• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VEPRIMTARI NDERIMI PËR SHKRIMTAREN VILHELME HAXHIRAJ – VRANARI

October 6, 2014 by dgreca

nga MSc. ALBERT HABAZAJ/
Pikërisht, ditën e Bajramit të Vogël, në qytetin e Vlorës Shoqata Kulturore – Atdhetare “Labëria” zhvilloi një veprimtari shumë mbresëlënëse për zonjën fisnike, Vilhelme Haxhiraj Vranari, shkrimtare e njohur jo vetëm në Vlorë, Tiranë e Shqipëri, por edhe në Rajon, në Europë e deri në SHBA. Shoqata “Labëria”, nga më të njohurat në mbarë Shqiptarinë, i dorëzoi titullin më të lartë, “PERSONALITET I SHQUAR I LABËRISË” që jep për figurat më të nderuara, me kontribute të veçanta kulturore kombëtare. Zonja Vranari ka shumë vlerësime e dekorata, por kjo dekoratë asaj i shkaktoi shumë emocione pozitive, se së pari ajo është bijë Labërie nga Kanina, me origjinë nga gjaku princor i Vrana Kontit, si dhe nuse po në Labëri, në Armen, tek z. Fitim Haxhiraj, me origjinë nga Krahësi i Tepelenës. Bashkëshorti i saj, Fitimi, me shpirt artisti, është menaxher i opusit letrar të Vilhelmes, shkrimtares, është cilësuar princeshë e letrave shqipe, Musine Kokolari e letrave shqipe. Fitimi qe dhe moderatori i kësaj veprimtarie, të cilën e çeli kryetari i shoqatës “Labëria”, për Vlorën, Z. Ahmet Demaj dhe që shpalosi tek të pranishmit vlerat letrare kulturore dhe atdhetare të Vilhelmes. Sekretari i kësaj shoqate, Albert Habazaj, u kërkoi të pranishmve 1′ heshje në nderim të poetit popullor Lefter Haxhiraj, i cili ka pak ditë, që është ndarë nga jeta. Folkori na zbukuron botën e brendshme, na bën më të mirë, më të bukur shpirtërisht. Kënga labe, si pjesë e së tërës folklorike shqiptare është gurrë popullore, është thesar i paçmuar, shufër floriri e kulturës sonë jomateriale. “Çinxërfilja” është një këngë labe e mirënjohur në rang kombëtar, një këngë polifonike, e bukur si një stinë me vajza – tha në nderimin e tij folësi. atë këngë e këndon grupi polifonik i Armenit, me marrës të magjishmin këngëar lab, Rramën Nuredini. Këtë këngë Artistja e famshme, Aurela Gaçe e ngriti në një majë tjetër artistike, nga e cila e shijojnë të gjithë artdashësit nëpërmjet televizionit, koncerteve të shumta brenda dhe jashtë vendit etj. “Cinxërfilja”, si çdo krijesë artistike, kishte patjetër një baba. “Cinxërfiles” i vdiq babai. Ju kërkoj, Miq Të Krijimit, të Vilhelmes dhe të fitimit, të mbajmë 1′ heshtje në kujtim të babait të “Cinxërfiles”, atij që bëri këtë lirikë popullore brilante,nëkujtim të të paharruarit Lefter Haxhiraj, i cili është dhe vëllai i Fitimit”. Më tej veprimtaria rrodhi në shtratin e saj të bukur, me fjalën e kulluar e të meçur të Prof. Dr. Eshref Imeri, ardhur enkas nga Amerika dhe me përshëndetjen e shkrimtarit të persekutuar Bedri Çoku. Shkrimtari dhe publicisti Albert Habazaj lexoi dy letrat që e nderuara Nimfa Hakani, i dërgon nga Amerika Shoqatës “Labëria” dhe mikeshës së saj, Vilhemes, të cilat u duartrokitën nxehtësisht nga pjesëmarrësit në aktivitet. të dy letrat po i dërgojmë për botim në gazetën tonë të dashur “Dielli”. Në vijim, Poeti i talentuar fierak Gentian Banaj, me origjinë nga Kanina, me zërin e tij, si artist i lindur, me shpirtin e tij të bukur si pranverë, interpretoi vargje nga krijimtaria e autores që nderojmë. Profesor Maku Pone, shkrimtar dhe poet, i njohur në rang kombëtar, erdhi nga Fieri me kënaqësi, pa e përfillur moshën e bardhë dhe bëri vlerësime serioze për krijimtarinë letrare, publicistike, shoqërore, politike dhe atdhetare të zonjës Vilheme Vranari Haxhiraj. Veprimaria u bë më emocionale, kur nënkryetari i Përgjithshëm i Shoqatës Kulturore – Atdhetare “Labëria”, Msc. Sejmen Gjokoli i dorëzoi Çertifikatën e nderit “Personalitet i Shquar i Labërisë”, shkrimtares së palodhur e prodhimtare Vilhelme Vranari Haxhiraj, e cila, me fisnikërinë e saj, pasi falënderoi, përcolli mesazhe mirëkuptimi,harmonie, ekuilibrash e dashurie për njeri -tjetrin, Atdheun dhe kulturën e këtij populli vital. Veprimtaria u pasqyrua nga “Tv 6 + 1 Vlora” dhe Tv “APOLON”, Fier, si emision special.
Letër Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria,

