“Çdo njeri e ka fatin në dorën e tij”-Fjala e urtë/ “Kush lak s’i bën vullnetit të ngulur, ai botën e trajton mbas andjes së tij”-Gete/
Nga Anton ÇEFA/
Vullneti është aftësia që ka njeriu si veti të brendshme dhe këmbëngulja e tij për të arritur një qellim a synim të caktuar, për të plotësuar një dëshirë ose për të kapërcyer vështirësitë e pengesat me përpjekje të vetëdijshme, me vendosmëri, me durim, etj. 1). Asgjë nuk është e pamundshme për një njeri të vullnetshëm.
Për filozofin dhe estetin Benedetto Croce, krejt fushën e dominimit teorik të shpirtit e mbulojnë format intuitive dhe intelektive, duke përjashtuar kështu format volitive. “Vullneti është formë e aktivitetit praktik”, thotë ai. Është “aktivitet i shpirtit, i cili ndryshe nga teoria e thjeshtë ose nga vrojtimi i gjërave, është prodhues jo njohurish, por veprimesh.” 2). Për lidhjen mes shpirtit njohës, intelektual, dhe shpirtit praktik, realizues, Croce sqaron më tej: “Një veprim sado i vogël mund të jetë veprim i vërtetë, domethënë veprim i vullnetshëm, vetëm po të paraprihet nga një aktivitet njohës.” 3).
Në analizën e tipareve të vullnetit, duhet thënë në krye të kresë që vlera e tij nuk qëndron tek ekzistenca e tij, por tek idealet që e frymëzojnë dhe e drejtojnë atë, tek natyra e motiveve, synimeve e nevojave që e shtyjnë njeriun të veprojë. Një brumosje e shëndoshë morale e njeriut shërben për themelet e tipareve pozitive të vullnetit. Më shumë se në proceset e tjera të psikës njerëzore, tek ai përvijohen krahas anëve pozitive edhe ato negative të karakterit të njeriut. “E mira e njeriut është tek vullneti, dhe e keqja gjithashtu”, ka thënë filozofi grek Epiktetus. Me vullnet bëhen punët e mira, po edhe punët e këqija.
Populli, në fjalën e tij të urtë, ka shprehur vlerën e madhe të kësaj hiseje tejet të rëndësishme të psikologjisë së njeriut për realizimin e misionit të tij në jetë, për sendërtimin, përmbushjen e idealeve të tij, për jetësimin e synimeve që ai i vë vetes: “Uji që rrjedh pikë-pikë e ha gurin”. Çdo punë sado e vështirë të jetë kryhet nëpërmjet vullnetit: “Vullneti e then hekurin”, “Vullneti i burrave shkul malet”. Në proverba të tjerë, ai ka dënuar mungesën e tij deri në dembelizëm, bile me tonalitete humori: “Shyqyr, o muslluk, që s’ke ujë, se edhe unë s’i laj sytë”, “Shyqyr, o mulli, që s’pate ujë, se unë s’kisha për të blojtur”. Mendësia popullore e quan të turpshme mungesën e vullnetit për të kryer një punë të mirë: “S’asht marre mos me ditun, por mos me dashtun me nxanë”. Ajo i ka vënë rëndësi nismës si fazë fillestare e veprimit volitiv: “Po s’fillove, nuk mbaron”. 4).
“Aty ku është vullneti, aty është rruga”, thotë proverbi, – ka thënë një i ditur.- Por, kjo nuk është krejtësisht e vërtetë, ka shtuar ai. E vërteta është: aty ku mungon vullneti, nuk ka rrugë.” Çdo e mirë materiale e shpirtërore, çdo nevojë, çdo dëshirë, vihet në jetë nëpërmjet vullnetit të njeriut.
“Vullneti është njësia e matjes e fuqisë”, ka thënë filozofi i lashtë grek Proclus. Në një hulli sa filozofike aq psikologjike, Niçe, duke e emërtuar “vullnet të fuqisë”, e ka cilësuar vullnetin e afirmimit të vetvetes përball çdo pengese dhe çdo kufizimi të jashtëm, si “instinktin themelor të jetës”. Përpjekjet për afirmimin e vetvetes janë të lindura me njeriun. Tek shqiptari që ka natyrë ziliqare dhe krenare ato janë mjaft të theksuara, dhe mumd të kalojnë në kahje negative.
Një nga tiparet më të rëndësishme të vullnetit të njeriut është këmbëngulja, përpjekja e njeriut me ngulm e durim për t’i realizuar synimet që i ka vënë vetes. Një vargan fjalësh të urta, populli ynë i ka kushtuar kësaj cilësie të vullnetit. Nëpërmjet tyre, ai porosit: “Atë rrugë që të rrokësh, t’i gjejsh fundin”, “S’godite me të parën, provoje përsëri”, “Duhen ngulur dhëmbë e këmbë”. Herë të tjera, ai tregon se me këmbëngulje i arrihet qellimit, bëhet i sigurt realizimi i tij: “Gjalpi ha gurin”, “Litari ha gurë”, “Çdo njeri e ka fatin në dorën e tij”, “Prit e mos lidh, s’bëhet punë”, “S’merret kalaja me një të shtenë”.
