Nga XHAVIT ÇITAKU/
Geteborg, 22 prill- Lëvizja e re naziste e Suedisë dje organizoj një demonstratë në qendër të Stokholmit, me kërkesat dhe kundërshtimin e tyre tashmë të njohur kundër të huajve. Sipas të dhënave të mjeteve suedeze të informimit dhjetra anëtarë të kësaj Lëvizjeje së pari u tubuan në sheshin “ Mynttorget” për të marshuar më pastaj përgjatë gjithë rrugës “ Drottningsgatan” që kalon afër Parlamentit të këtij shteti skandinav. Ndërkohë, me një shpejtësi të madhe u organizuan kundërshtarët e paraqitjeve ekstremiste dhe naziste, të cilët kishin marrë vesh për këtë demonstrim nga faqet sociale. Këto dy grupe u takuan afër Pallatit Shtetëror, të cilat filluan të gjuajnë gjësende të ndryshme në drejtim të tyre. Policia bënte përpjekje që t’i shpërndaj demonstruesit për të mos pasur pasoja më të rënda. Sipas mediave të këtushme Lëvizja naziste nuk e kishte lejen nga policia për të demonstruar në kryeqendrën suedeze. Rreth orës 16 situata u qetësua dhe demonstruesit e të dy grupeve u shpërndan.
FIGURA TE MERGATES-Mbi pesë dekada në shërbim të kombit e atdheut, arsimit e krijimtarisë
Nga mosha 17 vjeçare Prof. Fetah Bahtiri nuk e ndali aktivitetin e tij për të mirën e kombit dhe të atdheut.- Në vitin 1961 në vagonin e trenit ndërkombëtar kishte vendosur Flamurin Kombëtar, të cilin beogradasve ua kishte dhuruar si “ peshqesh” nga shqiptarët.- Prof. Dr. Anton Çetta, asistent i të cilit ishte Fetah Bahtiri, në vitet e shtatëdhjeta ndër të tjera kishte shkruar: Prof. Fetah Bahtirin e dallonin katër karakteristika: trimëria, sinqeriteti, niveli i lartë intelektual dhe patriotizmi të cilin e mbante në shpirtin e tij/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
I ka mbushur 70 vjet. Nga pamja e jashtme nuk mund të ia japësh as gjashtëdhjetë, ndërkaq për nga aktiviteti, angazhimi e vullneti i madh për punë ua kalon edhe atyre që janë shumë më të rinj se ai. Është zemërgjerë, i urtë, i sjellshëm, i afërt dhe komunikues me të gjitha moshat. Emri i tij është Fetah Bahtiri që në Suedinë e largët ka ardhur në vitin 1991 nga qyteti i minatorëve- Mitrovica, siç thotë, për të shpëtuar kokën dhe mbrojtur familjen nga sigurimi i regjimit fashist serb. Këtë rrugë kurbetçare e përjetoj rëndë, shumë rëndë. Mirëpo, me punën e madhe, aktivitetin e jashtëzakonshëm që zhvilloj në dobi të çështjes kombëtare këtë personalitet të shquar e bëjnë krenar.
Nxiti entuziazmin e ndjenjave atdhetare të mërgimtarëve
Fetah Bahtiri zhvilloi një veprimtari të dendur patriotike duke nxitur entuziazmin e ndjenjave atdhetare të mërgimtarëve tanë në momentet më të vështira por edhe të rëndësishme për fatin e kombit. Motoja e veprimtarisë të këtij veprimtari të paepur ishte liria dhe çlirimi i Kosovës nga okupatori barbar serb. Ai mori pjesë në të gjitha protestat e organizuara nga ai dhe të tjerët për t’ua bërë me dije të gjitha shteteve demokratike se Kosova është tradhtuar nga komunisti Tito, duke ua lënë fatin e shqiptarëve në duart e bishave që erdhën nga Karpatet. Gjatë punës së tij të pandërprerë bëri përpjekje që të forcojë pozitën e komunitetit shqiptar në Suedi duke favorizuar rreth vetës figura të dalluara nga fusha të ndryshme intelektuale. Si një intelektual dhe patriot me ndikim Fetah Bahtiri arriti aq mirë të organizoj mërgatën shqiptare për të arritur rezultate të rëndësishme në sensibilizimin e situatës së rëndë që mbretëronte në Kosovën e okupuar, në organizimin dhe përmbushjen e obligimeve të trepërqindshit nga shumica e bashkatdhetarëve tanë, në organizimin e shumë protestave dhe të aktiviteteve kulturore, artistike e sportive e sidomos tehu i aktivitetit të tij ishte i orientuar tek fëmijët shqiptar për mbajtjen e mësimit plotësues në gjuhën amtare. Kishte dhënë me dhjetra intervista për gazetat qendrore, rajonale e lokale. Me një fjalë, ai u inkuadrua aktivisht në Lëvizjen e patriotëve të mërguar shqiptar këtu në Suedi dhe mësimin e gjuhës shqipe, që si kudo në komunitetin shqiptar, ishte bërë armë e fuqishme e organizimeve. Kishte një karakter të fort shpirtërisht dhe një dimension të plot në veprimet praktike. Posedonte një frymë optimizmi ndaj të gjithë atyre aktiviteteve por edhe të luftës së nisur në Kosovë që del e motivuar me karakterin e tij thellësisht atdhetar e që është ideali për një liri kombëtare. Është për t’u theksuar edhe një detaj i rëndësishëm i mençurisë së tij karshi një propagande perfide që kishte zhvilluar regjimi komunist në këtë vend skandinav: Ai në mënyrë profesionale ua shpjegonte opinionit suedez se nisur nga përvojat e deritashme, të drejta që dalin nga ato ngjarje tmerruese e tragjike në Kosovë, e vetmja rrugëdalje nga ajo gjendje është lufta e armatosur. Pati takime të shumta me personalitete të shumta politike, me publicist, shkrimtarë, gazetarë, ndërsa më i rëndësishmi ishteai me Kryeministrin e këtij vendi Gyran Persson, të cilit ia dorëzoj me shkrim një material mjaft të pasur me gjendjen alarmante që mbretëronte në Kosovë. Njeriu i parë i qeverisë premtoi se do ta lexoj atë material dhe do të sheh mundësitë e reagimit të qeverisë suedeze.
Ishte shumë i ri kur në shpirtin e tij frymonte atdhedashuria
I brymosur me ide patriotike Fetah Bahtiri qysh në moshën 17 vjeçare kishte filluar aktivitetin e tij praktik. Në vitin 1960 ai në shtëpi kishte vizatuar Flamurin Kombëtar dhe e kishte vendosur në trekëndëshin e rrugës që shpinte për Beograd, Prishtinë, Mitrovicë. Ky ishte një provokim i rëndë për pushtuesin, i cili kishte aktivizuar tërë aparatin policor për të zbuluar këtë aktivitet që sipas tyre do të mund të përhapej në tërë Kosovën. Një vit me vonë ai prapë vepron njësoj, por me një mençuri që mund të bëj vetëm një djalosh që shpirtërisht e dëshironte lirin e