Të nderuar bashëatdhetarë të Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria.
Të nderuar pjesëmarrës në këtë takim vlerash të shpirtit lab që kombin e ka vënë gjithmonë mbi veten,
Të nderuar miq Vlonjatë që zini një vend të posaçëm në zemrën time,

Quhem Nimfa Hakani. Ju përshëndes nga ShBA, ku kam vite që jetoj e punoj bashkë me fëmijët e mi. Unë i kam kaluar 12 vitet e para të fëmijërisë sime në Vlorë. Po marr shkas nga kjo ngjarje të përkujtoj Vlorën që unë njoh dhe që ja ndjej mungesën. Kam një mall të patregur për detin, dhe kujtimet më të mira për vlonjatët bujarë e mikpritës, për shoqet e fëmijërisë dhe për mësuesit e përkushtuar vlonjatë, që më kanë dhënë dijet e para në bangat e shkollës, si mësuesja e rreptë por edhe e dhëmbshur Fotinia(shkolla e muzikës), dhe veçanërisht mësuesit e përkushtuar të shkollës “Halim Xhelo”. Nuk e harroj të mrekullueshmen Mësuese Lejla Shehun, që na magjepste ne si fëmijë, dhe na bënte të mësonim çdo ditë me devocion dhe na frymëzonte që detyrat t’i bënim pa asnjë gabim. Gjithmonë do ta kem në kujtesë, Mësuesin Kristaq Suli, që megjithëse asnjëherë nuk pata rastin ta kem mësuesin tim, më ndalonte korridoreve, mua dhe nxënësit e tjerë, e na hiqte veshin kur ne si fëmijë shkelnim rregullat e shkollës me çapkënllëqet tona, dhe që, i shtinte “tmerrin” nxënësve, të cilët asnjëherë nuk guxonin të shkonin të papërgatitur në lëndën e tij. Apo Daut Shtinon, mësuesin e fizikës që i merrte nxënësit e tij në tarracën e “Halim Xhelos” që të shikonin konstelacionet e yjeve,i cili më bënte mua të ndihesha keq që isha e vogël dhe nuk mund të shkoja dot me tim vëlla të shihja yjet.

Të nderuar Miq,
Po ju shkruaj për të përshëndetur Znj. Vilhelme Vranari-Haxhiraj për vlerësimin që do t’i jepet nga ana juaj këtë fundjave. Kisha planifikuar të vija në Shqipëri gjatë periudhës shtator-Tetor, dhe do të dëshiroja të isha midis jush për të uruar dhe përgëzuar miken time të mirë, për nderimin që do të marrë nga ana juaj në këto çaste, por gjërat rrodhën në mënyrë të tillë që nuk munda të vij. Duke mos mundur të jem atje, do t’ju kërkoja që të më bënit një nder të veçantë, të lexonit rreshtat e mëposhtëm të një shkrimi dedikuar grave shqipëtare me rastin e 8 Marsit 2014 dhe për të cilin jam frymëzuar nga zonja Haxhiraj që ju po e vlerësoni kaq lart.