Gjithsesi, edhe këmbëngulja tek ne, kur është e paarsyeshme ose kur ngulmohet të vihet në jetë pa tjetër një dëshirë, kthehet në kokëfortësi, veti aq e njohur në psikologjinë e shqiptarit. Studiuesi dhe letrari Daniel Gjeçaj, ka shkruar: “Shqiptari nga natyra asht vullnet-fortë dhe s’topitet para vështirësive. Këto veti të mira në vetvedi, shpesh përse të paarsyetueme, e shtyejnë shqiptarin në kryefortësi të damshme dhe në prirje të veçueme, qi njerin e kthejnë në egoist dhe gjymtyrë të shkëputun nga e mira e përbashkët.” 5).
Aty-aty me këmbënguljen renditet një tipar tjetër me peshë i vullnetit: durimi, përballimi dhe kapërcimi i pengesave dhe vështirësive, të cilat i dalin njeriut udhës së jetësimit të synimeve të veta. Në mendësinë popullore, durimi përbën një faktor të domosdoshëm në sigurimin e suksesit: “Durove, fitove”, “I duruari, i fituari”, “Me durim të tëra bëhen”, “Dhe të mirat, dhe fitimin e sjell puna me durimin”, “Çelësi i fitimit – zemër e durimit”, “Gjithkahit bani durim, se durimi ka pshtim”. Fjala e urtë këshillon të jemi të qetë e të qëndrojmë gjakftohtë, kur një punë për t’u kryer, kërkon kohë: “Ai që pret, del në selamet”, “Fije-fije bari, bahet mullari”, “Dalëngadalë bie shiu, pikë-pikë bëhet këneta”, “Lugë-lugë shpiket një kupë”; të mos ngutemi, të mos bëhemi të padurueshëm: “Mos ban si zorra në prush!”. Vlerësimi i durimit në urtësinë popullore shkon deri atje sa duruesin ta quaj të lumtur: “Lum kush ka sabër!”.
Në rrethanat e disfavorshme që ka kaluar gjatë gjithë historisë së tij, shqiptarit i është kalitur vullneti, sidomos një nga tiparet më të qenësishme të tij, qëndresa. Përmes fjalës së tij të urtë, populli ka vlerësuar lart këtë tipar karakteri: “Shqiptari çalë-çalë shkoi deri në Bagdat”, “Burri nuk shtrihet as për të vdekmi”; qëndresën e ka trajtuar si veçori dalluese të karakterit të njeriut: “Kalin e kallxon ngarkesa e njerinë e kallxon qindresa”; ka këshilluar që nëpërmjet qëndresës, njeriu të ruajë dinjitetin dhe personalitetin e tij: “Qindro shtyllë e mos u ban urë!”. Qëndresa ka qenë motivi i një poezie aq të bukur të atdhetarit të shquar idealist, Luigj Gurakuqit, në të cilën përshëndrit një apoteozë e qëndresës dhe e durimit, dhe një apel për t’i bërë tonat ato veti, në përkushtim të një ideali të lartë:
“Veç nji qellim i naltë t’ban me durue,
E zemrën t’a forcon:
Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue
Mjer’ ai që nuk qindron!” 6).
E theksojmë se vetëm kur një ideal fisnik vë në lëvizje e fut në veprim njeriun, vetëm atëherë ai realizon synime të larta, sublime. Thjesht, për konkretizim të këtij fakti psikologjik, po bie këtu strofën e fundit të poezisë “Ultima verba” (“Fjalët e fundit”) të Viktor Hygoit, përkthyer nga Sotir Caci :
“Një mijë po të mbeten, do mbetem edhe vetë,
Edhe njëqind të bëhen, nuk tundem, jo, q’aty.
I dhjeti do të jem po qe se mbeten dhjetë:
E në mbetë veç një, – do të jem un’ay!” 7).
Një tjetër tipar vullneti i psikës së popullit tonë është guximi. Shqiptari nuk u trembet rreziqeve dhe vështirësive, është i guximshëm. Të huajve u ka bërë përshtypje kjo cilësi karakteri dhe e kanë shënuar në veprat e tyre. Douglas i ka quajtur shqiptarët “kurajozë proverbialë”. 8). Hobhouse ka shkruar: “kjo kurajë e patreguar ka qenë kurdoherë, dhe është edhe sot, pjesë e karakterit të tyre” (të shqiptarëve, A. Ç.). 9). Është bërë vërejtja që “Guximi tepër i theksuem dhe demoralizimi i shpejtë para rasave, qi e thejnë vullnesën, bajnë qi shqiptari të jetë, në përgjithësi, i vrullshëm në veprim, por jo gjithaq i qëndrueshëm.”
Fallmerayer e ka quajtur Shqipërinë vendin e vullnetit të fortë dhe të mendjes së shkurtër. 10). Shqiptari, siç e shpjegon Çabej, është “i mësuar më shumë të veprojë me rrëmbim sesa të rrijë e të mendojë”. 11). Kjo e tregon atë të padurueshëm, një tipar negativ i vullnetit. Gjithsesi, në përgjithësi, shqiptarin e dallon durimi.
