XHUDISTJA E KOSOVËS E ARTË NË BUDAPEST, NJË PAMJE E BUKUR…
Xhudistja e Kosovës nga Peja ka shkëlqyer dhe ka fituar Medalje të artë në “Grand Slamin” të Hungarisë, i cili filloi dje. Raportohet se, ajo ka dominuar në kategorinë 48 kilogramë, në garën që po mbahet në Budapest.
Rrethin e parë, Distria e kaloi pa luftë, ndërsa në atë të dytë ishte më e mirë se hungarezja Eva Csernoviczki.
Në rrethin e tretë, përkatësisht në çerekfinale, Krasniqi e mposhti francezen Shirine Boukli.
E në gjysmëfinale, Distria e mundi izraeliten Shira Rishony për ta siguruar kështu medaljen e argjendtë.
Ajo ishte në nivel edhe në finale, ku përballë e kishte argjentinasen Paula Pareto, njëherësh kampione olimpike, për ta fituar kështu të artën.
Kosova në Hungari përfaqësohet me 7 garues. Në këtë garë prestigjioze po marrin pjesë afro 500 garues nga rreth 70 shtete të botës.
Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka e ka vlerësuar lart paraqitjen e Distria Krasniqit në finale të turneut Grand Slam që të premten nisi në Budapest të Hungarisë. Krasniqi fitoi medaljen e artë në kategorinë deri 48 kilogramë, duke u konfirmuar si pretendente e madhe për medalje evropiane e po ashtu edhe për medalje olimpike.
“Finalja e Distria Krasniqit ishte perfekte. Me siguri të lartë e ka mposhtur kampionen olimpike që sot asnjëherë nuk e ka rrezikuar seriozisht”, citoht Kuka.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot në mëngjes ka uruar duke postuar foton nga ndarja e medaljeve ku më së larti është ngritur Flamuri i Kosovës – shtetit fitues të Medaljes së Artë.“Mirëmëngjesi me këtë pamje të bukur nga fitorja e mbrëmshme e xhudistes së Kosovës, Distria Krasniqi, e cila fitoi Medaljen e Artë🥇në “Grand Prix” të Hungarisë”, ka shkruar Presidenti Thaçi.