Do të dëshiroja që sot ky shkrim t’i dedikohej si një urim Vilit, gruas që kaq shumë i ka dhënë qytetit të Vlorës.

Ju faleminderit për këtë mundësi.

Shpresoj se do të ma plotësoni këtë dëshirë!

Me respekt,
Nimfa Hakani

Letër për Vilhelme Haxhirajn

Gruas, që mbijetoi epokat dhe përsëri jeton mes dritë- hijeve të kohës!

”Mjeshtres së Madhe”Vivra dhe atyre grave që mposhtën vështirësitë dhe sot janë vetvetja.

Jeta shpesh është e padrejtë, e dashur mike… kudo që je. Veçse ndonjë herë është mizore e katile me disa njerëz, kur sistemi totalitar i pesëdhjetë vjetëve, u mundua ta thyejë shpirtin e shumë njerëzve pa arsye, por nuk mundi të ndrydhë shpirtin dhe forcën e karakterit tënd. Nuk mundi të shkatërrojë atë që ti ishe dhe u formove. Nuk mundi të transformojë atë që ti zotëroje si njeri. Ai sistem nuk ta ndrydhi apo tjetërsoi dot forcën tënde, sadoqë u mundua me çdo lloj mohimi dhe mënyre. Qoftë ty që të shtypi, qoftë ty që të “emancipoi”… dhe ti prapë ia dole mbanë.
Shumë njerëz që u trajtuan keq në atë sistem, humbën. Sot nuk ndihen e nuk i njeh njeri, Ata janë të thyer, të humbur, apo mbase nuk janë më. Ndërsa ti arrite të mbijetosh, ti arrite të kapërcesh pamundësitë, arrite të shkëlqesh si njeri,si grua, si krijuese në fushën e letërsisë,të shtypit e politikës,fal individualitetit tënd, fal forcës tënde shpirtërore, fal vetmohimit dhe inteligjencës tënde. Ti sot je një personalitet në qytetin tënd, në lagjen tënde, në komunitetin tënd e më gjerë. Madje respektohesh e nderohesh nga të dyja anët e ngastrave. Ti mbase, shpesh qëndron thjesht brënda mureve të shtëpisë tënde duke përhapur fjalën e shpirtit tënd në eter për të gjithë ata që ta dëgjojnë.
Sot je në një nivel që mund të ndihmosh të tjerët, pa patur pushtet, pa fituar asnjë post administrativ, por vetëm me forcën e karakterit tënd dhe të fjalës tënde.Ti jep një ndihmë të thjeshtë, një këshillë, thua një fjalë të ngrohtë nga shpirti yt dhe ato mbajnë, jo forcën e pushtetit, por forcën e shpirtit tënd femëror. Dhe në këtë përkrahje, ti arrin të kapërcesh mohimin dhe t’i”harrosh” ato ura e barriera që ndajnë edhe sot e kësaj dite në ngastra blu dhe të kuqe shumë shpirtra në Shqipëri; ura dhe barriera që po vazhdojnë ta dëmtojnë kombin po në atë mënyrë si e dëmtuan, e kufizuan për 50 vjet që të ecte me hapin e Europës dhe ende po e mbajnë atë peng, në një ngujim që po kthehet në një mur ndarës të shëmtuar pothuaj treçerek shekullor edhe tashti. Ti si grua ngrihesh mbi këtë mentalitet. Ti i thyen barrierat. Ti i kapërcen dhimbjet e tua njerëzore. Ti ngrihesh mbi nivelin e kohës dhe shikon të ardhmen në sy.
A e kupton lartësinë që ke arritur si njeri, mikja ime? Vështro rreth e qark dhe vur re ku ke arritur vetëm me aftësitë e tua.
Kurrë mos e harro këtë sado keq që mund të ndjehesh sot për çfarëdo arësye apo halli, që gjendja e sotme ekonomike dhe politike i bën shumë shqiptarë të ndihen keq dhe të përjetojnë pasiguri . Mos i lër ato hije të të mposhtin! Mbaje kokën lart, mikja ime! Zoti do të shohë një ditë ty dhe Shqipërinë dhe do të bëhet më mirë!
Por, ti e ke bërë Shqipërinë tashmë një vënd më të mirë, duke dhënë nga shpirti yt dhe zemra jote gjithëçka të mirë e të bukur që ti zotëron. Le të shpresojmë për më mirë, le të shpresojmë që ekonomia botërore nuk do të bjerë më, që ekonomia shqiptare do ta marrë veten, që politikat shqiptare nuk do të jenë më ndarëse, që ngujimit ku e kemi futur veten do t’i jepet fund së shpejti.Atëherë asgjë nuk do ta ndrydhë shpirtin tënd dhe që ne të gjithë do ta shohim njëri- tjetrin drejt në sy pa mbrapshtësinë me të cilën e shohim sot. Shqipëria ka nevojë për ty, për shpirtin tënd të gjërë, për fjalën tënde të ngrohtë, për mëndjen tënde të mprehtë.
Mikja ime…Vili!
Ti je gruaja! Ti je dhembja! Ti je shpirti ! Ti je guximi! Ti je e pamundura! Ti je lindja dhe rilindja! Ti je e ardhmja e Shqipërisë! Ti je jeta!
Me dashuri e respekt!
Nimfa Hakani Nju Jork, 7 Mars, 2014