Në mënyrë të veçantë, tiparet e vullnetit tek populli ynë duken në përpjekjet e luftat e tij për liri. Të shkrira me karakterin luftarak, që e ka karakterizuar gjithnjë shqiptarin, ato i kanë siguruar rezistencën dhe fitoret ndaj armikut. “Sa më shumë fatkeqësi që u bien mbi kokë, – pohon Spenceri për shqiptarët kryengritës, – aq më tepër ata shumëfishojnë dhe grumbullojnë forcat dhe, sa marrin veten, të gatshëm për luftë dhe hakmarrje, hidhen në kryengritje” 12).
Ja edhe dy vlerësime të vullnetit nga kolosi i nacionalizmit shqiptar, Mithat Frashëri: “Nuk dëshiroj lumturinë që na premton folozofia e Hindëve, Nirvana e mohimit, po atë kënaqësi, mbase më pak qiellore, po më të vërtetë, e cila rrjedh prej vullnetit tonë, e bërë prej përpjekjes sonë të çdoditëshme, prej durimit që dëftejmë në sforcimet për të bërë detyrën dhe në të ndjekurit e një qëllimi.”.
“I lumtur është ai që, në udhën e vështirë të jetës, ka një ideal dhe që arrin, me vullnet të pathyer e përpjekje të çdoditëshne, ta përmbushë atë, duke përballuar pengesat e kohës. I lumtur është ai që udhën e vuajtjes njerëzore di ta bëjë pak më të lehtë e më të ëmbël.” 13).
Për vullnetin e shqiptarit e tiparet e tij, për idealet frymëzuese, për vendosmërinë, për qëndresën, për durimin, për papërkulshmërinë, për këmbënguljen, për revoltën ndaj padrejtësisë, për zellin atdhetar, për sakrificën sublime, flet e do të flasë në jetë të jetëve qëndrimi heroik i të torturuarve në burgjet e kampet gjatë kohës së diktaturës.
Sepse :
“Atdheu është Atdhe, edhe atëherë kur të vret”, ka thënë Mitrush Kuteli.
Referenca
1). Shih tek “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, Akademia e Shkencave të RPS të Shqipërisë, Tiranë, 1980.
f. 2189.
2). Benedeto Kroçe, “Estetika si shkencë e shprehjes dhe e gjuhësisë së përgjithshme”, përktheu nga origjinali Zef Zorba, “Apollonia”, f. 65-66.
3). Po aty, f. 68.
4). Proverbat e cituar janë përzgjedhur nga:
– “Fjalë të urta të popullit shqiptar”, Botim i Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë, Përgatitur nga Jorgo Panajoti dhe Agron Xhagolli, Kombinati Poligrafik-Shtypshkronja e Re, Tiranë, 1983.
– Norma Glason, Kolë Kamsi, Sami Frashëri, “Proverba nga e gjithë bota”, Përgatiti Pjetër Pepa, Shtëpia botuese UEGEN, Tiranë, 2000.
– “Banush I Lami, “Një bitinar i mërguar”, Shtypshkronja “Kotti”, Korçë, 2001.
– Ndonjë proverb është riprodhuar nga kujtesa.
5). Daniel Gjeçaj, “Parathanje” e veprës së Anton Harapit, “Andrra e Pretashit”, – Kontribut për kulturën shqiptare – , Romë, 1959, f. XXIII.
6). Luigj Gurakuqi , “Vepra të zgjedhura”, Mbledhë, redaktue, pajisë me shënime nga Mark Gurakuqi, N. SH. Botimeve “Naim Frshëri” Tiranë, 1961, f. 159.
7). Viktor Hygo, “Antologji poetike”, Në vargje shqip, nga Sotir Caci, N. SH. Botimeve “Naim Frshëri” Tiranë, 1959, f. 62.
8). Douglas, F. S. “An Esseay on Certan Points of Resemblance Betëeen the Ancient and Modern Greeks, Edition 2, London 1815, p. 190. Cituar sipas Shpëtim Mema, “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”, shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f. 73.
9). Hobhouse, J. C. A journey through Albania and other provinces oh Turkey in Europe and Asia, to Costantinople, during the years 1809 and 1810, London, 1813, p. 148. Cituar sipas Shpëtim Memës “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”, shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f. 73.
10). Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, shtëpia botuese “MÇM”, Tiranë, 1994, f. 27
11). Eqrem Çabej, vepër e cituar, f. 27.
12). Edmund Spencer, “Travels in European Turkey through Bosnia, Servia, Bulgaria, Macedonia, Thrace, Albania and Epirus, ëith a visit to Greece and Ionian Isles, vol. 2, Edition 2, London, 1853, f. 84, Cituar sipas Shpëtim Mema, “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”, shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f. 74.
13). Uran Butka, “Gjeniu i kombit”, “DRIER”, 2000, f. 296.