vlerësim të qëndresës fisnike e të paepur ndaj përndjekjes së diktaturës, si dhe me mirënjohje për veprimtarinë e tij të shquar atdhetare, kontributin e qenësishëm dhënë për mbrojtjen e përparimin e çështjes shqiptare”;zotin Vehbi Bajrami: “Në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për veprimtarinë e tij të spikatur atdhetare si dhe për kontributin e rëndësishëm mediatik në mbajtjen gjallë, përhapjen dhe lartësimin e vlerave më të çmuara të kombit tonë në bashkësinë shqiptaro-amerikane”; zotin Sami Repishti me motivacionin: “Me mirënjohje për vuajtjet e sakrificat e parrëfyeshme, përpjekjet mbinjerëzore dhe qëndresën stoike ndaj diktaturës komuniste. Në nderim të veprimtarisë së palodhur atdhetare për çështjes kombëtare, si dhe në respekt të rolit e kontributit të çmuar dhënë për dekada me radhë si veprimtar i shquar i të drejtave të njeriut; farkëtues i lidhjeve të gjithanshme shqiptaro-amerikane, duke u shndërruar në një simbol të rrallë e të vyer të shqiptarizmit”; zotin Frank Shkreli me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së shquar atdhetare dhe kontributit të vyer shumëvjeçar si gazetar, publicist e redaktor i Seksionit Shqip dhe drejtues i palodhur i Divizionit Euro-Aziatik të “Zërit të Amerikës”, duke përhapur, mbrojtur me paanshmëri dhe lartësuar vlerat e parimet e shenjta të lirisë dhe demokracisë”.

Presidenti Nishani dekoroi gjithashtu zonjën Lisa Milicaj me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e saj të shquar sipërmarrëse dhe politike, si dhe në vlerësim të arritjes së saj historike, duke qenë gruaja e parë shqiptaro-amerikane e zgjedhur në Shtetin e Nju-Jorkut; kontribuese e devotshme publike në mbrojtje, përhapje dhe lartësim të vlerave e parimeve të shenjta të lirisë dhe demokracisë” dhe zotin Lui Fundo me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”: “Në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e tij të shquar atdhetare dhe sipërmarrëse, si dhe në vlerësim të kontributit të vyer dhënë në forcimin e lidhjeve historike shqiptaro-amerikane, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike e tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë”.

Në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni, Presidenti Nishani u shpreh se: “është kënaqësi e veçantë të jem në mesin e bashkëkombësve të mi, të cilët kanë ardhur këtu për të ndërtuar një jetë më të mirë për veten e tyre, por nuk kanë harruar asnjëherë nga kanë ardhur dhe kush janë. Çdo ditë të jetës dhe punës tuaj në Amerikë, ju e keni dëshmuar se çfarë do të thotë të jesh shqiptar dhe ta duash vendin tënd. Ju keni bërë që miqësia shqiptaro-amerikane të thellohet dhe keni qenë faktor i rëndësishëm që çështja shqiptarë të jetë në agjendën amerikane. Ju keni mbajtur gjallë ëndrrën e shqiptarëve për liri edhe atëherë kur ajo dhunohej nga vetë ne shqiptarët. Ju keni mbajtur të gjallë ëndrrën për liri edhe atëherë kur ajo na mohohej nga të tjerët.