Filed Under: Kulture Tagged With: veprimtari ne Vlore, Vilhelme Haxhiraj, Vranari

GËZUAR SHQIPËRI, 100 VJET PAVARËSI KOMBËTARE!

November 14, 2012 by dgreca

Ismail Qemali Arkitekt i Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare/

Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj/

 Të gjithë shqiptarët në fillim të shekullit XX, shpresonin se kishte ardhur koha që Shqipëria të ishte e Pavarur, pas 5 shekuj robëri. Pas vdekjes së Skënderbeut, grindjet mes principatave nuk e favorizonin kurrë njohjen e Shqipërisë si komb. Patriotët e Rilindjes Shqiptare dhe Arbëreshe kishin punuar për ta përgatitur opinionin për domosdoshmërinë e shkëputjes nga Turqia. Këtë mision e mori në dorë njeriu që e njihte mirë Turqinë dhe politikën e saj.

Ismail Qemali si diplomat, i pajisur me kulturë të gjerë, njohës i disa gjuhëve, shfrytëzoi rrethanat e kohës. *Pozita gjeografike e Shqipërisë si nyje në Mesdhe;*shtrirja nga Danubi në Gjirin e Artës, nga Vardari në brigjet e dy deteve;*kushtet fiziko- gjeogrfike, (vend malor i alternuar me fusha, ultësira dhe kodra), ndikuan në ruajtjen e kulturës, gjuhës dhe traditës, jo vetëm si dëshmi e etnisë pellazgo-iliro-arbëre, por faktorë që ndihmuan për Pavarësinë. *Bashkëjetesa e tri besimeve fetare ka ruajtur etninë dhe vëllazërimin e shqiptarëve, faktorë që i shfrytëzoi I. Qemali, i cili vuri në plan të parë *çështjen kombëtare, që evitoi *përçarjet mes shqiptarëve. *Vrasja e gjyshit të tij nga sulltani, bëri që ai të ishte shumë i matur në kërkesat ndaj P. Lartë. Për këtë arsye fillimisht kërkoi* Autonominë e Shqipërisë.

Si përkthyes i zoti, ai bëri karrierë politike. Qysh në moshë të re emërohet,*Guvernator i Varnës (Bullgari), ku jo më kot priti Perandorin Franc Jozef. Pas internimit në Azi të Vogël, shkon *Kryetar i Komisionit N/kombëtar në Danub. Më vonë *Kryetar i Dhomës së Deputetëve në Parlamentin turk, ku zhvilloi biseda mbi gjendjen aktuale të P. Osmane dhe zgjedhën e shteteve nën sundimin e saj. Këto takime apo poste titullare, ai i shfrytëzoi për çështjen kombëtare. *Analiza e tij mbi gjëndjen e Perandorisë në Egjipt, mbi çështjen e Kretës dhe luftën ruso-turke, e pavlerësuar nga sulltani, bëri që Porta e Lartë të pësonte disfatë. *Porse pasojat ranë mbi shtetet evropiane nën sundimin e Turqisë. Veçse kjo *analizë social-politike e I. Qemalit, i ngjante projektit të një arkitekti për të ngritur një ngrehinë të shndërruar në gërmadhë nga shekujt. Pra u bë përvoja parësore e Ismail Qemalit për të synuar drejt shpalljes së Pavarësisë kombëtare. *Posti i Ministrit të Jashtëm, që e dëmtonte çështjen shqiptare, u refuzua nga I. Qemali. *Njohja me rrethet përparimtare të Evropës e me personalitetet e shquara politike të kohës, e favorizonin për të bërë prezent problemin kombëtar në opinion botëror. Pas Mit’hat Pashës,*Kryetar i Partisë liberale turke u bë I. Qemali. Në një intervistë në Giornale d’Italia) më 23 qershor 1909, Ismail Qemali thekson: “Liberalët e Europës Perëndimore ngjajnë me trashëgimtarët e një pasurie të madhe, që shqetësohen për t’u kënaqur me të ardhurat e grumbulluara nga pararendësit e tyre. Nëse në Perëndim liberalizmi është etiketë e një partie për të marrë pushtetin; në Lindje mjafton mendimi liberal që të ngjallen dyshime të cilat sjellin të këqija të mëdha.” *Kjo analizë i vlente për të nesërmen e afërt të vendit dhe ishte një afirmim diplomatik i tij në botën evropiane.

Ardhjen e turqëve të rinj ai e quan *anarki të rëndë që vjen nga lart, e cila është më e rrezikshme dhe më e dëmshme se ajo që vjen nga poshtë. Ndërsa *komitetin “Bashkim e Përparim” të xhonturqve e quan shtet brenda shtetit, që imponon vullnetin e tij, shtyp liritë e njeriut dhe i kundërvihet kushtetutës. *Politika e tyre e detyroi atë të ndërtojë platformën e qeverisjes së Shqipërisë.”*Kushtetuta nuk është qëllimi, por mjeti për zhvillim dhe përparim.”- thekson Ismail Qemali. Ndërkohë Sulltani e emëroi Guvernator në Tripolitani. Ai nuhati rrezikun dhe kërkoi strehim politik në ambasadën angleze, e cila e nisi në Athinë. Menjëherë nisi fushatën diplomatike nëpër oborret e Europës, me ftesën e bërë nga shqiptarët e Australisë që aktualisht ndodheshin (në Athinë). Që arkitekti të ndërtonte ngrehinën e shqiptarëve, i duhej lënda e parë, e cila ishte *mbështetja e Fuqive të Mëdha evropiane. Menjëherë nisi *maratonën nëpër oborret e Evropës dhe nuk harroi të publikonte situatën politike të kohës. Udhëtimin e nisi me vende ku *çështja shqiptare njihej mirë, si me Romën, Siçilinë e Kalabrinë, ku *shfrytëzoi mosmarrëveshjet Austri- Itali për influencën e secilës në Shqipëri. Ismail Qemali frenoi disi përpjekjet për epërsi ndaj Shqipërisë si: të Austrisë, Greqisë, Italisë e Serbisë. *Me shkathtësinë e tij, ai shfrytëzoi situatat  ose më mirë grindjet politike mes shteteve evropiane dhe të secilit në veçanti. Më pas shkoi në Gjenevë, Bruksel, ku takoi Faik Konicën për të reklamuar çështjen kombëtare në gazetën e drejtuar prej tij, “Albania”. Botimi i gazetës së tij (I.Qemalit) me titull “Shpëtimi i Shqipërisë”, në gjuhë shqipe, greke dhe turke, u përdor për të ringjallur ndjenjën kombëtare te shqiptarët në botë.  Me nuhatje shfrytëzoi vdekjen e mbretëreshës Viktoria të Anglisë dhe shkoi në Londër për ngushëllim, ku u takua me personalitete të politikës botërore. Shkoi në Egjipt, ku kishte shumë shqiptarë. Sulltani, për hesape të vjetra, e dënoi me vdekje në mungesë. Ai shfrytëzoi me *mençuri dobësimin e P. Osmane, për shkak të kryengritjeve, sidomos në Ballkan, të cilat ai diti t’i shfrytëzojë me maturi. *Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit 1878, e copëzonin Shqipërinë, gjë që nuk ishte në favor të terrenit që po përgatiste I.Qemali.

Në çastin fatlum, këtij burri të mençur iu desh të *shfytëzojë ndarjen e turqve të rinj më 1908. Ndaj për I. Qemalin *shpallja e kushtetutës do të ishte faza e parë për Autonomi. *Përvoja diplomatike dhe vizitat nëpër oborret e Europës, bën që ai u mbështet në 2 Fuqi të Mëdha: Austro-Hungari dhe Itali, të cilat për qëllimet e tyre, ishin kundër pushtimit të Shqipërisë nga Greqia dhe Serbia. Bisedimet me qarqet e lëvizjes përparimtare në Athinë, Romë,Vjenë, Paris, Londër, Kajro, Bukuresht dhe me shqiptarët jashtë vendit, bënë të ndryshonte opinioni i Europës për shqiptarët, të cilët i konsideronin pa ideale kombëtare.

*Hartimi i Memorandumit të Gërçës nga I. Qemali dhe Hasan Prishtina, me 12 kërkesa, sipas të cilave të 4 vilajetet shqiptare të kishin autonomi administrative për çastin, nën vartësinë e Xhonturqëve, pati rëndësi: *Nisën kryengritjet e Malësisë së Madhe me Dedë Gjo Lulin, dhe *kryengritjet e përgjithëshme 1909-1911. *Arkitekti i shtetit të parë shqiptar, Ismail Qemali si largpamës dhe vazhdues i programit të Rilindasëve, e dinte se rruga e nisur, donte mbështetjen e ndërkombëtarëve, para të cilëve doli me këto kërkesa:*1- Kushtetutë dhe Autonomi administrative për popujt e ndryshëm të P.Osmane; *2- Shqipëria të ketë 2-3 apo 4 vilajete me krahina shqiptare. *3- Hapja e shkollave shqipe dhe shpërndadja e librave në gjuhë amtare në çdo trevë ku flitet shqip..*4- Gjuhë zyrtare të ishte shqipja. *5- Të krijohej policia, postë telegrafa, *marrëdhënie diplomatike me Perëndimin dhe fqinjësia e mirë. *Kërkesa për autonomi dhe jo Pavarësi, përputhej me kushtet ekonomike, si ide përparimtare për kohën. Ai kërkoi *organizimin e shtetit me frymë europiane. Në Nicë të Francës *më 19 shkurt 1912 ai doli me idenë e Pavarësisë. Ambasadori italian Tommasso Tittoni njoftoi se në Nicë po mbahet një kongres sekret, me praninë e I. Qemalit. Ai shprehet:”Një fis që kërcënohet nga serbët e grekët, është fis i vjetër ilir i shqiptarëve, që ruan e do të ruajë traditën dhe identitetin e lashtë kombëtar”.

I. Qemali më 5 Nëntor 1912 u takua me shqiptarët e Bukureshtit, ku dolën me një Rezolutë. Por kjo varej nga Fuqitë e Mëdha. Në Vjenë, gjeti mbështetjen e Berchtold dhe ambasadorit Avarna. Më 20 /XI /1912 nga Trieste niset për Shqipëri. Ditën që Skënderbeu  ngriti flamurinnë Krujë, edhe Ismail Qemali më 28 -XI- 1912 ngriti flamurin e kuq me shkabën e zezë në Vlorë. Shpallja e Pavarsisë së Shqipërisë u mirëprit nga Italia, Austria dhe Rumania. Kurse Serbia nuk e njohu aktin madhor që shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Stambolli heshti, kurse Greqia dhe Mali i Zi, synonin copëzimin e Shqipërisë. Formimi i Qeverisë së Vlorës me Kryeministër I.smail Qemalin, me anëtarë kabineti nga të gjitha trojet shqiptare dhe me përfaqësues nga tri besimet fetare, ishte akti final i njohjes së Shqipërisë si komb i pavarur. U mbushën 100 vjet nga shpallja e pavarësisë së cunguar të shqiptarëve, dhe kombi ynë përsëri ka mjaft probleme , të cilat po ia lemë kohës t’i zgjidhë!

Shqiptarë, kudo që jeni, Ju uroj :”Gëzuar 100 vjet Pavarësi Kombëtare!”

 

Filed Under: Kulture Tagged With: 100 vjet, Haxhiraj, pavaresi, Vilhelme, Vranari

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT