-Kosova në prije të Kuvendit e Qeverisë së re/
-A po përsëriten vonesat e vitit 2014 edhe në 2017-tën, derisa ende nuk ka zyrtarisht ndonjë datë kur do mblidhet e konstituohet Kuvendi i Kosovës i zgjedhjeve të 11 qershorit…?
PRISHTINË, 23 Korrik 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kosova vazhdon të jetë në në pritje, tashmë në muajin e dytë, të seancës konstituive të Kuvendit të zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit 2017 dhe të votimit të Qeverisë së re, për krijimin e së cilës duhen së paku 61 vota të parlamentit 120 anëtarësh, prej tyre 100 shqiptarë e 20 të komuniteteve pakicë.
Koalicioni parazgjedhor, fitues i zgjedhjeve, PDK-AAK-Nisma me 33,74% të votave ka 39 deputetë, e i duhen edhe votat e së paku 22 deputetëve që në seancën konstituive të Kuvendit të zgjedhë kryeparlamentarin e Kryesinë e më pastaj ta zgjedhë Qeverinë e re. Matematikat paszgjedhor llogarisin mundësinë te përkrahja, nëse do jetë, nga të gjithë 20 deputetët e pakicave dhe së paku nga 2 deputetë të dy subjekteve tjera shqiptare.
Këto dy subjekte, Lëvizja Vetëvendosje që garoi e vetme me 27,49% të votave – 32 deputetë dhe koalicioni LDK-AKR- Alternativa me 25,53% të votave – 29 deputetë mund të arrijnë të bëhen shumicë parlamentare me minimumin e numrit të mjaftueshëm prej 61 deputetësh vetëm nëse me të gjitha mandatet që kanë bëhen bashkë në koalicion paszgjedhor.
Nga subjektet e komuniteteve pakicë, më së shumti deputetë – 9, me 6,12% të votave, ka Lista Serbe. I 10-ti deputet serb është nga Partia e Pavarur Liberale, e cila ka 0,49% të votave, ndërsa edhe 10 deputetë janë të komuniteteve tjera pakicë.
Rezultatet nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm ta krijojë qeverinë e re, prandaj koalicionet paszgjedhore, që nuk u bënë ende, janë të domosdoshme si e vetmja alternativë për të mos shkuar sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme paralamentare, ndërkohë që Kosovën e presin edhe zgjedhjet e rregullta lokale këtë vit, në 22 tetor.
A mund të jetë 22 tetori edhe dita e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të dytave breda vitit 2017, bashkë me të rregulltat lokale? – është një pyetje që mund të bëhet derisa vazhdojnë vonesat në konstituimin e Kuvendit e zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës.
Një muaj para zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, në 10 maj, Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash, të opozitës e edhe të partisë më të madhe të maxhorancës – PDK, të mocionit të mosbesimit për qeverinë e udhëhequr nga LDK të zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve të 8 qershorit.
Para tre viteve, në 2014-tën, Kuvendi u konstituua e Qeveria u zgjodh vetëm pasi PDK-ja nënshkruajti koalicionin paszgjedhor me LDK-në, e cila për të mundësuar krijimin e institucioneve të Kosovës u largua nga koalicioni i parë paszgjedhor që kishte me AAK-në e Nismën e pastaj edhe Vetëvendosjen. A po përsëriten vonesat edhe në 2017-tën, derisa ende nuk ka zyrtarisht ndonjë datë kur do mblidhet e konstituohet Kuvendi i Kosovës i zgjedhjeve të 11 qershorit…?