Shqiptarët e Amerikës, të gjithë brezat kush më shumë e kush më pak, dikush më miqësitë në nivele të larta politike, dikush më miqësinë me median, dikush më kontribut financiar e fizik, e dikush tjetër duke mbajtur familjet e tyre në trojet shqiptare, keni dhënë për Shqipërinë dhe shqiptarët një kontribut të jashtëzakonshëm. Kur askush në këtë anë të botës nuk e njihte Shqipërinë, diaspora e hershme këtu, ka bërë që Amerika të ishte në anën e shqiptarëve. Kur shteti zyrtar shqiptar vetëshpallej armik i Amerikës, ju shqiptarët e Amerikës keni bërë gjithçka që keni pasur mundësi që Amerika mos t’i braktistë shqiptarët mos ta harronte çështjen shqiptare. Kur ne po rigjenim lirinë pas errësirës së komunizmit, ju shqiptarët e Amerikës ishit të parët që ndihmuat, të parët që rivendosët lidhjet mes dy vendeve tona, dhe të parët që erdhët për ta rindërtuar dhe ringritur Shqipërinë, tashmë ashtu siç e kemi ëndërruar gjatë. Kur Kosova ishte në rrezik shfarosjeje, ju ishit të parët për të ngritur zërin, për të ndërgjegjësuar administratën amerikane për rrezikun që po iu kanosej shqiptarëve. Nuk u ndalët me kaq, po ndihmuat më qindra e mijëra familje kur ato kishin më së shumti nevojë, djemtë tuaj ishin vullnetarë dhe të patrembur në luftë për të mbrojtur popullin e Kosovës dhe ishit të parët që investuat për të ringritur Kosovën e shkatërruar nga lufta dhe gjenocidi. Ju çdoherë dhe në çdo kohë keni punuar dhe vepruar që sot të gjithë ne të themi me mburrje: JAM SHQIPTAR!

Kontributi i shqiptarëve të Amerikës është i veçantë i pazëvendësueshëm dhe që meriton mirënjohjen e shtetit shqiptar. Sonte, në cilësinë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, kam vendosur që të dekorohen disa figura të shquara të diasporës shqiptare të Amerikës, por, secili shqiptar i Amerikës meriton mirënjohje të veçantë për kontributin e dhënë për çështjen shqiptare. Çështja kombëtare nuk është retorikë, por një kolonë thelbësore e identiteti tonë, dhe për ju në këtë vend të madh e të lirë ka qenë e mundur të punohet e të merren rezultate për çështjen kombëtare. Prandaj ne duhet të frymëzohemi, të ruajmë identitetin tonë dhe para të gjithash me krenari origjinën tonë: JAM SHQIPTAR!

Zoti e bekoftë popullin amerikan! Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë në botë!” – përfundoi fjalën e Tij Presidenti Nishani.

Në përfundim të kësaj pritjeje me bashkatdhetarët Shoqata e Policëve Shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shprehu Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani mirënjohjen dhe vlerësimin për mbështetjen e Tij besnike e të përkushtuar që ka treguar ndaj anëtarëve të Komunitetit Ligjzbatues Shqiptaro-Amerikan në të gjithë Amerikën.

Filed Under: Featured, Komunitet Tagged With: diaspore, figura, presidenti Nishani, vleresim

SHQIPERIA VLERESON GJYKATEN E HAGES, KRITIKON ASHPER SERBINE

April 11, 2013 by dgreca

Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha shprehu vlerësimin e Shqipërisë për Gjykatën e Hagës, si edhe të gjitha gjykatat e tjera ndërkombëtare, si për ruajtjen e paanshmërisë, ashtu edhe për dhënien e drejtësisë.

Në debatin tematik të Asamblesë së Përgjithshme me temë “Roli i Drejtësisë Penale Ndërkombëtare për Pajtim”, Hoxha tha se “për ne, vënia në dyshim e meritave të Gjykatës, në përmbushje të çfarëdo agjende të caktuar politike, është një lexim i shtrembëruar i rolit të Asamblesë së Përgjithshme; në rastin më të mirë është një vlerësim i pavërtetë i punës së Gjykatës, mbështetur në një vendim të pabazuar dhe, në rastin më të keq, përbën një kërcënim të madh për vazhdimin e procesit të pajtimit në rajon. Rajoni ynë nuk ka nevojë për këtë dhe ne nuk jemi pjesë e këtij skenari”.

Shqipëria iu bashkua deklaratës së BE-së, të dhënë dje, vijoi Hoxha duke shtuar se “më duhet ta them qartë dhe me zë të lartë se ne dënojmë në tërësi mënyrën se si është ndërtuar ky debat”.

“Së pari, ne shprehim rezerva të forta për motivet e tij reale, të cilat, siç është deklaruar gjerësisht e në mënyrë të hapur nga vetë kryetari i Asamblesë së Përgjithshme (Vuk Jeremiq), kudo ku ka pasur mundësi të shprehet, kanë për qëllim të veçojnë një gjykatë të veçantë, atë të Hagës, me një synim të deklaruar për të përdorur këtë aktivitet, si dhe vetë Organizatën e Kombeve të Bashkuara për të denigruar punën e kësaj gjykate dhe trashëgiminë e saj dhe për të vënë në pikëpyetje politikisht vendimet e saj”, tha Hoxha.