popullit të tij. Në fakt, tash Flamurin Kombëtar e vendos në trenin ndërkombëtar, i cili në Beograd mbërrinte kah ora gjashtë e mëngjesit . Këtë e kishin vërejt dy qytetar e më pas edhe shumë të tjerë të cilët e kishin lajmëruar në polici. Për këtë akt të pashembullt për beogradasit, mediat serbe me mllefin më të madh kishin akuzuar “ separatistët dhe irredentistët shqiptarë” se kanë filluar që të provokojnë edhe në kryeqendrën serbe. Në vitin 1968 Fetah Bahtiri kryen fakultetin e gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe nisë punën në shkollën normale “ Hasan Prishtina”. Pas gjashtë vitesh emërohet drejtor i shkollës fillore “ Branko Radiqeviq” , në të cilin institucion shumica e mësimdhënësve ishin të nacionalitetit serb. Nuk kaloi shumë kohë dhe ky intelektual kishte ndërruar strukturën etnike të arsimtarëve në të mirë të shqiptarëve. I etur për të parë nënën amë- Shqipërinë e dashur, ai organizon një ekskursion dhe vetëm gjashtë orë para se të niseshin arsimtarët shqiptar, dy punëtorë të sigurimit shtetëror kishin ardhur tek Fetahu për t’i thënë që të anulohet ky udhëtim. Mirëpo, ai nuk e bëri këtë punë të ligë kur veç ishin para nisjes. Ai iu kishte treguar kolegëve se nëse e arrestojnë policia, ata nuk duhet ta ndërpresin udhëtimin por gjithsesi të vizitojnë tokën tonë arbërore. Pas një maltretimi prej pesë orësh në Qafë Thanë më në fund i kishin lejuar që të hynë në Shqipëri. Mirëpo nga ai moment e deri në vitin kur Fetahu braktisi vendlindjen, ai ishte i përcjellur vazhdimisht nga punëtorët e sigurimit serb. Hapi i parë e shumë diskriminues ndaj Fetahut u ndërmarrë me përjashtimin e tij nga procesi mësimor me arsyetim se ai nuk është i përshtatshëm për të edukuar e arsimuar brezat e rinj. Me këtë akt që mund të bëhej vetëm kundra shqiptarëve, Fetahu nuk u ligështua për asnjë çast. Bile për të mos ua shtrirë dorën e “ lëmoshës” askujt, ai kishte blerë nja 70 copë dele në fshatin Lisicë dhe kësisoj mbante fort mirë familjen për një vit deri sa gjyqi e ktheu në punë, por jo në profesionin e arsimtarit. Në ndërkohë ky njeri i dijes kryen edhe një fakultet- atë Juridik me një notë të lartë mesatare. Dhe jo vetëm kaq. Sa herë që praktikisht vepronin grupe e individë të Lëvizjes Patriotike ky njeri zemërmadh e patriot i patrembur arrestohej nga policia dhe e dërgonin siç quhej në atë kohë në izolim, nga frika së ndikimi i tij në popull do të ishte i madh dhe se protestat do të mund të ishin të “ dhunshme”. Megjithatë, dhuna e vazhdueshme dhe kërcënimi për likuidim fizikë, vuajtjet, izolimet, burgimi, nuk i lënin përshtypje këtij njeriu, përkundrazi vetëm sa i jepnin energji e forcë më të madhe për të punuar në dobi të çështjes kombëtare. Ishte “ specializuar” për shkrimin e parullave, që në atë kohë ishin shumë aktuale “ Kosova Republikë”. Fillimi i demonstratave të vitit 1981 Fetahun e gjetën më të përgatitur se kurrë më parë. Ishte pjesëmarrës në të gjitha ato protesta që u organizuan, por edhe ishte edhe vetë organizator e këtyre reagimeve shqiptare,ndërsa do theksuar se në vendin e quajtur Vojtesh, në kufirin me komunën e Skenderajt, në kodrinën buzë rrugës rajonale kishte vendosur parullën më të gjatë që është shkruar ndonjëherë në gjithë reagimin shqiptar të asaj kohe. Fjalët “ Kosova Republikë” ishte shkruar në bezin e gjatë 15 metra.
Vlerësimi i bashkëpunëtorëve dhe i komunitetit shqiptar
Rizah Sheqiri, shkrimtar,thekson: Fetah Bahtiri si i ri u dha pas dritës së diturisë, si burrë herët e vërejti se pa liri ska ardhmëri dhe pa arsim e dituri s’vjen kurrë as liria, as zhvillimi, as pavarësia. Hysni Syla, ish-nxënës: Në vitin 1968 u organizuan demonstratat studentore në kërkim të të drejtave të shkelura nga pushtuesi serb. Ishim të rinj dhe ne nxënësit e gjimnazit për të mos mbetur të painformuar, ishte profesori ynë i nderuar për jetë e mot, që na foli hapur për kërkesat e arsyeshme të studentëve dhe të rinisë shkollore duke na thënë edhe këtë: “ Nesër ju do të jeni studentë, do të vazhdoni me këto kërkesa nëse ato nuk realizohen deri në atë kohë”. Afërdita Avdyli- Dolovci: mallëngjehem shumë kur përmendi emrin e të nderuarit Prof. Fetah Bahtiri. Ai dha shumë për kombin e tij, timin dhe të gjithë shqiptarëve. Lebibe Zogiani: Vepra e profesorit të nderuar na mësoj shumë si të ecim drejt mirësisë, respektit dhe me aromën e atdheut kahdo që të shkojmë. Prof. Dr. Anton Çetta, asistent i të cilit ishte Fetah Bahtiri, ndër të tjera kishte shkruar: Prof. Fetah Bahtirin e dallonin katër karakteristika: trimëria, sinqeriteti, niveli i lartë intelektual dhe patriotizmi të cilin e mbante në shpirtin e tij.: Saranda Iseni: Prof.Fetahu është një njeri me një elan të fuqishëm pune. Ai ëshë një burr që i solli gëzim shumëkujt dhe aq shumë dha për kombin e atdheun, për arsimin, për kulturën, për foklorin burimor autokton shqiptar, për ruajtjen e gjuhës së mëmës, për bashkimin e komunitetit shqiptar në një front të përbashket. Vepra e tij është e madhe dhe ajo do të lë gjurmë të pashlyshme për këto gjenerata dhe ato të ardhshmet se si duhet të punohet për liri e çlirim kombëtar. Hysen Ibrahimi “E gjithë veprimtaria e Prof. Fetah Bahtirit, lidhet ngusht në fushën e publicistikës, shkencës dhe aktivitetit të tij atdhetar. Ai, tërë jetën e tij ia kushtoj atdheut, përmes rreshtimit të tij të drejtë në frymën kombëtare. Është personalitet, që reflekton dije, mësim, njerëzi, dashuri për njeriun, shoqërinë dhe ardhmerinë e tyre njerëzore. Është njeri i botëkuptimeve të qytetëruara njerëzore dhe humane. Ka një përvojë të madhe dhe është një histori e gjallë e shumë proceseve që i dha kahje të mbarë dhe kësisoj Prof. Fetah Bahtiri, mund të jet një shembull i shkëlqyer për shqiptarët, se si duhet punuar dhe sakrifikuar për çështjen kombëtare”. Ndërkaq, veprimtarinë krijuese të këtij intelektuali të shquar do ta pagëzoja gëzim jete të shoqëruar me idealet e miqësisë, sinqeritetit dhe besnikërisë.
Hartues i Plan- Programit për gjuhën shqipe si gjuhë amtare
Në fokus të interesimit të Prof. Fetah Bahtirit ishte edhe organizimi i mësimit të gjuhës shqipe si një faktor i rëndësishëm për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës amtare e aq më shumë në ndërprerjen e rrugës së asimilimit të gjeneratës së re. Për këtë dëshmon e dhëna se posa arriti në dhe të huaj, përkatësisht në Strehimoren e Svensygenit ky arsimdashës menjëherë kontaktoj me personelin e Entit për të Huaj dhe arriti që për një kohë të shkurtër të hap shkollën shqipe për fëmijët shqiptar që ishin strehuar këtu, që nuk ishin të pakët. Mësimi këtu u zhvillua pa kurrfarë kompensimi material dhe zgjati deri sa familjet shqiptare morën lejeqendrimin do të thotë nga viti 1991 deri me 1994.
Prof. Fetah Bahtiri më pas u vendos në qytetin bregdetar dhe edhe këtu arriti që shumë shpejt të organizoj mësimin në gjuhën amtare dhe komuniteti i këtushëm shqiptar këtë personalitetet të shquar e falënderon shumë për punën e tij të madhe më fëmijët. Me këtë profesion punoj deri sa u pensionua. Duke e parë interesimin aq të madh që kishte Fetahu në sferën e arsimit, ai dy herë ishte zgjedhur asistent i rektorit të shkollës fillore “ Ramnerydsskolan” në këtë qytet, kurse në vitin 2000 ishte zgjedhur Koordinator për Integrim në kuadër të Komunës. Ishte njeri ndër themeluesit e degës së LASH-it “ Naim Frashëri”, së cilës në vitin 2000 ia “ dhuroj” Plan- Programin mësimor për gjuhën shqipe si gjuhë amtare në shkollën suedeze si dhe Statutin, punë këto që i kishte bërë pa kurrfarë kompensimi. Po ashtu kishte hartuar edhe statusin e Fondit për Ndihma në Raste të Jashtëzakonshme, të programeve, të redaktimeve, lektorimeve, shkrimeve etj.
Krijimtaria e tij letrare shfaq rrezatimin kombëtar e kulturor
Në veprat artistike- letrare të Prof. Fetah Bahtirit, gjithherë ëeshtë shfaqur rrezatim kombëtar dhe kulturor. Duke lexuar veprat e tij, në të do të shohim shpirtin e tij, i cili ndriçon edhe përmes fjalëve të tij artistike, me idealet me të cilat ishte rritur dhe moshuar, por mbi të gjitha, veprat e tij janë një shembull personal. Ai, përdorë një disiplinë që dallohet nga të tjerë. Veprat e tij kryesore të botuara janë: “Këngë për Zadën” ( 1968) poezi, “Plan- Program mësimor për gjuhën shqipe si gjuhë amtare në shkollën suedeze”( 2000) shqip dhe suedisht, “ Ambasadorët dhe shërbëtorët” ( 2007) me mesazhin se mërgimtarët tanë në Suedi janë ambasadorë të atdheut e të paqes dhe shërbëtorë të atdheut. “ Rrugëtim i dashurisë” (2011), roman me mesazhin se dashuria është dhuratë e zotit dhe se ajo nuk ka rregulla dhe nuk njeh kufi. Dashuria bën që dy familje të gjakësuara të pajtohen. “ Miku i madh i shqiptarëve Ullmar Qvick ( Monografi), (2012), libër ky që bëri jehonë të madhe. Vepra i kushtohet mikut të madh e të dashur të shqiptarëve, albanologut Ullmar Qvick, i cili me plot gojë edhe sot pohon: “ unë nëse do të jetoja edhe një herë, do të punoja me shqiptarët dhe për shqiptarët”. “ Monolog në mërgim”, ( 2012) poezi. Kjo përmbledhje vjershash tregon një ligjërim poetik të nivelit të lartë dhe të denjë për respekt në kacafytjet e përditshme, të cilit ia sjell jeta një mërgimtari. “ Dritë ngrohtësi optimizëm”, Libër dokumentar për shkollën shqipe në strehimoren Svenshygen, Suedi, 1991- 1994. Ndërkaq, libri i tij i fundit që u që doli nga shtypi është “ Kur i mbusha 70 vjet…”
DIASPORE-Sa bukur tingëllon gjuha shqipe në dhe të huaj
Kjo për mua është një eksperiencë e madhe dhe një shembull i mirë se si duhet të punoj edhe komuniteti shqiptar në Greqi, tha Bardha Mance, udhëheqëse i programit në gjuhën shqipe në Radio International në Athinë.- U promovuan shtatë libra të krijuesve shqiptar në Suedi dhe u ndanë shpërblime për poezitë më të mira për vitin 2013/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Geteborg, 31 mars- Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “ Papa Klementi i XI Albani” dhe QKSH “ Migjeni” organizuan në Boros të Suedisë manifestimin kulturor “ Sofra poetike”,në të cilën morën pjesë intelektualë, krijues, publicistë, gazetarë, mysafirë të ftuar dhe bashkatdhetarë të shumtë. Këtë manifestim e nisi mbarë moderatorja Saranda Iseni duke krijuar një atmosferë të gjallë e të këndshme, me një të folur të pastër të gjuhës shqipe, me një renditje të mrekullueshme të të gjitha pikave të përgatitura me këtë rast, me batuat e saja, befasitë dhe me recitimin e bukur të poezisë të Hysen Ibrahimit “ Engjulli i dashurisë”.
Puna konkrete dëshmon për rezultatet e arritura
-Këtë manifestim e shoh dhe e çmoj lart si një veprimtari e cila ka për qëllim që ta kultivojë e ruaj gjuhën dhe kulturën shqiptare në mërgim në këtë pjesë të botës. Njëkohësisht ky manifestim, kjo sofër, paraqet një inspirim, nxitje e shtytje për të gjithë ata që janë të prirur të merren me shkrime që ta gjejnë vetën këtu, të veprojnë kështu në formë të organizuar dhe nesër të krijojnë vlera e vepra më të mira letrare, artistike dhe kombëtare. Sofra poetike ka edhe karakter garues. Konsideroj se Shoqata e Shkrimtarëve dhe Qendra Kulturore “ Migjeni” meritojnë lëvdata për një punë të mrekullueshme që janë duke bërë këtu në mërgim me synimin e vetëm që në këtë mënyrë t’i shërbejnë rinisë sonë, popullit tonë dhe atdheut të cilin e duan aq shumë të gjithë këta poetë, shkrimtarë e veprimtarë, tha Fetah Bahtiri, anëtarë i Kryesisë së SHSHASH” Papa Klementi i XI Albani”, të Suedisë dhe Kryetar i Jurisë për ndarjen e shpërblimeve për krijimet më të mira poetike.
Edhe Hysen Ibrahimi, kryetar, foli me krenari për rezultatet e arritura të SHSHASH “ Papa Klementi i XI Albani” duke përmendur me këtë rast dhjetra tituj të veprave e librave të botuara nga krijuesit shqiptar në zhanre të ndryshme e sidomos puna e madhe që është bërë në botimin e librave “ Thesari Kombëtar 1 dhe 2” që flasin në mënyrë të dokumentuar për gjithë atë aktivitet të madh që është zhvilluar nga komuniteti shqiptar në Suedi në dobi të çështjes kombëtare. Permendi edhe një bashkëpunim të mirëfilltë që ka filluar ndërmjet Ministrisë së Diasporës dhe këtij asosacioni në drejtim të avancimit dhe të ndihmës që do të afrohet në organizimin e shumë aktiviteteve në dobi të komunitetit shqiptar këtu në Suedi. Ndërkaq, Sokol Demaku foli për sukese të mëdha që janë shënuar në QKSH” Migjeni” për të kulmuar me botimin e revistës së përmuajshme “ Dituria” të kanalit të radios e TV-së në gjuhën shqipe, në të cilat po bëhet i mundur një informim dhe një prezentim i shkëlqyer e kulturës, traditës, historisë e sidomos të ruajtjes e kultivimit të gjuhës shqipe.
Poezi që qonin peshë mallin për atdhe
Në vazhdim të programit të pasur të Sofrës poetike Hamit Gurguri, Bajram Muharremi, Remzi Basha, Saranda Iseni, Fetah Bahtiri, Nulla Zullufi,Lebibe Zogjani dhe Shaban Osmani recituan bukur krijimet e tyre, por edhe të të tjerëve, ku më së më shumti dominonin poezitë që shprehnin mallin që e ndien çdo mërgimtarë në vazhdimësi për vendlindjen. I këndohej aq bukur, me aq ndjenja, me aq mallëngjim natyrës, fshatit, kroit, lumit, livadhit, bregores,ditëve më të bukura të rinisë… Në këtë atmosferë të dhimbshme dhe mallëngjyese që u krijua me këtë rast,kishte edhe të tillë që derdhnin lotë se nëna Kosovë i thërriste përmes atyre vargjeve të kthehen, të qëndrojnë atje ku kanë lindë apo të paktën të vizitojnë me shpesh tokën arbërore që vuan për bijtë e bijat e saj që tashmë janë larguar në vende të ndryshme të botës. Vuajtja e madhe për atdheun Nulla Zullufin e bëri poet. “ Kurrë nuk me ka shkuar mendja të merrem me krijimtari letrare, por ja sot në praninë tuaj bashkatdhetarë të nderuar po e promovoj librin “ Malli për atdhe”. Shkas, pra, siç po e shihni edhe nga titulli i librit është malli i madh që ndiej për atdheun, malli që me merr ta shoh ,ta ndiej, ta puthi tokën shqiptare”, tha ai. Fjalë miradije për një aktivitet përmbajtësor që po zhvillon mërgata shqiptare në Suedi i tha edhe Valon Bajrami, gazetar i RTV21, i cili kishte ardhë për një vizitë në këtë vend skandinav.
U shfaq edhe një dokumentar i Karl Nordstrym që kishte të bënte me përzënien me dhunë të shqiptarëve nga trojet e tyre nga soldateska serbe gjatë luftës në Kosovë. Karl Nordstrym kishte një sipërfaqe të madhe pyjesh, dhe siç thotë, ato skena të tmerrshme nuk e linin të qetë të prente drunjtë në pyllin e tij. “ Sa herë që merrja sharrën motorike për të prerë një dru, me dilnin para sysh ata turma të mëdha njerëzish që ishin të detyruar të braktisnin vendin e tyre. I ndieja në shpirt vuajtjet e tyre, nuk me lënin të qetë ato klithmat e fëmijëve, lodhjet në rrugëtimin e gjatë këmbë në kodra e male… “ shkruante në vargjet e tij Nordstrym.
Paragjykimet për asimilimin e shqiptarëve nuk qëndrojnë
-Jam e entuziazmuar , e kënaqur, e emocionuar e mbi të gjitha më lënë përshtypje jashtëzakonisht të madhe ky mjedis i mbushur me këtë potencial të vlerave të mirëfillta krijuese. Ka pasur paragjykime se gradualisht mund të ndodh asimilimi i fëmijëve shqiptar, por me bindje të thellë mund t’iu them se kjo nuk qëndron dhe nuk do të ndodh kurrë me këtë potencial intelektual, me organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, me organizimin e manifestimeve të shumta e të ndryshme, kulturore, letrare, sportive dhe me komunikim të përditshëm e vizita të shpeshta që i bëjmë vendlindjes, tha Bardha Mance, udhëheqëse e programit shqip në Radio International në Athinë të Greqisë. Ky manifestim i sotëm dhe këto vlera kaq të mëdha që po prezantohen sot janë një eksperiencë për mua dhe një shembull se si duhet të punoj edhe komuniteti shqiptar në Greqi, tha ndër të tjera ajo. Në vazhdim të këtij evenimenti u promovua libri i Fetah Bahtirit “ Kur i mbusha 70 vjet”, i Nuha Zullufit “ Malli për atdhe” Avdyl Ukës “ Loti mbeti në gjirmë të zemrës”, Hamit Gurgurit “ Vrragë pështerri” , i Remzi Bashës “ Zëri i Kosovës”, Bahtir Latifit “ Edhe ne jemi Bota” dhe libri “ Djali dhe tigri” nga Sokol Demaku, që është i dedikuar për nxënësit e klasës së katërt të shkollës fillore. Referuesit Bajram Muharremi, Fetah Bahtiri, Hysen Ibrahimi, Ismet Hasani, Rexhep Jashari, Saranda Iseni dhe Qibrije Hoxha vlerësuan lartë këta libra të këtyre krijuesve shqiptarë që janë edhe anëtarë të SHSHASH “ Papa Klementi i XI Albani” në Suedi. Ndërkaq, QKSH “ Migjeni” atyre ua ndau nga një libër të kristalt sikurse edhe Saranda Isenit, Hysen Ibrahimit me motivacion: ruajtja dhe kultivimi i gjuhës shqipe.
Ky manifestim letrar kishte edhe karakter garues dhe në të konkurruan 23 poetë me 90 poezi. SHSHASH “ Papa Klementi i XI Albani” çmimin e parë ia ndau poetit Brahim ( Ibish) Avdylit “ Zogu i nemur prej qiellit”, të dytin Lebibe Zogianit “ Këtë nuk ma the asnjëherë” dhe të tretin Milazim Kajtazit “ Dhimbje e mall”. Po ashtu, edhe QKSH “ Migjeni” ndau tri shpërblime. Poezia më e mirë u vlerësua se ishte ajo e Rizah Sheqirit “ Poet është vetëm Zemra”, e dyta e Vilheme Vranarit “ Rrënjet” që kishte konkurruar me shifrën WH44VL96, dhe e treta Yllka Sheqirit “ Vetmi”. U ndanë edhe shpërblime për poezinë më të mirë të vlerësuar nga publiku, të dashurisë, patriotike…
Legjenda: Pjesëmarrës të Sofrës poetike
Këngëtarit suedez iu anulua koncerti në Moskë
Shkas kriza e Krimes por edhe reagimi i ashpër i diplomacisë, politikës dhe opinionit për aneksimin e këtij ishulli/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Geteborg, 28 mars- Eric Saades, këngëtar i njohur dhe shumë i popullarizuar në Suedi, kohë më parë kishte arritur një marrëveshje me partnerin kompetent për të mbajtur një koncert në kryeqytetin rus Moskë. Mirëpo në çastet e fundit kur ky këngëtar duhej të fluturonte në drejtim të Moskës, i arrinë njoftimi se koncerti është anuluar. Sipas menagjerit të këtij artisti Tomas Lindgren ky akt jo që është vetëm i befasishëm por edhe i pakuptimtë, në rendë të parë, se në njoftimin e aranzhuesit nuk përmenden arsyet e anulimit. Posaçërisht brengos fakti se biletat janë shitur dhe këngëtari është shumë i brengosur se fansat e tij rusë nuk do të kenë rastin të dëgjojnë këngët e bukura të përgatitura enkas për ta. Ky anulim sigurisht se ka të bëj me krizën e Krimës apo ndoshta edhe për shkak të reagimit të ashpër të politikës, diplomacisë por edhe opinionit suedez që dënuan ashpër dhe e dënuan fuqishëm aneksimin e një pjese të territorit të Ukrainës në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare.
-Gjatë këtij vikendi duhej të mbaja koncertin tim të shumëpritur nga fansat rusë. Befasisht me erdhi lajmi se këtë nuk mund ta bëj. Me mbanë shpresa se në një të ardhme të afërt do të mund të mbaj koncertin e planifikuar një kohë të gjatë dhe zhgënjimin e simpatizuesve të këngëve të mija t’ua kthej në një atmosferë të këndshme që nuk do ta harrojnë kurrë, tha Eric Saades që shihej se ishte shumë i mërzitur.
Majtistët filandeze tërhiqen nga Qeveria
Shkas se sipas grupit parlamentar propozim buxheti është shumë i ashpër për familjet me fëmijë të vegjël dhe atyre me të ardhura mesatare/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Geteborg, 26 mars – Partia Majtiste e Finlandës është tërhequr nga Qeveria. Këtë vendim e konfirmuan lideri i kësaj partie Paalo Arkinneki , që ishte edhe minister i kulturës, dhe ministrja komunikacionit, nga kjo parti, Merja Kyllynen. Shkas për këtë largim nga ekzekutivi ishte se grupi parlamentar i kësaj partie nuk e dha dritën jeshile përkatësisht votën për propozimbuxhetin ngaqë ai, sipas tij, është shumë i ashpër për familjet me fëmijë të vegjël dhe atyre me të ardhura mesatare. Po ashtu, kjo familje nuk ishte në dakord me planifikimin e ngrirjes së mbështetjes materiale për studime dhe të pensioneve.
Tash qeveria e kryeministrit Jarki Katainens është e përbërë nga pesë parti politike. Se sa do të ndikojë tërheqja e partisë majtiste nga qeveria e këtij vendi nordik mbëtet të shihet.