Një incident i rëndë është regjistruar në ditën e votimeve në Shqipëri, ku një person ka humbur jetën pranë një qendre votimi në Laç, dhe një tjetër është plagosur.
Ne Foto: I vrari ishte emigrant, simpatizant i LSI, nderkohe qe i plagosuri eshte kandidati i PD/
Nga Radio Europa e Lire/
Siç njofton korrespondentja jonë në terren, emri i viktimës është Gjon Pjetër Gjoni, dhe është komisionar i LSI-së.
Forcat e rendit të Qarkut të Lezhës njoftojnë se ngjarja ka ndodhur jashtë ambienteve të qendrës së votimit në Laç, e cila mbetet momentalisht e bllokuar, kurse procesi i votimeve është mbyllur.
Policia dyshon se viktima ka pasur një konflikt paraprak në qendrën e votimit, me një simpatizant të partisë kundërshtare.
Policia e Lezhës dyshon se konflikti është shkaktuar për shkak të përkatësisë politike të palëve të përfshira në incident, i cili eskaloi me të dalë nga qendra e votimit.
Incidenti besohet se ka ndodhur rreth orës nëntë.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi, e dënoi sot dhunën që shpërtheu jashtë një qendre votimi në Laç, ku si pasojë vdiq një person dhe u plagosën tre të tjerë.
Sequi është pjesë e ambasadorëve të huaj që po vëzhgojnë procesin zgjedhor në Shqipëri, ndërsa bëri thirrje për një proces të qetë e paqësor zgjedhor.
Ambasadori i Brukselit tha që standardet evropiane e përjashtojnë dhunën si një mjet për zgjidhjen e problemeve, ndërsa paralajmëroi se gjatë ditës do të vizitojë vendin e incidentit, për të mësuar më shumë rreth shkakut që ishte i kobshëm për komisionarin socialist.
Dhunën në Laç e ka dënuar edhe kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Evropën Jug-lindore Eduard Kukan, i cili tha se BE-ja pret nga Shqipëria që të zhvillojw procesin zgjedhor në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Dhuna është e papranueshme në zgjedhje. Duhet hetuar, e nuk duhen nxjerr përfundime paraprake”, tha Kukan.
Edhe kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka bërë thirrje për qetësi, dhe ka njoftuar se më vonë gjatë ditës do të shprehet për mediat.
Ndërkaq, i plagosuri nga ky incident ndodhet në spitalin ushtarak në Tiranë.
* * *
Shqipëria sot vendos për fatin e saj, se kush do ta qeverisë në katër vitet e ardhshme, në zgjedhjet të cilat pritet të përcaktojnë të ardhmen e shtetit në integrimet e mëtejshme të saj në Bashkimin Evropian.
Në orën shtatë janë hapur 5508 qendra votimi, ku do të mund ta hedhin votën e tyre mbi 3.3 milion persona me të drejtë vote.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjithçka ka rrjedh pa probleme në hapjen e qendrave të votimit, kurse kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi ka bërë thirrje për dalje në votime.
“U bëj thirrje shqiptarëve të votojnë masivisht, të lirë dhe në fshehtësi. Gjithashtu, u bëj thirrje komisionarëve të kryejnë detyrën sipas Kodit Zgjedhor dhe të lënë mënjanë ndikimit politike”, u shpreh Lleshi për mediat pas votimit.
Prej rënies së komunizmit dy dekada më parë, Shqipëria ka pasur gjithnjë probleme në organizimin e zgjedhjeve të rregullta, andaj e ka të kushtëzuar kalimin e këtij provimi demokratik për të mbajtur zgjedhje fer, për t’u integruar në BE.
Afro nëntë mijë vëzhgues në total, kanë marr detyrën për të mbikëqyr procesin zgjedhor në Shqipëri, prej të cilëve 1,000 janë të huaj.
Mbi 6200 forca policore janë angazhuar për të ruajtur qetësinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Në garë për të drejtuar qeverinë shqiptare janë dy koalicione të forcave politike, demokratët konservativë të prirë nga kryeministri Sali Berisha dhe socialistët opozitar që i udhëheq Edi Rama.
Këto dy forca politike janë mbledhur në koalicion me parti të tjera, ku Berisha udhëheq Aleancën për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim, ndërsa Rama Aleancën për Shqipërinë Evropiane.
Votimet mbyllen në orën 19.00(Kortezi: Radio Europa e Lire)