Sipas tij “nuk janë për t’u çuditur deklaratat e djeshme të presidentit të Serbisë, i cili përsëriti shumëllojshmërinë e akuzave, së pari kundër gjithçkaje që Gjykata ka bërë deri tani e po ashtu, kundër pothuajse të gjithë jo serbëve në rajon”.

“Së dyti, vështirë të gjesh tjetër aktivitet të ngjashëm të OKB-së, të organizuar në fshehtësi të tillë dhe me një mungesë totale të transparencës. Lista e të ftuarve, e panjohur për OKB-në deri në ditën e fundit, është absolutisht e diskutueshme, por për fat të keq, zëri i viktimave, ata për të cilët kërkohet të bëhet drejtësia, është përjashtuar. Siç edhe druhej se lista e të ftuarve do të ishte një zgjedhje e synuar, shumica dërrmuese e ndërhyrjeve të dy sesioneve të pasdites nuk qe, as më shumë e as më pak, një sulm entuziast ndaj Gjykatës së Hagës”, vijoi Hoxha.

Megjithatë, Hoxha veçoi një nga panelistët e djeshëm, Janine Clark, e cila në një ndërhyrje të balancuar, ftohu mendjet histerike për të ashtuquajturin trafik të organeve në Kosovë, e që me shumë gjasa është një ndër arsyet e vërteta të këtij aktiviteti. Ajo theksoi një përfundim të thjeshtë, por thelbësor: Gjykata e Hagës arriti në përfundimin se në këtë çështje nuk kishte asgjë për të hetuar: nuk kishte prova, nuk kishte dëshmitarë, nuk kishte kufoma, nuk kishte asnjë pistë hetimi. Ka ende vetëm hamendësime e mbi atë bazë, tonelata propagandë.

“Së treti, duke këmbëngulur me kokëfortësi për të zgjedhur dhe për të ruajtur një datë me një domethënie të veçantë historike në rajon, kryetari i Asamblesë zgjodhi të lundrojë në ujëra të errëta. Ne mendojmë se kjo qasje është aq e gabuar, e padëshiruar dhe në dëm të Gjykatës dhe punës së saj, sa edhe të imazhit dhe rolit të zyrës së kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Tema e diskutimit është interesante dhe e rëndësishme, por mënyra se si u organizua e bën aktivitetin të njëanshëm dhe të paekuilibruar”, tha më tej Hoxha.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Ban Ki-Mun, Ferit Hoxha, Gjykates se Hages, kritika Serbise, vleresim

Artikujt e fundit

  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”
  • Zhvillimi e përdorimi i Gjuhës Shqipe në diasporë
  • Diaspora, kapitali kombëtar që ende nuk dimë ta vlerësojmë
  • HOMAZH E NDERIM PËR TË GJITHË ATA QË NDIHMUAN TË BËHEJ SHQIPËRIA
  • FEDERATA VATRA DHE RIKRIJIMI I SHTETIT SHQIPTAR 1920-1921
  • Kolë Idromeno, “parganjoti” që u bë artist i madh në Shkodër
  • KRIJIMTARIA POETIKE E DRITËRO AGOLLIT
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1914) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME PRENK BIB DODËN NË DURRËS RRETH “AKSIONIT TË TIJ USHTARAK” PËR TË SHPËTUAR PRINC VIDIN
  • Ja pse Venezuela e Maduros nuk është viktimë, dhe pse SHBA po vepron ?
  • Rizza Milla: Radio “Zëri i Shqiptarëve” në Chicago, 3 dekada në shërbim të komunitetit dhe çështjes kombëtare
  • Promovohet filmi dokumentar “Shaban Murati-diplomati antitabu”
  • SHKRIMTARËT, LEXUESIT, KRITIKA…
  • REZISTENCA ANTIFASHISTE SHQIPTARE NË KONTEKSTIN E KOMBEVE TË BASHKUARA KUNDËR NAZIZMIT GJERMAN NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT